Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Platforma shqiptare “Diella” u vlerësua me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ky vlerësim është një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.

“Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal është një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz”, tha Rama.

Ai shtoi se Samiti Botëror i Qeverisjes është një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, ku diskutohet sesi teknologjia po riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.

“Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por edhe bota do të dëgjojë të reja më shpejt sesa vonë”, theksoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë projektligjin për amnistinë penale, që parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave dhe ulje dënimesh për qindra të tjerë.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit të drejtësisë penale dhe në frymën e saj.

“Ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta”, tha Rama.

Ai shtoi se ligji është një zgjedhje politike e qartë dhe synon orientimin e drejtësisë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë.

“Kjo natyrisht do të sjellë efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare”, shtoi ai.

Rama sqaroi se ligji nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale.

“Krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të adresuar problemin e paraburgimit.

“Paraburgimi është një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera, për të cilat po punojmë me një sërë partnerësh europianë”, tha Kryeministri.

/r.e/

The post Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mekanizma të rinj sigurie në TikTok

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi këtë javë heqjen e masës së përkohshme të bllokimit të aplikacionit TikTok.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, sqaroi se vendimi nuk është tërheqje apo dorëzim, por rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe i punës për adresimin e shqetësimeve lidhur me sigurinë dhe filtrat e përmbajtjes.

“Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin. Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëruar ka ndodhur, sepse me TikTok kemi vendosur jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re, dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh, siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë”, u shpreh Kryeministri.

Ai theksoi se qëllimi i bllokimit ka qenë mbrojtja e interesit publik dhe e fëmijëve, duke siguruar një përdorim të kontrolluar dhe të sigurt të platformës.

“Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është sërish i aksesueshëm, sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më pare”, tha Rama.

/r.e/

The post Rama: Mekanizma të rinj sigurie në TikTok appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Do vazhdojmë betejën

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal te mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë situatë si një precedent të paprecedentë në një vend demokratik.

Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, Rama deklaroi se Gjykata Kushtetuese “nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë”, përmes asaj që ai e cilësoi si një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, pezullimin e një anëtari të qeverisë nga një prokuror dhe një gjyqtar, në një seancë paraprake, pa nisur ende gjykimi.

Sipas tij, mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e bën Shqipërinë, për herë të dytë brenda dy muajve, një rast unik negativ.

Ai u shpreh se “Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të asaj që Servantes, në “Don Kishotin e Mançës”, i quan arsyet e mosarsyes”.

Rama theksoi se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese rikthen në fuqi pezullimin e ministres, duke sqaruar se ajo nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin.

“Ky pezullim është shpikur me vendim të një seance të mbyllur, pa filluar ende gjyqi”, u shpreh ai.

Kryeministri e cilësoi këtë praktikë si “një shpikje 100% Made in Albania të drejtësisë së re ende të papjekur”, duke theksuar se çështja nuk lidhet me rastin konkret, por me një parim të panegociueshëm të demokracisë, garantimin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ nga pushteti gjyqësor.

“Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres,  e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi. Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor. Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi Rama.

Kryeministri deklaroi se qeveria do ta vijojë këtë betejë, duke theksuar se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e lë Shqipërinë në rrezik që të mbetet “vendi i vetëm në planet”, ku me këtë precedent, edhe Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga një prokuror.

Në vijim, Kryeministri reagoi edhe ndaj, siç i cilësoi ai, praktikave të reja të arresteve pa gjyq, duke iu referuar një rasti në Durrës, ku sipas tij janë lëshuar mbi 30 fletëarresti nga një prokuror për një çështje që, sipas Ramës, nuk përmbush asnjë nga kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike për arrestin.

Rama theksoi se përpjekja për ndërtimin e shtetit ligjor demokratik dhe për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian nuk do të prodhojë kosto politike për shumicën qeverisëse.

“Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik dhe për Shqipërinë europiane ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, u shpreh ai.

/r.e/ /a.g/

The post Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Do vazhdojmë betejën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rritja e pagave të gjyqtarëve nuk mund të jetë mbi të gjithë të tjerët

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u rikthye sot te çështja e pagave të gjyqtarëve dhe debatit publik të lidhur me kërkesat për rritjen e tyre.

Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, Rama reagoi ndaj deklaratave të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se këto kërkesa kanë nxitur pakënaqësi të gjerë në opinionin publik.

Ai tha se kjo pakënaqësi reflektohet edhe në anketime, sipas të cilave “90% e shqiptarëve refuzojnë idenë që gjyqtarëve t’u rriten pagat”, ndërsa një përqindje tjetër kërkon edhe uljen e tyre.

Duke hedhur poshtë pretendimet se qeveria synon uljen e pagave të gjyqtarëve, Rama theksoi se reforma në drejtësi ka qenë e shoqëruar me rritjen e tyre.

“Ju kemi dhënë mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do të bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për gjyqtarët që kalojnë procesin e vetingut dhe përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, u shpreh ai.

Kryeministri deklaroi se qeveria ka thyer praktikisht piramidën tradicionale të pagave.

“Tek ne, si në çdo vend të botës, ka një piramidë pagash që fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ne, në mënyrë të vetëdijshme, i kemi rritur pagat e gjyqtarëve mbi të gjithë”, tha Rama.

Ai theksoi se kjo rritje nuk është bërë me idenë që pagat e gjyqtarëve të rriten automatikisht dhe në mënyrë disproporcionale.

“Shqipëria nuk mund të bëhet një vend ku mbi të gjithë dhe mbi gjithçka është kasta e gjyqtarëve. Kjo nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Kryeministri.

Rama shtoi se qëndrimi i tij nuk përbën një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor.

“Nuk është sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por një domosdoshmëri e brendshme e shtetit, që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë edhe gjyqtarët, të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit”, u shpreh ai.

Ai deklaroi se nuk ka hyrë në polemika personale dhe se reagimi i tij erdhi pas deklaratave të një shoqate gjyqtarësh, për të cilat tha se “nuk përfaqësojnë të gjithë komunitetin”.

Kryeministri theksoi se “gjyqtarët nuk mund të kenë rritje pagash disproporcionale mbi të gjithë të tjerët” dhe se “nuk mund t’i rrisin pagat e tyre me 2 apo 3 mijë euro në muaj”.

Rama shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese “t’i vërë një herë e mirë vulën këtij debati absurd”, i cili, sipas tij, “dëmton padrejtësisht besueshmërinë e gjyqësorit në sytë e opinionit publik”.

/r.e/

The post Rama: Rritja e pagave të gjyqtarëve nuk mund të jetë mbi të gjithë të tjerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bazilika “Zoja e Këshillit të Mirë”, një vlerë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te një nga momentet më të veçanta të kësaj jave, vizita në Vatikan.

Ndryshe nga vizitat e mëparshme, Rama theksoi se kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë, pasi përfshiu edhe një ndalesë të paharrueshme në Bazilikën “Zoja e Këshillit të Mirë”, vend ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Marisë, e shkëputur nga muri i Kishës së Vjetër të Shkodrës në vitin 1467.

Kryeministri informoi se kishte ftuar Papën në Shqipëri, në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së “Zojës së Këshillit të Mirë” nga Papa Leone XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, “Regina Di Albania”.

Kryeministri u shpreh se asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur më parë pragun e kësaj bazilike, duke shtuar se rëndësinë e kësaj ndalese e kishte kuptuar plotësisht vetëm së fundmi.

Bazilika “Zoja e Këshillit të Mirë” përbën një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare jashtë vendit, me vlera të veçanta historike dhe fetare.

Një tjetër veçanti e kësaj bazilike është fakti se ajo ndodhet nën kujdesin e Urdhrit Augustinian, një urdhër me peshë të veçantë në historinë e Kishës Katolike, të cilit i përket edhe papa Leone XIV.

Papa Leone i XIV, ndalesën e parë, pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra.

Kryeministri vlerësoi se një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.

“Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës”, tha ai.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Leone XIV.

“Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së “Zojës së Këshillit të Mirë” nga Papa Leone XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, “Regina Di Albania”. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, kryeminsitri u shpreh se edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës. Ai e vlerësoi si një njeri të rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë.

/r.e/

The post Rama: Bazilika “Zoja e Këshillit të Mirë”, një vlerë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit, duke i dhuruar kësaj zone një pamje mbresëlënëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës, si një ftesë për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës për të përjetuar një ditë ndryshe mes peizazheve dimërore.

Në malin e Tomorit, në lartësinë 2417 metra mbi nivelin e detit, ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit bektashian, e cila vizitohet çdo vit nga mijëra besimtarë, por edhe nga turistë të interesuar për aventurë, vëzhgim dhe trashëgimi shpirtërore.

Menaxhimi i kujdesshëm i mjediseve turistike nga Administrata e Parkut Kombëtar të Tomorit, si dhe shoqërimi i vizitorëve me guida turistike të specializuara që njohin shtigjet dhe zonat e sigurta, ka bërë që ky park të vizitohet gjatë gjithë stinëve të vitit.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe në verilindje të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Zona ofron mundësi të shumta për aktivitete sportive, si ngjitje alpine në shpatet e mbuluara me borë gjatë dimrit, por edhe aventura rafting në kanionet e Osumit gjatë stinës së verës.

Në rrëzë të Tomorit rrjedh lumi Osum, i cili ka krijuar kanionet e famshme, një nga atraksionet natyrore më të vizituara në vend, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë.

Përveç pasurive natyrore, itinerari turistik i Tomorit përfshin edhe objekte kulti të feve kristiane dhe bektashiane, si dhe monumente të natyrës dhe të kulturës, duke e bërë këtë zonë një destinacion të rëndësishëm për turizmin natyror, kulturor dhe fetar.

/r.e/

The post Mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Rivlerësimi i pronave me 5% pritet të sjellë 150 milionë euro në buxhet

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Rivlerësimi i pronave në Shqipëri me një normë 5% pritet të nisë brenda këtij muaji, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të paguajnë një taksë të ulët për pronat e tyre dhe duke rritur arkëtimin fiskal për shtetin. Qytetarët që kryejnë rivlerësimin e pronës shmangin pagesën e tatimit të plotë prej 15% në momentin e shitblerjes.

Ky proces synon të harmonizojë vlerën e pronave të regjistruara me çmimin real të tregut, duke eliminuar diferencat midis çmimit të regjistruar dhe vlerës aktuale të pronës.

Eksperti për çështjet e pronave, Gjergji Begaj, shpjegon në një intervistë për ATSH çdo hap të këtij procesi dhe përfitimet që sjell.

“Sistemi i rivlerësimit bazohet në dy elemente kryesore. Së pari, ekziston çmimi fiskal, i vendosur nga Ministria e Financave për secilën zonë katastrale. Ky çmim është rezultat i analizave të AZHK-së, zyrave imobiliare dhe ekspertëve të fushës, dhe përfaqëson një mesatare të përafërt të vlerës së pronave në çdo zonë. Së dyti, qytetarët mund të përmirësojnë vlerën e pronës së tyre për të reflektuar çmimet aktuale të tregut, duke përdorur një raport të hartuar nga ekspertë privatë të licencuar,” shpjegon Begaj.
Sipas tij, në këtë proces përfituesit më të mëdhenj janë pronarët që planifikojnë të shesin, të dhurojnë ose të trashëgojnë pronën, si dhe bizneset që mbajnë pasuri të paluajtshme me vlerë më të ulët se ajo e tregut në pasqyrat financiare.

Begaj sqaron se rivlerësimi nuk është i detyrueshëm për çdo qytetar.

“Nëse çmimi i regjistruar i pronës përputhet me çmimin fiskal, qytetari nuk ka asnjë pagesë shtesë. Por kur prona është regjistruar me një çmim më të ulët se vlera reale e tregut, qytetari mund të bëjë rivlerësimin dhe të paguajë vetëm 5% të diferencës gjatë një periudhe 12-mujore, duke shmangur pagesën e tatimit të plotë prej 15% në momentin e shitblerjes”, u shpreh ai.

Për të përcaktuar vlerën reale të tregut, qytetarët duhet të drejtohen tek ekspertë privatë të licencuar, të cilët hartojnë raportin e rivlerësimit. Ky raport regjistrohet në AZHK dhe përdoret për aplikimin e taksës së reduktuar. Ky hap është veçanërisht i rëndësishëm në qytete si Tirana, ku çmimet për apartamentet mund të ndryshojnë nga 800 deri në 5.000 euro për metër katror, në varësi të zonës.

Procesi i rivlerësimit aplikohet vetëm për pronat me kartela të sakta dhe certifikatë pronësie të përfunduar. Pronat që janë në proces legalizimi ose regjistrimi nuk mund të rivlerësohen. Dokumentacioni i nevojshëm përfshin certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, hartën treguese, kartën e identitetit dhe kontratën e transaksionit të mëparshëm, kur ekziston. Për pronat e privatizuara para vitit 1990, mjaftojnë certifikata dhe kartela, pasi të dhënat ruhen nga Hipoteka.

Begaj thekson se për ndërtesat e para viteve 1990 që kanë kaluar në pronësi me privatizim aplikohet amortizim deri në 30% të vlerës së pronës.
Ai shton se rivlerësimi ka përfitime për të gjithë aktorët e tregut: qytetarët përfitojnë nga tatimi i reduktuar, shteti rrit arkëtimin, ndërsa ekspertët dhe agjencitë imobiliare përfitojnë nga aktiviteti i shtuar në treg.

“Rivlerësimi i pronës nuk është detyrim ligjor. Ata që nuk dëshirojnë të rivlerësojnë, do të paguajnë tatimin e plotë prej 15% në momentin e shitblerjes. Por për ata që duan të përfitojnë, rivlerësimi është një mundësi për të harmonizuar vlerën e pronës me tregun dhe për të paguar taksa më të ulëta”, shprehet Begaj.

Begaj thotë se sipas parashikimeve, buxheti pritet të përfitojë rreth 150 milionë euro nga ky proces. Procesi i fundit i rivlerësimit, me tatim 3% gjatë viteve 2020–2022, përfshiu 168.000 prona dhe buxheti i shtetit arkëtoi 12.7 miliardë lekë.
Aplikimet për rivlerësim do të pranohen deri më 31 dhjetor 2026. Kërkesat e paraqitura brenda kësaj periudhe, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por nuk janë përpunuar ende nga ASHK, mund të finalizohen administrativisht deri më 31 mars 2027.

Kjo është hera e katërt që prej vitit 2009 që qeveria harton nisma për lehtësimin e qytetarëve në kryerjen e rivlerësimit të pasurive, duke adresuar diferencat e mëdha mes vlerës së regjistruar dhe çmimit aktual të tregut. /j.p/

 

The post Begaj: Rivlerësimi i pronave me 5% pritet të sjellë 150 milionë euro në buxhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Deputetë të Partisë Demokratike, që po zhvillojnë një vizitë në Kongresin Amerikan, kanë zhvilluar një sërë takimesh me kongresmenë amerikanë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri të ditur se gjatë takimit me kongresmenin Clay Higgins, anëtar i lartë i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomitetit për Zbatimin e Ligjit Federal, u diskutua situata e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Bardhi nënvizoi se Shqipëria ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të luftuar këtë fenomen, duke krijuar hapësira për bashkëpunim mes institucioneve dhe krimit të organizuar.

“Sistemi i drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese duhet të sigurojnë pavarësinë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët me qëllim luftën me efikasitet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Bardhi.

The post Bardhi: Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 128 MW në Fier

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Shoqëria “SOLEN ENERGY” ka marrë miratimin për ndërtimin e një centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 128 MW, me vendndodhje në Sheq-Marinas, bashkia Fier.

Projekti i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse shtetërore.

Shoqëria ka afat 36 muaj për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në punë. të centralit. Ai pritet të funksionojë për një periudhë 49 vjet.

Për realizimin e tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike, duke siguruar që ndërtimi dhe operimi të jenë në përputhje me standardet dhe dokumentacionin teknik.

Shoqëria “SOLEN ENERGY” do të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve dhe do të respektojë të gjitha kushtet e lejeve, licencave dhe autorizimeve mjedisore.

Projekti parashikon gjithashtu që 2% e energjisë së prodhuar të jepet falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, ose të konvertohet në vlerë monetare për buxhetin e shtetit, dhe pjesa tjetër mund të shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi. /j.p/

 

The post Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 128 MW në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve, shpallen zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Krujë, Maliq e Vorë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave shpalli disa zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Krujë, Maliq dhe Vorë, në kuadër të ligjit për paketën e maleve.

Në bashkinë Krujë, zonat e shpallura përfshijnë Barkaneshin, Dane-Fushë Madhe, Bojë, pjesë të njësive administrative Krujë, Cudhi, Picërragë, Brret, Gjyre, Abaze, Krastë, Mali i Krujës, Halil, Virjon, Nikël, Zezë, Kurcaj, Buran, Mukaj dhe Budull, Bubq, Mazhë-Madhe, Mallkuç.

Sipërfaqet e tyre variojnë nga rreth 1,258 deri në 7,712 hektarë dhe kufijtë e tyre janë përcaktuar në hartat treguese të sistemit KRGJSH. Në këto zona do të zhvillohen aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike.

Në bashkinë Maliq, zonat përfshijnë njësitë administrative Maliq, Libonik, Pirg, Vreshtas, Pojan, Moglicë dhe Gorë, duke mbuluar një sipërfaqe totale që shkon deri në 1,775 hektarë në zonat kryesore. Këtu gjithashtu do të promovohen zhvillimi ekonomik, industrial dhe turistik.

Në bashkinë Vorë, zonat e shpallura përfshijnë fshatrat Gërdec, Marikaj, Kuç dhe Prezë, me sipërfaqe nga 3.27 deri në 34.04 hektarë.

Aktivitetet e lejuara në këto zona do të përqendrohen gjithashtu në zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik. /j.p/

The post Paketa e Maleve, shpallen zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Krujë, Maliq e Vorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje pagash dhe shtesë për vjetërsi për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në strukturën e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor, si dhe për ata që punojnë në strukturat shëndetësore të Forcave të Armatosura, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policisë së Shtetit.

Sipas vendimit të ri, shtesa për vjetërsi në punë ndryshohet duke u rritur gradualisht sipas viteve të shërbimit: 0.6% për 10 vitet e para, 0.8% për vitet 11–20 dhe 1% për vitet 21–30, duke u llogaritur mbi pagën e pozicionit.

Po ashtu, shtesat për mjekët në shërbimet e urgjencës, reanimacionit, hemodinamikës, njësinë e aksidenteve cerebrale dhe neonatologji arrijnë 18,000 lekë në muaj, ndërsa infermierët dhe teknikët e laboratorit apo imazherisë që punojnë në këto shërbime do të përfitojnë 12,000 lekë në muaj.

Vendimi parashikon gjithashtu shtesa për shërbimin e urgjencës që ndryshojnë sipas ditëve dhe orarit të punës.

Për shërbimin e urgjencës në spitale dhe qendrat shëndetësore që ofrojnë shërbim të pandërprerë, shtesat ndryshojnë sipas kohëzgjatjes së turnit dhe ditës: për sistemin 24-orësh ato shkojnë nga 2,700 lekë në ditët e zakonshme deri në 3,200 lekë në ditët e festave, ndërsa për sistemin 16-orësh dhe 12-orësh shtesat janë proporcionalisht më të ulëta.

Po ashtu, punonjësit teknikë të laboratorëve që kryejnë shërbim 24-orësh marrin shtesa nga 2,000 lekë në ditët e zakonshme deri në 3,000 lekë në ditët e festave.

Po ashtu parashikohen kompensime për punonjësit që punojnë larg vendbanimit, si dhe mundësinë për titullarët e institucioneve shëndetësore të kenë deri në tre këshilltarë të jashtëm me pagesë deri në 112,750 lekë në muaj.

Zbatimi i këtij vendimi do të nisë nga 1 janari 2026 dhe do të përballohet nga buxheti i miratuar për institucionet përkatëse për vitin 2026. /j.p/

The post Rritje pagash dhe shtesë për vjetërsi për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punonjësit e Policisë, Gardës dhe Agjencive shtetërore indeksim 2.5% të pagave

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë vendimesh që sjellin ndryshime në strukturën e pagave dhe në mënyrën e përllogaritjes së shtesave, për disa kategori të administratës publike.

Vendimet parashikojnë indeksimin e pagave me 2,5% dhe rregullime të elementëve përbërës të pagës për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, si dhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në institucione të administratës publike.

Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rritja reflektohet te paga për funksion, ndërsa për funksionet drejtuese parashikohen përmirësime shtesë.

Në Gardën e Republikës dhe Policinë e Burgjeve, indeksimi aplikohet mbi pagën për gradë, me rritje më të theksuar për disa grada të caktuara.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me strukturën e shtesave për vjetërsi në punë dhe nivel kualifikimi, veçanërisht për koordinatorët kundër korrupsionit.

Ndryshime janë miratuar edhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme, ku paga bazë për klasë indeksohet me 2,5%, në përputhje me politikën e përgjithshme të rritjes së pagave në administratën publike.

Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxhetet përkatëse të vitit 2026, ndërsa rritjet dhe ndryshimet do të kenë efekt nga 1 janari 2026, pas botimit të vendimeve në Fletoren Zyrtare. /j.p/

The post Punonjësit e Policisë, Gardës dhe Agjencive shtetërore indeksim 2.5% të pagave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ervin Mete dhe Jonida Prifti, kandidaturat e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dy anëtarë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Qeveria propozon Jonida Priftin dhe Ervin Meten si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Mete më herët ka mbajtur postin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”. /j.p/

The post Ervin Mete dhe Jonida Prifti, kandidaturat e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Indeksohen 2,5% pagat në sistemin e drejtësisë dhe administratë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rritjen me 2,5% të pagës referuese bazë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Pas indeksimit, paga referuese bazë arrin në 156,825 lekë në muaj, ndërsa efektet financiare përballohen nga buxheti i vitit 2026.

Në të njëjtën kohë, është miratuar edhe indeksimi me 2,5% i pagës së Presidentit të Republikës, e cila pas rritjes arrin në 435,625 lekë në muaj.

Në mbledhjen e sotme u miratuan gjithashtu përditësime të strukturave të pagave për kategori të tjera të administratës publike, përfshirë Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Përveç indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrijnë efektet financiare nga data 1 janar 2026. /j.p/

The post Indeksohen 2,5% pagat në sistemin e drejtësisë dhe administratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Tirana u shndërrua sot në qendër të dialogut ekonomik dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Forumi ekonomik shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe eksplorimin e mundësive konkrete të investimit, duke u dhënë mundësi kompanive sllovene dhe shqiptare të njihen më nga afër me potencialet e ndërsjella të tregjeve respektive.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia kanë një histori të hershme bashkëpunimi ekonomik, që daton menjëherë pas rënies së komunizmit, ndërsa sot bizneset sllovene janë tashmë të mirëkonsoliduara në Shqipëri.

Musabelliu vuri në dukje se ekonomia shqiptare po kalon një moment të rëndësishëm pozitiv, me rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,75% në vitin 2025, krahasuar me një mesatare prej 1,6% në Bashkimin Europian.

Sipas tij, inflacioni në Shqipëri mbetet pak më i ulët se mesatarja e BE-së, ndërsa norma e papunësisë ka zbritur në 8,5%, niveli më i ulët historik.

Ai theksoi gjithashtu se stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 4,4% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.

Zëvendësministri nënvizoi se procesi i integrimit europian po krijon një moment të rëndësishëm transformimi për vendin, duke shprehur pritshmëri për përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në një afat të shpejtë, si dhe duke përmendur projekte infrastrukturore me rëndësi strategjike.

Në këtë kuadër, Musabelliu ftoi bizneset sllovene të rrisin praninë e tyre në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë klimën e favorshme për investime.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Slloveni u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me SPIRIT Slovenia, Institute for Strategic Solutions (ISR) dhe ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, me fokus të veçantë në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), industrisë ushqimore dhe të pijeve, inovacionit në bujqësi dhe turizmit.

Pjesëmarrësit e vlerësuan forumin si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të kontakteve profesionale dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se importet nga Sllovenia drejt vendit tonë në vitin 2025 arritën në rreth 60 milionë euro, ndërsa eksportet drejt Sllovenisë llogariten 21 milionë euro.

1 nga 26
zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu - Foto: Andrin Hoxha

/r.e/a.f/

The post Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë: Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona


TIRANNË, 5 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i tyre Zaho, vizitoi Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë “Regina di Albania”, në prag të takimit me Atin e Shenjtë.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama zhvilloi një moment lutjeje, duke ia besuar Zojës së Këshillit të Mirë popullin shqiptar, familjet dhe rininë.

“Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë tij, sot po vijmë tek Ti edhe një herë për të ta besuar popullin tonë, familjet tona dhe rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e Bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezus. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”, u shpreh kryeministri Rama gjatë lutjes.

Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Pritja do t’i paraprijë audiencës që kryeministri Rama do të ketë me papa Leonen XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.

Kryeministri Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë
1 nga 12
Kryeministri Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë

/a.f/r.e/

The post Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë: Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmbylli sot në Fier turin kombëtar të dëgjesave me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026.

Në takimin përmbyllës morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, si dhe fermerë nga Patosi, Roskoveci, Mallakastra dhe Fieri.

Turi i dëgjesave nisi nga Librazhdi dhe u shtri në të gjitha qarqet e vendit, me gjithsej 23 takime në terren, duke vendosur fermerin në qendër të procesit të bashkëhartimit të politikave mbështetëse për bujqësinë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se takimi në Fier shënon mbylljen e këtij procesi konsultues në rang kombëtar dhe kalimin në fazën finale të hartimit të skemës së re.

“Sot është dhe takimi i fundit përmbyllës në të gjithë qarqet e Shqipërisë dhe bashkë me stafin e Ministrisë dhe AZHBR-së do të përmbyllim të gjithë kërkesat dhe ankesat që lidhen drejtpërdrejt me atë që ju keni ngritur me emër mbiemër, për t’i reflektuar në paketën e re financiare dhe në masat e reja që do të prezantohen për pak ditë,” u shpreh ai.

Ministri Salla nënvizoi se nga 23 takimet e zhvilluara është ndërtuar një panoramë e qartë e nevojave reale të fermerëve, të cilat do të reflektohen drejtpërdrejt në Skemën Kombëtare 2026.

Skema po konceptohet mbi analizën e sugjerimeve të ardhura nga terreni, me synim adresimin e mbështetjes së munguar, rishikimin e kritereve dhe zgjerimin e përfitimit, për një mbështetje më të drejtë, më efikase dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

Duke folur për zhvillimin afatgjatë të sektorit, ministri Salla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë.

“Bujqësia dhe interesi i eksporteve mbështeten në tre kolona shumë të forta: fermerët, qeverinë dhe pushtetin vendor. Nëse këta tre komponentë nuk funksionojnë së bashku, nuk mund të arrijmë rezultatin maksimal që synojmë”, u shpreh ai.

Skema e re do të nisë me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, 16% më i lartë se një vit më parë, dhe do të shoqërohet me instrumente të integruara financiare, përfshirë kredi të buta me interes deri në 2% të mbështetura nga garancia shtetërore deri në 70%, si dhe kompensim të TVSH-së, me qëllim uljen e kostove të prodhimit, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e vlerës së produkteve “Made in Albania”.

Procesi i analizimit të sugjerimeve po vijon në mënyrë të strukturuar, me synimin që Skema Kombëtare 2026 të garantojë mbështetje reale për fermerët, rritje të konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmëri afatgjatë për sektorin bujqësor shqiptar. /j.p/

 

 

The post Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Një grup ekspertësh nga ERA, Agjencia e Bashkimit Europian për Hekurudhat, Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit (TCT), Autoriteti Kombëtar i Sigurisë, si dhe nga Organi Austriak i Investigimit, u mblodhën në Tiranë në kuadër të një trajnimi dyditor me fokus forcimin e sigurisë në transportin hekurudhor në rajon.

Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe Hekurudha Shqiptare, e cila po angazhohet në procesin e rritjes së standardeve të sigurisë dhe përafrimit me praktikat më të mira europiane.

Trajnimi bëri bashkë zyrtarë dhe ekspertë të fushës, me synim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi parandalimin e incidenteve dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë.

Fokusi kryesor i këtij aktiviteti lidhet me objektivin strategjik të Agjencisë së BE-së për arritjen e zero aksidenteve në të gjithë rajonin.

Rritja e kapaciteteve profesionale dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit për të shmangur incidentet dhe për të garantuar siguri maksimale në transport mbetet një prioritet absolut për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në sektorin e transportit hekurudhor.

Ky bashkëpunim rajonal dhe europian vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së transportit hekurudhor në Shqipëri dhe më gjerë. /j.p/

The post Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet arkëtojnë 43,6 miliardë lekë në janar

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga Administrata Tatimore kanë vijuar trendin pozitiv edhe në muajin e parë të vitit 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se gjatë janarit 2026 u arkëtuan 43,6 miliardë lekë, duke tejkaluar planin e parashikuar prej 43,5 miliardë lekësh.

Sipas Tatimeve, realizimi i planit në masën 100,3% konfirmon ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave, si dhe efektivitetin e masave të ndërmarra për forcimin e formalizimit të ekonomisë dhe zbatimin korrekt të detyrimeve tatimore.

Performanca e janarit vjen pas një viti me rezultate të qëndrueshme për Administratën Tatimore. Gjatë vitit 2025, të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit arritën në 4,7 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024.

Ndërkohë, për vitin 2026, të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohet të arrijnë në 531,1 miliardë lekë, në funksion të mbështetjes së financave publike dhe realizimit të objektivave fiskale të qeverisë. /j.p/

The post Tatimet arkëtojnë 43,6 miliardë lekë në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌