10:00 Zhyl Vern, shkrimtari i fantazive të çmendura që u bënë realitet
-8 shkurt 1828 – Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh francez-
Nga Leonard Veizi
I pabesueshëm në fantazinë e tij, ai solli përmes letërsisë një botë ireale që, çuditërisht, vite më pas u bë krejt reale. Një objekt hekuri që zhytej në det – pra një nëndetëse, por jo bërthamore – një balonë që fluturonte rreth globit, dhe më pas çmenduria bëhet edhe më e madhe kur flitet për një udhëtim nga Toka në Hënë. Dhe ishte puna e tij që e ktheu në postulat shprehjen: “Atë që një njeri mund të imagjinojë, një tjetër do të jetë në gjendje ta arrijë një ditë”…
![]()
…Cilësohet si një autor produktiv, shkrimet e të cilit hodhën shumë nga themelet e trillimeve shkencore moderne. Dhe nuk ka njeri në botë që ka bërë qoftë një arsim fillestar, të mos e njohë autorin e përbotshëm të letrave franceze. Zhyl Vern është i mirënjohur për romane të tilla revolucionare shkencore si “Rreth botës për 80 ditë”, “Njëzet mijë lega nën det”, “Pesë javë në balonë”, “Udhëtim në qendër të tokës”, dhe më pas “Nga Toka në Hënë”. Me siguri, ka qenë pak “i lojtur nga fiqiri” që, të paktën 150 vjet më parë, kur shkenca revolucionare ende nuk kishte filluar të merrte superxhirot e saj, ai guxoi të shkruante një letërsi krejt realiste mbi një fantazi të shthurur.
Fillimet
Në jetëshkrimin e tij të botuar nga Britannica, thuhet se babai i Vern-it, duke synuar që Zhyl të ndiqte hapat e tij si avokat, e dërgoi atë në Paris për të studiuar drejtësi. Por i riu Vern ra në dashuri me letërsinë, veçanërisht teatrin. Ai shkroi disa drama, punoi si sekretar i Théâtre Lyrique apo Teatri Lirik, dhe botoi tregime të shkurtra dhe ese shkencore në revistën Musée des Familles.
Në 1857 Vern u martua dhe për disa vite punoi si ndërmjetës në bursën e Parisit. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi të shkruante, të bënte kërkime në Bibliothèque Nationale (Biblioteka Kombëtare), dhe të ëndërronte për një lloj të ri romani – që do të kombinonte faktet shkencore me trillimet aventureske.
I frymëzuar nga dashuria për udhëtime dhe aventura, Vern bleu një anije dhe, së bashku me gruan, shpenzuan shumë kohë duke lundruar dhe qëndruar në porte të ndryshme, të cilat i ofruan materiale pa fund për tregimet dhe romanet e tij.
Në shtator 1862, Vern u takua me botuesin Pierr-Zhyli Hitzala, i cili ra dakord të botonte pjesën e parë nga Udhëtimet e jashtëzakonshme të Vern, e njohur me titullin Pesë javë në balonë.
Romani u bë bestseller ndërkombëtar dhe Hitzala i ofroi Zhyl Vern-it një kontratë afatgjatë për të prodhuar shumë vepra të tjera të “fiksionit shkencor”. Vern më pas la punën e tij në bursë për t’u bërë shkrimtar me kohë të plotë dhe filloi atë që do të rezultonte të ishte një bashkëpunim shumë i suksesshëm autor-botues, që zgjati për më shumë se 40 vjet dhe rezultoi në më shumë se 60 vepra në serinë e njohur “Voyages Extraordinaires”.
Gjatë këtyre viteve, Vern u vendos me familjen e tij në Amiens dhe bëri një udhëtim të shkurtër në Shtetet e Bashkuara për të vizituar qytetin e Nju Jorkut dhe Ujëvarat e Niagarës. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi për të adaptuar disa prej romaneve të tij në teatër dhe fitoi famë botërore, por një pasuri modeste.
Problemet
Nga viti 1886 deri në vdekjen e tij në 1905 mund të konsiderohet periudha pesimiste e Vern-it.
Edhe pse po shijonte një sukses të madh profesional në vitet 1870, Zhyl Vern nisi të kishte shumë probleme dhe konflikte në jetën e tij personale. Kishte probleme në rritje me djalin e tij rebel, Mishel. Ai e dërgoi djalin në një kolegj riedukimi më 1876, dhe disa vjet më vonë Mishel i shkaktoi edhe më shumë telashe pas marrëdhënieve të tij të paligjshme me një vajzë të mitur.
Vështirësitë financiare e detyruan të shesë jahtin. Por mori goditje emocionale edhe nga vdekjet e njëpasnjëshme të nënës dhe mentorit të tij Hitzala.
Në vitin 1886, Vern u qëllua aksidentalisht në këmbë nga nipi i tij Gaston, me probleme mendore, duke mbetur i çalë për pjesën e mbetur të jetës.
Ndikimi
Megjithatë, shkrimtari vazhdoi të ishte produktiv deri në fund të jetës së tij më 1905.
Kur Vern vdiq, ai la një sirtar me dorëshkrime pothuajse të përfunduara në tryezën e tij. Ndikimi i Vern shtrihet përtej letërsisë dhe filmit, në botën e shkencës dhe teknologjisë, ku ai frymëzoi breza të tërë shkencëtarësh, shpikësish dhe eksploruesish.
Gjatë shekullit XX, veprat e Vern-it u përkthyen në më shumë se 140 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët më të përkthyer në botë. Një numër filmash të suksesshëm u bënë nga romanet e tij, duke filluar në 1916 me “20,000 lega nën det”, film i cili u ribë në vitin 1954 nga Walt Disney. Më pas u ekranizua Ishulli misterioz me dy prodhime në vitet 1929 dhe 1961, filmi “Nga Toka në Hënë” u realizua në vitin 1958, ndërsa “Udhëtim në qendër të Tokës” më 1956.
Në vitin 1954, Marina e Shteteve të Bashkuara lëshoi nëndetësen e parë në botë me energji bërthamore, të quajtur Nautilus, në nder të shkrimtarit të madh francez. Ky ishte emri që Zhyl Vern i kishte vënë anijes së tij që lundronte nën ujë në romanin “20,000 lega nën det”.
