Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të lëvizë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Kërkesa u bë gjatë takimit lamtumirës me ushtruesen e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Kurti theksoi se Kosova pret që aplikimi për anëtarësim të ecë përpara dhe që vendit t’i jepet statusi i kandidatit, duke kërkuar që procesi të bazohet në merita.
Gjatë takimit, kryeministri në detyrë vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe falënderoi Palatovën për kontributin e saj.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Në fund të takimit, Kurti i uroi Palatovës suksese në angazhimet e ardhshme profesionale./Telegrafi/
Rreth 15 mijë e 800 persona dyshohet se kanë humbur jetën në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta që nga fillimi i vitit.
Të dhënat janë publikuar nga Instituti Robert Koch, instituti gjerman i shëndetit publik dhe bazohen në vlerësimet deri më 26 korrik.
Shifra është më e lartë se numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në çdo vit të plotë që nga viti 2016. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në vitin 2018, me rreth 9 mijë vdekje.
Më shumë se gjysma e viktimave të këtij viti, rreth 9 mijë e 600 persona, lidhen me valën rekord të të nxehtit në fund të qershorit, kur temperaturat në disa zona arritën deri në 42 gradë Celsius.
Ndërkohë, rreth 4 mijë vdekje të tjera janë atribuar temperaturave të larta nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit.
Shifra pritet të rritet edhe më tej, pasi disa lande gjermane raportojnë të dhënat e vdekjeve me vonesë.
Nga totali i vlerësuar, rreth 11 mijë e 900 viktima ishin persona mbi moshën 75-vjeçare.
Qershori i vitit 2026 ishte gjithashtu muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore, sipas të dhënave të shërbimit klimatik të BE-së, Copernicus. /DW/
Tre fëmijë shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht, pasi zjarri përfshiu një banesë dy katëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Jacksonville, Percy Golden.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes, në zonën Mandarin të Jacksonville të Floridës, ku zjarrfikësit u thirrën rreth orës 5:00. Ekipet e shpëtimit gjetën tre fëmijë të pajetë brenda banesës.
Dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë arritën të dalin nga banesa, por u dërguan në spital në gjendje kritike.
Sipas raportimeve të mediave lokale, familja e fëmijëve është nga Shqipëria. Lajmi ka tronditur familjarët dhe komunitetin shqiptar në Jacksonville.
Zjarri ka dëmtuar edhe dy njësi të tjera të banesave, ndërsa disa familje kanë mbetur pa shtëpi.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Për rastin po hetojnë autoritetet lokale dhe shërbimet e zjarrfikësve. /Telegrafi/
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një prononcim për Telegrafin ka treguar për përfshirjen e tij si palë e dëmtuar në rastin ndaj Fatmir Shehollit, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për spiunazh dhe shantazh.
Rashiq, ka deklaruar se në korrik të vitit 2025 disa prej bashkëpunëtorëve të tij janë kontaktuar nga një person që është prezantuar si pjesëtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Sipas tij, bashkëpunëtorëve u është kërkuar që të udhëtonin në Beograd për një takim, ndërsa në të kundërtën u janë bërë paralajmërime kërcënuese.
“Kjo ka ndodhur më 24 korrik të vitit të kaluar. Një ditë, pasdite, diku rreth orës pesë ose gjashtë, disa prej bashkëpunëtorëve të mi të ministrisë kanë marrë telefonata nga një numër nga Serbia. Po e parafrazoj çka u kanë thënë: Unë jam nga BIA, po ju thërrasim për të mirën e juve që të vini të bisedoni me ne, sepse përndryshe keq për ju”, ka treguar Rashiq se u është thënë bashkëpunëtorëve të tij, shkruan Telegrafi.
Ai ka deklaruar se bëhej fjalë për gjashtë bashkëpunëtorët e tij, të cilët më pas e kanë informuar për telefonatat.
“Unë ju thashë se askush nuk guxon të shkojë në Serbi, e në veçanti të shkojë të takohet me ta. U thashë se nuk ka asnjë shans”, ka thënë Rashiq.
Sipas tij, telefonatat nuk kanë përfunduar me kaq. Një ditë para ditës së caktuar për udhëtim, personat janë kontaktuar përsëri dhe janë pyetur nëse do të shkonin në Beograd.
Pasi nuk kanë marrë përgjigje, sipas Rashiqit, janë dërguar disa video-incizime të cilat pretendohej se ishin komprometuese.
“Ata m’i kanë treguar ato incizime dhe unë u kam thënë: ‘Absolutisht mos u përgjigjeni’, sepse mund të jenë të rreme, të manipuluara ose të montuara”, ka deklaruar ai.
Rashiq ka thënë se më pas këto materiale janë publikuar në portalin “Pa Rrotulla”, rreth 20 deri në 30 ditë pas ngjarjeve.
Ai ka deklaruar se e ka raportuar rastin në Polici që në ditët e para, duke theksuar se sheh një ndërlidhje mes kërcënimeve ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe materialeve që më vonë janë publikuar.
“Prandaj, besoj se ekziston një ndërlidhje dhe se ne kemi qenë të dëmtuar nga kjo”, ka thënë Rashiq për Telegrafin.
Në deklarimin e tij të dhënë në polici, Rashiq ka përmendur edhe nofkën “Panta”, me të cilën, sipas tij, ishte prezantuar personi që kishte telefonuar bashkëpunëtorët e tij.
Rashiq ka theksuar se raste të tilla, sipas tij, nuk janë të reja dhe se periudhat para zgjedhjeve janë shoqëruar me sulme kibernetike, tentativa për rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe kërcënime.
“Po e përsëris, nuk është hera e parë. Sidomos kur afrohen zgjedhjet, çdo proces i tillë shoqërohet jo vetëm me sulme të kësaj forme dhe përpjekje për t’i rekrutuar apo marrë bashkëpunëtorët, por edhe me kërcënime ndaj individëve të ndryshëm, ndaj familjarëve të mi, familjarëve të bashkëpunëtorëve të mi dhe ndaj vetë bashkëpunëtorëve”, ka deklaruar Rashiq.
Ai e ka cilësuar këtë si një veprimtari të vazhdueshme që, sipas tij, ka zgjatur prej vitesh.
“Është një sistem i tërë që vazhdimisht merret drejtpërdrejt me ne dhe zhvillon një lloj lufte speciale ndaj nesh. Kjo vazhdon prej shumë vitesh. Sa më kujtohet mua, ndoshta prej 12 vjetësh, dhe unë vazhdimisht kam qenë cak i tyre”, ka ka thënë Rashiq.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, sipas dosjes së publikuar, përmenden materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat, sipas pretendimit të Prokurorisë, Sheholli i kishte pranuar më 26 shtator 2025 në Mitrovicën e Veriut.
Prokuroria pretendon se këto materiale më pas ishin dorëzuar te gazetari Milaim Zeka me qëllim të publikimit të tyre para zgjedhjeve lokale.
Rashiq ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Shehollin, ndërsa për Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s, ka thënë se e njeh vetëm si figurë të cilën e kishte njohur para luftës.
Nëse thirret nga gjykata, Rashiq ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë në rast.
“Absolutisht. Jo vetëm unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi. Në këtë rast, unë personalisht nuk kam qenë i kontaktuar drejtpërdrejt, por kanë qenë bashkëpunëtorët e mi. Në fund të fundit, unë kam qenë i pari që e kam raportuar rastin”, ka shtuar Rashiq.
Prokuroria Speciale e ka ngritur aktakuzën ndaj Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka vepruar në koordinim me BIA-n serbe dhe se, ndër të tjera, ka mbledhur e përcjellë informacione dhe materiale lidhur me zhvillimet politike dhe institucionet e Kosovës.
Seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit është caktuar të mbahet më 7 shtator, ku pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor i rastit. /Telegrafi/
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se gjithsej 5,033 kandidatë kanë aplikuar për Provimin e Maturës përmes platformës eKosova, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit.
Sipas njoftimit të Ministrisë, të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Ndërkohë, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
Ministria e Arsimit ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit që të respektojnë udhëzimet dhe rregullat e përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës.
Qëllimi, sipas MASh-it, është që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët. /Telegrafi/
Drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR), Sergey Naryshkin, konfirmoi të enjten se u takua me Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, i cili vizitoi Moskën në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.
Në komente për gazetarët në kryeqytetin rus, Naryshkin e përshkroi takimin me Ratcliffe si "asgjë të pazakontë", duke thënë se bisedimet e tyre ishin "pjesë e formatit tonë të punës".
"Gjatë takimit, diskutuam një numër çështjesh që bien në fushëveprimin e shërbimeve të inteligjencës. Dhe fushëveprimi i shërbimeve të inteligjencës është një çështje mjaft delikate dhe specifike", shtoi shefi i SVR-së.
Kremlini konfirmoi të mërkurën se Ratcliffe vizitoi Moskën të martën, vizita e parë nga një shef i CIA-s që nga viti 2021, duke thënë se përfshinte kontakte midis shërbimeve të sigurisë dhe duke i përshkruar kontaktet e tilla si "fenomen pozitiv, proces pozitiv".
Sipas Flightradar24, një avion C-17A Globemaster III i Forcave Ajrore Amerikane fluturoi nga kryeqyteti letonez Riga në Aeroportin Vnukovo të Moskës të martën. Avioni kishte mbërritur dy ditë më parë nga Camp Springs në SHBA, pranë Bazës së Përbashkët Andrews në Maryland, ku shpesh bazohen avionët e Shtëpisë së Bardhë.
Avioni u nis nga Moska dhe u kthye në Riga më vonë po atë mbrëmje, sipas të dhënave të Flightradar24.
CBS News raportoi më vonë, duke cituar burime të njohura me situatën, se drejtori i CIA-s ishte në kryeqytetin rus për takime.
Axios, duke cituar një burim, raportoi se Washingtoni kishte njoftuar Kievin se një delegacion i lartë do të vizitonte Moskën dhe i kishte kërkuar Ukrainës të pezullonte sulmet derisa delegacioni të largohej nga vendi.
Më vonë të mërkurën, presidenti i SHBA-së Donald Trump e karakterizoi vizitën e Ratcliffe në Moskë si "gjysmë rutinë", duke hedhur poshtë raportimet se vizita ishte e lidhur me kërcënime të mundshme ushtarake ruse kundër NATO-s ose Mbretërisë së Bashkuar. /AA/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dorëzojë sot në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e kryesuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media, duke thënë se kallëzimi penal bëhet mbi dyshimin për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Gruda tha se Dehari, si kryesues i seancës konstituive, ka obligim të veprojë në përputhje me përgjegjësitë e tij zyrtare.
“Nuk mund të ketë asnjëherë një situatë ku një person publik ka autorizime zyrtare, të cilat nuk i përdorë ose i përdorë në mënyrë kundërligjore dhe të mos ketë pasoja. Ne jemi shoqëri e organizuar në shtet, nuk jemi shoqëri e organizuar në fis”, deklaroi Gruda.
Sipas PDK-së, Dehari dyshohet se që nga 8 gushti 2026 nuk e ka përmbushur detyrën për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.
Partia opozitare pretendon se kryesuesi i seancës e ka kushtëzuar vazhdimin e saj me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura të grupeve parlamentare opozitare.
Në kallëzimin penal, PDK-ja ka përfshirë kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.
Sipas PDK-së, mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje.
“Z. Dehari duhet ta dijë që nuk është i pari i fisit, por është kryesues i një organi të shtetit dhe kërkohet që të veprojë”, tha Gruda.
PDK-ja ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë kallëzimin penal në përputhje me ligjin dhe të hetojë nëse ekziston përgjegjësi penale lidhur me mosvazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Pretendimet e PDK-së ndaj Deharit janë pjesë e kallëzimit penal dhe përgjegjësia eventuale penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të mos i rikthyer në sistemin gjyqësor gjyqtarët dhe stafin serb që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
KGJK-ja sot ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin e tyre në sistemin gjyqësor. Vendimi është marrë me nëntë vota për, një kundër dhe një abstenim.
Pas këtij vendimi, Haxhiu ka bërë të ditur se është e gatshme të ndërmarrë hapat e radhës, sapo propozimi zyrtar t’i dërgohet nga KGJK-ja.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se vendimi do të ndiqet me procedurat përkatëse institucionale.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarr veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka deklaruar ushtruesja e detyrës së Presidentes.
Me vendimin e sotëm, procesi pritet të vazhdojë me dërgimin e emrave të gjyqtarëve dhe stafit të dorëhequr te ushtruesja e detyrës së Presidentes, për procedurën e lirimit nga detyra. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili po përballet me aktakuzë për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”.
Për Telegrafin, Gjykata Themelore ka konfirmuar se seanca e parë do të mbahet më 7 shtator në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga Telegrafi, Sheholli akuzohet se ka vepruar në ndihmë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), në koordinim me zyrtarin e saj, Bojan Dimiq.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka mbledhur dhe përcjellë informacione e materiale lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Një prej episodeve kryesore të përshkruara në aktakuzë lidhet me 26 shtatorin 2025, kur, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte marrë në Mitrovicën e Veriut një dosje me materiale audio dhe transkripte, si dhe 5 mijë euro.
Sipas aktakuzës, këto materiale më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro me qëllim të publikimit të tyre.
Prokuroria pretendon gjithashtu se në telefonin e Shehollit janë gjetur komunikime me numrin që i atribuohet Bojan Dimiqit, ndërsa një pjesë e materialeve të sekuestruara përfshijnë dokumente të cilat Prokuroria i konsideron të lidhura me aktivitetet e shërbimeve serbe.
Në aktakuzë përmendet edhe një dokument i titulluar “Top Secret 2”, për të cilin Prokuroria pretendon se përmban një plan për krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar dhe për destabilizimin e saj.
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmenit. Sipas Prokurorisë, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, ai dyshohet se i ka shkaktuar biznismenit Jetullahu dëm që tejkalon 13 mijë euro, duke përdorur si presion kërcënimin për publikimin e materialeve komprometuese.
Sheholli, sipas aktakuzës, i ka pranuar kontaktet me Dimiqin dhe marrjen e disa materialeve e parave, por ka mohuar se ka punuar për BIA-n ose se ka vepruar kundër interesave të Kosovës. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzën e spiunazhit.
Edhe për akuzën e shantazhit, Sheholli e ka mohuar versionin e Prokurorisë, duke deklaruar se pagesat nga Jetullahu ishin bërë vullnetarisht dhe nuk ishin të lidhura me kërcënime.
Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj Shehollit, ndërsa provat e paraqitura në aktakuzë përfshijnë përgjime telefonike, komunikime nga telefoni i tij, video-incizime, pamje nga kamerat e sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raporte financiare.
Fatmir Sheholli prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Telegrafi/
Disa institucione në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë kërcënuar me bombë përmes një e-maili të dërguar mëngjesin e sotëm nga një adresë ende e paidentifikuar.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se mesazhi kishte “përmbajtje kërcënuese dhe terroriste”, ndërsa në të pretendohej se në institucionet e përfshira ishte vendosur bombë.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga kontrollet e kryera deri tani, sipas autoriteteve, nuk është gjetur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, për identifikimin e autorit kanë nisur hetimet nga strukturat përkatëse.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime”, njoftoi Policia e Shtetit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se kontrollet dhe masat e sigurisë po vijojnë.
“Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Me gjashtë vota për, Afërdita Bytyqi është zgjedhur zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mbledhjen e sotme të këtij mekanizmi të drejtësisë.
Kundërkandidati i saj, Artan Abazi, mori pesë vota.
“11 anëtarë kanë votuar, prej tyre për kandidaten Afërdita Bytyqi janë gjashtë vota, ndërsa për kandidatin Artan Abazi janë pesë vota. Atëherë rezultati i fletëvotimeve rezulton se Afërdita Bytyqi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, zgjidhet zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mandati i saj fillon nga data 27 gusht 2026, në afat prej tri viteve”, tha ai.
Zëvendës kryesuesja e re e KGJK-së pati një zotim, pasi fitoi pozitën e re.
“Unë zotohem që do të punoj me secilin dhe do të mundohem të kontribuoj në tërë kapacitetin tim në drejtim të avancimit të sistemit të drejtësisë. Për një Këshill Gjyqësor më të avancuar dhe transparent”, theksoi ajo.
Zgjedhja e zëvendës kryesueses së KGJK-së ishte vetëm njëra nga pikat e shumta të mbledhjes së këtij mekanizmi të drejtësisë kosovare, të enjten. /KP/
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë kërkuar të hyjnë në objektin e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të aksionit të tyre protestues lidhur me mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët kanë kërkuar që të lejohen brenda objektit për të zhvilluar një takim. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes, një zyrtar policor u ka thënë deputetëve se do ta pyesë nëse është dikush dhe pranron t’i takojë.
“Nuk është punë dëshire, ai vendin e ka atje, ai duhet me dalë jashtë”, ka deklaruar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Pas kësaj situate ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila i është drejtuar Policisë së Kosovës duke kërkuar zbatimin e Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Musliu ka cituar Nenin 11 të Ligjit Nr. 03/L-111, sipas të cilit kartela e identitetit e deputetit garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike.
“Para se të na pengojnë qasjen në institucione, ju rekomandoj Policisë së Kosovës ta lexojë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se Policia e Kosovës duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë.
“Ligji është mbi politikën. Kushtetuta është mbi çdo urdhër politik. Dhe këtë duhet ta dijë çdo zyrtar i Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Musliu.
Aksioni i deputetëve të PDK-së dhe Aleancës vjen në kohën kur Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar në procesin e konstituimit, ndërsa partitë opozitare kanë shtuar presionin politik për vazhdimin e seancës. /Telegrafi/
Tridhjetë e dy persona janë lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit të shërbimeve emergjente të QKUK-së.
Rastet e të lënduarve në aksidente trafiku janë trajtuar në kuadër të Qendrës Emergjente të QKUK-së, e cila gjatë kësaj periudhe ka pranuar gjithsej 343 raste.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 102 raste janë trajtuar në Reanimim, 107 në Emergjencën Internistike, 53 në Emergjencën Kirurgjike dhe 63 në Emergjencën Ortopedike.
Në Sallën e Vogël janë trajtuar 18 pacientë, kryesisht për procedura të qepjes, përpunimit dhe pastrimit të plagëve.
Përveç të lënduarve në aksidente trafiku, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe tri raste të personave të përfshirë në përleshje fizike dhe një rast i intoksikimit.
Ndërkohë, në klinikat e ndryshme të QKUK-së janë realizuar 40 pranime për trajtim, ndërsa është regjistruar edhe një rast i vdekjes. /Telegrafi/
Fundjavë e ngarkuar në QKUK, afro 1 mijë pacientë kërkuan ndihmë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 ka filluar procesin e startimit, pas përfundimit të sanimeve të nevojshme.
Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia pritet që së shpejti të sinkronizohet me rrjetin elektroenergjetik.
Gjatë procesit të startimit, KEK-u ka paralajmëruar se për disa orë mund të ketë emetim më të theksuar të tymit.
“Është dukuri e përkohshme, e ndërlidhur me fazën e startimit të njësisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
KEK-u ka kërkuar mirëkuptimin e Komunës së Obiliqit dhe qytetarëve gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se bëhet fjalë për një fazë të shkurtër të procesit të rikthimit të njësisë në operim. /Telegrafi/
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar arrestimin e shtetasit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim, pas një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas SPAK, Agasi u arrestua këtë të mërkurë në hyrje të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ai shoqërohej nga U. Sh., ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
SPAK bën me dije se Agasi është nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, në të cilin emri i tij është regjistruar më 5 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, ai po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”, veprat penale të kryera nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet ndaj tij përfshijnë gjithashtu dyshime për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Për Agasin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me vendimin nr. 125, datë 15 dhjetor 2025. Vendimi ishte përcjellë për ekzekutim pranë strukturave të Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.
Në përfundim të njoftimit, SPAK falënderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe për kryerjen me sukses të operacionit që çoi në arrestimin e personit të shpallur në kërkim. /euronews/
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për emra konkretë të kandidatëve për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, i zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, zgjati rreth tri orë dhe kishte në fokus përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me krizë institucionale.
Pas takimit, Kurti tha se bisedimet do të vazhdojnë, duke theksuar se është rritur mirëbesimi ndërmjet palëve dhe se për herë të parë janë diskutuar emra konkretë.
“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të bëhen publikë derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, deklaroi Kurti.
Ai nuk bëri të ditur emrat e kandidatëve, por tha se ata përmbushin kriteret, standardet dhe parimet për të cilat palët janë pajtuar më herët.
Edhe Abdixhiku konfirmoi se në takim janë diskutuar kandidatura konkrete. Sipas tij, emrat e shqyrtuar janë kryesisht në përputhje me parimet e dakorduara nga LVV-ja dhe LDK-ja.
“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të them se cilët janë emrat konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Kurti paralajmëroi se bisedimet e ardhshme mund të jenë më të vështira, pasi palët pritet të diskutojnë më hollësisht për kandidatët dhe të përzgjedhin një emër që do të mund të siguronte pajtueshmëri politike.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në prill, ndërsa për shkak të pamundësisë së partive politike për të arritur marrëveshje për pasardhësin e saj, Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në qershor.
Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri në fillim të shtatorit, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje, të cilat do të ishin të katërtat parlamentare brenda dy vjetësh.
LVV-ja kërkon një president konsensual, ndërsa LDK-ja ka insistuar që presidenti i ri të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike.
Në javët e fundit, në publik janë përmendur disa emra për këtë pozitë, përfshirë profesorin Ibrahim Berisha, ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajlin, dhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu. Berisha dhe Ramajli kanë mohuar se janë pjesë e procesit të përzgjedhjes.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka propozuar gjithashtu ish-presidentin Hashim Thaçi për këtë post, ndërsa ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin nga LDK-ja.
Aktualisht, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, mund ta ushtrojë këtë funksion deri më 4 tetor, në përputhje me kufizimin kushtetues gjashtëmujor.
Zgjedhja e presidentit kërkon një numër të konsiderueshëm votash në Kuvend. Për një votim të vlefshëm nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve nga 120 gjithsej.
LVV-ja ka 53 mandate nga zgjedhjet e fundit, ndërsa LDK-ja ka 18. Një marrëveshje mes dy partive do të siguronte potencialisht të paktën 71 deputetë nga këto dy subjekte, ndërsa bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë mund të krijohej një shumicë prej mbi 80 deputetësh për procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Bisedimet mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, me synimin për të arritur një marrëveshje për kandidatin që do të mund të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend. /Telegrafi/
Mbrojtja Civile u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë reshjeve dhe të ndjekin udhëzimet dhe masat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.
Qendra Kombëtare e Meteorologjisë e Arabisë Saudite lëshoi të mërkurën një “alarm të kuq”, duke paralajmëruar për reshje të dendura shiu që priten në disa pjesë të provincës së Mekës, transmeton Anadolu.
Paralajmërimi u bë në një njoftim të publikuar nga Mbrojtja Civile Saudite lidhur me kushtet e pritshme atmosferike në rajon.
Mbrojtja Civile u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë reshjeve dhe të ndjekin udhëzimet dhe masat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.
Gjithashtu, qytetarët u këshilluan që për sigurinë e tyre të qëndrojnë larg zonave të përmbytura, luginave dhe digave.
“Alarmi i kuq” është niveli më i lartë i paralajmërimit i qendrës dhe lëshohet kur priten kushte atmosferike që kërkojnë kujdes maksimal.
Provinca e Mekës gjatë ditëve të fundit është përballur me mot të paqëndrueshëm dhe nivele të ndryshme reshjesh.
Më 21 gusht, qendra lëshoi paralajmërime për reshje të dendura shiu në provincat Al-Ardiyat dhe Al-Qunfudhah, të shoqëruara me erëra të forta, breshër, stuhi me vetëtima dhe rrezik nga përmbytjet e rrëmbyeshme./AA/
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga Serbia bashkëpunim të plotë me institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 dhe qasjen në dokumentacionin përkatës.
Deklarata e kësaj ambasade vjen pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi që Serbia të hapë dosjet e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, e dyshuar për përfshirje në masakrat në Drenicë dhe pjesë të tjera të Kosovës.
"Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ndërmorën një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së rasteve të personave të zhdukur duke miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, sipas së cilës u krijua Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur. Ndër detyrat e komisionit, pjesë e të cilit janë si Kosova ashtu edhe Serbia, është të sigurojë qasje në të gjithë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të ofrojnë qasje në informacion të saktë dhe të besueshëm në lidhje me personat e zhdukur dhe varret masive të dyshuara", tha Ambasada e Gjermanisë në një përgjigje për Klankosova.tv.
Ndër të tjera, kjo ambasadë thotë se pret që Serbia të bashkëpunojë me homologët e saj në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Ligjore.
"Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me homologët e saj të Kosovës në hetimet dhe gjyqet në vazhdim, në përputhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Ligjore"./klankosova/
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për mënyrën e marrjes së vendimeve dhe sipas saj, për mungesën e një vendimi për kompensimin e fermerëve të dëmtuar nga breshëri.
Në një reagim të publikuar të mërkurën, Bajrami ka ironizuar mbledhjet elektronike të Qeverisë, duke thënë se ato po zhvillohen edhe gjatë natës.
“Aq të zënë janë, sa që mbledhjet e Qeverisë i mbajnë elektronike, edhe atë bile natën, me gjuhën e Albinit në terr”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka pretenduar se vendimet për ndarjen e mjeteve dhe buxhetit po merren shpejt, ndërsa fermerët që kanë pësuar dëme nga breshëri ende nuk janë kompensuar.
“Pse, a mos po marrin vendim me i kompensu bujqit? Ata që punojnë ditë e natë që ne ta kemi sofrën plot. Atyre që breshëri ua shkatërroi për pak minuta mundin dhe të ardhurat e një viti të tërë. Për ata s’ka asnjë vendim”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kërkuar që vendimet e kësaj mbledhjeje dhe mënyra e ndarjes së parasë publike të analizohen një nga një, duke akuzuar Qeverinë se, sipas saj, gjen kohë dhe buxhet për interesa politike e partiake, por jo për fermerët.
Qeveria në detyrë ka zhvilluar edhe më herët mbledhje elektronike. Në mbledhjen e 32-të, më 12 gusht, ndër të tjera ishin miratuar vendime për çështje administrative dhe prona në fushën e bujqësisë.
Bajrami kishte kërkuar edhe më herët, pas dëmeve nga breshëri në Istog dhe zona të tjera, mbledhje urgjente të Qeverisë dhe ndarjen e mjeteve për kompensimin e fermerëve. /Telegrafi/
Pas akuzave të bëra nga Nasim Haradinaj ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ish-sekretari i kësaj organizate, Ramadan Gashi.
Haradinaj kishte deklaruar në një studio televizive se Gucati ishte kapur duke bërë keqpërdorime dhe se protesta e thirrur nga ai ishte përdorur për t’i mbuluar ato pretendime.
Gashi i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta dhe dashakeqe, duke sqaruar se gjatë periudhës për të cilën është folur, ai vetë ka mbajtur pozitën e sekretarit të OVL-UÇK-së.
“Për sqarim të opinionit publik, sekretar gjatë asaj periudhe kam qenë unë, Ramadan Gashi. Dhe të gjitha këto pretendime dhe trillimet i hedh poshtë me argumente dhe fakte se nuk ka pasur asnjë keqpërdorim në OVL-UÇK”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka mohuar kategorikisht pretendimet e Haradinajt, duke thënë se është i gatshëm t’i argumentojë dhe mbrojë këto qëndrime para çdo individi apo institucioni.
Gashi ka rikujtuar edhe raportet e mëhershme mes Haradinajt dhe Gucatit. Sipas tij, ishte pikërisht Hysni Gucati ai që gjatë mandatit të tij të parë e kishte emëruar Nasim Haradinajn në pozitën e nënkryetarit të OVL-UÇK-së.
“Nasimi duhet ta kujtojë mirë një gjë, ishte pikërisht ky Hysni Gucati ai që në mandatin e tij të parë e mori dhe e bëri nënkryetar të OVL-së së UÇK-së”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë thirrje që përplasjet dhe inatet personale të mos ndikojnë në imazhin e organizatës dhe të njerëzve që, sipas tij, kanë kontribuar për vendin.
Në fund, Gashi ka insistuar se OVL-UÇK ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se gjatë periudhës kur ai ishte sekretar nuk ka pasur keqpërdorime në organizatë. /Telegrafi/