Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Telegrafi

FC Drenica apelon për ndihmë: Reshjet e shiut shkaktojnë dëme të mëdha në stadium

7 January 2026 at 22:49


Klubi i Futbollit Drenica ka bërë një thirrje publike për ndihmë dhe solidaritet, pas dëmeve të mëdha që reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar në fushën e stadiumit të klubit, duke e bërë atë të papërdorshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Sipas njoftimit të klubit, gjatë muajve të fundit janë bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e fushës së stadiumit, me shumë mund, përkushtim dhe sakrificë, me synimin që infrastruktura sportive t’i përgjigjet standardeve dhe nevojave të lojtarëve, klubit dhe gjithë qytetit.

Megjithatë, brenda pak orësh, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme serioze, duke shkatërruar punën e ndërtuar me aq përkushtim.

Klubi ka publikuar edhe video që tregojnë gjendjen e fushës para investimeve, pas përfundimit të punimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se pamjet flasin qartë për situatën e rëndë aktuale.

FC Drenica i është drejtuar me respekt institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe institucioneve të tjera relevante, duke kërkuar përkrahje urgjente për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e stadiumit në funksion.

Sipas klubit, ndihma institucionale është jetike për vazhdimin e garave në kampionat dhe pa këtë përkrahje ekziston rreziku real që rrugëtimi sportiv i klubit të vihet në pikëpyetje.

Njëkohësisht, FC Drenica ka bërë thirrje për solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi është më shumë se një ekip futbolli – është pjesë e historisë, e rinisë dhe e identitetit sportiv të rajonit.

“Me ndihmën e të gjithëve, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u ofrojmë lojtarëve tanë kushtet që i meritojnë. Kërkojmë përkrahje që infrastruktura të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, thuhet në thirrjen e klubit.

FC Drenica thekson se kjo thirrje është një apel për ruajtjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke përmbyllur mesazhin me sloganin: “Drenica është e Kosovës!”. /Telegrafi/

Frizura virale e vitit 2026: Bob-i që për 3 minuta ju bën të dukeni si nga salloni

7 January 2026 at 22:47


Pa stilist, pa kohë të humbur - këto truke nga TikTok-u e rikthejnë bob-in më elegant se kurrë

Bob-i është rikthyer fuqishëm dhe më imponues se kurrë, duke qenë me siguri frizura më e preferuar edhe në vitin 2026.

TikTok-u e ka shndërruar atë në trendin suprem të bukurisë, plot ide që e bëjnë stilimin më të lehtë se kurrë. Prej vitesh, bob-i mbetet një nga frizurat më të përjetshme dhe më shik: i freskët, modern, thekson tiparet e fytyrës dhe përshtatet me çdo stinë pa asnjë përpjekje.

Por vitet e fundit, falë krijueseve të TikTok-ut, bob-i ka marrë një dimension krejtësisht të ri, nga frizura të thjeshta, deri te truke që mund t’i realizoni për pak minuta para se të dilni nga shtëpia, transmeton Telegrafi.

Nëse po kërkoni frymëzim që t’i japë bob-it tuaj një hijeshi shtesë, që vishet si stoli dhe e bën çdo veshje të duket më e kuruar dhe më shik, ju sjellim katër trendet më të njohura, virale dhe ultra me stil nga TikTok-u.

Bob-i është “kanavaca” perfekte për eksperimentim

Pavarësisht nëse stili juaj është elegant dhe minimalist apo lozonjar dhe pak rebel, këto frizura i shtojnë karakter, dinamikë dhe atë efektin “e bëra për 3 minuta, por dukem sikur sapo dola nga salloni”.

Pjesa më e bukur? Të gjitha mund t’i realizoni vetë, me pak frymëzim nga TikTok-u dhe disa truke bukurie që tashmë po përhapen me shpejtësi virale.

/Telegrafi/

Kurti: Sonte natë kritike në rrugët e Kosovës, shmangni lëvizjet e panevojshme

7 January 2026 at 22:45


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.

Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.

Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.


Interi merr fitore komode ndaj Parmës

7 January 2026 at 22:44


Interi ka regjistruar një fitore me rezultat 2-0 ndaj Parmës në kuadër të javës së 19-të në kampionatin italian.

Që në minutat e para, zikaltërit morën iniciativën. Yann Bisseck rrezikoi seriozisht në minutën e 14-të me një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri Edoardo Corvi reagoi në mënyrë spektakolare, duke devijuar topin në shtyllë.

Pak minuta më pas, Lautaro Martinez ishte shumë pranë golit, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi traversë.

Interi vazhdoi presionin dhe në minutën e 32-të Francesco Pio Esposito goditi traversën pas një pasimi të saktë në zonë, ndërsa Parma u kundërpërgjigj në minutën e 30-të me Jacob Ondrejka, i cili po ashtu u ndal nga traversa.

Il sorriso di chi l'ha sbloccata poco prima dell'intervallo 😁 pic.twitter.com/Mzg96MiPVO
— Inter ⭐⭐ (@Inter) January 7, 2026

Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 45-të. Federico Dimarco realizoi pas një aksioni të shpejtë, por goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje.

Pas rishikimit me VAR, arbitri Andrea Colombo konfirmoi se gjithçka ishte e rregullt dhe goli u pranua, duke i dhënë Interit epërsinë prej 1-0.

Il nostro n. 3⃣2⃣ 👏 pic.twitter.com/UDUfzlJNWp
— Inter ⭐⭐ (@Inter) January 7, 2026

Një moment shqetësues për Interin erdhi në minutën e 85-të, kur kapiteni Lautaro Martinez u detyrua të largohej për shkak dëmtimi, duke u zëvendësuar nga Ange-Yoan Bonny.

Për epilogun përfundimtar të takimit 2-0 u përkujdes Marcus Thuram që realizoi në minutën e 98-të.

Me këtë fitore, Interi shkon në kuotën e 42 pikëve dhe është lider në tabelë me katër më shumë se Milani në vendin e dytë, por këta të fundit me një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Rifillon trajtimi i ujit me kapacitet të reduktuar në Mitrovicë

7 January 2026 at 22:42


KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se ka filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit nga impiantet e saj, por me kapacitet të reduktuar. Sipas kompanisë, rritja e kapacitetit do të bëhet gradualisht, varësisht nga krijimi i kushteve teknike.

Nga KRU “Mitrovica” është bërë e ditur se uji i shpërndarë në këtë fazë nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.

Gjatë ditës në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë, si pasojë e reshjeve ka rrëshqitur dheu, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke lënë qytetarët pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka njoftuar se rrëshqitjet përgjatë kanalit kanë ndikuar në cilësinë e ujit të papërpunuar, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.

Ndërkohë, KRU “Mitrovica” ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit ka ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.

Gjatë ditës, kjo kompani ka njoftuar se po realizon shpërndarje të ujit përmes autobotëve në disa lokacione të qytetit, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”. Po ashtu, është bërë e ditur se nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë, autoboti do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”.

Nga KRU “Mitrovica” është theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo përmirësim të situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Chelsea mposhtet në udhëtim nga Fulhami

7 January 2026 at 22:29


Fulham arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Chelseat në një përballje dramatike në kuadër të javës së 21-të në Ligën Premier.

Ndeshja mori një kthesë të papritur që në minutën e 22-të, kur Marc Cucurella u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër.

Fillimisht vendimi u kontestua, por pas rishikimit me VAR, gjyqtariPeter Bankes konfirmoi largimin e mbrojtësit spanjoll, duke e lënë Chelsean me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes.

Pjesa e parë u shoqërua me shumë tension, ku u ndanë disa kartonë të verdhë për lojtarët dhe stafin e të dy skuadrave.

Fulham mendoi se kishte kaluar në epërsi në minutën e 49-të, kur Harry Wilson realizoi, por gëzimi zgjati pak.

VAR-i anuloi golin për pozicion jashtë loje në ndërtimin e aksionit, dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola.

Non-stop pressure from Fulham. 📶 pic.twitter.com/HeoBsgo6Pq
— Fulham Football Club (@FulhamFC) January 7, 2026

Megjithatë, vendasit gjetën avantazhin menjëherë pas rifillimit. Në minutën e 55-të, Raul Jimenez u ngrit mbi mbrojtjen kundërshtare dhe me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Fulhamit prej 1-0.

Chelsea reagoi pavarësisht inferioritetit numerik dhe arriti të barazojë në minutën e 72-të. Liam Delap ishte më i shpejti në zonë për të shfrytëzuar një top të kthyer dhe e dërgoi atë në qendër të portës për rezultatin 1-1.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Fulham goditi sërish. Në minutën e 81-të, Harry Wilson u gjend në vendin e duhur pas një rikthimi të topit brenda zonës dhe me një goditje të ulët e të saktë e çoi topin pranë shtyllës së majtë, duke vulosur fitoren 2-1 për vendasit.

Minutat e fundit u menaxhuan me qetësi nga Fulham, i cili përfitoi nga epërsia numerike dhe mbrojti rezultatin deri në fishkëllimën përfundimtare./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Man City ngec në luftë për kreun - barazon me Brighton

7 January 2026 at 22:28


Manchester City ka lëshuar dy pikë të rëndësishme në garën për titull, duke barazuar 1-1 ndaj Brighton në ndeshjen e javës së 21-të të Ligës Premier.

Kampionët në fuqi dominuan pjesërisht lojën, por nuk arritën ta mbyllnin ndeshjen në favorin e tyre, ndërsa vendasit shfrytëzuan një moment të mirë në pjesën e dytë.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Brighton rrezikoi seriozisht që në minutat e para. Gianluigi Donnarumma ishte protagonist absolut për Man Cityn, duke ndalur fillimisht një goditje të rrezikshme të Pascal Gross nga afërsia dhe më pas një tentim të Ferdi Kadıoğlu nga distanca.

Manchester City gradualisht mori kontrollin dhe në minutën e 41-të fitoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Jeremy Doku, vendim i konfirmuar edhe nga VAR-i.

Erling Haaland u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin në këndin e djathtë të portës dhe duke i dhënë epërsinë skuadrës së Pep Guardiolës (1-0).

Në pjesën e dytë, Man City pati raste për të dyfishuar rezultatin. Bernardo Silva goditi shtyllën në minutën e 47-të, ndërsa Haaland dhe Rayan Cherki humbën mundësi të mira për gol.

Megjithatë, Brighton nuk u dorëzua dhe në minutën e 60-të arriti barazimin. Kaoru Mitoma kontrolloi bukur një pasim nga Yasin Ayari dhe me një goditje të fuqishme nga jashtë zone e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për 1-1.

Minutat e mbetura sollën disa raste nga të dyja skuadrat, por pa ndryshim rezultati. Haaland u ndal dy herë nga portieri Bart Verbruggen, ndërsa në fund ndeshja u shoqërua edhe me disa kartonë të verdhë pas ndërhyrjeve të ashpra.

Me këtë barazim, Manchester City ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke mbetur pesë pikë prapa Arsenalit lider. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore



SHBA heq zyrtarisht vaksinimin e fëmijëve kundër katër sëmundjeve: “Reforma të arsyes së shëndoshë” apo rrezik serioz?

7 January 2026 at 22:23


Rekomandimet për vaksinat kundër gripit, rotavirusit, meningokokut dhe hepatitit A janë hequr pa shqyrtim të jashtëm shkencor - ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr rekomandimin shumëvjeçar për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë fëmijëve kundër gripit, rotavirusit, sëmundjes meningokokale dhe hepatitit A, duke ia lënë vendimin prindërve në konsultim me profesionistët shëndetësorë në kuadër të vendimmarrjes së përbashkët klinike. Ky hap përfaqëson realizimin e një prej qëllimeve afatgjata të ministrit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Këtë masë e ka miratuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Jim O’Neil, pa shqyrtimin e zakonshëm të jashtëm nga ekspertët e agjencisë. Rekomandimet e reja kanë shënuar vazhdimin e fushatës së Kennedy-t për uljen e vaksinimit të fëmijëve.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte bërë thirrje që në dhjetor të vitit të kaluar që SHBA-të të “përshtateshin me vendet e tjera të zhvilluara”, ndërsa tani ka deklaruar se kalendari i ri i vaksinimit është “i bazuar në standardin e artë të shkencës”.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e ka përgëzuar Kennedy-n dhe zyrtarë të tjerë shëndetësorë për këtë ndryshim.

“Shumë amerikanë janë lutur për vite me radhë për këto reforma të ARSYES SË SHËNDOSHË. Faleminderit që i kushtuat vëmendje këtij problemi!”, ka shkruar Trump, duke iu referuar lëvizjes së Kennedy-t “Ta bëjmë Amerikën sërish të shëndetshme” (MAHA).

Kennedy, kritik i njohur i vaksinave, ka udhëhequr edhe më herët përpjekjet për heqjen e rekomandimeve universale për vaksinimin e fëmijëve kundër COVID-19 dhe hepatitit B, duke pretenduar se vaksinat lidhen me autizmin, pohime që shkencëtarët i kanë hedhur poshtë vazhdimisht, trasnmeton Telegrafi.



Paralajmërimet e ekspertëve për pasojat e mundshme

Ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se heqja e këtyre rekomandimeve mund të çojë në shtrime në spital dhe vdekje që mund të ishin parandaluar.

Michael Osterholm, drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Sëmundjet Infektive në Universitetin e Minesotës, ka deklaruar se duhej të ishte zhvilluar një debat publik mbi rreziqet dhe përfitimet, si dhe mbi ndikimin e mundshëm të heqjes së rekomandimeve.

Presidenti i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, Sean O’Leary, ka theksuar se vendet e tjera të zhvilluara përballen me rreziqe të ndryshme sëmundjesh dhe kanë sisteme shëndetësore të ndryshme krahasuar me SHBA-të. Ndryshe nga SHBA-të, të cilat mbështeten në kujdesin shëndetësor privat, shumica e vendeve ofrojnë kujdes shëndetësor bazë universal të financuar nga shteti.

“Çdo vendim për kalendarin amerikan të vaksinimit të fëmijëve duhet të bazohet në prova shkencore, transparencë dhe procese të vendosura shkencore, e jo në krahasime që anashkalojnë dallimet thelbësore ndërmjet vendeve apo sistemeve shëndetësore”, ka thënë ai.

Rëndësia e vaksinimit për shëndetin e fëmijëve

Secila nga vaksinat e përmendura ka parandaluar sëmundje që dikur shkaktonin shtrime të panevojshme në spital dhe vdekje te fëmijët, ka vlerësuar Jesse Goodman, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-shkencëtar kryesor i FDA-së.

Vaksinimi kundër gripit ka ndihmuar në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve nga gripi, i cili gjatë sezonit 2024–2025 ka shkaktuar vdekjen e 288 fëmijëve, sipas të dhënave të CDC-së. Hepatiti A, që prek mëlçinë, zakonisht kalon vetë, por ka çuar edhe në shtrime në spital dhe dëmtime të përhershme të mëlçisë.

Rotavirusi, që shkakton diarre dhe dehidratim, më parë dërgonte dhjetëra mijëra fëmijë çdo vit në spitale, por vaksinat i kanë bërë këto raste jashtëzakonisht të rralla, ka theksuar Goodman.

Edhe pse meningjiti, një infeksion bakterial i trurit, është shfaqur rrallë te fëmijët, rreth 15 për qind e të infektuarve nuk kanë reaguar ndaj antibiotikëve dhe kanë humbur jetën, ka shtuar ai.

Rekomandimet e përditësuara kanë ruajtur imunizimin kundër 11 sëmundjeve, përfshirë fruthin, shytat dhe linë e dhenve, ndërsa vaksinat e tjera janë klasifikuar si të destinuara për grupet me rrezik të lartë ose në kategorinë e vendimmarrjes së përbashkët, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. /Telegrafi/

"Të ka shkuar ndonjëherë në mendje të më thërrisje", vazhdon darka sqaruese mes Stelinës dhe Keijsit

7 January 2026 at 22:23


Stelina dhe Keijsi kanë pasur një darkë sqaruese me njëri-tjetrin, të organizuar nga banorët në Big Brother VIP Albania.

Ata kanë biseduar për raportin e tyre, të shkuarën dhe për shumë gjëra që nuk kanë arritur t'i flasin.

"Gjatë kësaj kohe të ka shkuar ndonjëherë mendja të më thërrisje?", ka qenë pyetja që iu drejtua nga banorja.

Foto: Instagram

Keijsi në anën tjetër ia ktheu: "Ti e di se unë kam një problem me veten. Dhe nëse më shkon në mend unë s'e bëj. Ti e di shumë se çfarëdo gjëje që përjetoj unë nuk e shfaq".

Dyshja janë njohur në programin e dashurisë "Përputhen" dhe më pas kanë shkëputur kontaktet.

Foto: Instagram

Tani janë ritakuar në Big Brother, ku të dy janë pjesëmarrës të edicionit të pestë.

Mbetet për t'u parë se si do të shkojë kjo marrëdhënie e tyre tani në këtë format. /Telegrafi/

Shtëpia e Bardhë thotë se vendimet e Venezuelës do të “diktohen” nga SHBA-ja

7 January 2026 at 22:12


Shtetet e Bashkuara kanë "ndikim maksimal" mbi autoritetet e përkohshme të Venezuelës pas kapjes së Nicolas Maduros dhe do të diktojnë vendimet që ata marrin, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump do të takohet me drejtuesit e naftës amerikane të premten për të diskutuar planet për sektorin e naftës së Venezuelës, tha Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, disa ditë pas bastisjes që rrëzoi Maduron.

"Ne padyshim kemi ndikim maksimal mbi autoritetet e përkohshme në Venezuelë tani", ka thënë Leavitt në një konferencë për shtyp, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

"Ne po vazhdojmë të jemi në koordinim të ngushtë me autoritetet e përkohshme dhe vendimet e tyre do të vazhdojnë të diktohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Trump ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara do të "drejtojnë" Venezuelën pas kapjes së Maduros, pavarësisht se nuk kanë forca në terren atje.

Në realitet, Uashingtoni duket se mbështetet në një bllokadë detare të eksporteve të naftës venezueliane dhe kërcënimin e forcës së mëtejshme të mundshme, për të siguruar bashkëpunimin e presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez.

Plani i SHBA-së deri më tani përfshin atë që Trump tha të martën se ishte një marrëveshje – e pa konfirmuar nga Karakasi – që Venezuela t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë.

Ai ka thënë gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të investojnë në objektet që po shkatërrohen në Venezuelë, megjithëse asnjë kompani nuk ka bërë ende premtime të tilla.

“Takimi është të premten dhe është vetëm një takim për të diskutuar, padyshim, mundësinë e madhe që është para këtyre kompanive të naftës tani”, u tha Leavitt gazetarëve.

E Sekretari i Energjisë i SHBA-së, Chris Wright, tha më parë se Uashingtoni do të kontrollojë shitjet e naftës venezueliane “për një kohë të pacaktuar”.

Shtetet e Bashkuara po zbatojnë atë që e quajnë bllokadë ndaj Venezuelës për të ndaluar çdo eksport të paautorizuar të naftës, duke sekuestruar një anije cisternë nafte në Atlantikun e Veriut të mërkurën pasi e ndoqën atë nga brigjet e Venezuelës.

Leavitt këmbënguli që anija-cisternë, e cila kishte pretenduar se lundronte me flamur rus, ishte “konsideruar pa shtetësi pasi kishte ngritur një flamur të rremë”.

“Kjo ishte një anije e flotës në hije të Venezuelës që ka transportuar naftë të sanksionuar”, tha ajo, duke shtuar se ekuipazhi do të “i nënshtrohej ndjekjes penale”. /Telegrafi/

Zbulohet arsyeja e vërtetë që shtyu Hansi Flickun ta aprovojë transferimin e Joao Cancelos

7 January 2026 at 22:08


Në fillim të kësaj jave u konfirmua se Barcelona do të rikthejë Joao Cancelon me huazim për pjesën e mbetur të sezonit.

Një marrëveshje është arritur me Al Hilal, dhe në ditët në vijim ai pritet t’i bashkohet skuadrës së Hansi Flick.

Në javët e fundit, Cancelo u shfaq si një opsion real për Barcelonën, pasi u bë e qartë se ai do të largohej nga Al Hilal.

Interi ishte favorit për ta nënshkruar, por me faktin që portugezi gjithmonë ka prioritet kthimin në Kataloni, liderët e La Ligës u vendosën në një pozitë të favorshme për ta marrë lojtarin, nëse marrëveshja do të ishte e qëndrueshme financiarisht.

Flick gjithashtu duhej të miratonte këtë lëvizje, gjë që ai e bëri. Sipas Sport, ai kishte disa arsye për këtë vendim, me më të rëndësishmen që tani e konsideron skuadrën e tij me thellësi të mirë në departamentin defensiv.

Cancelo është në gjendje të luajë në të dyja pozicionet e mbrojtësit të krahut, gjë që do të krijojë konkurrencë të fortë për vendet e titullarit për Jules Kounde dhe Alejandro Balde.

Për më tepër, francezi mund të konsiderohet edhe si një opsion për të luajtur në qendër të mbrojtjes, diçka që Flick do të shqyrtojë gjatë javëve dhe muajve në vijim.

Në të njëjtën kohë, kjo konfirmon edhe kalimin e përhershëm të Gerard Martin në rol qendërmbrojtësi, ndërsa Cancelo tani do të konkurrojë me Balde për vendin e majtë në mbrojtje./Telegrafi/

Barcelona e shkatërron Athletic Bilbaon, pesë gola për të kaluar në finale

7 January 2026 at 21:53


Barcelona ka dhuruar një paraqitje spektakolare në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, duke mposhtur bindshëm Athletic Bilbaon me rezultat të thellë 5–0.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick dominoi nga minuta e parë deri në të fundit dhe tashmë pret fituesin e përballjes mes Real Madridit dhe Atletico Madridit në finalen e madhe.

Katalanasit e nisën furishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 22-të. Ferran Torres përfitoi nga një pasim i shkëlqyer brenda zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në cepin e majtë të portës për 1–0.

Dominimi i Barcelonës u thellua edhe më shumë në minutën e 30-të, kur Fermín López realizoi një gol të bukur (2-0), duke goditur fuqishëm topin në këndin e sipërm të djathtë dhe duke mos i lënë asnjë shans portierit të Athletic Bilbaos.

Vetëm katër minuta më vonë, Roony Bardghji u shfaq protagonist. Talenti i ri i Barcelonës përfitoi nga një pasim i saktë dhe me një goditje të ulët në cepin e djathtë realizoi golin e tretë të ndeshjes.

Në minutën e 38-të, Bardghji u shndërrua në asistues, duke dërguar një krosim perfekt në zonë, ku Raphinha u tregua i saktë dhe me një goditje të shpejtë e çoi topin në rrjetë për 4–0.

Athletic Bilbao pati një mundësi të artë për të ngushtuar rezultatin në minutën e 42-të, por Oihan Sancet goditi shtyllën nga zona, duke humbur rastin më të mirë për baskët në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në minutën e 52-të, Raphinha kompletoi dopietën pas një pasimi të shkëlqyer brenda zonës, duke vulosur fitoren 5-0.

Me këtë fitore të thellë, Barcelona siguron kalimin në finale të Superkupës së Spanjës, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Atletico Madridit. /Telegrafi/

Samsung paralajmëron rritje çmimesh për smartfonët mes krizës së memorieve

7 January 2026 at 21:52


Co-CEO i divizionit mobil të Samsung, TM Roh, deklaroi në panairin CES 2026 se kompania po përballet me një nga situatat më të vështira të çmimeve në vite, duke paralajmëruar se rritja e çmimeve të smartfonëve mund të jetë e pashmangshme.

Samsung po bashkëpunon me partnerët e zinxhirit të furnizimit për të përballuar kostot në rritje, që po prekin jo vetëm telefonët, por edhe televizorët dhe pajisje të tjera inteligjente.

Kreu global i marketingut, Wonjin Lee, i tha Bloomberg se kompania po shqyrton “ripozicionimin e çmimeve” për t’u përshtatur me realitetin e ri ekonomik.

Megjithëse Samsung ishte prodhuesi më i madh i çipave në vitin 2024, ajo humbi kryesimin në memoriet në 2025 ndaj SK Hynix, duke e vështirësuar furnizimin për divizionin e smartfonëve.

Lansimi i ardhshëm i Galaxy S26 shihet si një moment kyç, sidomos pas suksesit të madh të iPhone 17.

Për këtë arsye, Samsung po konsideron ngrirjen e çmimeve të S26 në disa tregje.

Ndërkohë, kompania synon të dërgojë në treg 400 milionë pajisje me AI këtë vit, duke dyfishuar ekosistemin Galaxy AI. /Telegrafi/

Labinoti akuzon Labin: Më ke thënë 'peder'

7 January 2026 at 21:40


Labinot Rexha dhe Labinot Haxhiu kanë pasur një përplasje të ashpër me njëri-tjetrin.

Ka qenë ky i fundit që e akuzoi Labin pasi kishte përdorur fjalën 'peder' për të.

Artisti nga Rahoveci nga ana tjetër e mohoi një gjë të tillë, se mund të ketë thënë këtë.

Foto: YouTube

"E di ti shumë mirë. Me the si të thërret mahalla, edhe je fshehur pas shpinës së Albës edhe e the. Më ka thënë peder. Tani pret respekt", i tha Labinoti.

Ai ia ktheu: "Nëse unë kam thënë këtë, kurban i paça fëmijët e mi. Zoti më vraftë".

Ata më pas vazhduan debatin duke mos u pajtuar në shumë gjëra që kanë ndodhur brenda.

Në shtëpi ndërkaq tensionet janë rritur meqë po bëhen gati dy muaj që nga nisja e këtij edicioni. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Bajrami: Ekziston rrezik për përmbytje të reja, Qeveria duhet të sigurojë fonde emergjente

7 January 2026 at 21:34


Shirat e rrëmbyeshëm gjatë ditëve të fundit nxitën vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe detyruan autoritetet ta shtyjnë për disa ditë rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror.

Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe bllokim rrugësh të martën.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për banorët, bizneset dhe bujqit e prekur nga përmbytjet, duke paralajmëruar rrezikun e reshjeve të reja.

Sipas saj, secili banor duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet dhe çdo bujk të marrë mbështetje, ndërsa çdo familje të ketë ndihmë emergjente.

Ajo theksoi se shteti duhet të jetë në terren pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe komunat e tjera të prekura.

Bajrami kërkoi që qeveria të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji dhe të ndajë buxhet në vitin 2026 për veprime konkrete në parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen.

Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook.

“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”.

Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.

Operatori i barit në resortin zviceran të skive kishte ”dënime të mëparshme” në Francë

7 January 2026 at 21:32


Operatori i barit ku dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri gjatë festimeve të Vitit të Ri në resortin zviceran të skive kishte “dënime penale të mëparshme” në Francë, teksa po shtohen pikëpyetje mbi mbikëqyrjen e sigurisë në ambientet e barit.

Të paktën 40 persona u vranë si pasojë e zjarrit që shpërtheu në bar në Crans-Montana, i cili njihet si një destinacion skish në kantonin Valais në Zvicër.

Sipas autoriteteve, viktimat ishin të moshës nga 14 deri në 39 vjeç, me shumë prej tyre nën moshën 18 vjeç.

Teksa vëmendja mbi standardet e sigurisë po rritet, hetuesit kanë konfirmuar se bari nuk i ishte nënshtruar një inspektimi për një periudhë të gjatë para zjarrit.

Duke cituar burime pranë hetimit, mediat franceze raportuan se operatori i barit, Hasqyes Moretti, në vitin 2008 në qytetin francez Annecy ishte dënuar me 12 muaj burg, tetë prej të cilëve me kusht, për vepra penale të lidhura me prostitucion.

Sipas raporteve, ai gjithashtu ishte dënuar për korrupsion në Bastia të Francës në vitin 2010.

Vendimi i prokurorëve zviceranë për të liruar Morettin dhe bashkëshorten e tij në pritje të gjykimit ka nxitur kritika publike.

Prokurorët thanë se çifti u lirua pasi nuk ekzistonte rrezik nga arratisja.

Menaxhimi i barit gjithashtu është nën vëzhgim mes akuzave se në ambient lejoheshin klientë nën moshë. Shumë prej viktimave të zjarrit ishin të mitur.

Autoritetet zvicerane njoftuan se 119 persona gjithashtu u plagosën nga zjarri, shumica prej tyre rëndë.

Shkaku i zjarrit mbetet nën hetim. Dëshmitarë u thanë autoriteteve se fishekzjarrë të vegjël të vendosur në shishe shampanjeje mund të kenë ndezur flakët.

Spitalet në zonat përreth njoftuan se njësitë e kujdesit intensiv janë të mbushura, ndërsa disa prej të plagosurve janë transferuar për trajtim në vendet fqinje. /AA/

Meriton Korenica pothuajse 90 për qind te DC United - detajet e marrëveshjes janë zbuluar, Cluj fiton miliona

7 January 2026 at 21:29


Meriton Korenica është shumë pranë një transferimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesfushori i CFR Cluj pritet t’i bashkohet DC United, skuadrës së MLS, ndërsa negociatat konsiderohen të përfunduara në rreth 90 për qind.

Sipas burimeve të FANATIK, pronari i CFR Cluj, Neluțu Varga, do të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga kjo marrëveshje, duke shitur 75 për qind të të drejtave federative të lojtarit kosovar.

Korenica prej kalimit te Cluj, ka shkëlqyer, duke qenë lojtar kryesor i klubit rumun.

4 milionë dollarë për Korenicën, Cluj mban 25% të kartonit

Pas transferimit të Louis Munteanu për 7 milionë dollarë në MLS, DC United ka kthyer vëmendjen edhe nga një tjetër lojtar kyç i kampionëve të Rumanisë. Klubi amerikan është i gatshëm të paguajë rreth 4 milionë dollarë për Meriton Korenicën, ndërsa CFR Cluj do të mbajë 25 për qind të të drejtave federative të lojtarit për një shitje të ardhshme.

“Ka shanse shumë të mira që Korenica të transferohet te DC United. Është çështje ditësh,” deklaroi ekskluzivisht për FANATIK pronari i CFR Cluj, Neluțu Varga.

Trajneri i DC United, Rene Weiler, është një admirues i madh i mesfushorit kosovar dhe po e shtyn fort realizimin e këtij transferimi, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Paga e Korenicës në MLS

Nëse marrëveshja finalizohet, Meriton Korenica do të përfitojë një kontratë shumë të mirë financiare. Ai pritet të ketë një pagë vjetore prej rreth 800 mijë dollarësh, duke u bërë një nga lojtarët e rëndësishëm të DC United në repartin e mesfushës.

Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e tregut e Korenicës është 2.4 milionë euro. Në karrierën e tij, ai ka luajtur për klube si Liria, Rshoveci, Ballkani dhe Prishtina në Kosovë. /Telegrafi/

Xabi Alonso shpjegon çfarë duhet të bëjë Real Madridi për ta fituar derbin ndaj Atleticos

7 January 2026 at 21:27


Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, u ka kërkuar lojtarëve të tij të shmangin të njëjtat gabime si më herët gjatë sezonit, teksa skuadra e tij përgatitet për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit.

“Los Colchoneros” fituan 5-2 në përballjen e La Ligës në “Metropolitano”, por kësaj here rreziku është shumë më i madh.

Jo vetëm që është në lojë një trofe, por raportimet nga Madridi sugjerojnë se edhe pozicioni i Alonsos si trajner është në pikëpyetje.

Nëse “Los Blancos” mposhten nga Atletico, kjo mund të shënojë fundin e aventurës së tij në stolin madrilen. Trajneri bask u shpreh i bindur se Real Madridi do të paraqitet shumë më mirë këtë herë.

“Ne duam të luajmë një ndeshje ndryshe. Na mungoi diçka në disa aspekte dhe jemi shumë të vetëdijshëm për to, në mënyrë që të mos i përsërisim të njëjtat gabime”.

“Duam të luajmë në një nivel më të lartë. Jam i bindur se do të tregojmë një version më të mirë të vetes dhe se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar”.

“Gjërat evoluojnë. Për shembull, Militao ishte këtu dhe tani nuk është më. Ai nuk është një pikë absolute reference, por sigurisht ka gjëra që i marrim parasysh”.

Sa i përket faktit nëse humbja në “Metropolitano” shërbeu si një sinjal i hershëm për problemet që duhej të adresoheshin, Alonso nuk dha shumë detaje mbi planet e tij kundër Atletico Madridit.

“Çdo ndeshje duhet analizuar, dhe humbjet edhe më shumë. Ka gjëra që nuk duam t’i përsërisim. Do t’i mbajmë për vete. Jam i bindur se kjo herë do të jetë ndryshe”.

Tri sezonet e fundit kanë treguar se fituesi i Superkupës ka shkuar më pas drejt titullit kampion në La Liga. Alonso u pyet edhe për rëndësinë e këtij turneu, përtej situatës së tij personale.

“Dy gjëra janë të qarta: ky është turneu për të cilin po luajmë tani, ndaj është më i rëndësishmi për momentin. Në hierarkinë e sezonit, është i katërti, pas La Ligës, Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve”.

“Por është kompeticioni që kemi përpara tani, ndaj është prioritet absolut. Duhet të luajmë një ndeshje të mirë”./Telegrafi/

Delet “pushtojnë” supermarketin në Gjermani, qëndruan aty për rreth 20 minuta

7 January 2026 at 21:25


Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në komunën Burgsinn të Bavarisë në Gjermani, ku rreth 50 dele hynë në një supermarket të rrjetit Penny.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë, delet qëndruan për rreth 20 minuta mes rafteve pranë arkave.

Ende nuk dihet se çfarë i shtyu kafshët drejt dyqanit, por ato ishin shkëputur nga kopeja dhe humbën rrugën.

Delet lanë jashtëqitje dhe disa shishe u thyen.

Dyqani u pastrua dhe Penny njoftoi se nuk kanë ndërmend të nisin ndonjë procedurë kundër bariut. /Telegrafi/

Drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Musk, e hedh poshtë konkurrencën e Nvidia-s me makinat autonome, duke e cilësuar si 5 ose 6 vjet larg

7 January 2026 at 21:22


CEO i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi se do të duhen disa vite para se modelet e reja të drejtimit autonom të Nvidia-s të përbëjnë konkurrencë serioze për teknologjinë Full Self-Driving (Supervised) të Tesla-s.

Reagimi i tij erdhi pas prezantimit të Alpamayo nga CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, gjatë konferencës CES në Las Vegas.

Musk tha se teknologjia e drejtimit autonom është “relativisht e lehtë” të arrijë 99% siguri, por shumë e vështirë të zgjidhet “problemi” i situatave të rralla.

Dhe sipas tij, prodhuesit tradicionalë të makinave do të vonohen në integrimin masiv të kamerave dhe kompjuterëve të AI-së.

“Kompanitë e vjetra të makinave nuk do t’i projektojnë kamerat dhe kompjuterët e inteligjencës artificiale në makinat e tyre në shkallë të gjerë deri disa vite pas kësaj”, tha ai në një postim. “Pra, ky është ndoshta një presion konkurrues mbi Teslën pas 5 ose 6 vitesh, por ndoshta edhe më gjatë”.

Huang vlerësoi sistemin FSD të Tesla-s si “të nivelit botëror”, duke theksuar se Nvidia ofron platforma teknologjike për prodhues të tjerë dhe nuk prodhon vetë automjete.

FSD mbetet thelbësor për strategjinë afatgjatë të rritjes së të ardhurave të Tesla-s. /Telegrafi/

❌
❌