◦ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael që prej ditës së djeshme, 25 janar. Stacioni i tij i parë ishte te Nova Site, prej ku ndau edhe foto. Ai do të mbajë një fjalim historik në Knesset dhe do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. I shoqëruar nga delegacioni dhe bashkëshorja e tij, ai ka vizituar Western Wall (Muri i Lotëve) dhe Kishën e Varrit të Krishtit.
◦ Linda Rama do të takojë gratë parlamentare dhe bashkëshorten e Presidentit izraelit, Isaac Herzog./kb
Në vitin 1784, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin ende një republikë e re, në kërkim të identitetit dhe simboleve që do ta përfaqësonin para botës, një nga Etërit Themelues më të shquar, Benjamin Franklin, shprehu hapur pakënaqësinë e tij ndaj zgjedhjes së shqiponjës si simbol kombëtar i Amerikës. Nga Parisi, ku shërbente si diplomat amerikan, Franklini i shkruante vajzës së tij, Sarah Bache, në Filadelfia, me një ton ironik dhe kritik:
“Për Amerikën, gjeldeti do të ishte më simbolik.”
Kjo fjali, që sot tingëllon si një anekdotë plot humor, mbart në të vërtetë një debat serioz mbi moralin, karakterin dhe imazhin që duhej të kishte kombi i ri amerikan.
Një komb i ri dhe nevoja për një stemë
Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1776, Kongresi Kontinental krijoi një komision të posaçëm për të hartuar stemën zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Qëllimi ishte i qartë: Amerika duhej të kishte një simbol që të shprehte lirinë, sovranitetin dhe virtytet republikane, të dallueshme nga monarkitë evropiane.
Benjamin Franklin, Thomas Jefferson dhe John Adams ishin ndër anëtarët e parë të këtij komisioni. Secili prej tyre solli ide të ndryshme, shpesh të frymëzuara nga Bibla, antikiteti klasik dhe alegoritë morale.
Propozimet e Franklin-it, virtyt mbi madhështi
Franklini nuk ishte i bindur se një shpend grabitqar ishte zgjedhja e duhur. Ai e konsideronte shqiponjën si një zog “me moral të dyshimtë”, që shpesh grabit prenë e zogjve më të vegjël dhe nuk jeton gjithmonë nga puna e vet. Për Franklini-n, ky nuk ishte modeli që duhej të mishëronte republika amerikane.
Si alternativa, ai kishte propozuar më herët simbole të tjera:
-Gjarpri i shtëpisë, të cilin e shihte si një krijesë vigjilente, të fuqishme dhe të drejtë, që nuk sulmon pa u provokuar.
-Skena biblike e Moisiut dhe Faraonit, me mbishkrimin simbolik “Let my people go” (“Lëre popullin tim të shkojë”), një alegori e drejtpërdrejtë e çlirimit të kolonive amerikane nga sundimi britanik.
-Gjeldeti, të cilin Franklini e quante një zog autokton të Amerikës së Veriut, guximtar në mbrojtjen e territorit të vet dhe, mbi të gjitha, jo tiranik.
Në letrën e tij të vitit 1784, ai theksonte se gjeldeti, megjithëse i përqeshur, ishte më i ndershëm dhe më përfaqësues për shpirtin e amerikanëve sesa shqiponja.
Debati mbi shpendin simbol
Komisionet e njëpasnjëshme që u morën me hartimin e stemës shqyrtuan disa figura simbolike dhe alegorike. Në qarkullim ishin ide të ndryshme që përfshinin shpendë, figura mitologjike dhe skena historike. Ndër shpendët që u përmendën në diskutime ishin:
-Gjeldeti, si simbol autokton;
-Pëllumbi, si shenjë paqeje;
-Feniksi që ngrihet nga flakët, simbol i rilindjes së një kombi të ri nga hiri i kolonializmit;
-Shqiponja, si figurë e fuqisë, vigjilencës dhe sovranitetit.
Megjithatë, ideja e një shqiponje me dy koka, e njohur në heraldikën evropiane dhe bizantine, nuk u bë pjesë e serioze e projektit amerikan, pasi do të sillte asociacione monarkike dhe perandorake, pikërisht ato nga të cilat Amerika donte të shkëputej.
Zgjedhja përfundimtare: shqiponja me kokë të bardhë
Më 1782, pas gjashtë vitesh diskutimesh dhe drafte të shumta, Kongresi miratoi stemën zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Në qendër të saj u vendos shqiponja me kokë të bardhë (bald eagle), një shpend karakteristik i Amerikës së Veriut, i panjohur në Evropë dhe, për rrjedhojë, një simbol autentik amerikan.
Në stemë, shqiponja mban në një kthepër degën e ullirit – paqen – dhe në tjetrën shigjetat – gatishmërinë për luftë, duke përfaqësuar ekuilibrin mes forcës dhe diplomacisë.
Një polemikë që mbeti në histori
Megjithëse mendimi i Benjamin Franklin-it nuk triumfoi, kritika e tij mbeti një nga episodet më interesante të historisë simbolike amerikane. Ajo dëshmon se edhe në themel të një shteti të madh, debatet nuk kanë të bëjnë vetëm me pushtetin, por edhe me etikën, karakterin dhe mesazhin që një komb dëshiron t’i japë botës.
Sot, shqiponja me kokë të bardhë është një nga simbolet më të njohura në botë. Por diku, në hijen e historisë, gjeldeti i Franklin-it vazhdon të na kujtojë se Amerika mund të kishte zgjedhur një rrugë shumë më të pazakontë për të treguar kush ishte – dhe çfarë donte të përfaqësonte.
Ministri i Financave, Petrit Malaj ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me kreun e Tatimeve, Ilir Binaj në lidhje me informalitetin e pagave.
Në fjalën e mbajtur ministri Malaj tha se jemi të vetëdijshëm që tregu ofron paga më të larta se ato të deklaruarat.
Malaj u shpreh se ministria do të orientohet drejt formalizimit të tregut të punë konkretisht në rritjen e deklarimit të pagave, por dhe në rritjen e xhiros së deklaruar.
Më tej, Malaj deklaroi se janë marrë 13.418 mesazhe të personalizuara në lidhje me pagat në sektorin e ndërtimit dhe pas këtyreë mesazheve pati rritje të pagave për 118 mijë punonjës në sektorin e ndërtimit.
“Tregu ofron paga të tjera që janë më të larta. Në ndërtim kemi konstatuar nëndeklarim të pagave. Do orientohemi në formalizimin e tregut të punës, në rritjen e deklarimit të pagave por edhe në rritjen e xhiros së deklaruar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që tregu ofron paga shumë më të larta se ato të deklaruara në ndërtim.
Janë 13.418 mesazhe të personalizuara ndaj subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit. Pas mesazheve 118 mijë punonjës të këtij sektori patën rritje të pagave me 9% në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin 2025 duke arritur në 78 mln euro. Ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit. Kemi subjekte që ende nuk kanë reflektuar, këto subjekte janë identifikuar dhe do jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. U bëj thirrje të bëjnë reflektimet dhe të përmbushin të gjitha detyrimet që ua ngarkon ligji”, tha Malaj./Kb
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ishte i pranishëm këtë të hënë në ceremoninë e nisjes së vitit të ri gjyqësor.
Në fjalën e tij, Sadushi u ndal te roli i drejtësisë, që sipas tij duhet të shërbejë sis standard dhe orientim, jo vetëm për sistemin gjyqësor, por edhe për shqoërinë.
Sipas Sadushit, nisja e vitit të ri gjyqësor shënon edhe një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
“Sot nuk po vijojmë një traditë, por po e krijojmë atë. Është kuptimplotë që ky hap ndërmerret pikërisht këtu, ku shqyrtohen çështje me rëndësi të veçantë dhe ku, përmes interpretimit dhe njësimit të praktikës, forcohet koherenca dhe rritet parashikueshmëria e ligjit. Prania juaj sot e nderon Gjykatën e Lartë dhe i jep peshën e duhur këtij momenti.
Në një kuptim më të gjerë, drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi.
Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi”,-tha ndër të tjera Sadushi./Kb
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka mbajtur fjalën e tij në hapjen e vitit të ri gjyqësor.
Lamallari tha se një nga problematikat e sistemit gjyqësor është moszbardhja e vendimieve pas më shumë se një viti, gjë të cilën ai e cilësoi si të papranueshme.
Në lidhje me këtë problematikë, Lamallari tha se ai personalisht ka dorëzuar 3 raste në ILD.
Më tej, në fjalën e mbajtur Lamallari u ndal te gjykatat e Apelit, ku tha se apelimi i çështjeve është kthyer në një pritje të pafundme për qytetarët.
Duke folur për gjykatat e Apelit, Lamallari u shoreh se numri i çështjeve të prapambetura në këto gjykata është në nivele alarmante.
Një tjetër problematikë e sistemit gjyqësor në të cilën u ndal Lamallari është mungesa e burimeve njerëzore. Ministri tha se krahas plotësimit të vakancave në burime njerëzore duhet riorganizuar organika.
Lamallari kritikoi dhe mungesën e inspektimeve nga ILD, gjë e cila nuk justifikohet nga vështirësitë në plotësimin e vakancave.
“Përtej vështirësive për plotësimin e vakancave nuk ka arsye që të justifikojë mungesën e inspektimeve.
Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Veprimtaria e Gjykatës së Lartë u karakterizua nga një përmirësim progresiv. Drejtësia matet aty ku qytetarët kanë kontsaktin e drejtpërdrejtë me sisstemin. Moszbardhja e vendimeve pas më shumë se një viti, nuk është dhe nuk mund të jetë e pranushme. Personalisht kam dorëzuar në ILD 3 raste për këtë problematikë. Në gjykatat e Apelit numri i çështjeve të prapambetura paraqitet në nivele alarmante. Përqindja e përfundimit të çështjece ra ndjeshëm në 9 muajt e parë të 2025. Apelimi është kthyer në një pritje të pafundme për qytetarin. Kjo nuk është thjesht statistikë, është mohim i drejtësisë. Përballë një situate stoku, është shkalla jazhtëzakonisht e ulët e orientimit drejt ndërmjetësimit.
Ndërmjetësimi përfaqëson ndërhyrje institucionale me rëndësi strategjike dhe duhet trajtuar si i tillë. Një tjetër realitet që nuk duhet të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Krahas nevojës për plotësimin e vakancave duhet bërë një riorganizim i organikës së ndihmësve ligjorë.
Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të mëdha në Europë për të paraburgosur.
Uroj që ky vit i ri gjyësor të jetë dëshmi maturie dhe përgjegjshmërie”, tha Lamallari./Kb
I ftuar në emisionin Verissimo, Gabriel Garko ka surprizuar Silvia Toffanin dhe publikun e Canale 5 me një rrëfim të papritur: ai është martuar prej dy vitesh. Duke treguar unazën, aktori shpjegoi se kishte zgjedhur të ruante heshtjen për të mbrojtur jetën e tij private. “U martova dy vite më parë. Jeta ime publike ka […]
Mineapolis u përfshi nga skena kaotike të dielën në mbrëmje, kur protestues të zemëruar kundër ICE (Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave të SHBA) rrethuan një hotel në qendër të qytetit, duke besuar se aty po qëndronin agjentë federalë. Protesta shpërtheu vetëm një ditë pas vrasjes së Alex Pretti, një infermier 37-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje gjatë një operacioni të zbatimit të ligjit të emigracionit.
Ngjarja ndodhi jashtë hotelit Home Suites by Hilton, pranë Universitetit të Minesotës. Dhjetëra protestues, shumë prej tyre të maskuar, thyen xhama, vandalizuan fasadën e hotelit me grafite si “ICE OUT OF MPLS” dhe tentuan të futeshin me forcë brenda. Pamjet nga vendngjarja treguan njerëz që binin në kazanë plehrash si daulle dhe brohorisnin slogane si “No justice, no peace”.
Sipas mediave amerikane, protesta zgjati mbi një orë pa ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Autoritetet ndërhynë më vonë duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës dhe flakadanë. Të paktën dy persona u shoqëruan nga agjentët federalë, ndërsa raportohet se një agjent u plagos lehtë në fytyrë.
Vrasja e Pretti-t ka shkaktuar reagime të forta politike. Autoritetet federale pretendojnë se ai ishte i armatosur dhe se oficerët vepruan në vetëmbrojtje, por pamjet video dhe deklaratat e ekspertëve hedhin dyshime mbi versionin zyrtar, duke sugjeruar se të shtënat mund të kenë ndodhur pas çarmatosjes së tij.
Presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij po heton ngjarjen, por njëkohësisht sulmoi politikat e “qyteteve strehë” dhe autoritetet lokale të Minesotës. Ndërkohë, guvernatori Tim Walz e cilësoi vrasjen si një pikë kthese për Amerikën, duke akuzuar qeverinë federale për abuzim me pushtetin dhe për njollosjen e figurës së një qytetari amerikan.
Në fjalën e tij në Gjykatën e Lartë për çeljen e vitit të ri gjyqësor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u ndal te 10-vjetori i reformës në drejtësi. Ai vlerësoi arritjet e reformës duke u shprehur se i ka bërë qytetarët të besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
Njëkohësisht, theksoi se pavarësia e gjyqësorit, si bosh i reformës, shkon përkrah me përgjegjësinë dhe integritetin. Në fund të fjalës së tij, Begaj theksoi mbështetjen e fortë ndaj sistemit gjyqësor.
Hapi i radhës në këtë vit të ri gjyqësor duhet të jetë kalimi nga reforma në drejtësi në drejtësi funksionale, tha Begaj. Ai u ndal edhe te vonesat e sistemit gjyqësor, temë që u prek edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalimin e tij, i cili e veçoi si angazhim. Ndërsa presidenti tha se zvarritja e dosjeve impakton në formë negative.
Ky vit gjyqësor përkon me një moment domethënës: 10-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë institucionale të Republikës së Shqipërisë. E ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik dhe me mbështetjen e pakushtëzuar dhe të fortë të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma ishte përgjigja e domosdoshme ndaj një krize të thellë besimi në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi gëzoi mbështetje të madhe publike dhe krijoi pritshmëri të larta për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet. Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi, kanë arritur të japin drejtësi. Sot, të gjithë aktorët politikë, publikë, institucionet, media dhe shoqëria civile i referohen gjithnjë e më shumë Kushtetutës dhe organeve të drejtësisë, duke adresuar problematikat, pretendimet apo konfliktet në rrugë ligjore. Ky është tregues i një kulture të re juridike dhe demokratike, por kjo kulturë kërkon edhe respektimin e vendimeve gjyqësore nga të gjithë. Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet.
Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Prej vitesh drejtuesit tuaj kanë kërkuar, me të drejtë, më shumë pavarësi, siguri, mbrojtje dhe respekt për magjistratët. Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Një tjetër parim i drejtësisë është: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë, për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre. Forcimi i standardeve, unifikimi i praktikës gjyqësore, eficienca institucionale dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për rikthimin dhe konsolidimin e besimit publik. Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem një zë i qartë në mbrojtje të interesave të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë.
Në Gjykatën e Lartë po mbahet ceremonia e hapjes së vitit të ri gjyqësor. Kryetari, Sokol Sadushi mbajti fjalën hapëse ku tha se drejtësia duhet të jetë “e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin.”
“Në këtë frymë, i drejtohemi njëkohësisht qytetarëve, profesionistëve të ligjit dhe institucioneve të Republikës, jo për të komentuar çështje konkrete, por për të riafirmuar parimet që duhet të udhëheqin drejtësinë. Që në fillim duhet ta themi qartë. Ky është një angazhim publik, i thjeshtë në formulim, por thelbësor në përmbajtje. Drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin.”
Ai shtoi se pavarësia e drejtësisë është “garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë.” Sadushi theksoi përgjegjësinë si shtyllën tjetër të drejtësisë, teksa kërkoi mbështetje nga pushteti legjislativ e ekzekutiv. Për këtë, kërkoi investime në aspekte të ndryshme që shërbejnë për forcimin e sistemit të drejtësisë.
“Drejtësia është një përpjekje njerëzore e vazhdueshme për disiplinë, profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe qëndrueshmëri. Kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet. Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim. Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave. Prandaj drejtësia matet jo vetëm me cilësinë e vendimit përfundimtar, por edhe me rrugën për ta arritur atë. Drejtësia e pavarur nuk vendos për të kënaqur askënd. Ajo vendos për të respektuar ligjin dhe për t’u dhënë kuptim të drejtave. Nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme. Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje”, tha Sadushi.
Sadushi renditi tri objektiva kryesore: qartësia dhe cilësia e arsyetimit, koha e arsyeshme dhe koherenca e parashikueshmëria. Këto i cilësoi angazhime kyçe në këtë vit të ri, ku theksoi vonesën e çështjeve të mbetura stok.
Së pari, qartësia dhe cilësia e arsyetimit: kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë edhe kur nuk është dakord me të. Kur është i paqartë, atëherë humbet jo vetëm çështja, por edhe besimi. Prandaj, standardi ynë nuk duhet të jetë vetëm “të vendosim”, por “të shpjegojmë pse vendosim në atë mënyrë”.
Së dyti, koha e arsyeshme: drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta.
Së treti, koherenca dhe parashikueshmëria. Një nga pritshmëritë më të forta të qytetarëve dhe të komunitetit juridik është që ligji të jetë i parashikueshëm. Ligji nuk kufizohet vetëm në normat e së drejtës. Ai merr kuptim edhe nëpërmjet interpretimit gjyqësor. Kur për raste të ngjashme jepen zgjidhje të ndryshme, krijohet pasiguri dhe cenohet besimi. Prandaj publikimi sistematik i praktikës gjyqësore, databazat e përdorshme dhe roli njësues i Gjykatës së Lartë nuk janë thjesht çështje profesionale. Ato janë çështje të sigurisë juridike dhe të besimit në drejtësi.
Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar. Për ta bërë këtë mbështetje reale, nevojiten financim i mjaftueshëm, politika të qëndrueshme për burimet njerëzore, programe infrastrukture dhe investime serioze në digjitalizim e siguri. Një shtet që kërkon drejtësi të fortë duhet të investojë në institucione të forta; përndryshe pavarësia mbetet vetëm një normë e shkruar, pa u bërë një garanci reale. Në të njëjtën kohë, drejtësia ka nevojë edhe për mbështetjen tuaj qytetare: respekt për institucionet, refuzim të çdo forme intimidimi apo ndikimi të paligjshëm dhe besim te procedura ligjore, jo te presioni, ndërhyrjet apo rrugët anësore. Drejtësia funksionon kur ligji respektohet nga të gjithë”, tha Sadushi.
Edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari se nevojitet llogaridhënie dhe jo pavarësi pa përgjegjshmëri. Lamallari shprehu sërish edhe shqetësimin për numrin e lartë të të paraburgosurve, mungesën e gjyqtarëve dhe stokun e dosjeve.
Kampioni i Formula 1, Michael Schumacher, nuk është më i detyruar të qëndrojë në shtrat 12 vjet pas dëmtimit të rëndë në kokë që pësoi gjatë një aksidenti me ski në Alpet Franceze në vitin 2013.
Burime pranë familjes i kanë thënë mediave se 57-vjeçari tashmë mund të ulet në karrocë dhe të lëvizë në pronat e tij në Majorka dhe afër Liqenit të Gjenevës.
Schumacher vazhdon të marrë kujdes 24 orë në ditë nga gruaja e tij, Corinna, dhe një ekip i stafit mjekësor. Sipas burimeve, ai kupton disa nga gjërat që ndodhin përreth tij, por jo gjithçka.
Që nga aksidenti, Schumacher nuk është parë kurrë në publik. Në vitin 2024, pati zëra se ai mund të shfaqej në dasmën e vajzës së tij, Gina-Maria, por kjo nuk ndodhi. Vitin e kaluar, tre ish-punonjës të familjes u dënuan pasi kërcënuan të publikojnë qindra foto të Schumacher në gjendjen e tij të tanishme.
Së fundmi, vajza e tij ndau një foto të rrallë të familjes para aksidentit, me mbishkrimin: “Më të mirat përgjithmonë. Gëzuar ditëlindjen baba.”
Vijojnë paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre respektive, duke dhënë kontribut të rëndësishëm dhe duke konfirmuar formën e mirë në arenën ndërkombëtare.
Ylber Ramadani ishte protagonist absolut me Lecce-n në përballjen ndaj Lazios, e cila u mbyll në barazim 0-0. Mesfushori i Kombëtares zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke u vlerësuar për sigurinë dhe ekuilibrin në mesfushë, ndërsa në përfundim të takimit u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Arber Hoxha në Europa League. Futbollisti i Kombëtares kontribuoi me asist në fitoren e thellë 4-1 të Dinamo Zagreb ndaj FCSB, duke qenë aktiv dhe i rrezikshëm në fazën ofensive gjatë gjithë takimit.
Kontribut vendimtar dha edhe Arbnor Muja me St. Truiden. Sulmuesi kuqezi asistoi në fitoren e rëndësishme 2-1 në transfertë ndaj RAAL La Louviere. Ky sukses e çon skuadrën e Mujës në kuotën e 45 pikëve, në vendin e dytë të renditjes, vetëm një pikë larg kreut.
Edhe Cristian Shpendi la gjurmë me Cesena-n, pavarësisht humbjes 1-2 në shtëpi ndaj Barit. Sulmuesi kuqezi asistoi përkohësisht golin e barazimit në minutën e 60-të, duke shënuar asistin e tretë në kampionat për këtë sezon. Shpendi numëron gjithashtu edhe 8 gola në kampionat.
Lajm pozitiv për Kombëtaren ishte edhe rikthimi i Nedim Bajramit nga dëmtimi. Mesfushori u aktivizua për disa minuta me Rangers në fitoren 3-0 ndaj Dundee FC, duke u rikthyer në fushë pas 10 ndeshjesh mungesë për shkak dëmtimi.
Titullare me klubet e tyre këtë javë ishin gjithashtu edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Qazim Laçi dhe Armando Broja.
Gazetari Artan Hoxha është paraqitur pak më parë në Prokurorinë e Posaçme.
Mësohet se Hoxha ka dorëzuar në SPAK audiopërgjimin origjinal në lidhje me “21 Janarin”.
Ngjarja e 21 janarit 2011 shënon një nga episodet më të rënda të dhunës politike në vend, kur gjatë një proteste të PS-së para godinës së Kryeministrisë, u qëlluan për vdekje katër protestues nga Garda e Republikës. Viktimat ishin Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Në kuadër të hetimeve të rihapura, SPAK ka marrë më herët dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, si edhe të disa zyrtarëve të tjerë të përfshirë në zinxhirin institucional të asaj kohe.
Prej 15 korrikut 2024 dosja hetimore është në duart e prokurorëve të SPAK.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet sot në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg të Francës, së bashku me deputeten Albana Vokshi.
Në një videomesazh për qytetarët, Berisha deklaroi se opozita po vijon betejën e saj kundër narkoshtetit dhe keqqeverisjes së Edi Ramës, duke theksuar se kjo betejë po e çon kauzën e saj në arenën ndërkombëtare dhe në vëmendjen e institucioneve europiane.
Videomesazhi i plotë:
Mirëmëngjes, miq! Një përshëndetje të përzemërt nga selia e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, ku jemi sot këtu bashkë me Albana Vokshin, për të vazhduar betejën tonë kundër narkoshtetit dhe Ramaduros. Ditë të mbarë të gjithëve!
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Tetë kompani shqiptare nga sektori agroushqimor janë pjesë e edicionit 2026 të Gulfood, që zhvillohet nga 26 deri më 30 janar 2026, një ngjarje madhore botërore që shtrihet njëkohësisht në Dubai Exhibition Centre dhe Dubai World Trade Centre.
Menaxheri i projektit ITC (International Trade Centre) UN Agency, Genti Beqiri bëri të ditur se ky panair, i njohur si një nga më të mëdhenjtë dhe më prestigjiozët në industrinë globale të ushqimit dhe pijeve, përfaqëson një vitrinë të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja e kompanive shqiptare bëhet e mundur falë mbështetjes së International Trade Centre (ITC) dhe Swiss State Secretariat for Economic Affairs (SECO), në kuadër të përpjekjeve për të nxitur eksportet, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbështetur ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. Kjo mbështetje synon të krijojë ura konkrete lidhjeje mes prodhuesve shqiptarë dhe tregjeve globale”, tha Beqiri.
Sipas tij, kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë me potencial të lartë eksporti, përfshirë vajin e ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe vajrat esenciale.
Gjatë panairit, ato do të prezantojnë cilësinë, autenticitetin dhe standardet e produkteve shqiptare përballë një audience ndërkombëtare të përbërë nga importues, distributorë, blerës me shumicë dhe profesionistë të industrisë ushqimore nga mbi 190 vende.
“Pjesëmarrja në Gulfood 2026 u hap kompanive shqiptare dyert për takime B2B, krijimin e partneriteteve të reja tregtare dhe eksplorimin e tregjeve me potencial të lartë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë”, shtoi Beqiri.
Njëkohësisht, ajo kontribuon në forcimin e imazhit të markës “Made in Albania”, duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend me produkte autentike, cilësore dhe konkurruese në skenën globale.
“E mbështetur nga ITC dhe SECO, kjo pjesëmarrje pritet të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm për rritjen e eksporteve shqiptare, zgjerimin e rrjeteve tregtare dhe rritjen e qëndrueshme të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Beqiri. /j.p/
ANKARA, 26 janar /ATSH-AA/ – Çmimi i arit vazhdoi rritjen rekord, duke tejkaluar nivelin prej 5.000 dollarësh për herë të parë, i nxitur nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.
Çmimi i arit sot u rrit me rreth 2.2 për qind në 5.090 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivel rekord prej 5.111 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 9.1 për qind gjatë javës.
Ari është rritur me rreth 84 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 17 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.
Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 4.6 për qind në 107.6 dollarë për ons, pasi arriti nivel rekord prej 109 dollarësh. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 252 për qind gjatë vitit të kaluar.
Pjesëmarrësit e tregut theksuan shqetësimet e përtërira gjeopolitike si faktor kryesor, përfshirë kërkesat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump mbi Grenlandën. Duke shtuar shqetësimin e tregut, komentet e Trumpit rreth situatës në Iran rritën gjithashtu pasigurinë.
Trumpi kërcënoi të shtunën se do të vendoste tarifa 100 për qind për të gjitha mallrat kanadeze që hyjnë në Amerikë nëse Otava arrin marrëveshje tregtare me Pekinin.
“Nëse Kanadaja bën marrëveshje me Kinën, ajo do të përballet menjëherë me tarifa 100 për qind kundër të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social. /os/
INDI, 26 janar /ATSH-AFP/- Udhëheqësit e BE-së, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen, u ftuan si të ftuar nderi për festimet e Ditës së Republikës së Indisë. Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare Indi-BE pritet të forcohen mes tensioneve tarifore me SHBA-në.
India festoi sot 77-vjetorin e Ditës së Republikës në prani të udhëheqësve të BE-së, të cilët ishin të ftuar nderi.
Parada e Ditës së Republikës përfshinte një shfaqje të madhe të forcave të saj ushtarake, njësive të sapoformuara dhe sistemeve të mbrojtjes – të përdorura gjatë konfliktit me Pakistanin vitin e kaluar pas një sulmi në Kashmirin e administruar nga India.
Parada përfshinte gjithashtu banda ushtarake dhe njësi kalorësie me kuaj dhe deve.
“Ky rast na frymëzon në vendosmërinë tonë kolektive për të ndërtuar një Indi të zhvilluar”, tha kryeministri Narendra Modi para paradës.
Dita e Republikës u organizua rreth temës qendrore “150 Vjet Vande Mataram”, duke përkujtuar këngën kombëtare.
Çfarë thanë udhëheqësit e BE-së?
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishin të ftuarit zyrtarë në festimet e Ditës së Republikës.
Ata po marrin pjesë gjithashtu në një samit BE-Indi, ku pritet të njoftojnë një progres në marrëveshjen historike të tregtisë së lirë së bashku me një partneritet sigurie.
“Është një nder të jesh i ftuari kryesor në festimet e Ditës së Republikës. Një Indi e suksesshme e bën botën më të qëndrueshme, të begatë dhe të sigurt”, tha sot Von der Leyen në një postim në mediat sociale..
Ajo tha gjithashtu se India dhe Evropa kishin bërë “një zgjedhje të qartë”.
“Zgjedhja e partneritetit strategjik, dialogut dhe hapjes”, tha ajo.
“I nderuar që ndodhem në Nju Delhi për Samitin e 16-të BE-Indi, në prag të Ditës së 77-të të Republikës së Indisë. Duke festuar një partneritet të fortë dhe në rritje BE-Indi – nga tregtia dhe siguria te tranzicioni i pastër dhe bashkëveprimi dhe shkëmbimi i drejtpërdrejtë midis individëve ose grupeve”, tha Costa në një postim.
Marrëveshja ishte një punë në zhvillim e sipër për më shumë se një dekadë, por tarifat e presidentit të SHBA-së Donald Trump e nxitën Indinë dhe BE-në me 27 vende – të përshpejtonin përpjekjet e tyre vitin e kaluar.
India pritet të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë këtë vit, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Tregtia e mallrave Indi-BE arriti në 120 miliardë euro në vitin 2024, një rritje prej gati 90% gjatë dekadës së fundit, sipas shifrave të BE-së.
Çfarë thanë liderët globalë?
Duke e uruar Indinë për ditën e 77-të të Republikës, presidenti kinez, Xi Jinping bëri thirrje sot për partneritete të forta rajonale midis fqinjëve të mirë, miqve dhe partnerëve.
Xi tha se gjatë vitit të kaluar, marrëdhëniet Kinë-Indi kanë vazhduar të përmirësohen dhe zhvillohen dhe se janë me rëndësi të madhe për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe prosperitetit botëror.
Presidenti francez, Emmanuel Macron gjithashtu përshëndeti Modin, duke e quajtur “mikun e tij të dashur”.
“Çfarë kujtimi i mrekullueshëm i Ditës së Republikës që ndamë së bashku në vitin 2024! Miku im i dashur Narendra Modi, urimet e mia më të mira në këtë ditë të madhe feste. Shihemi në shkurt për të vazhduar bashkëpunimin”, tha Macron. //a.i/
KARAKAS, 26 janar /ATSH-DPA/- Një grup i të drejtave të njeriut tha se të paktën 100 të burgosur politikë ishin liruar dje nga qeveria venezueliane.
Kreu i “Foro Penal” (Forumi Penal), Alfredo Romero, tha se grupi i tij kishte verifikuar identitetin e 104 prej të liruarve.
“Do të ishte ideale nëse qeveria do të publikonte listat e të liruarve”, shkroi Romero në X.
“Foro Penal” vlerëson se ka rreth 800 të burgosur politikë në vendin e Amerikës së Jugut, shumë prej të cilëve u arrestuan gjatë protestave kundër rizgjedhjes së udhëheqësit autoritar Nicolás Maduro, në vitin 2024.
Më 3 janar, ushtria amerikane arrestoi Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores në një sulm ndaj Karakasit.
Aktualisht, ata presin gjyqin në Nju Jork, të akuzuar për trafik droge dhe çështje të tjera.
Shumë kohë para operacionit, administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ushtroi presion mbi qeverinë e Maduros për të liruar të burgosurit politikë.
“Me lirimet e fundit, numri i personave të liruar pas operacionit amerikan është rritur në të paktën 240”, sipas organizatave të ndryshme. //a.i/
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se rreth 25% e punonjësve të ndërtimit deklarohen me paga 40–50 mijë lekë dhe pas ndërgjegjësimit të administratës tatimore kjo shifër u reduktua vetëm me 7%.
Në një konferencë për shtyp, Malaj u ndal te formalizimi i sektorit të ndërtimit, ku sipas tij, kërkohet një angazhim i shtuar për të siguruar zbatimin e ligjit dhe operimin e këtij sektori sipas kërkesave të tregut.
Duke iu referuar aksionit të ndërmarrë nga administrata tatimore në disa prej agjencive më të mëdha imobilare në vend, Malaj theksoi se janë evidentuar shkelje të rënda që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, por edhe qytetarëve.
Ndaj, sipas ministrit Malaj, objektivat e administratës tatimore do të orientohen kryesisht në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por natyrisht edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.
Malaj informoi se në sektorin e ndërtimit janë evidentuar 8784 subjekte aktive, pjesa më e madhe e të cilave ushtron aktivitetin në Tiranë dhe Durrës.
“Është konstatuar se nga ky numër total i këtyre subjekteve, rreth 25% e tyre u paguajnë punonjësve paga të cilat variojnë nga 40-50 mijë lekë. Për fat të keq shifra 25% është një shifër tepër e lartë, në një kohë kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu ofron paga krejtësisht të tjera, të cilat janë më larta”, shtoi Malaj.
Nisur nga këto të dhëna të grumbulluara, ministri Malaj theksoi se administrata tatimore në muajin nëntor 2025 ndërmori një nismë të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve.
Sipas ministrit, në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi i bizneseve, por është ndërgjegjësimi i tyre që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.
“Janë dërguar 13 814 mesazhe të personalizuara drejt subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, apo atyre bizneseve që janë të angazhuar në zinxhirin furnizues të këtij sektori. Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar, dhe më konkretisht për rreth 118 mijë të punësuar në sektorin e ndërtimit në muajin dhjetor 2025 kemi pasur një rritje të fondit të pagave me 9% krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro”, informoi Malaj.
Po kështu, Malaj theksoi se “edhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në muajin dhjetor 2025 u rritën me rreth 4% krahasuar me muajin shtator 2025”.
Ministri bëri të ditur se ka pasur edhe një reflektim pozitiv për sa i përket uljes së numrit të punonjësve që paguhen mes fashës 40-50 mijë lekë.
“Ulja e këtij numri ka qenë modeste, rreth 7%, që është një sinjal pozitiv por jo i mjaftueshëm. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit”, tha Malaj.
Po ashtu, ministri informoi se pas mesazheve ndërgjegjësuese të dërguara nga administrata tatimore kemi një rrije me 18%, të numrit të punonjësve që paguhen mes fashave 70-100 mijë lekë.
Ndërkohë, Malaj theksoi se ka edhe një rritje domethënëse prej 10%, të pagave të punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë.
“Disa biznese i kanë reflektuar ndërkohë që kemi subjekte të cilat ende nuk kanë reflektuar ndaj mesazheve të ndërgjegjësimit që ka dërguar administrata tatimore. Këto subjekte tashmë janë identifikuar dhe do të jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. I bëj thirrje këtyre subjekteve që të bëjnë reflektimet e duhura dhe të përmbushin vullnetarisht të gjitha detyrimet që u ngarkon ligji”, u shpreh Malaj. /j.p/