Interi u përballë me fuqinë e Arsenalit - Topçinjtë festojnë në Giuseppe Meazza dhe vazhdon formën perfekte
Arsenal ka vazhduar formën e jashtëzakonshme në javën e shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar si mysafir ndaj Interit me rezultat 3-1, për të konfirmuar kryesimin absolut në garën plot prestigj.
Londinezët kaluan në epërsi që në minutën e 10-të, kur goditja e Jurrien Timber u devijua nga Gabriel Jesus dhe përfundoi në rrjetë për 0-1.
Inter reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 18-të me një goditje spektakolare nga distanca të Petar Sucic (1-1), por gëzimi i vendasve zgjati pak.
Në minutën e 31-të, Gabriel Jesus shfrytëzoi një top të kthyer në zonë dhe me kokë riktheu avantazhin për Arsenalin, pas asistimit të Leandro Trossard për 1-2.
Në pjesën e dytë, Inter u përpoq të rikthehej në lojë me disa raste të mira, por mungoi konkretizimi, ndërsa David Raya u shfaq vendimtar në portën e Arsenalit.
Çdo dilemë u shua, ajo e fituesit, në minutën e 85-të, kur Viktor Gyokeres, i futur nga stoli, realizoi një gol të bukur nga jashtë zone për rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë fitore, Arsenal jo vetëm që ruan bilancin perfekt, me shtatë fitore nga shtatë ndeshje dhe 21 pikë, por edhe konfirmohet si skuadra më e fortë e këtij edicioni deri tani.
Në anën tjetër, Inter pëson një tjetër rrëshqitje, duke mbetur në vendin e tetë me 12 pikë, pas katër fitoreve dhe tre humbjeve. /Telegrafi/
