Kërkohet paraburgim për policin dhe një shtetas serb për marrje dhe dhënie të ryshfetit në Vërmicë
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit.
Sipas njoftimit zyrtar, paraburgimi është kërkuar ndaj A.K., zyrtar policor, për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj B.C., shtetas serb, për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.
Sipas prokurorisë, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.
Dyshohet se A.K., duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C.-së hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte ndaluar hyrja për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Pas marrjes së parave, sipas hetimeve, A.K. e ka kaluar në mënyrë ilegale kufirin me veturën e tij bashkë me B.C., duke e dërguar më pas në qytetin e Prizrenit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin. /Telegrafi/
