Një fond evropian i krizave, i cili e ka vlerën e më shumë se 430 miliardë eurove në fuqi zjarri, mund të përdoret për t’u dhënë hua shteteve për mbrojtje, i tha agjencisë “Reuters” drejtori i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, kur blloku po mundohet që t’i fuqizojë forcat e armatosura.
Pierre Gramegna, drejtor menaxhues i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM), tha se ky fond mund të ofrojë linja kreditore për mbrojtje dhe nuk do të kërkonte reformë të rreptë ekonomike në këmbim, pjesërisht për të larguar ndonjë stigmatizim që mund të ngrihet nga kërkimi i të hollave nga fondi urgjent i eurozonës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në këto kohë të trazirave gjeopolitike, të cilat kanë nxitur shpenzime më të larta, kosto të mbrojtjes për të gjitha shtetet, ne duhet ta përdorim potencialin e plotë të ESM-së” – tha Gramegna.
Ai e përmendi përdorimin e linjave të kredive për mbrojtje nga shtetet që janë në gjendje të mirë financiare por buxhetet e të cilave janë të tendosura, sidomos kur bëhet fjalë për shtetet më të vogla të eurozonës.
“Ne kemi instrumente. Është në interesin më të mirë të Evropës… që të shfrytëzohet potenciali i plotë” – shtoi Gramegna.
“Është e qartë se marrëdhënia mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë më me gunga” – tha më tej drejtori i ESM-së.
Komentet e tij lënë të kuptohet se ka një gatishmëri për përdorimin e rezervës së madhe evropiane për fuqizimin e vendeve të eurozonës, sidomos të shteteve baltike që kufizohen me Rusinë, edhe pse kreditë fillimisht duhet të nënshkruhen nga shtetet e eurozonës që e mbështesin ESM-në.
Një incident i rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në Han të Elezit, kur një mur mbrojtës u shemb papritur dhe ra mbi një veturë pasagjerësh, duke bllokuar shoferin, një 16-vjeçar.
Lajmin e konfirmoi për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, duke bërë të ditur se në automjet ndodhej vetëm shoferi.
Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes dolën njësitë e Emergjencës dhe Zjarrfikësve nga Han i Elezit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e personit të bllokuar.
Shoferi ishte me vetëdije, por i ngujuar brenda automjetit nën rrënoja.
“Rreth orës 22:00, njësia e zjarrfikësve arriti ta nxjerrë nga vetura 16-vjeçarin, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ishte me vetëdije. Ai u dërgua nga njësia emergjente për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, njoftoi Veseli.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të premten ka njoftuar për tërheqjen nga tregu të disa produkteve të qumështit për foshnje të markës Aptamil, pas dyshimeve për praninë e një substance të rrezikshme.
Sipas AUV, vendimi është marrë pas një njoftimi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën ushqimore për fëmijë me origjinë nga Gjermania.
“Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se subjekti ‘Rossmann & LALA SH.P.K.’ në Shqipëri ka eksportuar produktin APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC, loti 172911, me datë skadimi 10.11.2026, në Republikën e Kosovës për kompaninë Rossmann Kosova”, thuhet në njoftim.
Pas inspektimit të depos së Rossmann Kosova, inspektorët kanë konfirmuar se kompania ka nisur tërheqjen edhe të produktit APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr., me numër artikulli 405663100.
AUV ka njoftuar se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, po realizohet grumbullimi dhe bllokimi i produkteve të identifikuara, ndërsa së shpejti do të nisë edhe procesi i asgjësimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Agjencia u bën thirrje qytetarëve që posedojnë këto produkte të mos i përdorin dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.
Ka përfunduar rinumërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, proces i cili kishte nisur më 13 janar pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.
Në uebfaqen ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përditëson rezultatet, shihet se janë numëruar të gjitha 2,557 vendvotimet.
Rinumërimi nuk ka ndryshuar ulëset e deputetëve për partitë, por ka sjellë ndryshime në numrin e votave të kandidatëve.
Më së shumti ndryshime janë regjistruar në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Nëntë kandidatë të kësaj partie kanë humbur më shumë se 1,000 vota pas rinumërimit.
Lista kryesohet nga Fetah Paçarizi, i cili ka humbur 6,869 vota, ndjekur nga Nait Hasani me 3,326 vota, Kujtim Gashi me 2,434 vota, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2,118 vota, Arianit Çollaku me 1,673 vota, Fadil Demaku me 1,308 vota, Enver Hoxhaj me 1,237 vota, Xhavit Haliti me 1,167 vota dhe Gazmend Maliqaj me 1,034 vota.
Te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dy kandidatë kanë humbur më shumë se 1,000 vota: Xhavit Uka nga Prizren me 1,628 vota dhe Driton Selmanaj me 1,065 vota.
Ndërkohë, te Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendi ka humbur 922 vota, i ndjekur nga Arbër Rexhaj me 622 vota.
Hollywood-i po nderon komedianen e njohur Catherine O’Hara, e cila ndërroi jetë këtë të premte në moshën 71-vjeçare. Ikona e komedisë, e njohur për karrierën e saj të shkëlqyer në film dhe televizion, është kujtuar me dashuri dhe emocion nga miqtë dhe kolegët.
Macaulay Culkin, i cili interpretoi Kevin në filmin e famshëm “Home Alone”, shpërndau një postim prekës në Instagram, duke e quajtur O’Harën “mama”.
Ai shkroi: “Mama. Mendova se do të kishim më shumë kohë. Doja më shumë. Doja të ulesha pranë teje. Të dëgjova, por kishte kaq shumë më tepër për të thënë. Të dua. Do të shoh sërish.”
O’Hara ka luajtur rolin e Kate McCallister, nënës së Kevin, në dy filmat e parë “Home Alone”. Ky rol mbetet një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së saj dhe një nga performancat që e bëri të dashur për miliona fansa.
TMZ ishte i pari që raportoi për vdekjen e saj, megjithëse shkaku i ndarjes nga jeta nuk është bërë i ditur ende. O’Hara nuk ishte e pranishme në ceremoninë e Golden Globes më 11 janar, ku ishte nominuar për performancën më të mirë mbështetëse nga një aktore për rolin e saj në serialin e Apple+, The Studio. Arsyeja e mungesës së saj nuk është sqaruar.
NASA njoftoi këtë të premte se ka shtyrë datën e parë të lëshimit për misionin Artemis 2, i cili do të dërgojë astronautët në Hënë për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli.
Agjencia hapësinore amerikane është detyruar të shtyjë provën e fundit të madhe të raketës SLS për shkak të motit të keq. Kështu, dritarja e parë e mundshme e nisjes do të hapet të dielën, më 8 shkurt, në vend të datës 6 shkurt, siç ishte parashikuar fillimisht.
Megjithatë, nuk është e sigurt nëse NASA do të tentojë një lëshim atë ditë, pasi testi i fundit teknik i raketës, një lloj prove gjenerale, nuk është përfunduar ende. Ky test u lejon ekspertëve të verifikojnë nëse gjithçka është gati që misioni të vazhdojë. Për shkak të motit të ftohtë që po prek pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, testi është shtyrë deri javën tjetër.
“Në varësi të mënyrës se si do të shkojë ky test, NASA do të njoftojë edhe datën e lëshimit të misionit, i cili do të përfshijë tre astronautët amerikanë dhe një kanadez,” tha një zyrtar i NASA-s gjatë një konference për shtyp.
Nga 8 shkurti deri më 30 prill, agjencia amerikane po shqyrton 14 dritare nisjeje për misionin Artemis 2. Gjatë së njëjtës periudhë, NASA duhet të dërgojë gjithashtu një mision me pilot në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, Crew-12. Ky mision është planifikuar për 11 shkurt, por mund të shtyhet nëse Artemis 2 niset para kësaj date.
Skuadra gjermane, Hamburgu, ka përshëndetur përmes një videoje të shkurtër futbollistin kosovar, Emir Sahitin, pas huazimit të tij te skuadra izraelite, Maccabi Tel Aviv.
Megjithatë, përshkrimi i postimit që shoqëronte videon ka nxitur reagime për shkak të një detaji të pakuptimtë.
Në fillim të postimit, Hamburgu ka shkruar: “Kujdesu për veten, ‘brate’”. Fjala “brate” vjen nga gjuha serbe dhe do të thotë “vëlla”, ndërsa përdoret edhe në kroatisht.
Ajo që ka shkaktuar kontradikta është fakti se pas fjalës “brate” është vendosur flamuri i Kosovës, gjë që disa përdorues e kanë konsideruar të paqartë dhe ironike.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Irani do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje përmes bisedimeve, në mënyrë që të mos përballet me veprime ushtarake amerikane.
“Mund të them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
I pyetur nëse i kishte vendosur Iranit afat për të hyrë në bisedime mbi programet e tij bërthamore dhe raketore, Trump tha “po, e kam bërë”, por nuk deshi të tregonte se çfarë afati.
“Kemi një armatë të madhe, flotë – quajeni si të doni – që po shkon drejt Iranit pikërisht tani”, tha Trump, duke iu referuar një grupi aeroplanmbajtësish amerikanë në ujërat pranë Iranit.
“Shpresojmë të arrijmë marrëveshje. Është mirë nëse e arrijmë marrëveshjen. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
Trump përmendi atë që ai e quajti vendim të Iranit për t’i ndaluar ekzekutimet e protestuesve – pas një shtypje të ashpër në të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se u vranë më shumë se 6.000 njerëz – si provë se Teherani është i gatshëm për bisedime.
Ndërkohë, diplomati më i lartë i Iranit tha të premten se sistemet raketore dhe mbrojtëse të vendit të tij “kurrë” nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve, njofton rel.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se Teherani është “i gatshëm t’i fillojë bisedimet, nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta, të bazuara në interesa të ndërsjella dhe respekt të ndërsjellë”.
Araghchi i bëri këto komente gjatë një vizite në Turqi, e cila po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Por, ai theksoi: “Dua të deklaroj qartë se sistemet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt negociatash”, duke shtuar se nuk kishte plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për rifillimin e bisedimeve.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se rifillimi i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit është “jetik për uljen e tensioneve rajonale”.
Aktorë të tjerë rajonalë u janë bashkuar thirrjeve për diplomaci, përfshirë shtetet e Gjirit, disa prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane.
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar të premten masën e paraburgimit prej një muaji për pesë persona të dyshuar për manipulime me vota në këtë komunë gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, të dyshuarit Art Shehu, Idel Berisha, Besnik Selimko dhe Hasan Paçarizi janë dërguar në paraburgim nën dyshimin se secili veç e veç ka kryer veprën penale “falsifikim i rezultatit”.
Ndërkaq, i dyshuari Nysret Bytyqi po hetohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, konkretisht për moskryerje me dashje të ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit për këta të dyshuar mund të zgjasë deri më 28 shkurt.
Për rastin e manipulimeve me vota në Prizren, aktualisht në paraburgim ndodhen edhe 23 persona të tjerë të dyshuar.
Pak minuta para nisjes së Prime-it të Big Brother VIP Kosova, banorja Elijona është nisur drejt spitalit, duke shqetësuar si banorët e tjerë ashtu edhe publikun e spektaklit.
Lajmin e konfirmoi moderatori Alaudin Hamiti, i cili sqaroi se gjendja e saj nuk është për t’u shqetësuar.
Ai bëri me dije se Elijona po merr trajtimin e duhur mjekësor dhe është nën kujdes profesional.
Ende nuk është e qartë nëse banorja do të rikthehet sonte gjatë spektaklit 'prime' ose pas mbarimit të tij.
Fansat e saj mbeten të tensionuar për zhvillimet e mëtejshme brenda shtëpisë së BBVK. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i kishte dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje, ndërsa Uashingtoni zhvendosi asete të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme përpara një sulmi të mundshëm ndaj Republikës Islamike.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale nëse kishte vendosur një afat për Iranin përpara një sulmi të mundshëm, Trump konfirmoi se ia kishte komunikuar një të tillë drejtpërdrejt Teheranit, duke shtuar: "Vetëm ata e dinë me siguri".
Ai nuk e zbuloi kohën e këtij afati.
I pyetur nëse kishte një afat kohor se kur forcat amerikane në rajon mund të tërhiqeshin, Trump nuk dha asnjë përgjigje.
“Ata duhet të qëndrojnë diku. Mund të qëndrojnë pranë Iranit”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai përsëriti “vlerësimin” e tij për anulimin e supozuar të mbi 800 ekzekutimeve të protestuesve antiqeveritarë nga regjimi — diçka që Teherani nuk e ka konfirmuar se po planifikonte ta bënte.
Bëhet e ditur se Trump kishte kërcënuar se do ta godiste regjimin nëse ai do të vriste protestues.
“Kemi një flotilje të madhe anijesh që po shkon drejt Iranit tani”, përsëriti ai.
“Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse arrijmë një marrëveshje, kjo është mirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Trump. /Telegrafi/
Një tjetër skandal i madh ka goditur futbollin kinez, pasi autoritetet kanë konfirmuar dënime të rënda për 13 klube të përfshira në manipulim ndeshjesh dhe korrupsion.
Para nisjes së sezonit të ri në Superligën e Kinës, nëntë skuadra do ta fillojnë kampionatin me pikë të zbritura. Sanksionet vijnë pas një hetimi të gjerë që ka përfshirë trukime ndeshjesh, baste të paligjshme dhe transaksione të papërshtatshme brenda futbollit kinez.
Shanghai Shenhua, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin si nënkampione, ka marrë një nga dënimet më të ashpra, duke u ndëshkuar me minus 10 pikë në startin e sezonit. I njëjti dënim është dhënë edhe për Tianjin Tigers. Disa klube të tjera janë ndëshkuar gjithashtu, ndërsa katër prej tyre janë tashmë të rëna në China League One si pasojë e masave disiplinore të mëparshme.
Përveç penalizimeve sportive, të gjitha 13 klubet janë gjobitur financiarisht. Gjobat variojnë nga 21 mijë deri në 104 mijë funte, në varësi të seriozitetit të shkeljeve të secilit rast.
Federata Kineze e Futbollit ka theksuar se sanksionet janë vendosur për të mbrojtur integritetin e sportit. Në një deklaratë zyrtare, organi drejtues bëri të ditur se masat synojnë ruajtjen e disiplinës, pastrimin e ambientit futbollistik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Federata sqaroi gjithashtu se zbritja e pikëve dhe gjobat janë përcaktuar mbi bazën e shkallës, natyrës, seriozitetit dhe ndikimit shoqëror të shkeljeve të kryera nga secili klub, duke riafirmuar qëndrimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit.
Ky zhvillim vjen pas një goditjeje edhe më të gjerë që nisi sezonin e kaluar. Në shtator të vitit 2024, 43 lojtarë dhe zyrtarë u dënuan me ndalim të përjetshëm nga futbolli, pasi u shpallën fajtorë për shkelje të rënda. Mes tyre ishte edhe ish-mesfushori i Evertonit, Li Tie.
48-vjeçari u burgos vitin e kaluar pasi pranoi se kishte manipuluar ndeshje, kishte marrë ryshfet dhe kishte ofruar ryshfet me qëllim sigurimin e një posti të lartë trajneri.
Në total, më shumë se 70 persona kanë marrë ndalime të përjetshme si pjesë e këtij hetimi, duke nxjerrë në pah përmasat e mëdha të problemit në futbollin kinez./Telegrafi
Prodhimi industrial në dhjetor të vitit 2025 është rritur për 2.3 për qind në krahasim me dhjetorin 2024, ndërsa në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024 për 1,9 për qind, kumtoi sot Enti shtetëror i statistikave.
Ndikim më të madh ndaj rritjes së prodhimit industrial në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, ka rritje të prodhimit nëpër sektorët: Prodhim i prodhimeve ushqimore me 3,5 për qind, Prodhim i pijeve me 34.2 për qind dhe Prodhim i automjeteve motorizuese, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove me 3.5 për qind.
Në sektorin Xehtari dhe nxjerrje të gurëve në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, prodhimi industrial shënon rënie prej 6.6 për qind, në Industrinë përpunuese rritje prej 4.5 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim rënie prej 3.9 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, shënon rritje tek Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 9.8 për qind dhe prodhimeve të paqëndrueshme për konsum të gjerë për 2.4 për qind, përderisa rënie shënon tek Energjia për 3.9 për qind, Prodhimet kapitale për 0.8 për qind dhe Prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 3.8 për qind.
Elon Musk i dërgoi një email Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013 për të koordinuar një udhëtim në ishullin e Karaibeve të Epstein, tregojnë dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.
Musk kishte pohuar më parë se kishte refuzuar përpjekjet e Epstein për ta bindur atë të vizitonte një nga dy ishujt që zotëronte Epstein - Great St. James dhe Little St. James.
Little St. James ishte një epiqendër e abuzimit të vajzave dhe grave të reja nga Epstein.
Më 13 dhjetor 2013, Musk i dërgoi një email Epsteinit: “Do të jem në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë/St Bart's gjatë festave. A ka ndonjë kohë të mirë për ta vizituar?”
Epstein u përgjigj dy ditë më vonë dhe tha se fillimi i vitit të ri do të ishte i mirë, duke shtuar: “Gjithmonë ka hapësirë për ty”.
Ditën e Krishtlindjeve, Epstein tha në një email tjetër: “2 ose 3 do të ishin perfekt. Do të vij të të marr.”
Musk u përgjigj fillimisht se do të duhej të fluturonte përsëri për në Los Angeles natën e 2 janarit, përpara se të thoshte se mund ta shtynte nisjen e tij një ditë më vonë.
“Kur duhet të shkojmë në ishullin tuaj më datë 2?”, e pyeti Musk Epsteinin.
Nga emailet nuk është e qartë nëse Musk e vizitoi përfundimisht.
Por emailet tregojnë një nivel komunikimi midis palës që nuk ishte zbuluar më parë.
Gjatë grindjes së tyre vitin e kaluar , Musk sugjeroi që presidenti Donald Trump kishte ngadalësuar publikimin e dosjeve të Epstein sepse emri i presidentit ishte në to.
Kjo ishte pjesë e prishjes së marrëdhënieve midis presidentit dhe një burri që kishte qenë një nga këshilltarët e tij më të ngushtë.
Në shtator, pasi emri i Musk u përfshi në një tjetër grup dosjesh, ai kërkoi të distancohej nga shkelësi i dënuar për krime seksuale.
Ai tha në atë kohë se “Epstein u përpoq të më bindte të shkoja në ishullin e tij dhe unë REFUZOVA”. /Telegrafi/
Mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, ka dhënë versionin e tij lidhur me pretendimin se kishte hedhur flamurin kombëtar shqiptar dhe plisin në shportë të bërllokut.
Hajredinaj ka treguar se më 27.11.2024 kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë për të dhënë mësim, duke e ditur se orari atë ditë ishte me orar të shkurtuar pasi pritej organizim i festës së flamurit.
Tutje i akuzuari ka treguar se me të hyrë në klasë duke kryer përgatitjet që të filloj ora mësimore kishte vërejtur se disa prej nxënëse nuk kishin nxjerrë librat për të filluar mësimin.
Sipas versionit të Hajredinajt, është ngritur në këmbë dhe ka parë se një nxënës dhe një nxënëse nuk kishin të veshur uniformat e shkollës dhe ju ka bërë me dije që të vendosnin uniformat.
Tutje, njëri nxënës e kishte përfillur urdhrin e mësuesit, kurse sipas të akuzuarit, nxënësja e cila kishte qenë e mbështjellë me flamur nuk e kishte dëgjuar.
Largimin nga ora mësimore Hajredinaj, para gjykatës tha, se e kishte bërë që ta kursej nxënësen nga shënimi në vërejtje.
“Kur i kam thënë që të dal vajza, e kurseva nga vërejtja dhe kur ka fillu me dalë ka fillu me shpejtësi, jo në mënyrë të rregullt qysh mundet me dalë një nxënëse me mirësjellje. Dy nxënës me shenjë revolte kanë dalë, me shpejtësi dhe ma kanë vënë flamurin në kokë. Ka qenë aj djali që fillimisht e hoqi flamurin dhe një nxënës i cili nuk me kujtohet cili ka qenë, sepse kam qenë i ulur duke shkruar orën”- dha versionin e mbrojtjes i akuzuari.
Sipas tij, nuk kanë shkuar më shumë se 2 minuta kur ka ardhë zëvendës-drejtori i shkollës i cili sapo kishte hyrë në klasë nuk e kishte pyetur fare tashmë të akuzuarin për ndodhinë, por kishte filluar të ju mbaj fjalim nxënësve, e që sipas tij po i nxiste.
Sipas versionit të akuzuarit, nxënësit, ja kishin hedhur plisin në tokë të cilin e kishte larguar që kishte shkuar kah ana e shportës.
“Nxënësit ma kanë hedhë në tokë e kam largu dhe ka shkuar ka ana e shportës” – tha tutje i akuzuari.
Sipas tij, ajo çka ka ndodhë, ka ndodhur pa paramendim apo qëllim të caktuar, e aq më pak për qëllime fetare. I akuzuari ka thënë se feja e tij nuk e mëson që të bëjë diçka të tillë.
Paraprakisht seanca gjyqësore ka vazhduar me administrimin e provave materiale.
Pasi Prokuroria Speciale është tërhequr nga propozimi që të dëgjohet i mituri- nxënësi, ndërsa Gjykata në përbërje prej kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaskës, Violeta Namani dhe Avni Syla – anëtarë, i kanë refuzuar mbrojtësit së të akuzuarit propozimin për dëgjimin e disa dëshmitarëve.
Më të filluar seanca gjyqësore më 30.01.2026 është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares Margareta Shabani.
Margareta Shabani, për mosardhjen e saj në seancë më 15.12.2025 për të dëshmuar, Gjykata i kishte shqiptuar gjobën e dytë në lartësi prej 100 euro si dhe u urdhërua sjellja me forcë për në seancën e radhës. Në seancën e datës 14.11.2025 dëshmitarja Margareta Shabani për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar ishte gjobitur me 50 euro si dhe i kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.
Dëshmitarja në seancën e datës 30.10.2026 ka thënë se ajo e kishte organizuar festën e flamurit në këtë shkollë, si mësuese e muzikës, më 27.11.2024.
“Dita e flamurit ka qenë në një ditë prej festive dhe e kemi festuar me një program të shkurtë ku ka pasë muzikë, art dhe drama të ndryshme”- tha dëshmitarja.
Dëshmitarja ka thënë se e kishte parë momentin 5 minutësh, kur tashmë i akuzuari, ja kishte kap plisin një nxënësi dhe e kishte përplasur te koshi i mbeturinave duke e shoqëruar me fjalët “është e ndaluar në shkollë”.
“Por e kam pa momentin kur arsimtari ja ka kapë plisin nxënësit dhe e ka përplasë në drejtim të koshit të mbeturinave”- tha dëshmitarja.
Ajo tha se këtë moment e kishte parë teksa priste arsimtarin e gjuhës angleze që të dalë nga klasa me qëllim që të ndjek orën e muzikës e cila ishte planifikuar sipas orarit.
Sipas dëshmitares, tashmë i akuzuari e kishte kapur edhe një flamur dhe kishte tentuar që ta gjuante në shportë, por e kishin ndaluar nxënësit.
“E kam pa arsimtarin duke e kap flamurin dhe duke tentuar që ta gjuaj, ndërsa nxënësit e kanë ndaluar, nuk e di a ka qenë plis apo flamur mirëpo nxënësit e kanë kundërshtuar një veprim të tillë”- tha dëshmitarja.
Fjala përfundimtare rreth këtij rasti do të mbahet më 9 shkurt 2026.
Gjykimi për këtë rast ka filluar rishtazi pasi ka pasur ndryshime të anëtarëve të trupit gjykues në këtë çështje penale.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla (anëtarë).
Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.
Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.
Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.
“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.
Në aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e nxënësve me simbole kombëtare shqiptare me rastin e festës së flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin dhe me gjithë kundërshtimet e nxënësve i ka hedhur ato në shportën e mbeturinave.
Tutje në aktakuzë thuhet se ai e ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila i mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – për çka- me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit./Kallxo.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 2,557 vendvotimeve, në të cilat, më 28 dhjetor 2025 u zhvillua procesi i votimit.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshinë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.
Kujtojmë se KQZ-ja mori këto vendime për rinumërim me qëllim të të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.
Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.
Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.
Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.
Pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.
Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim./Telegrafi/
Shefi i OKB-së u ka thënë shteteve anëtare se organizata është në rrezik të “kolapsit të afërt financiar”, duke përmendur tarifat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron organin global të kthejë paratë e pashpenzuara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur vazhdimisht për përkeqësimin e krizës së likuiditetit në të cilën ndodhet organizata, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri më tani dhe vjen ndërsa kontribuesi kryesor i saj është se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga multilateralizmi në shumë fronte.
“Kriza po thellohet, duke kërcënuar zbatimin e programit dhe duke rrezikuar kolapsin financiar. Dhe situata do të përkeqësohet më tej në të ardhmen e afërt”, shkroi Guterres në një letër drejtuar ambasadorëve të datës 28 janar.
SHBA-të kanë shkurtuar fondet vullnetare për agjencitë e OKB-së dhe kanë refuzuar të bëjnë pagesa të detyrueshme në buxhetet e tyre të rregullta dhe ato paqeruajtëse.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka përshkruar OKB-në si organizatë me “potencial të madh”, por tha se ajo nuk po e përmbush këtë potencial dhe ka krijuar një Bord Paqeje, i cili disa kanë frikë se mund ta minojë organin e vjetër ndërkombëtar.
E themeluar në vitin 1945, OKB-ja ka 193 shtete anëtare dhe punon për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar të drejtat e njeriut, për të nxitur zhvillimin social dhe ekonomik dhe për të koordinuar ndihmën humanitare.
Në letrën e tij, Guterres tha se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt të miratuar tani janë njoftuar zyrtarisht”.
Por, ai nuk tha se për cilin shtet ose shtete po i referohej.
Sipas rregullave të OKB-së, kontributet varen nga madhësia e ekonomisë së secilit shtet anëtar.
SHBA-të përbëjnë 22% të buxhetit bazë, të ndjekura nga Kina me 20%.
Por deri në fund të vitit 2025, kishte një rekord prej 1.57 miliardë dollarësh në detyrime të papaguara, sipas Guterres, pa i përmendur ato.
“Ose të gjitha shtetet anëtare duhet të respektojnë detyrimet e tyre për të paguar plotësisht dhe në kohë - ose shtetet anëtare duhet të rishikojnë rrënjësisht rregullat tona financiare për të parandaluar një kolaps të afërt financiar”, tha ai.
Guterres ngriti një grup pune për reformën vitin e kaluar, të njohur si UN80, i cili synon të ulë kostot dhe të përmirësojë efikasitetin.
Për këtë qëllim, shtetet ranë dakord të shkurtojnë buxhetin e vitit 2026 me rreth 7% në 3.45 miliardë dollarë.
Megjithatë, Guterres paralajmëroi në letër se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik. /Telegrafi/