Pas rreth dy orësh ka përfunduar protesta kombëtare e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e katërta në radhë për këtë lëvizje. Qytetarë të shumtë iu bashkuan demonstratës, duke bërë thirrje për protesta masive kundër korrupsionit dhe për dorëheqjen e qeverisë.
Me pankarta në duar dhe slogane si “Edi Rama o hajdut”, “Ku shkuan miliardat e vjedhura” dhe “Edi Rama je bo bajat”, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisjes. Në protestë morën pjesë edhe shqiptarë nga diaspora.
Gjatë fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, drejtuesi i lëvizjes, Adriatik Lapaj, renditi një sërë skandalesh që, sipas tij, përfshijnë qeverinë Rama, duke përmendur aferat nga zv.kryeministrja Belinda Balluku deri te AKSHI.
Lapaj theksoi se këto janë arsye të mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë, duke akuzuar mazhorancën për vjedhje të fondeve publike dhe për detyrimin e të rinjve që të largohen nga vendi.
“Kjo është një betejë mes një pakice që ka zaptuar zyrat dhe ndan paratë e buxhetit të shtetit dhe shumicës së qytetarëve që mezi përballojnë jetesën”, u shpreh ai, duke shtuar se protesta është një përballje mes pabarazisë sociale dhe luksit të pushtetit.
Protesta u zhvillua pa incidente dhe u mbyll me thirrje për vijimin e aksionit qytetar kundër korrupsionit.
Në listën e 9 të nominuarve për këtë javë, renditet dhe emri i Mirit, i cili ndonëse shumë herë është përzgjedhur si më i preferuari i publikut, prime-n e sotëm mundet që të lërë shtëpinë.
Vetëm pak orë para prime-t të sotëm, Miri ka biseduar me Selinin për nomimin e tij. Banori i kërkon Selinës se në rast se ai mbaron rrugëtimin e tij në “BBVA5” mbrëmjen e sotme, ta ndihmojë me përgatitjen e valixhes.
Selin nga ana e saj shfaqet e gatshme për t’i përgatitur valixhen. Mirëpo Miri befasohet nga përgjigja e banores, me të cilën për 1 muaj ka ndarë krevatin.
Miri priste që në rast se ai eliminohet sonte, Selin t’i bashkohej duke braktisur garën. Kjo e fundit “e ka befasuar” me zgjedhjen e saj.
“Kur të ikësh ti unë do të bëj gati valixhen, madje do të të fus brenda ndonjë gjë timen që ta kesh kujtim, derisa të vij unë” dëgjohet Selin duke i thënë Mirit.
Zgjedhja e Selin mendohet të jetë bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj Mirit, i cili pak ditë më parë kur kishte rastin për ta shpëtuar nga zinxhiri i banorëve të rrezikuar, nuk e zgjodhi.
Kujtojmë se Miri dhe Selin, ndonëse shpesh-herë janë përzgjedhur si dy lojtarët më të preferuar, jo të pakta kanë qenë rastet kur dyshja është kritikuar në rrjet për afrimitetin e tyre.
Sakaq, 9 banorët që janë në televotim mbrëmjen e sotme janë: Angelo, Artani, Gimbo, Kristi, Mali, Miri, Mateo, Rogerti dhe Stenaldo.
Njëri prej nëntë të nominuarve pritet që sonte të përfundojë rrugëtimin e tij në “BBVA5”.
“Një kornizë për negociata me Shtetet e Bashkuara po formohet”, tha zyrtari i lartë i sigurisë iraniane, Ali Larijani, në një postim në X, ndërsa retë e luftës mblidhen përsëri në Gjirin Persik.
“Në kundërshtim me atmosferën e krijuar nga lufta artificiale mediatike, formimi i një strukture për negociata është duke u zhvilluar”, shkroi Larijani, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Vlen të përmendet se të premten, ndërsa armata e madhe amerikane po mbërrinte në Lindjen e Mesme, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerësoi se Irani dëshiron të “bëjë një marrëveshje” me SHBA-në.
“Mund t’ju them se ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha presidenti i SHBA-së gazetarëve në Zyrën Ovale. Kur u pyet nëse u kishte dhënë iranianëve një afat, Trump u përgjigj “po” pa sqarime të mëtejshme.
Pasi paralajmëroi se “koha po mbaron” para një sulmi ndaj Teheranit, Trump tha gjithashtu se “shpreson” se nuk do të duhet të godasë Iranin, i cili është gjithashtu nën presion për të përfunduar një marrëveshje bërthamore.
Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë, çdo marrëveshje me Teheranin do të duhet të përfshijë tërheqjen e të gjithë uraniumit të pasuruar nga vendi, kufizimin e rezervave të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe ndryshimin e politikës ndaj grupeve të caktuara të armatosura në rajon.
Butrinti – Bylis B, nesër përballje direkte për kreun e renditjes – transmetohet LIVE nga Saranda Web Nesër, më 1 shkurt 2026, në orën 13:00, në Stadiumin “Andon Lapa”, do të luhet ndeshja mes ekipit sarandiot Butrinti dhe Bylis B, e vlefshme për Kategorinë e Dytë, Grupi B. Sfida ka rëndësi të […]
Ne flasim për lumturinë gjatë gjithë kohës , por rrallë ndalemi për të pyetur veten se çfarë do të thotë në të vërtetë mirëqenia. A do të thotë të kesh sukses, stabilitet apo një jetë pa stuhi? Apo ndoshta, siç thotë Elsa Punset, një shkrimtare e specializuar në psikologji, inteligjencë emocionale dhe mirëqenie, lumturia ka më shumë të bëjë me harmoninë tonë të brendshme.
Në një kohë kur krahasimi i vazhdueshëm, kërkesat dhe presioni për të përmbushur pritjet na shkaktojnë lodhje të madhe emocionale, ajo që duhet të bëjmë është të jemi autentikë, thotë ajo për revistën spanjolle Hola!.
Për këtë arsye, lumturia nuk mund të përcaktohet plotësisht nga mosha dhe, sipas saj, nuk është e njëjtë për të gjithë. Siç thekson ajo, hapi i parë është të dëgjojmë më shumë veten dhe të guxojmë të ndjekim rrugën tonë, edhe kur ajo nuk përputhet me pritjet e zakonshme shoqërore. “Për mua, lumturia ka më shumë të bëjë me koherencën sesa me euforinë: me shikimin brenda vetes dhe ndjenjën se ajo që bën nuk bie ndesh me atë që je”, thotë ajo.
Gjithashtu thekson se cilësia e marrëdhënieve (p.sh. me miqtë, familjen dhe partnerët) është një nga faktorët më të rëndësishëm për lumturinë dhe shëndetin e përgjithshëm.
Së fundmi, ai vëren se mosha në të cilën jemi më të lumtur nuk është padyshim 20 vjeç: “Shumë studime përshkruajnë një kurbë në formë U-je: kënaqësia me jetën është zakonisht më e lartë në të rinj, bie në moshën e mesme – me një pikë mesatare rreth 47 vjeç – dhe rritet përsëri qartë pas të 70-ave” , vëren ai.
Çfarë thotë shkenca?
Hulumtimet tregojnë se përputhja e identitetit tonë personal me zgjedhjet dhe qëllimet tona rrit mirëqenien psikologjike, pasi zvogëlon konfliktin e brendshëm dhe rrit ndjenjën e qëndrueshmërisë midis asaj që jemi dhe asaj që bëjmë. Kjo plotëson idetë e Punset se lumturia ka më shumë të bëjë me koherencën e brendshme sesa me shpërblimet e menjëhershme të jashtme.
Për më tepër, vlerat personale, parimet që udhëheqin zgjedhjet dhe veprimet tona, janë një pjesë kyçe e mirëqenies psikologjike. Sipas një studimi të kohëve të fundit mbi të rinjtë, prania e kuptimit në jetë, jo vetëm kërkimi i tij, është ajo që rrit mirëqenien.
“Zbulimi më i famshëm modern i ombrellës” vjen nga Studimi i Harvardit mbi Zhvillimin e të Rriturve (studimi gjatësor më jetëgjatë i jetës së të rriturve): cilësia e marrëdhënieve të ngushta (jo numri i tyre) shoqërohet me shëndet më të mirë, jetëgjatësi më të madhe dhe mirëqenie më të lartë.
Thënë thjesht, marrëdhëniet veprojnë si një “faktor mbrojtës” kundër stresit kronik – dhe stresi kronik është një nga rrugët biologjike më të njohura drejt shëndetit më të dobët mendor dhe fizik.
Ideja e një kurbe mirëqenieje në formë U është konfirmuar nga hulumtimet. Pika më e ulët gjendet kryesisht rreth 40, ku detyrimet janë më të mëdha, dhe ne në përgjithësi mund të rishqyrtojmë zgjedhjet tona deri më tani.
Megjithatë, afër moshës 70 vjeç, kënaqësia me jetën rritet përsëri, ndoshta për shkak se ndryshojnë prioritetet më pak nevojë për afirmim, zgjedhje më të mira se ku ia vlen të jepet energji, më shumë “filtrim” i pritjeve toksike.
Megjithatë, në disa vende dhe në dekadat e fundit, kurba tradicionale U duket se po ndryshon, pasi mirëqenia e të rinjve ka rënë ndjeshëm, siç arrijnë në përfundimin studime më të fundit. Kjo do të thotë që, megjithëse për shumë njerëz mirëqenia përmirësohet në moshë më të madhe, “kur” dhe “si” varen nga shëndeti, mbështetja sociale, siguria ekonomike dhe konteksti social.
Një moment i papritur, por shumë domethënës, ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka ndezur diskutime të shumta në rrjetet sociale. Dolce dhe Lim, të cilët prej kohësh janë ndjekur nga publiku për raportin e tyre të ndërlikuar, janë parë duke u përqafuar, një veprim që menjëherë u interpretua si më shumë se një gjest i rastësishëm.
Pamjet, të kapura në një ambient të qetë dhe intim, tregojnë dyshen të afërt me njëri-tjetrin, duke reflektuar emocione që duket se nuk janë shuar me kalimin e kohës. Përqafimi i gjatë dhe gjuha e trupit kanë qenë elementët që kanë ngritur dyshime dhe kanë nxitur reagime të shumta nga ndjekësit.
Sipas shumë komentuesve, ky moment mbartte një dozë të fortë nostalgjie dhe mallëngjimi, duke lënë të kuptohet se mes Dolces dhe Limit mund të ekzistojë ende një lidhje emocionale e pazgjidhur. Edhe pse e shkuara e tyre ka qenë e shoqëruar me ulje-ngritje dhe zhvillime të ndryshme, ky veprim duket se ka rihapur kapituj që publiku mendonte se ishin mbyllur.
Natyrisht, përqafimi ka ngritur pikëpyetje të shumta: A ishte thjesht një moment spontan i mbushur me emocione, apo një sinjal i qartë se raporti mes tyre mund të marrë një kthesë të re? Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht, duke lënë hapësirë për interpretime dhe spekulime të mëtejshme.
Një gjë është e sigurt: ky moment nuk ka kaluar pa u vënë re dhe duket se Dolce dhe Lim, edhe pa fjalë, kanë arritur të jenë sërish në qendër të vëmendjes.
Prej ditësh po qarkullon një interpretim shqetësues dhe i çuditshëm mbi Kodin e ri Penal, sipas të cilit qytetarët shqiptarë rrezikojnë burg nëse kryejnë marrëdhënie seksuale gjatë një udhëtimi jashtë vendit. Pretendimi ka ngjallur reagime, konfuzion dhe frikë, por e vërteta juridike është krejt ndryshe nga ajo që po përflitet.
Neni në fjalë nuk ndalon seksin, nuk kriminalizon marrëdhëniet konsensuale dhe nuk i fut qytetarët në burg për jetën e tyre private gjatë pushimeve. Keqkuptimi vjen nga një lexim i shkëputur dhe i shtrembëruar i një dispozite që në fakt ka një qëllim shumë specifik dhe serioz.
Bëhet fjalë për nenin 108/b të draftit të Kodit të ri Penal, i cili flet për “organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale”. Ky nen nuk ka në fokus individin që udhëton, por organizatorin. Jo aktin intim mes dy të rriturve, por organizimin e udhëtimeve me synim kryerjen e veprave penale seksuale, të parashikuara në ligj.
Neni 108/b – Organizimi i udhëtimeve për qëllime seksuale
Organizimi i udhëtimeve për të tjerë, përkundrejt shpërblimit ose jo, me qëllim kryerjen e ndonjë prej veprave penale të parashikuara në këtë seksion ose në nenet 114, 114/a/1 dhe 117, pavarësisht parashikimeve ligjore përkatëse në vendin për ku organizohet udhëtimi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Kur kjo veprimtari kryhet nga personi juridik, gjykata, krahas dënimeve të tjera për të, vendos edhe mbarimin e personit juridik.
Teksti i nenit është i qartë: dënohet ai që organizon udhëtime për të tjerë, përkundrejt shpërblimit ose jo, me qëllim kryerjen e veprave penale seksuale, si shfrytëzimi i prostitucionit, abuzimi seksual apo përfshirja e të miturve. Pra, elementi kyç nuk është udhëtimi dhe as marrëdhënia seksuale në vetvete, por qëllimi penal i organizimit.
Kjo do të thotë se nëse një person organizon një udhëtim me synimin që gjatë atij udhëtimi të kryhet një vepër penale seksuale, ai person mban përgjegjësi penale edhe nëse akti ndodh jashtë territorit të Shqipërisë. Pikërisht këtu hyn edhe parimi ekstraterritorial, që ka për qëllim të luftojë fenomenin e turizmit seksual, veçanërisht shfrytëzimin e të miturve, edhe kur këto veprime ndodhin në vende të tjera.
Fraza “pavarësisht parashikimeve ligjore në vendin për ku organizohet udhëtimi” nuk nënkupton ndalim të seksit në vende të tjera, por faktin që Shqipëria synon të ndëshkojë organizatorët e këtyre udhëtimeve edhe nëse vendi ku ndodh akti ka legjislacion më tolerant ose zbatim më të dobët të ligjit.
Po ashtu, shprehja “përkundrejt shpërblimit apo jo” nuk do të thotë se dënohesh edhe nëse dikush thjesht kryen marrëdhënie pa pagesë. Ajo nënkupton që organizatori mban përgjegjësi penale edhe nëse nuk përfiton financiarisht, pra edhe nëse e bën këtë si favor, miqësi apo ndërmjetësim, për sa kohë që qëllimi mbetet kryerja e një vepre penale seksuale.
Interpretimi se “fton dikë në udhëtim dhe nëse ai bën seks, ti shkon në burg” është juridikisht i gabuar. Një ftesë për pushime, një udhëtim turistik apo një organizim normal nuk përbën vepër penale. Që të ketë dënim, duhet të provohet qartë se organizimi është bërë me qëllim shfrytëzimi, abuzimi apo kryerjeje të një vepre penale seksuale.
Kodi i ri Penal nuk ndërhyn në jetën private të qytetarëve, nuk kriminalizon marrëdhëniet konsensuale dhe nuk ndëshkon seksin gjatë udhëtimit. Ai synon të forcojë luftën kundër formave të rënda të shfrytëzimit seksual, sidomos kur ato maskohen si udhëtime turistike.
Ky nen nuk është një kërcënim për pushuesit, por një sinjal i fortë kundër turizmit seksual dhe abuzimit. Paniku i krijuar vjen nga një keqinterpretim i rrezikshëm që e zhvendos vëmendjen nga qëllimi real i ligjit dhe e shndërron një dispozitë mbrojtëse në një frikë kolektive të pajustifikuar.
E vërteta është kjo: nuk rrezikon burg sepse bën seks jashtë Shqipërisë. Rrezikon burg vetëm nëse organizon udhëtime me qëllim shfrytëzimin seksual apo kryerjen e veprave penale, pavarësisht se ku ndodhin ato.
Adriatik Lapaj, gjatë fjalës së tij në protestën e “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, deklaroi se kryeministri Edi Rama “është një mashtrues i cili i ka vjedhur këtij populli palcën në këto 13 vite duke i kanalizuar paratë e vendit tonë në pak duar”.
“Sot është simbol i korrupsionit dhe i tillë do të mbahet mend gjatë. Ai sot njihet si Edi që drejton bandën që e ka vjedhur më së shumti Shqipërinë. Edi Rama pretendon se ai është autor i Reformës në Drejtësi dhe se është krah drejtësisë. Edi Rama pretendon se është njeriu që po modernizon shtetin shqiptar. Edi Rama pretendon se është njeriu që ka luftuar korrupsionin. Edi Rama pretendon se në spitalet tona ka ilaçe dhe shërbimet janë më të mira se më parë. Edi Rama pretendon se bujqësia është vijuar nën qeverisjen e tij. Edi Rama pretendon se ka luftuar korrupsionin. Edi Rama pretendon se ka rritur pensionet dhe se prindërit tanë jetojnë më mirë se në të shkuarën. Edi Rama premton dhe pretendon se është njeriu që mund ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe se po ndërton Europën këtu në vatrat tona. Edi Rama është një mashtrues i cili i ka vjedhur këtij populli palcën në këto 13 vite duke i kanalizuar paratë e vendit tonë në pak duar. Ndaj, ne sot sërish njëzëri i themi: “Edi Rama, o hajdut, o hajdut, o hajdut”, tha Lapaj.
“Ju që jeni në këtë shesh jeni dallëndyshet e para të ndryshimit që do t’i japë udhë tranzicionit të stërzgjatur shqiptar. Ju jeni qëndrestarë që guxuat të dilni përtej egove personale, përtej frikës, duke e vrarë atë. Ndaj unë sot përulem përpara jush. Ndaj, është detyrë kombëtare rreshtimi krah drejtësisë dhe përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij. Siç e morët vesh, ju do të dënoheni edhe për parkimin dysh të makinave. Ndaj, kjo duhet të marrë fund dhe të bashkuar do t’i japim fund. Ata kanë pritur të dorëzohemi. Ata kanë pritur që shiu do na largojë. Ata kanë pritur që i ftohti -7 apo -3 gradë të na bëjë të dridhemi e të ikim natën. Nuk e kanë menduar që do të rezistojmë plot 55 ditë duke i thënë se ai është hajdut. Kjo qëndresë nuk ndalon. Kjo qëndresë po përhapet në çdo fshat, në çdo qytet. Është diskutuar e po diskutohet në çdo tavolinë. Kjo qëndresë do të prodhojë një bashkim të madh popullor për të ndalur një herë e mirë regjimin autokratik hajdut të Edi Ramës dhe bandës që ai drejton. Ndaj, unë sot i flas ndërgjegjes së çdo prindi që fëmijët nuk i kanë në vatrën e vet. I flas ndërgjegjes së çdo fëmije që shikon se si familjarët e tij, prindërit e tij në spital nuk gjejnë ilaçe për sëmundjet e rënda. I flas çdo kryefamiljari, ndërgjegjes së nënës dhe babait për faktin që po e lë fëmijën të rritet në një vend me korrupsion, me padrejtësi, me dhunë, me krim të organizuar. I thërras ndërgjegjes së çdo qytetari të këtij vendi. A do të heshni, a do ta pranoni këtë gjendje apo do të bashkoheni kundër hajdutërisë? Nuk ka më kohë. Koha është tani. Bashkimi duhet të ndodhë tani”, shtoi Lapaj. /et
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ishte tipikisht i drejtpërdrejtë kur u takua me anëtarët e parlamentit evropian këtë javë. Nga podiumi i sallës së komitetit me dru të verdhë në Bruksel, ai ishte i qartë: “Nëse dikush mendon se Bashkimi Evropian , ose Evropa në tërësi, mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundet. Ne nuk mundemi.”
Dhe nëse Evropa donte të zëvendësonte pengesën bërthamore të SHBA-së, angazhimet ekzistuese të shpenzimeve do të duhej të dyfishoheshin, shtoi ai – “kështu që, fat të mbarë!”
Komentet e tij i lanë disa eurodeputetë të tërbuar. Ish-kryeministri holandez – i cili provokoi tallje kur e quajti Donald Trump “Baba” – kishte irrituar tashmë disa deputetë me mbrojtjen e tij të fuqishme të interesit të presidentit amerikan në Arktik
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, e qortoi Rutte një ditë më vonë në mediat sociale: “Evropianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Edhe Shtetet e Bashkuara pajtohen . Është shtylla evropiane e NATO-s.”
Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, sugjeroi një qasje të ndryshme: “Ne duhet të synojmë një ushtri evropiane”, u tha ai gazetarëve në Bruksel këtë javë, duke shtuar, “Jam shumë i vetëdijshëm se kjo nuk bëhet nga një ditë në tjetrën”. Evropa, tha ai, kishte nevojë për “të gjitha llojet e parandalimit – ekonomik, politik, të sigurisë – në duart tona”.
Por një ushtri evropiane ka ngritur gjithmonë më shumë pyetje sesa përgjigje. A është një ushtri e BE-së apo mbarëevropiane? Një forcë krejt e re e komanduar nga Brukseli , apo një version i përmirësuar i strukturave ekzistuese?
Sophia Besch, një bashkëpunëtore e lartë në Carnegie Endowment for International Peace në Uashington, vërejti: “Për mbështetësit, është një qëllim shumë vizionar, dhe për kritikët është simbol i tejkalimit të kufijve – dhe është aq i paqartë sa nuk na duhet kurrë të diskutojmë me të vërtetë detajet.”
Megjithatë, pas toneve të papajtueshme publike qëndron një konsensus se anëtarët evropianë të NATO-s duhet të japin kontributin e tyre. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha këtë javë se NATO duhet të “bëhet më evropiane” për të ruajtur forcën e saj. “Evropa duhet të bëjë një hap përpara”, i tha ajo një audience të industrisë së mbrojtjes. “Asnjë fuqi e madhe në histori nuk e ka lënë mënjanë mbijetesën e saj dhe ka mbijetuar.”
Aleanca e NATO-s vitin e kaluar u zotua të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5% të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2035. BE-ja, e cila përfshin 23 vende të NATO-s midis 27 anëtarëve të saj, ka nisur një plan shpenzimesh për mbrojtjen prej 800 miliardë eurosh . Por, pas një pushimi të gjatë nga historia , a mund të rikthehet Evropa në gjendjen e saj të mëparshme?
“Evropianët po lëvizin në drejtimin e duhur dhe mund ta bëjnë këtë”, tha për Guardian Camille Grand, një ish-ndihmës sekretare e përgjithshme e NATO-s. “Është çështje e një përpjekjeje të vazhdueshme gjatë disa viteve. Është çështje blerjeje dhe përvetësimi të aftësive të duhura për të zvogëluar varësinë e tyre nga SHBA-ja”, tha Grand, tani sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Industrive Hapësinore, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes për Evropën.
Aftësia e Evropës për të qëndruar në këmbët e veta nuk ka një datë të saktë lançimi. “Nuk është sikur të mund të themi më 1 janar 2030: evropianët do të jenë plotësisht autonomë”, tha Grand.
Por data ka rëndësi sepse politikëbërësit, duke iu përgjigjur paralajmërimeve nga shërbimet e sigurisë për një sulm të mundshëm rus, thonë se Evropa duhet të ketë “ forcë të besueshme” për të larguar pushtuesit e mundshëm deri në vitin 2030 .
Nga pikëpamja e planifikuesve ushtarakë, viti 2030 është “nesër”, tha Grand, por Evropa mund të arrijë “përparim të konsiderueshëm” deri atëherë në përvetësimin e aftësive më të forta në një gamë të gjerë “mundësuesish strategjikë”.
Kjo i referohet një grupi të përzier aftësish kritike ku dominojnë SHBA-të, të tilla si inteligjenca, satelitët, raketat me rreze të gjatë veprimi, transporti ajror dhe mbrojtja nga raketat balistike. Evropa ndoshta nuk do të “plotësonte çdo kriter deri në vitin 2030”, por “ne mund të arrijmë përparim të konsiderueshëm”, tha Grand. Megjithëse, shtoi ai, do të kërkonte gjithashtu një “bisedë të sinqertë me SHBA-në” se Evropa do të kishte nevojë për disa asete amerikane përtej vitit 2030.
Por kërcënimet e Trumpit mbi Groenlandën dhe mbështetja e ftohtë ose e nxehtë për Ukrainën, që shpesh shndërrohet në pika diskutimi me Rusinë, kanë vënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit në një krizë.
Tobias Billström, një ish-ministër i jashtëm i Suedisë, i cili ndihmoi në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO , ka besim se SHBA-të do t’i vinin në ndihmë Evropës nëse aktivizohej klauzola e mbrojtjes kolektive, neni 5. Ai theksoi se SHBA-të përfitonin nga NATO, duke përmendur vendndodhjen dhe aftësitë ushtarake të anëtarëve të Arktikut, si Finlanda, Suedia, Norvegjia, Islanda.
Billström, i cili tani punon për Nordic Air Defence, një startup që zhvillon interceptorë dronësh me kosto të ulët, tha se Evropa do të duhet të jetë gati të mbrohet për vitet që vijnë. “Pavarësisht nga rezultati i luftës në Ukrainë, Rusia do të jetë, grafikisht, aty ku është. Do të jetë revanshiste. Do të përqendrohet në veprime hibride. Do të dëshirojë të prishë situatën. Do të ketë një nxitje shumë, shumë të qartë për të qenë agresive kundër nesh për një të ardhme të parashikueshme.”
Jo të gjithë janë kaq të sigurt për garancitë e SHBA-së. Besch, eksperti i mbrojtjes në qendrën Carnegie në Uashington, mendon se besimi është zhdukur. “Nuk mendoj se ka shumë iluzione midis ndonjë politikëbërësi evropian tani se ata mund të besojnë në garancitë e sigurisë së SHBA-së.”
Ajo sugjeroi që Evropa duhej të hiqte dorë nga zakonet e dekadave të vjetra në lidhje me përcaktimin e interesave të saj mbrojtëse. Planifikimi i aftësive të Evropës – “çfarë blejmë dhe çfarë zhvillojmë” – rrjedh nga planet rajonale të aftësive të NATO-s, të cilat ende mbështeten në një kontribut substancial nga SHBA-ja, tha ajo.
“Rreziku i asaj që besoj se po ndodh tani është se të gjithë po shpenzojmë shuma të mëdha parash dhe në fakt nuk do të jemi shumë më të pavarur nga SHBA-të brenda 10 deri në 15 vjetësh, sepse këto para nuk po shpenzohen në një mënyrë të koordinuar dhe të drejtuar për të zëvendësuar këta mundësues të SHBA-së.”
Vetëm paratë nuk janë përgjigja për dobësinë e mbrojtjes së Evropës, siç ilustrohet nga projekti problematik prej 100 miliardë eurosh për avionët luftarakë franko-gjermanë, i cili është i mbushur me mosmarrëveshje dhe mosbesim midis zhvilluesve . Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tregoi këtë javë se projekti mund të reduktohet në sisteme të përbashkëta , pa një avion. Një sistem avionësh luftarakë pa një avion luftarak do të ishte një emblemë e mbrojtjes evropiane për të gjitha arsyet e gabuara.
Ndërkohë, Evropa ka kohë që përpiqet të bashkojë shpenzimet e saj të mbrojtjes, që do të thotë dyfishim i kushtueshëm dhe një përzierje sistemesh të ndryshme që pengojnë efektivitetin në fushën e betejës. Vendet e BE-së, për shembull, i kanë siguruar Ukrainës 10 lloje të ndryshme obusësh të aftë për të qëlluar predha 155 mm, “duke krijuar vështirësi serioze logjistike për forcat e armatosura të Ukrainës”, sipas një raporti nga ish-kryeministri italian Mario Draghi. Në një shembull tjetër të fragmentimit, Draghi vuri në dukje se shtetet anëtare të BE-së operonin 12 lloje të ndryshme tankesh beteje, ndërsa SHBA-të përdornin një.
Për Besch, problemi shkon më thellë se rivalitetet industriale kombëtare. “Pyetja kryesore këtu është se kush është Evropa, çfarë është Evropa dhe çfarë po përpiqemi të bëjmë në të vërtetë? … Nëse standardi ynë për sukses është të zëvendësojmë gjithçka që SHBA-të bëjnë tani me aftësi, ushtri, mundësues etj. evropianë, jemi të destinuar të dështojmë”, tha ajo.
Evropa, tha ajo, duhej të përcaktonte interesat e veta strategjike, për shembull një version evropian të parandalimit bërthamor ose si të mbronte interesat e saj në rajonet nga Arktiku në Paqësor, gjë që mund të nënkuptojë sisteme “më të lira dhe më të shpejta”.
“Frika ime është se ne jemi ende të zënë në këtë bisedë rreth ‘a mund ta zëvendësojmë SHBA-në’, në vend që të përpiqemi të vendosim se çfarë po përpiqemi të bëjmë në të vërtetë pa to.”/et
Dy ditë para se të gjendej i vdekur në qeli, Jeffrey Epstein nënshkroi testamentin ku do të ndante pasurinë e tij.
‘Daily Mail’ shkruan se Epstein e nënshkroi testamentin më 8 gusht 2019, në qelinë e tij në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin për akuzat për trafikim seksual. Testamenti është publikuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Sipas medias britanike, ishin 44 persona të ndryshëm, të cilët do të përfitonin nga pasuria prej 288 milionë dollarë e Epstein.
Por, në vend që përfituesit e tij të merrnin miliona, pasuria e tij iu kalua një fondi besimi dhe që atëherë është përdorur për të kompensuar viktimat dhe për të paguar taksat dhe tarifat ligjore.
Sipas llogarive të fundit, kanë mbetur vetëm 127 milionë dollarë nga pasuria e Epstein.
Epstein donte t’i linte ish partneres së tij Karina Suljak 50 milionë dollarë, një unazë diamanti 33 karatësh dhe shtëpinë e tij në Nju Jork.
Shuliak, me origjinë nga Bjellorusia, mendohet se ka qenë në një lidhje me Epstein për tetë deri në dhjetë vjet.
Shuliak ishte personi i fundit që foli me Epstein në telefon para vetëvrasjes së tij. 11 ditë para vdekjes së tij, ajo e vizitoi atë në qeli. Shuliak kishte qenë gjithashtu me Epstein në avionin e tij privat kur ai u arrestua në korrik 2019 nga FBI në New Jersey.
Epstein planifikoi t’i jepte asaj një fermë në New Mexico, pronën e tij në Little St. James dhe pronën e tij në Great St. James.
Ndërkaq, 50 milionë dollarë, Epstein donte që t’ia jepte avokatit të tij Darren Indyke dhe 25 milionë dollarë do t’i shkonin kontabilistit Richard Kahn. Indyke dhe Kahn nënshkruan testamentin 8 ditë pas vdekjes së Epstein.
Partnerja e tij, Ghislaine Maxwell e cila po vuan një dënim me 20 vjet burg për mashtrimi, do të merrte 8,438,820 dollarë.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi një ditë më parë 3 milionë faqe të reja në lidhje me dosjen ‘Epstein’./et
Ngutja e prindërve për të përdorur antibiotikë tek fëmijët, pa u konsultuar më parë me mjekun pediatër, mund të shoqërohet me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre. Antibiotikët janë thelbësorë në luftimin e infeksioneve bakteriale dhe kanë shpëtuar miliona jetë, por njëkohësisht dëmtojnë edhe bakteret e mira të organizmit.
E ftuar në studion e emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, Dr. Sonila Shala Boriçi, mjeke pneumo-alergologe pediatre, theksoi se përdorimi pa kriter i antibiotikëve çon në rezistencë bakteriale, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e tyre në të ardhmen.
“Antibiotik nga vetë fjala thotë kundër gjërave të gjalla, domethënë antibiotiku vret gjallesat që janë bakteret e këqija, por njëkohësisht vret dhe bakteret e mira. Përdorimi i një antibiotiku të panevojshëm shkatërron bioflorën që është esenciale për jetesën normale dhe zhvillimin normal të funksioneve trupore, kështu që në këto rrethana ne bëjmë një dëm shumë më të madh dhe në anën tjetër bakteret të cilat gjenden në organizëm janë gjallesa inteligjente, jetojnë në tokë që kur ka filluar jeta në tokë dhe kanë arritur t’i përballojnë gjitha sprovat. Në këtë prizëm ato krijojnë mjetet e veta të rezistencës, adaptohen dhe në një moment të dytë kur ne të kemi nevojë për të përdorur realisht një antibiotik, këto antibiotikë nuk do funksionojnë dhe do jetë shumë e vështirë për zhduk këto baktere të cilat kanë krijuar ato mekanizmat mbrojtës dhe kanë krijuar atë rezistencën për të cilën ne po flisnim.” – shpjegoi mjekja.
Në periudhën e virozave respiratore te fëmijët, prindërit shpesh konfuzohen nëse janë përballë një gripi apo një alergjie. Marrja e medikamenteve pa recetë mund të mos përmirësojë gjendjen, për shkak të një trajtimi të gabuar dhe mungesës së një diagnoze të saktë. Por si mund të bëhet dallimi mes gripit, infeksioneve respiratore dhe alergjive?
“Kjo ndodh te grupmosha e fëmijëve zero deri në pesë vjeç. Infeksionet respiratore shkojnë paralel me problemet alergjike dhe mund të themi që në këtë grupmoshë ato bashkëshoqërojnë njëra-tjetrën dhe janë shumë shpesh infeksionet respiratore ato që nxjerrin në pah mundësinë e një problemi alergjik. Sidomos virozat që ne i shohim tani në periudhën e dimrit, ato nxisin simptoma, kështu që vetë infeksioni viral shërben si triger, por edhe si një sinjal alarmi që këtu mund të kemi një komponent alergjik. Në këto raste, nëse ne kemi fenomene të përsëritura të tilla, atëherë kjo është një sinjal edhe për mjekët edhe për prindërit, nëse ky problem alergjik pastaj evidentohet, sigurisht që fillohet një mjekim parandalues profilaktik, pasi parandalimi është gjithmonë më mirë sesa kurimi.” – shtoi mjekja./et
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të paraqitet ditën e dielë në seancën e radhës në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Seanca do të shqyrtojë masën e sigurisë, ku gjykata do të vendosë nëse masa e arrestit në burg do të ndryshohet në arrest shtëpie.
Mësohet nga burimet se seancë gjyqësore do të ketë edhr ditën e hënë në orën 11:00. Ku sipas burimeve, Veliaj do të të jetë prezent në të dyja seancat./et
Shqipëria shfaqet në një nga rreth tre milionë dokumentet e bëra publike së fundmi lidhur me çështjen e financierit amerikan Jeffrey Epstein. Bëhet fjalë për një email të datës 25 maj 2012, të dërguar nga Thorbjørn Jagland, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, drejtuar Epstein. Në mesazh, Jagland shkruan se kishte qenë në Tiranë dhe e përmend qëndrimin e tij me një koment për “vajza të jashtëzakonshme”, duke shtuar se po udhëtonte drejt Jordanisë, Palestinës dhe Izraelit.
Jagland ka zhvilluar një vizitë në Tiranë më 24 maj 2012, ku u takua me presidentin e atëhershëm Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto. Një ditë pas kësaj vizite u dërgua edhe emaili në fjalë.
Epstein njihet për skandalet e lidhura me abuzimin seksual dhe përfshirjen e vajzave, përfshirë edhe të mitura, si në rastin e Virginia Giuffre, një nga viktimat që e denoncoi publikisht./et
Vendosja e një pllake përkujtimore për poetin e madh shqiptar Lasgush Poradeci në shtëpinë ku ai ka banuar në Austri është shndërruar në një debat publik, për shkak të përjashtimit të familjarëve nga ceremonia zyrtare.
Iniciativa është ndërmarrë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, ndërsa ceremonia pritet të zhvillohet më 5 shkurt. Lajmi është bërë publik nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, i cili ka njoftuar se në aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve vendore austriake dhe shqiptare.
Por ajo që ka ngjallur reagim të fortë është fakti se familja e poetit nuk është ftuar.
Marie Lasgush Poradeci, e bija e Lasgush Poradecit, ka deklaruar publikisht se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare dhe asnjë njoftim institucional nga Bashkia e Pogradecit për këtë ceremoni.
“Sapo më erdhi një informacion nga Ambasadori ynë në Austri. Unë nuk kam asnjë ftesë dhe asnjë njoftim nga Kryetari i Bashkisë Pogradec, i cili do të marrë pjesë në këtë ceremoni me një delegacion zyrtar”, shkruan ajo ndër të tjera në reagimin e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, në aktivitet do të jenë të pranishëm kryetarja e Bashkisë së Graz-it, Elke Kahr, kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, si dhe ambasadori Velaj.
Reagimi i familjarëve ka hapur një debat thelbësor mbi mënyrën se si institucionet shqiptare nderojnë figurat e kulturës kombëtare ku vetë bija e tij ngre pyetjen se: a mund të ketë ceremoni përkujtimore për një poet të përmasave të Lasgush Poradecit, duke anashkaluar trashëgimtarët e tij?
“Kujtimi i një figure të tillë nuk është thjesht akt protokollar. Rruga për të nderuar tim atë kalon nga familja e tij”, është mesazhi i qartë i përcjellë nga e bija e poetit, duke e cilësuar përjashtimin si mungesë respekti dhe ndjeshmërie institucionale. /et
Partizani dhe Elbasani barazuan 2-2 mes tyre, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Superiore.
Ndeshja kishte gjithçka brenda, përveç fituesit. Lajthia i dha avantazhin Elbasanit në minutën e 22-të, para se Janacek të linte skuadrën e tij me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me të kuq.
Edhe pse në inferioritet numerik, Elbasani kishte mundësinë për golin e dytë në minutën e 36-të, por Tsague gaboi nga penalltia, duke gjuajtur jashtë.
Vetëm katër minuta më vonë, ishte Xhuljano Skuka, i cili barazoi shifrat, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Partizani përmbysi rezultatin në minutën e 65-të me Isgandarlin. Në minutën e 85-të, ndeshja u ndërpre për 5 minuta, pasi në fushë kishte momente paniku.
Mbrojtësi i Partizanit, Saliou Sembene humbi ndjenjat në fushë, duke shkaktuar ankth dhe frikë, ndërsa ndërhyrja e stafeve mjekësore ishte e menjëhershme.
Pas disa sekondave, lojtari për fat të mirë u përmend dhe u shoqërua drejt largimit nga fusha. Në fund, Elbasani ia doli të gjejë golin e barazimit. Ishte sërish Lajthia, që shënoi në portën e Qirkos, pas një rrëmuje në zonë.
Me këtë barazim, Elbasani ngjitet në kuotën e 39 pikëve në vendin e dytë, po aq sa edhe Vllaznia kryesuese, që ka një ndeshje më shumë për të luajtur.
Partizani mban vendin e pestë me 27 pikë të grumbulluara./et
Në një prononcim për mediat ai ka deklaruar se ndasitë politike janë shumë herë më të vogla se synimi i përbashkët që është, largimi i Edi Ramës. Ai shtoi do të marrë pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës dhe bandës së hajdutëve dhe trafikantëve.
Xhaferri ka deklaruar se i është bashkuar protestës me konfirmimin e Sali Berishës, edhe pse në tryezën që ky i fundit thirri me aleatët politikë, Lapaj nuk ishte prezent.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës. Në këtë fazë ku ne jemi, në një fazë primitive të bashkimit, është një fazë ku ne duhet të kemi kushtet e qarta të bashkimit, që kërkohet qeveria tranzitore, që kërkohet një reformë e re elektorale që ndihmon të gjithë spektrin opozitar, kërkon një Reformë Territoriale.
Patjetër që kjo mjafton për të na bashkuar në këtë gjë. Nuk do të thotë se është një koalicion politik, as një koalicion zgjedhor, as programet tona kryqëzohen apo mendimet tona janë të njëjta, por e sigurt që dasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës.
Unë jam i bindur që ne duhet të zaptojmë këtë bulevard, të gjithë forcat opozitare, të gjithë organizatat qytetare, të gjithë kërkesat që kjo situatë duhet të ndalojë së qëni, se kjo qeveri s’ka më legjitimitet, ky bulevard patjetër që nuk duhet liruar deri në largimin e Edi Ramës.
Ashtu si aktivistë të kësaj force politike janë bërë pjesë e protestave tona, ashtu edhe unë sot zgjodha të jem në shesh për të treguar se Partia Demokratike është e hapur për forcat e reja që kanë vendosur të mos i bëjnë opozitës opozitë, por t’i bëjnë opozitë një regjimi që mbahet në këmbë nga kartelet e drogës, të cilat investojnë që në këtë vend të mos ndodhë rrotacioni.Nuk e ka luksin opozita shqiptare të luftojë e përçarë përballë një regjimi, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare.
Nga kjo protestë e sotme u bëj thirrje shqiptarëve që më 10 shkurt të dalin masivisht në protestën kombëtare, e cila do të shënojë fillimin e fundit të narkoregjimit!”, u shpreh ai.
Punimet për rrugën Kombinat–Ndroq–Plepa po ecin “me ritme të qëndrueshme”, ndërsa autoritetet raportojnë se është realizuar 86% e punimeve në vetëm 30% të pjesës së parë të lotit të parë të projektit.
Sipas të dhënave zyrtare, loti i parë ka një gjatësi prej 4.85 kilometrash dhe përbën rreth 16.7% të gjithë distancës totale të rrugës. Kjo do të thotë se, pas 18 muajsh punë, është përfunduar realisht rreth 4.3% e gjithë rrugës.
Me këto ritme, projekti parashikohet të përfundojë në vitin 2059, gjatë mandatit të 13-të qeverisës të kryeministrit Edi Rama.
Një pritje modeste, vetëm 33 vjet larg, për një nga akset që pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin mes Kombinatit, Ndroqit dhe zonës së Plepave.
Pak orë pas incidentit të rëndë në qytetin e Durrësit, ku është dhunuar një famlije e tërë, ka reaguar një nga të dëmtuarit, duke rrëfyer tmerrin dhe panikun që kanë përjetuar.
‘Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. Nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!’, shprehet V. Meçani, e cila gjithashtu është sulmuar nga autorët që tashmë janë shpallur në kërkim nga policia. Një tjetër person, 44-vjeçar, është nën procedim penal.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes në lagjen nr.14, Nishtulla, ku disa persona kanë goditur brenda makinës një familje. Sipas Meçanit, i pari që u sulmua ishte 55-vjeçari Fatmir Meçani. Më pas, makina e familjes, e drejtuar nga vëllai Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij, është sulmuar përsëri nga po i njëjti grup.
Familja Meçani ndjehet e kërcënuar dhe e pambrojtur, pasi autorët janë ende të lirë. Ata thonë se nuk është hera e parë që sulmohen dhe se të njëjtët individë kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë në zonë.
‘Kalova aty, u turrën me na gjujt. Ndaloi makina prapë tek shtëpia e vet, na shau… po na bën të zeza të mëdha. Pak minuta më parë u turrën të qëllonin nusen e turit. Çfarë të bëjmë tani, kur nuk merren masa?’, rrëfen gruaja e familjes në dëshminë e saj.
Pas sulmit, katër persona kanë shkuar në policinë e Durrësit për të bërë denoncimin përkatës. Motivet mbeten ende të paqarta, por paraprakisht bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe për motive të dobëta.
Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.
Po sipas policisë, pas hetimeve të kryera nga ekspertët e kriminalistikës, ka rezultuar se ‘më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip ‘Ford Focus’, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç’.