Partia në pushtet OBRM-PDUKM e cilëson si dështim kongresin e LSDM-së.
Ata e pyesin Filipçen pse në kongres nuk dha llogari për atë se pse partia është bërë partia e tretë në Maqedoni dhe e pesta në Shkup.
"Pyesim Filipçen pse nuk u distancua nga krimet e klanit DUBAI ku pjesë përbërëse është edhe vet ai. Pyesim Filipçen pse LSDM i shërbente Bullgarisë dhe Greqisë dhe e imponoi marrëveshjen franceze. Pyesim dhe pse u bënë çirak të BDI-së në krim dhe nuk u distancuan nga Artan Grubi dhe krimet e tij në Lotari. Pyesim pse nuk u distancuan as nga Vasko Kovaçevski i cili ndodhet në arrati pasi dëmtoi buxhetin për 6,5 milion euro në rastin “Aditivi”, thuhet në komunikatën e OBRM-PDUKM-së.
Nga OBRM-PDUKM thonë se për ta nuk ka zgjidhje më të mirë se Filipçe në krye të LSDM-së .
Iniciativa qytetare “Support Koçani” ka mbledhur 22.742.997 denarë nga donacionet, për të cilat shteti ka arkëtuar tatim personal në vlerë totale prej 2.274.285 denarë.
Nga iniciativa njoftuan se kanë realizuar shpërndarjen e tretë dhe të fundit të donacioneve për të prekurit nga zjarri në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan.
Shpërndarja e tretë përfshin donacione nga Eparkia e Kishës Ortodokse Maqedonase për Evropë, e cila ka dhuruar 3.153.204 denarë.
“Me qëllim që të kontribuohet kudo, por të ndihmohet aty ku është më së shumti e nevojshme, ata vendosën që 123 persona të marrin nga 15.968 denarë, ndërsa 19 persona të marrin nga 45.992 denarë. Me këtë rast duhet të falënderojmë Bankën NLB, e cila pati mirësinë të na lirojë nga provizioni, ndërsa duhet të theksojmë se tatimi për këtë donacion arrin në 315.292 denarë. Tatimi i përgjithshëm i marrë nga shteti për të tri shpërndarjet nga llogaria e përbashkët arrin në 2.274.285 denarë. Ju falënderojmë të gjithëve për humanizmin dhe për të gjitha donacionet”, njoftuan nga iniciativa.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se projektligji i ri për mbrojtje nga duhani parasheh masa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë. Sipas tij, mesazhi që po e dërgojmë është se sistemi u ndihmon duhanpirësve të heqin dorë nga duhani, pa u stigmatizuar.
Ai sqaroi se parashihen obligime ligjore për zbatimin e programeve parandaluese për lënien e duhanit, këshillime dhe edukime, si dhe mbështetje e gjithanshme gjatë procesit të largimit nga kjo varësi.
“Varësia nga nikotina paraqet problem mjekësor dhe të shëndetit publik. Është e dëshmuar se parandalimi është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm se trajtimi, prandaj qëllimi kryesor i këtij ligji nuk është ndëshkimi, por parandalimi i pasojave të dëmshme nga duhanpirja”, deklaroi Aliu.
Njëkohësisht, në kuadër të dispozitave ligjore janë përcaktuar qartë inspektoratet përgjegjëse, sanksionet për mosrespektim, si dhe roli i autoriteteve lokale në zbatimin e ligjit.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov deklaroi se në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk kanë mbërritur nominime për formimin e grupit punues për Kodin Zgjedhor.
“Janë dërguar dy letra në Kuvend. Njëra është e datës 31 dhjetor të vitit 2025, ndërsa tjetra më 20 janar. Presim që Kuvendi t’i përgjigjet letrës sonë me të cilën kërkojmë nominimin e dy përfaqësuesve të secilës prej partive parlamentare dhe deputetëve të pavarur, pas së cilës do të formojmë një grup pune që do të vazhdojë me përgatitjen e Kodit Zgjedhor”, theksoi Fillkov.
Kodi Zgjedhor, theksoi ai, është një zgjidhje ligjore që ka pësuar rreth 40 ndryshime që nga miratimi i tij, përfshirë edhe këto zgjedhje, të cilat, për shkak të qasjes së tyre të pjesshme, krijojnë mospërputhje në të gjithë ligjin.
“Për miratimin e tij kërkohet konsensus politik nga të gjitha partitë”, shtoi Fillkov.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha sot në Kongresin e partisë se të tjerët e shohin Maqedoninë si pre, si territor për të sunduar, teksa ne e shohim si shtëpi.
“Ne ofrojmë diçka tjetër, nivel, ndryshe. Duhet të ofrojmë strehim nga kjo çmenduri. Platforma dhe programi ynë është një marrëveshje me çdo qytetar. Ne ofrojmë një ekonomi dinjitoze, patriotizëm ekonomik, një model ekonomik në të cilin figura qendrore është personi dhe nevojat e tij. Një strategji ekonomike që përqendrohet në atë se si paratë që paguani në buxhet mund t’ju kthehen përsëri, përmes pagave më të larta, arsimit më të mirë, kujdesit shëndetësor më të mirë, pensioneve më të larta”, shtoi kryetari i LSDM-së.
Para të pranishmëve, Filipçe nënvizoi se LSDM-ja angazhohet jo vetëm për një pagë të thjeshtë të ulët, por edhe për një pagë dinjitoze për jetesë.
“Një sistem ku fitimi nuk është i ndaluar, por lakmia taksohet. Kthimi i parave te qytetarët – jo përmes masave të rreme, por përmes investimeve sistemike në çdo aspekt të të ardhurave dhe shërbimeve që ju si qytetarë i merrni nga shteti. Për të rinjtë – shtet qendër digjitale, jo një eksportues i punës së lirë ose mendjeve tona të reja krijuese. Nëse ata mund të punojnë për kompani të huaja, le të punojnë këtu. Le të punojnë nga shtëpia, por në kushte evropiane për të cilat ne do të garantojmë. Për pensionistët, një fund të lëmoshave para zgjedhjeve, një rritje të garantuar të pensioneve që ndjek inflacionin në mënyrë që ata të mos duhet të zgjedhin midis ilaçeve dhe ushqimit. Për punëtorët, ne do të jemi mburoja që do t’i mbrojë ata nga arbitrariteti i shefave që mbron kjo qeveri aktuale. Ne kemi nevojë për një shtet social më shumë se kurrë dhe vetëm LSDM mund ta sigurojë një shtet të tillë”, tha Filipçe.
Pjesa e hapur e Kongresit të LSDM ka përunduar, tani vijon pjesa që është e mbyllur për publikun.
Nga e hëna është paralajmëruar ndërprerje e trafikut të mallrave në pikat kufitare.
Ministria e Punëve të Brendshme do të sigurojë qarkullim të pandërprerë për automjetet e udhëtarëve dhe autobusët.
Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Punë Kufitare dhe Migracion informon opinionin publik se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dorëzuar një njoftim për mbajtjen e një proteste publike nga shoqata “Makam-trans”, e cila është paralajmëruar të fillojë më 26.01.2026 në ora 12:00.
Sipas njoftimit të dorëzuar, protesta është planifikuar të zhvillohet në pikat kufitare në vijim: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë dhe Bllatë.
Protesta do të manifestohet me kufizimin e qarkullimit për automjetet motorike të mallrave, përkatësisht me mbylljen e korsive rrugore dhe terminaleve të dedikuara për trafikun e mallrave, ndërsa trafiku i udhëtarëve do të zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat kufitare.
Sipas njoftimit të organizatorit, protesta është paraparë të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi që të ndërpritet edhe më herët, nëse ndërkohë tejkalohen arsyet për të cilat është organizuar.
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, ndonjëherë në rrugë me lagështi, njoftojnë shërbimet kompetente.
Të gjitha rrugët shtetërore janë të kalueshme dhe të sigurta për trafik, ndërsa ekipet e NP "Rruga e Maqedonisë" janë pajisur plotësisht dhe janë vazhdimisht në terren, ku pastrohet bora dhe kryhet mirëmbajtja e rrugëve.
Në koordinim me NP për Rrugët Shtetërore dhe Ministrinë e Transportit, po kryhen aktivitete të koordinuara me qëllim sigurimin e trafikut të pandërprerë dhe të sigurt në periudhën e ardhshme.
Autoritetet u bëjnë apel shoferëve të ngasin me kujdes dhe ndërgjegje, të përdorin pajisjet dimërore, të respektojnë sinjalistikën e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
Vëmendje e veçantë rekomandohet për shkak të dukshmërisë së zvogëluar në disa rrugë.
Gjendja më kritike është rruga Tetovë - Kodra e Diellit, ku dukshmëria është e reduktuar në vetëm 30 deri në 40 metra për shkak të mjegullës. Dukshmëria është zvogëluar nga 50 në 100 metra në rrugën Dellçevë - Pehçevë, nga 100 në 150 metra në rrugën Kumanovë - Kriva Pallankë, si dhe në qafat malore Gjavato dhe Presekë, ndërsa në qafën e Pletvarit është deri në 50 metra.
Institucionet kompetente rekomandojnë që shoferët të kontrollojnë rregullisht gjendjen e rrugëve përmes qendrave zyrtare të informacionit, me qëllim që të planifikojnë udhëtimet e tyre në kohë dhe në mënyrë të sigurt.
Ministria e Punëve të Brendshme i ka njoftuar qytetarët se në kuadër të projektit „Qyteti i Sigurt“, nesër, më 25 janar, do të zbatohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje të komunikacionit në zonën e qyteteve të Kumanovës dhe Tetovës, informon Telegrafi Maqedoni.
Siç thuhet në njoftim aktivitetet do të realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura do të kryhet një herë dhe do të zgjasë pak, përafërsisht nga 15 deri në 30 minuta.
Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, komunikacioni përkohësisht nuk do të lejohet derisa zgjat procedura, pas së cilës do të vazhdojë të zhvillohet normalisht.U bëjmë thirrje qytetarëve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të papenguar dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kujtojmë se zbatimi aktiv i sistemit "Qyteti i Sigurt" do të fillojë prej më 1 shkurt, pasi dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ligji u miratua me 81 vota pro. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka bërë homazhe tek varri i Arbën Xhaferit, duke e kujtuar ish-liderin e partisë në ditëlindjen e 78-të, informon Telegrafi Maqedoni.
Thaçi tha se Xhaferi ka lënë gjurmë të pashlyeshm në politikën në Maqedoni dhe më gjërë dhe se politika e tij është udhërrëfyes se nga duhet të ecin shqiptarët.
Thaçi poashtu komentoi dhe ftesën e Ali Ahmetit për bashkimin e partive shqiptare në Aleancën Kombëtare për Integrim.
“Jam i shokuar me prostitucionin politik të Ali Ahmetit, ai po i laritet Hristijan Mickoskit që ta merr në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tashmë edhe me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti e që e ka emrin Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika”, tha Thaçi.
Ai deklaroi se shpresë për BDI-në më nuk ka, pavarësisht dëshirës së Ali Ahmetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
‘Nuk ka zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë, ai mendon që do të këtë shpresë për BDI-në por më shpresë nuk ka”, deklaroi Thaçi. /Telegrafi/
Lidhja Social Demokratike sot do ta mbajë Kongresin e 31-të në Shkup në hotelin Aleksandar Pallas.
Sipas informacioneve nga LSDM-ja, Kongresi do të ketë një pjesë të hapur dhe një pjesë pune.
Në fillim, do të ketë një pjesë të hapur të Kongresit, pas së cilës do të pasojë edhe fjalimi i kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe. Pas kësaj do të vijojë një pjesë pune e Kongresit.
Kujtojmë se ditë më parë Filipçe theksoi se kritikat aktuale ndaj tij dhe partisë vijnë nga, siç tha ai, “individë që janë shantazhuar ose blerë”, duke shtuar se anëtarët dhe mbështetësit e vërtetë të LSDM-së i njohin këto përpjekje për të dobësuar opozitën. Ai tha se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra sepse, siç theksoi, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për “shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane”.
Filipçe theksoi se LSDM mbetet një parti plotësisht e bashkuar, me një grup parlamentar të sinkronizuar dhe kompakt dhe se procesi i konsolidimit të brendshëm në organizatat komunale është duke vijuar. Nga ana tjetër, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, i bëri thirrje Filipçes që të japë dorëheqje, ndërsa me kritikë të hapur doli edhe Jovan Despotovski, duke vlerësuar se udhëheqësia aktuale e LSDM është e vetmja përgjegjëse për pakënaqësinë midis anëtarëve të partisë.
Me një temperaturë prej minus 4 gradë Celsius, Berova ishte vendi më i ftohtë në vend.
Pas saj vjen Kodra e Diellit dhe Kriva Pallanka, ku u matën minus 3 dhe minus 2 gradë.
Temperatura nën zero u regjistruan edhe në Pozharane dhe Tetovë me minus 2, ndërsa minus 1 gradë u mat në Shkup-Petrovec, Topolçani dhe Mavrovë.
Një temperaturë prej 0 gradësh u mat në Veles, Demir Kapi, Manastir, Pretor, Shkup-Zajçev Rid, Kavadar dhe Prilep. Një gradë mbi zero u regjistrua në Krushevë, Shtip, Ohër dhe Vinicë, ndërsa 2 gradë u matën në Kumanovë dhe Gjevgjeli.
Më e ngrohta këtë mëngjes ishte në Strumicë me 3 gradë Celsius.
Sipas të dhënave nga Administrata Hidrometeorologjike, mbulesa më e lartë e borës prej 30 centimetrash u mat në Kodrën e Diellit.
Në Mavrovë mbulesa e borës është 11 centimetra, dhe në Krushevë, 4 centimetra.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka theksuar se vendimi për aktivizimin e sistemit "Safe City" është një vendim që mbron drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Votimi i i Ligjit për Kundërvajtje është një konfirmim i qartë se kur ka guxim politik dhe përgjegjësi, mund të merren vendime që mbrojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Mirënjohje e sinqertë për të gjithë deputetët që mbështetën ligjin dhe treguan se siguria në trafik, mbrojtja e jetës njerëzore dhe interesi publik janë më të rëndësishme se politika ditore. Me këtë vendim, Parlamenti dërgoi një mesazh të fortë se shteti më në fund po ndërmerr hapa sistematikë kundër kaosit në trafik dhe humbjes së pakuptimtë të jetëve njerëzore”, tha Toshkovski.
Toshkovski falemnderoi qytetarët, duke theksuar se në periudhën e testimit kanë treguar rezultate ndërgjegjësuese.
“Falënderime të veçanta për qytetarët. Gjatë periudhës së testimit, ata treguan se dinë, munden dhe duan të jenë pjesë e zgjidhjes. Duke ndryshuar sjelljen e tyre në trafik, duke respektuar rregullat dhe duke rritur ndërgjegjësimin, qytetarët kontribuan drejtpërdrejt në një siguri më të madhe dhe në uljen e aksidenteve rrugore, lëndimeve dhe viktimave. “Qyteti i sigurt” nuk është një sistem për ndëshkim, por një sistem për shpëtimin e jetëve, ndërsa pikërisht qytetarët janë ata që e kuptuan të parët këtë”, theksoi Toshkovski.
Kujtojmë se dje me 81 vota “për” dhe 19 “kundër” dhe pa të përmbajtur Kuvendi e votoi Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar. Me këtë hapet rruga që nga 1 shkurti të fillojë sistemi për regjistrim automatik dhe sanksionim të kundërvajtjeve.
Sot në RMV kemi mot pjesërisht me vranësira në mëngjes dhe me mjegull në disa lugina.
Gjatë natës do të ketë reshje lokale shiu, dhe në male borë. Do të fryjë erë e dobët, dhe përgjatë lumit Vardar erë mesatare nga juglindja.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin -4 deri në 1, dhe maksimale do të arrijë 6 deri në 12 gradë.
Në Shkup, pjesërisht me vranësira në mëngjes me mjegull, pasdite me periudha me diell. Temperatura minimale do të bjerë në -1, dhe maksimale do të arrijë 7 gradë.
Të dielën, moti do të jetë pjesërisht me vranësira me reshje lokale të rastit, dhe në male me borë.
Reshje më të dendura do të ketë të hënën, kur në disa nga vendet më të larta do të shndërrohen në borë. Një stabilizim i përkohshëm i motit pritet të martën, dhe nga e mërkura do të ketë përsëri reshje të reja shiu, dhe në male me borë.
Në kuadër të Takimit të dytë të Platformës Ballkanike për Paqe, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, së bashku me ministrat e punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse, u takuan sot në Stamboll me presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në takim u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Turqisë me vendet e rajonit, si dhe mbi çështje më të gjera rajonale me interes të ndërsjellë.
“Në një kohë kur bota dhe rajoni po përballen me sfida serioze, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis anëtarëve të Platformës Ballkanike për Paqe”, thuhet në komunikatë.
Në takim u vlerësua bashkërisht se Ballkani duhet të ecë përpara me një qasje që merr parasysh mësimet e së kaluarës, por që synon qartë stabilitetin, bashkëpunimin dhe një të ardhme të përbashkët.
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë me lagështi në vende të caktuara.
Dukshmëria për shkak të mjegullës është zvogëluar në 100 metra në rrugën Tetovë – Shkup, nga 30 në 40 metra në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit dhe deri në 50 metra në qafat malore Bukovë dhe Gjavatë, njoftoi NP Rrugët e Maqedonisë.
Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme. Në rrugë të caktuara që kalojnë nëpër prerje dhe gryka, janë të mundshme rrëshqitje të vogla dheu.
NP Rrugët e Maqedonisë bën thirrje për drejtim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut, si dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri ka komentuar zbatimin e sistemit "Safe City", me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të evidentohen përmes kamerave të sigurisë dhe do të gjobiten.
Shaqiri deklaroi se këtë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese, sepse i njejti diskriminon qytetarët e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.
"Ky ligj do të zbatohet vetëm për qytetarët në tre komunat si Shkupi, Tetova dhe Kumanova. Po ju bëhet e padrejtë qytetarëve që janë në këto qytete. Do ta kontestojmë këtë ligj deri në Gjykatën Kushtetuese", deklaroi Shaqiri.
Kujtojmë se ligji për vendosjen në funksion të sistemit Safe City u votua sot me 81 vota pro. /Telegrafi/
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro.
Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë.
“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat.
“Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.
Ai tha se vitin e kaluar nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë, sipas tij, politika të tilla bëjnë që personeli i kualifikuar të largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.
Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.
"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.
Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.
"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.
Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.
Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/
Deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska ka akuzuar sot se kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar të bëhet pjesë e qeverisë pa kryetar parlamenti dhe me më pak ministri se partneri aktual shqiptar në qeveri, informon Telegrafi Maqedoni.
Ajo ka shtuar se OBRM-PDUKM ishte e vendosur që BDI-në ta dërgojë në opozitë, ndaj edhe ashtu ndodhi.
"Ali Ahmeti thotë se është pajtuar me Presidentin Mickoski një vit më parë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, por nuk po e thotë të vërtetën për takimin në zyrën time, ku i ofroi të bashkohej me Qeverinë, pa kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe duke pranuar një vend ministror më pak se sa kërkonte Vlen, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Por ne mbetëm të palëkundur në atë që ishte një mesazh nga populli - se BDI duhet të kalojë në opozitë. Herën tjetër, para se të thotë gënjeshtra, le ta mendojë me kujdes dhe të jetë i përgatitur që ne do ta themi të vërtetën", u shpreh Stojanoska.
Ndaj kësaj deklarate reaguan nga BDI, duke thënë se Ali Ahmeti nuk ka pasur as takime e as pazare për tu bërë pjesë e Qeverisë.
"Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën", deklaruan nga BDI.
Kritikat dhe akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës filluan sot pasi me shumicë prej 81 votash u miratua aktivizimi i sistemit "Safe City", që do të gjobisë shkelësit e rregullave në komunikacion nga data 1 shkurt.
Për këtë ligj pati reagime të ashpra nga opozita shqiptare, duke e cilësuar ligjin si harxhime shtesë për qytetarët dhe sistemin si antikushtetues dhe diskriminues, pasi i njejti momentalisht do të zbatohet vetëm në tre qytete dhe jo në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/
Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës tashmë do të funksionojë si pjesë përbërëse e Bashkimit Demokratik për Integrim, informon Telegrafi Maqedoni.
Kështu informuan nga BDI duke dhënë detaje nga takimi i kryetarit të partisë, Ali Ahmeti me Arjanit Hoxhën.
"Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar mes Kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane, z. Arjanit Hoxha.Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik, me theks të veçantë në nevojën për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët që garanton stabilitet, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit.Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga BDI njoftojnë se zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke shtuar se të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe i unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/