Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po thellohet dhe po shndërrohet në një aleancë vizioni.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani u shpreh se ky partneritet ka lindur në kohë sfidash dhe është ndërtuar mbi besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë.
“Një partneritet që lindi në kohë sfidash dhe sot po thellohet si aleancë vizioni, duke dëshmuar se miqësia e vërtetë ndërtohet me besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani në një video që ka shpërndarë nga kjo vizitë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një partner i rëndësishëm strategjik për Kosovën, ndërsa vizita e saj synon forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.
Barcelona ka hedhur sytë nga Liga Premier për të gjetur një profil shpërthyes, që sjell ekuilibër dhe konkurrencë direkte në krahun e majtë të sulmit.
Në agjendën e drejtuesve të klubit katalanas spikat fort emri i Gabriel Martinellit, i cili po kalon një fazë tranzitore nën drejtimin e Mikel Artetës te Arsenali.
Nevoja për të përforcuar krahun e majtë vjen si pasojë e kalendarit të ngarkuar dhe ofertave të vazhdueshme nga Arabia Saudite për Raphinhan.
Përballë mundësisë së largimit të një prej lojtarëve kyç, Barcelona preferon të veprojë me kohë, duke kërkuar një profil të ri, agresiv dhe me përvojë në elitën e futbollit evropian.
Situata aktuale e sulmuesit brazilian në Londër i lehtëson synimet e klubit të drejtuar nga Joan Laporta, i cili po monitoron nga afër çdo zhvillim në “Emirates Stadium”.
Kontrata e Martinellit me “Topçinjtë” skadon në verën e vitit 2027, duke e bërë afatin kalimtar të radhës një moment vendimtar.
Me hyrjen në vitin e fundit efektiv të kontratës, çmimi i kartonit të tij mund të sillet rreth 45 milionë euro në treg.
Për Barcelonën, kjo përfaqëson një mundësi financiare të mençur për një futbollist që sapo ka kaluar moshën 23-vjeçare.
Nën Artetën, Martinelli ka humbur statusin e titullarit të padiskutueshëm, duke grumbulluar kryesisht minuta si lojtar rotacioni ose si zëvendësues me ndikim.
Megjithatë, pavarësisht se nuk është gjithmonë titullar, paraqitjet e tij janë mbresëlënëse: 10 gola dhe 2 asistime në vetëm 1.297 minuta të luajtura këtë sezon.
Pikërisht ky efikasitet para portës ka bindur analistët teknikë të Barcelonës se Martinelli është profili ideal për të përforcuar skuadrën aktuale./Telegrafi/
Gjatë vitit 2025, Kuvendi u vizitua nga 11,328 vizitorë, që është numri më i madh i vizitorëve që nga futja e mundësisë së vizitave të organizuara në vitin 2014. Numri i vizitave të organizuara ishte 239, ku shumica e tyre u zhvilluan në maj.
Siç informon shërbimi për shtyp i Kuvendit, vizitat e organizuara u realizuan me nxënës, studentë, organizata qytetare, delegacione të huaja, si dhe grupe qytetarësh të organizuara në mënyrë të pavarur.
Kuvendi i vazhdon vizitat e organizuara edhe në vitin 2026, ndërsa prej sot, njofton, fillojnë “Ditët e hapura”, të cilat do të mbahen çdo të premten, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi për vizitë dhe njohje me punën e Shtëpisë Ligjvënëse.
“Kuvendi hapi dyert e tij për vizita të organizuara dhe ture edukative edhe në vitin 2025 dhe vazhdoi t’u mundësojë qytetarëve të njihen nga afër me ambientet dhe punën e Dhomës Ligjvënëse. Turet e organizuara janë të dedikuara për nxënësit, studentët, organizatat qytetare dhe grupet e tjera të interesuara dhe përfshijnë vizita njëorëshe me guidë në ambientet e Kuvendit, njohja me historikun e tij, kompetencat, funksionimin dhe rëndësinë e vetë institucionit”, citohet në kumtesë.
Vizitat shënuan nota të larta në pyetësorët e vlerësimit – vizitorët vlerësuan pozitivisht programin dhe informacionet e ndara, qëndrimin e guidës dhe vizitën në tërësi.
Salla më mbresëlënëse midis vizitorëve është Salla e Ohrit, e dekoruar me gdhendje me motive popullore, e cila përdoret nga Kryetari i Kuvendit për takime me koordinatorët e grupeve parlamentare, aktivitete protokollare, nënshkrimin e deklaratave dhe ngjarje të tjera.
“Vizitat e organizuara përfshijnë edhe vizita në Sallën Plenare, Sallën “Boris Trajkovski”, Sallën “Drugdhendje” (si pjesë e Kabinetit të Kryetarit), Sallën e Kristaltë, Sallën e Komisionit Kushtetues dhe salla të tjera të ndërtesës së Kuvendit. Kuvendi dhe Instituti Parlamentar i ftojnë të gjithë qytetarët, shkollat, fakultetet dhe organizatat e interesuara të shfrytëzojnë mundësinë për të vizituar dhe përjetuar Kuvendin nga brenda”, citon shërbimi për shtyp i Kuvendit.
Informacionet mbi paraqitjen dhe organizimin e vizitave janë të disponueshme në faqen e internetit të Kuvendit.
Arsenali po shqyrton mundësinë e një goditjeje të madhe në afatin kalimtar të verës për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, me “Topçinjtë” që janë të gatshëm të hyjnë në garë me Chelsean dhe Barcelonën për firmën e tij.
Ish-sulmuesi i Manchester Cityt ka lënë përshtypje shumë të mira në futbollin spanjoll, duke shënuar 40 gola në 88 paraqitje që nga transferimi i tij te Atletico Madridi. Këto paraqitje kanë bërë që klubi madrilen ta vlerësojë argjentinasin rreth 87 milionë funte.
Edhe pse Barcelona besohet se është destinacioni i preferuar i Alvarezit, problemet e vazhdueshme financiare të katalanasve mund t’u hapin rrugë klubeve të Ligës Premier për të tentuar transferimin e tij.
Arsenali e di se rikthimi i reprezentuesit argjentinas në Angli nuk do të jetë i lehtë, por sheh një mundësi reale nëse Atletico Madridi qëndron i palëkundur në çmimin e kërkuar, në një kohë kur interesimi për lojtarin është i madh nga e gjithë Evropa.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Arsenalit nuk do ta kishin problem të shpenzonin një shifër të tillë për të siguruar shërbimet e një sulmuesi të nivelit të Julian Alvarez, duke e parë atë si profilin ideal për të forcuar repartin ofensiv në sezonet e ardhshme./Telegrafi
Qytetarët e frustruar për shkak të paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike protestuan sot para KEDS-it dhe Qeverisë. Pati edhe hedhje të tymosjes në drejtim të objektit të KEDS-it, derisa një i moshuar është arrestuar.
Protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me rritjen e të faturave të energjisë elektrike nga viti i kaluar e deri më tani.
Ata thonë se kjo situatë është e papërballueshme për familjet, pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta, në një kohë kur janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e ushqimeve, bukës dhe mallrave bazë, gjë që po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën.
Protestues nga qyteti i Ferizajt, Bastri Mustafa, tregon se padrejtësisht janë shtrenjtuar faturat e energjisë elektrike prej vitit të kaluar e deri më tash.
“Kjo është diçka katastrofale për jetën tonë që jetojmë në Kosovën e lirë. 146 euro më ka ardhë rryma për 1 muaj ditë. Unë ia dal ndoshta, unë jam pensioner edhe me një djalë jam, ama çka me bo një person që i ka 4 a 5 persona, çka do të han ai, a duhet me mendu qeveria për ata njerëz apo çetat i kanë mashtru, ka 100 euro ua kanë dhënë edhe çmimet në anën tjetër në hava. A mendon që faturat e rrymës janë rritur padrejtësisht? Normal, ajo dihet… 70 euro është më shumë e shtrenjtuar prej vitit të kaluar”, tha Mustafa.
Inxhinieri i elektroteknikës dhe ish-punonjësi i KEK-ut, Sylejman Krasniqi, ndan shqetësimet e rritjes së faturave të rrymës, duke e cekur se është shumë e vështirë për atë.
“Shumë shtrenjtë. Në KEK nuk ka pas kështu rritje, çdo muaj ka 50 apo 40 përqind. Ja me mbyt nënën, ja babën për me ble gjëra të nevojshme për shtëpi, as sheqer, as kripë, as biber, as… krejt senet u shtrenjtun. Tash ka me u rrit buka, krejt: me zejtari, me sheqer, me tesha, me këmisha, me maica, me krejt kanë me u rrit. S’ka pare mo, s’ka. Për ato po rrehen gjinia, po shkojnë në burg. Nuk e di vallë, se unë as nuk guxoj me mendu atë, se veç me mbyt veten”, theksoi Krasniqi.
I burgosuri politikë, Avdi Xhata është shprehur i revoltuar nga kjo situatë.
“Qeveri kriminale i ka lënduar me qindra policë, që sot këta fëmijët tanë të mjerë e kapin prindërit e tyre pse kundërshton shtrenjtimin e rrymës. Unë plak 70-vjeçar kam me i pri këtij populli për ta përmbys këtë qeveri, qeveri kriminale. Ai kryeministër që ik prej popullit nuk është kryeministër i popullit të Kosovës”, tha Xhata.
Qytetarët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të rishikojnë urgjentisht politikat e çmimeve të energjisë elektrike dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për familjet që mezi po përballojnë shpenzimet mujore./KosovaPress
BE-ja ka njoftuar propozimet për paketën e saj të 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, që mbulojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë.
Ajo përfshin një ndalim të plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse, si dhe shtimin e 43 anijeve të tjera pjesë e të ashtuquajturës 'flotë në hije' të Kremlinit, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Një ndalim i ri për mallrat dhe shërbimet do të shtrëngojë kufizimet e eksportit që vijnë nga Rusia, ndërsa ndalimet e reja të importit për metalet, kimikatet dhe mineralet kritike do të vlejnë më shumë se 570 milionë euro.
Do të merren masa gjithashtu kundër kompanive dhe platformave që mundësojnë tregtinë e kriptomonedhave dhe do të listohen 20 banka të tjera rajonale ruse në listën e sanksioneve.
“Rusia do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm me qëllim të sinqertë nëse i bëhet presion ta bëjë këtë. Kjo është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një hap përpara sot”, tha von der Leyen.
Ndryshe, propozimi duhet të miratohet nga 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi zyrtarisht.
Paketa e 19-të e sanksioneve të bllokut - e cila synonte flotën e saj në hije dhe ndaloi importet e gazit natyror të lëngshëm - hyri në fuqi në nëntor. /Telegrafi/
Një tjetër moment tensioni është shënuar brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, ku këtë herë protagonistë ishin Londrimi dhe Labinoti.
Derisa Londrimi po këndonte disa nga hitet botërore dhe po shijonte momentin e tij muzikor, ai u ndërpre papritur nga Labinoti, veprim që nuk u prit aspak mirë.
Këngëtari reagoi menjëherë dhe me tone të ashpra, duke i thënë se mundet edhe “ta shurdhojë”, deklaratë që e rriti më tej tensionin mes tyre.
Debati nuk u mbyll me kaq, pasi diskutimi mes dyshes vijoi edhe më gjatë, duke tërhequr vëmendjen e banorëve të tjerë. Në këtë situatë, Klodi u pozicionua hapur në krah të Londrimit, duke ia mbajtur anën dhe duke kundërshtuar ndërhyrjen e Labinotit.
Ky episod ka nxitur reagime edhe jashtë shtëpisë, me publikun që po e komenton gjerësisht përplasjen dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes banorëve, teksa gara po bëhet gjithnjë e më e ashpër. /Telegrafi/
Kurora e Perandoreshës Franceze Eugenie, e cila u rikuperua pas grabitjes së Luvrit vitin e kaluar, mbeti e dëmtuar - por do të restaurohet, njoftoi muzeu.
Bizhuteri me vlerë rreth 76 milionë paund u vodhën në një bastisje të guximshme në muzeun në Paris më 19 tetor të vitit të kaluar.
Hajdutët, të cilët e grabitën brenda pak minutash, ndërsa atraksioni ishte i hapur për vizitorët, lanë një zbukurim koke me diamante që i përkiste gruas së Napoleonit III - i cili sundoi Francën në shekullin e 19-të - pasi e hodhën atë gjatë arratisjes së tyre.
Kurora pësoi "dëmtime" dhe ishte "deformuar ndjeshëm" - por restaurimi do të jetë i mundur pa pasur nevojë për rindërtim ose rikrijim.
Muzeu publikoi gjithashtu fotografi të kurorës së dëmtuar, së cilës tha se i mungon një nga tetë shqiponjat e arta që e zbukuronin, por ruan 56 smeraldet dhe të gjitha, përveç 10 prej 1,354 diamanteve.
Restaurimi do të mbikëqyret nga një komitet ekspertësh i udhëhequr nga drejtori i Luvrit , Laurence des Cars.
Ndryshe, pesë persona janë akuzuar për përfshirje në grabitje, megjithatë, sasia e vjedhur - që përfshinte bizhuteri të lidhura me figura të tjera mbretërore nga historia franceze - nuk është rikuperuar. /Telegrafi/
Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një edicion shumë pozitiv me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.
Deri më tani, 23-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 21 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës së tij.
Forma e mirë e Asllanit nuk ka kaluar pa u vërejtur në Gjermani.
Sipas mediumeve gjermane, për sulmuesin kosovar kanë shprehur interesim dy gjigantë të futbollit gjerman, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi. Interesimi është konfirmuar të premten edhe nga mediumi T-Online.
Për paraqitjet dhe potencialin e Asllanit ka folur edhe ndihmëstrajneri i Hoffenheimit, Moritz Volz, i cili e ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar.
“Fisniku është djalë i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë lojtar fantastik. Kënaqesh duke e parë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”.
“Megjithatë, prioriteti i tij është që të kalojë formë sa më të mirë në Bundesligë dhe me përfaqësuesen. Më pas do të shohim”.
“Fokusi jonë është që ta vazhdojmë punën me Fisin për potencialin që e ka. Deri tani ka shfaqur potencial të madh për moshën që e ka. Por, ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe për përmirësim”, ka deklaruar Volz.
Hoffenheimin të dielën nga ora 17:30 e pret një sfidë e madhe, pasi luan në udhëtim ndaj Bayern Munichut, skuadrës lidere të Bundesligës.
Vlen të theksohet se Hoffenheimi është i vetmi ekip në Bundesligë që i ka fituar të gjitha ndeshjet gjatë muajit janar, duke konfirmuar formën e lartë në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.
Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.
Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo ka qenë dhe mbetet një partnere kyçe dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj.
Takimi u vlerësua si pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për tejkalimin e sfidave politike dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer ka kritikuar sjelljen e Cristiano Ronaldos, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme për nivelin dhe statusin e tij.
Më herët, sulmuesi portugez mungoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Al-Riyadh, të cilën skuadra e tij e fitoi 1-0. Po ashtu, u raportua se ai nuk mori pjesë as në stërvitje pas kësaj përballjeje.
Para kësaj, u bë e ditur se Ronaldo është i pakënaqur me mënyrën se si Fondi Sovran i Arabisë Saudite (PIF) po e menaxhon klubin e tij, krahasuar me rivalët, veçanërisht Al-Hilal. Gjithashtu, kishte raportime se portugezi ishte kundër transferimit të Karim Benzemas te Al-Hilal, duke e konsideruar atë si “dëm për konkurrencën”.
Për zhvillimet në Ligën Saudite ka reaguar edhe Shearer, i cili kritikoi Ronaldon që paguhet tepër dhe vendosë të hyjë në “grevë”.
“Jo shumë njerëz fitojnë më shumë se 400 mijë euro në ditë dhe vendosin të hyjnë në grevë. Duhet të jetë bukur të thuash se nuk do të shkosh në punë, pavarësisht parave që fiton”.
“Kur e mendon mirë, kjo duket e çuditshme. Ai është një superyll, por një grevë në atë nivel duket keq”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Ronaldo ka refuzuar të luajë edhe ndaj Al Ittihad, kurse nuk dihet për sa kohë do ta vazhdojë këtë qëndrim./Telegrafi
Sistemi “Safe City” së shpejti do të funksionojë në Ohër dhe Strugë, me instalimin e gjithsej 40 kamerave të trafikut që do të zbulojnë shkeljet dhe do të shërbejnë si një mjet për disiplinë më të madhe në rrugë.
Një pjesë e infrastrukturës është tashmë në teren: katër kamera janë instaluar në seksionin e autostradës Ohër-Kërçovë, pranë Gorencit dhe Trebenishtës, si dhe pranë Botunit dhe Novo Sellës në Debrcë.
Për momentin, kamerat nuk vendosin sanksione – sistemi është në fazën e testimit teknik dhe kontrollit të pajisjeve.
SPB Ohër raporton se qëllimi është të zvogëlohen shkeljet dhe aksidentet e trafikut, veçanërisht gjatë periudhave të mbingarkesës më të madhe të trafikut dhe rrezikut më të lartë të drejtimit të pakujdesshëm, parkimit të paligjshëm dhe “tejkalimit” të shpejtë në autostrada dhe hyrje në zonat turistike.
Projekti “Qyteti i Sigurt” ka filluar tashmë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ku gjobat filluan më 1 shkurt 2026, pas periudhës së mëparshme të testimit nga 1 dhjetori 2025. Sistemi do të zgjerohet në të gjithë vendin, me një rritje graduale të mbulimit sipas vendndodhjes dhe llojit të veprës penale.
Qytetarët paralajmërohen se kamerat do të bëhen “aktive” pas përfundimit të testeve dhe lançimit zyrtar, dhe pikat më të rrezikshme do të jenë ato ku trafiku tradicionalisht është më intensiv.
SPB thekson se transparenca është po aq e rëndësishme sa teknologjia, me informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë të kamerave, llojin e veprave penale të sanksionuara, kalibrimin e pajisjeve dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Elton John tha gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Lartë në Londër se u tërbua kur mësoi për akuzat se telefonat e tij fiks ishin përgjuar në emër të DailyMail.
Ai deklaroi se veprimet e DailyMail binin jashtë standardeve më themelore të mirësjelljes njerëzore. John paditi Associated Newspapers, botuesin e DailyMail, për shkelje të supozuara të privatësisë së bashku me bashkëshortin e tij David Furnish, Princin Harry dhe katër të tjerë.
Associated ka mohuar akuzat për përgjim telefonash dhe shkelje të tjera dhe pretendon se artikujt e saj në gazeta bazohen në informacione që janë tashmë të disponueshme publikisht ose të marra nga burime legjitime, siç janë lajmet nga rrethet shoqërore të personazheve të famshëm.
Foto: Elton John/Instagram
John, i cili u paraqit nëpërmjet videos, tha se mësoi për parregullsitë e supozuara të Mail vetëm kur shoqja e tij e ngushtë, aktorja Elizabeth Hurley, e cila është gjithashtu një nga paditëset, ia tregoi. Hurley u informua nga një hetues privat se telefonat fiks të John-it u përgjuan ndërsa ajo po qëndronte me të menjëherë pas lindjes së djalit të saj.
Dëshmia e prokurorit privat është një nga çështjet kryesore të kontestuara në këtë çështje, sepse pasi dha një deklaratë para prokurorëve, ai tani e ka tërhequr atë deklaratë dhe ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e saj.
"Kur e kuptuam seriozitetin e asaj që kishte ndodhur, u indinjuam", tha ai.
John deklaron se ndërsa Hurley po qëndronte me të, tre nga telefonat e tij fiks u hakuan. /Telegrafi/
Në një zhvillim të madh, mediumi spanjoll ElDesmarque raporton se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka në shënjestër një lëvizje për yllin e Barcelonës, Pedri, në vitin 2027.
Lajmi u bë fillimisht i ditur nga gazetari Siro Lopez në fillim të javës, i cili zbuloi se Perez e shihte nënshkrimin e Pedrit nga Barça si një operacion “ëndrrash”.
Në vitin 2000, Perez i rrëmbeu Barcelonës Luis Figon, në një nga transferimet më famëkeqe në historinë moderne të futbollit.
Tani, Perez ka në shënjestër një lëvizje të ngjashme, me Pedrin në fokus. Sipas raportimit, transferimi do të synohej për sezonin 2027/28, që do të thotë se presidenti i Real Madridit po mendon ta nënshkruajë reprezentuesin spanjoll në verën e vitit 2027.
Duhet kujtuar se Real Madridi ka qenë duke skanuar tregun për mesfushorë, pasi nuk ka arritur të zëvendësojë as Toni Kroos dhe as Luka Modric.
Për rrjedhojë, nënshkrimi i një mesfushori të ri për afatin e ardhshëm kalimtar veror është në krye të agjendës.
Megjithatë, Perez po shikon përtej kësaj dhe është i etur ta bëjë realitet një marrëveshje për Pedrin në vitin 2027.
Sidoqoftë, ky do të ishte një transferim pothuajse i pamundur për disa arsye. Pedri ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030, ka një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh dhe, mbi të gjitha, ndjen një përkatësi të fortë ndaj blaugranave.
Real Madridi kishte pasur një mundësi për të nënshkruar mesfushorin spanjoll 23-vjeçar kur atij iu ofrua një provë në moshë të re. Megjithatë, siç e ka konfirmuar vetë lojtari, klubi e refuzoi./Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të qendrave të numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka zhvilluar veprime intensive hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike.
Në kuadër të këtyre veprimeve, janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në procesin e falsifikimit të rezultateve gjatë numërimit të votave.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./Telegrafi/
Juventus ka vendosur mesfushorin e Newcastle United, Sandro Tonali, si objektivin kryesor të tregut të transferimeve të verës.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” janë të bindur se italiani dëshiron të rikthehet në Itali, duke e parë skuadrën italiane si destinacion ideal për hapin e radhës në karrierë.
Megjithatë, Juve është e vetëdijshëm se një operacion i tillë do të kërkonte një investim të konsiderueshëm financiar. Klubi bardhezi shpreson që situata e Newcastle United në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm të luajë rol vendimtar në negociata.
Në rast se skuadra angleze nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, ekziston mundësia që ajo të detyrohet të shesë një nga yjet e saj për të respektuar rregullat e Fair Play-it Financiar, duke hapur kështu derën për një rikthim të Tonalit në Serie A.
Kujtojmë se 25-vjeçari në të kaluarën ishte pjesë e Milanit. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, në komunat që janë nën kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 janar 2026 Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës për manipulime të mundshme të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe pas pranimit të raporteve fillestare, Prokuroria ka bërë të ditur se në komunën e Ferizajt, nga 153 vendvotime të përfshira në raport, keqpërdorimet kanë qenë në përqindje të ulët. Konkretisht, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë janë evidentuar shtesa prej një deri në tre vota.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve të konstatuara është e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë të shtimit të votave. Sipas raportit, për tre kandidatë janë regjistruar shtesa që variojnë nga dhjetë deri në 45 vota.
Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve në komunën e Shtimes.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të reja që kërkojnë veprime shtesë hetimore.
Në fund, Prokuroria ka ritheksuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo rast i dyshuar do të trajtohet në përputhje me ligjin./Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka hapur një faqe interneti të re qeveritare që synon uljen e kostove të barnave me recetë për amerikanët.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten TrumpRx.gov, i cili paraqet më shumë se 40 ilaçe nga pesë kompani farmaceutike që arritën marrëveshje çmimesh me administratën: AstraZeneca, Eli Lilly, EMD Serono, Novo Nordisk dhe Pfizer.
"Do të kurseni një pasuri", tha Trump.
"Kjo është gjithashtu shumë e mirë për kujdesin shëndetësor në përgjithësi", shtoi ai.
Si funksionon?
Faqja premton "çmimet më të ulëta në botë për ilaçet me recetë" dhe shfaq ilaçe të njohura, duke përfshirë trajtimet për humbje peshe si Ozempic dhe Wegovy.
Përdoruesit mund të kërkojnë ilaçet e tyre, të shtypin një kupon dhe ta paraqesin atë në farmaci për të marrë çmimin e zbritur.
Uebsajti i organizuar nga qeveria nuk shet ilaçe drejtpërdrejt.
Në vend të kësaj, ai vepron si një lehtësues, duke i drejtuar amerikanët te faqet e internetit të prodhuesve të ilaçeve që ofrojnë shërbime direkte me konsumatorin ose duke ofruar kuponë për blerjet në farmaci.
"Pacientët do të jenë në gjendje të përfitojnë zbritje të mëdha për shumë nga ilaçet më të njohura dhe me çmimet më të larta në vend, duke paguar çmime në përputhje me çmimet më të ulëta të paguara nga vendet e tjera të zhvilluara", tha Shtëpia e Bardhë.
Administrata Trump e ka paraqitur iniciativën si një sfidë ndaj fuqisë së çmimeve të industrisë farmaceutike.
“Presidenti Trump po përmbush premtimet për të siguruar që pacientët amerikanë të mos paguajnë më çmime të larta për të subvencionuar çmimet e ulëta në pjesën tjetër të botës”, thuhet në faqen e internetit. /Telegrafi/
Parregullsi të shumta janë detektuar në disa Institucione shëndetësore publike dhe private. Janë dhënë pushime mjekësore pa pasur nevojë, disa drejtor të klinikave kanë marrë paga më shumë se duhet, ndërsa klinikat gjinekologjike kanë punuar pa kupon fiskalë.
“Në lidhje me pushimet mjekësore, ne jemi duke shqiptuar dënime në 28 institucione private shëndetësore, ku dënimet do të jenë në shumë prej 1.2 milionë denarë dhe për dikë do të jetë për herë të parë, për dikë kemi përsëritje të dënimeve. Tek gjinekologët, për fat të keq kemi një valë të re të ankesave për mos dhënien e kuponit fiskal, kemi 12 ankesa të reja”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor. Klekovski për Alsat tha se janë duke shqyrtuar ndryshimin e politikës penale, pasi dënimet e deritanishme nuk kanë ndikuar në ndalimin e shkeljeve të rregullave. “Politika penale në disa zona nuk demotivon shkeljen e rregullave, dënimet janë të vogla dhe në thelb është e përballueshme ti shkelin rregullat. P.sh për institucionet publike shëndetësore dënimi maksimal është 75 mijë denarë, kështu që kjo nuk ka kuptim”, tha Sasho Klkeovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski tha se Fondi është duke punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha këto raste të detektuara.
Karim Benzema u përplas me një gazetar në një intervistë të zjarrtë pasi shënoi një hat-trick në debutimin e tij për klubin e ri, Al Hilal.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, Benzema, 38 vjeç, refuzoi ofertën për zgjatje kontrate te ish-klubi Al Ittihad për t’u transferuar të hënën te një nga rivalët e tyre më të mëdhenj, Al Hilal.
Ky transferim shkaktoi tronditje në të gjithë Superligën e Arabisë, me ESPN që pretendoi se ylli i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, u përpoq të bllokonte kalimin e Benzemas, pasi e konsideronte të padrejtë.
Pretendohet se Ronaldo mendonte se transferimi “tregonte se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF) donte t’i hapte rrugën Al Hilal për të fituar titullin” me nënshkrimin e ish-shokut të tij të skuadrës te Madridi.
Ronaldo refuzoi të luante në ndeshjen e Al Nassr kundër Al Riyadh të hënën dhe raportohet se është gati të bojkotojë edhe ndeshjen e radhës kundër ish-klubit të Benzemas, Al Ittihad, të premten.
Pavarësisht veprimeve të Ronaldos, Benzema e përfundoi transferimin te Al Hilal të hënën dhe e nisi në mënyrën perfekte aventurën e tij te klubi i ri – duke shënuar një hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Al Akhdoud në transfertë, të enjten në mbrëmje.
Pas ndeshjes, Benzema u përplas me një gazetar pasi u pyet vazhdimisht pse zgjodhi të largohej nga Al Ittihad për t’u bashkuar me Al Hilal.
🚨| Karim Benzema visibly loses his cool after a journalist repeatedly questions him about Al-Ittihad. 😬🔥