Regragui zbulon detajet e përpjekjeve për të bindur Yamalin të përfaqësojë Marokun
Walid Regragui ka zbuluar detaje të reja nga përpjekjet e Federatës së Futbollit të Marokut për të bindur yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, që të zgjidhte përfaqësimin e Marokut në vend të Spanjës.
Ish-trajneri i kombëtares marokene ka treguar se çështja e Yamal ishte një nga prioritetet e para me të cilat u mor pas marrjes së drejtimit të ekipit kombëtar, në bashkëpunim me presidentin e federatës. Në atë kohë, talenti i Barcelonës ishte vetëm 14 vjeç.
“E ftuam babanë dhe gjyshin e Lamine Yamal në Marok dhe biseduam me ta. Kishim dy vite që punonim për këtë çështje dhe gjithçka po shkonte mirë, deri në momentin kur erdhi koha për të marrë vendimin përfundimtar”, ka rrëfyer Regragui.
Ai tregoi se më pas delegacioni maroken shkoi edhe në Barcelonë për të zhvilluar një takim personal me lojtarin.
“Shkuam te Barcelona për ta takuar Yamal pas një prej ndeshjeve të tij. Në takim ishin edhe kushëriri dhe avokati i tij. I prezantuam projektin e kombëtares së Marokut, i cili përfshinte bashkimin direkt me ekipin senior, zhvillimin e tij me ‘Luanët e Atlasit’ dhe mundësinë për të luftuar për trofe”, u shpreh ai.
Megjithatë, vetëm dy ditë më vonë, Regragui mori lajmin se Yamal kishte vendosur të përfaqësonte Spanjën.
“Dy ditë më vonë, avokati i tij më telefonoi dhe më tha se Lamine kishte zgjedhur Spanjën. Por unë doja ta dëgjoja vendimin drejtpërdrejt nga ai. Lamine më telefonoi dhe më tha: ‘Trajner, e kam marrë vendimin tim. Do të luaj për Spanjën’”, tregoi Regragui.
Pavarësisht vendimit të Yamal, trajneri maroken theksoi se ai nuk e sheh këtë si një arsye për të shkëputur lidhjen e lojtarit me prejardhjen e tij.
“Unë i thashë se, pavarësisht se çfarë ndodh, ai do të mbetet maroken. Nuk mund ta fajësojmë një lojtar për një vendim që lidhet me vendin ku ka lindur dhe është rritur”, përfundoi Regragui.
Yamal, i cili ka prejardhje marokene nga babai, zgjodhi Spanjën dhe tashmë është një nga figurat kryesore të kombëtares. /Telegrafi/