Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sulmi me armë në Lezhë, polici në Gjykatë/ Nis seanca për efektivin që qëlloi i pari

Polici i arrestuar pas sulmit me armë të dielën në Lezhë ka dalë sot në gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë. Dëshmia e tij ka zbardhur dinamikën e atentatit në Rile, ku pohoi se ishte ai i pari që shtiu me armën e shërbimit.

Ai ka thënë se qëlloi për vetëmbrojtje, sapo në derën e dyqanit u shfaqen personat e armatosur. Veç 10 gëzhojave të armës së tij, ekspertet gjetën në vendngjarje dhe 6 gëzhoja të një armë tjetër që dyshohet të jetë përdorur nga Merando Nikulaj.

21-vjeçari, nip i Ardian Nikulajt të ekzekutuar tre vjet më parë, po kërkohet nga policia. /abcnews.al/

Dyshohet se i vendosi lëndë plasëse makinës së Mirash Gjikolës, shpallet në kërkim 54-vjeçari nga Lezha

Policia ka shpallur në kërkim 54-vjeçarin si autorin e dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse në automjetin e shtetasit Mirash Gjikola 57-vjeç.

Në kërkim është shpallur 54-vjeçari për veprat penale “Shkatërrimi i Pronës me eksploziv”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit 54 vjeç, banues në Lezhë.

Materialet procedurale ju referuan prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Sarandë.

U kap duke kultivuar bimë narkotike, arrestohet 39-vjeçari në Krujë

KRUJË- Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia pasi u kap duke kultivuar bimë narkotikë.

Gjykata i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas dyshohet se në muajin maj të vitit të shkuar, ka kultivuar 136 bimë narkotike, në fshatin Ranxë, Fushë Krujë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Parandalohet atentati në Konispol/ I vunë lëndë plasëse në makinë, shoferi e pikas në ecje e sipër. Shënjestra, i dënuar më parë

Shpërthimi i telekomanduar me eksploziv i një automjeti është parandaluar mbrëmjen e djeshme në Vrinë të Bashkisë Konispol.

Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Sarandës se në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin Shëndëlli – Vrinë, ka dëgjuar zhurmë në mjetin e tij dhe pasi ka ndaluar ka konstatuar lëndë të dyshuar eksplozive.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektivë të shumtë të policisë dhe më pas edhe ekspertë të krimeve të renda nga Drejtoria e Policisë Vlorë dhe reparti anti-eksploziv i RENEA. Nga informacionet e deritanishme, është mësuar së në mjetin tip “Nissan” me targa AA725LG, është konstatuar një sasi lëndë eksplozive e shpërndarë në sedilen e pasme të mjetit.

Shtetasi Mirash Gjikola rezulton me precedentë penalë, i dënuar më parë. /abcnews.al/

Gjermani/ Aeroporti i Berlinit mbetet i mbyllur për shkak të akullit të zi

Aeroporti i Berlinit-Brandenburgut është mbyllur mëngjesin e sotëm për të ngricave që kanë përfshirë pistën.

“Për shkak të akullit dhe shiut që vazhdon, aktualisht nuk janë të mundura ngritje ose ulje në Aeroportin e Berlinit “, njoftuan autoritetet.

Ndërkohë ekipet tokësore të aeroportit po bëjnë përpjekje për të hequr akullin e zi (një sipërfaqe akulli e lëmuar, pothuajse e padukshme dhe shumë e rrëshqitshme) nga pista e aeroportit dhe zonat e tjera ku ata operojnë. Megjithatë situata mbetet ende problematike.

/abcnews.al/

“Livadhet 3”, arrestohet 19-vjeçari/ Në banesë iu gjetën para të falsifikuara, municion luftarak e lëndë djegëse

Finalizohet operacioni i koduar “Livadhet 3”. Gjatë operacionit është arrestuar 19-vjeçari Ornaldo  Çerenishta.

Shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale; 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.

Ndërkohë vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Hetimet për mbetjet e “Kurum”/ Dalin para gjykatës së Durrësit 20 të akuzuarit, pritet të njihen me masën e sigurisë

Dalin sot para Gjykatës së Durrësit 20 personat e arrestuar për mbetjet e rrezikshme të Kurum, ku pritet të njihen me masën e sigurisë.

Pas më shumë se një viti kur Prokuroria e Durrësit sekuestroi 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë “Kurum”.

 

Reshjet e borës shkaktojnë probleme në zonën e Qafë Thorës, vijon punë për hapjen e rrugës

Për shkak të reshjeve të 24 orëve të fundit në zonat malore, janë shfaqur probleme në aksin që lidh Thethin me Bogën, konkretisht në zonën e Qafë Thores, ku si pasojë e ortekëve dhe reshjeve të dëborës ka pasur bllokim të rrugës.

Firma kontraktuese ka punuar për të mundësuar hapjen e këtij segmenti dhe tashmë ai është i hapur, por kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve.

Drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

Sa i përket zonave të tjera, nuk raportohen probleme në qarkullimin e automjeteve.

Segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth, gjatë dimrit, është i ekspozuar ndaj ortekëve, të cilët krijojnë probleme dhe vështirësi në ndërhyrje nga ana e firmës kontraktuese.

Kosovë/ Protestë kundër propozimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste si reagim ndaj sinjaleve për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të tyre, protesta do të zhvillohet sot nga ora 13:00. Organizimi do të jetë pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës.

Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Në reagimin e tyre thuhet gjithashtu se kërkesat e njëpasnjëshme të KEDS-it për shtrenjtim të tarifave janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e zhvendosur barrën financiare te konsumatorët, shkruajnë mediat në Kosovë.

“KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

Bisedimet SHBA-Iran të premten në Oman, frika e konfliktit të drejtpërdrejtë vazhdon

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë pritet të takohen në Oman për bisedime mes një krize që ka ngritur frikën e një përballje ushtarake midis dy vendeve.

Diskutimet vijnë pas një grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme në përgjigje të shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në të gjithë vendin muajin e kaluar nga Irani, në të cilat, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, u vranë mijëra njerëz.

Të dy vendet mbeten shumë larg njëra-tjetrës në qëndrimet e tyre. Shpresa është që, nëse janë të suksesshme, diskutimet mund të çojnë në një kornizë për negociata, raportoi BBC.

SHBA-ja, e cila ka kërkuar që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, ka thënë se bisedimet duhet të përfshijnë edhe raketat balistike të Iranit, mbështetjen e tij për grupet e armatosura rajone dhe trajtimin e qytetarëve të tij.

Irani megjithatë ka thënë se diskutimet do të kufizohen në programin e tij bërthamor, dhe është e paqartë nëse këto diferenca mes të dyjave janë zgjidhur.

Në javët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. Irani nga ana tjetër është zotuar se do t’i përgjigjej një sulmi me forcë, duke kërcënuar të sulmojë asetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izrael.

DW: Greqia dhe Turqia, tensione të reja në Egje

Me sa duket Greqia dhe Turqia duan të bisedojnë përsëri – në nivelin më të lartë. Duke filluar nga e hëna (09.02.26) në Ankara do të mblidhet “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi-Turqi”.

Nëse gjithçka shkon sipas planit në tryezë do të jenë të pranishëm edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ekziston edhe mundësia e një takimi posaçëm midis dy udhëheqësve në një ditë tjetër.

Pas një periudhe të vështirë dhe plot konflikte në Mesdheun Lindor, në vitin 2010 u krijua Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit. Ndonjë sukses të madh ai ende nuk ka arritur. Megjithatë Këshilli përpiqet të promovojë një agjendë pozitive mes dy partnerëve të NATO-s, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe të turizmit. Por ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, takimi i fundit u bë në Athinë në dhjetor 2023.

“Turqia bën kërkesa dhe pretendime territoriale të njëanshme, që nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mund të jenë temë serioze debati”, shpjegonte në atë kohë Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Athinës në intervistë me DW. “Greqia pret që Turqia të përmbushë gjithmonë kërkesat e saj dhe të bëjë lëshime”, kundërshtonte Fuat Aksu, shkencëtar politik në Universitetin Teknik Yildiz në Stamboll.

Navtex, një pikë e re debati

Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë në Detin Egje. Tensioneve u shtohet një pikë tjetër debati: Të enjten e kaluar Turqia përdori sistemin navigacionit detar “Navtex” për të paralajmëruar për rreziqet e sigurisë dhe aktivitetet ushtarake greke. Paralajmërime të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.

Në fund të fundit bëhet fjalë për autoritet në Egje: Kush ka të drejtë të deklarohet përgjegjës për çështjet e sigurisë? Athina flet për një përpjekje të paligjshme të fqinjit të saj për të zgjeruar ujërat e tij territoriale. Një “provokim të ri turk” e konsideron këtë gazeta e njohur javore greke “To Vima”.

Nga këndvështrimi turk kjo është thjesht një çështje rutine, që përputhet me legjislacionin aktual. Por mund të jetë më shumë se kaq: sipas gazetës proqeveritare Türkiye: “Navtex ka shkaktuar panik në Greqi dhe ka ndryshuar status quonë në Egje”.

Për kryeministrin grek Mitsotakis mosmarrëveshja për Navtex do të thotë edhe më shumë presion nga e djathta. “Turqia po rrëmben gjysmën e Egjeut, por qeveria jonë nuk sheh asnjë arsye për shqetësim”, ankohet Kyriakos Velopoulos, kryetar i partisë së djathtë populiste “Zgjidhja Greke” (EL), e cila sipas sondazheve ka arritur vendin e tretë, përsa i përket mbështetjes së votuesve.

Grindje pa fund megjithë konvetën e OKB-së për Ligjin e Detit

Prej dekadash Greqia dhe Turqia grinden për shelfin kontinental para bregdetit turk, shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në Egje. Në kuadër të doktrinës së saj ushtarake aktuale “Atdheu Blu” Turqia pretendon edhe territore detare prej më shumë se 450.000 kilometra katrorë para bregdetit të saj.

Si busull ligjore në raste të tilla shërben Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 mbi të Drejtën e Detit, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar atë. Por ajo mund të zbatohej: sipas mendimit mbizotërues të juristëve ky traktat pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore ekzistuese – dhe për këtë arsye është i detyrueshëm edhe për ata, që nuk e kanë nënshkruar.

Asnjë marrëveshje në horizont

Sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit çdo shtet mund të përcaktojë në parim ujërat territoriale, që shtrihen deri në 12 milje detare. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: Në rastet e kufijve të paqartë ose mbivendosjeve, palët e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Por marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë është ende në pritje.

Që në vitin 1995 parlamenti turk e pati shpallur zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje “shkak për luftë”. Sepse në një rast të tillë Egjeu do të bëhej një lloj deti i brendshëm grek.

Në vitin 2021 qeveria e Athinës i zgjeroi ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Detin Jon drejt Italisë. Sot Greqia rezervon në mënyrë të qartë të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale edhe në Detin Egje, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias për stacionin televiziv të Athinës “Open”.

Si instancë e fundit në të gjitha çështjet e së drejtës ndërkombëtare konsiderohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë. Por ky organ i Kombeve të Bashkuara nuk vepron me iniciativën e vet. Si Greqia ashtu edhe Turqia do të duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët, për të autorizuar gjykatën që të ndërmjetësojë. Për këtë debatohet që nga viti 1976. Deri tani pa sukses./DW

Zelensky: Ukraina gati të shkëmbejë dronë me avionë polakë dhe raketa kundërajrore

Ukraina është gati të shkëmbejë dronët e saj me raketa kundërajrore dhe avionë luftarakë polakë, deklaroi Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp me kryeministrin polak Donald Tusk.

Sipas mediave ndërkombëtare, Zelensky dhe Tusk diskutuan zhvillimin e një ndërlidhjeje të rrjetit elektrik midis Polonisë dhe Ukrainës, sistemi energjetik i të cilave është goditur nga sulmet ajrore ruse në muajt e fundit.  Polonia po përgatit një paketë të re ndihme për Ukrainën, e cila do të përbëhet kryesisht nga automjete të blinduara, tha kryeministri Donald Tusk.

Tusk tha se Polonia mund t’i japë Ukrainës avionë luftarakë MiG-29 në çdo kohë, por Volodymyr Zelensky i kishte thënë atij se Kievi mund të ketë nevojë për pajisje të tjera të mbrojtjes ajrore që ishin me përparësi të lartë dhe se ai do ta diskutonte çështjen me zyrtarët polakë dhe do ta diskutonte përsëri me presidentin ukrainas të hënën.

Gjykimi i Ilir Metës/ Procesi paraprak drejt fundit, pritet kalimi për gjykim

SPAK ka përfunduar parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhës, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit. Gazetari Ervin Leka tha për ABC News se Sotir Kllapi, i kërkoi gjykatës paraprake të kalojë në gjykim themeli dosjen me 5 të akuzuar.

Ndaj këtyre personave rëndojnë akuzat e korrupsionit të pastrimit të parave. Ndërkohë seanca e radhës pritet të mbahet të enjten në orën 12:00.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim paraprak në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Të pranishëm në seancë ishin Meta dhe Kryemadhi të cilët akuzohen nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me masën detyrim paraqitje. /abcnews.al

 

 

“AKSHI”, nuk ndryshojnë masat e sigurisë/ Apeli i GJKKO rrëzoi ankimimin e të pandehurve

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat për zyrtarët dhe biznesmenët e akuzuar për dosjen e AKSHI-t.

Kështu drejtoresha e kësaj agjencie Mirlinda Karçanaj u la në arrest shtëpie bashkë me zëvendësen e saj Hava Delibashi.

U la në fuqi gjithashtu masa e pezullimit nga detyra të zëvendës drejtorit të policisë tiranë Erion Ismaili, detyrim paraqitje për 3 biznesmenët Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta.

Rama në Vatikan, homazhe në varrin e Papa Françeskut: Mik i paharruar i Shqipërisë!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vatikan që prej ditës së djeshme. Kryeministri ka kryer homazhe në varrin e Papa Françeskut. Nëpërmjet një reagimi në Facebook ai thekson se Papa Francesku ka qenë një mik i paharruar i Shqipërisë.

“Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, shprehet Rama.

Dyshohet e ka marrë rrjedha e lumit Vjosa, vijojnë kërkimet për gjetjen e 65-vjeçarit në Tepelenë

Palombarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë ende kërkimet në lumin e Vjosës, për gjetjen e 65-vjeçarit.

Kërkimet vijojnë prej ditës së djeshme. 65-vjeçari dyshohet se pasi është rrëzuar, e ka marrë nga rrjedha e lumit Vjosa, në afërsi të vendit të quajtur “Fusha e fshatit Peshtan”, Tepelenë.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar palombarët e RENEA-s, Forca e Posaçme “Shqiponja” e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.

Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 65-vjeçarit.

 

 

Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 314 të burgosur

Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 314 të burgosur. Lajmi është konfirmuar nga Steve Witkoff.

“Sot delegacionet e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë ranë dakord për shkëmbimin e 314 të burgosurve -i pari i këtij lloji në pesë muaj”, tha Witkoff.

Gjithashtu u shpreh se ky rezultat u arrit pas bisedimeve të shumta që rezultuan pozitive.

“Ky rezultat u arrit nëpërmjet bisedimeve të thella dhe produktive për paqe. Ndërsa mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë, përparime të tilla tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po prodhon rezultate konkrete dhe po kontribuon në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, siguroi ai.

Witkov shtoi se bisedimet do të vazhdojnë dhe se pritet përparim shtesë në javët në vijim.

/abcnews.al/

❌