Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dështon gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës, zbulohet arsyeja

✇Albeu
By: V K

Gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë, ka dështuar në minutën e fundit. Kandidatëve që morën pjesë u ka ardhur një email nga komisioni, i cili i njofton se gara është finalizuar pa një fitues.

Burime bëjnë me dije se një nga kandidatët që është vlerësuar nga komisioni më me shumë pikë, i mungon një nga kriteret ligjore për t’u shpallur fitues, siç është cikli i dytë i arsimit të lartë.

Për këtë arsye, edhe gara nuk është finalizuar me fitues. Pritet që të hapet garë sërish.

Në mesazhin që u ka shkuar kandidatëve thuhet:Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta”.

The post Dështon gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës, zbulohet arsyeja appeared first on Albeu.com.

Qëndrimi i ftohtë ndaj Mateos, a ka Brikena një lidhje jashtë? Ja si qëndron e vërteta

✇Albeu
By: V K

Pas surprizës që Mateo i bëri spektaklin e kaluar Brikenës dhe reagimit të kësaj të fundit tepër ftohtë, banorët kanë hedhur dyshime se ndoshta banorja ka një lidhje jashtë.

Ky dyshim u hodh poshtë nga Brikena e cila tha se nuk ka dikë jashtë dhe se nëse do ta kishte, ai do të ishte shfaqur.

Ndërkohë, Mateo tha se reagimi i saj është normal dhe për këtë arsye ka kërkuar që të njihen dhe i ka dhënë kohën e saj.

Brikena tha se pëlqim për Mateon nuk ka, por ka vendosur që t’i japë mundësi për ta njohur më mirë.

The post Qëndrimi i ftohtë ndaj Mateos, a ka Brikena një lidhje jashtë? Ja si qëndron e vërteta appeared first on Albeu.com.

Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët në Angli (EMRAT)

✇Albeu
By: V K

Dy shqiptarë janë dënuar me nga 4 vite e 8 muaj secili pasi grabitën 7 prona, përfshirë edhe shtëpinë e një ish-futbollisti të Aston Villa dhe Birmingham City.

Sipas mediave britanike, Denis Puka, 28-vjeç dhe Erisjan Laska, 29-vjeç së bashku me një person të tretë të paidentifikuar, kryen një seri grabitjesh për 3 net rresht qershorin e kaluar.

Gjyqtari Steven Everett,  e quajti operacionin e tyre “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, pasi ata rezervuan një dhomë me Airbnb në Warrington dhe lëvizën jashtë zonës për ta përdorur atë si bazë nga e cila kryenin veprat e tyre penale.

Për grabitjet ata përdorën një makinë ‘Seat Leon’, me 3 targa të falsifikuara.

Të pandehurit ishin pajisur me maska, mjete dhe radio dore. Shtëpia e ish-lojtarit të Aston Villa, Scott Hogan i cili tani luan si sulmuesi i Milton Keynes Dons ishte ndër pronat e përzgjedhura midis 5 dhe 7 qershorit.

Prokurorja Nardeen Nemat, tha se gruaja (shtatzënë) e futbollistit dhe vajza e tij e vogël ishin gjithashtu në shtëpi në momentin e grabitjes.

“Të pandehurit u ngjitën mbi gardh dhe hynë në kopsht. Njëri prej tyre u ngjit mbi shpatullën e një tjetri dhe hipi në rrjetën e shtëpisë për të arritur dritaren e dhomës së gjumit. Hogan ishte në dhomën e tij të gjumit kur u zgjua nga një dritë elektriku që ndriçonte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit. Ai pa jashtë 3 djem. Hogan vrapoi pas tyre, por ata u larguan”, tha prokurorja.

Në një deklaratë personale të lexuar në gjykatë, Hogan tha se incidenti kishte “çuar në shumë net pa gjumë plot stres dhe ankth”.

“Nuk mund ta shpreh plotësisht me fjalë se çfarë efekti dramatik ka pasur kjo tek unë dhe familja ime”, tha ai.

Dy banesa të tjera ishin vënë në shënjestër atë mbrëmje. Në njërën prej tyre ata mundën të hynin duke plaçkitur çdo dhomë përveç asaj të gjumit ku flinin pronarët.

Të pandehurit sulmuan prona në Grappenhall, Knutsford dhe Northwich natën pasardhëse. Ata përsëri u larguan duarbosh nga dy bastisjet e para, por vodhën një orë Breitling dhe një orë Rolex me vlerë totale 9,000 £ nga një rezidencë në Northwich pasi pronarët e shtëpisë ishin me pushime.

Ata u arrestuan pasi makina e tyre u gjet në një kompleks banimi një javë më vonë me sende të ndryshme brenda, duke përfshirë telefona celularë, veshje të të pandehurve, mjete dhe targa të rreme regjistrimi.

The post Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët në Angli (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Debati për rritjen e pagave, reagon Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues të përfundojë i pandikuar nga çdo presion

✇Albeu
By: V K

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ka dalë në një reagim publik, lidhur me debatin për rritjen e pagave, ku në polemikë është përfshire kryeministri Edi Rama.

Kjo shoqatë, thotë se debatet që lidhen me sistemin e drejtësisë, duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar.

Sipas shoqatës, çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, Shoqata thekson se gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve, duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm, ndërsa thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor.

“Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend”, mbyll reagimin Shoqata e Prokurorëve.

The post Debati për rritjen e pagave, reagon Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues të përfundojë i pandikuar nga çdo presion appeared first on Albeu.com.

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e IdentiTek, Freskida Halilaj

✇Albeu
By: V K

Ministria e Punëve të Brendshme, ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e IdentiTek Freskida Halilaj.

Ende nuk dihen motivet e qarta te shkarkimit nga detyra.

Freskida Halilaj, ka mbajtur postin e drejtoreshës së IdentiTek që prej muajit nëntor 2024. Më parë këtë post e ka mbajtur Loina Prifti.

Sot pritet të bëhet emërimi i drejtuesit të ri.

Freskida Halilaj, më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së shitjeve në kompaninë Digicom Albania.

Shkarkimi i Loina Priftit, erdhi pas auditit të ngritur nga Ministria e Brendshme, ku janë konstatuar shkelje të ndryshme të praktikave ligjore për ruajtjen e të dhënave sensitive, si dhe abuzim me fondet e kompanisë.

The post Shkarkohet nga detyra drejtoresha e IdentiTek, Freskida Halilaj appeared first on Albeu.com.

Arsenal “fluturon” në finalen e Carabao Cup, “thyen” sërish Chelsea-n, Arteta: Është magjike, jemi në Wembley (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Arsenal po përjeton sezonin më të mirë në vitet e fundit, me ekipin e Arteta-s që është në garë me kokë të plotë për çdo trofe.

Me të drejtë tifozët e Arsenal ëndërrojnë për një vit të suksesshëm, teksa të besuarit e tyre hodhën një tjetër hap të rëndësishëm, siguruan një biletë për në finalen e Carabao Cup.

Suksesi 3-2 ndaj Chelsea-t në transfertë në sfidën e parë, i jepte Arsenal një bonus të madh për ndeshjen e kthimit.

Të shtyrë dhe nga rezultati i derbit të parë, Chelsea ishte më superior, krijuan 14 raste, por goditën vetëm 2 herë kuadratin. “Topçinjtë” nuk qëndruan pasiv, por shfrytëzuan në maksimum detajet e këtij takimi.

Me Chelsea-n të hedhur përpara në kërkim të golit, Arsenal i kapi “mat” me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 97-të, ku Kai Havertz finalizoi me shumë klas duke bërë që Arteta dhe pjesa tjetër e Arsenal të shpërthenin në festë për arritjen e finales së Carabao Cup, aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Newcastle-Man.City.

 

 

Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses Mikel Arteta: “Jemi shumë të lumtur. Mendoj se në përgjithësi gjatë dy ndeshjeve e meritonim të kalonim më tej. Ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një rivali të shkëlqyer, por arritëm ta mbyllnim në fund me atë gol të bukur nga Kai. Jemi në Wembley, kjo është thjesht magjike”, u shpreh Arteta.

The post Arsenal “fluturon” në finalen e Carabao Cup, “thyen” sërish Chelsea-n, Arteta: Është magjike, jemi në Wembley (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Pagat e gjyqtarëve/ Rama: S’ka ligj e Kushtetutë që ua jep këtë të drejtë, arritën në pikën që të sulmojnë publikisht qeverinë

✇Albeu
By: V K

Në një lidhje live në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, thotë se gjyqtarët kërkojnë n37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur pagat vetes.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka as ligj e kushtetutë, që ua jep atyre këtë të drejtë.

Rama thekson se me qëndrimet publike që ka mbajtur, nuk ka përmendur asnjë emër, por ka reaguar ndaj kësaj kërkese që sipas tij nuk është e drejtë.

Gjithashtu, kryeministri përmendi shembuj konkret, teksa tha se vetëm për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkojnë një rritje mujore page nga 3360 euro në 5300 euro, ndërsa për të Apelit nga 3480 euro në 5500 euro.

Kryeministri tha se ajo që e bën edhe më serioze çështjen është fakti se gjyqtarët në Shqipëri marrin më shumë pagë sesa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe krahasohen me ato që ka Greqia.

“Unë e kam provuar linçimin, është diçka krejt tjetër nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik ku nuk është as përmendur njeri me emër dhe as është fyer njeri, por është ngritur një problem i madh serioz. Ju kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes tuaj pagat. Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro.

3 mijë euro doni t’i rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate. Çfarë kërkoni? Ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja, janë pagat më të larta goxha më të larta se në rajon, se në RMV, Mal të Zi dhe janë të barabarta me një vend të BE si Greqia. Sot ju i keni pagat sa në Greqi, dhe doni ti rrisni me nga 3 mijë euro në muaj, në emër të çfarë në emër të ligjit e kushtetutës? E pavërtetë, nuk ka ligj e kushtetutë që iu jep juve këtë të drejtë”, tha Rama.

Sipas Ramës, “ju me këtë tentativë në GJK doni të jeni ligji”.

Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.

“Si arrini deri në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e këshillit të ministrave, mediave de t’i akuzoni të gjithë për histeri. Për çfarë histerie e keni fjalën? 37 mln euro plus që kërkoni nga buxheti janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër”, shtoi kryeministri.

The post Pagat e gjyqtarëve/ Rama: S’ka ligj e Kushtetutë që ua jep këtë të drejtë, arritën në pikën që të sulmojnë publikisht qeverinë appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në ishullin grek/ Përplaset anija me emigrantë, humbin jetën 15 prej tyre

✇Albeu
By: V K

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e ishullit grek të Kios, ku një anije me emigrantë u përplas me një mjet të Rojës Bregdetare Helenike, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.

Numri i viktimave nga përplasja e një mjeti lundrues që transportonte emigrantë me një anije patrulluese të Rojës Bregdetare greke, ka shkuar deri më tani në 15 persona.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, në zonën detare Myrsinidio, në ishullin e Kiosit.

Si pasojë e përplasjes së fortë, dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndërsa vijon ende operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave të mundshëm të zhdukur.

Sipas informacioneve të deritanishme, në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit janë transportuar gjithsej 26 të plagosur me autoambulanca të shërbimit emergjent.

Prej tyre, 24 janë shtetas të huaj dhe dy janë efektivë të Rojës Bregdetare. Rreth mesnatës, një grua e plagosur ndërroi jetë në spital, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 15.

Deri më tani janë nxjerrë të pajetë 11 burra dhe katër gra. Pak pas mesnatës ka nisur transportimi i trupave të pajetë të 14 prej viktimave me autoambulanca drejt spitalit të Kiosit.

Sipas të njëjtave burime, deri tani nuk është konstatuar asnjë vdekje nga mbytja në det.

The post Tragjedi në ishullin grek/ Përplaset anija me emigrantë, humbin jetën 15 prej tyre appeared first on Albeu.com.

Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të rinisë në Europë vitin e kaluar

✇Albeu
By: V K

Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15-29 vjeç në Europë tregojnë një tablo shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grup-moshe.

Në janar të vitit 2025 Shqipëria kishte 405,832 të rinj të grup-moshës 15-29 vjeç me tkurrje 18,300 brenda një viti, duke pësuar një rënie prej -4.32%.

Shpejtësia e zbrazjes së vendit tonë nga rinia është katër herë më e lartë se ajo e Serbisë, e cila pason me një rënie prej -1.03%.

Ndërsa vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia regjistrojnë tkurrje minimale nën 1%, Shqipëria po përballet me një hemorragji demografike që tejkalon çdo mesatare rajonale.

Kjo diferencë bëhet akoma më i fortë kur krahasohemi me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re.

Për shembull, ndërkohë që Shqipëria humbet kapitalin e saj njerëzor, vende si Spanja (+2.76%), Bullgaria (+1.98%) dhe Rumania (+1.97%) po shohin një zgjerim të grup-moshës 15-29 vjeç, çka tregon një riorientim të rinisë drejt tregjeve të punës apo sistemeve të tyre arsimore.

Teksa shtete si Zvicra, Islanda dhe vendet e Bashkimit Europian po stabilizojnë ose po rrisin numrin e të rinjve të tyre, Shqipëria po thellon më tej rënien, duke treguar se nevoja për politika inkurajuese për të mbajtur rininë në vend është më urgjente se kurrë.

Tkurrja e të rinjve është specifikë alarmante shqiptare, jo ballkanike, që po e lë vendin pa forcë punëtore aktive dhe pa energji inovative.

Rënia me rreth 18,333 të rinjsh brenda një viti, do të thotë se Shqipëria po humbet pothuajse një qytet të tërë të përbërë vetëm nga studentë dhe profesionistë të rinj çdo vit.

Ndërkohë që Gjermania dhe Italia, dy destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së tyre të re (përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%), pasi kapitali njerëzor që humbet Shqipëria po shërben si “karburant” për ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërsa vendet e zhvilluara po arrijnë të thithin të rinj dhe të rrisin bazën e tyre demografike, Shqipëria po tkurret me ritme që vështirësojnë çdo plan afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Nëse ky trend i vitit 2025 nuk frenohet, presioni mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase, që tashmë vuajnë për staf, do të shkojë drejt pikës së kolapsit, duke e bërë Shqipërinë vendin me plakjen më të shpejtë në Europë.

The post Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të rinisë në Europë vitin e kaluar appeared first on Albeu.com.

54.5% e shqiptarëve nuk përballojnë 1000 euro shpenzim të papritur, niveli më i lartë në rajon

✇Albeu
By: V K

Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare, nuk janë në gjendje të përballojnë një shpenzim emergjent që kërkon kursime 1000 euro.

Sipas të dhënave nga anketa Security Meter 2025 e Anketa e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), Shqipëria kishte përqindjen më të lartë të familjeve që nuk përballojnë një emergjencë.

Shqipëria raporton shkallën më të lartë të pasigurisë financiare në Rajon në vitin 2025, me 54.5% e të anketuarve që deklarojnë se nuk mund ta mbulonin një shpenzim të tillë në mënyrë të pavarur, një rritje e lehtë nga 53.3% në 2024.

Ngjashëm, Maqedonia e Veriut tregon një nivel të lartë, me pothuajse gjysmën (48.1%) të popullsisë të paaftë për të menaxhuar një kosto të tillë emergjente në vitin 2025.

Në të kundërt, Kosova spikat me nivele relativisht më të larta të përballimit të emergjencave, ku 50.1% e të anketuarve ranë dakord se mund ta mbulonin shpenzimin, një përmirësim i dukshëm nga 38.2% në vitin 2024.

Bosnja dhe Mali i Zi, shfaqen përmirësime në 2025 me rreth një të tretën e popullsisë që bien dakord se mund ta menaxhonin koston në vitin 2025.

Serbia paraqet një trend me shqetësues. Në vitin 2025, vetëm 25.2% e të anketuarve thanë se mund ta përballonin një shpenzim prej 1,000 euro, një rënie e ndjeshme nga 35.0% në vitin 2024.

Për më tepër, Serbia kishte një përqindje të lartë të të anketuarve që u përgjigjën “vështirë të thuhet” në vitin 2025, me 38.7%, duke treguar pasiguri në rritje ose mungesë qartësie mbi financat e familjes.

Të dhënat e vitit 2025 zbulojnë se vetëm një e treta (33.1%) e të anketuarve në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të sigurte se familja e tyre mund të menaxhojë një shpenzim të papritur prej 1,000 euro pa marrë hua ose pa u mbështetur tek të tjerët.

Kjo shënon një rënie të lehtë nga 36.7% që ishte në vitin 2024, çka sugjeron një përkeqësim të perceptimit mbi qëndrueshmërinë financiare.

Të dhënat tregojnë se, situata është përkeqësuar në shumë vende të Ballkanit Perëndimor midis viteve 2024 dhe 2025, duke reflektuar brishtësinë ekonomike të vazhdueshme dhe presionet që mund të nxisin emigrimin ose të kufizojnë mirëqenien në rajon./Monitor

The post 54.5% e shqiptarëve nuk përballojnë 1000 euro shpenzim të papritur, niveli më i lartë në rajon appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 4 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

✇Albeu
By: V K

Sot, 4 Shkurt 2026, dollari amerikan, blihet me 81.5 lekë dhe shitet me 82.5 lekë.

Euro, blihet me 96.3 lekë dhe shitet 97 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 104.7 lekë, ndërsa në shitje me 105.8 lekë.

Dollari kanadez,, sot në blerje këmbehet me 59.5 lekë, ndërsa në shitje me 60.7 lekë

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 4 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 4 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

✇Albeu
By: V K

Këtë të mërkurë vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.

Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu, me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.

Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, Verilindje-Lindje-Juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era me drejtim Juglindje-Verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s

The post Parashikimi i motit 4 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Tregtonin lëndë narkotike në Pogradec/ Jepet pretenca për grupin kriminal, sa vite burg kërkon prokuroria (EMRAT)

✇Albeu
By: V K

Nga; Elton Qyno

Plot 45 vite burgim, ka kërkuar në gjykatë prokuroria e Korçës për grupin e Pogradecit që tregtonin heroinë dhe kokainë në disa zona të qytetit, si Volorekë, Tushemisht, zona e ish-turizimit dhe vende të tjera.

Dhjetë të pandehur janë përballur me akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Ndërkohë që në pretencën e saj prokuroria shpalosi një sërë provash të siguruara nga hetimi, që tregonin një sërë raportesh vëzhgimi dhe përgjime ambientale, të cilat vërtetonin aktivitetin kriminal të 10 të pandehurve.

Disa prej tyre janë arrestuar nga policia qysh prej muajit shtator 2023, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se 10 të pandehurit kanë pranuar akuzën dhe gjendjen e akteve të paraqitura nga prokuroria, duke hyrë në këtë proces gjyqësor me procedurën e gjykimit të shkurtuar me qëllim përfitimin e uljes së dënimit në masën 1/3.

Mësohet se për personin në kërkim Andrea Pilinçi, prokuroria ka kërkuar 8 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa përfundimtare e kërkuar ndaj tij, është 5 vite e 4 muaj burgim.

Për personat e tjerë si Leonard Dervishllari, Dhimitër Buli, Rudi Shaho, Naum Çbani, Erion Bardho, Andrea Barmashi, është kërkuar dënimin e tyre me 7 vite burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, kjo masë dënimi përfundimisht është ulur në 4 vjet e 8 muaj burgim.

Për Marko Zikon, prokuroria kërkoi 6 vjet burgim ku me gjykim të shkurtuar u kërkua përfundimisht dënimi me 4 vjet burgim. Me 5 vjet heqje lirie u kërkua për Klavio Prishtinën dhe Edison Hidrin, të cilët nga gjykimi i shkurtuar përfituan uljen e dënimit në masën përfundimtare në 3 vjet e 4 muaj burgim.

Sipas dosjes hetimore, rezulton se një agjent i infiltruar dhe autorizuar nga prokuroria e Korçës, ka blerë disa herë kokainë në ambientet e Bar-Restorant “Kashta 1” në Tushemisht.

Në 22 Gusht 2023 agjenti i infiltruar, ka telefonuar përmes aplikacionit “WhatsApp” Andrea Pilinçi, të cilin personi ka kërkuar ta takojë.

Andrea Pilinçi, ka pranuar të takohet dhe i ka thënë agjentit që të shkojë te lokali, “Kashta” në Tushemisht. Në orën 16:10, agjenti ka shkuar në ambientet e lokalit dhe pasi është ulur te një nga tavolinat, aty është ulur dhe Andrea Pilinçi.

Ky i fundit pasi bisedon disa sekonda me personin e autorizuar, ka thirrur kamerierin e lokalit Endrit Hafesllari, të cilin e ka dërguar për të marrë dozën e lëndës narkotike.

Pasi Endriti, e ka çuar dozën në tavolinë ka shkuar përsëri brenda lokalit dhe ka marrë një tjetër dozë ja ka dhënë agjentit të policisë.

Nga procesi i vëzhgimit vihet re se Andrea Pilinçi, në bashkëpunim me punonjësit e lokalit ”Kashta 1”, Endrit Hafesllari dhe Naum Çobani, kryejnë aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike kokainë.

Këtë aktivitet këta persona e ushtrojnë në ambientet e lokalit, te persona të njohur dhe të pa njohur.

Andrea është personi që ka kontaktet me klientët ndërsa Endriti dhe Naumi, janë personat që shesin lëndën narkotike sipas porosive që i jep, Andrea.

Por kjo bazë e shitjes së drogës në Pogradec nuk është e vetmja. Një tjetër grup tjetër mjaft aktiv që tregon kokainë, heroinën dhe hashashin në qendër të qytetit, është ai i Alfons D.

Tregtia e kokainës realizohej në qendër të Pogradecit, pranë hotel “Enkelana”, ku në një episod prokuroria ka provuar shitjen e lëndës narkotike nga Klavio Prishtina tek Renato Musollari.

Në raportin e vëzhgimit në teren Klavio Prishtina, rezulton të jetë pasagjer në automjetin e markës “Range Rover” me targa AA888UM, ndërsa drejtues i këtij mjeti ka qenë, Alfons Demollari.

Në vijim të vëzhgimit, automjeti i mësipërm ka ndaluar te vendi i quajtur “Enkelana”, paralel me automjetin “Mercedes Benz” me targa AA445YV, i cili kishte ndaluar në anë të rrugës, në momentin që “Range Rover”, ka ndaluar një person i cili më pas është identifikuar si Renato Musollari.

Ai është afruar te xhami i parë i automjetit “Range Rover” dhe ka shkëmbyer diçka me pasagjerin Klavio Prishtina, pasi ka marrë sendin nga Klavio, e ka futur në xhep, ka ulur kofanon e mjetit dhe është futur brenda makinës, ku është ulur në sedilje, ndërsa automjeti “Range Rover” është larguar në drejtim të qytetit të Pogradecit.

Në këtë moment kanë ndërhyrë punonjësit e policisë, të cilët nga kontrolli personal i ushtruar Renato Musollarit, i kanë gjetur një mbështjellje plastmasi, brenda të cilës ka pasur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Përmes agjentëve të infiltruar, policia ka dokumentuar disa raste të tregtisë së kokainës, ku në këtë aktivitet kriminal janë futur një grup personash me precedentë penalë si Leonard Dervishallari, Erion Bardho, Andrea Barmashi, Marko Ziko, Klavio Prishtina, Dhimitër Buli, Edison Hidri dhe Rudi Shaho.

Ky i fundit është shok i Firdeus Berberit, djalit të “Lilit të Rushkës” i arrestuar në Janinë së bashku me Laert Haxhiun dhe tashmë të dy janë ekstraduar në Shqipëri.

Rudi Shaho, është proceduar nga gjykata e Korçës për “Moskallëzim Krimi” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, lidhur me ngjarjen e muajit Prill 2022, ku mbeti i plagosur me armë dhe thikë, Johan Muçllari.

Në dosjen hetimore të operacionit “Tempulli”, jepet një tablo e qartë se si tregtohet kokaina në rrugën “Rinia”, Tushemisht dhe “Kisha e Re” në Pogradec.

Sipas hetimeve Rudi Shaho, ka zhvilluar një takim me agjentin e policisë tek vendi i quajtur “Kisha e Re” në qytetin e Pogradecit, momenti i parë i takimit.

Në këtë takim Rudi Shaho, është me motor dhe se ka ndodhur në orën 22:31 minuta. Ky takim zgjati rreth një minutë, ku subjekti fillimisht është takuar dhe ka rënë dakord për sasinë dhe çmimin me blerësin e simuluar.

Pas disa minutash, personi i autorizuar ka komunikuar përsëri me shtetasin Rudi Shaho dhe pas këtij komunikim ky i fundit ka ardhur përsëri te vendi ku janë takuar herën e parë, të dy personat kanë shkëmbyer diçka me njëri tjetrin dhe më pas janë larguar.

Pretenca e prokurorisë:

1. Leonard Dervishllari me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar 4 vite e 8 muaj burgim.

2. Dhimitër Buli me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar 4 vite e 8 muaj burgim.

3. Rudi Shaho me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar me 4 vite e 8 muaj burgim.

4. Andrea Pilinçi me 8 vite burgim, dënimin përfundimtar me 5 vite e 4 muaj burgim.

5. Naum Çobani me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim.

6. Erion Bardho me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim.

7. Andrea Barmashi  me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me  4 vjet e 8 muaj burgim.

8. Marko Ziko me 6 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 4 vjet burgim.

9. Klavio Prishtina me 5 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim.

10. Edison Hidri me 5 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim. /Syri.net

The post Tregtonin lëndë narkotike në Pogradec/ Jepet pretenca për grupin kriminal, sa vite burg kërkon prokuroria (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon arrestimin e saj, Gjykata Kushtetuese shtyn sërish vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese, e cila u mblodh në lidhje me ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, si edhe nën hetim për një sërë procedurash të tjera tenderuese, nuk mori as sot (3 janar) një vendim mbi rastin.

Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, mbledhja e Kushtetueses është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Kryeministri Edi Rama, ankimoi vendimin e GJKKO për shfuqizimin e masë së pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërkohë Gjykata Kushtetuese rikthehu në detyrë numrin dy të qeverisë.

Gjykata e Posaçme, vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.

Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses.

Por, opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka të bëjë me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi që përdor maxhoranca nuk qëndron.

Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.

Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.

Akuzat me të cilat përballet Balluku:

Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar.

“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.

The post SPAK kërkon arrestimin e saj, Gjykata Kushtetuese shtyn sërish vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut appeared first on Albeu.com.

Prej 25 ditësh i zhdukur, vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj

✇Albeu
By: V K

Prej 25 ditësh, po kërkohet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Klosit, i cili dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e ujit të zallit të Darsit në datën 10 Janar.

Që prej asaj dite, kërkimet në rrjedhën e lumit Mat janë bërë pa ndërprerje ku çdo ditë në terren kanë qenë dhjetra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të Jurgenit e struktura të tjera.

Ndërkohë, që prej datës 29 Janar, kërkimeve ju është bashkuar edhe një grup i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Mbi 11 persona janë çdo ditë në kërkime krah forcave tona të armatosura.

E gjithë vija lumore e lumit të Matit është kontrolluar disa herë, por pa mundur të gjejnë trupin e 30 vjeçarit apo ndonjë shenjë të tijë. Sakaq, kërkime po bëhen edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.

Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë lëshuar dronin nënujor në hyrje të liqenit, duke bërë të mundur kontrollin edhe në thellësi të tij. Deri në datën 3 Shkurt, nuk është gjetur asnjë shenjë e 30-vjeçarit Jurgen Karaj.

Kërkimet do të vijojnë ndërsa prurjet e lumit Mat kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit, duke krijuar më shumë mundësi kontrolli nga grupet e angazhuara në terren.

 

The post Prej 25 ditësh i zhdukur, vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj appeared first on Albeu.com.

Kishte takim me të dënuarin, shtetasit i zbulohet lëndë narkotike e fshehur në pjesët intime

✇Albeu
By: V K

Një sasi droge u sekuestrua dhe një person u arrestua nga efektivët e Burgut të Fierit, teksa po tentohej të futej brenda ambienteve, e destinuar për një nga të dënuarit.

Sasia e dyshuar e lëndës narkotike, është konstatuar gjatë një kontrolli fizik në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ushtrimit të kontrollit trupor në ambientet e dhomës së kontrollit, shtetasit S. P. iu gjet një sasi e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur poshtë pjesëve intime.

Njoftimi:

“Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. P. ishte paraqitur për të zhvilluar një takim me të dënuarin e sigurisë së zakonshme A. M., i akomoduar në dhomën nr. 10, sektori 5, godina C. Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi S. P. u ndalua, u hartua dokumentacioni përkatës dhe u njoftua Prokuroria, si dhe Specialisti i SHKBB-së, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim, raporton A2CNN.

Vijon kontrolli i plotë për sende të ndaluara, në kuadër të masave të sigurisë dhe verifikimeve procedurale.

The post Kishte takim me të dënuarin, shtetasit i zbulohet lëndë narkotike e fshehur në pjesët intime appeared first on Albeu.com.

Meta tregon kushtet në qeli: Dje ikën dritat 42 herë, po vdesin të burgosurit nga mungesa e trajtimit shëndetësor

✇Albeu
By: V K

Me anë të një postimi në “Facebook”, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu i është përgjigjur ministrit të drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili në Parlamenti tha ndër të tjera se, “nuk ka patur persekutim politik për Ilir Metën”.

Ish-presidenti i Republikës e ironizon duke e quajtur “Diella” e Drejtësisë dhe “pjellë e AKSHI-t”, sipas tij simbol i korrupsionit.

Meta ngre shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen të burgosurit, si mungesa e dritave, ujit apo edhe shërbimeve shëndetësore.

 

 

“Dëgjova “Diellën” e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.

A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?

A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?

The post Meta tregon kushtet në qeli: Dje ikën dritat 42 herë, po vdesin të burgosurit nga mungesa e trajtimit shëndetësor appeared first on Albeu.com.

Kunati i Arben Ahmetajt paraqitet në SPAK, ja momenti kur del nga Prokuroria e Posaçme (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, ish-nëndrejtor i Hipotekës, Enis Hoxha, është paraqitur në SPAK. Hoxha, kunati i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, u pa duke dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Kujtojmë se Arben Ahmetaj, ndodhet në arrati, ndërkohë që SPAK kërkon arrestimin e tij.

Ndaj Ahmetajt ka disa çështje të hapura, si për inceneratorët, por dhe për çështjen e privatizimit të fabrikës së miellit.

SPAK e ka marrë të pandehur ish-numrin dy të qeverisë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë Lekëve.

 

The post Kunati i Arben Ahmetajt paraqitet në SPAK, ja momenti kur del nga Prokuroria e Posaçme (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Shembet rruga e Dhërmiut/ Masivi i gurëve bllokon qarkullimin, flasin dëshmitarët: “Gjoka Konstruksion” bëri shpërthim me dinamit (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Pas problematikave të shumta në aksin Qukës-Qafë Plloçë, dhe bllokimit për tetë orë të aksit Prrenjas-Librazhd në kthesat e Dragostunjës, një situatë e ngjashme është paraqitur edhe në rrugën e Dhërmiut.

Kompania “Gjoka Konstruksion”,  ka kryer shembjen e rrugës, me qëllim zgjerimin e saj, por kjo ka shkaktuar bllokim të qarkullimit, me gurë dhe pjesë shkëmbinjsh.

Ndërkohë, dëshmi nga terreni bëjnë të ditur për BalkanWeb se kompania “Gjoka Konstruksion” ka kryer shpërthime me dinamit.

Rruga e Dhërmiut është një tjetër shembull i problematikave që shoqërojnë rrugët e ndërtuara nga “Gjoka Konstruksion”, ashtu si Rruga e Arbërit dhe tuneli i Murrizit, ku janë konstatuar plasaritje dhe çarje në strukturën e betonit, si edhe tuneli i Llogarasë, ku janë evidentuar rrjedhje uji dhe dyshime mbi cilësinë e punimeve.

 

The post Shembet rruga e Dhërmiut/ Masivi i gurëve bllokon qarkullimin, flasin dëshmitarët: “Gjoka Konstruksion” bëri shpërthim me dinamit (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Nuk pranoi të kontrollohej dhe tentoi të largohej me makinë duke rrezikuar jetën e policëve, arrestohet 42-vjeçari në Dibër

✇Albeu
By: V K

Një 42-vjeçar,  është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për kontroll të imtësishëm dhe tentoi të largohej me automjet, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt 2026, rreth orës 17:20, në dalje të Republikës së Shqipërisë. Shtetasi G. K., banues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u paraqit me automjetin e tij për të dalë nga vendi, ndërsa gjatë procesit të regjistrimit iu kërkua të kalonte, së bashku me mjetin, në vijën e dytë për kontroll të detajuar.

42-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së shërbimeve policore, ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Gjithashtu, u sekuestrua automjeti me të cilin lëvizte.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

The post Nuk pranoi të kontrollohej dhe tentoi të largohej me makinë duke rrezikuar jetën e policëve, arrestohet 42-vjeçari në Dibër appeared first on Albeu.com.

❌