Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Ramë Lahaj i bën një dedikim prekës aktorit shqiptar, Enver Petrovci

24 September 2025 at 09:22


Ditën e djeshme (e martë) i është dhënë lamtumira e fundit aktorit të madh shqiptar, Enver Petrovcit.

Ai vdiq në moshën 71-vjeçare duke lënë një boshllëk të madh për të gjithë ata që e kanë njohur e kanë punuar me të.

I njëjti la një krijimtari të begatë artistike, duke qenë pjesë e shumë projekteve si në film ashtu edhe në teatër.

E një reagim së fundmi për vdekjen e tij e ka bërë edhe tenori i njohur me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj.

Tenori nga Istogu i ka bërë një dedikim të gjatë në Facebook, duke e vlerësuar për artistin dhe koontributin e dhënë.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Profe,

me ritmin e çmendun t’diteve t’sodit

erdha me t’pru lulet e bardha t’lamtumirës së fundit

t’rrugëtimit tonë t’paket mes njajit tjetrit.

Prej ritmit t’çmendun

as ato s’i zgjodha vet.

Edhe n’lutjet e fundit t’lamtumirës ndaj njanit tjetrit

kemi nevojë për asistencë,

se si pa kry jemi tuj vrapu për diku…

As lamtumira nuk ka qetësi,

s’asht unike ma.

Nder varreza terdha e t’gjeta

mes familjarësh, miqsh e shokësh

që t’dashen e s’t’dashen,

që t’kuptuen e t’keqkuptuen.

Si tuj kcy me nji kam mes njerzve t’dekun

“pa plan” mbrrina me t’vu sipër dheut t’tokës

që ia dhurove nji pjesë t’madhe t’ditunisë,

dashnis e sakrificës për te…

me protë e kontratat tua.

Si tuj kcy mbi llastikun e lojnave t’dikurshme

dola prap me vrap, si pa kry…

Mos t’ngelet merak, Profe,

se ma lezet nuk ka,

përveç nji jete sipërfaqsore

me flirtet e trendeve t’kohëve t’fundit,

t’luftës s’fundit për pak dashni

e socializim mes njajit tjetrit.

Si pa kry dola me vrapu tutje

në maratonën tashma gjysmë t’kalueme t’jetës…

Gjetsh ma mirë se ktu, Profesor.

U prehesh n’paqe, profesor Petrovci”. /Telegrafi/

Aktori shqiptar Enver Petrovci përcillet për në banesën e fundit

By: armand
23 September 2025 at 18:08

Në varrezat e qytetit të Prishtinës, iu dha lamtumira e fundit ikonës së filmit, Enver Petrovcit. Ceremonia mortore për Petrovcin, u mbajt në prani të familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve. Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar vdiq dje në moshën 71 vjeçare. Ai kishte një karrierë të pasur në skenë, film dhe regji, si dhe […]

The post Aktori shqiptar Enver Petrovci përcillet për në banesën e fundit appeared first on BoldNews.al.

Varroset aktori i shquar Enver Petrovci

23 September 2025 at 18:00


Në varrezat e qytetit të Prishtinës, iu dha lamtumira e fundit ikonës së filmit Enver Petrovcit.

Ceremonia mortore për Petrovcin, u mbajt në prani të familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, raporton Klan Kosova.

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar vdiq dje [më 22 shtator] në moshën 71 vjeçare.

Petrovci, i lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, duke kontribuar si aktor, regjisor dhe pedagog.

Ai filloi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe më pas vijoi në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Me interpretimet e tij në teatrin “Atelieja 212”, Petrovci fitoi famë në të gjithë ish-Jugosllavinë, duke u cilësuar si një nga aktorët më të spikatur të kohës.

Karriera e tij nuk u kufizua vetëm në skenë, por u shtri edhe në kinematografi, ku u dallua me role të fuqishme që u mirëpritën në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë saj.

Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Teatrit “Dodona” dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në formimin e brezave të rinj.

Në vitin 1989, Petrovci iu bashkua Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e parë të degës së Artit Dramatik, duke ndihmuar në krijimin e kuadrove të reja të skenës kosovare.

Gjatë gjithë jetës së tij, ai mbeti i përkushtuar ndaj artit dhe kulturës, duke u bërë frymëzim për shumë aktorë dhe artistë të rinj.

Figura dhe veprimtaria e Enver Petrovcit do të kujtohen gjatë, si dëshmi e një karriere të ndërtuar mbi pasionin, talentin dhe përkushtimin ndaj artit.

Ku janë varret e artistëve?!

23 September 2025 at 16:18

Nga Frrok Çupi

Dje shkoi edhe një aktor dhe regjisor tjetër i madh shqiptar, Enver Petrovci. Ende nuk i ka ardhur ora e varrimit; por se ku do të jetë varri, kjo është edhe një çështje.
Kur Dhimitër Anagnosti, para disa ditësh, la fjalë që ta varrosin në Vuno, mu bë para syve edhe më artist se sa kishte qenë një jetë të tërë. Vunoi është vendi për t’u varrosur, thashë ndër dhëmbë. Anagnosti e ka edhe vendlindje. Por edhe sikur të mos e kishte, Anagnosti do të zgjidhte atë fshat të qetë, të heshtur në mrekullinë e tij, mbi det dhe mbi çdo maskarallëk që krijon njeriu i gjallë.
Do ta zgjidhte Vunon sepse kështu ishte edhe karakteri i tij: Larg banalitetit, afër më të bukurës e më të heshturës që kishte krijuar zoti.

Por ku janë varret e artistëve të tjerë?
Viti 2025 më është dukur si viti që, më shumë se asnjë tjetër, na shkuli lisat e pyllit tonë të botës shpirtërore, na mori artistë të mëdhenj. I fundit ishte Enver Petrovci. Pak para tij, Robert Redford, aktor dhe regjisor i madh. Në momente shumë të vështira ndodhet Bruce Willis. Na ikën artistë të muzikës Garth Hudson, Roberta Flack, Sly Stone, Marianne Faithfull, Rick Derringer, dhe Rick Davies; aktori Terence Stamp dhe kauntautori Arthur Hamilton.

Një pyll i tërë lisash të mëdhenj në jetën tonë, pavarësisht në cilin kontinent. Prandaj më bëhet sikur viti 2025 na dha një kolpo të fuqishme. Edhe disa nga artistët tanë si Anagnosti apo Petrovci, lisa të tillë janë; paçka se jemi një vend i vogël dhe të sapo dalë nga izolimi.

Përveç ‘Idiotit’ të famshëm, për të cilin ishte aktor dhe regjisor, Enveri luajti në filma që i dhanë të drejtën çdo idioti ta ‘varroste’ Enverin për së gjalli. Luajti në “Top je bio vreo”, “The War Is Over”, “Anatema”, “Black Flowers”, “Gorski vijenac”, “Bolji zivot 2”. Një pjesë në gjuhë serbo- kroatisht. Edhe kishte studiuar e ishte formuar si aktor në Beograd; kjo aq më keq. E quajtën tradhtar, e quajtën se ka lavdëruar Milloshevicin, e quajtën antishqiptar. Ky, po, ishte varri që po i bënin gati Enver Petrovcit. Por edhe varri fizik do të ishte një tokë e humbur, ndoshta në një fshehtësi të varrezave në Prishtinë, ku veç gruas dhe djalit, askush tjetër nuk do ta vizitonte. Bekim Fehmiu, një aktor i madh shqiptar, i studiuar në Beograd, i formuar si aktor po në këtë kryeqytet, një ditë u lodh nga ‘varri’ i hapur nga nacionalistët idiotë, dhe ia dha vetes. Amaneti i tij ishte të mos kishte varr; hiri u hodh në urën e Prizrenit dhe shkoi në det. Me këtë urrejtje e shikojnë idiotët edhe Robert De Niron, që e quajnë ‘shqiptar tradhtar’ pse ka ‘ka origjinë shqiptare’, por për zemër ka Beogradin dhe nobelistin Ivo Andric.

Artistëve, po nuk ua bëre ‘varrin’ qysh në të gjallë, marrëdhënia me ta merr kthesa të papritura. Siç mori më Eseninin, mbi varrin e të cilit pas 100 vjetësh hidhen çdo ditë lule të freskëta dhe i kanë ngritur një monument të bardhë. Por nuk është ky lloj varri për të cilin kanë nevojë artistët. Është Panteoni i tyre në të gjallë ku shkojnë jetën pa sulme, pa baltë, pa shpifje, pa sharje. Duhet shtresëzuar dhe sistemuar shoqëria në artistë, të tjerë dhe idiotë…

Enver Petrovci ishte një artist i dimensioneve të tilla që të krijon përqasje pa fund.

Figura nga politika e arti bëjnë homazhe për aktorin shqiptar, Enver Petrovci

23 September 2025 at 14:03


Sot, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, kanë nisur homazhet për aktorin dhe regjisorin e njohur shqiptar, Enver Petrovci, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme (e hënë) në moshën 71-vjeçare.

Familjarë, miq, kolegë të skenës dhe të ekranit, si dhe personalitete të politikës dhe kulturës, u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit që la gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar.

Në mesin e të pranishmëve u panë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe aktorët e njohur Fatmir Spahiu, Kushtrim Sheremeti e Astrit Kabashi.

Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova

Petrovci ishte jo vetëm aktor e regjisor i shquar, por edhe pedagog që frymëzoi breza të tërë artistësh të rinj.

Kontributi i tij në artin shqiptar dhe në skenën teatrale mbetet i pazëvendësueshëm.

Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova

Homazhet për figurën e tij të madhe vazhdojnë gjatë ditës, duke i dhënë qytetarëve e dashamirësve të artit mundësinë për ta kujtuar dhe nderuar.

Pas homazheve, aktori do të përcillet për në banesën e fundit, në Prishtinë.

Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova

Me ndarjen nga jeta të Petrovcit, arti shqiptar humbi një nga emrat më të shquar të skenës, por trashëgimia e tij do të mbetet e pavdekshme. /Telegrafi/


Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova

Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova

Studentët e mi “do të jetojnë dhe do të vdesin dhe kurrë nuk do ta njohin ndjenjën e dashurisë”!

23 September 2025 at 12:33


Bashkëbisedim mes gazetarit Rade Radovanoviq dhe aktorit Enver Petrovci (28 shkurt 1954 - 22 shtator 2025) / Ditorja “Danas”, botuar më 25 dhjetor 2015 (titulli origjinal: Život sam doktorirao u bifeu Ateljea 212)
Përktheu: Telegrafi.com

Ti më thua të shkruaj për kujtimet e mia. Cilat kujtime, Rade im! Ndoshta njeriu, kur fillon të humbasë fuqinë fizike, sheh vetëm gjëra të shëmtuara rreth vetes. Para dy vjetësh nisa të shkruaj një libër me titullin Zhgënjimet e mia. Frymëzimin ma dhanë ish-studentët e mi. Atyre vërtet u kam dhënë - dhe ende u jap p gjithçka që kam.

Ua kam paguar qiranë, i kam veshur, ushqyer, ua kam dhënë forcën kur nuk e kishin ... Ua kam hapur bizneset, u dhashë ide të ndryshme, i kam pritur për të fjetur, kam shkuar në varrimet e më të dashurve të tyre, i kam ftuar në gëzimet familjare, i kam martuar me partnerët e zgjedhur, kam qenë kumbar shumë herë ... U kam dhuruar e huazuar para të cilat kurrë nuk m’i kthyen, kam shkuar në prova për t’i ndihmuar që ta ndërtonin një shfaqje apo një rol i cili nuk shkonte mbarë ... Kam lobuar që të fitonin çmime e bursa ... Dhe, shumë e shumë gjëra të tjera ...

***

U thosha:

- Gjithçka që bëj për ju, e bëj në emër të Zotit, i cili ma mundësoi të krijoj. Nuk kërkoj prej jush asnjë falënderim, as nuk kërkoj të më ktheni asgjë. Nga ju kërkoj vetëm dy gjëra: Që edhe ju të bëni të njëjtën gjë me të tjerët dhe që, kur të vijë koha juaj, të mos më shani.

***

Sikur ta dije, Rade im, sa më vjen keq për ta. Më vjen keq sepse nuk mësuan ... megjithëse patën rastin ... gjënë më themelore në jetë. E, ajo është dashuria! Të dish të duash. Të dish t’i dhurosh dikujt dashuri. Do të jetojnë dhe do të vdesin dhe kurrë nuk do ta njohin ndjenjën e dashurisë. Kurrë nuk do ta kuptojnë se unë i kam dashur sepse e doja Zotin. U kam thënë: Nuk më duhet feja që t’i afrohem Zotit. Jam i lidhur drejtpërdrejt me Zotin. Dhe, mbajeni mend, u thosha, se Zoti quhet dashuri. Të njohësh dashurinë do të thotë t’i afrohesh Zotit. Dashuria është, me fjalë të tjera, bamirësi.

***

Kurrë nuk do t’i harroj ndejat në bufën e teatrit Atelje 212. Unë, atëherë një aktor i ri, rrija pranë banakut ose ulesha kur kishte vend, me urtakët e kulturës. Merreni me mend, unë, një fëmijë, dëgjoja çfarë flisnin, me gotën në dorë, Danilo Kishin, Dragoslav Mihajloviq Mihizin, Mira Trailoviqin, Jovan Çirilovin, Zoran Radmiloviqin, Bekim Fehmiun, Luba Tadiqin, sharmantin Dragan Nikoliq, Bata Stojkoviqin, Mira Banjacin, Slobodan Seleniqin, z. Butkoviq, Dushan Kovaçeviqin, Petar Kralin, Borka Paviçeviqin, Petar Bozhoviqin ... Dhe shumë, shumë mysafirë të rastit ... Që nga politikanë e gjeneralë të ndryshëm e deri te kampioni botëror i shahut, Anatolij Karpov ... Meqë ra fjala, me Karpovin kam luajtur një lojë shahu në bufe. Dihet kush ishte fituesi ... Unë! ... Kur talleshim.

***

Më pëlqente t’i dëgjoja se si i “zgjidhnin” problemet politike e kulturore - botërore dhe vendore. Pihej e hahej mezja - pa dehje. Grindeshim e ngrinim zërin - pa urrejtje. Duhet ta pranoj se në atë bufe të vogël, me vetëm një tavolinë më të madhe, unë doktorova mbi temën: Jeta! Faleminderit atyre që çdo mbrëmje më pranonin në shoqërinë e tyre.

***

Një mbrëmje i kërkova z. Mihiz të ma shkruante një monodramë me temën Një shqiptar në Beograd. Dhe, atëherë kur do t’i fitoja paratë, do t’ia blija një vilë në det. Mihizi m’u përgjigj:

- Ideja jote është e shkëlqyer, por nuk mund ta pranoj ofertën tënde.

- Pse, e pyeta.

- Unë nuk mund të shkruaj në mënyrë afirmative për shqiptarin, u përgjigj ai. - Unë shqiptarët nuk i dua, por do të të vlerësoja shumë nëse ti do ta shkruaje një monodramë për një shqiptar i cili nga karakteri është njeri i mirë. Kjo është detyra jote, jo e imja. Detyra ime është të shkruaj mirë për popullin tim, e jotja për tëndin. Në këto shkrime mund të mos pajtohemi, por duhet ta respektojmë njëri-tjetrin ... Ta çmojmë njëri-tjetrin.

***

Nga tavolinat bërtisnin:

- Mos bisedo me Mihizin për këtë temë. Ai është nacionalist!

Duhet të pranoj se atëherë nuk e kuptova. Mbas shumë vitesh kuptova për çfarë fliste.

***

Pastaj iu drejtova profesorit Slobodan Seleniq dhe i kërkova të ma shkruante një monodramë me të njëjtën temë. Ai m’u përgjigj se nuk di të shkruajë monodrama. Kështu rrodhi biseda jonë:

Seleniqi: Tema është e qartë për ty. Pse nuk e shkruan vetë monodramën?

Enveri: Nuk di të shkruaj.

Seleniqi: A ke provuar?

Enveri: Po, por vetëm kur kam frymëzim, dhe kjo ndodh një ose dy herë në vit, për një ditë. Si shkruani ju, profesor?

Seleniqi: Thjesht, ulem dhe shkruaj.

Enveri: Po çfarë shkruani?

Seleniqi: Çfarëdo. Më e rëndësishmja është të ulesh me qëllimin për të shkruar.

Enveri: Po si të shkruaj kur nuk kam frymëzim?

Seleniqi: A vjen ti çdo ditë në prova në orën 10?

Enver: Po.

Seleniqi: A ke çdo ditë frymëzim për ta bërë rolin?

Enveri: Jo.

Seleniqi: Megjithatë, në fund e bën një rol të mirë?

Enveri: Po.

Seleniqi: E, ashtu është edhe me shkrimin! E rëndësishme është që çdo ditë, në një orar të caktuar, të ulesh me qëllimin për të shkruar. Nuk është e nevojshme të kesh frymëzim. Rëndësi ka qëllimi.

M’u deshën shumë vite për ta kuptuar atë që tha atëherë profesori Seleniq. Kohët e fundit, çdo ditë nga 14 orë ulem me qëllimin për të shkruar - pa pritur frymëzimin. Dhe, për Zotin, Seleniqi kishte të drejtë. Kam shkruar mjaft drama dhe skenarë të mirë.

***

Kur e kuptova përfundimisht se ky nuk është më vendi im?

I mbaj mend ndjenjat, por datat kurrsesi. Nuk mund ta kujtoj vitin, por e di që, atëherë, ato ditë, vdiq mikja ime e mrekullueshme Ena Begović [1960-2000] e cila jetoi në Zagreb. U trondita nga lajmi. Nuk mund ta besoja që një person kaq i mrekullueshëm mund të ikte. Ndoshta edhe Zoti ia kishte zilinë krijesës së vet ...

***

Meqenëse i njihja si Enën, ashtu edhe motrën e saj Mija, vendosa të shkoj në Zagreb për të shprehur ngushëllimet. U nisa nga Prishtina për në Shkup, bleva një biletë aeroplani për Sarajevë, aty fjeta një natë dhe të nesërmen në mëngjes zbrita në Zagreb. Por, vaj halli! Nuk donin të më lejonin të hyja në Zagreb sepse nuk kisha pasaportë kroate. Nuk e pranonin pasaportën time të deriatëhershme. Ndoshta ishte jugosllave. Ia shpjegova zonjës, që kontrollonte pasaportat, arsyen se pse isha aty dhe kush isha. E luta të më lejonte të hyja qoftë edhe për dy-tri orë në qytet. Ia tregova edhe biletën e kthimit me aeroplan për po atë mbrëmje. Zonja nuk deshi as të dëgjonte ... Kisha përshtypjen që kënaqej sepse mund të më refuzonte. Kërkova të bisedoja me shefin e saj, duke shpresuar se ishte dikush që do të më njihte dhe do të më lejonte të hyja në qytet për të shprehur ngushëllimet ...

- Nuk mund të takoheni kurrsesi me shefin - u përgjigja ajo. - Ky është një shtet serioz. Nuk mund të hyjë e të dalë kush si të dojë ...

- Por, zonjushë, deri dje unë në Zagreb vija shumë shpesh. Madje, kam punuar këtu, kam qenë i dashur dhe i adhuruar nga zagrebasit ...

- Jo e jo! Dhe, ju lutem, mos ma humbni kohën ...

- Atëherë, ma gjeni një numër telefoni të ndonjë aktori të njohur zagrebas. Ai do të garantojë për mua, jam i sigurt ...

Dhe, unë i njihja shumicën e aktorëve të Zagrebit ... dhe jo vetëm ata ... Por, zonjusha ose zonja nuk deshi as të dëgjonte …

***

Ishte herët në mëngjes ... Shkova në frishop, bleva një shishe uiski, u ula dhe e prita aeroplanin e mbrëmjes për t’u kthyer. E piva tërë shishen pa ngrënë asgjë ... Kështu, e kuptova atëherë se ky nuk ishte më vendi im.

***

Ndoshta para dy-tre vjetëve, më falni për datën, po xhiroja një film në Bosnje, në vetë kufirin me Kroacinë. Zagrebi ishte një orë larg nga kufiri. Në film luanin, përveç të tjerëve, edhe shoqja ime e klasës Gordana Gaxhiq dhe burri i saj tashmë i ndjerë, Ivica Vidoviq. Kishim një ditë pushim dhe ata me mirësjellje më ftuan të shkonim në Zagreb për drekë. Megjithëse dëshiroja shumë - i refuzova. As vetë nuk e di pse. Zagrebin, qytetin tim të dashur, nuk e kam parë prej dekadash.

***

Si vlerësohet aktori te ... fshatari serb, kosovar dhe shqiptar?

Kur jetoja në Beograd, në [rrugën] “Knez Miletini” afër pazarit të Bajlonit, gjithmonë blija perime te gratë e moshuara nga fshati. E çmoja tek ato faktin që produktet e tyre i këpusnin atë ditë dhe i sillnin në treg për t’i shitur. E dija që perimet ishin gjithmonë të freskëta ...

Enveri: Sa kushton patatja, moj loke?

Shitësja ma tha çmimin të cilin tani nuk e mbaj mend.

Enveri: Mi jep dy kile ...

Shitësja mori peshoren dhe me duart e saj të rënduara nga puna në arë i peshoi dy kilogramë patate. Dhe, ndërsa mori pagesën, më shikoi pak më mirë.

Shitësja: Ah, ti qenke ai ... aktori nga televizori?

Enveri: Po, moj loke, unë jam ai.

Shitësja: Eh, ja ku i ke edhe dy patate nga unë.

Nga respekti për “aktorin nga televizori” m’i dhuroi edhe dy patate.

***

Një situatë e ngjashme në tregun e Prishtinës…

Një burrë përpara meje pyeti se sa kushton patatja? Shitësi u përgjigj se është 50 centë. Burri përpara meje bleu dy kilogramë patate dhe pagoi një euro ... Vij unë në radhë ... Meqë e dëgjova çmimin, i thash t’i peshojë edhe për mua dy kilogramë ... Ky e bëri këtë dhe unë ia jap një euro ... Por, shitësi më njohu ... Më tha se patatet kushtojnë një euro e 50 centë. Mua më vinte turp të zihesha me të për 50 centë dhe ia pagova. Kur shkova në shtëpi ia tregova gruas time këtë ngjarje ... Ajo nuk është përtace dhe i vuri patatet në peshore. Dhe, imagjinoni ... Dy patate mungonin!

***

Një situatë e ngjashme në tregun e Tiranës ...

Ndërsa po blija patate në treg te një fshatare shqiptare në Tiranë, nga pas u afrua një vajzë e vogël, shitëse lulesh rreth 14-15 vjeçe ... Më thotë:

- Ju lutem, z. Enver, do të jem e lumtur nëse pranoni si dhuratë këtë buqetë me lule nga unë, sepse prindërit e mi ju adhurojnë ...

Atëherë iu drejtua shitësja e patateve:

- Vajzë, sa kushton buqeta?

- Treqind lekë - u përgjigj ajo (rreth dy euro e gjysmë).

- Ma jep edhe mua një buqetë - tha shitësja dhe ia pagoi.

Pastaj e mori buqetën dhe mu drejtua mua:

- Pranojeni edhe nga unë këtë buqetë me lule, sepse edhe unë ju çmoj dhe ju adhuroj shumë.

***

Jeta më ka mësuar që dhuratat nuk refuzohen. Mora të dy buqetat me lule dhe atë ditë ecja nëpër rrugët e Tiranës si njeriu më i lumtur në botë. Më beso, Rade im, kam fituar dhe marrë shumë çmime e dhurata. Të gjitha ato ishin shenjë e punës sime të suksesshme dhe e kënaqësisë. Por, lumturinë më të madhe në jetën time e përjetova për shkak të këtyre dy buqetave me lule.

***

Dy nëna.

Kur u ktheva nga Beogradi në Prishtinë dhe e lajmërova familjen time se isha pranuar në Akademinë e Arteve të Beogradit, shpërtheu një gëzim i madh. Të gjithë më puthnin e më uronin, përveç nënës sime që rrinte ulur në një qoshe dhe qante. Iu afrova dhe mendova se ishin lot gëzimi.

Enveri: Pse qan, nënë? Pse nuk më uron?

Nëna: Çfarë të të uroj? Nga sot unë përfundimisht e humba djalin.

Enveri: Veç t’i mbaroj studimet ... Do të kthehem unë ...

Nëna: Kurrë më nuk do të kthehesh ...

Dhe, kishte të drejtë ... Gjithmonë kur shkoja tek ajo, ajo qante. Të njëjtën e bënte edhe kur shkoja për në Beograd. Një herë i thashë:

- Nënë, përcaktohu. Qaj ose kur vij ose kur shkoj. Më dhembin shumë lotët e tu ...

***

Duhet të ta pranoj, Rade im, se gjithmonë kam pasur ndërgjegje të vrarë se pse e lashë nënën time dhe shkova në Beograd.

***

Në kohën kur isha student i vitit të tretë të aktrimit, në Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, njoha një njeri të mrekullueshëm, z. Brkiq, i cili atëherë ishte zëvendësdrejtor i Shtëpisë së Kulturës në Studenjak. Pranë kësaj shtëpie funksiononte edhe Teatri i Hapur [Otvoreno Pozorište] ... Pas shumë e shumë bisedave, e binda të ma jepte hapësirën për prova dhe të bënim një shfaqje për atë teatër. Sapo u morëm vesh, thirra Egon Savinin i cili ishte student i vitit të tretë të regjisë së teatrit dhe bëmë e shfaqjen Fejesa dhe dasma - një adaptim i A.P. Çehovit. Edhe pse studentë, patëm sukses të madh dhe na thirrën madje edhe në MESS, në Festivalin e skenave të vogla dhe eksperimentale në Sarajevë.

***

Gjatë ditëve të festivalit, Egoni më ftoi të shkonim bashkë për vizitë te prindërit e tij, meqë ai ishte sarajevas. Dhe, shkuam te familja e Egonit. Njerëz të mrekullueshëm, zotërinj të vërtetë. Dhe, ndërsa Egoni me të atin po bisedonte diçka në dhomën tjetër, unë e shfrytëzova rastin t’ia thosha një gënjeshtër nënës së Egonit. Në fakt, mendoja se të gjitha nënat ishin si e imja, dhe se edhe ajo brengosej që i biri “e kishte lënë”. I thashë:

- Mos u brengosni. Egoni dhe unë jemi marrë vesh: Sapo ta mbarojmë akademinë - kthehemi në shtëpi ...

Gënjeva duke menduar se në atë mënyrë po e ngushëlloja. Por, vaj halli! ... Ajo kërcen në këmbë dhe shkon te Egoni, pastaj ia hedh varg me qortime dhe sharje:

- Çka po dëgjoj kështu, Egon! ...Do të kthehesh në Sarajevë? ... Je ti në vete? Nuk të kam dërguar në Beograd që të kthehesh këtu! ... Përkundrazi, nëse mundesh, të shkosh larg e më larg.

***

U trondita nga reagimi i saj ... Uau, mendova se sa e tmerrshme është kjo nënë që e largon të birin prej vetes. Nga ana tjetër, ia pata zili Egonit sepse nëna e përkrahte në përcaktimin e tij jetësor. Më vonë i thashë:

- Eh, sikur të kisha një nënë që mendon si kjo e jotja, ku ta kisha fundin tim. Do ta pushtoja gjithë botën.

***

Tani vajza ime heziton nëse do të shkojë në Amerikë. Unë përpiqem të mendoj e të jem si nëna e Egonit ... Por, duhet të pranoj se mendoj njësoj si nëna ime. /Telegrafi/

Teatri Dodona nderon jetën dhe veprën e Enver Petrovcit, bashkëthemeluesit të këtij institucioni

23 September 2025 at 12:30


Teatri Dodona ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjistorit të njohur, Enver Petrovci.

Ai ishte bashkëthemelues i Teatrit Dodona dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në formimin e brezave të rinj të aktorëve.

Enver Petrovci (1954-2025) telegrafi.com

Në një postim në Facebook, Teatri Dodona shkroi:

U shua zëri i një epoke. Sot i japim lamtumirën Enver Petrovcit, një njeriu që nuk ishte vetëm aktor, por vetë teatri, vetë fjala, vetë shpirti i skenës shqiptare. Ai ishte dhe do të mbetet një ikonë kulturore, që e ndërtoi dhe e mbrojti teatrin shqiptar me mish e me shpirt, në kohë të vështira dhe të lavdishme. Shkëlqimi i tij nuk do të zbehet kurrë. Prehu në paqe, Enver”.

Ky reagim thekson kontributin e jashtëzakonshëm të Petrovcit në teatrin dhe kulturën shqiptare dhe rolin e tij të çmuar si udhëheqës dhe frymëzim për artistët e rinj.


Sot (e martë), në orën 17:00, do të mbahet varrimi i të ndjerit në varrezat e qytetit në Prishtinë. /Telegrafi/

Sot varroset aktori Enver Petrovci

23 September 2025 at 08:15


Aktori i madh Enver Petrovci është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Ceremonia e varrimit të tij do të mbahet ditën e sotme, duke nisur nga ora 17:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Petrovci njihej për rolet e tij të shumta në teatër, film dhe seriale, duke u konsideruar një ndër figurat më të shquara të artit shqiptar.

Enver PetrovciFoto: Avni Selmani

Për dekada me radhë, ai i dha gjallëri skenës me interpretimet e tij të paharrueshme.

Përveç aktrimit, Petrovci ka dhënë një kontribut të madh edhe si regjisor e pedagog, duke ndikuar në formimin e shumë brezave të rinj aktorësh.

Ikja e tij ka lënë një boshllëk të madh në kulturën shqiptare, por emri dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së artit në trojet shqiptare.

Sot, Prishtina dhe mbarë arti shqiptar i japin lamtumirën e fundit një personaliteti që e pasuroi skenën dhe ekranin me talentin e tij unik. /Telegrafi/

Çun Lajçi reagon pas vdekjes së Petrovcit: Erdhe furishëm dhe ike i heshtur, lamtumirë

23 September 2025 at 08:00


Aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Enver Petrovci, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare.

Lajmi i hidhur ka tronditur botën e artit në Kosovë e më gjerë, ndërsa sot ai do të përcillet për në banesën e fundit në Prishtinë.

Mes shumë figurave publike që kanë shprehur ngushëllime, një reagim prekës ka ardhur edhe nga aktori Çun Lajçi.

Ai ka ndarë një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale, gjegjësisht në Facebook.

“Erdhe furishëm dhe ike i heshtur. Lamtumirë Enver, aktor e pedagog”, ka shkruar Lajçi.

Ky reagim i tij ka prekur shumë ndjekës, të cilët gjithashtu kanë lënë komente ngushëllimi për humbjen e një prej ikonave të aktrimit shqiptar.

Petrovci do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si aktor, regjisor dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe artin shqiptar. /Telegrafi/

“Kisha fatin të mësoja aq shumë nga ti”, Teuta Krasniqi me dedikim emocionues për Petrovcin

22 September 2025 at 21:40


Aktorja e njohur, Teuta Krasniqi, ka shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen e saj pas ndarjes nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar Enver Petrovci.

Përmes një postimi në InstaStory, ajo ka ndarë një fotografi ku shfaqet pranë Petrovcit, duke rikujtuar ndikimin e tij në jetën dhe karrierën e saj.

“Fjalët nuk mjaftojnë për ta shprehur mirënjohjen që kisha fatin të mësoj aq shumë nga ti”, shkruan Krasniqi.

Foto: Instagram

Ajo vazhdon më tej me një mesazh të ndjerë: “Lamtumirë profesor.”

Ky reagim pasqyron lidhjen e ngushtë që shumë artistë kanë pasur me Petrovcin, i cili jo vetëm që solli kontribute të mëdha në teatër dhe film, por edhe formoi dhe frymëzoi breza të tërë studentësh dhe aktorësh.

Trashëgimia e tij artistike mbetet e pavdekshme, duke lënë një ndikim të paharrueshëm në artin shqiptar.

Nesër (e martë) ndërkaq do të mbahet një mbledhje komemorative për të e do t’i jepet lamtumira e fundit. /Telegrafi/

“Po kam frikë me shku te Zoti” - deklarata e fuqishme e Petrovcit e dhënë para disa viteve

22 September 2025 at 19:59


Enver Petrovci, aktori dhe pedagogu i madh shqiptar i cili ndërroi jetë sot, la pas një trashëgimi të pasur artistike.

Para tre vitesh në një intervistë në emisionin “Libero”, ai rrëfeu hapur bindjet, reflektimet dhe pasionin për artin që e karakterizuan gjithë jetën.

“Mendoj që pak kam punuar, pak kam bërë nuk jam modest. Unë jam besimtar. Aty nuk kam dilemë, se e kam parë dritën e Zotit, vërtetë po. Po është tregim tjetër”, kishte thënë ai.

Enver PetrovciFoto: YouTube

“Më dhimbsen njerëzit që nuk janë besimtarë. Po nuk kam asgjë kundër tyre, natyrisht. Puna e tyre është”.

Ai nuk e fshehu frikën dhe përgjegjësinë që ndjente për dhuratën e talentit që Zoti i kishte dhënë: “Po kam frikë me shku te Zoti sepse më ka dhënë shumë mundësi e unë nuk kam bërë asgjë. Në krahasim me atë se sa mundësi m’ka dhënë”.

Petrovci theksoi veçoritë që e bënë një artist të veçantë: zërin, mendjen, talentin për skenë, për komponim, për këndim dhe instrument, si dhe shëndetin që ia mundësoi të ushtronte artin e tij.

“E unë vetëm kam qenë shqiptar”, kishte thënë aktori ndër të tjerash.

- YouTube www.youtube.com

Trashëgimia e Enver Petrovcit do të mbetet e gjallë, jo vetëm në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, por edhe në kujtimet dhe mesazhet që ai la pas, duke frymëzuar breza të rinj artistësh dhe duke lënë një model për reflektim mbi jetën dhe talentin. /Telegrafi/

Hajrulla Çeku për Petrovcin: Do të mbetet i pazëvendësueshëm në teatrin dhe filmin shqiptar

22 September 2025 at 19:21


Vdekja e aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar Enver Petrovci ka tronditur thellë botën e artit dhe kulturës shqiptare.

Figura e tij është konsideruar një nga më të rëndësishmet në teatrin dhe kinematografinë e vendit, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një ndikim të pakontestueshëm tek brezat e rinj të aktorëve.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur dhimbjen dhe respektin e tij për Petrovcin, duke e cilësuar atë si një personalitet të pazëvendësueshëm dhe frymëzues për komunitetin artistik shqiptar.

Përmes fjalëve të tij, ministri nënvizon rolin e Petrovcit jo vetëm si aktor i talentuar, por edhe si pedagog, themelues dhe mentor i brezave të tërë artistësh.

Postimi i plotë i Hajrulla Çekut:

“Lamtumirë Enver Petrovci.

Është shumë e vështirë të shkruash për ikjen e një personaliteti që i dha aq shumë kulturës dhe artit shqiptar. Enver Petrovci ishte një nga aktorët më të shquar të skenës sonë, një artist që me talentin dhe karizmën e tij do të mbetet i pazëvendësueshëm në teatrin dhe filmin shqiptar.

Gjatë dekadave të veprimtarisë së tij, ai interpretoi një gamë rolesh, duke i dhënë jetë figurave që tashmë janë pjesë e kujtesës kolektive. Petrovci ishte edhe themelues, regjisor dhe mësues, duke lënë gjurmë të thella në formimin e shumë brezave artistësh.

Ai u nda nga jeta, por pas vetes la një trashëgimi të çmuar kulturore, që do të mbetet frymëzim i përhershëm për të gjithë ne. Ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe të gjithëve që patën fatin ta njohin”. /Telegrafi/

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton për aktivitetet në nder të Enver Petrovcit

22 September 2025 at 18:42


Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur programin e aktiviteteve që do të mbahen nesër (e martë) në nderim të jetës dhe veprës së aktorit dhe pedagogut të shquar, Enver Petrovci.

Ky njoftim është publikuar në faqen zyrtare të TKK, duke përfshirë të gjitha detajet e ceremonive që do të zhvillohen në Prishtinë.

Aktivitetet do të organizohen nën përkujdesjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Petrovcit në artin dhe kulturën shqiptare.

Programi parashikon:

“Homazhe: nga ora 13:30 – 15:30 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Mbledhja komemorative: në ora 15:30, po në të njëjtin vend.

Varrimi: në ora 17:00 në Varrezat e Qytetit, Prishtinë”.

Ky është një rast për të nderuar një nga figurat më të rëndësishme të skenës dhe kinematografisë shqiptare, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe një ndikim të pashlyeshëm tek brezat e rinj të aktorëve. /Telegrafi/

Adriana Matoshi pas vdekjes së Petrovcit: Lamtumirë profesor

22 September 2025 at 18:00


Bota e artit është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit, regjisorit dhe profesorit të shquar Enver Petrovci.

Shumë kolegë dhe artistë kanë ndarë dhimbjen e tyre për humbjen e kësaj figure të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Ndër ta ka reaguar edhe aktorja e njohur Adriana Matoshi, e cila ka shprehur respektin e saj për Petrovcin me një mesazh të shkurtër në InstaStory.

Foto: Instagram

“Lamtumirë profesor”, ka shkruar ajo.

Edhe pse me pak fjalë, reagimi i Matoshit pasqyron lidhjen e fortë që artistët kanë pasur me Petrovcin, i cili përveçse një aktor i madh, ishte edhe një pedagog që frymëzoi dhe udhëzoi breza të tërë studentësh në rrugën e artit.

Trashëgimia e tij artistike dhe mësimet që ai la pas do të kujtohen gjithmonë nga ata që patën fatin ta njohin nga afër. /Telegrafi/

Shengyl Ismaili për Enver Petrovcin: Do të të kujtoj gjithmonë

22 September 2025 at 17:00


Lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të njohur Enver Petrovci ka prekur thellë botën e artit.

Përveç kolegëve e bashkëpunëtorëve të shumtë, ka reaguar edhe aktorja e njohur Shengyl Ismaili, e cila nuk i fshehu emocionet dhe dhimbjen për humbjen e profesorit të saj.

Në një postim në InstaStory, ajo shkroi me fjalë të ndjera: “Pusho në paqe i dashur profesor. Do të kujtoj gjithmonë”.

Foto: Instagram

Ky reagim i shkurtër, por i fuqishëm, shpreh respektin dhe mirënjohjen e saj për figurën e Petrovcit, i cili ka qenë udhërrëfyes dhe frymëzim për shumë gjenerata aktorësh.

Petrovci jo vetëm që la pas një trashëgimi të pasur artistike në teatër dhe film, por edhe ndikoi drejtpërdrejt në formimin profesional të shumë artistëve të rinj, mes tyre edhe të Ismailit.

I njëjti ka lënë një karrierë të gjatë pas, me vepra të shumta, që do të mbahen mend gjatë. /Telegrafi/

Vdekja e Petrovcit, Kurti: Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë

22 September 2025 at 16:17


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur dhimbjen dhe respektin e tij për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut të shquar, Enver Petrovci.

Ai e cilësoi atë si një figurë të rrallë, që me mendimin e kthjellët, humorin dhe lirinë e shprehjes, frymëzonte çdo takim e bisedë.

Kurti kujtoi kontributin e Petrovcit si themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, si profesor në degën e aktrimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe rolet e tij të paharrueshme në teatër e film.

Postimi i plotë i Kurtit (pa ndërhyrje):

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.

Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.

Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve”. /Telegrafi/

Shkumbin Istrefi për Enver Petrovcin:Trashëgimia e tij artistike do të jetojë përgjithmonë

22 September 2025 at 16:08


Lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur Enver Petrovci ka tronditur botën e artit shqiptar.

Shumë personalitete kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një figure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në teatër, film dhe kulturë.

Mes tyre ka reaguar edhe aktori Shkumbin Istrefi, i cili me fjalë të ndjera e përshëndeti për herë të fundit Petrovcin.

“Lamtumirë profesor e artist i madh. Ngushëllime familjes, kolegëve, miqve dhe botës së artit”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Tutje theksoi se arti dhe veprat e Petrovcit do të mbeten të pavdekshme.

“Trashëgimia e tij artistike do të jetojë përgjithmonë”, vazhdon mes tjerash.

Petrovci u konsiderua një prej figurave më të rëndësishme të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare, duke u kujtuar jo vetëm si aktor i talentuar, por edhe si mësues e mentor për breza të tërë artistësh. /Telegrafi/

Ndarja nga jeta e Enver Petrovcit, reagon Albin Kurti: Kosova humbi një thesar kombëtar!

By: M C
22 September 2025 at 17:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktori dhe regjisorit Enver Petrovci në moshën 71-vjeçare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan se sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të përcillet brez pas brezi.

“Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi”, shkruan ai, ndërsa i ka shprehur ngushëllimet familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.

“Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë

Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.

Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.

Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.

Kush ishte ikona e kinematografisë

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Është një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimishtë studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Ai ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtuara aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.

Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.

Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Univerisitetin e Prishtinës. Pra, në vitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

The post Ndarja nga jeta e Enver Petrovcit, reagon Albin Kurti: Kosova humbi një thesar kombëtar! appeared first on Albeu.com.

Ish-presidentja Jahjaga reagon për vdekjen e Petrovcit: Do ta kujtojmë si njeri të dashur dhe të përkushtuar ndaj artit

22 September 2025 at 15:36


Ka ndërruar jetë ditën e sotme (e hënë) aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Enver Petrovci.

Të shumta qenë reagimet nga miqtë e familjarët e po ashtu edhe nga komuniteti artistik.

E për vdekjen e yllit të famshëm të kinematografisë reagoi së fundmi edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo ka ndarë një postim në Facebook, ku e vlerëson Petrovcin për punën dhe angazhimin e gjatë si artist.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e Enver Petrovcit!

Enverin do ta kujtojmë si aktor, dramaturg, poet e pedagog, por mbi të gjitha si njeri të dashur dhe të përkushtuar ndaj artit dhe brezave të rinj.

Ngushëllime familjarëve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”. /Telegrafi/

Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjen Petrovci pas ndarjes nga jeta të aktorit

22 September 2025 at 15:15


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Enver Petrovci.

Në një postim zyrtar në Facebook, Presidenca ka shkruar:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë.

Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin!

Reagimi i presidentes nënvizon respektin e madh që komuniteti kulturor dhe institucioni i Presidencës kanë për jetën dhe kontributin e Petrovcit në artin dhe teatrin shqiptar. /Telegrafi/



❌
❌