Normal view

Republikani Joe Wilson: Serbia nën Vuçiqin po kërcënon stabilitetin e rajonit

28 August 2026 at 00:06


Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se nën udhëheqjen e tij Beogradi është larguar nga sundimi i ligjit dhe është afruar me vende dhe regjime që Washingtoni i konsideron kundërshtarë të Perëndimit.

Wilson ka bërë të ditur se së bashku me kongresmenin demokrat William Keating kanë prezantuar në Kongresin amerikan “SRBIJA Act”, një nismë dypartiake që synon të adresojë zhvillimet politike dhe situatën në Serbi.

“Nën presidentin Vuçiq, Serbia është larguar qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran”, ka shkruar Wilson.

Kongresmeni amerikan ka vënë në dukje edhe protestat e gjera që po zhvillohen në Serbi kundër korrupsionit dhe qeverisjes së Vuçiqit, duke shprehur shqetësim për ndikimin e politikave të Beogradit në stabilitetin rajonal.

“Pavarësisht protestave të gjera kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, ka deklaruar Wilson.

Prezantimi i “SRBIJA Act” vjen në një periudhë kur Serbia po përballet me një valë të gjatë protestash të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët, të cilët kërkojnë përgjegjësi institucionale, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.

Nisma dypartiake në Kongresin amerikan sinjalizon gjithashtu se zhvillimet në Serbi po marrin vëmendje të shtuar në Washington, veçanërisht në raport me orientimin e Beogradit ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit, si dhe ndikimin e tij në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor./Telegrafi.

Grateful to introduce the bipartisan SRBIJA Act! Under President Vucic, Serbia has deliberately drifted further from Rule of Law and nearer to enemies of freedom like War Criminal Putin, the Chinese Communist Party, and the terrorist regime in Tehran. Despite widespread protest…
— Joe Wilson (@RepJoeWilson) August 27, 2026

Arrestohet një person për mashtrimin me biletat e aeroplanit

20 August 2026 at 23:41


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, lidhur me shitjen e biletave të udhëtimit me aeroplan.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur gjatë muajit korrik të vitit 2026, kur një person së bashku me familjen e tij kishte blerë bileta për relacionin Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1 mijë e 150 euro.

Pavarësisht pagesës së bërë, viktimat nuk kanë mundur t’i realizojnë fluturimet në asnjërin drejtim.

“Si pasojë, ata janë detyruar të shfrytëzojnë fluturime të tjera duke blerë biletat përkatëse, veprim ky që u ka shkaktuar një dëm shtesë prej 1 mijë e 600 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, personi i dyshuar si përgjegjës për rastin ishte intervistuar fillimisht më 28 korrik 2026.

Në konsultim me prokurorin kompetent, atij i ishte dhënë kohë dhe mundësi që ta kompensonte dëmin e shkaktuar ndaj viktimave.

Megjithatë, Policia ka njoftuar se më 20 gusht 2026, i dyshuari është intervistuar përsëri në prani të avokatit mbrojtës.

Meqenëse ai nuk e kishte riparuar dëmin e shkaktuar, me vendim të prokurorit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë.

Thaçi: Synimi serbo-rus është të diskreditohet projekti i shtetit të Kosovës

20 August 2026 at 23:33


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Serbia dhe Rusia synojnë të delegjitimojnë dhe diskreditojnë shtetësinë e Kosovës, duke e lidhur këtë përpjekje edhe me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

Në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, dhënë ekskluzivisht për Debat Plus, Thaçi ka thënë se pas dështimit të përpjekjeve të Serbisë për ta delegjitimuar pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas tij, fokusi është zhvendosur drejt Këshillit të Evropës.

“Liria dhe ndërtimi i pavarësisë së Kosovës ishte e pakapërdishme për Serbinë dhe Rusinë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata iu drejtuan Këshillit të Evropës. Synimi serbo-rus është i qartë: të diskreditohet projekti i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Thaçi ka thënë se Prokuroria Speciale po u jep peshë dëshmive që ai i konsideron të fabrikuara nga periudha e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se Prokuroria po i anashkalon dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, të cilët sipas tij kanë pasur rol të drejtpërdrejtë në zhvillimet e Kosovës gjatë luftës dhe pas saj.

“Prokuroria po lartëson dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Millosheviqit; në anën tjetër mohon dëshmitë dhe argumentet e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, NATO-s, Britanisë së Madhe, OKB-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Zyrtarët ndërkombëtarë ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Thaçi ka folur edhe për dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë në sallën e gjyqit, duke thënë se prania e tyre në proces, sipas tij, tregon një obligim moral për të dëshmuar atë që kanë parë dhe përjetuar gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Ata, erdhën me lejen e qeverive të tyre. Nuk është e lehtë që këto personalitete të spikatura të ulen në një sallë të tillë gjyqi. Erdhën vullnetarisht dhe e deklaruan vetë arsyen e tyre për të dëshmuar. Kuptova se ata po e shihnin se diçka e gabuar, po ndodhte në këtë proces. Po ndienin obligim moral të thoshin të vërtetën”, ka deklaruar Thaçi./RTVDukagjini.

Vendimi i madh i Gjykatës Speciale më 16 shtator, cilat janë pritjet e Thaçit?

20 August 2026 at 23:03


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të shpallet më 16 shtator.

I pyetur se cilat janë pritjet e tij nga procesi gjyqësor, Thaçi ka qenë i prerë.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka thënë Thaçi në Debat Plus.

Thaçi është pyetur edhe nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

Ai ka thënë se nuk është penduar, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.

“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka theksuar ish-presidenti.

Në intervistë, Thaçi është pyetur edhe për narrativën mbi të cilën Prokuroria e Specializuar ka ndërtuar pretendimet e saj.

Sipas tij, kjo narrativë nis shumë më herët se periudha e luftës së Kosovës.

“Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta (atë kohë isha 11-12 vjeç) të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serb dhe rus në Këshillin e Evropës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka folur edhe për mundësinë që procesi të ketë ndikim përtej rastit të tij.

“Inkriminim për ndërkombëtarët nuk do të ketë. Por a do të ketë ndikim në ecurinë e drejtësisë ndërkombëtare? Sigurisht që do të ketë, dhe atë jo pak”, ka potencuar Thaçi.

Duke iu referuar akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se kthimi i tij nga diaspora kishte ndikuar në rritjen dhe masivizimin e UÇK-së, Thaçi ka thënë se veprimet e tij ishin pjesë e një angazhimi më të gjerë të shqiptarëve nga diaspora.

“ZPS-ja më akuzon tani se kthimi im nga diaspora ndikoi në rritjen dhe masivizimin e UÇK-së. Bëra atë që shumë të rinj shqiptar nga diaspora bënë në javët dhe muajt e rezistencës. Unë nuk e solla rezistencën në valixhe nga perëndimi në Kosovë”, ka thënë ish-presidenti Thaçi në intervistën e tij dhënë për Debat Plus.

Hoxhaj publikon foto të rrallë me Hashim Thaçin nga koha e studimeve: Të presim me padurim

20 August 2026 at 22:53


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka publikuar një fotografi të vjetër së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, nga koha kur të dy ishin studentë.

Hoxhaj, i cili ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Thaçit, e ka shpërndarë fotografinë në llogarinë e tij në Facebook, gjatë transmetimit të intervistës së Thaçit nga Haga.

Krahas fotografisë, Hoxhaj ka përcjellë edhe një mesazh të shkurtër për ish-presidentin.

“Të presim me padurim, miku im!”, ka shkruar Hoxhaj.

Në fotografinë e publikuar shihen Hoxhaj dhe Thaçi në moshë të re, gjatë periudhës së tyre si studentë.

Postimi i Hoxhajt vjen në kohën kur Thaçi ndodhet në Hagë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/

NATO flet për Telegrafin pas letrës së Vuçiqit drejtuar sekretarit Rutte

20 August 2026 at 22:06


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Vuçiq tha më 20 gusht se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që KFOR-i, sipas tij, të ndalë “terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”.

Lidhur me letrën e Vuçiqit, një zyrtar i NATO-s ka thënë për Telegrafin se Rutte është në kontakt të rregullt me presidentin serb.

Sipas zyrtarit të NATO-s, KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ky proces, sipas tij, është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe po zhvillohet me transparencë të plotë me të gjithë akterët e përfshirë, nën udhëheqjen e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutaş.

“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet dhe i kthyeshëm nëse këtë e kërkojnë zhvillimet përkatëse të sigurisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s për Telegrafin.

Ai ka bërë të ditur se procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Po ashtu, zyrtari ka thënë se edhe akterët lokalë janë angazhuar dhe informuar rregullisht për këtë proces, përfshirë Listën Serbe.

Sipas tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutaş, është takuar më 11 gusht me përfaqësuesit e Listës Serbe, me kërkesën e tyre.

“Gjeneralmajori Ulutaş vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Ai ka theksuar se personeli i KFOR-it është i pozicionuar në mënyrë të tillë që të mund t'u përgjigjet zhvillimeve të mundshme të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, dhe do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, ka deklaruar zyrtari i NATO-s.

Sa i përket mundësisë së rihapjes së urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, NATO ka bërë të ditur se çdo vendim duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

“Çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës për trafikun e automjeteve duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”, ka thënë zyrtari.

KFOR-i, sipas tij, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të vitit 1999, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ai ka shtuar se KFOR-i vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që të mund të avancojnë përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

Për komentet e mëtejshme lidhur me statusin e urës, NATO i është referuar Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, zyrtari i NATO-s ka sqaruar se KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, por bashkëpunon ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

“KFOR-i mban një prani të fuqishme dhe të dukshme në veri të Kosovës, në dobi të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të KFOR-it vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme në të gjithë Kosovën, përmes kontakteve të rregullta me komunitetet lokale, në mënyrë që misioni të jetë i pozicionuar për t'iu përgjigjur nevojave lokale të sigurisë në përputhje me mandatin e tij./Telegrafi/

Fetoshi: Vuçiq e sheh urën si kërcënim, NATO-n si progres

20 August 2026 at 21:16


Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, ka reaguar ndaj letrës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Në një analizë të publikuar me titullin “Letra e Vuçiq në shtabin e demantimit – Një ankesë drejtuar NATO-s, kundër NATO-s”, Fetoshi vlerëson se letra e presidentit serb paraqet një përpjekje të Serbisë për ta ruajtur kuptimin politik të urës si simbol i ndarjes dhe për ta paraqitur si kërcënim një proces që, sipas tij, NATO e konsideron përmirësim të sigurisë.

Sipas Fetoshit, vendimi për hapjen e urës, të cilin NATO e ka cilësuar si “progres konkret” për garantimin e lirisë së lëvizjes, përbën një kundërpërgjigje ndaj narrativës për një “Kosovë represive”.

Ai thotë se ky proces e bën gjithnjë e më të vështirë përdorimin e pretendimeve për “sulme sistematike dhe spastrim etnik” të serbëve në Kosovë si argument për destabilizimin e situatës në veri.

Fetoshi vlerëson se pretendimet për një “ballafaqim shqiptaro-serb” në veri ekzistojnë kryesisht në retorikën e Vuçiqit dhe strukturave të tij, ndërsa thekson se Kosova ka ndërtuar dhe funksionalizuar dy ura mbi lumin Ibër, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në komunikim, zhvillim dhe normalizim.

Duke iu referuar pretendimeve se hapja e urës kryesore për automjete mund të paraqesë rrezik për sigurinë, drejtori i Institutit OCTOPUS e cilëson këtë argument si absurd dhe të lidhur me ruajtjen e ndarjes në kuadër të qëllimeve hegjemoniste.

Në analizën e tij, Fetoshi rendit një sërë rastesh të incidenteve dhe veprimeve kriminale e të sigurisë në veri, duke theksuar se strukturat që kanë bllokuar rrugët, kanë sulmuar qytetarë, institucione dhe pjesëtarë të KFOR-it, si dhe personat e përfshirë në sulmin në Banjskë, nuk kanë vepruar përmes Urës së Ibrit.

Ai përmend gjithashtu armët e konfiskuara në veri, sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, si dhe rrjetet e kontrabandës, duke argumentuar se problemi i sigurisë nuk lidhet me urën, por me atë që ai e quan “infrastrukturë të destabilizimit”.

“Prandaj, problemi i Vuçiqit nuk është ura. Problem është infrastruktura e destabilizimit, e furnizuar përgjatë viteve me simbolin e ‘ndarjes’ mbi Ibër”, shkruan Fetoshi.

Sipas tij, strategjia politike e Vuçiqit ka nevojë për tensione për ta mbajtur gjallë narrativën e “serbëve të kërcënuar”, ndërsa në këtë sistem, siç thotë ai, përfshihen edhe strukturat që kanë vepruar në veri dhe figura e Milan Radoiçiqit.

Fetoshi thekson se NATO është në dijeni të burimeve të kërcënimeve të sigurisë në veri, duke përmendur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, ngjarjet në Banjskë dhe arsenalin e armëve të kapur në këtë pjesë të Kosovës.

Në fund, drejtori i Institutit OCTOPUS vlerëson se letra e Vuçiqit drejtuar NATO-s synon ta paraqesë normalizimin si kërcënim, lirinë e lëvizjes si rrezik dhe integrimin e veriut si “terror ndaj serbëve”.

Sipas Fetoshit, me një qasje të tillë, Vuçiq vetëm sa po e shpërfaq atë që ai e quan strategji të “viktimizimit si paralajmërim”./Telegrafi.


Aleanca: Pushteti e ka kthyer KEK-un në terren vdekjeje, kërkohet hetim urgjent dhe dorëheqje

20 August 2026 at 20:02


Aleanca ka reaguar ashpër përmes një komunikate zyrtare për medie, pas rasteve të njëpasnjëshme tragjike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku brenda një viti kanë humbur jetën katër punëtorë.

Në reagimin e saj, Aleanca thekson se vdekjet e punëtorëve Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe së fundmi Arbenit Ahmeti, janë dëshmia më e rëndë e dështimit dhe neglizhencës kriminale të kësaj Qeverie.

Sipas këtij subjekti, dy vdekjet tragjike brenda vetëm tri ditëve të fundit dëshmojnë se situata ka dalë plotësisht jashtë kontrollit dhe se pushteti ka dështuar të garantojë jetën e qytetarëve.
"Këta që shtiren çdo ditë se po marrin masa për mbrojtjen e punëtorëve, në realitet e kanë sjellë ndërmarrjen më të madhe publike në një terren të rrezikshëm ku vdesin njerëzit", thuhet në komunikatën e Aleancës.

Ata kanë drejtuar kritika të ashpra edhe ndaj ministrisë së linjës, duke u shprehur se po sillet si "agjenci mortore", teksa menaxhmenti dhe Bordi politik i KEK-ut reagojnë vetëm me komunikata shabllone pasi ndodhin tragjeditë, në vend që të parandalojnë rreziqet.

Më tej, në reagim potencohet se punëtorët e KEK-ut po detyrohen të punojnë nën presion e frikë, duke mos guxuar të denoncojnë rreziqet në vendin e punës nga frika e pasojave prej një menaxhmenti represiv.

Përballë kësaj situate, Aleanca ka paraqitur kërkesa të prera duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe përgjegjësi të plotë ligjore e penale për secilin zyrtar përgjegjës.

"Menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut duhet të japin llogari urgjente para drejtësisë dhe dorëheqje të menjëhershme për humbjen e këtyre jetëve. Njëjtë duhet të veprojë edhe deputetja që sillet si ministre", përfundon komunikata, e cila mbyllet duke u shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të punëtorëve.

MASh u bën thirrje prindërve të mos nxitojnë me blerjen e teksteve shkollore

20 August 2026 at 19:28


Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, pasi procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.

Në një njoftim, MASh ka bërë të ditur se katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.

“Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese do të publikohet katalogu përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore, ndërsa do të përcaktohet edhe shuma përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës.

“Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore”, thuhet më tej në njoftim.

Njëkohësisht, MASh u ka bërë thirrje edhe librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka theksuar se për çdo informacion të mëtejshëm, prindërit, kujdestarët ligjorë dhe të gjithë të interesuarit duhet t’u referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare të saj./Telegrafi.

Gashi: Shpëtimi për Kosovën është marrëveshja LVV-LDK

20 August 2026 at 19:16


Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të jetë rruga për tejkalimin e ngërçit institucional në Kosovë.

Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Gashi tha se LVV dhe LDK kanë numrat e nevojshëm për të arritur një marrëveshje, por sipas tij, kjo varet edhe nga kontrolli që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbi grupin parlamentar të partisë.

“Duket që shpëtimi për Kosovën është kjo marrëveshje mes LVV dhe LDK-së. Për shkak të numrave që i kanë”, tha Gashi.

Ai vlerësoi se një marrëveshje e tillë mund të arrihet nëse Abdixhiku arrin ta mbajë nën kontroll qëndrimin e deputetëve të LDK-së.

Megjithatë, Gashi tha se edhe në rast të arritjes së marrëveshjes, mund të shfaqet një problem tjetër, pasi brenda LDK-së, sipas tij, ka grupacione që janë kundër bashkëpunimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin.

“Sepse nëse arrihet kjo marrëveshje është problemi tjetër, që ka grupacione që janë hapur kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin nga LDK-ja, dhe atëherë i bie që po humbim kohë”, u shpreh ai.

Gashi tha se partitë politike duhet të dalin sa më shpejt me emrat e kandidatëve për president, duke propozuar që të ketë disa alternativa dhe që deputetët të kenë mundësi të votojnë për njërin prej tyre.

“Mendoj që tani është koha e fundit që ata ta dalin me emra dhe mbiemra të propozuarve, mund të jetë 1, 2, 3 dhe pastaj është në dorën e deputetëve që ta votojnë të parin, të dytin apo të tretin”, deklaroi Gashi.

Sipas tij, është e papranueshme që Kuvendi të mos arrijë të zgjedhë presidentin e vendit, pavarësisht numrit të deputetëve shqiptarë.

“Sepse është marre, përveç të shkeljeve të ligjeve, kushtetutës, që 100 deputetë shqiptarë mos të jenë në gjendje ta zgjedhin një president”, tha Gashi.

"Mitraloz, armë të gjata, mjete shpërthyese e uniforma" - Detajet e operacionit të Policisë në koordinim me AKI-në në veri

20 August 2026 at 18:29


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacionet në veri për armatim dhe municion janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

“Me qëllim të parandalimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale, Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës, nga data 6 gusht deri më datën 17 gusht ka zhvilluar disa operacione policore për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut".

"Këto operacione janë ndërmarrë pas pranimit të informatave në rrugë të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm, mbi dyshimet për posedim të armëve ilegale”, tha Hoxha.

Sipas tij, pas pranimit dhe verifikimit të informatave, janë realizuar kontrolle në 45 lokacione, ku janë gjetur armë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme.

Hoxha bëri të ditur se në mesin e armëve të konfiskuara janë 20 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.


“Po ashtu janë gjetur dhe municione gjithsej 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm. Plus, nuk mund të jetë për shkak që mund t'i shihni më vonë, do të keni mundësinë për një për një pamje. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve, shumë tatujta, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe po ashtu rreth 10 pesha apo magazina.

Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, që të mos i emërojmë të gjitha, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sepata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera ushtarake të cilat janë gjetur konfiskuar. Po ashtu është gjetur një numër i madh i uniformave, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me pjesën ushtarake.

Po ashtu janë sekuestruar dhe dokumentacione, dokumentacione të mbrojtjes territoriale të Ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera të ndryshme për qëllime luftarake, leje të armëve të shkurtra, leje të armëve të gjuetisë dhe po ashtu leje të tjera të skaduara. Po ashtu gjatë operacioneve janë gjetur dhe sekuestruar edhe mjete monetare, para në vlerën prej 9,600 euro dhe po ashtu 5,000 franga”, u shpreh Hoxha./Telegrafi.















Kosova, Ukraina dhe sprova e koherencës

20 August 2026 at 18:06


Rikonfirmimi i qëndrimit të Kievit në Beograd ngre pikëpyetje mbi koherencën e parimeve që e lidhin Kosovën dhe Ukrainën

Albanians For America

Më 8 gusht, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy qëndroi përkrah Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd dhe, kur u pyet për qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës, ishte i prerë: qëndrimi i Kievit mbetet i pandryshuar. Kjo do të thotë se Ukraina edhe më tej nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Kjo nuk e ndryshon politikën e Ukrainës ndaj Kosovës. Rëndësinë këtij zhvillimi ia jep fakti se qëndrimi u rikonfirmua pikërisht në Beograd, në një kohë kur Kievi po kërkon të zgjerojë hapësirën e vet diplomatike në rajon.

Serbia, pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta politike, ekonomike dhe ushtarake me Moskën. Bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026, ndërsa lidhjet ushtarake mes Beogradit dhe Moskës janë të konsoliduara prej vitesh.

Për këtë arsye, vizita e Zelenskyy-t në Serbi dhe mënyra se si ai e rikonfirmoi qëndrimin për Kosovën kanë një domethënie që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe.

Ukraina ka arsye të kuptueshme për këtë qasje. Por, afrimi me Beogradin nuk është politikisht neutral dhe kostoja e tij ndihet më së shumti në raport me Kosovën.

Të nesërmen e vizitës së Zelenskyy-t në Beograd, në Prishtinë u hoq një flamur i madh ukrainas me mbishkrimin “Free Ukraine”, i cili kishte qëndruar në qendër të kryeqytetit për rreth katër vjet. Në Beograd, Ukraina rikonfirmoi se nuk e njeh Kosovën, ndërkaq në Prishtinë, u hoq një nga simbolet më të dukshme të solidaritetit të saj me Ukrainën.

Por, flamuri ukrainas nuk është thelbi i kësaj historie. Thelbi është parimi.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, Kosova ka qenë e qartë në mbështetjen e saj për Ukrainën. Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në mbështetje të Ukrainës vetëm dhjetë ditë pas fillimit të pushtimit. Që atëherë, Kosova ka ofruar ndihmë ushtarake, pajisje, municion dhe automjete, ka marrë pjesë në trajnimin e forcave ukrainase përmes Operacionit Interflex të Mbretërisë së Bashkuar, ka ofruar trajnime për deminim, ka pritur gazetarë ukrainas dhe ka dhënë ndihmë humanitare. Në maj 2022, Kosova vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe më pas iu bashkua paketave të tjera të sanksioneve të BE-së. Në shkurt 2026, ajo miratoi edhe pakon e 19-të të sanksioneve të BE-së.

Kosova nuk e ka mbështetur Ukrainën për të fituar një favor politik nga Kievi. E ka bërë sepse e konsideron sovranitetin, integritetin territorial dhe papranueshmërinë e ndryshimit të kufijve me forcë si parime që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.

Pikërisht këtu qëndron shqetësimi që ngre qëndrimi i Zelenskyy-t në Beograd.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht që komuniteti ndërkombëtar të mos e njohë aneksimin e territoreve të saj nga Rusia dhe të mos e pranojë ndryshimin e kufijve përmes forcës. Në këtë kontekst, Kosova i ka mbështetur këto kërkesa jo për të marrë diçka në këmbim, por sepse i sheh ato si pjesë të një rendi ndërkombëtar që duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë.

Rrjedhimisht, qëndrimi i Kosovës nuk është transaksional, ndaj i njëjti parim për të cilin po lufton Ukraina nuk mund të trajtohet si i parëndësishëm kur bëhet fjalë për Kosovën.

Argumenti i Kievit është i njohur. Ukraina druhet se njohja e Kosovës mund të përdoret nga Rusia si argument propagandistik për t`i justifikuar pretendimet e saj territoriale në Ukrainë.

Kosova nuk është Krimea, Donjecku e as Luhansku.

Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si rezultat i aneksimit të territorit nga një shtet tjetër. Ajo erdhi pas vitesh represioni sistematik, lufte, zhvendosjesh masive dhe krimesh të kryera nga Serbia; pas ndërhyrjes së NATO-s; pas administrimit ndërkombëtar nën Kombet e Bashkuara; dhe pas një procesi të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Opinioni nuk i detyroi shtetet ta njohin Kosovën, por as nuk e trajtoi deklaratën e pavarësisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Rasti i Kosovës mbetet i lidhur me rrethanat e tij të veçanta historike dhe politike, çka është një nga arsyet pse nuk mund të përdoret si precedent për territore të tjera.

Por këtu qëndron edhe dallimi themelor me atë që Rusia ka bërë në Ukrainë. Krimea u pushtua dhe u aneksua nga Rusia përmes forcës ushtarake. Rasti i Kosovës ka një histori krejt tjetër: represion, vrasje, masakra, spastrim etnik, luftë, ndërhyrje të NATO-s, administrim ndërkombëtar dhe një proces i gjatë për përcaktimin e statusit. Për më tepër, edhe zëra ukrainas kanë kundërshtuar idenë se Kosova dhe territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia mund të trajtohen si raste paralele.

Pra, Ukraina mund të mbajë edhe më tej qëndrimin e saj politik ndaj Kosovës, por ai bëhet politikisht më problematik kur rikonfirmohet pikërisht në Beograd, në krah të një udhëheqjeje që vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Moskën.

Ukraina po kërkon ta zgjerojë hapësirën e saj diplomatike në Ballkan dhe të afrohet me një Serbi që tradicionalisht ka qenë e afërt me Rusinë. Kjo është një zgjedhje pragmatike. Por, afrimi me Beogradin ka edhe kosto politike, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën.

Në këtë rast, afrimi me Beogradin dhe rikonfirmimi i qëndrimit ndaj Kosovës e vendosin Ukrainën përballë një dileme politike që bëhet gjithnjë më e vështirë për t’u shpjeguar në Prishtinë.

Për dekada, Washingtoni ka investuar në stabilitetin e Kosovës dhe në arkitekturën e saj të sigurisë, përfshirë praninë e NATO-s dhe KFOR-it. Kosova nuk është thjesht një çështje e politikës së jashtme amerikane, por pjesë e një angazhimi strategjik amerikan në Ballkan.

Ukraina kërkon mbështetje të gjerë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në të njëjtën kohë, vazhdon të mos e njohë një shtet, pavarësinë, sigurinë dhe shtetndërtimin e të cilit SHBA-ja i ka mbështetur fuqishëm për dekada

Ky tension nuk mund të anashkalohet në marrëdhëniet transatlantike.

A mund të kërkohet që sovraniteti të respektohet kur bëhet fjalë për Ukrainën, ndërsa i njëjti parim të refuzohet në rastin e Kosovës?

Ukraina ka nevojë për mbështetjen dhe kohezionin e Perëndimit, ndaj pikërisht për këtë arsye, marrëdhëniet me partnerët e saj duhet të ndërtohen edhe mbi besim dhe qëndrueshmëri politike.

Për Kosovën, qëndrimi i liderit ukrainas nuk duhet të kthehet në arsye për ta braktisur Ukrainën. Kosova mund të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Ukrainën kundër agresionit rus, por kjo nuk do të thotë se duhet të heshtë për çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e saj.

Në fund, kjo nuk është çështje flamujsh apo favoresh diplomatike. Është çështje koherence. Kosova nuk po kërkon që Ukraina t'i kthejë një borxh politik. Po kërkon që një parim, të cilin Kievi e mbron me të drejtë për veten të mos trajtohet si i parëndësishëm kur bëhet fjalë për Kosovën.

Nëse Ukraina kërkon që bota të mos e relativizojë pushtimin e territorit të saj, është e arsyeshme që edhe politika e saj të vlerësohet me të njëjtin standard. Për Kosovën, përgjigjja është e thjeshtë: njohja e pavarësisë dhe sovranitetit të saj.


Hoxha: Armatimi i gjetur në Zubin Potok mund të jetë përdorur në masakrën e Grupit të Intelektualëve

20 August 2026 at 17:02


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se ekziston dyshimi që një pjesë e armatimit të gjetur dhe konfiskuar në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin-Potokut mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Hoxha është pyetur nga gazetarët lidhur me mundësinë e një lidhjeje mes armëve të ekspozuara gjatë konferencës për media dhe masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, në zonën ku së fundmi janë zbuluar varreza masive dhe mbetje kockore.

Ai ka thënë se përgjigjja përfundimtare për këtë çështje do të mund të jepet vetëm pas ekzaminimit të armëve në laboratorë.

“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve, mirëpo këto mbeten për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe të dërgohen jashtë nëse ka nevojë”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për armë ilegale, të cilat do të ekzaminohen një nga një, me qëllim që të përcaktohet nëse kanë lidhje me rastet e hetuara.

“Sidoqoftë, këto janë armë ilegale të gjitha dhe do të ekzaminohen një nga një derisa të vijmë te rezultati konkret”, ka thënë drejtori i Policisë.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ekzaminimi i armatimit do të kryhet me prioritet.

Sveçla tha se ka urdhëruar Agjencinë e Forenzikës që menjëherë pas përfundimit të konferencës, armatimi i sekuestruar të dërgohet për ekzaminim dhe të procedohet me urgjencë në bashkëpunim me hetuesit e Policisë.

“Tashmë Agjencia e Forenzikës, kam urdhëruar që me prioritet për të ekzaminuar këto armë. Që nga momenti që përfundon kjo konferencë, gjithë ky armatim do të shkojë në Agjencinë e Forenzikës, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim të i procedojnë me urgjencë”, ka thënë Sveçla.

Ai ka deklaruar se në momentin kur të sigurohen të dhëna të bazuara në prova shkencore, institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në kuadër të hetimeve dhe, nëse konfirmohet përfshirja e personave të caktuar, do të kërkohet përgjegjësi.

“Në momentin e parë që kemi informata të bazuara në shkencë, patjetër që policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para përgjegjësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër dhe ne do të njoftojmë menjëherë publikun”, ka deklaruar Sveçla./Telegrafi.

Sveçla: Armatimi në Zubin Potok u gjet pranë varrezave masive me mbetjet e 23 personave

20 August 2026 at 16:36


Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi, municionet dhe pajisjet ushtarake të sekuestruara së fundmi nga Policia e Kosovës në Zubin-Potok janë gjetur në zonat përreth lokacioneve ku janë zbuluar varreza masive.

Në një konferencë për media, Sveçla tha se armatimi është hasur pranë zonave ku janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave, në tri lokacione të ndryshme.

Sipas tij, mbetjet mortore janë zbuluar gjatë gërmimeve në tri lokacione, ku në të parin janë gjetur mbetjet e 13 personave, në të dytin të katër personave dhe në të tretin të gjashtë personave.

“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit, pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve... u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.

Sveçla ka reaguar edhe ndaj, siç e ka cilësuar ai, heshtjes së Serbisë dhe Listës Serbe lidhur me zhvillimet e fundit në veri, përfshirë zbulimin e varrezave masive dhe sekuestrimin e armatimit.

“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri në detyrë ka bërë të ditur se armatimi i sekuestruar është gjetur në 12 lokacione të ndryshme dhe se nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe analizave të detajuara.

Sipas Sveçlës, qëllimi i hetimeve është përcaktimi i origjinës dhe përdorimit të armatimit, si dhe verifikimi i mundësisë së lidhjes së tij me rastet që po hetohen, përfshirë edhe rastin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur së fundmi.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka thënë tutje Sveçla./Telegrafi.

Ambasada amerikane paralajmëron shqiptarët: Kush kryen krime dhe nxit dhunë i anulohet viza për në SHBA

20 August 2026 at 16:33


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se Departamenti amerikan i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Në postimin e ambasadës theksohet politika e “zero tolerancës” ndaj shtetasve të huaj që përfshihen në krime të dhunshme.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Ndërkaq, në një njoftim të Departamentit të Shtetit, të publikuar më 10 gusht, bëhet e ditur se janë anuluar më shumë se 175 mijë viza të shtetasve të huaj, të cilët kanë shkelur kushtet e vizave të tyre, kanë kryer krime, kanë bërë thirrje për dhunë kundër qytetarëve amerikanë, kanë mashtruar amerikanët, kanë abuzuar me sistemin e imigracionit ose kanë rrezikuar sigurinë kombëtare.

Sipas njoftimit, shumica e vizave janë revokuar pas përballjeve të mbajtësve të tyre me forcat e rendit për një sërë veprash kriminale.

Ndër shkaqet kryesore për anulimin e vizave përmenden sulmet, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, vjedhja dhe krimet që lidhen me drogën.

Një numër i konsiderueshëm vizash janë revokuar edhe për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, sulme seksuale, abuzim me fëmijë, mashtrim dhe përvetësim, si dhe për vepra të tjera kriminale.

Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se revokimet janë rezultat i operacioneve të vazhdueshme të verifikimit, me qëllim që të sigurohet se mbajtësit e vizave respektojnë kushtet e tyre dhe nuk paraqesin rrezik për qytetarët amerikanë dhe sigurinë kombëtare.

Buxhovi: Periudha e Hashim Thaçit ende nuk ka përfunduar

19 August 2026 at 23:55


Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se periudha politike e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk ka përfunduar.

Buxhovi ishte i ftuar të mërkurën në emisionin “Pressing One” të T7, ku ka folur për zhvillimet politike dhe rolin e figurave të rëndësishme të politikës së Kosovës.

Ai tha se deri në vitin 2020, Hashim Thaçi përfaqësonte një personalitet me rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit, duke vlerësuar se periudha e tij ende nuk është mbyllur.

“Deri 2020 e kemi një personalitet tjetër, rolin e një personaliteti që është Hashim Thaçi, që periudha e tij nuk ka përfunduar ende”, ka thënë Buxhovi.

Duke folur për Thaçin, historiani tha se ish-presidenti ka shkuar në Hagë “si burrë shtetas”, duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it, diskutohet për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin

19 August 2026 at 23:52


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit.

“Kryeministri e falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, në veçanti për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Kryeministri shprehu mirënjohje për kontributin dhe monitorimin e EULEX-it në këtë fushë, duke nënvizuar nevojën për reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e viktimave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një pjesë e takimit iu kushtua edhe situatës së sigurisë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe vëmendjes së shtuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

“Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes”, thuhet në njoftim.

Në Kostërrc të Skenderajt përurohet obelisku me shkronjat e UÇK-së

19 August 2026 at 23:42


Në fshatin Kostërrc të Skenderajt është përuruar obelisku me shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në një ceremoni të mbajtur më 16 gusht 2026, në orën 19:00.

Projekti u realizua nga Berat Dervishaj, Bujar Dervishi dhe Fitim Mehmeti, kryetar i fshatit, me kontributin e ish-komandantit të UÇK-së, Musa Dervishaj.

Në realizimin e projektit kontribuoi edhe Petrit Spahiu, i cili dhuroi parcelën dhe ndihmoi në terren. Ndërkaq, në punimet fizike morën pjesë Florim Spahiu me familje, Nexhat Dervishi, Besnik Dervishi dhe Leonard Mehmeti.

Obelisku u financua përmes kontributit të një pjese të qytetarëve vullnetmirë, ndërsa realizimi i tij u bë me angazhimin e organizatorëve dhe kontribuuesve.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë qytetarë, veteranë të UÇK-së dhe mysafirë nga disa qytete të Kosovës.

Në mesin e të pranishmëve dhe folësve ishin kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nënkryetari Fadil Nura, ish-komandanti i brigadës, Jetullah Geci, ish-komandanti i UÇK-së, Vesel Aruqi – Rambo, si dhe Ganimete Musliu dhe Sala Jashari.

Ceremonia u shoqërua edhe me program kulturor, të cilin e pasuroi Grupi Folklorik “Rifat Draga”.

Përurimi i obeliskut u ndoq nga një numër i madh qytetarësh nga Kostërrci, Skenderaj dhe qytete të tjera të Kosovës./Telegrafi/



EBA pezullon tregtinë dhe transaksionet financiare me Iranin, përshkallëzohet tensioni në rajon

19 August 2026 at 23:38


Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar pezullimin e të gjitha transaksioneve tregtare dhe financiare me Iranin, deri në një njoftim të dytë, në një tjetër zhvillim që tregon për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Ministria e Jashtme e Emirateve deklaroi se vendimi është marrë për shkak të përshkallëzimeve rajonale, të cilat sipas saj po cenojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

“E gjithë tregtia, shkëmbimet tregtare dhe transaksionet financiare me Iranin janë ndalur deri në një njoftim të dytë”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Vendimi vjen pasi Emiratet deklaruan se dy raketa balistike, të cilat dyshohej se synonin lundrimin detar, ranë në det. Irani ka mohuar se ka lëshuar raketat.

EBA është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Iranit dhe renditet pas Kinës për nga volumi i tregtisë me Republikën Islamike. Marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve ishin zgjeruar edhe gjatë periudhës kur Shtetet e Bashkuara kishin forcuar sanksionet ndaj Iranit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve, javën e kaluar anije që i përkisnin kompanisë shtetërore të naftës së EBA-së u shënjestruan nga Irani teksa kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Pesë amerikanë mes shtatë viktimave nga rrëzimi i helikopterit në Kenia

19 August 2026 at 23:24


Shtatë persona, përfshirë pesë shtetas amerikanë, kanë vdekur pasi një helikopter safari u rrëzua të mërkurën në mëngjes në një zonë të thellë të veriut të Kenias.

Helikopteri u rrëzua rreth orës 09:13, gjatë fluturimit nga rezervati Loisaba Conservancy drejt zonës Ewaso Nyiro në qarkun Samburu. Në bord ndodheshin shtatë persona – gjashtë pasagjerë dhe piloti.

Policia lokale konfirmoi se të gjithë personat në bord humbën jetën. Autoritetet e aviacionit civil të Kenias kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se pesë nga viktimat ishin shtetas amerikanë.

“Ambasada amerikane është në kontakt me autoritetet lokale dhe po ofron asistencë konsullore”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Mes viktimave ishte edhe José Suárez, 55 vjeç, president dhe menaxher i përgjithshëm i disa stacioneve të rrjetit televiziv Telemundo në Florida.

“Jemi të pikëlluar kur mësuam lajmin tragjik se José humbi jetën në një aksident me helikopter në Kenia”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të drejtuesve të NBC Universal dhe Telemundo, raporton The Guardian.

Po ashtu, në aksident humbi jetën Michele Sensi-Contugi, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inteligjencës së Ekuadorit. Ai ndodhej në Kenia si turist së bashku me bashkëshorten e tij, Stephany Hollihan Vasconez, e cila gjithashtu vdiq në aksident. Ajo kishte shtetësi amerikane dhe ekuadoriane.

Çifti ka lënë pas dy fëmijë.

Helikopteri u rrëzua në një zonë të vështirë malore, në rrëzë të malit Ololokwe, një destinacion i njohur turistik në Kenia. Helikopteri ishte në pronësi të kompanisë lokale Lady Lori Helicopters dhe po kryente një fluturim charter për turistët e kompanisë së udhëtimeve +Beyond.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kenias bëri të ditur se bëhej fjalë për një helikopter të tipit Eurocopter EC130 B4.

Kompania Tropic Air Kenya, e cila operon në fushën e safarive, dërgoi dy helikopterë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Kenia është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe përdor gjerësisht transportin ajror për të dërguar turistët në zona të largëta. Megjithatë, aksidentet me helikopterë janë raportuar me një frekuencë në rritje.

Në shkurt të këtij viti, gjashtë persona, përfshirë një deputet, humbën jetën pasi një helikopter u rrëzua në një zonë kodrinore të Kenias perëndimore.

❌