Danimarka dhe Suedia kundër Trump: Bojkotojmë Botërorin në SHBA! Polemika dhe në Gjermani
Zgjerohet fronti që kërkon të braktisë kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik. Çështja ka përfshirë politikën, ndërsa në anën tjetër është linja e fortë e Washington-it mbi emigrimin, që u mohon pjesërisht tifozëve hyrjen në SHBA.
Botërori nuk ka qenë kurrë më parë kaq në rrezik. Nuk bëhet fjalë për kualifikimin e ndonjë ekipit të madh, problemi është politik. Gjithmonë e më shumë vende europiane po mendojnë ta bojkotojnë eventin e verës, pas zhvillimeve të fundit në raportet me SHBA-të.
Në krye të protestës është natyrisht Danimarka. Tentativat e Trump për të marrë Groenlandën (territor që i përket kurorës daneze) kanë irrituar opinionin publik. Në një sondazh të fundit të portalit “BT”, 90% e danezëve u shprehën pro bojkotit të Botërorit.
Çështja ka prekur edhe Suedinë, ku prej kohësh një pjesë e mirë e konsumatorëve refuzon të blejë mallra “Made in Usa”, si një përgjigje për qartësinë e munguar të pozicionit të Trump për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Diskutime të forta mbi Botërorin amerikan ka edhe në Gjermani. Zëvendëspresidenti i Federatës, Oke Göttlich, president i St.Pauli, klub i lagjes punëtore të Hamburgut, ka dalë hapur kundër. Ai gjithmonë ka qenë kundër modelit futboll-biznes.
Për “Hamburger Morgenpost”, Göttlich ka thënë se ka ardhur momenti për veprime konkrete të forta. Ky qëndrim është në linjë me kërkesat e tifozëve të St.Pauli, që së fundi i kanë bërë apel FIFA-s për të njohur Federatën e Futbollit të Groenlandës. Një gjest simbolik, që mund të përfaqësojë një “levë diplomatike” ndaj pretendimeve amerikane.
Iniciativa është mbështetur nga disa politikanë të Cdu, por është ndalur nga presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, i cili kishte përkrahur protestën e kombëtares gjermane në Katar për të drejtat e njeriut.
Në mes janë edhe problemet që lidhen me faktorin e sigurisë. Sidomos pas imazheve të ditëve të fundit të Minneapolis, me 3 mijë agjentë të Ice të mobilizuar për operacionin anti-emigrim të kërkuar nga Trump. Nuk është ende e qartë se si qeveria amerikane do të administrojë fluksin e tifozëve nga shumë vende të botës që do të ndjekin Botërorin.
Muajt e fundit Washington-i ka pezulluar apo ndaluar vizat turistike për qytetarët e disa vendeve, mes tyre edhe të vendeve të kualiafikuara për në Botëror. Është rasti i Iranit. Po ashtu, nuk është e qartë se në çfarë mënyre do të aplikohet “Fifa pass” i propozuar nga Infantino për të lehtësuar hyrjen e tifozëve të çdo pasaporte.
Klima e rënduar ndërkombëtare, tensioni në rritje në SHBA dhe paqartësia në lidhje me vizat turistike rrezikojnë seriozisht të kompromentojnë shpirtin e vëllazërisë dhe universalitetit që ka qenë gjithmonë baza e Botërorëve. Ideja e kojkotit nga java në javë po fiton kuota.
The post Danimarka dhe Suedia kundër Trump: Bojkotojmë Botërorin në SHBA! Polemika dhe në Gjermani appeared first on Albeu.com.
