Normal view

Pse u shtrejtuan biletat e transportit publik? Flet Rama

1 July 2026 at 11:55


Nga sot me 1 korrik kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik ,ndryshimet përfshijnë shtrenjtimin e biletave njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale.

Me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të biletave të transportit publik në Prishtinë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ndryshimet janë pjesë e procesit të digjitalizimit të sistemit të pagesave dhe modernizimit të transportit urban.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka deklaruar se: “Ne faktikisht po i shtyjmë proceset për digjitalizimin e biletave. Pra, digjitalizimi i proceseve, pra jo me pagu me me kesh (cash), po me i ble biletat ditore, javore, mujore në bazë të proceseve, pra të kartave digjitale. Edhe aty i kemi mbajtur këto biletat pra të ulëta. Mirëpo, e kemi një çmim më të ngritur nëse e blini me kesh në vend sot. Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë kuletën digjitale, biletën e kanë, po them, pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kesh”.

Rama theksoi se autobusët do të pajisën me sistem elektronik të pagesave.

“Pra, është një proces i modernizimit të të gjithë flotës. Tash edhe autobusët e rinj që janë duke ardhur kanë me pasë mundësinë për kështu touch sistemin për me prek me telefon apo me kartelë, edhe këto bileta kanë qëndruar të ulëta, pra nuk janë të ngritura. Janë vetëm ato të cilat të cilat i paguajnë kesh. E këtë po them po mundohemi që një numër sa më i madh i qytetarëve që të adaptohen përdorimit të autobusëve sepse po them po e modernizojmë edhe flotën e autobusëve në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, shtoi Rama”.

Ndërkohë, për faktin se edhe biletat digjitale janë shtrenjtuar me 10 centë, Rama u shpreh se kjo rritje është minimale dhe lidhet me rritjen e kostove të operimit.

“Po, ajo po them është ngritje minimale për arsye të kostove të naftës, të cilat janë të ngritura si rezultat i gjeopolitikës globale, edhe ajo duhet me me u përmbushë. Mirëpo, është në paralel me të. Atë e rishikojmë prapë në të ardhmen, po ideja është që të digjitalizohet procesi”, përfundoi Rama. /Telegrafi/

Ahmeti: 30% e mësimdhënësve në Kosovë janë afër pensionimit, shkollat po mbeten prapa teknologjisë

17 June 2026 at 09:04


Drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka thënë se sistemi arsimor në Kosovë po përballet me sfida të mëdha sa i përket integrimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve po i afrohen moshës së pensionimit.

Në “Përballje Podcast”, Ahmeti tha se një nga arsyet pse shkollat nuk kanë arritur të përfitojnë sa duhet nga zhvillimet teknologjike lidhet me mungesën e investimeve dhe me strukturën e moshës së stafit arsimor.

“Një prej arsyeve është mosha e shtyrë e mësimdhënësve, që megjithatë nuk ka arritur të përditësohet me zhvillimet teknologjike. Rreth 30 për qind e mësimdhënësve janë afër pensionimit, mbi moshën 55-vjeçare”, deklaroi Ahmeti shkruan Telegrafi.


Sipas tij, për vite me radhë sistemi arsimor e ka trajtuar teknologjinë më shumë si problem sesa si mundësi për mësimdhënie dhe hulumtim.

Ai vlerësoi se mungesa e investimeve në digjitalizimin e shkollave dhe pajisjen e tyre me teknologji moderne ka ndikuar që arsimi të mbetet prapa zhvillimeve të kohës.

- YouTube www.youtube.com

Ahmeti theksoi se dallimet mes shkollave janë të dukshme edhe brenda të njëjtës komunë, ndërsa situata bëhet edhe më sfiduese në zonat rurale, ku shumë shkolla përballen me mungesë pajisjesh, mbështetjeje dhe kushte jo të favorshme për mësimdhënie.

Ai vlerësoi se përballë zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, institucionet duhet të investojnë më shumë në trajnimin e mësimdhënësve dhe në krijimin e politikave që do t’i ndihmonin shkollat të përshtaten me realitetin e ri teknologjik./Telegrafi/.

Gjermania tek faksi, por Shqipëria “digjitale” ka ngecur tek siguria

16 May 2026 at 13:28


Më 8 maj, gjatë prezantimit të programit të mbështetur nga BE “EU4Municipalities II,” kryeministri shqiptar Edi Rama u krenua se “partnerët gjermanë në digjitalizim janë mbrapa nesh.”

Në ministritë gjermane, tha Rama, akoma punojnë me faks.

Është e vërtetë se një studim nga CapGemini, një firmë konsulence, e ka vlerësuar Gjermaninë në vend të 24 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian për shërbimet publike digjitale, shkruan Faktoje.al

Sipas një artikulli të Deutsche Welle, arsye për këtë është struktura federale e qeverisë gjermane që shpesh i lë komunitetet t’i gjejnë vetë zgjidhjet e tyre. Më tej, gjermanët janë shumë më skeptikë në lidhje me mbledhjen e të dhënave të centralizuara nga shteti për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste të vendit të tyre. Si Rajhu i Tretë i Hitlerit ashtu edhe Partia Komuniste e Gjermanisë Lindore përdorën të dhëna personale për të spiunuar njerëzit dhe për të kontrolluar jetën e tyre.

Por sa duhet t’i besojnë shqiptarët, kaq përpara në digjitalizim, shtetit për t’i mbledhur dhe mbrojtur të dhënat e tyre?

Bazuar në rrjedhjen e të dhënave nga e-Albania në 2022 dhe sulmet e suksesshme kundër infrastrukturave digjitale shtetërore, jo më shumë se gjermanët.

Më 10 mars 2026, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se ishte goditur nga një sulm kibernetik. Më herët atë ditë, grupi i hakerave Homeland Justice mori përgjegjësinë për sulmin në kanalin e tyre në Telegram, duke denoncuar Kuvendin si mbështetës të “terroristëve” të MEK.

Grupi i hakerave, i identifikuar nga FBI si aktorë shtetërorë kibernetikë të Iranit, rikthehet në vëmendjen e shqiptarëve pasi një tjetër sulm kibernetik prej tyre në 2022 nxorri jashtë funksionit faqet qeveritare dhe shërbimet online dhe ekspozoi të dhënat personale të mijëra qytetarëve.

Që prej asaj kohe, Homeland Justice ka botuar të dhëna që pretendohet se janë marrë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Kuvendi, Bashkia e Tiranës, Ministria e Jashtme, Instituti i Statistikave (INSTAT), Posta Shqiptare, Prokuroria e Përgjithshme, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas një analize të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), sulmi ndaj Kuvendit u bë i mundur kur hakerat shfrytëzuan kredenciale të kompromentuara të një pale të tretë që ofron shërbime për Kuvendin për të hyrë në infrastrukturën digjitale.

Më pas, nëpërmjet një serveri të brendshëm që shërbeu si pikë ndërmjetëse, ata mund të bënin lëvizje anësore në rrjet. Nuk bëhet me dije se cila ishte pala e tretë në fjalë.

Kuvendi i Shqipërisë ka në organikën e tij një sektor Shërbimi të Teknologjisë së Informacionit.

Sipas një përgjigje për Faktoje, investimet në sigurinë kibernetike të këtij institucioni që nga viti 2022 konsistojnë në mirëmbajtje të një sistemi sigurie për e-mail, mirëmbajtje për aplikacionin e Kuvendit, blerja e shërbimit të autentifikimit të dyfishtë MFA për e-mailin zyrtar, antivirus të centralizuar, mirëmbajtje e rrjetit wireless dhe rinovim i licencave dhe mirëmbajtje për menaxhimin dhe administrimin e dokumenteve.

Pyetur nga Faktoje për masat dhe investimet në mbrojtje kibernetike nga viti 2022, AKSK përmendi Qendrën Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike (SOC), e cila operon 24/7 pandërprerë; trajnime dhe ushtrime praktike të vazhdueshme; dhe blerjen e platformave të avancuara të monitorimit, inteligjencës së kërcënimeve dhe menaxhimit të incidenteve “duke rritur ndjeshëm aftësinë për identifikim të hershëm”

Sipas analizës së AKSK, hakerat ishin në sistem për 31 orë duke transferuar e fshirë të dhëna. Krahasuar me 14 muajt gjatë të cilëve hakerat kishin akses në sistemin e qeverisë në 2022, ngjan si përmirësim.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se ky sulm ishte i parashikueshëm.

“Ishte një skenar klasik, i njohur prej vitesh, që shfrytëzon pikërisht atë hallkë që zakonisht lihet më pak nën kontroll, palët e treta,” tha eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj për Faktoje. “Sistemi i ka besuar dikujt që nuk duhej t’i besonte pa verifikim të fortë. Në vitin 2026, një akses i tillë pa mekanizma të avancuar si verifikim i shumëfishtë, kontroll i pajisjes dhe analiza e sjelljes është mungesë disipline në siguri”

Në fakt, edhe sulmi i vitit 2022, në të cilin hakerat hynë në sistem përmes një serveri SharePoint të lidhur me internetin, shfrytëzoi një dobësi në zinxhirin e furnizimit (“supply-chain”), duke përdorur besueshmërinë e aksesit ekzistues për të anashkaluar mekanizmat e sigurisë dhe për të depërtuar në rrjetin e brendshëm të institucionit.

Dështimi në siguri nuk mbetet vetëm në pikën e hyrjes. Ekspertët theksojnë mungesën e segmentimit siç duhet të rrjetit. Një pikë e vetme aksesi nuk duhet të japë mundësi lëvizjeje lirshëm brenda sistemit.

“Nëse ndodh kjo, nuk kemi të bëjmë me depërtim të sofistikuar, por me një ambient të hapur më shumë sesa duhet,” tha Semanaj.

Një nga rekomandimet e përbashkëta të FBI dhe Agjencisë amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) pas sulmit nga Homeland Justice në 2022 ishte adaptimi i arkitekturave dhe parimeve zero-besim, duke përfshirë mikrosegmentimin e rrjetit për të kufizuar ose bllokuar lëvizjen anësore, lëvizje që u përdor përsëri në sulmin e 2026 nga po i njëjti grup hakerash.

Në fakt, sipas Semanaj, sulmuesit kishin lënë mjaftueshëm gjurmë sa ndalja e tyre në kohë duhet të ishte e mundur.

“Flasim për një zinxhir veprimesh – akses i pazakontë, lëvizje laterale, komunikim me infrastrukturë të jashtme për komandim dhe kontroll. Këto nuk janë sinjale të padukshme. Nëse ekziston një strukturë monitorimi 24/7, atëherë pyetja nuk është nëse kishte mjete, por nëse ato janë përdorur siç duhet,” tha ai.

“Për ta parandaluar një situatë të tillë në të ardhmen, nuk mjafton të shtosh më shumë mjete apo platforma. Duhet një ndryshim më themelor në mënyrën si konceptohet aksesi dhe besimi brenda sistemeve. Çdo hyrje duhet trajtuar si potencialisht e rrezikshme, çdo lëvizje duhet kufizuar dhe çdo devijim nga normalja duhet trajtuar si sinjal alarmi real”

Rekomandimet e ekspertëve, rekomandimet e FBI pas sulmit të 2022 dhe rekomandimet e analizës së vetë AKSK pas sulmit të 2026 janë të ngjashme: vendosja e autentifikimit shumëfaktorësh (MFA) për të gjithë përdoruesit dhe lidhjet me VPN, kontrollimi i qasjes së palëve të treta, arkitektura zero-besim, dhe mikrosegmentimi i rrjetit për të kufizuar lëvizjen laterale.

Pas sulmit të vitit 2022 eksperti Semanaj i tha Faktoje se mospranimi i fajit nga institucionet bën të pamundur reflektimin mbi dështimet e sigurisë. Katër vite më pas, depërtimi i të njëjtit grup hakerash me të njëjtën metodë në infrastrukturën zyrtare shqiptare dëshmon mungesën e këtij reflektimi.

Kur kryeministri Rama mburr digjitalizimin e vendit ndërsa sulmet kibernetike vijojnë në sfond, vlen të mbajmë mend se, siç shkruan Zyra gjermane për Sigurinë e Informacionit, “siguria kibernetike është parakusht për digjitalizim të suksesshëm.”

Kinës duhet t’i ndalohet vjedhja e teknologjisë

13 May 2026 at 16:35


Nga: Ian Williams / The Spectator (titulli: China’s AI is truly artifical – and the US must fight Xi’s zero-sum tech race and stolen advancements)
Përkthimi: Telegrafi.com

Pavarësisht entuziazmit rreth aftësive të inteligjencës artificiale [IA] të Kinës, ajo mbetet shumë e varur nga vjedhja dhe kontrabanda. Ndërkohë, Partia Komuniste Kineze [PKK] është e përcaktuar të mbajë kontrollin e rreptë. Kjo është bërë gjithnjë e më e qartë përpara samitit të kësaj jave në Pekin mes Donald Trumpit dhe Xi Jinpingut.

Udhëheqësi kinez dëshiron ta udhëheqë botën në atë që ai e quan “teknologji që përcakton epokën.” Ai duket i bindur se Trumpi, i përqendruar te lufta e tij kundër Iranit, ka mundësi të kufizuara për t’iu kundërvënë aktiviteteve gjithnjë e më agresive të Pekinit.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë akuzoi Pekinin për vjedhje “në shkallë industriale” të njohurive teknologjike nga laboratorët amerikanë të IA-së. Ndërkohë, prokurorët amerikanë pretendojnë se kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar kontrabande që dërgonte në Kinë çipa të avancuar - me vlerë miliarda dollarë - në kundërshtim me sanksionet.

PKK-ja po shton gjithashtu përpjekjet për të mbrojtur inovacionin e vet në IA, duke bllokuar një blerje prej dy miliardë dollarësh nga Meta të një startapi kinez të IA-së të quajtur Manus. Për më tepër, autoritetet i ndaluan dy themeluesit e Manus-it të largoheshin nga vendi.

Më lirë dhe më shpejtë

Akuzat për vjedhje i referohen një procesi të quajtur “distilim”, ku Kina akuzohet se po trajnon në mënyrë të paligjshme modelet e saj më të vogla të IA-së mbi rezultatet e modeleve më të mëdha amerikane (dhe të zhvilluara me kosto të lartë).

Një memorandum i brendshëm i rrjedhur në media, i shkruar nga Michael Kratsios, drejtor i Zyrës së Politikës për Shkencë dhe Teknologji në Shtëpinë e Bardhë, thoshte: “Qeveria amerikane ka informacion që tregon se entitete të huaja, kryesisht me bazë në Kinë, janë të përfshira në fushata të qëllimshme dhe në shkallë industriale për të distiluar sistemet më të avancuara amerikane të IA-së.”

Distilimi përfshin krijimin e mijëra llogarive të rreme për çetbotin ose mjetin e synuar të IA-së, ku këto llogari punojnë së bashku për të nxjerrë informacion.

Kompania amerikane e IA-së, Anthropic, tha se kishte zbuluar 24 mijë llogari mashtruese të cilat kishin gjeneruar më shumë se 16 milionë ndërveprime me çetbotin e saj të fuqishëm Claude. Ajo akuzoi laboratorët kryesorë kinezë se qëndronin pas kësaj fushate me qëllim të përvetësimit të kapaciteteve të avancuara “në një pjesëz të kohës dhe me një pjesëz të kostos.”

Kompania paralajmëroi gjithashtu se aplikacionet e “distiluara” nuk do të kishin asnjë nga masat mbrojtëse të origjinalit - kundër përdorimit të IA-së për aktivitete të tilla si zhvillimi i armëve biologjike ose kryerja e sulmeve shkatërruese kibernetike - duke “krijuar rreziqe të konsiderueshme për sigurinë kombëtare.”

Pekini duket se gjithashtu ka ngritur një rrjet të gjerë dhe shumë të financuar kontrabande për të anashkaluar kufizimet amerikane mbi shitjen e çipave të nivelit më të lartë, Nvidia, të përdorur për trajnimin e modeleve të IA-së.

Në një seri aktakuzash kundër shtetasve kinezë, prokurorët federalë përshkruajnë se si serverët që përmbanin çipa të kufizuar me vlerë “miliarda dollarë”, u dërguan te kompanitë fasadë në Azinë Juglindore, përpara se të ripaketoheshin dhe të devijoheshin drejt Hong-Kongut dhe Kinës.

Një video nga kamerat e mbikëqyrjes tregonte një të pandehur duke përdorur tharëse flokësh për të ndërruar etiketat ngjitëse dhe numrat serikë. Ishte një pamje çuditërisht primitive krahasuar me kontrabandën e teknologjisë së lartë dhe me pasoja të mëdha në të cilën ai ishte përfshirë - duke lehtësuar atë që Xi e kishte cilësuar si “një garë drejt majës”.

“Spastrimi përmes Singaporit”

Aktakuzat u cilësuan si maja e ajsbergut të kontrabandës së çipave, ndërsa lufta për supremaci në IA shihet jo vetëm si çështje e konkurrencës ekonomike, por si betejë që do të përcaktojë balancën e ardhshme të pushtetit global.

Xi jo vetëm që është i vendosur që Kina ta fitojë atë garë, por edhe që IA-ja të mbetet fort nën kontrollin e PKK-së - siç e ka kuptuar tashmë me koston e vet Mark Zuckerbergu.

Shefi i Meta-s mendonte se blerja e Manus-it ishte marrëveshje e përfunduar dhe punonjësit e Manus-it tashmë ishin transferuar në zyrën e Meta-s në Singapor. Startapi kinez është një “agjent” i IA-së, që do të thotë se në vend që të krijojë një çetbot për t’iu përgjigjur pyetjeve, ai kryen detyra të mbështetura nga IA-ja - duke vepruar si një lloj asistenti autonom personal për funksione që shkojnë nga lansimet e produkteve e deri tek analizat e tregut të aksioneve dhe planet e udhëtimit.

Autoritetet kineze nuk thanë se cilat ligje ose rregullore shkel marrëveshja, por duket se ajo është menduar si paralajmërim për startapet ambicioze kineze të IA-së kundër nxjerrjes së teknologjisë së tyre jashtë Kinës.

“Pekini në mënyrë efektive vendosi një vijë të kuqe të qartë se talenti dhe teknologjia kineze e IA-së nuk janë në shitje për kompanitë amerikane, pikë,” tha për Reuters-in Han Shen Lin, drejtor për Kinën në firmën amerikane konsulente Asia Group me bazë në Shangai.

Duke fundosur marrëveshjen, PKK-ja i dha fund praktikës së ashtuquajtur “spastrim përmes Singaporit”.

Manus-i ishte një nga një varg kompanish kineze të teknologjisë (ku përfshihen edhe Shein dhe TikTok) që zhvendosën selitë e tyre në qytet-shtetin e Singaporit, pjesërisht në përpjekje për t’u dukur më pak kineze.

Të gjitha kompanitë kineze janë të detyruara me ligj të ndihmojnë agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë së Pekinit dhe janë përpjekur t’i bindin klientët dhe investitorët se, duke u bazuar në Singapor, nuk janë më të varura nga PKK-ja. Kjo ka qenë gjithmonë një iluzion, por partia ka treguar se asnjë kompani me origjinë kineze nuk mund t’u shpëtojë rrënjëve dhe detyrimeve.

Javën e kaluar, në një dëgjim të organizuar nga Komisioni ShBA-Kinë për Rishikimin Ekonomik dhe të Sigurisë, i cili monitoron dhe raporton para Kongresit për çështjet e sigurisë kombëtare, u paralajmërua se Kina po mbledh të dhëna amerikane për të ndërtuar “arkitekturë inteligjence dhe shënjestrimi të fuqizuar nga IA-ja - për konkurrencë ekonomike, shtrëngim politik dhe avantazh në kohë lufte”.

Doni “i butë”

Megjithatë, ndërsa në Kongres ekziston mbështetje e fortë dypartiake për kontrolle agresive të eksporteve teknologjike, Trumpi po tingëllon shumë më i butë.

Në samitin e kësaj jave, i shtyrë nga marsi për shkak të luftës me Iranin, Xi do të llogarisë se Trumpi ka mundësi të kufizuara dhe pak dëshirë për rikthim të armiqësive tregtare që mund të shkaktonin trazira të mëtejshme ekonomike globale.

Vitin e kaluar, Trumpi uli tarifat dhe hoqi dorë nga kufizimet e tjera ndaj kompanive kineze, pasi Pekini përdori mineralet e rralla si armë presioni. Ata kërcënuan të kufizonin qasjen në këto minerale kritike të cilat janë thelbësore për industritë globale të teknologjisë së lartë dhe mbi të cilat Kina ka pothuajse monopol.

Edhe pse provat për vjedhje dhe kontrabandë të lidhura me IA-në janë shtuar, Trumpi ka dërguar mesazhe të përziera. Ai lehtësoi kontrollet për disa çipat Nvidia dhe, pavarësisht shqetësimeve të sigurisë për automjetet elektrike kineze, ka sugjeruar se është i hapur ndaj prodhuesve kinezë të makinave që të ndërtojnë automjete në ShBA.

Përveç kësaj, fjalët e tij të ashpra ndaj aleatëve të hershëm bien në kontrast të fortë me qasjen më miqësore ndaj Xisë. Ai minimizoi raportimet se Pekini mund të jetë duke i ofruar mbështetje materiale Iranit, duke shkruar në Truth Social: “Ata kanë rënë dakord të mos dërgojnë armë në Iran. Presidenti Xi do të më japë një përqafim të madh e të ngrohtë kur të mbërrij atje ... Po punojmë së bashku me zgjuarsi dhe shumë mirë! A nuk është kjo më mirë se të luftosh.”

Deri në fund të vitit të kaluar, rreth një e treta e modeleve të IA-së të shkarkuara në mbarë botën ishin kineze. Xi po përfiton gjithashtu nga një valë e asaj që është quajtur “kinezim” [Chinamaxxing]. Në thelb, kjo është një magjepsje onlajn me teknologjinë kineze, e nxitur kryesisht prej influencerëve perëndimorë të cilët janë afruar nga PKK-ja.

Temat mbi aftësinë novatore të Kinës dhe supozim të pranimit më të madh shoqëror të IA-së promovohen gjerësisht edhe nga analistët më naivë perëndimorë.

Realiteti është më me nuanca - dhe jo vetëm për shkak të varësisë së vazhdueshme të Pekinit nga vjedhja në shkallë të gjerë.

Merrni si shembull DeepSeek-un, kompaninë kineze që tronditi botën vitin e kaluar me modele të IA-së që performonin pothuajse po aq mirë sa ato më të mirat perëndimore, por me një pjesë të kostos. Javën e kaluar, publikimi i saj më i fundit u prit me indiferencë kolektive. Jo vetëm që ky version ishte më i shtrenjtë për t’u ndërtuar, por thuhet se iu nënshtrua shumë më tepër ndërhyrjeve nga PKK-ja.

Ai u vonua për shkak të presionit të PKK-së që të trajnohej me çipa kinezë, por më pas iu rikthye çipave Nvidia kur ata të prodhuar nga Huawei rezultuan të pamjaftueshëm.

Roboti misterioz

Robotët humanoidë janë një tjetër teknologji shumë e promovuar - duke performuar kung-fu gjatë festimeve të Vitit të Ri Kinez dhe duke garuar në maratonën e fundit në Pekin. Ata sigurisht kishin vlerë argëtuese, por ekspertët janë skeptikë për zbatimet e tyre në botën reale.

Ata janë gjithashtu rezultat i një programi të udhëhequr nga shteti, jashtëzakonisht shpërdorues - diçka si metaforë për inovacionin kinez në përgjithësi.

Siguria dhe kontrolli janë përparësi dominuese për Xinë. Ndërsa ai ka aktivizuar spiunët e tij për të përvetësuar njohuritë teknologjike dhe çipat, algoritmet e zhvilluara në Kinë duhet të këndojnë sipas melodisë së partisë. PKK-ja gjithashtu ka filluar të shqetësohet për sigurinë, mbrojtjen kibernetike dhe ndikimin e mundshëm negativ në punësim.

Ngrirja e papritur dhe e fundit e 200 robotaksive, që bllokuan rrugët e Vuhanit, shërbeu si një kambanë alarmi. Ndërkohë, një raport i fundit nga një institut shtetëror kërkimor, që sugjeronte se punëtorët kinezë po shqetësohen gjithnjë e më shumë për ndikimin në vendet e tyre të punës, dha një tjetër sinjal alarmi.

“Duhet të veprojmë herët dhe me vendosmëri: duke parashikuar dhe parandaluar problemet me maturi dhe kujdes,” sipas Xisë.

Të rinjtë tashmë po hasin vështirësi për të gjetur punë - me papunësinë rinore që qëndron rreth 17 përqind, sipas shifrave zyrtare.

PKK-ja shqetësohet për një epidemi të tangpingut (“të qëndruarit shtrirë”), ku të rinjtë braktisin tregun e punës me presion të lartë dhe pa shpërblim, për të zgjedhur një jetesë më të thjeshtë.

Muajin e kaluar, agjencia kryesore kineze e spiunazhit, Ministria e Sigurisë së Shtetit, deklaroi se tangpingu ishte një komplot i huaj i projektuar për të minuar rininë dhe shoqërinë kineze. Teksa gara për IA-në mund të jetë duke u nxehur, instinktet bazë të PKK-së mbeten të njohura. /Telegrafi/

Interesim rekord për regjistrimet e hershme në UBT – 10 programe me bursë 20 për qind për tri vite studimi

By: UBT
6 May 2026 at 09:29


Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve në mbarë vendin dhe rajonin për regjistrimet e hershme në UBT, për programet më inovative, mundësitë unike akademike dhe orientimin profesional drejt profesioneve të së ardhmes.

Mijëra maturantë kanë shprehur interesimin për t’u bërë pjesë institucionit lider dhe inovativ në rajon, ndërsa kërkesa për regjistrime të hershme po vazhdon të rritet.

Në një angazhim të drejtpërdrejtë me të rinjtë, Qendra e Karrierës e UBT-së po vazhdon vizitat informuese në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës dhe të rajonit, duke sjellë nga afër mundësitë e studimit, orientimin profesional dhe informacionin mbi tregun e punës.

Si një nga nismat më të fuqishme për mbështetjen e studentëve të rinj, UBT po ofron 20 për qind bursë për 10 programe studimi për tri vite, duke krijuar mundësi reale për zhvillim akademik dhe profesional:

  • Arti dhe Mediat Digjitale
  • Gjuhë Angleze
  • Inxhinieri e Energjisë
  • Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë
  • Media dhe Komunikim
  • Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës
  • Shkenca Politike
  • Shëndeti Publik dhe Shkencat Mjekësore
  • Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji
  • Turizëm

Këto programe përfaqësojnë disa nga fushat më të kërkuara dhe më strategjike të kohës, duke i pajisur studentët me njohuri të avancuara dhe aftësi praktike që i përgjigjen drejtpërdrejt kërkesave të tregut global. Programe të tjera studimi në UBT paraqesin zgjidhjen ideale për të gjithë të rinjtë që synojnë arsim cilësor, specializim profesional dhe mundësi të gjera zhvillimi në fusha të ndryshme të së ardhmes.

Vendet janë të limituara, andaj nxitoni të siguroni të ardhmen përmes regjistrimit të hershëm në UBT.

APLIKO TANI ONLINE!

Varoufakis: Kosova gaboi kur pranoi Euron si monedhën e tyre

3 May 2026 at 22:27


Kreu i MeRA25, ish-ministri grek i financave Yanis Varoufakis në Debat Plus ka deklaruar se Kosova gaboi kur pranoi Euron si monedhën e tyre.

“E kuptoj nevojën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian për shkaqe politike, shkaqe të sigurisë apo arsye të simbolikave, por jo për aspektin e zhvillimit ekonomik. Asnjë ekonomi nuk mund të zhvillohet nëse e përdorë valutën e dikujt tjetër”, tha Varoufakis në Debat Plus.

“Kosova nuk është dashur ta pranojë valutën euro pasi kjo për ju edhe sot mbetet problem. Kosovë është vend i vogël, por edhe Islanda ka qenë vend i vogël por e ka pasur valutën e vet”, ka shtuar Varoufakis.

Ish-ministri grek i financave thotë se institucionet financiare në Kosovë duhet të vendosin në përdorim valutën digjitale.

“Ju nuk keni balanca macroeconomike dhe do të keni problem kur te futen në BE”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se Kosova ka kapacitete të kufizuara fiskale pasi qeveria juaj nuk ka mundësi të kontrollojë prodhimin e parave (euros).

Varoufakis megjithatë thotë se Kosova ka shënuar progres në politikat financiare.

Por kush është Yanis Varoufakis?

Yanis Varoufakis, është një nga ekonomistët grekë më me ndikim. Mbi të gjitha, ai është një person i shumëanshëm, pasi është ekonomist, shkrimtar, bloger, profesor dhe profesor universiteti. Ai u trajnua si ekonomist në Universitetin e Essex, ku fitoi doktoraturën. Ai ka dhënë mësim në universitete të ndryshme si: Kembrixh, East Anglia, Glasgow, Sydney ose Universiteti i Athinës.

Përveç karrierës së tij si profesor, ai hyri në botën e politikës me partinë greke SYRIZA. Me fitoren zgjedhore të SYRIZA, ai u emërua Ministër i Financave të qeverisë greke në vitin 2015. Megjithatë, ai kaloi vetëm disa muaj në pushtet, pasi dha dorëheqjen më 6 korrik 2015.

Gjatë gjithë karrierës së tij si ekonomist, Varoufakis ka qenë i përfshirë në shumë debate se si krizat ekonomike kanë ndikuar në Evropë, euro dhe krizën e thellë financiare globale që ndodhi midis 2008 dhe 2012.

Gjatë kohës së tij në qeverinë greke, ai kundërshtoi fuqimisht masat shtrënguese të vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet evropiane. Megjithatë, kur kryeministri grek Tsipras pranoi kërkesat e vendosura nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ai dha dorëheqjen si ministër i financave./Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Pse programet universitare janë vendimtare për inovatorët e së ardhmes

29 April 2026 at 10:04


Nga: Dr. Arben Ahmeti

Si profesionist dhe akademik i angazhuar prej vitesh në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), e kam ndjerë nga afër shpejtësinë e jashtëzakonshme me të cilën inovacioni po e riformëson realitetin tonë. Jemi në fillim të një epoke të re digjitale, të karakterizuar nga ndërlidhja e gjithçkaje, sistemet “e mençura” dhe një fuqi llogaritëse që deri para pak kohësh dukej e paimagjinueshme. Për të rinjtë që planifikojnë të ardhmen e tyre, njohja e këtyre trendeve nuk është thjesht çështje kureshtjeje akademike; është një orientim praktik drejt profesioneve me ndikim dhe perspektivë.

Në këtë kontekst, programet universitare të Shkencave Kompjuterike, siç janë programet studimore të ofruara nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, kanë një vlerë të veçantë: ato krijojnë një rrugë të qartë nga bazat e të mësuarit deri tek aftësitë e aplikueshme, duke e bërë kalimin nga “të mësuarit” te “të ndërtuarit” më të natyrshëm dhe më të shpejtë. Për shumë studentë, ky rrugëtim është vendimtar, sepse shmang fragmentimin e dijes dhe e kthen përgatitjen akademike në kompetencë profesionale të matshme dhe të aplikueshme në praktikë.

Në vijim do t’i përmbledhim disa nga drejtimet kryesore teknologjike që po e shtyjnë këtë ndryshim dhe do të sqarojmë pse ndjekja e arsimit të lartë në programe të përshtatshme universitare nuk është vetëm një zgjedhje e mirë, por një domosdoshmëri për këdo që synon të shkëlqejë në një mjedis kaq dinamik.

Zhvillimi i pandalshëm i teknologjisë: prirjet që po e përcaktojnë të ardhmen

Bota e teknologjisë i ngjan një mozaiku të gjallë që pasurohet vazhdimisht me ide, metoda dhe zgjidhje të reja. Megjithatë, disa fusha janë qartësisht në vijën e parë, sepse hapin horizonte të mëdha, por njëkohësisht kërkojnë formim të specializuar dhe kompetenca të qëndrueshme. Pikërisht këtu, programet e mirëorganizuara universitare i ndihmojnë studentët të kuptojnë jo vetëm trendin, por edhe mekanizmat që e prodhojnë atë dhe si të kontribuojnë në të.

Inteligjenca Artificiale (IA) dhe Mësimi Makinerik (ML): “truri” i epokës digjitale

Inteligjenca Artificiale sot nuk është më një ide futuriste; ajo është një katalizator real i ndryshimit në pothuajse çdo industri. Qoftë te sistemet e rekomandimit, automjetet autonome, diagnostikimet moderne në mjekësi, apo përvojat e personalizuara për përdoruesit, IA po e shtyn përpara zhvillimin bashkëkohor. Veçanërisht, IA gjeneruese ka njohur një rritje të fuqishme, duke treguar se mund të prodhojë tekst, imazhe, madje edhe kod, duke e bërë kufirin mes krijimtarisë njerëzore dhe prodhimit të automatizuar më të paqartë.

Mësimi makinerik, si degë e IA-së, synon t’u japë sistemeve aftësinë të mësojnë nga të dhënat, të zbulojnë modele dhe të marrin vendime me sa më pak ndërhyrje manuale. Ndërkohë, mësimi i thellë, i frymëzuar nga rrjetet neurale, mbështet aplikime të avancuara si përpunimi i gjuhës natyrore dhe vizioni kompjuterik. Për pasojë, tregu po kërkon me ritëm të lartë inxhinierë të IA-së, ekspertë të ML, shkencëtarë të të dhënave me fokus në IA, si edhe profesionistë që merren me IA etike, duke e kthyer këtë fushë në një shtyllë për inovatorët e së nesërmes. Përveç mundësive të reja, automatizimeve, përmirësimeve të proceseve etj., IA dhe ML do të sjellin edhe sfida dhe transformim radikal të tregut të punës, siç është minimizimi apo edhe zhdukja e shumë llojeve të punëve që deri më tash janë kryer nga stafi njerëzor. Gjeneratat e reja të fuqisë punëtore duhet të jenë të përgatitura për këtë transformim radikal dhe për përfitimin e njohurive të reja të teknologjive të trendit.

Për studentët, përfitimi i një programi universitar është se IA nuk trajtohet vetëm si “mjet”, por si disiplinë dhe si garanci për aftësim në përputhje me nevojat e tregut të industrisë: nga bazat matematikore dhe logjika algoritmike, te puna me të dhëna, vlerësimi i modeleve dhe interpretimi i rezultateve. Një kurrikulë e strukturuar (siç synojnë programet studimore bashkëkohore në Shkenca Kompjuterike) e udhëzon studentin të ndërtojë aftësi hap pas hapi, duke krijuar vetëbesim profesional dhe një profil më të besueshëm në treg. Një kurrikulë të tillë, pa dyshim, e ofron Kolegji AAB.

Zhvillimi i softuerit: ndërtimi i realitetit digjital

Pas çdo aplikacioni, platforme në internet apo sistemi inteligjent që përdorim çdo ditë, qëndron puna e organizuar dhe komplekse e inxhinierisë së softuerit. Kjo fushë vazhdon të jetë baza e ekonomisë digjitale dhe po ndryshon vazhdimisht nëpërmjet qasjeve dhe mjeteve të reja, sidomos mundësive që ofrohen nga IA.

Kalimi drejt cloudit e ka transformuar mënyrën se si krijohen dhe shpërndahen shërbimet: infrastruktura bëhet më elastike, e shkallëzueshme dhe më e shpejtë për t’u menaxhuar. Praktikat DevOps e shkurtojnë dhe e standardizojnë ciklin e zhvillimit, duke rritur bashkëpunimin dhe automatizimin e shpërndarjes. Për më tepër, arkitekturat me mikroshërbime u lejojnë sistemeve të mëdha të ndahen në module më të vegjël, më të kontrollueshëm dhe të vendosshëm në mënyrë të pavarur.

Nga zhvilluesit full-stack, te zhvilluesit mobilë që ndërtojnë aplikacione për pajisjet tona, e deri te inxhinierët e specializuar në blockchain apo sisteme të integruara, kërkesa për profesionistë të aftë në softuer është e vazhdueshme. Njohja solide e gjuhëve programuese, si Python, C#, Java, JavaScript dhe C++, bashkë me kuptimin e algoritmeve, strukturave të të dhënave dhe programimit të sigurt, përbën bazën për këdo që dëshiron të krijojë zgjidhje të qëndrueshme për të ardhmen.

Këtu shfaqet qartë vlera e programeve universitare të orientuara drejt praktikës: studenti nuk mëson vetëm të shkruajë kod, por të punojë me standard, të dokumentojë, të testojë, të versionojë, të bashkëpunojë në ekip dhe të ndërtojë projekte që mund të shërbejnë si portofol profesional. Një program studimor i mirë (si ai që ofrohet nga programet e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB) e përgatit studentin edhe për realitetin e punës në ekip, ku komunikimi teknik dhe përgjegjësia për cilësinë janë po aq të rëndësishme sa vetë programimi.

Shkenca e të dhënave dhe “Big Data”: nxjerrja e kuptimit nga sasia

Në një realitet ku çdo klikim, transaksion apo ndërveprim prodhon të dhëna, aftësia për t’i mbledhur, pastruar, analizuar dhe interpretuar ato është kthyer në një avantazh të madh. Shpesh dëgjojmë se të dhënat janë “derivati i ri”, sepse mbi to ndërtohen vendimmarrje në biznese, institucione publike dhe qendra kërkimore.

Shkenca e të dhënave është një fushë ndërdisiplinore që përdor metoda shkencore, algoritme dhe sisteme për të nxjerrë njohuri nga të dhëna të strukturuara dhe të pastrukturuara. Kjo përfshin që nga transformimi i të dhënave e deri te modelimi statistikor, parashikimi dhe vizualizimi. Profesionistët, si shkencëtarë të të dhënave, analistë të të dhënave dhe inxhinierë të ML, luajnë rol kyç në shndërrimin e informacionit të papërpunuar në inteligjencë të zbatueshme, që mbështet vendime strategjike dhe nxit risi. Paralelisht, po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme praktikat e etikës së të dhënave, privatësisë dhe reduktimit të paragjykimeve në modele.

Për studentët, studimi i kësaj fushe brenda një programi universitar sjell një avantazh të çmueshëm: zhvillon mendim analitik të verifikueshëm. Në vend të përgjigjeve intuitive, studenti mësohet të argumentojë me prova, të testojë hipoteza dhe të shpjegojë kufizimet e rezultateve—aftësi që e rrisin besueshmërinë profesionale dhe e bëjnë më të gatshëm për role ku vendimmarrja mbështetet në të dhëna.

Drejtime të tjera me peshë

Edhe pse IA, zhvillimi i softuerit dhe shkenca e të dhënave përbëjnë “boshtin” kryesor, ka edhe fusha të tjera që po fitojnë rëndësi të veçantë. Siguria kibernetike është jetike për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale ndaj kërcënimeve në rritje. Interneti i Gjërave (IoT) po lidh miliarda pajisje, duke prodhuar rrjedha të mëdha të dhënash që kërkojnë përpunim dhe menaxhim të avancuar. Blockchain sjell modele të decentralizuara për ruajtje dhe verifikim të të dhënave, me përdorime që shkojnë përtej kriptomonedhave. Ndërsa AR/VR po ndërtojnë përvoja inovative dhe po hapin rrugë drejt koncepteve si metaversi. Të kuptuarit e këtyre fushave të ndërlidhura është i domosdoshëm për një pamje të plotë të teknologjisë së sotme.

Për një student potencial, kjo do të thotë edhe diçka tjetër: një program studimor i mirë në Shkenca Kompjuterike nuk të “mbyll” në një rol të vetëm, por të jep fleksibilitet për të lëvizur mes disa rrugëve profesionale, nga zhvillimi i aplikacioneve te analiza e të dhënave, administrimi i sistemeve apo specializimi në siguri. Kjo liri zgjedhjeje është vlerë reale në një treg ku teknologjitë ndryshojnë, por nevoja për mendje të afta mbetet konstante.

Pse programet e kolegjeve universitare janë rruga më e sigurt drejt suksesit

Përballë këtyre zhvillimeve, dilema për të rinjtë ambiciozë është e thjeshtë: si përgatitesh në mënyrën më të mirë? Përgjigjja gjendet te programet universitare të hartuara me seriozitet, me orientim praktik dhe me vizion afatgjatë, siç janë programet studimore të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB. Edhe pa hyrë në detaje specifike të një kurrikule të caktuar, mund të theksohen arsyet pse programet e ndërtuara mirë në këtë fushë janë thelbësore:

Bazë e fortë dhe e organizuar e njohurive: Studimet universitare ofrojnë themelin në shkenca kompjuterike, matematikë dhe statistikë, mbi të cilin ndërtohen teknologjitë moderne. Ato shkojnë më thellë se njohuritë sipërfaqësore, duke trajtuar algoritme, struktura të të dhënave, sisteme operative, rrjete dhe baza të të dhënave, në mënyrë që studenti të kuptojë jo vetëm “si”, por edhe “pse”. Kjo bazë e bën studentin më të sigurt kur përballet me teknologji të reja, sepse i njeh parimet që nuk ndryshojnë.

Specializim i lidhur me tregun e punës: Programet cilësore u japin studentëve mundësi të fokusohen në fusha me kërkesë të lartë si IA, inxhinieri softuerike, shkencë e të dhënave dhe siguri kibernetike. Kjo sjell aftësi konkrete dhe të aplikueshme, të cilat punëdhënësit i kërkojnë në mënyrë aktive. Për studentin, përfitimi praktik është i qartë: një profil më i dallueshëm dhe një drejtim më i qartë karriere.

Përvojë praktike dhe zgjidhje problemesh: Mësimi përmes projekteve, laboratorëve dhe praktikave profesionale në bashkëpunim me industrinë e shndërron teorinë në kompetencë reale. Studentët mësojnë të projektojnë, ndërtojnë, testojnë dhe vendosin zgjidhje që i afrohen standardeve të industrisë. Në të njëjtën kohë, krijojnë punë të dokumentuar (projekte, detyra, prezantime) që shërben si dëshmi e aftësive të tyre.

Mendim kritik dhe aftësi për t’u përshtatur: Meqë teknologjia ndryshon shpejt, vlera më e madhe e universitetit është se të mëson si të mësosh. Ai zhvillon arsyetim analitik, gjykim teknik dhe fleksibilitet intelektual, të domosdoshme për të ecur me ndryshimet dhe për të ndërtuar një karrierë afatgjatë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për studentët që synojnë të jenë konkurrues edhe pas disa vitesh, jo vetëm në momentin e diplomimit.

Rrjet profesional dhe mentorim: Ambienti akademik krijon mundësi për kontakte me pedagogë, profesionistë të industrisë dhe bashkëstudentë. Këto lidhje shpesh kthehen në bashkëpunime, mentorime, praktika pune dhe mundësi të reja karriere. Për një student, ky rrjet është një kapital i heshtur, por me ndikim të madh.

Qasje etike dhe ndikim shoqëror: Përtej aftësive teknike, programet serioze trajtojnë privatësinë, përgjegjësinë, ndikimin e automatizimit dhe etikën e IA-së. Kjo është thelbësore për të ndërtuar teknologji të besueshme dhe në shërbim të shoqërisë, dhe njëkohësisht i jep studentit një identitet profesional më të pjekur, ku “suksesi” matet edhe me përgjegjësi.

Përmbyllje: Merrni në dorë të ardhmen

Transformimi digjital nuk ndalet dhe as nuk pret. Ai po përshpejtohet, duke rritur kërkesën për profesionistë që dinë të krijojnë, të përmirësojnë dhe të udhëheqin. Për të rinjtë me pasion për teknologjinë, logjikën dhe krijimtarinë, një diplomë në Shkenca Kompjuterike ose fusha të afërta të TIK-ut në një program universitar të mirëstrukturuar, si programet studimore të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB, është një investim me kthim të lartë: siguron njohuritë bazë, aftësitë praktike dhe formimin kritik për të mos qenë thjesht pjesë e ndryshimit, por për ta drejtuar atë.

Më e rëndësishmja, një program i tillë i jep studentit një avantazh të qëndrueshëm: disiplinën për të mësuar vazhdimisht, guximin për të provuar e ndërtuar dhe bazën për të konkurruar denjësisht në një treg gjithnjë e më ndërkombëtar. Angazhohuni seriozisht në mësim, ndërtoni kompetenca reale dhe përgatituni të jeni në pararojë të valës së radhës së inovacionit. E ardhmja është digjitale dhe i takon atyre që janë gati ta ndërtojnë.

(Autori është profesor universitar)

Çdo votë në ekran: Si e-votimi po e hap Kuvendin për qytetarët

28 April 2026 at 16:09


Sistemi i e-votimit synon të lidhë qytetarët me institucionin e tyre përfaqësues. Kuvendi funksionon sipas Kushtetutës dhe rregullave të brendshme, pavarësisht nga ndryshimet politike.

Deputetët vijnë nga parti të ndryshme dhe përfaqësojnë komunitete të ndryshme, por procesi ligjvënës ndiqet nga të njëjtat rregulla: propozim, diskutim dhe votim në seancë plenare.

Çdo vendim merret në emër të publikut dhe duhet të jetë i qasshëm nga publiku.

Për të kuptuar më shumë rreth Kuvendit të Kosovës, shihni videon

Sistemi i votimit elektronik, e-votimi, i mbështetur nga Luxembourg Development Agency, mundëson qytetarëve të shohin çdo votë të deputetëve, në kohë reale, nga çdo pajisje.

Kur një deputet shtyn butonin e votimit gjatë një seance plenare në Kuvend, ky veprim regjistrohet, publikohet dhe bëhet i qasshëm për çdo qytetar të Kosovës, menjëherë dhe pa vonesë. Ky është funksionalitet teknik i një sistemi që Kuvendi i Kosovës e ka operacionalizuar me mbështetjen e Luxembourg Development Agency (LuxDev).

Sistemi quhet E-votim dhe është ndër mjetet më konkrete që një parlament mund të adoptojë për të kaluar nga premtimet e transparencës në transparencë të matshme.

Çka është E-votimi dhe si funksionon?

E-votimi është një sistem elektronik i votimit parlamentar i integruar drejtpërdrejt në infrastrukturën e Kuvendit të Kosovës. Çdo deputet disponon një pajisje të dedikuar votimi të vendosur në ulësen e tij apo të saj në sallën plenare. Gjatë seancave, kur vihet në votim një ligj, amendament apo çështje tjetër proceduriale, deputetët shprehin vullnetin e tyre - PRO, KUNDËR ose ABSTENIM - duke shtypur butonin përkatës.

Rezultati nuk mbetet i fshehur. Sistemi e regjistron çdo votë me saktësi të plotë dhe në kohë reale, duke përfshirë identitetin e deputetit, kohën e votimit dhe pozicionin e shprehur. Të gjitha këto të dhëna publikohen automatikisht në faqen zyrtare të Kuvendit dhe janë të qasshme nga çdo pajisje me lidhje interneti.

"Herën tjetër kur doni të shihni si ka votuar deputeti juaj - mos harroni, Kuvendi është transparent dhe kjo e dëshmon e-votimi" - është mesazhi që sistemi komunikon drejtpërdrejt me qytetarët.

Për të mësuar më shumë për sistemin e e-votimit, ndiqni videon (l

Nga infrastruktura deri tek qytetari: rrugëtimi i një vote

Procesi nuk ndalet te salla plenare. Pas regjistrimit të votës, sistemi e transmeton informacionin nëpërmjet infrastrukturës teknologjike të Kuvendit, serverëve dhe punëtorëve të regjisë, dhe e bën publik në platformën digjitale të institucionit. Çdo qytetar ka qasje në të, në rast se i intereson kush ka votuar, çfarë, kur dhe si.

Pse ka rëndësi kjo për qytetarët

Kuvendi i Kosovës është institucioni ku 120 deputetë të zgjedhur me votë të lirë debatojnë, propozojnë dhe miratojnë ligjet që prekin jetën e secilit. Megjithatë, për shumë qytetarë, kjo ndodh "diku larg”, brenda mureve të një ndërtese institucionale, e largët dhe e pakuptueshme.

E-votimi e ndryshon këtë. Ai e sjell procesin vendimmarrës drejtpërdrejt te ekrani i telefonit të çdo qytetari. Nuk kërkohet njohuri juridike apo politike për të kuptuar se deputeti i zgjedhur nga rajoni yt votoi PRO apo KUNDËR ligjit që diskutohej. Kjo është demokraci e prekshme.

Kuvendi i Kosovës është institucion i qytetarëve. Të zgjedhurit, deputetët, janë ata që qytetari i ka votuar, prandaj transparenca dhe llogaridhënia duhen të jenë e drejtë themelore e qytetarëve karshi këtij institucioni.

Jemi në prag të një recesioni global, por s’është Irani ai për të cilin duhet të shqetësohemi

27 April 2026 at 08:49


Një kolaps i ngjashëm me atë të vitit 2008 është në horizont, ndonëse rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë nuk është shkaku kryesor.

Nga: Liam Halligan, ekonomist, gazetar, autor dhe prezantues i vlerësuar me çmime / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Jemi në prag të një recesioni të mundshëm global, paralajmëroi më herët këtë muaj Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) - nxitur nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritja e ndërlidhur me të e çmimeve të energjisë në mbarë botën.

Me Ngushticën e Hormuzit, që është e pakalueshme, po afron rritja e gjerë e inflacionit e cila do të dëmtonte seriozisht ekonominë globale.

Së bashku me një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz, kjo bllokadë e dyfishtë Iran/ShBA gjithashtu pengon që një e treta e lëndëve bazë të plehrave kimike që transportohen me det të arrijnë në tregjet globale.

Kjo flet për një rendiment më të ulët të të korrave këtë verë - një rritje serioze e çmimeve të energjisë, shoqëruar edhe me rritje të çmimeve të ushqimeve.

Një e treta e furnizimeve globale me helium kalon përmes Ngushticës, që është jetike në prodhimin e gjysmëpërçuesve. Këta çipa, të krahasueshëm në aspekt strategjik me naftën, mundësojnë triliona dollarë aktivitet ekonomik në sektorët pasues - nga prodhimi te strukturat energjetike, komunikimet pa tela, ruajtja e të dhënave kompjuterike dhe mbrojtja.

Për më tepër, disa kriza të obligacioneve sovrane po marrin hov në vendet e G7-ës, ndërsa vendet perëndimore përballen me deficite të larta fiskale, demografi në tkurrje dhe qeveri të madhe, duke dështuar njëkohësisht të frenojnë shpenzimet e pakontrolluara të mirëqenies sociale.

Huadhënësit e mëdhenj po rrisin kostot e shërbimit të borxhit, duke ushtruar edhe më shumë presion mbi qeveritë që tashmë përballen me mungesë fondesh. Rreziku për një kolaps sistematik, nxitur nga investitorët e obligacioneve me borxh të lartë, nuk mund të injorohet.

Por, çfarë nëse kërcënimi kryesor për ekonominë globale nuk është asnjë nga këto - as gjeopolitika, as rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë apo kaosi i mundshëm në tregjet e borxhit?

Po sikur rreziku kryesor të jetë te vlerësimet e larta në tregjet e aksioneve - veçanërisht çmimet tepër të larta të aksioneve të teknologjisë dhe të kompanive të përqendruara në inteligjencën artificiale [IA]?

Mbivendosje e inteligjencës artificiale: Aksionet e teknologjisë/IA në kapitalizimin e tregut S&P 500Burimi: Goldman Sachs, Bloomberg

Lexo po ashtu:
- Bumi i Inteligjencës Artificiale do të jetë i zymtë
- IA-ja është një flluskë që pritet të shpërthejë, por prapëseprapë do ta ndryshojë botën
- Beteja për identitetin tonë në internet: Unë jam njeri, po ti?
- Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale
- Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale
- Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë - si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë
- Gara globale e IA-së do të fitohet nga ai që menaxhon reagimin negativ

Mund të ndodhë vërtet që stabiliteti financiar global të kërcënohet më së shumti pikërisht nga revolucioni i IA-së, tek i cili shumëkush po mbështetet për të shpëtuar rritjen globale.

Pse? Sepse aksionet e lidhura me IA-në po tregtohen tani me vlerësime gjithnjë e më absurde. Dhe, një pjesë e madhe e investimeve gjigante në qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën tjetër teknologjike po financohet me borxh - borxh i cili, nga ana tjetër, mbështetet mbi baza jashtëzakonisht të dobëta.

Unë e pranoj plotësisht se IA-ja, “revolucioni i pestë industrial”, do të ketë një ndikim të thellë në botë, duke pasur potencialin të përshpejtojë fuqishëm ekonominë globale.

Tri “revolucionet” e para zgjatën 250 vjet - fuqia me avull dhe mekanizimi nga vitet 1750, më pas prodhimi i çelikut dhe elektrifikimi, të ndjekura nga përhapja e gjerë e kompjuterizimit në fund të shekullit XX.

Revolucioni Industrial 4.0 përfshiu dy dekadat e para të këtij shekulli - përhapjen e lidhjes në internet dhe “datafikimin masiv”, që do të thotë se shumica e gjërave të shkruar ndonjëherë tani është menjëherë dhe gjerësisht e qasshme.

Dhe, që nga rreth viti 2020, revolucioni i IA-së - kompjuterë gjithnjë e më të fuqishëm që shfrytëzojnë këtë lidhje dhe qasje në informacion - është në kulmin e zhvillimit.

Fuqia e IA-së është e jashtëzakonshme. Ajo mund të optimizojë proceset e prodhimit, të lehtësojë “mirëmbajtjen parashikuese” dhe të automatizojë proceset e projektimit, ndërkohë që përmirëson menaxhimin e zinxhirit të furnizimit dhe kontrollin e cilësisë.

Ajo që po shohim tani është një garë shumë-miliardëshe, jo më pak midis kompanive amerikane dhe kineze, për të dominuar IA-në - informacionin dhe proceset që do të drejtojnë gjithnjë e më shumë sjelljen e konsumatorëve, bizneseve dhe madje edhe qeverive në mbarë botën.

Por, ajo që po ndodh gjithashtu është se kjo mani investimesh në IA po përgatit tregjet e aksioneve për një kolaps thellësisht të dëmshëm.

Aksionet e teknologjisë dhe ato të lidhura me IA-në përbëjnë tani një 45 përqindësh marramendëse të kapitalizimit të tregut S&P 500 të Amerikës - indeksi më i rëndësishëm i aksioneve në botë. Kjo është rritur nga 25 përqind tre vjet më parë, kur u doli ChatGPT-ja.

Ndërsa paratë janë derdhur në kompanitë e IA-së, indeksi Cape-Shiller i S&P 500-ës - një masë shumë me ndikim e raportit të kombinuar çmim-fitimi (P/E) të rregulluar sipas ciklit për aksionet kryesore amerikane - është shtyrë mbi nivelin 40. Kjo është shumë mbi mesataren e tij afatgjatë prej 17 dhe dukshëm më e lartë se 28 para kolapsit të vitit 2008.

Kur raportet çmim-fitim (P/E) janë të larta, investitorët në aksione po paguajnë shumë për të zotëruar një pjesë të fitimeve të një kompanie, çka sugjeron se aksionet janë tepër të shtrenjta. Megjithatë, këto vlerësime jashtëzakonisht të larta vazhdojnë, pavarësisht rritjes së dobët ekonomike, trazirave gjeopolitike dhe perspektivës për inflacion serioz në të ardhmen.

Në tetor, Nvidia - një projektues çipash për IA-në që tashmë është një kompani “gjithëpërfshirëse” softuer/harduer - u bë kompania e parë ndonjëherë që arriti një kapitalizim tregu prej pesë trilionë dollarësh [4.28 trilionë euro]. Vlera e një kompanie të vetme tani tejkalon Prodhimin e Brendshëm Bruto vjetor si të Gjermanisë ashtu edhe të Japonisë.

Duke arritur kulmin: Indeksi CAPE-Shiller i S&P 500Burimi: Goldman Sachs, Bloomberg

Problemi është se aksionet e teknologjisë dhe të IA-së kanë “çmim për përsosmëri” - ideja se gjithçka që lidhet me zhvillimin e këtij revolucioni të fundit industrial do të shkojë në mënyrë perfekte. Por, kjo nuk ndodh kurrë.

Qendrat e të dhënave të IA-së kërkojnë sasi të mëdha energjie elektrike, e cila nuk do të jetë gjithmonë e qasshme. Ndikimi i madh i kësaj teknologjie në punësim, shoqëri dhe demokraci do të thotë se mund të pasojnë rregullime të forta, duke kufizuar ëndrrat komerciale.

Mbi të gjitha, një pjesë e madhe e investimeve që po derdhen në IA është me para hua - nxitur nga borxhi i ofruar nga ofertues të parregulluar privatë të kredisë. Dhe, ky borxh po mbulohet gjithnjë e më shumë me kolateral që përbëhet nga vetë çipat e IA-së.

Shumë investitorë i amortizojnë këta çipa për pesë deri në gjashtë vjet për qëllime llogarie në modelet e tyre të financimit. Por, jeta e tyre reale ekonomike shpesh është shumë më e shkurtër (dy deri në tre vjet), për shkak të daljes së vazhdueshme në treg të pajisjeve më efikase.

Po, IA-ja është transformuese nga pikëpamja ekonomike - por e tillë ishte edhe hekurudha në shekullin XIX dhe revolucioni i internetit në fund të viteve 1990. Të dyja nxitën investime masive spekulative dhe të dyja shkaktuan mani, panik dhe kriza, ndërsa shumë kompani dështuan. Historia nuk zhvillohet në vijë të drejtë.

Dallimi i madh është se infrastruktura hekurudhore dhe ajo e internetit e krijuar gjatë atyre bumeve mbeti në vend - shinat dhe mjetet hekurudhore me vlerë, si dhe kabllot me fibra optike - edhe pasi kompanitë përkatëse falimentuan.

Financimi me borxh që qëndronte pas atyre bumeve të investimeve shpesh ishte i garantuar me këto asete të vlefshme, të cilat ruajtën vlerën e tyre dhe u përdorën për vite me radhë nga konkurrentët dhe hyrësit e rinj në treg.

Ky bum i IA-së është i garantuar me çipa që janë të nënshtruar ndaj vjetërsimit të shpejtë teknologjik. Dhe, kjo, sipas mendimit tim, e bën atë që po ndodh tani shumë më të rrezikshme sesa ciklet e mëparshme të bumit dhe rënies. /Telegrafi/

Kartela në telefon, me aplikacionin e ri të Shell Kosova

By: Shell
24 April 2026 at 13:28


Furnizimi me derivate po bëhet më i shpejtë dhe më praktik me aplikacionin e ri të Shell Kosova.

Kartela, balanca, pagesat dhe shpërblimet janë të gjitha në një aplikacion të vetëm, i përdorshëm në çdo moment.

I zhvilluar nga kompania vendore e teknologjisë Kutia, aplikacioni është ndërtuar rreth përdorimit të përditshëm dhe mënyrës si përdoruesit ndërveprojnë me këto shërbime.

Kartela aktive direkt nga aplikacioni

Një nga ndryshimet kryesore është mënyra si përdoret kartela. Me aplikacionin, përdoruesi pajiset me një kartelë digjitale, e cila aktivizohet direkt pas regjistrimit.

Në vend të karteles fizike, e gjithë përvoja kalon në aplikacion, ku kartela digjitale bëhet funksionale menjëherë dhe përdoret direkt nga telefoni gjatë furnizimit.

Furnizimi përmes telefonit

Në pikën e furnizimit, përdoruesi mund të përdorë telefonin në vend të kartelës. Aplikacioni mbështet:

  • NFC, për pajisjet që e kanë këtë mundësi
  • QR code, si alternativë për pajisje të tjera

Kjo e zhvendos përdorimin e kartelës në telefon dhe e bën procesin më të drejtpërdrejtë.

Pagesa dhe balanca në një vend

Aplikacioni përfshin mundësinë për mbushjen e kartelës dhe kontrollin e balancës.

Përdoruesit mund të:

  • mbushin kartelën nga aplikacioni
  • shohin balancën në çdo moment
  • kontrollojnë historikun e pagesave

Kjo e lidh pagesën me përdorimin në një rrjedhë të vetme.

Shpërblime që lidhen me përdorimin

Aplikacioni përfshin një sistem shpërblimesh që lidhet drejtpërdrejt me furnizimin. Përdoruesit mund të ndjekin progresin dhe përfitimet e tyre brenda aplikacionit.

Një nga elementet është edhe loja me shpërblime (“spin”), ku përfitimet lidhen me aktivitetin e përdoruesit.

Rekomando dhe përfito

Aplikacioni përfshin edhe një sistem referimi. Përdoruesit mund të ndajnë kodin e tyre dhe të përfitojnë kur përdorues të rinj regjistrohen dhe e përdorin aplikacionin.

Një përdorim më i lidhur dhe më i kontrollueshëm

Aplikacioni i bashkon funksionet kryesore të kartelës dhe furnizimit në një vend të vetëm, të përdorshëm nga telefoni.

Kjo i jep përdoruesit kontroll më të qartë mbi përdorimin dhe një mënyrë më të drejtpërdrejtë për të menaxhuar shërbimet.

Përurohen investime në digjitalizim në shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë

21 April 2026 at 15:26


Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka bërë të ditur se janë përuruar investimet më të reja në digjitalizim në Shkollën Fillore "Hasan Prishtina".

Sipas tij, gjatë vizitës së realizuar së bashku me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, janë vendosur tabela digjitale dhe është bërë shtrirja e rrjetit modern të internetit në këtë institucion arsimor.

"Sot, bashkë me Kryetarin e Kryeqytetit z. Përparim Rama, vizituam Shkollën Fillore "Hasan Prishtina", ku përuruam investimet më të reja në digjitalizim — tabela digjitale dhe shtrirjen e rrjetit më modern të internetit në shkollë", ka shkruar Shahini.

Ai ka theksuar se këto pajisje janë pjesë e një kontingjenti më të gjerë të shpërndarë në shkollat e kryeqytetit.

"Këto tabela janë pjesë e kontigjentit prej 180 pajisjeve të shpërndara në shkollat tona, duke bërë që sot mbi 70% e klasave të jenë të pajisura me këto mjete moderne për mësimdhënie", ka shtuar ai.

Në fund, Shahini ka vlerësuar se investimet në arsim do të vazhdojnë.

"Investime çdo ditë, për arsim më cilësor dhe më afër nevojave të kohës", ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Cyberzone: IPKO fillon me një seri të re për sigurinë digjitale në Kosovë

By: IPKO
20 April 2026 at 13:28


Në një kohë kur përdorimi i internetit është bërë pjesë e përditshmërisë, siguria digjitale mbetet një nga sfidat më të mëdha për individët dhe bizneset në Kosovë.

Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, IPKO fillon me Cyberzone, një seri e re episodash që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ofrojë këshilla praktike për mbrojtje në botën online.

Cyberzone nuk është vetëm një format informativ, por një platformë që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë rreziqet digjitale që prekin përdoruesit çdo ditë. Përmes episodeve mujore, kjo seri do të zbërthejë temat kryesore të sigurisë kibernetike, duke i bërë ato të kuptueshme dhe të aplikueshme në praktikë.

Temat që do të trajtohen përfshijnë:

  • Si funksionojnë mashtrimet online dhe si mund të identifikohen?
  • Pse çdo përdorues mund të jetë cak i sulmeve kibernetike?
  • Rëndësia e përdorimit të password-eve të sigurta.
  • Rreziqet gjatë shfletimit në internet dhe faqet e rreme.
  • Siguria në rrjete publike Wi-Fi.
  • Mbrojtja e të dhënave personale dhe qasjes në sisteme.

Qëllimi i kësaj serie është të ndihmojë përdoruesit të kuptojnë se siguria digjitale nuk lidhet me madhësinë e biznesit apo nivelin e aktivitetit online, por me ekspozimin dhe mënyrën e përdorimit të teknologjisë.

Shpesh, ekziston perceptimi se vetëm kompanitë e mëdha apo institucionet janë cak i sulmeve kibernetike. Megjithatë, realiteti është se shumica e sulmeve sot janë automatike dhe masive, duke e bërë çdo përdorues të lidhur në internet potencialisht të rrezikuar.

Përmes Cyberzone, IPKO synon të sjellë më shumë qartësi rreth këtyre rreziqeve dhe të ofrojë hapa konkretë për t’u mbrojtur, si për individët ashtu edhe për bizneset.

Kjo iniciativë është vazhdim i angazhimit të IPKO në fushën e sigurisë kibernetike, ku përveç përmbajtjes edukative, kompania organizon edhe IPKO Cyber Security Conference, e cila këtë vit do të mbahet për herë të katërt, duke mbledhur ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

Seria do të publikohet me nga një episod çdo muaj, duke ndërtuar një burim të qëndrueshëm informacioni për sigurinë digjitale në vend.

Episodi i parë i Cyber Zone publikohet më 20 Prill, në ora 18:00, dhe trajton një nga temat më të rëndësishme: pse çdo përdorues mund të jetë cak i sulmeve kibernetike, edhe kur mendon që nuk është.

Episodi mund të ndiqet në kanalin zyrtar të IPKO në YouTube: https://www.youtube.com/@IPKOTelecom

Darsej Rizaj: Bizneset në Kosovë rrezikojnë nga konkurrenca e re – AI duhet të jetë në qendër të strategjisë

14 April 2026 at 07:46


Bizneset në Kosovë përballen me një rrezik të madh nga konkurrenca e re që po vjen me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërsa mungesa e vetëdijes për këtë ndryshim mund t’i lërë ato jashtë tregut, vlerëson Darsej Rizaj.

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se shumë kompani aktuale nuk e kuptojnë ende seriozitetin e situatës dhe rrezikun që po afrohet.

“Sektori privat… nuk janë vetëdijshme që e kanë një rrezik shumë të madh prej konkurrencës, e cila sot nuk ekziston”, u shpreh Rizaj shkruan Telergafi.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron në mungesën e veprimeve konkrete për integrimin e inteligjencës artificiale në funksionimin e përditshëm të bizneseve.

“Nëse ti sot si biznes nuk je tu i marrë hapa konkretë, me e bo inteligjencën artificiale pjesë të platformës të biznesit, jo veç me e përdorë, por me qenë shumë qendrore rreth biznesit tënd dhe me pasë strategji rreth AI-t”, theksoi ai.

Rizaj paralajmëroi se konkurrenca e ardhshme nuk do të vijë nga kompanitë tradicionale, por nga individë dhe ekipe të reja që do të përdorin teknologjinë në mënyrë shumë më efikase.

“Ka me ardhë ai konkurrenti që sot i ka tetëmbëdhjetë vjet dhe ka me e bo një produkt dhjetë herë më shpejt se ti, ma lirë dhe ma mirë… edhe të qet prej lojës më shpejt se që ta merr mendja”, deklaroi ai.

Ai shtoi se kjo konkurrencë do të prekë të gjitha aspektet e biznesit – nga operacionet e përditshme deri te zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Rizajt, bizneset që nuk e vendosin inteligjencën artificiale në qendër të strategjisë së tyre rrezikojnë jo vetëm të mbeten prapa, por edhe të zhduken nga tregu në një kohë shumë më të shkurtër sesa pritet./Telegrafi/.

Inteligjenca artificiale po ndryshon tregun e punës – Rizaj paralajmëron “shkundje” të madhe

13 April 2026 at 09:45


Inteligjenca artificiale po ndryshon me ritme të shpejta mënyrën se si funksionon ekonomia globale, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet prapa nëse nuk përshtatet me kohë, vlerëson Darsej Rizaj bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs”.

Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ai theksoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale ka tejkaluar ritmin e përvetësimit nga shoqëria, duke krijuar një hendek mes teknologjisë dhe përdorimit të saj.

“Inteligjenca artificiale është shumë përpara sot dhe lëviz me hapa më shpejt se që popullata globale mundet me konsumu. Kosova sot… është tu u majt në ymyt të sektorit privat dhe individëve… niveli i shfrytëzueshmërisë nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh ai.

Revolucioni i ri dhe “shkundja” në tregun e punës

Rizaj paralajmëron se ndikimi i inteligjencës artificiale nuk është vetëm teknologjik, por edhe ekonomik, duke çuar drejt një transformimi të madh të tregut të punës.

“Jemi duke shku drejt një revolucioni industrial të ri… do të ketë një periudhë disa vjeçare të një shkundjeje”, deklaroi ai.

Ai thekson se frika për humbjen e vendeve të punës është reale, por problemi kryesor mbetet mungesa e veprimit nga individët dhe bizneset.

“Problemi është që pak po marrin hapa konkretë për me bo veten të pazëvendësueshëm në vendin e punës”, shtoi Rizaj shkruan Telegrafi.

Darsej Rizaj nga Shkolla Digjitale n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu

Paralajmërim për bizneset: rrezik nga konkurrenca e re

Sipas Rizajt, kompanitë që nuk e përfshijnë inteligjencën artificiale në strategjitë e tyre rrezikojnë të humbasin konkurrencën në një kohë shumë të shkurtër.

“Nëse ti sot si biznes nuk je duke e bërë AI pjesë qendrore të strategjisë, ka me ardhë një konkurrent që ka me e bo produktin dhjetë herë më shpejt dhe më lirë”, paralajmëroi ai.

Ai vlerëson se hezitimi dhe komoditeti brenda kompanive janë ndër pengesat kryesore për adaptim.


Sistemi arsimor nuk është në hap me kohën

Rizaj kritikon edhe sistemin arsimor, duke thënë se ai nuk po përgatit të rinjtë për realitetin e ri teknologjik.

“Shkolla sot është e krijume për revolucionin e parë industrial… po i mësojmë fëmijët me memorizu, jo me mendu”, tha ai.

Sipas tij, fokusi duhet të zhvendoset nga memorizimi te zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhja e problemeve.

“Duhet mi trajnu fëmijët për me zgjidh probleme, jo për me memorizu”, theksoi Rizaj.

Në fund, ai thekson se inteligjenca artificiale përfaqëson një nga mundësitë më të mëdha për zhvillim individual dhe profesional, por kërkon angazhim të menjëhershëm.

“Mos prit tjerët me ta servu… vetë eduko! Gjeje mënyrën dhe fillo sot”, përfundoi Rizaj.

Për më shumë shih podcastin e plotë./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Pse çdo grua mund ta shohë veten në historinë e ndarjes së një çifti të famshëm gjerman

1 April 2026 at 13:16


Shumë gra do t’i njohin përvojat e tyre të abuzimit digjital në akuzat e Collien Fernandesit - teknologjia u ofron autorëve si mjete ashtu edhe mbulesë.

Nga: Fatma Aydemir / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Disa histori që shpalosen në jetën reale do të dukeshin, po t’i shkruaje, si intriga e një romani të dobët kriminal. Tepër të dukshme, tepër të sajuara, pothuajse zvarritëse në mizorinë e tyre. Për shembull kjo: një grua kalon vite të tëra duke u përpjekur të identifikojë personin që dyshohet se e ka shkelur privatësinë e saj në internet, vetëm për të arritur në fund në përfundimin se ishte bashkëshorti i saj gjatë gjithë kohës.

Kështu paraqitet tani për publikun rasti i çiftit dikur të preferuar të famshëm në Gjermani, Collien Fernandes dhe Christian Ulmen. Fernandes, prezantuese televizive, aktore dhe autore, ka qenë për më shumë se dy dekada një figurë e njohur në industrinë zbavitëse. Ulmeni, aktor, producent dhe ish-prezantues i MTV-së, është prej kohësh i lidhur me një lloj maskuliniteti ironik dhe të vetëdijshëm. Të dy u martuan në vitin 2011, kanë vajzë dhe kultivuan imazhin e një superçifti modern dhe të zgjuar, duke punuar së bashku në seriale dhe reklama ku - për efekt gjoj komik - flisnin në mënyrë këndshme për martesën e tyre të zakonshme. Derisa ky imazh u ça.

Kur çifti njoftoi ndarjen vitin e kaluar, njerëzit shprehën publikisht keqardhje për humbjen e çiftit të famshëm ideal. Por, sfondi i errët i kësaj ndarjeje u zbulua vetëm pas një raporti në Der Spiegel.

Fernandesi, në një intervistë me gazetën, tha se kishte paraqitur një kallëzim ligjor kundër Ulmenit në Spanjë, ku çifti ishte zhvendosur në vitin 2023. Akuzat e saj ishin tronditëse: Fernandesi pretendoi se bashkëshorti i saj e kishte nënshtruar ndaj dhunës në familje, kishte krijuar profile të rreme në rrjetet sociale në emrin e saj, i kishte përdorur ato për të kontaktuar burra dhe kishte shpërndarë imazhe dhe video të seksualizuara, të krijuara për t’u dukur sikur e paraqisnin atë.

Fernandesi ka folur publikisht për dhunën digjitale dhe përvojat e saj me këtë për vite me radhë. Ajo madje realizoi një dokumentar televiziv, i cili u transmetua në vitin 2024, ku ajo udhëton nëpër botë për të gjetur burimin e përmbajtjes pornografike që i atribuohet asaj - jo vetëm që qarkullon në internet, por edhe u dërgohet drejtpërdrejt personave me të cilët ajo punonte në atë kohë, në emrin e saj. Në intervistën e saj për Der Spiegel, Fernandesi pretendon se ish-bashkëshorti i saj - vetëm pas publikimit të dokumentarit të saj - i kishte rrëfyer se ai qëndronte pas abuzimit. Në një postim në Instagram, ajo deklaroi: “E eksitonte të më poshtëronte për vite me radhë”. Ulmeni i mohon akuzat.

Por, sipas rrëfimit të Fernandesit, këtu fillojnë problemet e saj ligjore. Thënë troç, ajo që përshkruan nuk është një rast i pamjeve të rreme [deepfake] të gjeneruara nga IA-ja [inteligjenca artificiale], për të cilat qeveria gjermane ka premtuar të miratojë legjislacion, por një rast i abuzimit me identitetin. Rezultati mund të duket i ngjashëm, por kategorizimi ligjor nuk është. Dhe, ky boshllëk, sipas saj, i lë viktimat si ajo të mbrojtura në mënyrë të pamjaftueshme. Në internet ka pamje të rreme pornografike të Fernandesit, por avokati i Ulmenit deklaroi në një reagim se asnjë prej tyre nuk ishte krijuar apo shpërndarë prej tij. Ulmeni “kurrë nuk ka prodhuar dhe/ose shpërndarë pamje të rreme të zonjës Fernandes apo të ndonjë personi tjetër”, thuhet në deklaratë.

Qoftë të fabrikuara përmes IA-së apo atribuuar gabimisht përmes ngjashmërisë fizike dhe imitimit, efekti është i njëjtë: humbja e kontrollit mbi imazhin e vet, seksualizimi publik i një personi pa pëlqim. “Përdhunim virtual”, siç e quan Fernandes.

Është një konfigurim bashkëkohor që ndihet shqetësues. Dhuna nga partneri intim nuk përfundon më te dera e shtëpisë; degjeneron në internet. Teknologjia e ka ulur pragun për dhunë të seksualizuar në një shkallë pothuajse absurde. Dhe, nuk është defekt i sistemit që shumica dërrmuese e atyre që shënjestrohen janë gra; është vetë sistemi që riprodhon një hierarki të vjetër përmes mjeteve të reja.

Për më tepër, nuk është rastësor fakti që Fernandesi zgjodhi të bënte kallëzimin në Spanjë. Ai nxjerr në pah një boshllëk në mbrojtjen ligjore në të gjithë Evropën. Ndërsa Gjermania ende përpiqet të klasifikojë dhe ndëshkojë në mënyrë të duhur format e abuzimit të seksualizuar digjital që nuk përshtaten qartë në kategoritë ekzistuese, Spanja në vitet e fundit ka forcuar kuadrin e saj ligjor rreth dhunës digjitale dhe asaj me bazë gjinore. Vendimi për të kërkuar drejtësi atje është, në vetvete, një akuzë ndaj mënyrës se si mbrojtja shpërndahet në mënyrë të pabarabartë.

Në vitet e fundit, rastet e personazheve të famshëm si Johnny Deppi kundër Amber Heardit kanë treguar se sa polarizues mund të bëhet debati në rrjetet sociale mbi dhunën e seksualizuar. Ndjekësit marrin anë, kronologjitë analizohen në detaje dhe besueshmëria debatohet në kohë reale. Qëkur Collien Fernandesi i bëri publike akuzat e saj, janë mbajtur demonstrata në shumë qytete gjermane për të protestuar kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të shprehur solidaritet me të. Shqetësimet për sigurinë e saj, përfshirë kërcënimet me vdekje, ishin të tilla që ajo u detyrua të vishte jelek antiplumb për të folur në protestën në Hamburg.

Në të njëjtën kohë, miliona gra do të njohin diçka nga përvoja e tyre në akuzat e Fernandesit. Ndoshta jo detajet specifike, por strukturën: poshtërimin, humbjen e kontrollit, ndjenjën se bota digjitale u ofron autorëve si mjete ashtu edhe mbulesë. Për çdo rast të profilit të lartë, ka të panumërta të tjera që nuk dalin kurrë në sipërfaqe. Histori që nuk përfundojnë me veprime ligjore, por me zmbrapsje, frikë dhe heshtje.

Ndërkohë, reagimi politik në Gjermani ka ndjekur një skenar dëshpërimisht të njohur. Kancelari Friedrich Merz ka shfrytëzuar debatin rreth dhunës me bazë gjinore për ta paraqitur edhe një herë atë si një problem kryesisht të lidhur me burrat migrantë - edhe pse ky rast e kundërshton qartë këtë ide. Christian Ulmen është burrë i bardhë gjerman, ndërsa Collien Fernandes është vajza e një emigranti indian dhe e një nëne gjermano-hungareze.

Megjithatë, Merzi e shfrytëzon rastin për të devijuar vëmendjen nga natyra strukturore dhe thellësisht e rrënjosur e dhunës me bazë gjinore, duke e paraqitur atë si diçka të jashtme dhe, në mënyrë të përshtatshme, te të tjerët. Fakti që kjo vjen nga një politikan që votoi kundër kriminalizimit të përdhunimit brenda martesës në vitin 1997, kur Gjermania më në fund e njohu atë si krim, është më shumë sesa një fusnotë historike.

Duhet shpresuar që deklaratat dhe veprimet ligjore të Fernandesit të mund të ndryshojnë termat e debatit publik. Jo sepse dukshmëria garanton drejtësi, por sepse ajo imponon pranimin e dëmit që ende minimizohet. Dhuna digjitale shpesh trajtohet si më pak “reale” sesa ajo fizike, sikur mungesa e kontaktit fizik të zvogëlonte ndikimin e saj mbi reputacionin dhe sigurinë psikologjike.

Do të ishte gabim të paraqitej kjo vetëm si një skandal i të famshmëve. Ajo që po diskutohet këtu është diçka shumë më e gjerë: si shoqëritë e përkufizojnë dhunën në epokën digjitale dhe nëse sistemet ligjore janë të afta të mbajnë hapin me teknologjinë që e formëson atë.

Ndoshta e vërteta më e pakëndshme është kjo: mjetet që e bëjnë të mundur një abuzim të tillë nuk janë më të jashtëzakonshme. Ato janë të zakonshme. Dhe, për sa kohë që nuk e pranojmë këtë, realiteti do të vazhdojë të duket si një intrigë e dobët kriminale. /Telegrafi/

Gara globale e IA-së do të fitohet nga ai që menaxhon reagimin negativ

1 April 2026 at 12:21


Nga: Maha Hosain Aziz, profesoreshë në Universitetin e Nju-Jorkut dhe autore e trilogjisë Rendi i ardhshëm botëror [Future World Order] / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Gara globale e IA-së [inteligjencës artificiale] po vlerësohet në mënyrë të gabuar.

Pjesa më e madhe e debatit ende e trajton atë si një garë për çipa, kapital dhe modele, zakonisht e paraqitur si rivalitet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Këta faktorë kanë rëndësi. Por, ata nuk përcaktojnë më nëse IA-ja mund të shtrihet në mbarë shoqërinë. Ajo që ka rëndësi tani është diçka që qeveritë nuk mund ta blejnë apo thjesht ta importojnë: aftësia për të menaxhuar rreziqet e IA-së në botën reale, përpara se ato të nxisin reagime të ashpra dhe të pezullojnë shtrirjen e saj.

Këto rreziqe janë tashmë të dukshme. Ato përfshijnë çrregullimin e tregut të punës nga IA-ja; mashtrime të fuqizuara nga zëra sintetikë; imazhe të rreme [deepfake] që gërryejnë besimin në informacion; vendime të paqarta automatike në shërbime të ndjeshme publike; si dhe kostot energjetike dhe mjedisore të infrastrukturës së IA-së. Shumica e njerëzve nuk do ta shohin kurrë IA-në si një “model”. Ata do ta përjetojnë si një telefonatë mashtruese, një njoftim pushimi nga puna ose një faturë më të lartë shërbimesh. Nëse votuesit mendojnë se ata po paguajnë kostot ndërsa të tjerët marrin përfitimet, zbatimi ngadalësohet. Menaxhoni keq këto rreziqe dhe sekuenca është e parashikueshme: kundërshtim, pauzë, ngadalësim.

Kjo sekuencë nuk është më teorike. Indonezia bllokoi përkohësisht Grok-un e Elon Musk pasi gjeneroi përmbajtje seksuale, dhe më pas e lejoi sërish vetëm nën mbikëqyrje. Në Gjermani, aktorët e zërit kanë protestuar kundër kontratave që do t’u lejonin studiove të përdorin incizimet e tyre për trajnimin e IA-së. Në Evropë, Akti i IA-së i BE-së tani ndalon, në parim, përdorimin nga zbatuesit e ligjit të identifikimit biometrik në kohë reale në hapësira publike, duke lejuar vetëm përjashtime të kufizuara nën masa të rrepta sigurie. Në Shtetet e Bashkuara, qendrat e të dhënave janë bërë pika të nxehta politike për shkak të kërkesës për energji elektrike, konsumit të ujit dhe stimujve tatimorë. Guvernatori i Ilinois, J.B. Pritzker, propozoi së fundmi pezullimin e stimujve shtetërorë për qendra të reja të të dhënave, duke argumentuar se familjet nuk duhet të përballojnë kostot e zgjerimit të IA-së. Rreziqe të ndryshme, e njëjta dinamikë politike. Tronditjet gjeopolitike mund t’i përforcojnë këto presione të brendshme - si sulmet e fundit me dronë që dëmtuan qendrat e të dhënave në Gjirin Persik, duke shtuar rreziqet në zinxhirët e furnizimit dhe qëndrueshmërinë.

Menaxhimi i rrezikut nuk është çështje dytësore. Është ajo që e bën adoptimin politikisht të qëndrueshëm. Thënë thjesht, IA-ja ka nevojë për legjitimitet në nivel: gatishmërinë e njerëzve për ta pranuar atë në jetën e përditshme, veçanërisht kur ajo dështon.

Këtu bëhet vendimtar reagimi kundërshtues ndaj teknologjisë [techlash]. Reagimi ndaj teknologjisë nuk është frikë irracionale ndaj inovacionit. Është një gjykim se institucionet nuk munden ose nuk duan të kontrollojnë pasojat negative. Sapo kjo bindje të përhapet, debati publik zhvendoset nga Si duhet ta përdorim këtë teknologji?Pse duhet ta lejojmë atë? Kjo është ajo që e ndalon zbatimin.

Në Davos këtë vit dhe në Samitin e Ndikimit të IA-së në Nju-Delhi, një mesazh i përsëritur ishte adoptimi në shkallë. Por, shpejtësia nuk është e njëjtë me qëndrueshmërinë. Vendet mund të nxitojnë shpejt në laborator dhe prapë të pengohen në shoqëri nëse legjitimiteti shembet. Gara reale nuk është kush e vendos IA-në i pari, por cili sistem mund të përballojë goditje të përsëritura pa e humbur mbështetjen publike.

Pika më e madhe e tensionit afatshkurtër ka të ngjarë të jetë puna. IA-ja nuk do të zhdukë profesione të tëra brenda natës, por do të gërryejë detyrat, do të dobësojë fuqinë negociuese dhe do të destabilizojë rrugët e karrierës. Ajo po zgjeron atë që unë e kam quajtur klasa prekariate e AI-së - punëtorë që përballen me pasiguri të vazhdueshme, pa mbrojtje të qarta ose mjete juridike. Menaxhimi i këtij tranzicioni kërkon më shumë sesa slogane për rikualifikim. Qeveritë mund të kenë nevojë për përfitime të lëvizshme që ndjekin punëtorët nga njëra punë te tjetra, rikualifikim të financuar nga përfitimet e zbatimit të IA-së dhe sisteme sigurimesh sociale që funksionojnë për punëtorët me kontratë apo në ekonominë e kontratave afatshkurta [gig economy], si dhe për punonjësit tradicionalë.

Indeksi i Ankthit për IA-në

Newsweek

Ankthi publik për AI-në nuk mund të injorohet. Ai skalit atë që qeveritë mund të zbatojnë dhe atë që kompanitë mund të vendosin në praktikë. Për të kuptuar më mirë se ku legjitimiteti është më i brishtë, unë kam zhvilluar një prototip të Indeksit të Ankthit për IA-në në Universitetin e Nju-Jorkut. Ai kombinon besimin publik në qeveri, ekspozimin e fuqisë punëtore ndaj IA-së gjeneruese dhe sondazhe mbi frikën lidhur me pengesat e shkaktuara nga IA-ja në ekonomitë kryesore.

Po shfaqet një model. Vendet perëndimore - përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën - grumbullohen në anën me nivel më të lartë të ankthit. Disa ekonomi aziatike duket se shfaqin nivele më të ulëta ankthi, pavarësisht ekspozimit të konsiderueshëm të fuqisë punëtore. Qëllimi nuk është të renditen sistemet politike, por të identifikohet se ku polemikat mbi IA-në krijojnë më shumë pengesa. Në mjedise me ankth të lartë, çdo incident ka më shumë gjasa të shkaktojë procese gjyqësore, ndalesa rregullatore, ndalime prokurimi dhe reagim politik. Në mjedise me ankth më të ulët, qeveritë shpesh përballen me më pak pengesa dhe mund të testojnë, përshtatin dhe vazhdojnë të zgjerojnë përdorimin.

Kjo tregon një divergjencë në mënyrën se si vendet e menaxhojnë IA-në. Disa qeveri do të lëvizin më shpejt në menaxhimin e rrezikut - duke kërkuar auditime, duke kufizuar përdorimet e dëmshme dhe duke zbatuar standarde të të dhënave - dhe do të zgjerohen më shpejt. Shtetet më të vogla me kapacitete të larta mund të kenë avantazh sepse koordinimi është më i lehtë. Por, shpejtësia e zbatimit dhe legjitimiteti nuk janë e njëjta gjë. Ankthi i ulët mund të pasqyrojë menaxhim efektiv të rrezikut - ose thjesht që kostot janë më pak të dukshme derisa papritur të bëhen. Pyetja kryesore është qëndrueshmëria: a mundet ndonjë sistem ta mbajë adoptimin e IA-së kur përfitimet të zhgënjejnë, kostot bëhen të dukshme ose dështimet grumbullohen?

Vendet që do të kenë sukses do ta trajtojnë menaxhimin e rrezikut si infrastrukturë, jo si imazh. Kjo do të përfshinte kapacitete të pavarura vlerësimi; raportim të detyrueshëm të incidenteve; përgjegjësi dhe llogaridhënie të qarta; rregulla prokurimi që shpërblejnë sigurinë; politika të besueshme për tranzicionin e punës; dhe planifikim serioz për ndikimin energjetik dhe mjedisor të IA-së.

Gara e AI-së nuk ka të bëjë më vetëm me atë se kush ndërton sistemet më të fuqishme. Ka të bëjë me atë se kush mund t’i zgjerojë ato pa shkaktuar reagimin kundërshtues që ndalon përparimin. Menaxhimi i këtij reagimi tani është çmimi i zgjerimit. /Telegrafi/

Nga platforma digjitale te zgjerimi në BE: VIVAX COOL DAY zbulon strategjinë e re të rritjes dhe inovacionit

By: Vivax
30 March 2026 at 10:49


VIVAX COOL DAY tradicionalisht edhe këtë vit mblodhi më shumë se 70 partnerë,distributor në Kosovë, duke konfirmuar rëndësinë e këtij eventi si një pikë kyçe takimi,shkëmbimi përvojash dhe prezantimi të drejtimeve të reja strategjike në industrinë HVAC.

Ky event, i cili ndër vite është shndërruar në një platformë të njohur për lidhjen e përfaqësuesve të VIVAX me partnerët e biznesit, edhe këtë herë vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe zhvillimit të përbashkët të tregut, me fokus të veçantë në përmirësimin e përvojës së përdoruesit gjatë gjithë ciklit jetësor të produktit.

Gjatë eventit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin një sërë prezantimesh profesionale të dedikuara për teknologjitë dhe zgjidhjet më të fundit në segmentin HVAC, me theks të veçantë në zhvillimin e klimatizimit rezidencial, sistemet eavancuara VRF, pompat termike si dhe sistemet ESS për ruajtjen e energjisë të cilat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në infrastrukturën moderne dhe të qëndrueshme energjetike.

Përveç inovacioneve teknologjike, një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua zhvillimit të shërbimeve pas shitjes dhe kapaciteteve operacionale, që përbëjnë një nga shtyllat kryesore të modelit të biznesit të VIVAX. Falë një infrastrukture të zhvilluar logjistike dhe servisimi, VIVAX siguron nivel të lartë besueshmërie, reagim të shpejtë dhe mbështetje afatgjatë gjatë gjithë ciklit jetësor të produkteve.

Platforma - hapi i radhës në zhvillimin e modelit të biznesit VIVAX

Një nga fokusët kryesorë të këtij viti ishte prezantimi i platformës digjitale VIVAX, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm në evolucionin e modelit të biznesit. Kjo platformë është konceptuar si një mjet digjital që lidh procesin e blerjes me atë të instalimit, me qëllim thjeshtësimin e përvojës për përdoruesin final.

Platforma, e cila pritet të prezantohet në treg gjatë muajit të ardhshëm, u mundëson klientëve një përvojë më të thjeshtë dhe më transparente, ndërsa njëkohësisht hap mundësi të reja biznesi për partnerët - instaluesit dhe kanalet retail - përmes lidhjes më të mirë të ofertës, kërkesës dhe shërbimeve pas shitjes. Platforma nuk ndryshon rolet ekzistuese të kanaleve, por i integron dhe i përmirëson ato, duke krijuar një sistem më të strukturuar dhe efikas që sjell vlerë për të gjitha palët e përfshira.

Rritje e qëndrueshme dhe zgjerim në tregjet e BE-së

Eventi i këtij viti shërbeu gjithashtu si një mundësi për të reflektuar mbi rezultatet e arritura dhe për të prezantuar planet për zhvillimin e mëtejshëm.

Gjatë vitit të kaluar, VIVAX zgjeroi me sukses praninë e tij në tre tregje të reja - Spanjë,Greqi dhe Shqipëri - duke forcuar më tej rrjetin ndërkombëtar të shpërndarjes dhe duke hapur mundësi të reja për rritje. Ndërkohë, gjatë vitit 2026, kompania po përgatit zgjerimin në dy tregje të rëndësishme evropiane - Itali dhe Francë - me fillim të planifikuar të operacioneve më 1 janar 2027, duke vazhduar kështu një ekspansion të qëndrueshëm dhe të kontrolluar në tregun e BE-së.

Duke folur për planet e ardhshme, Vladimir Brkljaca, anëtar i Bordit të M SAN Grup dhe përgjegjës për brandin VIVAX, theksoi:

“Vitin e kaluar kemi nisur një cikël të ri investimesh dhe një hyrje më të fuqishme strategjike në tregjet e Bashkimit Evropian. Me hapjen e kompanive tona në Spanjë, Greqi dhe Shqipëri kemi bërë një hap të rëndësishëm në zhvillimin ndërkombëtar të brandit VIVAX, i cili sot është i pranishëm në 42 vende përmes një rrjeti me mbi 4,000 partnerë.

Qasja jonë bazohet në zgjerim të kontrolluar dhe ndërtimin e një pranie të fortë lokale - përmes ekipeve tona, rrjetit të partnerëve si dhe infrastrukturës logjistike dhe të servisimit. Ky model na mundëson rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke ruajtur njëkohësisht standarde të larta të cilësisë dhe përvojës së klientit.

Në periudhën në vijim do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e platformës dhe në integrimin e të gjitha elementeve të modelit tonë të biznesit, me qëllim krijimin e një përvoje më të thjeshtë dhe më të besueshme për përdoruesin final, si dhe shtimin e vlerës për partnerët tanë.”

Në Iran, e ardhmja e luftës po bëhet e dukshme

21 March 2026 at 08:47


Armët e lira autonome po përmbysin ekonominë e luftimit - dhe po ia japin ShBA-së disa mësime të rëndësishme.

Nga: Fareed Zakaria / The Washington Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Nën titujt e përditshëm për sulme dhe kundërsulme në Lindjen e Mesme, lufta po transformohet tërësisht. Gjatë javës së parë të fushatës së hakmarrjes së Teheranit, dronët përbënin rreth 71 për qind të sulmeve të regjistruara ndaj shteteve të Gjirit. Vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se u përballën me 1 422 dronë të zbuluar dhe 246 raketa në vetëm tetë ditë. Shumë prej këtyre tendencave i kemi parë tashmë në Ukrainë. Por, në Iran, një përfytyrim i qartë i së ardhmes së luftës është bërë tashmë i dukshëm.

Michael Horowitz dhe Lauren Kahn nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë thonë: “Tani jemi në epokën e masës precize në luftë”. Kjo është shprehja e duhur. Për dekada, lufta precize nënkuptonte disa raketa Tomahawk, bombardues që nuk detektohen apo aeroplanë luftarakë. Tani mund të nënkuptojë një dron njëdrejtimësh i ndërtuar nga pjesë komerciale dhe i lëshuar në tufë. Ajo që dikur kërkonte kapacitetin e një kombi të madh industrial, gjithnjë e më shumë mund të montohet, përshtatet dhe zgjerohet nga shtete shumë më të vogla.

Ekonomia e luftës po përmbyset. Një dron i tipit Shahed shpesh kushton rreth 35 000 dollarë. Një interceptor Patriot kushton rreth katër milionë dollarë, që do të mjaftonin për të blerë mbi 100 dronë. Kjo është aritmetika e re e konfliktit: sulmuesi shpenzon mijëra, mbrojtësi shpenzon miliona, dhe edhe mbrojtja e suksesshme mund të kthehet në një formë të shterjes së burimeve.

Por, revolucioni është më i madh se dronët. Lidhet me një arkitekturë të re ushtarake: sisteme të lira autonome, shënjestrim i ndihmuar nga inteligjenca artificiale, imazhe komerciale satelitore, komunikime të qëndrueshme, sensorë të integruar dhe mjete kibernetike që funksionojnë së bashku. Qëllimi nuk është vetëm të godasësh. Është të ngjeshësh kohën - të gjesh, të vendosësh dhe të godasësh më shpejt sesa armiku mund të lëvizë, të fshihet apo të rikuperohet. Në një eksperiment vitin e kaluar, Forcat Ajrore të ShBA-së thanë se makinat gjeneruan rekomandime në më pak se 10 sekonda dhe prodhuan 30 herë më shumë opsione sesa ekipet me vetëm njerëz.

Modeli i vjetër i supremacisë ushtarake mbështetej në sisteme të sofistikuara: madhështore, të kushtueshme, të ngadalta për t’u prodhuar dhe të dhimbshme për t’u humbur. Por, vetëm ato nuk mjaftojnë më. Në vitin 2023, zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, duke folur për nismën e sapo zbuluar të Pentagonit, “Replicator” - që synon të ndihmojë ShBA-në të përballet me kundërshtarët e saj - bëri thirrje për sisteme që janë “të vogla, të zgjuara, të lira dhe të shumta”. Pala që fiton luftërat e së ardhmes mund të mos jetë ajo me platformën e vetme më të mirë. Mund të jetë ajo që mund të vendosë mjaftueshëm në përdorim platforma të mira, mjaft të lira, mjaft të shpejta dhe t’i lidhë ato në rrjet në mënyrë mjaft inteligjente. Shumë gjëra të mira do të mposhtin një numër të vogël gjërash të shkëlqyera.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur në përdorim LUCAS-in, një dron sulmues me kosto të ulët i modeluar sipas Shahed-136-it të Iranit. Ushtria më e avancuar në botë, në thelb, po mëson nga një regjim i sanksionuar dhe problematik, sepse logjika e luftës ka ndryshuar. Sasia ka fituar një cilësi të vetën - sidomos kur kombinohet me softuer, autonomi dhe lidhje në kohë reale. Horowitzi dhe Kahni argumentojnë se masa e saktë do të bëhet tipar i zakonshëm i luftës “ashtu si mitralozat apo tanket”.

Ukraina mbetet laboratori i madh i kësaj epoke të re. Nga nevoja, ajo ka ndërtuar një model përshtatjeje me shpejtësi lufte. Droni interceptor STING i Ukrainës kushton rreth 2 000 dollarë, fluturon deri në 280 kilometra në orë, ka rrëzuar më shumë se 3 000 Shahed-a që nga mesi i vitit 2025, sipas prodhuesit të tij, dhe po prodhohet në më shumë se 10 000 njësi në muaj, sipas Reuters-it. Një pilot testues ukrainas tha se të mësosh ta përdorësh kërkon vetëm “tre ose katër ditë” për ata që tashmë dinë të operojnë dronë me pamje nga personi i parë.

Dhe, pastaj është ana e softuerit. Ukraina ka hapur qasjen në të dhënat e saj të fushëbetejës që aleatët të trajnojnë inteligjencën artificiale të dronëve, gjë që do të rrisë aftësitë për njohjen e modeleve dhe zbulimin e objektivave. Ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, thotë se vendi tani zotëron “një grup unik të dhënash të fushëbetejës që nuk krahasohet me askund tjetër në botë”, përfshirë “miliona imazhe të shënuara” të mbledhura gjatë “dhjetëra mijëra fluturimeve luftarake”. Me fjalë të tjera, produkti më i vlefshëm i luftës mund të mos jetë vetëm pajisja. Mund të jetë të dhënat.

Kjo është arsyeja pse pasojat shtrihen shumë përtej Ukrainës dhe Gjirit. Komandanti i lartë i Ukrainës thotë se Moska tani po prodhon 404 dronë të tipit Shahed në ditë dhe synon përfundimisht 1 000 në ditë. Në krahasim, Lockheed Martin­-i prodhoi rreth 600 interceptorë Patriot në vitin 2025 dhe shpreson të arrijë në 2 000 deri në vitin 2027. Ky kontrast tregon gjithçka. Problemi nuk është më thjesht sofistikimi teknologjik. Është shkalla industriale, integrimi i softuerit dhe shpejtësia me të cilën mësimet nga fusha e betejës kthehen në prodhim masiv.

Ka shumë pasoja më të thella të këtij revolucioni në çështjet ushtarake. Me dronët gjithandej, beteja është kudo dhe ushtarët nuk do të kenë pushim. Me njerëzit larg vijës së frontit, lufta mund të bëhet më e lehtë për t’u menduar, por edhe më e lehtë për të mbetur në ngërç. Dhe, me këto armë vdekjeprurëse që prodhohen lehtësisht, grupet terroriste, kartelat e drogës dhe bandat mund të zhvillojnë një lloj lufte që dikur ishte vetëm domen i ushtrive të organizuara me arsenale.

Në vitin 1991, Lufta e Gjirit i mësoi botës se teknologjia e avancuar mund ta bënte luftën precize. Në vitin 2026, Irani po i mëson botës diçka edhe më të rëndësishme: saktësia tani do të prodhohet në masë. Vendet që do të mbijetojnë nuk do të jenë thjesht ato me platformat më të sofistikuara. Do të jenë ato që mund të kombinojnë një numër të vogël armësh të avancuara dhe të shtrenjta me një numër të madh dronësh të lirë. Gjykimi njerëzor me kalimin e kohës do t’ia lërë vendin algoritmeve kompjuterike. Kjo është e ardhmja e luftës. Dhe, po vjen më shpejt nga sa e kishim imagjinuar. /Telegrafi/

Agimi i shoqërisë post-shkrim-lexim

18 March 2026 at 12:47


Nga: James Marriott / jmarriott.substack.com
Përktheu: Agron Shala

Epoka e shtypit

Ishte një nga revolucionet më të rëndësishme në historinë moderne - dhe megjithatë nuk u derdh asnjë pikë gjaku, nuk u hodhën bombat dhe nuk u pre koka e asnjë monarku.

Ndoshta asnjë transformim i madh shoqëror nuk është kryer kurrë kaq qetë. Ky ndodhi në kolltukë, në biblioteka, në kafene dhe në klube.

Ja çfarë ndodhi: në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, një numër i madh njerëzish të zakonshëm filluan të lexonin.

Në dy shekujt e parë pas shpikjes së shtypshkronjës, leximi mbeti kryesisht aktivitet i elitës. Por, në fillim të viteve 1700, zgjerimi i arsimit dhe shpërthimi i botimeve të lira bënë që leximi të përhapej me shpejtësi nëpër shtresat e mesme dhe madje edhe në shtresat më të ulëta të shoqërisë. Njerëzit që jetonin në atë kohë e kuptonin se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Papritmas dukej sikur të gjithë po lexonin kudo: burra, gra, fëmijë, të pasur dhe të varfër. Leximi filloi të përshkruhej si “ethe”, “epidemi”, “mani”, “çmenduri”. Siç shkruan historiani Tim Blanning, “konservatorët u tmerruan dhe progresistët u gëzuan sepse ishte një zakon që nuk i njihte kufijtë shoqërorë”.

Ky transformim nganjëherë quhet “revolucioni i leximit”. Ishte një demokratizim i paprecedentë i informacionit; transferimi më i madh i dijes në duart e njerëzve të zakonshëm në histori.

Në Britani vetëm 6 000 libra u botuan në dekadën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë; në dekadën e fundit të të njëjtit shekull numri i titujve të rinj kalonte 56 000. Më shumë se gjysmë milion botime të reja u shfaqën në gjuhën gjermane gjatë viteve 1700. Historiani Simon Schama ka shkuar deri aty sa të shkruajë se “niveli i shkrim-leximit në Francën e shekullit të tetëmbëdhjetë ishte shumë më i lartë se në Shtetet e Bashkuara në fund të shekullit të njëzetë”.

Dikur lexuesit lexonin “në mënyrë intensive”, duke kaluar jetën duke lexuar dhe rilexuar dy ose tre libra. Revolucioni i leximit popullarizoi një formë të re leximi “ekstensiv”. Njerëzit lexonin gjithçka që mund të gjenin: gazeta, revista, histori, filozofi, shkencë, teologji dhe letërsi. Libra, pamflete dhe periodikë dilnin me shumicë nga shtypshkronjat.

Ishte një epokë e veprave monumentale të mendimit dhe dijes: Enciklopedia [Encyclopédie], Fjalori i gjuhës angleze [Dictionary of the English Language] i Samuel Johnson, Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake [Decline and Fall of the Roman Empire] i Edward Gibbonit, Kritika e arsyes së pastër [Kritik der reinen Vernunft] e Immanuel Kantit. Ide të reja radikale për Zotin, për historinë, për shoqërinë, për politikën dhe madje për qëllimin dhe kuptimin e jetës përhapeshin në gjithë Evropën.

Edhe më me rëndësi, shtypi ndryshoi mënyrën se si njerëzit mendonin.

Bota e shtypit është e rregullt, logjike dhe racionale. Në libra, dija klasifikohet, kuptohet, lidhet dhe vendoset në vendin e vet. Librat ndërtojnë argumente, propozojnë teza, zhvillojnë ide.

“Të angazhohesh me fjalën e shkruar”, ka shkruar teoricieni i mediave Neil Postman, “do të thotë të ndjekësh një vijë mendimi, gjë që kërkon aftësi të konsiderueshme për klasifikim, nxjerrje përfundimesh dhe arsyetim”.

Siç vuri në dukje Postmani, nuk është rastësi që rritja e kulturës së shtypit në shekullin e tetëmbëdhjetë u shoqërua me rritjen e prestigjit të arsyes, me armiqësinë ndaj besëtytnive, me lindjen e kapitalizmit dhe me zhvillimin e shpejtë të shkencës. Historianë të tjerë e kanë lidhur shpërthimin e shkrim-leximit në shekullin e tetëmbëdhjetë me Iluminizmin, me lindjen e të drejtave të njeriut, me ardhjen e demokracisë dhe madje me fillimet e revolucionit industrial.

Bota, siç e njohim sot, u farkëtua në revolucionin e leximit.

Kundërrevolucioni

Tani, ne po jetojmë përgjatë kundërrevolucionit.

Më shumë se treqind vjet pasi revolucioni i leximit solli një epokë të re të dijes njerëzore, librat po zhduken.

Studimet e shumta tregojnë se leximi është në rënie të lirë. Edhe kritikët më pesimistë të shekullit të njëzetë, ndaj epokës së ekraneve, do ta kishin pasur të vështirë të parashikonin përmasat e krizës së sotme.

Në Shtetet e Bashkuara, leximi për kënaqësi ka rënë me 40 për qind gjatë njëzet vjetëve të fundit. Në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se një e treta e të rriturve thonë se kanë hequr dorë nga leximi. Fondi Kombëtar i Shkrim-Leximit [National Literacy Trust] raporton një rënie “tronditëse dhe demoralizuese” në lexim nga fëmijët që tani është në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Industria e botimeve është në krizë: siç shkruan autori Alexander Larman, “librat që dikur do të shiteshin në dhjetëra, madje qindra mijëra kopje, sot janë me fat nëse arrijnë të shiten në disa mijëra”.

Edhe më domethënëse, në fund të vitit 2024, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik [OECD] publikoi një raport që zbuloi se nivelet e shkrim-leximit po bien ose po stagnonin në shumicën e vendeve të zhvilluara. Dikur një sociolog që do të përballej me statistika të tilla mund të kishte menduar se shkak për këtë ishte një krizë e madhe shoqërore, si lufta apo kolapsi i sistemit arsimor.

Por, ajo që ndodhi ishte smartfoni [smartphone], i cili u përhap gjerësisht në vendet e zhvilluara në mesin e viteve 2010. Ato vite do të kujtohen si pikë kthese në historinë njerëzore.

Asnjëherë më parë nuk ka ekzistuar një teknologji si smartfoni. Ndërsa teknologjitë e mëparshme të argëtimit, si kinemaja apo televizioni, synonin të mbanin vëmendjen e publikut për një periudhë kohe, smartfoni kërkon gjithë jetën tënde. Telefonat janë projektuar që të jenë hiper-varësi, duke i mbërthyer përdoruesit në një mori njoftimesh të panevojshme, videosh të shkurtra pa kuptim dhe provokimesh emocionale në rrjetet sociale.

Sot, një person mesatar kalon shtatë orë në ditë duke parë ekranin. Për Gjeneratën Z, shifra është nëntë orë. Një artikull i fundit në The Times zbuloi se studentët modernë mesatarisht janë të destinuar të kalojnë 25 vjet të jetës së tyre zgjuar duke bërë lëvizje me gisht në ekrane.

Nëse revolucioni i leximit përfaqësonte transferimin më të madh të dijes në duart e njerëzve të zakonshëm në histori, revolucioni i ekraneve përfaqëson vjedhjen më të madhe të dijes nga njerëzit e zakonshëm në histori.

Universitetet tona janë në vijën e parë të kësaj krize. Ato po mësojnë tani brezat e parë vërtet “post-shkrim-lexim” të studentëve, të cilët janë rritur pothuajse tërësisht në botën e videove të shkurtra, lojërave kompjuterike, algoritmeve që krijojnë varësi (dhe, gjithnjë e më shumë, IA-së - inteligjencës artificiale).

Për shkak se interneti celular i kudondodhur ka shkatërruar aftësinë e tyre për përqendrim dhe ka kufizuar zhvillimin e fjalorit të tyre, dija e pasur dhe e detajuar që ruhet në libra po bëhet e paarritshme për shumë prej tyre. Një studim mbi studentët e letërsisë angleze në universitetet amerikane zbuloi se ata nuk ishin në gjendje të kuptonin paragrafin e parë të romanit Shtëpia e shkretë [Bleak House] të Charles Dickensit - libër që dikur lexohej rregullisht nga fëmijët.[1]

Një artikull i botuar në The Atlantic, me titull “Studentët e kolegjeve elitare që nuk mund të lexojnë libra”, citon përvojën tipike të një profesori:

Njëzet vjet më parë, klasat e [Nicholas] Damesit nuk kishin asnjë problem të zhvillonin diskutime të sofistikuara - një javë për [librin] Krenari dhe paragjykim [Pride and Prejudice] dhe javën tjetër për Krim dhe ndëshkim [Prestuplenie i nakazanie]. Tani studentët e tij i thonë që në fillim se ngarkesa e leximit u duket e pamundur. Nuk është vetëm ritmi i shpejtë; ata kanë vështirësi të përqendrohen te detajet e vogla duke mbajtur njëkohësisht në mendje rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve.

Sipas një vlerësimi tjetër dëshpërues, shumica e studentëve tanë janë praktikisht analfabetë “funksionalë”. Kjo përputhet me gjithçka që kam dëgjuar në bisedat e mia me mësues dhe studiues. Një pedagog i Oksbrixhit me të cilin fola, e përshkroi situatën si “kolaps të shkrim-leximit” te studentët e tij.

Bartja e dijes - funksioni më i lashtë i universitetit - po shpërbëhet para syve tanë. Autorë si Shakespeare, Milton dhe Jane Austen, veprat e të cilëve janë bartur brez pas brezi ndër shekuj, nuk po arrijnë më te brezi i ardhshëm i lexuesve. Ata po humbasin aftësinë për t’i kuptuar.

Tradita e mësimit është si një fije e çmuar e artë e dijes që përshkon historinë njerëzore, duke lidhur nëpër kohë lexues me lexues. Ajo u këput për herë të fundit gjatë rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit, kur valët barbare goditnin kufijtë, qytetet tkurreshin dhe bibliotekat digjeshin ose kalbeshin.[2] Ndërsa bota e elitës së arsimuar romake shpërbëhej, shumë shkrimtarë dhe vepra letrare dolën nga kujtesa njerëzore - disa për t’u humbur përgjithmonë, të tjerat për t’u rizbuluar qindra vjet më vonë gjatë Rilindjes.

Kjo fije e artë po këputet për herë të dytë.

Një tragjedi intelektuale

Rënia e leximit po shkakton ulje në tregues të ndryshëm të aftësive njohëse. Leximi lidhet me një sërë përfitimesh mendore, përfshirë përmirësimin e kujtesës dhe përqendrimit, aftësi më të mira analitike, rrjedhshmëri më të madhe në të shprehur dhe ritme më të ulëta të rënies kognitive në moshë të shtyrë.

Pas përhapjes së smartfonëve në mesin e viteve 2010, rezultatet globale të PISA-s - matja më e njohur ndërkombëtare e aftësive të nxënësve - filluan të bien. Siç shkruan John Burn-Murdoch në Financial Times, studentët gjithnjë e më shpesh thonë në sondazhe se kanë vështirësi të mendojnë, të mësojnë dhe të përqendrohen. Do të vini re pikën karakteristike të kthesës në mesin e viteve 2010.

Studimi Monitorimi i së ardhmes [Monitoring the Future] ka pyetur 18-vjeçarët nëse kanë vështirësi të mendojnë, të përqendrohen ose të mësojnë gjëra të reja. Përqindja e maturantëve që raportojnë vështirësi mbeti e qëndrueshme gjatë viteve 1990 dhe 2000, por filloi të rritej me shpejtësi në mesin e viteve 2010.

Dhe, siç thotë Burn-Murdoch, këto probleme njohëse nuk kufizohen vetëm në shkolla dhe universitete. Ato prekin të gjithë: “Rënia në aftësitë e arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve nuk kufizohet te adoleshentët. Edhe të rriturit tregojnë një model të ngjashëm, me rënie të dukshme në të gjitha grupmoshat”.

Më intriguese - dhe njëkohësisht alarmante - është rasti i koeficientit të inteligjencës [IQ] që u rrit vazhdimisht gjatë gjithë shekullit të njëzetë (i ashtuquajturi “efekti Flynn”), por që tani duket se ka filluar të bjerë.

Rezultati nuk është vetëm humbja e informacionit dhe e inteligjencës, por edhe një varfërim tragjik i përvojës njerëzore.

Për shekuj me radhë, pothuajse të gjithë njerëzit e arsimuar dhe inteligjentë kanë besuar se letërsia dhe dija janë ndër qëllimet më të larta dhe ngushëllimet më të thella të ekzistencës njerëzore.

Veprat klasike janë ruajtur ndër shekuj sepse përmbajnë, sipas shprehjes së famshme të Matthew Arnoldit, “më të mirën që është menduar dhe thënë ndonjëherë”.

Romanet dhe poezitë më të mëdha pasurojnë kuptimin tonë për përvojën njerëzore duke na vendosur në mënyrë imagjinare brenda mendjeve të të tjerëve dhe duke na çuar në kohë dhe vende të tjera. Duke lexuar vepra joletrare - shkencë, histori, filozofi, udhëpërshkrime - ne bëhemi thellësisht të vetëdijshëm për vendin tonë në botën e jashtëzakonshme dhe të ndërlikuar që kemi privilegjin të banojmë.

Smartfonët po na i rrëmbejnë këto ngushëllime.

Epidemia e ankthit, depresionit dhe mungesës së qëllimit që po prek të rinjtë në shekullin e njëzet e një shpesh lidhet me izolimin dhe krahasimin negativ shoqëror që nxisin smartfonët.

Por, ajo është gjithashtu produkt i drejtpërdrejtë i kotësisë, fragmentimit dhe trivialitetit të kulturës së ekranit, e cila është krejtësisht e paaftë t’u përgjigjur ndaj nevojave të thella njerëzore për kureshtje, rrëfim, përqendrim të thellë dhe përmbushje artistike.

Një botë pa mendje

Ky shterim i kulturës, i mendimit kritik dhe i inteligjencës përfaqëson një humbje tragjike të potencialit njerëzor dhe të lulëzimit njerëzor. Ëështë gjithashtu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen shoqëritë moderne. Qytetërimi ynë i gjerë, i ndërlidhur, tolerant dhe i avancuar në aspektin teknik është ndërtuar mbi format komplekse dhe racionale të të menduarit që ushqen shkrim-leximi.

Siç shkruan Walter Ong në librin e tij Oralja dhe shkrim-leximi [Orality and Literacy], disa forma të të menduarit kompleks dhe logjik thjesht nuk mund të arrihen pa lexim dhe shkrim. Është pothuajse e pamundur të zhvillosh një argument të detajuar dhe logjik vetëm përmes të folurit spontan - do të humbje fillin e mendimit, do të kundërshtoje veten dhe do të ngatërroje dëgjuesit duke u përpjekur të riformuloje çështje të shprehura keq.

Si shembull ekstrem, mendoni për dikë që përpiqet thjesht të thotë me gojë një vepër të famshme filozofike. Për shembull, Kritika e arsyes së pastër e Kantit me 900 faqe, Traktati [Tractatus] i Ludwig Wittgensteinit, ose Qenia dhe hiçi [L'Être et le néant: Essai d'ontologie phénoménologique] nga Sartre. Do të ishte e pamundur. Dhe, po aq e pamundur për ta dëgjuar.

Për të prodhuar veprën e tij të madhe, Kanti duhej t’i shkruante idetë e tij, t’i fshinte, t’i mendonte përsëri, t’i përpunonte dhe t’i rishkruante gjatë shumë viteve derisa ato të formonin një tërësi bindëse dhe logjike.

Për ta kuptuar siç duhet librin, duhet ta kesh përpara që të mund të rilexosh pjesët që nuk i kupton, të kontrollosh lidhjet logjike dhe të reflektosh mbi pasazhet e rëndësishme derisa vërtet i përvetëson. Ky lloj mendimi i avancuar është i pandashëm nga leximi dhe shkrimi.

Studiuesi i klasikëve, Eric Havelock, argumentonte se ardhja e shkrim-leximit në Greqinë e lashtë ishte katalizatori për lindjen e filozofisë. Sapo njerëzit patën një mënyrë për t’i fiksuar idetë në faqe për t’i analizuar, për t’i përmirësuar dhe për t’i zhvilluar më tej, lindi një mënyrë krejtësisht e re revolucionare e mendimit analitik dhe abstrakt - një mënyrë që do të formësonte gjithë qytetërimin tonë.[3] Me lindjen e shkrimit, mënyrat e pranuara të të menduarit mund të sfidoheshin dhe të përmirësoheshin. Ky ishte çlirimi kognitiv i species sonë.

Siç e tha Neil Postmani në Duke zbavitur veten deri në vdekje [Amusing Ourselves to Death]:

Filozofia nuk mund të ekzistojë pa kritikë ... shkrimi e bën të mundur dhe të përshtatshme që mendimi të vihet nën një shqyrtim të vazhdueshëm dhe të përqendruar. Shkrimi e ngrin të folurin dhe duke e bërë këtë lind gramatikani, logjicieni, retoriku, historiani, shkencëtari - të gjithë ata që duhet ta mbajnë gjuhën përpara vetes për të parë se çfarë do të thotë, ku gabon dhe ku po shkon.

Jo vetëm filozofia, por e gjithë infrastruktura intelektuale e qytetërimit modern varet nga format komplekse të të menduarit që janë të pandashme nga leximi dhe shkrimi: histori serioze, teorema shkencore, propozime të detajuara politike dhe debatet e rrepta e të paanshme politike që zhvillohen në libra dhe revista.

Këto forma të mendimit të avancuar përbëjnë themelet intelektuale të modernitetit. Nëse bota jonë duket e paqëndrueshme sot - sikur toka po na lëkundet poshtë - kjo ndodh sepse ato themele po shemben nën këmbët tona.

Siç mund ta keni vënë re, bota e ekranit do të jetë shumë më e trazuar sesa bota e shtypit: më emocionale, më e zemëruar dhe më kaotike.

Walter Ong theksonte se shkrimi e ftoh dhe e racionalizon mendimin. Nëse doni të paraqisni argumentin tuaj personalisht ose në një video në TikTok, keni mënyra të panumërta për të anashkaluar argumentin logjik. Mund të bërtisni, të qani dhe të magjepsni audiencën derisa të nënshtrohet. Mund të përdorni muzikë emocionale ose të tregoni pamje tronditëse. Këto nuk janë argumente racionale, por njerëzit nuk janë qenie plotësisht racionale dhe shpesh binden prej tyre.

Një libër nuk mund t’ju bërtasë (falë Zotit!) dhe nuk mund të qajë. Pa gamën e mjeteve që mund të mposhtin logjikën dhe që janë në dispozicion të podkasterëve dhe jutuberëve, autorët janë shumë më të varur vetëm nga arsyeja, të dënuar të ndërtojnë me dhimbje argumentet e tyre fjali pas fjalie (e ndiej atë agoni tani). Librat janë larg përsosmërisë, por janë shumë më të lidhur me kërkesat e argumentit logjik se çdo mjet tjetër komunikimi që njerëzimi ka shpikur më parë.

Kjo është arsyeja pse Ongu vërejti se shoqëritë “orale” para-shkrim-lexim shpesh u duken vizitorëve nga vendet me kulturë shkrimi si jashtëzakonisht mistike, emocionale dhe antagoniste në diskursin dhe mënyrën e tyre të të menduarit.[4]

Ndërsa librat po zhduken, duket se po kthehemi te këto zakone “orale” të të menduarit. Diskursi ynë po shembet në panik, urrejtje dhe luftëra tribale. Mendimi antishkencor lulëzon në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Promotorë të irracionales dhe teorive konspirative si Candace Owens dhe Russell Brand gjejnë audienca të mëdha dhe të besueshme në internet.

Të vëna në faqe, argumentet e tyre do të dukeshin absurde. Në ekran, ato janë bindëse për shumë njerëz.

Rritja e këtyre stileve emocionale dhe irracionale të të menduarit paraqet një sfidë të thellë për kulturën dhe politikën tonë.

Ne mund të jemi duke zbuluar se nuk është e mundur të drejtohet qytetërimi më i avancuar në historinë e planetit me aparatin intelektual të një shoqërie para-shkrim-lexim.

Fundi i krijimtarisë

Epoka e shtypit u karakterizua nga një dinamizëm dhe një pasuri të paprecedentë kulturore. Leximi është baza e krijimtarisë dhe inovacionit që janë thelbësorë për modernitetin.

Nuk është e vërtetë se, që një shoqëri të përfitojë nga kultura e shtypit, çdo qytetar duhet të jetë lexues i pasionuar i librave. Megjithatë, nëse ka një shprehi që bashkon udhëheqësit, shpikësit, shkencëtarët dhe artistët që kanë formuar qytetërimin tonë, ai është leximi. Lexuesit seriozë janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale pothuajse në çdo fushë të arritjeve njerëzore.

Merrni për shembull politikanët e mëdhenj: Teddy Roosevelt pretendonte se lexonte një libër në ditë, Winston Churchilli i kishte vënë vetes një program ambicioz leximi në filozofi, ekonomi dhe histori kur ishte i ri dhe vazhdoi të lexonte me etje gjatë gjithë jetës së tij. Clement Attlee kujtonte se lexonte katër libra në javë kur ishte nxënës.

Ose merrni parasysh kulturën popullore (e cila zakonisht nuk konsiderohet si fushë veçanërisht letrare e veprimtarisë njerëzore). David Bowie lexonte, sipas fjalëve të tij, “me pangopësi”. “Çdo libër që kam blerë, e kam ende. Nuk mund ta hedh tutje”, tha ai njëherë. “Është fizikisht e pamundur të largohet nga dora ime”! Një listë që Bowie shkroi me njëqind librat e tij të preferuar përfshin vepra të shkrimtarëve William Faulkner, Tom Stoppard, DH Lawrence dhe TS Eliot.

Në një libër të fundit për karrierën e tij si autor këngësh, Paul McCartney përmendi emrat “Dylan Thomas, Oscar Wilde dhe Allen Ginsberg, si dhe shkrimtarin simbolist francez Alfred Jarry, pastaj Eugene O’Neill dhe Henrik Ibsen”, ndër autorët që atë e kishin frymëzuar.

Thomas Edisoni lexonte shumë gjatë gjithë jetës së tij. Po ashtu Charles Darwini. Po ashtu Albert Einsteini. Për ironi, edhe Elon Musk pretendon se është “rritur nga librat”.

Leximi e pasuron punën krijuese duke u dhënë burrave dhe grave gjenialë qasje në thesarin e gjerë dhe të paçmuar të dijes që ruhet në libra - “më të mirën që është menduar dhe thënë”. Disiplina e leximit i pajis ata me mjetet analitike për të shqyrtuar, përpunuar dhe revolucionarizuar atë traditë.

Siç argumenton Elizabeth Eisenstein në librin Revolucioni i shtypit në Evropën e hershme moderne [The Printing Revolution in Early Modern Europe], shpikja e shtypshkronjës ndihmoi në katalizimin e një serie revolucionesh kulturore që skalitën botën moderne: Rilindjen, Reformacionin dhe revolucionin shkencor. Historianë të tjerë do të shtonin Iluminizmin, lindjen e të drejtave të njeriut dhe revolucionin industrial.

Eisensteini shpjegon se si prirja e leximit për të nxitur inovacionin u shfaq në universitetet e Rilindjes. Me shpikjen e shtypit, studentët kishin qasje më të madhe në libra, duke lejuar që “studentët e zgjuar të kapërcenin kufijtë e njohurive të mësuesve të tyre. Studentët e talentuar nuk kishin më nevojë të uleshin në këmbët e një mjeshtri të caktuar për të mësuar një gjuhë ose një aftësi akademike”, Dhe, kështu

studentët që përfitonin nga tekstet teknike që shërbenin si mësues të heshtur kishin më pak gjasa t’i nënshtroheshin autoritetit tradicional dhe ishin më të hapur ndaj prirjeve inovative. Mendjet e reja të pajisura me botime të përditësuara, veçanërisht të teksteve matematikore, filluan të tejkalonin jo vetëm të pleqnarët e tyre, por edhe urtësinë e të lashtëve.

Studentët modernë që nuk janë në gjendje të lexojnë janë sërish të varur nga autoriteti i mësuesve të tyre dhe janë më pak të aftë të ecin përpara, të zbulojnë dhe të vënë në pikëpyetje ortodoksitë.

Këta studentë janë vetëm një simptomë e kulturës së stagnimit të epokës së ekranit, e cila karakterizohet nga thjeshtësia, përsëritja dhe e cekëta. Simptomat e saj mund të vërehen kudo rreth nesh.

Këngët pop në çdo zhanër po bëhen më të shkurtra, më të thjeshta dhe më të përsëritshme, ndërsa filmat po reduktohen në formula pafundësisht të përsëritura të franshizave. Studimet sugjerojnë se numri i shpikjeve “përçarëse” dhe “transformuese” është në rënie. Më shumë para shpenzohen për kërkime shkencore se kurrë më parë në histori, por ritmi i përparimit “mezi po arrin të mbajë hapin me të kaluarën”.

Patjetër që shumë faktorë janë në veprim, por kjo është gjithashtu mu ajo që do të prisnit nga një brez studiuesish që kaluan fëmijërinë ngjitur për ekrane në vend që të lexonin ose të mendonin.

Edhe vetë librat po bëhen më pak kompleksë.

Nëse bota e shkrim-leximit karakterizohej nga kompleksiteti dhe inovacioni, bota post-shkrim-lexim karakterizohet nga thjeshtësia, padituria dhe stagnimi. Ndoshta nuk është rastësi që rënia e shkrim-leximit ka sjellë obsesion me “nostalgjinë” kulturore; një dëshirë për të ricikluar pafundësisht format kulturore të së kaluarës: për shembull, serialet televizive dhe stilet e viteve ’90 të shekullit XX, ose modat e fillimit të viteve 2000.

Kultura jonë po shndërrohet në një shkretëtirë smartfonësh.

Të shkëputur nga pasuritë kulturore të së kaluarës, jemi të dënuar të jetojmë në një të tashme të përjetshme narciste. Të privuar nga mjetet kritike për të vënë në pikëpyetje dhe për të zhvilluar idetë e atyre që erdhën para nesh, jemi të dënuar të përsërisim pafundësisht veten tonë, një film superheroi pas një filmi superheroi, këngë e përsëritshme pop pas këngës së përsëritshme pop.

Mbi të gjitha, kjo kulturë gjithnjë e më triviale dhe e pamend është fatkeqësi për politikën tonë.

Vdekja e demokracisë

Në mënyrë ironike nga perspektiva e së tashmes, revolucioni i leximit i shekullit të tetëmbëdhjetë u shoqërua jo vetëm me entuziazëm, por edhe me një panik moral.

“Asnjë dashamirës i duhanit apo i kafesë, asnjë pirës vere apo dashamirës i lojërave, nuk mund të jetë aq i varur nga llulla e tij, shishja, lojërat apo tryeza e kafesë sa janë ata shumë lexues të pangopur nga zakoni i tyre i leximit”, gjëmonte një klerik gjerman.

Richard Steele kishte frikë se “romanet shtrojnë pritshmëri të cilat rrjedha e zakonshme e jetës nuk mund t’i realizojë kurrë”. Disa të tjerë shqetësoheshin se leximi “e nxit tepër imagjinatën dhe e lodh zemrën”.

Është e lehtë të qeshësh me këto ankthe. E kemi kaluar gjithë jetën duke dëgjuar se sa e virtytshme dhe e arsyeshme është të lexosh libra. Si mund të jetë leximi i rrezikshëm?

Por, në retrospektivë, këta moralistë konservatorë kishin të drejtë të shqetësoheshin. Zgjerimi i shpejtë i shkrim-leximit ndihmoi në shkatërrimin e botës së rregullt, hierarkike dhe thellësisht të pabarabartë në aspektin shoqëror që ata çmonin.

Revolucioni i leximit ishte katastrofë për aristokratët jashtëzakonisht të privilegjuar dhe shfrytëzues të ancien régime-it aristokratik evropian - sistemi i vjetër autokratik i qeverisjes me mbretër të gjithëpushtetshëm në majë, me lordë dhe klerikë poshtë tyre dhe me fshatarë që përpëliteshin krejt në fund.

Padituria ishte bazamenti i Evropës feudale. Pabarazitë e mëdha të rendit aristokratik mund të ruheshin pjesërisht sepse popullsia nuk kishte asnjë mënyrë për të zbuluar përmasat e korrupsionit, abuzimeve dhe paaftësive të qeverive të tyre.

Dhe, hierarkia e vjetër feudale justifikohej jo aq shumë me argumente logjike sa me atë që Walter Ongu mund ta kishte njohur si thirrje shumë para-shkrim-leximit ndaj mendimit mistik dhe emocional.

Kjo ishte ajo që historianët e shekullit të shtatëmbëdhjetë e quajnë kultura “përfaqësuese” e pushtetit, sistemi shumë vizual i propagandës monarkike që impononte mbi nënshtetasit imazhin e frikshëm dhe madhështor të mbretit. Regjimi e shfaqte fuqinë e tij në parada, piktura, shfaqje fishekzjarrësh, statuja dhe ndërtesa madhështore.

Sistemi funksiononte në një epokë para shkrim-leximit masiv. Por, ndërsa dija u përhap nëpër shoqëri dhe mënyrat analitike e kritike të të menduarit të nxitura nga shtypi filluan të zinin vend, e gjithë atmosfera mendore dhe kulturore që mbështeste rendin e vjetër u dogj. Njerëzit filluan të dinin shumë. Dhe, të mendonin shumë.

Rendi feudal duket se është në thelb i papajtueshëm me shkrim-leximin. Historiani Orlando Figes ka vënë në dukje se revolucionet angleze, franceze dhe ruse ndodhën që të gjitha në shoqëri ku niveli i shkrim-leximit po i afrohej pesëdhjetë përqindëshit.

Libri i Robert Darntonit, Temperamenti revolucionar [The Revolutionary Temper], përshkruan kaosin që epoka e shtypit lëshoi mbi regjimin e vjetër në Francë. Dija u përhap në shoqërinë franceze me pasoja katastrofike: të burgosurit politikë shkruanin kujtime bestseller që njoftonin burgosjen e tyre të padrejtë nga shteti; njerëzit e zakonshëm lexonin pamflete për pasurinë e tepruar dhe të padrejtë që gëzonin aristokratët; financat katastrofike të qeverisë papritur filluan të debatoheshin nga një publik i habitur dhe i zemëruar, në vend që të diskutoheshin prapa dyerve të mbyllura në dhomat e pasme të Versajës.

Ndërkohë, mënyrat analitike dhe kritike të të menduarit filluan të gërryenin themelet mistike dhe emocionale të rendit të vjetër. Filozofët dhe mendimtarët radikalë të Iluminizmit, të mbështetur nga një publik gjithnjë në rritje i klasës së mesme lexuese, filluan të bënin pyetje kritike të atij lloji që në thelb janë të lidhura me kulturën e shtypit. Nga vjen pushteti? Pse disa njerëz duhet të kenë shumë më tepër se të tjerët? Pse nuk janë të gjithë njerëzit të barabartë?

*** Vlen të theksohet se ky përshkrim shumë i thjeshtuar përjashton qartë shumë nga faktorët që modelojnë rrjedhën e historisë: ekonominë, klimën, burrat dhe gratë individuale, rastësinë. Vetëm shtypi nuk mund të sjellë paqe dhe demokraci (mjafton të shohim pasojat e revolucionit rus). Dhe, shtypi nuk mund të zhdukë tendencat e lindura njerëzore ndaj partive dhe dhunës (mjafton të shohim pasojat e revolucionit francez). Shtypi sigurisht nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe teorive konspirative (mjafton të shohim periudhën para revolucionit francez) ***

Por, nuk është e nevojshme të besosh se shtypi është sistem i përsosur dhe i pakorruptueshëm komunikimi për të pranuar se ai është gjithashtu pothuajse me siguri një kusht i domosdoshëm paraprak për demokracinë.

Duke zbavitur veten deri në vdekje, Neil Postmani argumenton se demokracia dhe shtypi janë pothuajse të pandashëm. Një demokraci efektive presupozon një qytetari relativisht të informuar dhe disi kritike, të aftë për të kuptuar dhe debatuar çështjet e ditës gjerë e gjatë.

Demokracia merr forcë të pamatshme nga shtypi - nga bota e vjetër që po vdes e librave, gazetave dhe revistave - me prirjen e saj për të nxitur njohuri të thella, argument logjik, mendim kritik, objektivitet dhe angazhim të paanshëm. Në këtë mjedis, njerëzit e zakonshëm kanë mjetet për të kuptuar sundimtarët e tyre, për t’i kritikuar dhe, ndoshta, për t’i ndryshuar.

Postmani përmend debatet Lincoln-Douglas të vitit 1858, në të cilat të dy kandidatët presidencialë folën për një kohë jashtëzakonisht të gjatë dhe me një nivel të jashtëzakonshëm detajesh, si një nga kulmet e kulturës së shtypit:

Rregullat e debatit parashikonin që Douglasi të fliste i pari për një orë; Lincolni do të përgjigjej për një orë e gjysmë; Douglasi pastaj kishte gjysmë ore për t’iu kundërpërgjigjur përgjigjes së Lincolnit. Ky debat ishte dukshëm më i shkurtër se ato me të cilat të dy burrat ishin mësuar ... më 16 tetor 1854, në Pioria të Ilinoisit, Douglasi mbajti një fjalim prej tre orësh, të cilit Lincolni, sipas marrëveshjes, do t’i përgjigjej.

Kur Postmani shkruante në fund të viteve 1980, debatet e tilla tashmë ishin të paimagjinueshme. Për ironi, debatet televizive që ai i kritikonte si të degraduara, të painformuara dhe tepër emocionale, sot u duken shikuesve të shekullit njëzet e një pothuajse të qytetëruara dhe në nivel të lartë intelektual.

Politika në epokën e videove të shkurtra favorizon emocionin e shtuar, paditurinë dhe pohimet pa prova. Në rrethana të tilla, mashtruesit karizmatikë kanë kushte shumë të favorshme. Në mënyrë të pashmangshme, partitë dhe politikanët armiqësorë ndaj demokracisë lulëzojnë në botën post-shkrim-lexim. Përdorimi i TikTok-ut lidhet me rritjen e përqindjes së votave për partitë populiste dhe të djathtën ekstreme.

TikTok-u, siç thotë shkrimtari Ian Leslie, është “karburant raketor për populistët”.

Pse i sjell përfitim [TikTok-u] populistëve në mënyrë disproporcionale? Sepse, pothuajse sipas përkufizimit, populizmi lulëzon mbi emocionet, jo mbi mendimet; mbi ndjenjat, jo mbi fjalitë. Populistët specializohen në dhënien e atij shpërthimi sigurie që ndien kur e di se ke të drejtë. Ata nuk duan që ju të mendoni. Mendimi është vendi ku siguria shkon për të vdekur.

Rendi liberal demokratik racional dhe i paanshëm i bazuar në shtyp mund të mos mbijetojë këtë revolucion.

Në ferrin e budallallëkut

Kompanitë e mëdha të teknologjisë pëlqejnë ta shohin veten si të përkushtuara ndaj përhapjes së dijes dhe kureshtjes. Në fakt, për të mbijetuar, ato duhet të promovojnë budallallëkun. Oligarkët e teknologjisë kanë po aq interes në paditurinë e popullsisë sa edhe autokratët më reaksionarë feudalë. Zemërimi i verbër dhe mendimi partiak na mbajnë të ngjitur për telefonat tanë.

Dhe, ndërsa monarkitë e vjetra evropiane duhej (shpesh në mënyrë të pasuksesshme) të përpiqeshin të censuronin materialin e rrezikshëm kritik, kompanitë e mëdha të teknologjisë e sigurojnë paditurinë tonë shumë më me efikasitet duke e përmbytur kulturën tonë me zemërim, shpërqendrim dhe kotësi.

Këto kompani po punojnë në mënyrë aktive për të shkatërruar iluminizmin njerëzor dhe për të sjellë një epokë të re të errët.

Revolucioni i ekranit do ta skalisë politikën tonë po aq thellë sa revolucioni i leximit i shekullit të tetëmbëdhjetë.

Pa dijen dhe pa aftësitë e mendimit kritik që ushqehen nga shtypi, shumë qytetarë të demokracive moderne janë po aq të pafuqishëm dhe po aq të besueshëm sa fshatarët mesjetarë - që preken prej thirrjeve irracionale dhe që janë të prirë ndaj mendimit të turmës. Bota pas shtypit i ngjan gjithnjë e më shumë botës para shtypit.

Besëtytnitë dhe mendimi antidemokratik lulëzojnë. Kërkimi studimor në universitetet tona formësohet nga përkatësia e ngurtë partiake, jo nga toleranca dhe kureshtja. Arti dhe letërsia jonë janë më të ashpra dhe më të thjeshta.

Shumë njerëz sot janë po aq dyshues ndaj vaksinave sa fshatarët e paarsimuar të shekullit të tetëmbëdhjetë të satirizuar nga karikaturisti James Gillray më shumë se dyqind vjet më parë.

Ndërsa pushteti, pasuria dhe dija përqendrohen në majë të shoqërisë, një publik i zemëruar, i përçarë dhe i painformuar nuk ka një mënyrë për të kuptuar, analizuar, kritikuar apo ndryshuar atë që po ndodh. Në vend të kësaj, gjithnjë e më shumë njerëz impresionohen nga ato lloje thirrjesh shumë emocionale, karizmatike dhe mistike që ishin themeli i pushtetit në epokën para përhapjes së shkrim-leximit.

Ashtu siç ardhja e shtypit i dha goditjen përfundimtare botës së kalbur të feudalizmit, kështu edhe ekrani po shkatërron botën e demokracisë liberale.

Ndërsa kompanitë e teknologjisë zhdukin shkrim-leximin dhe vendet e punës të klasës së mesme, ne mund të përfundojmë në një epokë të dytë feudale. Ose mbase po hyjmë në një epokë politike përtej imagjinatës sonë.

Çfarëdo që të ndodhë, ne tashmë po shohim botën që dikur njihnim teksa po shkrihet. Asgjë nuk do të jetë kurrë më njësoj.

Mirë se vini në shoqërinë post-shkrim-lexim. /Telegrafi/


[1] Kur George Orwell raportoi në vitin 1940 mbi një studim të ri të botuar për zakonet e leximit të fëmijëve, ai zbuloi se fëmijët lexonin “vullnetarisht” veprat e shkruara nga Charles Dickens, Daniel Defoe, Robert Louis Stevenson, GK Chesterton dhe Shakespeare. Këta fëmijë, vuri ai në dukje, “ishin të moshës midis 12 dhe 15 vjeç dhe i përkisnin shtresës më të varfër të komunitetit”.

[2] Protestoj duke thënë se kam lexuar Peter Brownin dhe e pranoj se ky është një karakterizim i thjeshtuar (edhe pse shpresoj i fuqishëm në aspektin retorik) i antikitetit të vonë. Por, mendoj gjithashtu se përpjekjet e fundit në modë për ta riemërtuar “Mesjetën e errët” si “Epokën e dritës” mund të jenë paksa të tepruara. Normat e shkrim-leximit në antikitetin e vonë vërtet kanë rënë.

[3] Njerëzit ndonjëherë kundërshtojnë duke thënë Sokrati vajtonte vdekjen [e shkaktuar!] nga shkrimi. Argumenti i hollësishëm i Havelockut, siç paraqitet në librin e tij Parathënie për Platonin [Preface to Plato], ia vlen të lexohet i plotë. Një pikë që ai thekson është se vetë Sokrati ishte produkt i një klime intelektuale që tashmë po ndikohej thellësisht nga shkrimi. Platoni, sipas Havelockut, ishte militant aktiv kundër mënyrave të të menduarit para-shkrim-lexim.

[4] Kjo nuk do të thotë se shoqëritë që dinë shkrim-lexim janë “më të mira” ose më inteligjente se shoqëritë orale. Siç shkruan Ongu, shoqëritë orale janë të afta për bëma të kujtesës që janë mahnitëse për të huajt. Por, është e vërtetë se zakonet e të menduarit të lidhura me shkrim-leximin duket se janë thelbësore për llojin e qytetërimit të përparuar dhe kompleks në të cilin jetojmë.

A ka lehtësira për bizneset? Hyseni: ATK ofron 59 shërbime elektronike

16 March 2026 at 08:06



Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka avancuar ndjeshëm në digjitalizimin e shërbimeve për tatimpaguesit, duke mundësuar që shumica e procedurave tatimore të kryhen në mënyrë elektronike.

Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, në “Përballje Podcast”, ku theksoi se aktualisht institucioni ofron dhjetëra shërbime elektronike për bizneset dhe qytetarët.


“Ne kemi diku rreth 59 shërbime elektronike që i ofrojmë për tatimpaguesit. Sot rreth 3.7 milionë deklarime bëhen në ATK dhe të gjitha janë elektronike”, tha Hyseni shkruan Telegrafi.

Sipas tij, përmes këtyre platformave digjitale, tatimpaguesit mund të kryejnë deklarimet dhe pagesat pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucion.

“Nuk ka nevojë të vijnë në ATK për të bërë deklarime, siç ka qenë më herët me dokumente në letër. Të gjitha tash bëhen në mënyrë elektronike”, theksoi ai.

Hyseni shtoi se digjitalizimi i proceseve është një nga prioritetet e institucionit, me synimin për të lehtësuar procedurat për bizneset dhe për të rritur efikasitetin e administratës tatimore.

“Qëllimi ynë është që gjatë këtij viti këto 59 shërbime t’i rrisim në rreth 64 shërbime elektronike”, deklaroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ky proces i digjitalizimit pritet të lehtësojë ndjeshëm komunikimin mes ATK-së dhe tatimpaguesve, duke thjeshtuar procedurat administrative për bizneset në Kosovë./Telegrafi/.

❌