08:40 Groenlanda ndal kutinë e Pandorës, Putin në pritje
Nga Monada Mehmetaj, Strasbourg
Një samit për Groenlandën që mbahet shumë shpejt dhe kërkon punë intensive. Një Europë dhe një BE që do të jetë bashkë, por që po “përçahet”, me interesa gjeopolitike në plan të parë; një arenë shumë e vështirë për Trump. Kjo është ajo që pritet të shfaqet në këtë samit të Groenlandës.
Shtetet e BE-së që do të jenë bashkarisht dhe pozicionimi i Francës do të bëjnë diferencën. Trump tentoi të prishte rregullat e lojës, por u gjend në një ring boksi, i rrethuar nga mundësia e prishjes së marrëdhënieve Washington–Londër, nga një Itali që mban një ekuilibër të vështirë, me Melonin e cilësuar edhe si ndërmjetëse; Merz i Gjermanisë, me një ekonomi të varur ekstremisht nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në; dhe një Rusi e “gëzuar” nga kërcënimet e Trump për Groenlandën, e cila e sheh këtë lëvizje të Trump si hapje të Kutisë së Pandorës.
Mark Rutte, personaliteti që ka ndikim te Presidenti i SHBA-së, është i vetmi që mund t’i flasë Trump-it. Ai ka një marrëdhënie shoqërore që ka pasur rezultatet e veta pozitive në këto bisedime.
Mundet që Franca të mbetet “vetme” në këtë samit, pasi pozicionimi i saj politik dhe ushtarak është i ndryshëm nga shtetet e tjera. Republika e Pestë i jep përparësi Presidentit Macron të reagojë shpejt, pa mbledhur instancat e rastit. Megjithatë, presim vazhdimin.
Rusia është në pritje të “gëzuar”, pasi mund të imitojë Trump-in në lidhje me vendet Baltike dhe me kufirin detar të Groenlandës nga krahu i Rusisë, dhe e favorizon totalisht këtë situatë për Ukrainën; pra janë bashkë si në një ndeshje futbolli ku ndajnë gjysmëfushat.
Tarifat doganore me një aleat si Europa dëmtojnë më shumë konsumatorin amerikan sesa prodhuesin europian, dhe këtë llogari tashmë Amerika e ka bërë mirë.
Nga ana tjetër, Von der Leyen dhe ekipi i saj reaguan shpejt ndaj tarifave amerikane, duke iu përgjigjur flakë për flakë, në unitet dhe me vendosmëri, dhe kjo solli avantazhin e vet. Pa dashje, Trump e bëri Europën edhe më të bashkuar. Nga një sondazh, 40% e amerikanëve janë kundër kërcënimeve për Groenlandën.
Ai që po del i fituar në këtë moment është Putin, i cili po fiton kohë pas kohe, ndërkohë që dosja e Ukrainës në këtë moment është në vend të dytë.
Por kriza nuk mbaron sot. Lufta tregtare vazhdon, garanci nuk ka.
Danezët presin pozicionin e tyre; Europa po i mbështet; Franca nuk dëgjoi, por reagoi. Mesazhe, influenca dhe mësime ka boll në këto ditë dinamike, në marrëdhëniet e tensionuara mes aleatëve.
A i trembet Trump një afrimi të Europës me Kinën apo një bashkëbisedimi diplomatik të saj me Rusinë? Sigurisht që i paramendon dhe jo rastësisht “sulmoi” Macron-in. Shprehja e Macron për një mundësi takimi diplomatik me Putin-in nuk e ka entuziasmuar Trump-in, pasi deri më tani ka pasur ekskluzivitetin e bisedimeve për Ukrainën, por pa asgjë konkrete.
Në Davos “vlon” puna dhe Europa po punon fort në unanimitet. Europa po ndryshon politikën e saj, por pa qenë asnjëherë kërcënuese.
Tashmë Trump e ka kuptuar që durimi i Europës është sosur dhe nuk dëshiron ta humbasë një aleat si ajo.
