Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

VAR anulon golin e vetëm, Dinamo e Bylis ndajnë nga një pikë

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ndeshja mes Dinamo City-t dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 22-të të Superiores është mbyllur në një barazim pa gola në përballjen që dy skuadrat zhvilluan në “Air Albania”.

Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja ekipet asnjë nuk e gjeti rrugën e golit.

Të vetmin “gol” të shënuar, VAR e anuloi. Në minutën e 67-të Neziri nga e majta bën një veprim spektakolar duke kaluar në fundore, pasimi i tij gjen Koma i cili çon sferën në rrjetë. Por goli më pas anulohet pasi topi kishte dalë jashtë vijës fundore.

Ky është barazimi i tretë ditën sotme, pas atyre të Vora-Flamurtari dhe Partizani-Elbasani.

Me pikën e marrë sot Dinamo City shkon në kuotën e 34 pikëve, ndërsa Bylisi në atë të 20 pikëve, një pikë nga vendi i parafundit.

Nesër në orën 16:30 do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të Javës së 22-të të Superiores, Teuta-Vllaznia dhe Egnatia-Tirana.

The post VAR anulon golin e vetëm, Dinamo e Bylis ndajnë nga një pikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani debuton te Beshiktash, jep asist dhe del me karton të kuq

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Kristjan Asllani ka bërë sot një debutim të pazakontë në radhët e skuadrës së Beshiktashit, në Superligën turke.

Mesfushori i kombëtares shqiptare e nisi takimin ndaj Koniaspor nga stoli, në një ndeshje ku skuadra e tij po vuante. Ndaj trajneri vendosi ta hidhte në fushë në minutën e 76-të të takimit, kur shifrat ishin 1-1.

Mesfushorit iu deshën pak sekonda lojë për të lënë shenjën e tij, pasi me një harkim nga e djathta e çoi topin te Kokçu, i cili shënoi golin e avantazhit 2-1.

Por, debutimi i pabesueshëm do të vazhdonte vetëm dy minuta më vonë me episodin e radhës, kur Asllani kreu një faull pranë zonës së tij, teksa po mundohej të dilte në kundërsulm.

Gjyqtari fillimisht dha vetëm goditje dënimi, por u ftua nga VAR të shihte pamjet dhe aty nuk hezitoi t’i tregonte kartonin e kuq, duke e larguar menjëherë nga fusha.

Për fatin e mirë të Asllanit, shifrat nuk ndryshuan më dhe Beshiktashi fitoi me rezultatin 2-1.

Beshiktashi prezantoi dje, me një postim në rrjetet sociale, transferimin e ri, mesfushorin kuqezi Kristjan Asllani. Videoja e publikuar nga klubi bardhezi, me fjalët e Asllanit, tërhoqi vëmendjen e tifozëve. Asllani e shprehu motivimin e tij për Beshiktashin me fjalët: “Kam lindur shqiponjë, është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë. Do ta tregoj këtë. Kam lindur për të fluturuar. Jam krijuar për të luftuar. Pa frikë. Pa justifikime. Me zemër, me përqendrim maksimal. Kam lindur shqiponjë. Gjithmonë shqiponjë”.

Mesfushori 23-vjeçar, me origjinë nga Elbasani, nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit tek Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.

Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.

The post Asllani debuton te Beshiktash, jep asist dhe del me karton të kuq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rey Manaj rikthehet te Sivasspor, tifozët e presin me entuziazëm

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Pas mbylli aventurën te Sharjah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, sulmuesi i Shqipërisë Rey Manaj, nuk ka humbur kohë dhe ka zgjedhur destinacionin e ri.

Ashtu siç ishte paralajmëruar që ditën e premte, sulmuesi i kombëtares u bashkua sërish me Sivassporin, nga ku u largua për të provuar eksperiencën arabe.

Pasditen e kësaj të shtune ai mbërriti në qytetin e Sivas për t’iu bashkuar skuadrës së tij dhe tifozët i kishin rezervuar sulmuesit kuqezi një pritje të zjarrtë. Manaj i qeshur në fytyrë u ndal për t’i përshëndetur tifozët e madje dha autografë e bëri edhe foto selfie me ta.

Rei Manaj është pritur si hero nga tifozët e Sivasporit. Rikthimi i tij ka parë qindra tifozë, që të zhvendoseshin në aeroport.

FIFA zhbllokoi merkaton e klubit turk vetëm dy ditë më parë. Kështu Manaj do të jetë i gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit, pasi vendosi të ndajë rrugët me Sharjah.

Manaj kishte kërkuar dy mijë tifozë në aeroport për rikthimin e tij. Për pjesën e mbetur të këtij sezoni, objektivi kryesor i ekipit në fjalë do të jetë ngjitja në Superligën turke, pasi ndodhen në Ligën e Parë.

The post Rey Manaj rikthehet te Sivasspor, tifozët e presin me entuziazëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lumir Abdixhiku mbetet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

PRISHTINË, 31 janar /ATSH/ Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. KosovaPress njofton se 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.

Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut – Po, Jo”.

LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

The post Lumir Abdixhiku mbetet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani, me një lojtar më pak barazon 2-2 në shtesë me Partizanin

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Partizani ka barazuar me AF Elbasanin me rezultatin 2 me 2, në ndeshjen e vlefshme për Javën e 22-të të Superiores.

Ndeshja e zhvilluar pasditen e sotme në “Arenën e Demave” ka qenë e luftuar deri në minutën e fundit, ndonëse Elbasani luajti që nga minuta e 24-t me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të portierit Janaçek.

Ishte Lajthia që kaloi në epërsi ekipin mik në minutën e 21-të, pas një goditjeje me kokë para portës së vendasve.

Në minutën e 35-të Tsague humbi rastin më të mirë për elbasanasit për të dyfishuar shifrat. Por topi i gjuajtur nga pika e bardhë e penalltive fluturoi mbi traun e portës së Partizanit.

Dhe rregulli i pashkruar në futboll “po nuk shënove, do të pësosh”, i ndodhi Elbasanit. Ishte kapiteni vendas Skuka, i cili barazoi rezultatin në minutën e 41-të.

Në minutën e 65-të Sibide harkon nga e djathta e sulmit dhe Isgandarli dyfishoi shifrat për Partizanin.

Takimi pati edhe një episod jo të këndshëm, me momente paniku në fushën e lojës, pasi Sembene u rrëzua pa ndjenja në 85’. Ndeshja u ndërpre dhe u desh ndërhyrja e ambulancës.

Lajthia do të bëhej protagonist sërish, pasi në minutën e parë shtesë barazoi për verdhezinjtë, pas një topi të ardhur nga një goditje këndi dhe një rrëmuje në zonën e Partizanit.

Me këtë barazim Partizani ngjitet në kuotën e 27 pikëve, ndërsa AF Elbasani mbetet në vendin e tretë me 39 pikë.

The post Elbasani, me një lojtar më pak barazon 2-2 në shtesë me Partizanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora dhe Flamurtari ndahen në barazim pa gola

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Vora dhe Flamurtari janë ndarë sot në “paqe” në takimin e parë të vlefshëm për Javën e 22-të të kategorisë Abbisnet Superiore.

Në stadiumin “Vora” ekipi vendas ishte ai i cili kërkoi dhe iu afrua më shumë golit, duke goditur edhe traversën e portës vlonjate, por pa ia dalë në fund të tundte rrjetën, e ku pa dyshim lojtari më i mirë për vlonjatët ishte gardiani i portës, Aleksovski. Ky është barazimi i tretë radhazi për ekipin e Arjan Bellajit.

Kështu, Vora u desh të kënaqej me vetëm një pikë, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve. Flamurtari e mbylli këtë transfertë me rezultat pozitiv, që e ndihmon për të qëndruar përkohësisht jashtë dyshes së fundit në tabelën e renditjes, duke shkuar në kuotën e 19 pikëve, po aq sa Bylisi, që ka një ndeshje më pak.

Ndeshjet e tjera të Javës së 22-të:

Partizani – AF Elbasani 31.01.2026 16:30
Dinamo City – Bylis 31.01.2026 19:00
Teuta – Vllaznia 01.02.2026 16:30
Egnatia – Tirana 01.02.2026 16:30

The post Vora dhe Flamurtari ndahen në barazim pa gola appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kategoria Superiore, kalendari për dy javët e ardhshme

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar kalendarin për dy javët e ardhshme të kategorisë Abissnet Superiore.

Java e 23-të fillon më 6 shkurt, kur do të luhen katër ndeshje në të njëjtën ditë. Në orën 13:30 do të luajnë Vllaznia-Vora (luhet në Vorë pas marrëveshjes në Fazën e Dytë), do të luhet edhe takimi Bylis-Partizani. Në orën 16:30 do të luhet Elbasani-Teuta, kurse në orën 19:00 do të luhet Flamurtari-Egnatia. Java do të mbyllet të shtunën me derbin kryeqytetas Tirana-Dinamo City. Takimi do të luhet në “Selman Stërmasi dhe do të nisë në orën 13:30.

Java e 24-t nis më 14 shkurt, në orën 13:30 me takimin Vora-Egnatia, për t’u mbyllur me Teuta-Bylis në orën 16:30. Të dielën, Vllaznia mat forcat me AF Elbasanin dhe Dinamo City pret në “Elbasan Arena” Flamurtarin. Kjo javë rezervon një tjetër derbi për Tiranën, atë me Partizanin, që do ta luajë në stadiumin “Air Albania” të dielën e 15 shkurtit, në orën 19:30.

Java e 23-të

6 shkurt (e premte)

Vllaznia – Vora, ora 13:30 (Stadiumi “Vora”)

Bylis – Partizani, ora 13:30 (Stadiumi “Adush Muça”)

Elbasani – Teuta, ora 16:30 (Stadiumi “Elbasan Arena”)

Flamurtari – Egnatia, ora 19:00 (Stadiumi “Flamurtari”)

7 shkurt (e shtunë)

Tirana – Dinamo, ora 13:30 (Stadiumi “Selman Stërmasi”)

Java e 24-t

14 shkurt (e shtunë)

Vora – Egnatia, ora 13:30 (Stadiumi “Vora”)

Teuta – Bylis, ora 16:30 (Stadiumi “Niko Dovana”)

15 shkurt (e diel)

Vllaznia – Elbasani, ora 16:30 (Stadiumi “Loro Boriçi”)

Dinamo – Flamurtari, ora 16:30 (Stadiumi “Elbasan Arena”)

Partizani – Tirana, ora 19:30 (Stadiumi “Air Albania”)

 

The post Kategoria Superiore, kalendari për dy javët e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 22-të e Superiores, Vllaznia e Elbasani luajnë në transfertë, Egnatia pret Tiranën

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Java e 22-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të zhvillohet në fundjavë dhe pritet të ofrojë përballje interesante në luftën për objektivat sezonalë.

Të shtunën luhen tri ndeshje. Takimi i parë është ai mes Vorës dhe Flamurtarit, që do të luhet në orën 13:30 në stadiumin “Vora”. Një sfidë e fortë mes dy skuadrave që synojnë tri pikët për të përmirësuar pozitat në renditje.

Në orën 16:30, në stadiumin “Arena e Demave”, Partizani do të përballet me AF Elbasanin. Një ndeshje e shumëpritur, ku të dyja skuadrat hyjnë në fushë me synimin për fitore. AF Elbasani ndodhet vetëm një pikë larg kreut të renditjes, ndërsa Partizani kërkon të reagojë pas humbjes së fundit ndaj Vllaznisë.

Ndeshja e fundit e ditës së shtunë do të luhet në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00, ku Dinamo City pret Bylisin. Pas dy humbjeve radhazi, blutë do të kërkojnë rikthimin te fitorja përpara tifozëve të tyre.

Dy takimet e fundit të javës së 22-të janë programuar të dielën në orën 16:30. Në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta do të përballet me Vllazninë, skuadër që po kalon një moment shumë të mirë dhe kryeson kampionatin. Nga ana tjetër, durrsakët ndodhen në një periudhë jo pozitive, pasi në tetë ndeshjet e fundit nuk kanë arritur asnjë fitore.

Në “Egnatia Arena”, kampionët në fuqi të Egnatias do të presin Tiranën. Rrogozhinasit në tre ndeshjet e fundit kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje dhe do të synojnë rikthimin te fitorja në shtëpi. Ndërkohë, Tirana vjen nga një formë pozitive, me 7 pikë të grumbulluara në tre ndeshjet e fundit dhe synon një tjetër rezultat pozitiv për t’iu afruar Flamurtarit dhe Bylisit në renditje.

Abissnet Superiore, java  e 22-të
FK Vora – Flamurtari 31.01.2026 13:30
Partizani – AF Elbasani 31.01.2026 16:30
Dinamo City – Bylis 31.01.2026 19:00
Teuta – Vllaznia 01.02.2026 16:30
Egnatia – Tirana 01.02.2026 16:30

The post Java e 22-të e Superiores, Vllaznia e Elbasani luajnë në transfertë, Egnatia pret Tiranën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vranësira paraditen e së dielës dhe reshje shiu e bore në mbrëmje

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale afatshkurtra me diell kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore prej orëve të paradites deri në orët e pasdites vonë.

Pas orëve të pasdites dhe kryesisht orët e vona të mbrëmjes mot me vranësira të dendura të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit. Në orët e vona të mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit të ditës së hënë reshjet hera-herës dhe në periudha afatshkurtra me intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në zonën e Alpeve, verilindje–lindje në lartësitë mbi 700-800 metra dhe juglindje në lartësitë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 12 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore do të fitojë shpejtësi deri në 24 m/s, shoqëruar me valëzimin në det të forcës 4-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 7/13 Diell re shi
Kukës 2/10 Diell re shi/borë
Lezhë 7/15 Diell re shi
Dibër 3/10 Diell re shi/borë
Durrës 9/18 Diell re shi
Tiranë 11/18 Diell re shi
Elbasan 9/19 Diell re shi
Berat 7/19 Diell re shi
Vlorë 10/19 Diell re shi
Korçë -1/10 Diell re shi/borë
Gjirokastër 4/15 Diell re shi
Sarandë 10/18 Diell re shi

 

The post Vranësira paraditen e së dielës dhe reshje shiu e bore në mbrëmje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia fiton ndaj Partizanit dhe merr kreun së bashku me Egnatian

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Vllaznia fitoi sot 1-0 supersfidën me Partizanin dhe kap kreun e renditjes duke iu bashkuar Egnatias.

Në ndeshjen e luajtur në “Loro Boriçi” ishte goli i Kastratit në minutën e 32-të të takimit që vendosi fatin e kësaj ndeshjeje shumë të dyluftuar deri në fund.

Me këtë fitore Vllaznia merr kreun e renditjes me 39 pikë, po aq sa ka edhe Egnatia, e cila sot humbi dy pikë me vlerë në Ballsh ndaj Bylisit.

Të dielën luhen tri ndeshjet e tjera të vlefshme për Javën e 21-të të kategorisë Superiore. Në orën 13:30 luajnë Teuta-Vora dhe Tirana-Flamurtari dhe në 16:30 luhet kryendeshja e ditës AF Elbasani-Dinamo City.

The post Vllaznia fiton ndaj Partizanit dhe merr kreun së bashku me Egnatian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbyllet rinumërimi në 22 komuna të Kosovës

PRISHTINË, 24 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës bën të ditur sot se në Qendrën e Numërimit dhe Rinumërimit (QNR) janë rinumëruar deri më tani 1500 nga 2557 vendvotime, dhe kështu procesi përmbyllet plotësisht në 22 komuna.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen”, njofton KQZ.

Sipas KQZ-së, nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 24 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 58% apo 1500 nga 2557 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2557 të tilla, të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.

Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

/KosovaPress/

The post Përmbyllet rinumërimi në 22 komuna të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bylisi ndal kampionët e Egnatias

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Bylisi ka ndalur sot hapin e kampionëve në fuqi të Egnatias, në ndeshjen hapëse të Javës së 21-të të kategorisë Abissnet Superiore.

Në ndeshjen e zhvilluar në Ballsh, lojtarët e Mirel Josës arritën një barazim të vyer 2-2 përballë rrogozhinasve.

Jahaja kaloi miqtë në avantazh në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Me fillimin e pjesës së dytë vendasit arritën ta përmbysin rezultatin, në fillim me golin e Përgjonit në minutën e 50-të, e më pas Mustafa ktheu në gol penalltinë e dhënë në favor të vendasve në minutën e 57-të. Ishte Adjesa i cili në minutën e 70-të barazoi shifrat që do të qëndronin të pandryshuara deri në fundin e lojës.

Po sot në orën 16:30 në “Loro Boriçi” luhet takimi Vllaznia-Partizani.

Ndeshja tjetër e programuar për ditën e sotme, ajo mes Tiranës dhe Flamurtarit, është shtyrë në shenjë respekti dhe solidariteti pas ngjarjes tragjike që preku lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez.

Në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bëri me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë për nesër, në të njëjtën orë.

Po nesër, luhen edhe dy takime të tjera: Teuta-Vora (13:30) dhe AF Elbasani-Dinamo City (16:30).

The post Bylisi ndal kampionët e Egnatias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikostruktohet konvikti “Ymer Tola” në Elbasan, kushte dinjitoze për jetesë dhe studim

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i konviktit “Ymer Tola” në qytetin e Elbasanit, duke e transformuar në një mjedis modern dhe funksional, që garanton kushte dinjitoze për jetesë dhe studim për nxënësit e shkollave të mesme.

Objekti është rikonstruktuar nga themelet dhe tashmë përfshin 26 dhoma me kapacitet rreth 100 shtretër, të pajisura me kushte bashkëkohore.

Kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, gjatë inspektimit të ambienteve të rikonstruktuara të këtij konvikti, theksoi se ky investim i rëndësishëm, i kryer sipas standardeve të Bashkimit Europian, me dhoma për 2-3 fëmijë, me kuzhinë e ambiente leximi, u shërben nxënësve të arsimit profesional dhe nxënësve të shkollave të mesme që ndjekin mësimet në Elbasan, veçanërisht atyre që vijnë nga zonat e largëta dhe rurale.

Konvikti ndodhet në hapësirën e shkollës së mesme të bashkuar “Luigj Gurakuqi”.

Bashkia Elbasan shprehet se do të vijojë të mbështesë të rinjtë, veçanërisht ata nga zonat rurale që zgjedhin arsimin profesional, duke garantuar mbështetje konkrete për akomodimin dhe kushte të përshtatshme jetese gjatë ndjekjes së shkollës.

The post Rikostruktohet konvikti “Ymer Tola” në Elbasan, kushte dinjitoze për jetesë dhe studim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët dhe rënie e temperaturave

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa priten vranësira të pakta deri mesatare kryesisht në lindje e jug të vendit.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-lindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare në veri dhe zonat luginore era do të fitojë shpejtësi deri në 16 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 2-3 ballë.

1 nga 2

The post Mot i kthjellët dhe rënie e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia barazon me Elbasanin, Flamurtari i merr tri pikë mbijetese Bylisit

TIRANË, 18 janar /ATSH/ U luajtën sot dy ndeshjet e para të Javës së 20-të të Superligës. Kryendeshja mes udhëheqësve të klasifikimit deri sot, ajo mes Egnatias dhe AF Elbasanit përfundoi me rezultatin 2-2.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, elbasanasit shënuan në fillim me Loukilin në minutën e 35-të, ndërsa Lajthia në pjesën e dytë (50’) dyfishoi rezultatin.

Ekipi vendas reagon dhe gjen golin e parë me Fernandon me penallti (63′) dhe më pas golin e barazimit po me penallti me të njëjtin autor.

Me këtë barazim Egnatian vazhdon në krye të Superiores me 38 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 35 pikë.

Në takimin tjetër Flamurtari fitoi përballë Bylisit me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Urbaez 29’, Herald Marku 49’, me një supergol dhe Maksuti në minutën e 64-t.

Me këtë fitore Flamurtari barazohet me pikë me Bylisin, nga 18.

Të hënën (nesër) luhen tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të: Në orën 13:30, Vora pret Tiranën. Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Java e 20-të do të mbyllet me sfidën e “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30.

The post Egnatia barazon me Elbasanin, Flamurtari i merr tri pikë mbijetese Bylisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi i pandalshëm, tjetër gol vendimtar për Trabzonspor

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Sulmuesi kuqezi Ernest Muçi është i pandalshëm në kampionatin turk, duke shënuar një tjetër gol vendimtar për Trabzonsporin, me vlerën e tri pikëve.

Në ndeshjen e radhës në kampionat në transfertën ndaj Kocaelispor, megjithë masat e marra për të shmangur një gol prej tij, skuadra vendase dështoi në limit të ndeshjes. Trajneri vendas kishte premtuar se do bënte maksimumin që ekipi i tij ta ndalte Muçin. Por sulmuesi gjeti rrjetën në shtesën e takimit (91′) pas një gjuajtjeje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë, për t’i dhënë suksesin 2-1 ekipit të tij.

Një gol që shërben për të treguar se çfarë forme të shkëlqyer po kalon, pas një serie mbresëlënëse në 10 ndeshjet e fundit që e bëjnë këtë pa dyshim momentin më të mirë të karrierës së tij.

Në 10 ndeshjet e fundit zyrtare të Muçit, mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës në Turqi, ai ka koleksionuar plot 10 gola e 2 asiste. Janë 8 gola në kampionat dhe një asist në këtë turne, ndërsa 2 gola dhe një asist janë edhe në Kupën e Turqisë.

Shifra mbresëlënëse në një periudhë kohe thuajse dymujore që do t’i kishte zili cilido sulmues, gjë që e kanë bërë Muçin aktualisht si një nga protagonistët kryesorë të futbollit në Turqi.

The post Ernest Muçi i pandalshëm, tjetër gol vendimtar për Trabzonspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon gati gjysma e rinumërimit në Kosovë, rritet numri i fletëvotimeve me gabime

PRISHTINË, 18 janar /ATSH/ Në Kosovë vijon procesi e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 18 dhjetorit 2025. Ky proces tashmë ka përfunduar në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit.

Ky rinumërim i një të tretës së vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nisi më 13 janar, pasi u vërejtën dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tani janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë kryeson dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.

Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit. /REL/

The post Përfundon gati gjysma e rinumërimit në Kosovë, rritet numri i fletëvotimeve me gabime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferenca e Paqes e Parisit dhe çështja e kufijve të Shqipërisë

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Në epilog të Luftës I Botërore fuqitë fituese u bashkuan në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, më 18 janar 1919.

Konferenca kishte si qëllim kryesor riorganizimin gjeopolitik pas Luftës së Parë Botërore. Nën drejtimin e fuqive si Britania e Madhe, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia, ky forum shqyrtoi edhe statusin e Shqipërisë. Në atë kohë, Shqipëria gjendej në një pozicion delikat sovraniteti dhe nën pretendimet territoriale të shteteve fqinje.

Delegacioni shqiptar, përbëhej nga kreu i Qeverisë së Durrësit Turhan Pasha, e në të bënin pjesë personalitete, si Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi etj.

Gjithashtu merrte pjesë edhe e vetmja veprimtare grua me të drejta të plota në konferencë, Parashqevi Qiriazi, si edhe përfaqësues nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut.

Delegacioni shqiptar mbrojti platformën për njohjen e pavarësisë brenda kufijve të vitit 1913. Përmes memorandumeve zyrtare, ata argumentuan se caktimi i kufijve duhej të bazohej në parimin e vetëvendosjes së popujve (promovuar nga presidenti amerikan Wilson), duke përfshirë në shtetin shqiptar edhe Kosovën e Çamërinë. Megjithatë, marrëveshjet sekrete të luftës (si Traktati i Londrës i vitit 1915) dhe interesat e Fuqive të Mëdha krijuan pengesa serioze për njohjen e kërkesave shqiptare.

Ky proces u konkretizua me Kongresin e Lushnjës (janar 1920), i cili shënoi marrjen e iniciativës sovrane për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe legjitimimin e pavarësisë kombëtare.

Konferenca e Paqes e Parisit (18 janar 1919 – 21 janar 1920) pati si qëllim kryesor vendosjen e një rendi të ri botëror për të parandaluar një konflikt të ri. Në konferencë mori pjesë edhe presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili shkelte për herë të parë në kontinentin e vjetër). Ai shpalosi një program me 14 pika, ku në qendër ishte parimi i vetëvendosjes së popujve.

Shqipëria doli pa një zgjidhje përfundimtare për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë. Kjo gjë diktoi nevojën për një riorganizim politik në vend, që do të rimerrej në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u pranua sovraniteti i Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913.

The post Konferenca e Paqes e Parisit dhe çështja e kufijve të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet sot dhe nesër me ndeshjet e Javës së 20-të.

Sot në orën 17:00 luhen dy takimet e para të kësaj jave. Në “Egnatia Arena”, Egnatia pret AF Elbasanin në një përballje spektakolare mes dy vendeve të para në renditje. Një sfidë me interes të veçantë, ku objektivi i të dyja ekipeve është fitorja. Egnatia synon të reagojë pas humbjes ndaj Vllaznisë dhe të rikthehet te suksesi në kampionat, ndërsa AF Elbasani vjen në këtë ndeshje pas tri javësh pa fitore dhe kërkon triumfin për të barazuar Egnatian në renditje.

Në të njëjtën orë, në Vlorë, Flamurtari do të përballet me Bylisin. Vlonjatët, që renditen në vendin e parafundit, do të kërkojnë rikthimin te fitorja në shtëpi për të siguruar pikë të rëndësishme në kampionat.

Tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të janë programuar të hënën. Në orën 13:30, Vora pret Tiranën në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë, pas sukseseve në javën e fundit.

Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Të kuqtë kërkojnë të reagojnë pas humbjes ndaj Vorës, ndërsa Teuta vjen pas barazimit me Dinamo City-n dhe synon të marrë rezultat pozitiv në transfertë.

Java e 20-të do të mbyllet me spektakël në “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30. Të dyja skuadrat kanë nga 33 pikë në renditje dhe ndodhen katër pikë larg Egnatias kryesuese, duke e bërë këtë përballje një tjetër ndeshje me peshë të madhe për vazhdimësinë e kampionatit.

Renditja pas Javës së 19-të e Superiores: Egnatia kryeson renditjen me 37 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 34 pikë. Dinamo City dhe Vllaznia ndjekin me nga 33 pikë secila. Teuta ka 26 pikë, Partizani 23, Vora 22, Bylisi 18, Flamurtari 15, Tirana 13.

The post Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Katër fitore në kampionat dhe Superkupa, Ilir Daja zgjidhet trajneri i muajit dhjetor

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Trajneri i Dinamo City-t Ilir Daja është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit dhjetor 2025.

Drejtoria Teknike e FShF-së ka përzgjedhur teknikun e Dinamo City, Ilir Daja si trajnerin më të mirë të muajit dhjetor, pas katër fitoreve të shënuara në kampionat si dhe pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë.

Gjatë këtij muaji, trajneri kryeqytetas regjistroi rezultate të shkëlqyera me Dinamo City, duke arritur katër fitore të rëndësishme në kampionat: ndaj Tiranës, Flamurtarit, Vorës dhe Partizanit. Sukseset kulmuan me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, në finalen ndaj Egnatias.

Për Ilir Dajën, kjo është hera e dytë që fiton këtë çmim, pasi më parë ishte shpallur trajneri më i mirë i muajit tetor nga Drejtoria Teknike e FShF-së.

Trofeu iu dorëzua trajnerit Daja nga trajneri i Kombëtares U-17, Fatjon Tafaj, para ndeshjes Teuta-Dinamo City. Ky çmim vjen si vlerësim për përkushtimin dhe rezultatet e arritura, duke reflektuar punën e tij të vazhdueshme në zhvillimin e skuadrës.

The post Katër fitore në kampionat dhe Superkupa, Ilir Daja zgjidhet trajneri i muajit dhjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌