Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Çmenduri, Albacete i pushoi shtatë lojtarë të formacionit të parë dhe e eliminoi Real Madridin nga Kupa e Mbretit



Albacete ishte të mërkurën mbrëma në vëmendjen e të gjithëve, kur arriti ta eliminojë Real Madridin në 1/8 e finales në kuadër të Kupës së Mbretit.

Skuadra që garon në divizionin e dytë fitoi me rezultat 3-2, duke e shënuar golin e fitores në minutën e fundit përmes Betancor (90+5’).

Sidoqoftë, ajo që e ka bërë edhe me të çmendur këtë fitore është fakti që vendasit kishin pushuar shtatë nga lojtarët e formacionit të parë sepse nuk besonin se mund ta eliminonin 15 herë kampionin e Evropës.

Albacete i kishte larguar nga formacioni lojtarët si Marino, Vallejo e Gomez, të cilët janë të padiskutueshëm në 11-she pasi iu janë dashur për divizionin e dytë, ku po luftojnë për mbijetesë.

Fitorja e Albacete vlerësohet si më e madhja në historinë e klubit, e më e bukura tani që llogaritet se ka qenë ekipi “B”. Përndryshe, skuadra e divizionit të dytë një xhiro më parë kishte eliminuar Celta Vigon.

Ndërkohë, Real Madridi vazhdon krizën e madhe pavarësisht ardhjes së Arbeloas në krye. “Los Blancos” tashmë kanë nisur punën për një trajner të ri, i cili do ta marrë drejtimin e klubit madrilen në verë./Telegrafi/

Shkëlqen Adrien Rabiot, AC Milan fiton me përmbysje ndaj Comos



AC Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Comos, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar me shifrat 1-3, në një ndeshje ku Adrien Rabiot ishte figura kryesore.

Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të, kur Marc Oliver Kempf u shkëput më lart se mbrojtja pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë realizoi për 1-0.

Como vazhdoi të rrezikojë, por në minutën e 41-të Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje vendimtare ndaj një goditjeje nga afërsia të Lucas Da Cunha.

Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 44-të, kur Kempf shkaktoi penallti. Christopher Nkunku u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën 45+1, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të përmbysi rezultatin. Adrien Rabiot përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-2.

Francezi e vulosi fitoren në minutën e 88-të me një supergol nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 1-3.

Milani me këtë fitore zë pozitën e dytë me 43 pikë, derisa Como zë vendin e gjashtë me 34 sosh./Telegrafi

Luis Enrique u bën thirrje lojtarëve të PSG-së ta shfrytëzojnë eliminimin befasues nga Kupa e Francës si motivim për vazhdimin e sezonit



Luis Enrique shpreson që eliminimi i hershëm dhe befasues i Paris Saint-Germain nga Kupa e Francës të shërbejë si motivim për skuadrën e tij në vazhdim të sezonit.

Jonathan Ikone shënoi golin e vetëm të ndeshjes, teksa Paris FC triumfoi 1-0 në “Parkun e Princave”, duke bërë që PSG të eliminohej para fazës së 1/8 së finales vetëm për herë të dytë në 20 vitet e fundit.

Para përballjes me skuadrën që mban vendin e katërt, Luis Enrique u bëri thirrje lojtarëve të tij që të japin një reagim të fortë, për të rikonfirmuar ambicien për të konkurruar në të gjitha frontet këtë sezon.

“Pas një humbjeje, të gjithë duan të rikthehen menjëherë. Ne e analizuam ndeshjen”.

“E dimë se bëmë gjithçka për të fituar kundër Paris FC, por ndonjëherë përballesh me një portier që ndalon gjithçka. Kështu është futbolli, por duhet të vazhdosh përpara”.

“Të premten luajmë kundër një prej skuadrave më të mira të kampionatit dhe është detyra jonë t’i japim ndeshjes të gjithë përbërësit e nevojshëm”.

“Është e rëndësishme të dimë se e merituam fitoren. Qartë. E humbëm ndeshjen, e pranojmë rezultatin dhe i uruam Paris FC fat për vazhdimin e kompeticionit”.

“Por shpresoj që kjo të na shërbejë si motivim për të dhënë edhe më shumë në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve”.

Lille, megjithatë, do të jetë një provë shumë e fortë për PSG-në. Skuadra e drejtuar nga Bruno Genesio ka fituar shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Ligue 1 dhe synon rikthimin në Ligën e Kampionëve.

Takimi i fundit mes dy ekipeve në kampionat u zhvillua në tetor, kur Ethan Mbappe, vëllai i ish-yllit të PSG-së, Kylian Mbappe, shënoi golin e barazimit në minutën e 85-të për rezultatin 1-1.

“Kur e analizuam Lille, pamë se ata bëjnë shumë gjëra mirë, si me topin ashtu edhe pa të. Ka shumë cilësi në ekipin e tyre”.

“Do të luajmë në shtëpi dhe do të jetë një test i mirë për të parë se si do të reagojmë pas humbjes. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë”.

“Po luajmë kundër një skuadre të madhe pas një humbjeje dhe e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, gjithmonë ka qenë e tillë sa herë jemi përballur me ta”.

“Duam të fitojmë për të vazhduar përpara në kampionat”./Telegrafi

Vedat Muriqi: Nuk kam asnjë dyshim se RCD Mallorca do të qëndrojë në La Liga



Ka qenë java më e vështirë për RCD Mallorca dhe tifozët e saj, pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet ndaj Gironës dhe Rayos. Të dielën pati edhe përplasje verbale me tifozët, ndërsa skuadra ndodhet shumë pranë zonës së rënies nga kategoria.

Në këtë situatë të tensionuar, sulmuesi Vedat Muriqi ka folur për radion “COPE”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt tifozëve të Mallorcas dhe duke bërë thirrje për bashkim.

“Nëse i prishim lidhjet me tifozët me edhe 19 ndeshje për t’u luajtur, atëherë kemi mbaruar”.

Muriqi theksoi se e kupton plotësisht frustrimin e tifozëve për paraqitjet e dobëta dhe kritikat se skuadra nuk po lufton mjaftueshëm. Ai është i bindur se gjërat do të ndryshojnë, edhe pse paradoksalisht 11 golat e tij rekord në gjysmën e parë të sezonit nuk kanë mjaftuar për ta përmirësuar pozitën e ekipit, diçka që e ka pranuar publikisht edhe trajneri Jagoba Arrasate.

Sulmuesi kosovar është i bindur se Mallorca do të ketë një gjysmë të dytë sezoni shumë më të mirë dhe kujton mbështetjen e tifozëve në momentet më të vështira, veçanërisht mbijetesën dramatike nën drejtimin e Javier Aguirres.

“Më kujtohet gjithmonë ai vit kur Granada na mposhti rëndë. Dola për darkë dhe disa tifozë më inkurajuan, duke më thënë se kishim edhe tri ndeshje dhe mund të shpëtonim. U habita shumë. Dua që tifozët të vazhdojnë të jenë kështu, sepse kjo na ndihmon të qëndrojmë në kategori. Nuk kam asnjë dyshim se kjo skuadër do të mbetet në elitë”.

Muriqi foli edhe për përvojën e tij me presionin e madh në Turqi.

“Kam luajtur edhe në Turqi, ku presioni është shumë më i madh dhe nuk ta falin asnjë gabim. Për shembull, te Fenerbahce duhet të jesh si robot. Është e pamundur”.

Debatet me tifozët të dielën, sipas tij, kanë qenë më konstruktive nga sa është raportuar. Edhe pse u përfol për një përplasje të ashpër mes disa tifozëve dhe Mojicas, Muriqi dhe disa bashkëlojtarë të tij patën biseda të qeta me pjesën tjetër të tifozëve.

“Disa prej nesh lojtarëve ishim aty, ashtu si Alfonso Diaz, duke biseduar me tifozët. Thirrëm edhe një drejtues për të qetësuar situatën. U thashë se askush në skuadër nuk dëshiron të humbasë pas vetëm pesë minutash lojë. Askush nuk dëshiron të jetë në këtë situatë. Na thanë se nuk po dukej pasioni. I kuptoj dhe jam dakord, sepse rezultatet nuk po na shkojnë mbarë. Është detyra jonë ta ndryshojmë këtë”.

“Nëse fillojmë të përçahemi me 19 ndeshje të mbetura, kemi mbaruar. Duhet të fillojmë të fitojmë dhe ta kthejmë situatën. Me shtatë pikë mund të jesh i dhjeti. Tifozët duhet të na mbështesin siç kanë bërë gjithmonë. E përsëris, nëse i shkatërrojmë të gjitha, nuk ka kuptim”.

Muriqi pranon se skuadra vuan nga mungesa e besimit dhe se duhet të krijohen më shumë raste.

“Ka pak mungesë besimi. Nëse shikon renditjen, të gjithë jemi shumë afër. Nuk po them se marrëdhënia me tifozët është prishur, por më parë nuk na fishkëllenin. Duhet të ndërtojmë më shumë lojë, ndonjëherë na mungon pasimi final. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë. U flas gjithmonë shokëve të skuadrës, e dinë që unë jam aty për çdo top në zonë dhe përpiqem t’i bind të fusin më shumë topa”.

Muriqi shprehu pakënaqësi edhe për gjykimin, veçanërisht për penalltinë e dhënë ndaj Valjentit në Vallecas dhe për faullet që i akordohen vazhdimisht kundër tij në duelet ajrore.

“Është diçka që as nuk dua ta mendoj, sepse më zemëron shumë. Më thonë që jam më i fortë dhe, për shkak se jam më i fortë, faulli qenka i imi? Shpeshherë më bëjnë faull dhe nuk fishkëllitet asgjë”.

Sa i përket lidershipit, sulmuesi i Mallorcas thekson se nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr ekipin.

“Gjithë jetën time, pas vdekjes së babait, kam qenë lider i familjes sime. Isha shtatë vjeç kur ai vdiq dhe fillova të punoja në moshën tetëvjeçare. Gjithmonë kam qenë lider. Në fushë kemi kapitenë si Rai dhe Martin, unë nuk kam nevojë për shiritin. Përpiqem të ndihmoj, të flas, të bërtas në fushë. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe shokët e skuadrës më respektojnë”./Telegrafi

Vendos çereku i fundit, Ylli e fiton dramën ndaj Prishtinës



Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në shtëpi ndaj KB Prishtinës, sfidë që u vendos në çerekun e fundit.

Skuadra suharekase triumfoi me rezultat 94-82 (26:14, 17:30, 23:22, 28:16).

Pas vetëm shtatë minutave lojë kishte ndërprerje, pasi “Plisat” hodhën gjësende në parket, duke fyer bordin e Prishtinës që vendosën ta bënin Bekë Berishën kryetar të klubit.

Policia pastaj ndërhyri duke i larguar nga palestra, ku pastaj vazhdoi ndeshja. Ylli e fitoi çerekun e parë me plot 12 pikë dallim, pra 26:14.

Prishtina u këndell në çerekun e dytë, ku e mbylli me 13 pikë epërsi (17:30), si dhe kompletuar përmbysjen në pjesën e parë 33:34.

Ylli e barazoi rezultatin në çerekun e tretë, duke e fituar çerekun me një pikë epërsi 23:33. Krejt në fund, suharekasit dominuan plotësisht me 12 pikë dallim (28:16).

Lis Soshi e Bamforth ishin më të dalluarit te Ylli me 20 pikë, ndërsa te Prishtina u dallua Burns me 29 sosh./Telegrafi/

Zyrtare: Lirim Kastrati bëhet me klub të ri, i bashkohet skuadrës hungareze



Mbrojtësi Lirim Kastrati pas një viti e gjysmë pa klub, i është bashkuar zyrtarisht skuadrës hungareze DVTK.

Pas largimit nga skuadra polake, Kastrati ka qenë agjent i lirë ndërsa ka vendosur të rikthehet në elitën e futbollit hungarez.

DVTK përmes një komunikate zyrtare e njoftoi afrimin e mbrojtësit të Kosovës, me këtë të fundit që deklaroi se është i lumtur dhe mezi pret të jep më të mirën në fanellën e kuqe.

“Jam i lumtur që jam këtu. Arrita me pritje të mëdha sepse e di që Diogyor është një ndër klubet me më traditë në futbollin hungarez”.

“Kam luajtur shpesh kundër DVTK dhe secila ndeshje ishte e vështirë, më kujtohet edhe atmosfera e shkëlqyer që ishte krijuar nga tifozët”.

“Pasi u largova nga Hungaria luajta në Poloni për një vit e gjysmë, ku mësova një kulturë të re. Në dhjetor nisa stërvitjet në Ujpest dhe u përgatita me skuadrën, luajta edhe në fazën parapërgatitore, prandaj arrita në kampin e dimrit me kushte plot 100 për qind, thuajse perfekte. Mezi pres të vesh fanellën e kuqe më të bardhë”, deklaroi ai.

Kastrati ka pasur shumë sukses në Hungari, ku edhe e fitoi Kupën në edicionin 2020/21./Telegrafi/

Juventusi synon të përfitojë edhe 20 milionë euro nga dy brazilianët e harruar



Afati kalimtar i janarit ka hyrë në fazën më intensive dhe raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi shpreson të arkëtojë rreth 20 milionë euro përmes shitjes së dy brazilianëve që prej kohësh kanë dalë nga planet kryesore të klubit.

Njëri prej tyre është Arthur Melo, i cili vazhdon të jetë nën kontratë me Juventusin, pavarësisht se pjesën më të madhe të tre viteve e gjysmë të fundit e ka kaluar larg Torinos, në formë huazimi te Liverpool, Fiorentina, Girona dhe së fundmi te Gremio në Brazil.

29-vjeçari iu bashkua Juventusit në një marrëveshje shkëmbimi me Miralem Pjanic, transferim që në atë kohë u raportua se kishte një vlerë prej 72 milionë eurosh, plus deri në 10 milionë euro bonuse dhe shtesa.

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, La Gazzetta dello Sport raporton se Arthur ende vlerësohet rreth 10 milionë euro në bilancin financiar të Juventusit, shifër që pritet të bjerë në rreth 6.5 milionë euro gjatë verës.

Sipas të njëjtës gazetë, Arthur tashmë ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gremios për një transferim të përhershëm, pas një periudhe pozitive gjatë vitit 2025.

Përveç Arthurit, Juventusi mund të përfitojë së shpejti edhe nga aktivizimi i një klauzole përqindjeje nga shitja e Kaio Jorge.

Sulmuesi 23-vjeçar u transferua te Juventusi nga Santos në vitin 2021, ndërsa eksperienca e tij në Serie A u nda mes ekipit të parë, skuadrës U23 dhe një huazimi te Frosinone në sezonin 2023/24. Në verën e vitit 2024, ai u lejua të largohej nga Juventusi, duke iu bashkuar Cruzeiros për një shumë të raportuar prej 7.2 milionë eurosh.

Kaio Jorge e mbylli sezonin 2025 të kampionatit brazilian (që zhvillohet nga marsi deri në dhjetor) si golashënuesi më i mirë i ligës, me 21 gola në 33 paraqitje. Ai regjistroi gjithashtu tetë asistime në kampionat, si dhe pesë gola dhe një asist në tetë ndeshje të Kupës së Brazilit.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Brazil, përfshirë Flamengon, e cila raportohet se ka paraqitur një ofertë prej 32 milionë eurosh për ta transferuar sulmuesin nga Cruzeiro.

Në reagim ndaj interesimit, Cruzeiro ka rinovuar kontratën e Kaio Jorge deri në vitin 2030, gjë që nënkupton se një largim i mundshëm në të ardhmen e afërt do të ndodhte për një shumë edhe më të lartë se oferta aktuale e Flamengos.

Kjo situatë është në favor të Juventusit, pasi bardhezinjtë raportohet se kanë të drejtë në 30 për qind të shumës që do të përfitohet nga transferimi i ardhshëm i Kaio Jorge, duke e bërë këtë operacion një burim të rëndësishëm të ardhurash për klubin italian./Telegrafi

“Plisat” hedhin gjësende në parket, ndërpritet ndeshja Ylli – Prishtina



Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe KB Prishtinës është ndërprerë pas vetëm shtatë minutave lojë.

Ishin tifozët e Prishtinës “Plisat” që hedhen gjësende në parket, prandaj edhe gjyqtari përkohësisht e suspendoi lojën.

E tërë kjo situatë erdhi si pakënaqësi e tifozëve kundër vendimit të Prishtinës për ta emëruar Bekë Berishën si kryetar të klubit.

MKRS-ja e kundërshtoi këtë vendim, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në ditët e ardhshme.

Kujtojmë, aktualisht Ylli ishte në epërsi të madhe prej nëntë pikëve 17-8, ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 12 sekonda për t’u mbyllur çereku i parë./Telegrafi

FC Prishtina përforcohet me futbollistin holandez



FC Prishtina e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të djathtë, Sylian Mokono nga klubi holandez VVV-Venlo.

26-vjeçari ka një karrierë të madhe në Holandë, ku ka mbrojtur fanellën e disa klubeve.

Përmes një komunikate zyrtare, Prishtina i uroi mirëseardhje futbollistit më të ri.

“Sylian Mokono i bashkohet FC Prishtinës. Mbrojtësi i djathtë holandez është përforcimi më i ri i skuadrës sonë në këtë afat kalimtar dimëror”.

“26-vjeçari është produkt i akademisë së FC Utrecht, ku ka kaluar disa grupmosha deri te ekipi i parë. Mokono ishte pjesë e Heracles Almelo, me të cilin u shpall kampion në ligën e dytë të Holandës, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës VVV-Venlo.

Sylian Mokonos i dëshirojmë mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër”, shkroi klubi.

Ndërkohë, nën drejtimin e Afrim Tovërlanit – Prishtina po synon që këtë edicion të rikthejë titullin kampion./Telegrafi

Ylli i Man Cityt drejt largimit përkundër dëshirës së Pep Guardiolas



Sipas “Manchester Evening News”, Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë në verë, pavarësisht dëshirës së Pep Guardiolës për ta mbajtur atë në skuadër.

Duke folur pas fitores ndaj Newcastle, trajneri i Cityt e bëri të qartë se dëshiron ta mbajë Silvën për aq kohë sa të jetë e mundur në klub.

“Ne duam ta mbajmë Bernardon këtu sa më gjatë që të jetë e mundur”, kishte deklaruar Guardiola pas ndeshjes.

Megjithatë, raportimi thekson se Guardiola është i vetëdijshëm për dëshirën e mesfushorit portugez për t’u larguar në fund të sezonit.

Bernardo Silva kishte folur më herët gjatë këtij sezoni për të ardhmen e tij, duke pranuar se vendimi tashmë është marrë, por pa dhënë detaje.

“Vendimin e kam marrë, por nuk është momenti për ta zbuluar”, ishte shprehur Silva.

Nëse ky largim konfirmohet, Manchester City do të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Guardiolës, ndërsa e ardhmja e portugezit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos verore./Telegrafi

“Le të shohim”, edhe Andy Robertson s’e mohon mundësinë e largimit nga Liverpooli



Andy Robertson ka zbuluar dëshirën e tij për të qëndruar te Liverpooli, por njëkohësisht ka pranuar se e ardhmja e tij mbetet e paqartë, për shkak të nevojës së madhe për më shumë minuta në fushë.

31-vjeçari është zhvendosur në një rol dytësor në Anfield këtë sezon, pas ardhjes së Milos Kerkez gjatë verës, duke nisur vetëm 11 ndeshje në të gjitha garat dhe vetëm katër në Ligën Premier.

Robertson ka qenë kryesisht i besueshëm sa herë që ka hyrë në formacion, madje në disa raste ka lënë përshtypje më të mira se Kerkez, por situata e tij për të ardhmen mbetet e hapur. Kontrata e reprezentuesit të Skocisë skadon këtë verë dhe ai ende nuk ka firmosur një marrëveshje të re me “The Reds”.

Robertson ka folur hapur për të ardhmen e tij në Liverpool, duke konfirmuar se ka pasur bisedime me klubin për një kontratë të re, por pa ndonjë vendim përfundimtar.

“Kemi pasur biseda që do të mbeten private; do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Më kanë mbetur edhe pesë muaj dhe duhet të shohim nëse ekziston opsioni për të qëndruar apo nëse ka mundësi për t’u larguar. Do të ulem me familjen time dhe do të vendosim”.

“Pas një vere stresuese, po përpiqem thjesht ta shijoj faktin që jam pjesë e këtij klubi dhe lojtar i Liverpoolit. Doja të kualifikohesha në Kupën e Botës dhe fatmirësisht ia dolëm. Tani duhet të shoh se çfarë duam unë dhe familja ime për të ardhmen”.

Ai shtoi gjithashtu se dëshiron të luajë sa më shumë sepse nuk i pëlqen të jetë në stol.

“Mund të përqendrohem te tetë vitet e gjysmë të fundit. Mendoj se Jurgen Klopp më la jashtë vetëm në një ndeshje dhe isha shumë i zemëruar. Unë jam një lojtar që dua të luaj”.

“Kam luajtur me lëndime. Kam luajtur edhe kur nuk kam qenë 100 për qind i gatshëm. Kam luajtur kur kam qenë vetëm 50, 40 apo 30 për qind i aftë për këtë klub dhe për kombëtaren. Gjithmonë dua të jem në fushë dhe të luaj, dhe tani kjo nuk po ndodh, prandaj kjo është ajo që ka ndryshuar”.

“Kam një rol tjetër këtë sezon, të cilin po e shijoj, por në fund të fundit, futbollistët duan të luajnë. Nëse dikush është i lumtur duke qëndruar në stol, atëherë nuk i përket asnjë klubi futbolli”./Telegrafi

E mposhti në Superkupë, Barcelona synon ta fitojë garën me Real Madridin edhe për talentin e Ajaxit



Barcelona po monitoron mesfushorin ofensiv të Ajaxit, Rayane Bounida, si një objektiv afatgjatë për afatin kalimtar të verës 2026, sipas raportimeve nga AS.

Pas rikthimit të fundit të Joao Cancelos në formë huazimi, klubi katalanas nuk pritet të bëjë lëvizje të tjera në këtë afat kalimtar të janarit, por mbetet vigjilent ndaj talenteve në ngritje në të gjithë Evropë.

Mesfushori 19-vjeçar me origjinë belge-marokene ka tërhequr vëmendjen si të Barcelonës, ashtu edhe të Real Madridit, falë aftësive të tij teknike, krijimit të rasteve dhe fleksibilitetit në fazën ofensive.

Bounida ka zhvilluar 13 paraqitje zyrtare me Ajaxin këtë sezon, duke regjistruar pesë asistime, ndërsa ka impresionuar me qetësinë, vizionin dhe vendimmarrjen në zonën e fundit të fushës.

Produkt i futbollit të moshave në Belgjikë dhe me prejardhje marokene, ai ka marrë vlerësime edhe nga Jose Mourinho dhe konsiderohet si një nga talentet më premtuese që kanë dalë nga akademia e Ajaxit vitet e fundit.

Barcelona e sheh Bounidën si një përshtatje ideale për projektin e saj nën drejtimin e Hansi Flick, ndërsa situata e kontratës së tij po ndiqet nga afër, në një kohë kur interesi nga klubet e mëdha të Evropës vazhdon të rritet./Telegrafi

Endrick zbulon momentin më të vështirë të karrierës



Sulmuesi Endrick ka folur hapur për vështirësitë e periudhës së tij të parë te Real Madridi, duke zbuluar se momenti më i vështirë për të ishte konfirmimi se do ta humbiste Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, e cila u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmuesi i ri brazilian pësoi një lëndim në muskujt e pasmë të kofshës drejt fundit të sezonit të kaluar, i cili u përkeqësua gjatë seancave stërvitore para turneut.

Si pasojë, ai mbeti jashtë fushave për disa muaj dhe nuk arriti të marrë pjesë fare në këtë kompeticion. Në një intervistë së fundmi, Endrick u shpreh se ishte momenti më i rëndë i karrierës.

“Konfirmimi se do ta humbja Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara. Se nuk do të mund të luaja për disa muaj”.

“Është momenti kur e kupton se nuk do të mund të garosh. Humbjet janë të këqija, por janë pjesë e futbollit. Ne fitojmë dhe humbim. Të gjithë e bëjnë këtë. Pak janë ata që fitojnë trofe”.

“Askush nuk fiton gjatë gjithë kohës. Por lëndimet mund të të largojnë krejtësisht nga futbolli”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Endrick po synon të gjejë formën sa më të mirë te Lyoni, me shpresën që të merr një ftesë nga Carlo Ancelotti për Kupën e Botës 2026./Telegrafi/

“Zonja e Vjetër” nuk pret verën, Juventusi e do ish yllin e Barcelonës gjatë janarit



Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi ka arritur një marrëveshje paraprake për transferimin pa pagesë të Oscar Minguezas në qershor, por drejtori i klubit bardhezi, Marco Ottolini, ka qëndruar në Spanjë për të negociuar një kalim të mundshëm që në afatin e janarit me Celta Vigo.

Mbrojtësi i krahut nga Spanja pritet të bëhet lojtar i ri i Juventusit, qoftë gjatë verës, qoftë që në këtë afat kalimtar dimëror, në varësi të ecurisë së bisedimeve mes dy klubeve.

Sipas “Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, bardhezinjtë kanë arritur marrëveshje personale me Minguezan për një kontratë katërvjeçare me vlerë 1 milion euro në sezon, pothuajse dyfish i pagës që ai përfiton aktualisht te Celta Vigo, e cila sillet rreth 600 mijë euro në vit.

Juventusi po ushtron tani presion për ta transferuar 26-vjeçarin që në janar, duke synuar një marrëveshje me kosto të reduktuar për klubin spanjoll, në mënyrë që të shmangë pritjen deri në verë.

Bisedimet mes Juventusit dhe Celta Vigos pritet të vazhdojnë në orët në vijim, ndërsa raportet nga Italia sugjerojnë se “Zonja e Vjetër” do të duhet të paguajë një shumë që varion nga 3 deri në 5 milionë euro për ta siguruar nënshkrimin e mbrojtësit gjatë afatit dimëror.

Mingueza ka regjistruar një gol dhe tri asistime në 22 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka grumbulluar katër paraqitje me përfaqësuesen e Spanjës.

Mingueza thuhet se pëlqehet edhe nga Real Madridi, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete./Telegrafi

Gerard Pique nuk përmbahet, tall pa mëshirë Real Madridin pas turpit historik në Kupën e Mbretit



Gerard Pique ka shfrytëzuar pa mëshirë rastin për ta tallur Real Madridin pas eliminimit tronditës nga Kupa e Mbretit, ku madrilenët u mposhtën nga skuadra e kategorisë së dytë, Albacete, të mërkurën mbrëma.

Real Madridi u nda nga ish-trajneri Xabi Alonso më herët gjatë javës dhe ia besoi drejtimin e skuadrës Alvaro Arbeloas, duke e lidhur ish-trajnerin e Castillas me një kontratë që zgjatet përtej fundit të sezonit, si shenjë e besimit ndaj ish-mbrojtësit të djathtë.

Megjithatë, ardhja e Arbeloas në stolin e skuadrës nuk solli ndryshim pozitiv. Mandati i tij nisi me një humbje 3-2 dhe me një eliminim të papritur nga Kupa e Mbretit në fazën e 1/8 së finales.

“Debutim i shkëlqyer për Madridin e ri”, u tall Pique gjatë një transmetimi në Twitch pas humbjes së rëndë të Real Madridit.

Statusi i Piques si legjendë e Barcelonës e shpjegon gatishmërinë e tij për të provokuar rivalët, por deklarata e tij nuk ndihmon aspak në zbutjen e tensioneve që kishin nisur qysh gjatë karrierave të tyre si lojtarë, në anët e kundërta të rivalitetit të “El Clasicos”.

Edhe pse rivaliteti mes Arbeloas dhe Piques, duke pasur parasysh trashëgiminë e tyre te Real Madridi dhe Barcelona, nuk është aspak befasues, përfaqësuesja e Spanjës për vite me radhë ka vuajtur një tension të pakëndshëm sa herë që lojtarët e dy klubeve rivale janë detyruar të bashkëpunojnë në arenën ndërkombëtare.

Në fakt, Arbeloa dhe Pique kanë luajtur së bashku 38 ndeshje me Spanjën, por kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie të mira. Në vitin 2015, ish-mbrojtësi i Barcelonës u kritikua pasi deklaroi se Arbeloa “nuk është mik, thjesht një person që e njoh”.

Pas katër muajsh reflektimi, Arbeloa reagoi për La Galerna:

“Mund t’ia shpjegoja botës pse nuk jam mik me Piquen, por ndoshta nuk do t’i bënte mirë nëse do ta bëja këtë”.

“Është e vërtetë gjithashtu se unë e njoh familjen e tij dhe respekti që kam për ta, ai nuk e ka për timen. Familjet janë të rëndësishme. Dëgjojmë shumë budallallëqe dhe në një farë mënyre nuk të bëjnë përshtypje, por njerëzit e afërt vuajnë”./Telegrafi

Chelsea arrin marrëveshje për ta larguar futbollistin, të cilin e morën vetëm pesë muaj më parë



Chelsea raportohet se ka arritur marrëveshje për ta ndërprerë para kohe huazimin e Facundo Buonanotte në “Stamford Bridge”, me mesfushorin e Brightonit që pritet ta kalojë gjysmën e dytë të sezonit te Leeds United.

Buonanotte iu bashkua Chelseat në formë huazimi njësezonal në ditën e fundit të afatit veror të transferimeve, me drejtuesit e klubit londinez që e shihnin argjentinasin si mbulim të përshtatshëm për Cole Palmer dhe si përforcimin e fundit ofensiv pas largimit të Nicolas Jackson te Bayern Munich.

Ky transferim u prit me habi të madhe nga shumë tifozë të Chelseat, duke pasur parasysh faktin se Buonanotte kishte rënë nga Liga Premier një sezon më parë gjatë huazimit të tij te Ipswich Town.

Dyshimet e tifozëve u vërtetuan shpejt. Buonanotte regjistroi vetëm një paraqitje në Liga Premier, në fillim të shtatorit, ndërsa u ul në bankën rezervë edhe në katër ndeshje të tjera. Në pjesën më të madhe të kohës, ai u detyrua të kënaqej me paraqitje në garat e kupave, edhe pse Palmer, lojtari që duhej ta zëvendësonte, ka vetëm nëntë ndeshje si titullar në Liga Premier këtë sezon.

Gazetari Fabrizio Romano bëri të ditur se Chelsea ka rënë dakord ta ndërpresë huazimin e Buonanottes, me Leeds United, që aktualisht ndodhet në vendin e 16-të, duke e marrë atë deri në fund të sezonit.

E ardhmja e Buonanottes në “Stamford Bridge” dukej e errët pothuajse menjëherë pas transferimit. Ai kishte deklaruar se futbolli në Ligën e Kampionëve të Evropës ishte arsyeja kryesore pse kishte zgjedhur Chelsean, por vetëm disa ditë më vonë u la jashtë listës së klubit për këtë kompeticion. Vetëm një lëndimi i Dário Essugo i hapi rrugë rikthimit të tij në skuadër.

Vendimi për ta ndërprerë huazimin ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë ndaj pronësisë dhe drejtuesve sportivë të Chelseat, me kritika të shumta që lidhen me mënyrën e diskutueshme të menaxhimit të transferimeve./Telegrafi

Karim Benzema i kërkon Florentino Perezit të mbështesë Alonson dhe të forcojë mesfushën e Real Madridit



Karim Benzema i ka dhënë dy mesazhe të qarta presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, gjatë takimit të tyre në Arabinë Saudite, ku të dy ishin të pranishëm në finalen e Superkupës së Spanjës.

Sipas raportimit të gazetarit Ramon Alvarez, sulmuesi francez e ka këshilluar kreun e klubit që të vazhdojë t’i besojë trajnerit Xabi Alonso dhe të përforcojë mesfushën e skuadrës.

Ish-kapiteni i Real Madridit, i cili aktualisht luan te Al-Ittihad, mbetet i lidhur ngushtë me klubin madrilen dhe është i informuar për situatën e brendshme. Ai thuhet se ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së plotë për projektin e Xabi Alonsos në “Santiago Bernabeu”, veçanërisht pas një fillimi të vështirë sezoni.

Humbja 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës ka shtuar presionin mbi trajnerin spanjoll, megjithatë drejtuesit e klubit vazhdojnë ta mbështesin atë. Në këtë kontekst, ndërhyrja e Benzemas shihet si një sinjal i fortë besimi ndaj Alonsos dhe vizionit të tij.

Një tjetër pikë kyçe e këshillës së Benzemas lidhet me nevojën për të përforcuar mesfushën, repart që prej kohësh po diskutohet si një nga pikat më të ndjeshme të Real Madridit.

Balanca në mesfushë konsiderohet thelbësore për funksionimin e sistemit taktik të Xabi Alonsos, sidomos pas ndryshimeve të mëdha në këtë repart.

Edhe pse klubi nuk ka konfirmuar ende plane konkrete për transferime të menjëhershme, sugjerimi i Benzemas tregon ndikimin e vazhdueshëm të tij dhe shqetësimin për konkurrueshmërinë e Real Madridit në të ardhmen. Këshilla e një figure kaq të rëndësishme në historinë e klubit pritet të merret seriozisht nga drejtuesit madrilenë./Telegrafi

Man Utd në panik, ylli i skuadrës drejt largimit



Problemet po shtohen dita-ditës te Manchester United. I eliminuar nga garat e kupave, në një pozitë të vështirë në Liga Premier dhe tashmë në kërkim të një trajneri të ri për ta zëvendësuar Ruben Amorim, klubi nga “Old Trafford” po kalon një periudhë tejet të trazuar dhe plot tension.

Largimi i teknikut portugez mund të sjellë pasoja të mëdha edhe në përbërjen e skuadrës. Sipas raportimeve të fundit nga Anglia, një nga lojtarët kyç të “Djajve të Kuq” po vë seriozisht në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub. Bëhet fjalë për Bruno Fernandes.

Mesfushori portugez, i cili iu bashkua Manchester Unitedit në janar të vitit 2020 nga Sporting Lisbona për shumën prej 65 milionë eurosh, thuhet se po humbet durimin me situatën aktuale në klub. Mediat angleze raportojnë se ai ndjehet i zhgënjyer me drejtimin e klubit dhe mënyrën se si po menaxhohet kriza.

“Bruno ka humbur durimin dhe beson fuqishëm se pronarët e kanë zhgënjyer. Shkarkimi i Amorim nuk e ka ndihmuar aspak situatën”, raporton The Sun.

Në moshën 31-vjeçare, Bruno Fernandes mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës. Këtë sezon ka zhvilluar 20 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me 5 gola dhe 9 asistime, por pavarësisht statistikave pozitive, frustrimi i tij me situatën sportive po rritet.

Sipas të njëjtave burime, kapiteni i Manchester Unitedit po mendon seriozisht një largim të mundshëm nga “Old Trafford” dhe mbylljen e ciklit të tij me klubin anglez.

Megjithatë, një largim në afatin e janarit nuk është aktualisht në tavolinë, pasi gjithçka pritet të varet edhe nga Botërori i ardhshëm që zhvillohet verën e ardhshme./Telegrafi

Njësoi si me Lindon Emërllahun, Polissya e paralajmëron edhe transferimin e Ilir Krasniqit



Ekipi ukrainas Polissya Zhytomyr duket se e ka kompletuar edhe transferimin e mbrojtësit Ilir Krasniqi.

Krasniqi do të ndjekë rrugët e Lindon Emërllahut për t’iu bashkuar skuadrës që po lufton për titullin kampion, pranë Shakhtarit dhe LNZ Cherkasyt të Muharrem Jasharit.

Njësoi siç bëri me Emërllahun, Polissya ka vepruar njëjtë edhe me Krasniqin, duke shtuar kurreshtjen mbi tifozët për afrimin më të fundit.

Pollissya teasing signing new player 🤝 pic.twitter.com/Wpc4ZG3B7w
— Polissya Zhytomyr EN (@PolissyaEN) January 12, 2026

Sipas mediave ukrainase, 25-vjeçari gjatë javës së kaluar ka qenë tek klubi i ri – ku edhe ka kryer me sukses të gjitha testet mjekësore. Përpos kësaj, ai edhe u njoftua me bashkëlojtarët e rinj.

Polissya thuhet se pagoi rreth 2 milionë euro për të nënshkruar me kosovarin, i cili ka nënshkruar kontratë afatgjatë.

Përndryshe, Polissya aktualisht renditet në pozitën e tretë në tabelën e kampionatit ukrainas me 30 pikë, pesë më pak se liderët Cherkasy e Shakhtar./Telegrafi/

Juventusi gati ofertën e parë zyrtare për Federico Chiesan



Juventusi është gati të intensifikojë bisedimet me Liverpoolin për një transferim të mundshëm të Federico Chiesas, me një ofertë zyrtare që pritet të paraqitet në orët në vijim.

Sipas raportimeve të “Tuttosport”, bardhezinjtë po përgatisin një propozim konkret për klubin nga Liga Premier, të vetëdijshëm se do t’u duhet të përmirësojnë kushtet për të përmbushur kërkesat financiare të Liverpoolit.

Struktura e marrëveshjes pritet të mbetet në formën e huazimit, por Juventusi po punon që opsioni i blerjes të shndërrohet në detyrim, me kushte të qarta të përcaktuara paraprakisht.

Ideja e klubit italian është që transferimi i përhershëm të aktivizohet në bazë të numrit të paraqitjeve të Chiesas, si një mekanizëm sigurie për të vlerësuar gjendjen e tij fizike dhe përshtatjen taktike pas rikthimit në një ambient që e njeh mirë, por që ka ndryshuar ndjeshëm që nga largimi i tij.

Negociatat mbeten të ndërlikuara për dy arsye kryesore. Së pari, Liverpooli nuk është i prirur ta lëshojë sulmuesin në këtë fazë të sezonit. Trajneri Arne Slot thuhet se i konsideron opsionet sulmuese të kufizuara, ndërsa klubi ka bërë të qarta pritshmëritë e tij financiare.

Së dyti, Juventusi po pret rikthimin e yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah, nga Kupa e Kombeve të Afrikës. Egjipti ka arritur në gjysmëfinale, çka do të thotë se Salah nuk pritet të kthehet të paktën deri javën e ardhshme, një faktor që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e Chiesas.

Paralelisht me bisedimet mes klubeve, Juventusi duhet të arrijë edhe një marrëveshje me vetë lojtarin për kushtet personale. Chiesa është i interesuar për një rikthim në Torino, gjë që mund ta lehtësojë procesin, por akordi për pagën ende nuk është arritur dhe mbetet një tjetër hap kyç në finalizimin e mundshëm të transferimit./Telegrafi

❌