Normal view
Rama në parkun eolik në Tropojë: Shqipëria do të jetë sovrane në energji
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot parkun e madh eolik të Tropojës, një investim me kapacitet të pritshëm 600 MW, zhvilluar nga kompania amerikane CWP. Sipas tij ky projekt është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të Shqipërisë drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se brenda kësaj dekade Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të dalë në treg për të blerë energji, por do të shesë prodhimin që tejkalon kërkesën e brendshme.
“Ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Ne e kemi pasur për një periudhë të gjatë në varësi të plotë nga uji, ndërkohë kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara sa që kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar për të blerë sasi të mëdha me çmime të kripura, ndërkohë kur shiu ka ardhur me shumicë, të derdhet dhe jo vetëm të mos kthehet në energji, por të shkaktojë dhe dëme. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit dhe ne do të jemi në kategorinë e jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti. Kjo për rezultat i investimeve, i një vizioni, i një programi i dhe i një përpjekjeje të përditshme nga ministra e Energjisë”.
Ai nënvizoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve, duke shtuar se përveç ujit, energjia diellore dhe era do të sigurojnë rreth 30% të prodhimit deri në fund të dekadës.
“Uji do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por energjia e diellit dhe erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade, do të jetë 30%. Me këtë 30% do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe çdo të prodhojmë përtej nevojave, do ta eksportojmë. Jo më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por energji e shitur jashtë vendit për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë”, shtoi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës investimi sjell dije dhe eksperiencë të re, si dhe vlerë të shtuar në sektorin strategjik energjetik, duke e bërë Shqipërinë një vend më të pavarur në fushën e energjisë.
“Finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare, e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për të gjithë procesin parapërgatitor që faktikisht është më i shkurtër se procesi i ndërtimit. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë siç duhet dhe në harkun e 11 muajve pa llogaritur dimrin intensiv. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë se rinovueshme. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë, rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë, unë kam besim që jo vetëm do të përfitojmë një burim të ri dhe t fuqishëm energjie të rinovueshme, por do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe të veprimit me një sektor kaq strategjik”.
Kina-Trumpit: Mos i përdorni vendet e tjera si justifikim për interesat tuaja
Kina i kërkoi të martën Shteteve të Bashkuara të mos përdorin vendet e tjera si justifikim për të ndjekur interesat e veta, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se SHBA-të duhet të marrin kontrollin e Groenlandës për të parandaluar Rusinë ose Kinën ta pushtojnë atë në të ardhmen.
“Arktiku ka të bëjë me interesat e përgjithshme të bashkësisë ndërkombëtare”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning në një konferencë për shtyp.
Sipas saj, veprimet e Kinës në Arktik synojnë të promovojnë paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Mao bëri thirrje gjithashtu për respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjitha kombeve për të kryer veprime të ligjshme në Arktik.
Tritol servisit në Vuan e Dejës, policia: Po punohet për kapjen e autorëve
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur gjatë natës në fshatin Shelqet në Vaun e Dejës.
Mësohet se si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale. Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
“Me datë 11.01.2026, rreth orës 00:40, shtetasi A. F., banues në fshatin Shelqet, ka njoftuar se ka konstatuar të dëmtur derën kryesore të subjektit të tij(servis). Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, dhe paraprakishtit dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë, ka pasur vetëm dëme materiale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.“, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën
Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani kanë lidhje edhe në Venezuelë. Këtë e tregojnë rastet e sekuestrimeve të kokainës, arrestimeve dhe procedurave gjyqësore që janë përfunduar ose që janë ende në zhvillim.
Këto grupe janë identifikuar nga organizata ndërkombëtare, si EUROPOL dhe INTERPOL, si ndër aktorët kryesorë në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës Latine drejt Evropës.
Venezuela ka ardhur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një shtet transit për trafikimin e kokainës pas arrestimit të udhëheqësit të rrëzuar, Nicolas Maduro, nga forcat e Shteteve të Bashkuara në fillim të janarit.
Maduro do të përballet me gjykim në SHBA në bazë të një aktakuze që e ngarkon me mbikëqyrje të një rrjeti të tregtisë me kokainë, që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, rebelët majtistë kolumbianë të FARC‑ut dhe bandën venezuelase Tren de Aragua. Maduro në seancën e parë dëgjimore të mbajtur në një gjykatë në Nju Jork i mohoi akuzat.
Cili është rëndësia e Venezuelës për grupet kriminale nga Ballkani?
Siç thekson për Radion Evropa e Lirë, Sasha Gjorgjeviq nga Nisma Globale për Luftimin e Organizatave Kriminale Transnacionale (GI-TOC), Venezuela është e rëndësishme për kontrabandën e kokainës, në të cilën janë të përfshira rrjete kriminale nga Ballkani Perëndimor, sepse ajo përbën “korridor strategjik dalës nga Amerika Latine drejt Atlantikut”. Nga atje, shumica e kokainës shkon ose direkt në Evropë, ose përmes Afrikës Perëndimore në Evropë.
Sipas tij, për grupet kriminale nga Ballkani, Venezuela është e rëndësishme, por jo destinacioni kryesor për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në këtë kuptim, vendet si Kolumbia dhe Brazili janë shumë më të rëndësishme, dhe në vitet e fundit edhe Ekuadori, përcjell A2.
Arrestimi i Maduros dhe veprimet e SHBA-së kundër grupeve kriminale që merren me trafikimin e kokainës, sipas Gjorgjeviqit nuk do të kenë shumë ndikim te këto grupe, anëtarët e të cilave janë me origjinë nga vendet e Ballkanit.
“Duke pasur parasysh se këto grupe gjithmonë kanë qenë fleksibile, supozoj se ato grupe që kanë përdorur Venezuelën do të gjejnë rrugë alternative në këto vende ku, sipas meje, ekzistojnë baza shumë më të rëndësishme”, vlerëson ai.
Kush janë aktorët kryesorë?
Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën u zbuluan përmes sekuestrimit të kokainës pranë bregut të Arubës, afër Venezuelës, në shkurt të vitit 2020.
Në atë rast, marina holandeze ndaloi anijen “Aressa”, e cila më parë ishte ankoruar në portin venezuelas të Guaranos. Në bordin e anijes u sekuestruan 5 tonë kokainë.
Gjatë aksionit u arrestuan 11 shtetas të Malit të Zi, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Sipas Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, sekuestrimi i kokainës në Arubë ishte si rezultat i bashkëpunimit mes Mali i Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Holandës.
Para gjykatës në Arubë, shtetasit malazezë u dënuan në mars të vitit 2021 me dënime nga nëntë deri në 15 vjet burgim.
EUROPOL-i e lidhi kokainën e sekuestruar në Arubë me shtetasin serb Mirosllav Starçeviq, i arrestuar në maj të vitit 2023 së bashku me 12 persona të tjerë. Ata akuzohen nga autoritetet në Serbi për trafik ndërkombëtar të drogës.
Siç është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë në Beograd, procesi gjyqësor kundër këtij grupi është drejt fundit.
Policia serbe e ka cilësuar Starçeviqin si udhëheqës kryesor “të organizatës më të madhe kriminale për trafikim të drogës nga Ballkani” që u zbulua me ndihmën e EUROPOL-it.
Sipas Policisë serbe, karteli i udhëhequr nga Starçeviq qëndron pas dërgesave me shumë tonë kokainë që kanë mbërritur në Evropë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, por edhe përmes Afrikës Perëndimore.
Grupi i Starçeviqit në raportet e GI-TOC lidhet me klanin Kavaç, klan kriminal me origjinë nga Mali i Zi.
Klanet Kavaç dhe Shkalar janë nga Mali i Zi. Bëhet fjalë për dy klane të armatosura, dhe gjatë përplasjeve që kanë pasur që nga viti 2014 kanë humbur jetën më shumë se 60 persona.
Pa përgjigje nga ministritë e Brendshme të Serbisë dhe Malit të Zi
Nuk dihet nëse dhe sa janë të përfshira ende grupet kriminale, pjesëtarë të të cilave janë me origjinë nga Serbia dhe Mali i Zi, në trafikun e kokainës të lidhur me Venezuelën.
Për këto pyetje, deri në publikimin e këtij teksti, nuk janë përgjigjur Ministria e Brendshme e Serbisë, dhe as ajo e Malit të Zi.
Nga EUROPOL-i thanë shkurt për REL-in se organizata nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Venezuelën, kështu që të dhënat për përfshirjen e grupeve kriminale nga Ballkani merren në mënyrë indirekte, nga policitë e këtyre shteteve.
Grupet kriminale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në raportet e agjencive ndërkombëtare si EUROPOL dhe INTERPOL, cilësohen si të rëndësishme për trafikun e kokainës nga Amerika Latine, kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Këtë pozicion, sipas raporteve të GI-TOC, ato e kanë ndërtuar për dekada, kryesisht përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me vendet prodhuese dhe distributorë të kokainës.
Pse është e veçantë Venezuela?
Ajo që e bën Venezuelën interesante, thotë Gjorgjeviq nga GI-TOC, është përdorimi i transportit detar dhe ajror për kokainën që dërgohet nga ky shtet.
“Janë avionë të vegjël, për të cilët kontrolli dhe monitorimi është shumë më i ulët se për fluturimet komerciale”, shpjegon ai.
Në Venezuelë nuk prodhohet kokainë, por sipas raporteve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Venezuela cilësohet si një nga shtetet kryesore transit për kokainën, e cila prodhohet kryesisht në Kolumbi dhe më pas shpërndahet drejt SHBA-së dhe Evropës.
Indikacionet e forta që pjesë të aparatit shtetëror venezuelas janë të përfshirë në aktivitetet kriminale vijnë nga gjetjet e Indeksit për Krim Global, sipas të cilit Venezuela renditet në dhjetë për qindëshin më të lartë të vendeve në botë për ndikimin e aktorëve kriminalë brenda vendit.
Raportet vjetore për këtë indeks i publikon GI-TOC, organizatë joqeveritare me seli në Gjenevë.
Në raportin e fundit të publikuar në nëntor të vitit 2025, thuhet se grupet guerile kolumbiane “menaxhojnë zinxhirët e furnizimit në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar venezuelas”.
“Grupet janë integruar në komunitetet lokale, shpesh duke manipuluar të rinjtë që të punojnë për ta nën maskën e punësimit të ligjshëm, dhe kanë marrë në dorë sistemet lokale të drejtësisë dhe strukturat e qeverisjes”, theksohet në raport.
Aty shtohet se marrëdhënia simbiozë midis grupeve guerile kolumbiane dhe zyrtarëve shtetërorë venezuelas ka lehtësuar operacionet e tyre, duke rezultuar në “dhunë minimale, por kontroll të konsiderueshëm mbi rajonet kufitare”./ REL
Trump: Teherani dëshiron të negociojë, mund të organizohet një takim
“Teherani dëshiron të negociojë”. Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërsa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One, teksa Irani është përfshirë prej prostesave masive.
“Udhëheqësit iranianë telefonuan dje”, tha Trump, duke shtuar se po organizohet një takim, shkruan La Repubblica.
Megjithatë, Trump deklaroi se se ushtria amerikane po shqyrton opsione shumë të forta, lidhur me një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran.
“Mund të na duhet të veprojmë përpara se kjo të ndodhë. Po e vlerësojmë situatën shumë seriozisht. Ushtria po e shqyrton atë dhe po vlerësojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim”, theksoi ai.
12:00 Haruki Murakami, shkrimtari që i dha zë heshtjes moderne
Nga Leonard Veizi
Në 12 janar të vitit 1949, në qytetin e lashtë të Kyotos, ku hijet e tempujve rrëfejnë histori të harruara dhe koha rrjedh në mënyra të çuditshme, lindi Haruki Murakami. Një fëmijë i pasluftës, i rritur mes kujtesës së copëtuar të Japonisë dhe tingujve të një bote që ndryshonte me shpejtësi. Letërsia e tij nis aty ku logjika hesht: në buzë të një pusi të errët, nën dritën e dy hënave që nuk ndodhen askund në qiellin tonë, ose në shoqërinë e një maceje që zhduket pa lënë gjurmë…
…Në krijimtari, çdo fjali e Murakamit tingëllon si një notë muzike, një xhaz i ngathët i ndarë mes nostalgjisë dhe magjisë. Në Shqipëri, ai nuk është thjesht një autor i huaj; është një dritare e hapur drejt një universi tjetër, ku koha dhe ndjenja gërshetohen në ritmin e vetëdijes. Falë mjeshtërisë së përkthyesve tanë, lexuesi shqiptar mund të hyjë në “dhomat e errëta të ndërgjegjes”, aty ku çdo simbol dhe çdo tingull ka kuptim të fshehtë.
Universi i Murakamit në gjuhën shqipe
Shumica e veprave të tij në shqip kanë ardhur nën logon e shtëpisë botuese “Skanderbeg Books”, e cila ka ndjekur me përpikëri korpusin e tij kryesor. Përkthyes si Ilir Baçi, Artan Kuçi, Merita Meçe, Orjeta Marku… kanë ndihmuar që ajo atmosferë melankolike dhe ritmi i veçantë i prozës të ruhet, duke i dhënë lexuesit një ndjesi afërsi me botën e tij surreale.
Edhe pse veprimet e romaneve të tij ndodhin në lagjet e Tokios si Shinjuku dhe Shibuya, lexuesi shqiptar gjen lehtësisht veten te personazhet e tij. Murakami flet për ndjenja universale: vetminë në një qytet të madh, kërkimin e një zëri në heshtje, dashurinë që mbetet e paqartë dhe muzika që shëron dhe çmend në të njëjtën kohë. Xhazi dhe muzika klasike që dëgjojnë personazhet e tij pasqyrojnë shpirtin e shumë të rinjve shqiptarë, të cilët në tingujt perëndimorë gjetën arratisje, rezistencë dhe ëndërr.
Ashtu si Japonia, edhe Shqipëria mban plagët e saj të historisë. Personazhet e Murakamit, që gërmojnë në puset e së kaluarës, rezonojnë thellë me lexuesin tonë: dhimbja, nostalgjia, dhe shpresa për një dritë të vogël janë universale.
Disiplina e maratonistit
Përtej miteve dhe misterit, Murakami është i njohur për një disiplinë pothuajse ushtarake. Ai zgjohet në orën 4:00 të mëngjesit, shkruan për 5-6 orë dhe pastaj vrapon ose noton çdo ditë. Ky ritëm i ngurtë pasqyrohet në librin e tij “Çfarë flas” kur flas për vrapimin, që frymëzon jo vetëm drejt letërsisë, por edhe drejt sportit, vetëkontrollit dhe përqendrimit. Në mënyrë të heshtur, Murakami na mëson se shkrimi dhe jeta janë të lidhura: çdo hap, çdo frymëmarrje, çdo tingull ka rëndësi.
Një udhërrëfyes i heshtur
Sot, Haruki Murakami mbetet një nga autorët më të kërkuar, jo vetëm në libraritë e botës por dhe ato të Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare. Ai nuk bërtet, nuk jep leksione morale dhe nuk kërkon të jetë profet. Ai thjesht na merr për dore dhe na zhyt në puset tona të brendshme, duke na treguar se edhe në errësirën më të thellë, një dritë e vogël ekziston gjithmonë – qoftë një melodi e harruar, një kujtim i dashur, apo shpresa për të parë dy hënat në qiellin tonë të brendshëm.

-
- 11:46 “Kur na ka munguar shiu, na është dashur që…”, Rama: Shqipëria, vend sovran në prodhimin e energjisë
11:46 “Kur na ka munguar shiu, na është dashur që…”, Rama: Shqipëria, vend sovran në prodhimin e energjisë
Kryeministri Edi Rama në parkun eolik të Tropojës. Parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se tashmë Shqipëria do të jetë një vend sovran në prodhimin e energjisë.
“Më vjen shumë mirë që ne sot finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare. Një përpjekje e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për gjithë procesin përgatitor. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë, të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë.
Duke pasur parasysh eksperiencën dhe rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë, unë kam shumë besim që jo vetëm do të përfitojmë një burim të ri të energjisë së rinovueshme, por do të përfitojmë dije të reja, dhe një kulturë të shtuar të punës dhe të veprimit në një sektor kaq strategjik. Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij investimi strategjik, duke e bërë Shqipërinë si një vend sovran në prodhimin e energjisë.
Kur na ka munguar shiu, na është dashur që të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blemë sasi të mëdha dhe me çmime të kripura, kurse kur sasia e shiut është prezentë, nuk kemi pasur mundësinë që ta kthejmë në energji elektrike”, tha kryeministri Rama./kb

11:32 Shembje masivi dherash në aksin Herebel-Peshkopi, rrezikohet plotësisht bllokimi i rrugës
Aksi rrugor Herebel – Peshkopi i ndërtuar vitin e kaluar si pjesë e lotit të tretë të rrugës së Arbrit, rrezikon të bllokohet.
Një masiv i madh dheu i është drejtuar rrugës, duke ngushtuar hapësirën kaluese të automjeteve.

-
- 11:19 Rama në parkun eolik të Tropojës: Shqipëria gati të fitojë pavarësinë nga prodhimi i energjisë vetëm nga uji!
11:19 Rama në parkun eolik të Tropojës: Shqipëria gati të fitojë pavarësinë nga prodhimi i energjisë vetëm nga uji!
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në parkun eolik të Tropojës.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se vendi ynë prej shumë kohësh ishte nën varësinë e prodhimit të energjisë nga uji, por se tani kjo gjë pritet të ndryshojë.
“Shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet dhe në harkun e 12 muajve pa llogaritur periudhën kur dimri është intensiv, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë dhe rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë që siç e patë në hartën e pranisë së saj në Europë ka marshuar në disa vende para se të arrinte në Shqipëri, kam besim që do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit në një sektor kaq strategjik. Ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe rrugën e përmbushjes së objektivit për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Për një periudhë të gjatë kishim një varësi të plotë nga uji, dhe kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara, sa kur na ka munguar shiu kemi blerë sasi të mëdha energjie me çmime të kripura por kjo po shkon drejt fundit. Do jemi në kategorinë e atyre vendeve që kanë pavarësi të plotë”, tha ai./kb

11:10 Histori/ 12 janar 1984 – Kur piramidat “mësuan” njerëzit modernë si të ndërtojnë
Në agimin e 12 janarit 1984, në pllajën e Gizas, aty ku rëra dhe koha janë aleate të heshtura, ekspertët u detyruan të pranojnë një të vërtetë të pazakontë: teknologjia moderne kishte dështuar përballë dijes së lashtë egjiptiane. Misteri i piramidave nuk ishte thjesht si ishin ndërtuar, por si kishin mbijetuar për mijëra vjet.
Një panel ndërkombëtar arkeologësh, inxhinierësh dhe restauruesish, i angazhuar në mbikëqyrjen e restaurimit të Piramidave të Mëdha të Egjiptit, kishte nisur punën me bindjen se materialet dhe teknikat bashkëkohore do të ishin zgjidhja më e sigurt. Por realiteti rezultoi i kundërt. Strukturat monumentale të Gizas, disa prej ndërtimeve më të vjetra të krijuara nga dora e njeriut, kishin filluar të tregonin shenja serioze rrënimi deri në fillim të viteve 1980.
Projekti i restaurimit kishte nisur me një nga simbolet më enigmatike të qytetërimit egjiptian: Sfinksin, monumentin 4.600-vjeçar me trup luani dhe kokë njeriu. Në vitin 1981, restauruesit përdorën çimento moderne për të forcuar gurët gëlqerorë, por ndërhyrja, në vend që ta shpëtonte monumentin, shkaktoi dëme të reja. Uji i përzier me çimenton depërtoi në strukturë, duke krijuar çarje të mëdha dhe duke përkeqësuar degradimin e gurëve të lashtë.
Gabimi ishte i qartë: materialet moderne nuk “merrnin frymë” si guri i punuar nga egjiptianët e lashtë. Ajo që kishte rezistuar për mijëvjeçarë po dëmtohej brenda pak vitesh.
Më 12 janar 1984, u mor një vendim historik. Restauruesit ndaluan përdorimin e llaçit modern dhe iu kthyen metodës origjinale të ndërtimit: sistemit të blloqeve të ndërlidhura, të vendosura me saktësi dhe pa lidhës kimikë agresivë. Ishte e njëjta teknikë që kishin përdorur ndërtuesit e piramidave mijëra vite më parë. Nga ai moment, restaurimi nisi të ecë me sukses dhe strukturat filluan të stabilizohen.
Ky vendim i thjeshtë në dukje u kthye në një mësim të madh shkencor: disa njohuri të lashta nuk ishin primitive, por thellësisht të sofistikuara.
Egjiptianët e lashtë ndërtuan gati 100 piramida gjatë një periudhe rreth njëmijëvjeçare. Ato nuk ishin thjesht varre monumentale, por porta simbolike drejt jetës së përtejme. Besohej se piramidat ndihmonin shpirtin e faraonit të ngjitej drejt përjetësisë, ndërsa komplekset funerare përreth tyre shërbenin si qendra ritualesh dhe adhurimi fetar.
Gjatë Mbretërisë së Vjetër, nga fundi i shekullit XXVI deri në mesin e shekullit XXII para erës sonë, u ndërtuan piramidat më madhështore. Kulmi i këtij vizioni arkitekturor ishte Piramida e Madhe e Gizës, e ngritur nga faraoni Khufu. Ajo mbetet e vetmja nga “Shtatë mrekullitë e botës së lashtë” që ka mbijetuar deri në ditët tona.
Piramida e Madhe u ndërtua me rreth 2.3 milionë blloqe guri, disa prej të cilave peshojnë disa tonë secili. Studiuesit besojnë se ndërtimi zgjati rreth 20 vjet, me angazhimin e mbi 20.000 punëtorëve, jo skllevër, por zejtarë dhe punëtorë të organizuar në një sistem kompleks social dhe teknik.
Vendimi i vitit 1984 tregoi se, për të ruajtur trashëgiminë e njerëzimit, ndonjëherë duhet të ndalosh së kërkuari përpara dhe të kthesh kokën pas. Në heshtjen e shkretëtirës së Gizës, piramidat dëshmuan edhe një herë se nuk janë vetëm monumente guri, por libra të hapur dijesh, që ende kanë shumë për të na mësuar.
Përgatiti: L.Veizi

-
- 11:07 Temperaturat e ulëta, ARRSH thirrje shoferëve: Pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë, qarkullimi vijon normalisht
11:07 Temperaturat e ulëta, ARRSH thirrje shoferëve: Pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë, qarkullimi vijon normalisht
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se gjatë natës nuk ka pasur reshje shiu apo dëbore, por temperaturat e ulëta kanë qenë prezentë në të gjithë vendin.
Konkretisht temperaturat më të ulëta janë regjistruar në Valbonë në -18°C, -15°C në Kukës, -10°C në Dibër, -15 °C në Qafë Thanë. Në këtë kuadër, ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.
“Reshje shiu dhe dëbore nuk ka pasur përgjatë natës.
Temperaturat gjatë natës ka qenë të ulëta deri në -18°C në Valbonë, -15°C në Kukës, -10°C në Dibër, -15 °C në Qafë Thanë
Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë të shtuar janë në terren pa ndërprerje, kanë bërë pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat
Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore”, thuhet në njoftim./kb

11:00 Disa qen mund të mësojnë fjalë të reja duke përgjuar
Disa qen veçanërisht të talentuar janë në gjendje të mësojnë emrat e objekteve të reja thjesht duke përgjuar bisedat e pronarëve të tyre, ashtu siç bëjnë fëmijët e moshës 18 deri në 23 muajsh.
Kjo demonstrohet nga një studim i botuar në revistën Science nga një ekip ndërkombëtar i koordinuar nga etologia Claudia Fugazza e Universitetit Eotvos Loránd në Budapest.
Studiuesit kryen dy eksperimente me 10 qen me një talent të veçantë për fjalët.
Në eksperimentin e parë, pronarët duhej të bashkëvepronin drejtpërdrejt me qentë e tyre duke treguar dhe emërtuar vazhdimisht dy lodra të reja.
Në eksperimentin e dytë, qentë panë pronarin e tyre duke diskutuar lodrat me një person tjetër, pa u përfshirë kurrë drejtpërdrejt në bisedë. Në të dyja situatat, qentë dëgjuan emrin e secilës lodër të re për një total prej tetë minutash, të shpërndara në disa seanca të shkurtra. Testet treguan përfundimisht se, në të dyja eksperimentet, shtatë nga dhjetë qen kishin mësuar emrat e lodrave të reja.
Për të rritur nivelin e vështirësisë, studiuesit u kërkuan pronarëve që së pari të tregonin lodrat dhe pastaj t’i fshihnin ato në një shportë, duke thënë emrat e tyre vetëm kur qeni nuk mund t’i shihte. Pavarësisht kësaj ndarjeje kohore midis objektit dhe fjalës, shumica e qenve arritën të mësonin emrat e rinj.
Studimi sugjeron që aftësia për të mësuar nga të folurit e dëgjuar pasivisht mund të bazohet në mekanizma të përgjithshëm socio-kognitivë të ndarë në të gjitha speciet, në vend që të jetë e lidhur ekskluzivisht me gjuhën njerëzore. Megjithatë, studiuesit theksojnë se qentë me këtë aftësi të veçantë të të mësuarit, janë jashtëzakonisht të rrallë dhe talenti i tyre ka të ngjarë të pasqyrojë një kombinim të faktorëve individualë, predispozitave dhe përvojave unike të jetës./KM

-
- 10:50 “Nuk e ndieja më tokën poshtë këmbëve”, Gigliola Haveriku ndan foton nga spitali me nënën: Asgjë nuk na mposht!
10:50 “Nuk e ndieja më tokën poshtë këmbëve”, Gigliola Haveriku ndan foton nga spitali me nënën: Asgjë nuk na mposht!
Gigliola Haveriku ka ndarë në rrjetet sociale një nga momentet më të vështira me të cilat është përballur. Këngëtarja e njohur ka postuar një foto ku mban dorën e nënës së saj që po përballet me tumorin.
Gigliola shkruan se fotoja është shkrepur kur sapo kishte kaluar “dy ditët më të frikshme të jetës” dhe nëna e saj do të operohej. Gjatë dhjetorit që sapo lamë pas, analizat rutinë treguan se në trupin e së ëmës gjendej një tumor.
Këngëtarja përshkruan gjithë kalvarin e kësaj periudhe, ku asnjëherë nuk e ka humbur shpresën. Fotoja është postuar natën e fundit të qëndrimit në spital, para rikthimit në shtëpi dhe vazhdimit të luftës, pas një beteje të fituar. Në fund, Gigliola rikthen edhe njëherë në vëmendje diçka që thuhet shpesh, shansi për jetën e nënës së saj erdhi falë një kontrolli rutinë.
“Kjo foto është bërë të martën, mamush..
Dhe unë kisha kaluar dy nga ditët më të frikshme të jetës sime. Ti do të operoheshe.
Nuk do ta mendoja kurrë që këtë dhjetor, në një muaj festiv, jeta jonë do të tronditej kaq shumë dhe unë të mos ndjeja më tokën poshtë këmbëve. Nga disa analiza rutinë që nuk dolën mirë, tek momenti kur qëndrova përballë teje për të të dhënë lajmin më të vështirë: kishin zbuluar një tumor.
Nuk do ta harroj kurrë shikimin tënd të habitur… dhe pafuqinë time për të të thënë që ishte vetëm një ëndërr e keqe.
Që nga ai çast: takime, eko, analiza, pritje… derisa erdhi dita e shtrimit.
Lot (jo para teje), net pa gjumë, ankth dhe frikë e madhe… por mbi të gjitha, forcë, dashuri dhe besim të palëkundur që gjithçka do të shkonte mirë.
Mamushi im, drita jonë,
sonte është nata e fundit, nesër ikim tek shtëpia me një betejë të fituar dhe shumë shpejt do ta fitojmë edhe luftën. Bashkë, hap pas hapi.
Të dua pafund. Sa të jemi bashkë, asgjë nuk na mposht, as kanceri!
Një kontroll rutinë (check-up) na dha mundësinë të vepronim në kohë dhe t’i jepnim vetes një shans.”/KM

10:47 Nuk bëhet revolucioni duke marrë rrogën e shtetit në Parlament
Nga Ylli Manjani
Tani, revolucion me rrogë shteti nuk ka.
Edhe në Parlament edhe në revolucion për të rrëzuar Parlamentin ku merr rrogën vetë nuk ka.
Duhet ta ndajnë mendjen, që të ndajë mendjen edhe mileti me ta, dmth ti ndjekë apo jo. O në revolucion, o në Parlament.
Për dreq e provuan njëherë të dilnin nga Parlamenti për të “lulëzuar” si revolucionarë… U përvëluan fare ata e ne bashkë me ta… Kam idenë se nuk e kanë më këtë opsion.
Por sidoqoftë duhet të ndajnë mendjen: o në Parlament , o në revolucion.
Ama sa kohë janë në Parlament duhet të bëjnë punën e parlamentarit, jo të revolucionarit. Dmth duhet të bëjnë ligje, jo të shkelin ligje.
Ky opsioni që paradite jemi në revolucion, pastaj parlamentarë është qesharak fare/kb

10:40 Elbasani përfshihet nga i ftohti ekstrem, disa zona pa energji elektrike
Qarku i Elbasanit po përballet me temperatura të ulëta, sidomos në zonat malore, ku termometri ka zbritur edhe nën –10°C. Në disa rrugë malore, temperaturat kanë arritur deri në –15°C, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë vazhdimisht për të siguruar qarkullimin e mjeteve.
Rruga Elbasan–Qafë Thanë ka pësuar reshje dëbore, por pastrimi dhe kriposja e saj e kanë mbajtur të hapur për qarkullim. Ndërkohë, në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë nuk ka pasur dëborë, por punimet për të parandaluar ngricat vijojnë.
Sa i përket lumenjve, prurjet e Shkumbinit dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Shkarkimet nga HEC-i i Banjës vazhdojnë në nivele të kontrolluara, ndërsa autoritetet pritet të vendosin për vazhdimësinë e tyre gjatë mëngjesit.
Probleme ka edhe në furnizimin me energji elektrike në Tunjë, si dhe në zonat Kushovë dhe Skënderbegas të Bashkisë Gramsh, por ekipet janë në terren dhe punojnë për riparimin e defekteve./K.M

Maliq, fermerët e permbytur përplasen me zyrtarët e Këshillit Bashkiak: Ku janë dëmshpërblimet? –
Mbahet jashtë radhe mbledhja e Këshillit Bashkiak në Maliq, e organizuar për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet e muajit nëntor 2025.
Prezentë në mbledhje ishin edhe fermerë të kësaj bashkie, të cilët debatuan me drejtuesit e kësaj bashkie, lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e para.
Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet janë shumë të konsiderueshme në prodhimet bujqësore të cilat iu janë shkatërruar.
Julian Guri , një prej fermerëve potencialë në territorin e bashkisë Maliq, ju bën thirrje fermerëve për rezistencë.
“Asnjë nuk duhet të lëvizi që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?”, thotë fermeri.
Në përfundim të mbledhjes pritet të shihet se çfarë do të vendoset për këtë çështje.
“Me polici hajde na nxirrni, se ne nuk ikim që këtu. Asnjë s’do lëvizë nga këtu, lajmëroni kë të doni, duam përgjigje konkrete. Kam 1 muaj e gjysmë që kur ju kam lajmëruar, keni matur edhe tokat po dëmshpërblimet ku janë? Do na jepen apo jo që të dimë të vazhdojmë me protesta se rrugë tjetër ska. Ne duam përgjigje, ça do bëni me ne?!”
Nga La Liga në Premier League, drejtori i klubit konfirmon interesimin për Mario Mitajn –
Mario Mitaj është gati për një sfidë të re futbollistike, larg Lindjes së Mesme dhe aventura te Al-Ittihad ka përfunduar. Mbrojtësi i Kombëtares duket se po shijon ditët e fundit në Arabinë Saudite.
Drejtori sportiv i Al-Ittihad ka konfirmuar zëra për interesim nga Premier League angleze në adresim të Mitaj, madje jo vetëm kaq. “Kemi oferta për Mario Mitaj në këtë afat kalimtar. Ato vijnë nga Spanja dhe Premier League”, tha Ramon Planes.
Deri në këtë pikë, vetëm Sunderland është përmendur në media, të gatshëm për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar. Vlera e mbrojtësit të majtë sipas “Transfermarkt” shkon deri në 5.5 milionë euro.
Firma “Salillari” shkatërroi argjinaturat dhe kanalin, u përmbytëm 4 herë –
Banorët e përmbytur të fshatrave Çiflik, Arrëz, Banaj dhe Sheq protestuan sot para Bashkisë Dimal, për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve që kanë shkaktuar ato në bujqësi dhe të mbjella.
Ata pretendojnë se bashkia Dimal i përmbyti, duke bllokuar kanalin kullues.
Ata pretendojnë se edhe punimet e kryera nga bashkia Dimal për ndërtimin e Urës së Re nga firma “Salillari” dhe shkatërrimi i argjinaturës i ka përmbytur në këto vitet e fundit.
Sipas banorëve, ata janë përmbytur 3 herë, disa edhe 4 herë brenda 1 muaji dhe dëmet e shkaktuara janë kolosale.
Një grup banorët u takuan edhe me drejtorin e Shërbimeve Publike, Igrid Shkëmbi dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, Rabushe Hoxha, duke u parashtruar shqetësimet dhe pretendimet e tyre.
Pasi u kanë shpjeguar situatën, që sipas bashkisë ka ardhur nga fryrja e lumenjve dhe përrenjve dhe jo nga neglizhenca e bashkisë Dimal, përfaqësuesit Shkëmbi dhe Hoxha kanë deklaruar se do të bëhet i gjithë studimi i territorit dhe matjet në terren, për të verifikuar nëse pretendimet e tyre qëndrojnë apo jo.
Stok dosjesh dhe vendime pa cilësi –
Një dekadë pas reformës së dështuar në drejtësi e cila u mbështet nga BE dhe përpjekjeve për të “pushuar” zërat kritik ndaj Edi Ramës, ambasadori Silvio Gonzato ka pranuar se stoku i dosjeve ka ndikur që në Shqipëri të merren vendime pa cilësi.
Ambasadori i BE tha në konferencën mbi sigurinë juridike, qartësinë dhe zbatimin koherent të ligjit në Shqipëri, se gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe kjo, pranoi ai, është e vështirë të prodhojë cilësi.
“Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi”, tha ambasadori.
Po ashtu, Gonzato deklaroi se duhet garanci për qytetarët e vendeve të BE që duan të investojnë në Shqipëri.
“Në të ardhmen e afërt qytetarët e BE mund të duan të krijojnë biznese në Shqipëri, mund të duan të blejnë tokë në Shqipëri, ata presin që Shqipëria të ofrojë garanci si çdo shtet anëtar i BE. Kjo do të thotë se ju duhet të jeni të familjarizuar me rregullat e BE. Kjo përben një sfidë shtesë në një situatë të vështirë dhe komplekse. Kështu që projekti ynë BE për drejtësinë do të angazhohet me ju për këto çështje”.