Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Juventusi dhe Milani shqyrtojnë një shkëmbim të madh gjatë janarit



Juventusi dhe Milani po konsiderojnë një shkëmbim të mundshëm lojtarësh gjatë afatit kalimtar të janarit, sipas raportimeve të Tuttosport.

Bëhet fjalë për një marrëveshje huazimi që përfshin Federico Gatti dhe Ruben Loftus-Cheek.

Mundësia u diskutua gjatë një takimi të zhvilluar të premten, ku morën pjesë trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, drejtori ekzekutiv Damien Comolli dhe drejtori i ri sportiv, Marco Ottolini. Bëhet e ditur se në ditët në vijim mund të ketë bisedime konkrete midis të dy klubeve.

Prioritetet e Juventusit në këtë merkato mbeten një mesfushor qendror i gjithanshëm dhe një zëvendësues për Kenan Yildiz. Spalletti ka theksuar se do të nënshkruajë vetëm lojtarë që mund t’i shtojnë cilësi ekipit dhe të mos prishin ekuilibrin e arritur në javët e fundit.

Sipas Tuttosport, trajneri i Juventusit është admirues i Loftus-Cheek, i cili kohët e fundit ka refuzuar një transferim te Lazio, pavarësisht interesit të ish-trajnerit të tij te Chelsea, Maurizio Sarri. Loftus-Cheek kërkon më shumë minuta lojë, me shpresën për të qenë pjesë e skuadrës së Anglisë në Kupën e Botës 2026, dhe Juventusi mund t’i ofrojë mundësi më të shumta për të treguar vlerën e tij.

Fizikaliteti dhe shkathtësia e Loftus-Cheek do t’i përshtateshin taktikave të Spallettit, ndërsa Gatti do t’i lejonte trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, të forconte qendrën e mbrojtjes në pjesën e dytë të sezonit./Telegrafi/

Gjimshiti pëson lëndim të rëndë në fitoren e Atalantës



Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, u lëndua gjatë fitores së Atalantas me 2-0 ndaj Torinos në javën e 20-të të Serie A.

Gjimshiti u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 44-t, pas një përplasjeje të ashpër me sulmuesin e Torinos, Duvan Zapata.

Zëvendësimi i tij u bë me suedezin Isak Hien, ndërsa mediat italiane raportojnë se mbrojtësi shqiptar është dërguar në spital për analiza më të hollësishme.

Lëndimi nuk dukej i lehtë dhe Gjimshiti pritet të qëndrojë për disa javë jashtë fushave.

Golat për Atalantan u shënuan nga Charles De Ketelaere në minutën e 13-të dhe Mario Pasalic në minutën e 95-të.

Te Torino, ndeshjen e përfundoi mbrojtësi Ardian Ismajli, ndërsa Kristjan Asllani qëndroi në stol.

Pas këtij rezultati, Atalanta renditet e shtata me 31 pikë, ndërsa Torino ndodhet në mesin e tabelës me 23 pikë. /Telegrafi/

El Clasico e parë e vitit 2026 - Barcelona dhe Real Madridi luftojnë për trofeun e Superkupës



Futbollistët e Barcelonës dhe Real Madridit do të ndeshen sonte në stadiumin King Abdullah në Xheda, këtë herë në finalen e Superkupës së Spanjës.

Rivalët më të mëdhenj të futbollit spanjoll do të luftojnë për trofeun e tretë më të rëndësishëm në vend, pas titullit të La Ligës dhe Kupës së Mbretit, ndërsa tifozët presin një tjetër spektakël nën drejtimin e tyre.

Të dy ekipet vijnë në këtë sfidë në formë të mirë. Barcelona ka fituar nëntë ndeshje radhazi në të gjitha garat, ndërsa Real Madrid ka regjistruar pesë fitore radhazi.

On a mission. pic.twitter.com/U3XBkb8onr
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 11, 2026

Katalanasit arritën finalen pas një triumfi të madh 5-0 ndaj Atleticos së Bilbaos në gjysmëfinale, ndërsa Reali mposhti rivalin e qytetit, Atletico Madrid, me rezultatin 2-1.

Ky do të jetë El Clasico i dytë i sezonit, pasi të dyja ekipet janë takuar një herë më parë në La Liga, ku Reali triumfoi 2-1 në “Santiago Bernabeu”.

👊 ¡A POR LA SUPERCOPA! @HP pic.twitter.com/yZOa3ahNDL
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) January 11, 2026

Në historinë e El Clasicos, janë luajtur gjithsej 262 ndeshje zyrtare: Real Madridi ka regjistruar 106 fitore, Barcelona 104, dhe 52 përballje kanë përfunduar barazim.

Sfida e sontme do të fillojë në ora 20:00 me orën lokale. /Telegrafi/

Donnarumma e vlerëson Ligën Premier si më të mirën në botë



Portieri i Manchester Cityt, Gianluigi Donnarumma, ka deklaruar se po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij që prej transferimit në Ligën Premier në vitin 2025, pas një aventure shumë të suksesshme me Paris Saint-Germainin.

Italiani 26-vjeçar kishte fituar Ligën e Kampionëve të UEFA-s dhe disa tituj të Ligue 1 me PSG-në, përpara se të transferohej në Angli në ditën e fundit të afatit kalimtar veror.

Duke folur për përvojën e tij në futbollin anglez, Donnarumma e cilësoi Ligën Premier si kampionatin më të fortë në botë.

“Është liga më e mirë në botë. Kur e sheh nga jashtë, ndeshjet janë fantastike. Është kënaqësi t’i shikosh dhe edhe më e bukur të luash në to”, u shpreh portieri italian.

“Që kur jam këtu, te Manchester City dhe në Ligën Premier, ndihem në kulmin e karrierës sime në këtë moment”, shtoi ai.

Donnarumma theksoi gjithashtu se zgjedhja për t’iu bashkuar Cityt ishte e menduar mirë, për shkak të reputacionit të klubit dhe ambientit që ofron.

“Doja të vija këtu sepse të gjithë flisnin shumë mirë për Manchester Cityn. E vërteta është se kam gjetur një familje të mrekullueshme dhe jam shumë, shumë i lumtur që jam këtu”.

“Ka një mjedis të vërtetë familjar. Ndjeva një interes shumë të fortë nga klubi dhe kjo më lajkatoi. Të të dëshirojë kaq shumë Manchester City dhe një trajner i nivelit të Pep Guardiolës është një burim i madh krenarie. Jam vërtet i lumtur dhe krenar që jam pjesë e grupit të Cityt dhe kësaj familjeje të madhe”, përfundoi Donnarumma. /Telegrafi/

Kontratë rekorde, Saka do të bëhet më i paguari në historinë e Arsenalit



Pas negociatave të gjata, Arsenali është shumë pranë finalizimit të një zgjatjeje të rëndësishme kontrate. Talenti londinez Bukayo Saka ka rënë dakord për një angazhim afatgjatë me “Topçinjtë”, marrëveshje që pritet t’i sjellë edhe një rritje të ndjeshme të pagës.

Saka është një nga produktet më të spikatura të akademisë së Arsenalit dhe prej vitesh është titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta. Edhe pse statistikat e tij sulmuese këtë sezon, nëntë gola në 19 ndeshje në Ligën Premier janë pak më modeste krahasuar me sezonet e kaluara, anësori anglez mbetet thelbësor për lojën sulmuese të klubit londinez.

Kontrata aktuale e Sakës është e vlefshme deri në vitin 2027, ndërsa bisedimet për rinovim kanë qenë në zhvillim prej disa muajsh. Tani është shënuar një hap vendimtar: sipas The Athletic, mesfushori sulmues ka pranuar ofertën e fundit dhe pritet të nënshkruajë një kontratë të re pesëvjeçare.

Detajet përfundimtare janë ende duke u diskutuar, por paga e re pritet të rritet ndjeshëm. Disa media angleze raportojnë se kjo marrëveshje mund ta bëjë Sakan lojtarin më të paguar në historinë e Arsenalit.

“Kontrata e re pasqyron statusin e tij si një nga lojtarët kryesorë në Ligën Premier dhe në futbollin evropian, ndërsa ai pritet të ketë rol kyç edhe me Kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës 2026”, thuhet në raportimet e mediave të specializuara.

Sipas informacioneve të mëparshme, Saka pritej të hynte në kategorinë e pagave të Kai Havertz, me rreth 15 milionë euro në vit.

Megjithatë, sipas TeamTalk, ai do ta tejkalojë ndjeshëm ndërkombëtarin gjerman dhe do të bëhet lojtari i parë i Arsenalit me pagë mbi 18 milionë euro në sezon. Kjo do të thotë se deri në fund të sezonit 2030/31, Saka mund të arkëtojë afro 100 milionë euro.

Bukayo Saka është pjesë e Arsenalit që nga viti 2008 dhe sot konsiderohet një nga figurat ikonike dhe më të dashura për tifozët. 24-vjeçari ka regjistruar 290 paraqitje me fanellën e “Topçinjve”, duke kontribuar me 77 gola dhe asistime. /Telegrafi/

Spurs mposhtin Bostonin, shpërthen Charlotte ndaj Utah



Boston Celtics u mposhtën në shtëpi nga San Antonio Spurs me rezultatin 100:95. Spurs vazhduan paraqitjet fantastike në sezonin aktual, duke regjistruar fitoren e tyre të 27-të, kryesisht falë ndikimit të Victor Wembanyamas.

Francezi e nisi ndeshjen nga stoli dhe kishte minuta të kufizuara, por sërish ishte vendimtar, duke regjistruar 21 pikë, gjashtë ribaunde dhe tre bllokime. Stephon Castle ishte po ashtu në nivel të lartë, me 21 pikë, nëntë ribaunde dhe gjashtë asistime.

Te Bostoni, lojtari më i dalluar ishte Derrick White, i cili realizoi 29 pikë dhe shpërndau nëntë asistime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Spektakël i vërtetë u pa në përballjen mes Utah Jazz dhe Charlotte Hornets, ku kjo e fundit triumfoi bindshëm me shifrat 150:95. Në një statistikë të rrallë, plot nëntë basketbollistë të Charlotte patën shënim dyshifror.

Brandon Miller ishte më efikasi me 18 pikë, ndërsa LaMelo Ball shtoi 17. Miles Bridges dhe Collin Sexton kontribuuan me nga 15 pikë secili.

Te Utah, Brice Sensabaugh ishte më i dalluari me 26 pikë, ndërsa Jusuf Nurkić nuk ishte pjesë e ekipit për shkak të një lëndimi në këmbën e majtë. /Telegrafi/

Rezultatet:

Indiana – Miami 123:99

- YouTube www.youtube.com

Detroit – LA Clippers 92:98

- YouTube www.youtube.com

Boston – San Antonio 95:100

- YouTube www.youtube.com

Chicago – Dallas 125:107

- YouTube www.youtube.com

Utah – Charlotte 95:150

- YouTube www.youtube.com

Rosenior me lëvdata për lojtarët e Chelseat, ka disa fjalë edhe për Enzo Marescan



Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka lavdëruar mentalitetin dhe intensitetin e lojtarëve të tij pas fitores bindëse 5-1 të “Bluve” ndaj Charlton Athletic në Kupën FA.

Ai ka theksuar se, përpara përballjes së radhës ndaj Arsenalit në gjysmëfinalen e Kupës Carabao, fokusi i tij kryesor nuk do të jetë te taktikat, por te qëndrimi dhe mentaliteti i ekipit.

Duke folur pas ndeshjes, Rosenior zbuloi se mesazhi i tij kryesor për skuadrën ishte i përqendruar te reagimi në momente të vështira, e jo te ndryshimet teknike apo taktike.

“Kam edhe dy ditë të tjera. Por mendoj se gjëja më e madhe për të cilën i sfidova lojtarët ishte mënyra se si reagojmë ndaj pengesave dhe intensiteti ynë. Asgjë taktike, asgjë teknike”, u shpreh Rosenior.

Trajneri i ri i Chelseat pati gjithashtu fjalë të mira për paraardhësin e tij, Enzo Maresca, duke theksuar se skuadra është e përgatitur mirë.

“Këta lojtarë janë të jashtëzakonshëm. Ata janë stërvitur shumë mirë para ardhjes sime”, tha Rosenior, duke vlerësuar punën e bërë më herët në “Stamford Bridge”.

“Isha shumë i kënaqur me unitetin dhe frymën e grupit kundër Charlton. Po ashtu, më pëlqeu shumë intensiteti me të cilin ata vrapuan, fituan duele, goditje me kokë dhe bënë të gjitha gjërat bazë. Pikërisht këtu e gjen kënaqësinë”, përfundoi Rosenior./Telegrafi/

Ter Stegen pranon t'i bashkohet skuadrës spanjolle për gjashtë muaj



Dikur një nga portierët më të mirë në botë, gjermani Marc-André ter Stegen mund të largohet nga Barcelona që gjatë këtij muaji.

Pas dëmtimit të rëndë në gju që pësoi vitin e kaluar, situata e tij në “Camp Nou” ka ndryshuar ndjeshëm. Nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, ter Stegen ka rënë në plan të dytë, duke humbur rolin e titullarit.

Kjo u bë edhe më e dukshme pas ardhjes së Joan Garcias, i cili po kalon formën më të mirë të karrierës dhe është shndërruar në zgjedhjen kryesore në portën e Barcelonës.

Sipas mediave spanjolle, ter Stegen po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit, me synimin për të ringjallur karrierën dhe për të siguruar një vend në Kombëtaren e Gjermanisë për Kupën e Botës që po vjen.

telegrafi.com

Girona përmendet si një nga destinacionet më të mundshme për portierin 32-vjeçar.

Ter Stegen iu bashkua Barcelonës në vitin 2014 dhe ka zhvilluar gjithsej 291 paraqitje në La Liga, duke qenë për vite me radhë një nga shtyllat e ekipit katalanas.

Sipas raportimit të Goal, portieri gjerman beson se gjashtë muaj me paraqitje të rregullta në “Estadi Montilivi” do t’i mjaftonin për të rikthyer vëmendjen e trajnerëve të Kombëtares dhe për të fituar një ftesë në radhët e “Die Mannschaft”. /Telegrafi/

Bayerni po i blindon me kontrata të reja tre yjet e skuadrës



Bayern Munich nuk pritet të realizojë asnjë nënshkrim të jashtëm gjatë afatit aktual të transferimeve. Megjithatë, klubi bavarez përgatitet për tre njoftime të rëndësishme gjatë muajit janar, që lidhen me zgjatjen e kontratave të lojtarëve kyç.

Sipas deklarimeve publike të drejtorit sportiv Max Eberl, nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e skuadrës këtë dimër. I vetmi lojtar që po shqyrtohet seriozisht për largim është mbrojtësi i djathtë Sacha Boey (25). Edhe në rast të shitjes së tij, Bayern nuk pritet të sjellë menjëherë një zëvendësues, me një përforcim të mundshëm vetëm pas gjashtë muajsh.

Prioriteti absolut për drejtuesit e klubit është sigurimi i vazhdimësisë së boshtit të skuadrës. Lajmi i mirë për bavarezët është se ata janë shumë pranë finalizimit të marrëveshjeve të reja me tre lojtarë kryesorë, ku nënshkrimi shihet tashmë si formalitet.

Bëhet fjalë për liderin e mbrojtjes Dayot Upamecano (27), mbrojtësin e djathtë Konrad Laimer (28) dhe sulmuesin Serge Gnabry (30). Një ose dy njoftime zyrtare priten që gjatë muajit janar në Säbener Straße.

Gnabry pritet të rinovojë kontratën me një pagë më të ulët, ndërsa Upamecano mund të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagës për shkak të rolit të tij kyç në mbrojtje.

Edhe Laimer është në linjë për një kontratë më fitimprurëse, pas paraqitjeve të shkëlqyera këtë sezon, FT e ka vlerësuar atë si mbrojtësin e dytë më të mirë të Bundesligës në gjysmën e parë të kampionatit.

Vitin e kaluar, Bayern siguroi disa marrëveshje strategjike, duke rinovuar kontratat e Jamal Musiala (deri në 2030), Joshua Kimmich (deri në 2029) dhe Alphonso Davies (deri në 2030).

Një rol të rëndësishëm në këtë stabilitet ka pasur edhe trajneri Vincent Kompany, i cili ka ndikuar që Bayern të luajë jo vetëm futboll tërheqës, por edhe të suksesshëm. /Telegrafi/

E pranon ish-trajneri i Barcelonës: Pas katër viteve pritje, klubi më ka paguar borxhin



Ish-trajneri i Barcelona-s, Quique Setien, ka zbuluar se i janë dashur pothuajse katër vite që gjigantët katalanas t’i shlyenin plotësisht detyrimet financiare, pas shkarkimit të tij në vitin 2020.

Në një intervistë për mediat spanjolle, trajneri 67-vjeçar foli hapur për vonesën e pazakontë, duke dhënë gjithashtu detaje tronditëse edhe për një tjetër betejë ligjore me Villarrealin, nga i cili ka kërkuar pagesë për gati tre vite, shkruan Goal.com.

Duke folur në emisionin radiofonik El Larguero, Setien konfirmoi se saga me Barcelonën ka përfunduar më në fund, edhe pse me një vonesë që, sipas tij, pasqyron qartë problemet serioze financiare dhe të likuiditetit që klubi ka përjetuar vitet e fundit.

Pas largimit nga Camp Nou, Setién ishte detyruar të ndërmerrte veprime ligjore për të mbledhur pagesat e papaguara. Megjithatë, ai theksoi se tani nuk ka më asnjë pretendim financiar ndaj klubit.

“Barcelones i janë dashur tre ose katër vjet për të më paguar. Gjithçka është zgjidhur. Ata i kanë shlyer të gjitha pagesat që më detyroheshin dhe nuk më kanë më asnjë borxh”, tha Setien.

Qëndrimi i Setien në stolin e Barcelonës ishte i shkurtër dhe i trazuar. Ai u emërua në janar 2020 për të zëvendësuar Ernesto Valverde, me misionin për të rikthyer “ADN-në” karakteristike të klubit dhe stilin e tij të lojës.

Megjithatë, ai e gjeti veten në një ambient të brishtë, me probleme të thella strukturore dhe një dhomë zhveshjeje në krizë.

Mandati i tij zgjati vetëm shtatë muaj. Në 25 ndeshje, ai regjistroi 16 fitore, katër barazime dhe pesë humbje, duke e mbyllur sezonin në vendin e dytë në La Liga, pas Real Madridit. Megjithatë, periudha e tij në Barcelonë do të mbahet mend kryesisht për humbjen e rëndë 8-2 ndaj Bayern Munich në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/

I njëjti njeri humbi të njëjtën ndeshje dy herë brenda një sezoni dhe ishte trajner i ekipeve të ndryshme



Trajneri portugez Nuno Espírito Santo ka regjistruar një rast vërtet të rrallë këtë sezon në Ligën Premier angleze, duke humbur të njëjtën ndeshje dy herë brenda një sezoni – por si trajner i dy skuadrave të ndryshme.

Situata është sa e ndërlikuar, aq edhe pothuajse e pabesueshme. Në fillim të sezonit, Nuno Espírito Santo ishte në krye të Nottingham Forest.

Në atë periudhë, skuadra e tij u mposht bindshëm 3-0 nga West Ham, ndeshje që rezultoi edhe e fundit për portugezin në stolin e Forest, pasi u shkarkua menjëherë pas saj.

Gjashtë muaj më vonë, fati i solli sërish përballë të njëjtat skuadra, por me role të përmbysura. Këtë herë, Nuno Espírito Santo ishte trajner i West Ham, ndërsa Nottingham Forest arriti fitore 2-1, duke i shkaktuar portugezit një tjetër humbje ndaj ish-skuadrës së tij.

Për ta bërë historinë edhe më interesante, mediat angleze raportojnë se Nuno rrezikon shkarkimin edhe nga West Ham, çka do të thotë se për herë të dytë brenda të njëjtit sezon, një përballje mes West Ham dhe Nottingham Forest mund të rezultojë fatale për vendin e tij të punës.

Ky rast unik është parë vetëm një herë më parë në futbollin elitar anglez. I ndodhi Harry Redknapp në sezonin 2004/2005, në derbin e famshëm të Bregut Jugor mes Portsmouth dhe Southampton.

Redknapp fillimisht drejtoi Portsmouthin, duke u mposhtur 2-1 nga Southampton, ndërsa më pas, gjatë të njëjtit sezon, kaloi te Southampton, ku pësoi një humbje të rëndë 4-1 nga Portsmouth. Në atë rast, rikthimi i tij në Portsmouth u shoqërua me një pritje tejet armiqësore nga tifozët vendas. /Telegrafi/

Orët vendimtare, City po e mbyll transferimin e Semenyos



Manchester City është pranë finalizimit të transferimit të sulmuesit të Bournemouth, Antoine Semenyo, për një shumë totale prej 64 milionë funte, duke anashkaluar klauzolën e lirimit të lojtarit, raporton David Ornstein i The Athletic.

Marrëveshja është strukturuar si 62.5 milionë funte fikse plus 1.5 milionë funte bonuse, ndërsa Bournemouth do të përfitojë një klauzolë prej 10% nga çdo fitim i ardhshëm në rast shitjeje të mëvonshme.

Sulmuesi 26-vjeçar i Ganës do të nënshkruajë një kontratë 5.5-vjeçare, me kusht që të kalojë me sukses vizitat mjekësore sot.

Semenyo ka shfaqur shpërthim të madh që nga transferimi te Bournemouth nga Bristol City për vetëm 10.5 milionë funte në vitin 2023, duke sjellë shpejtësi, forcë dhe dinamizëm në sulmin e Cherries.

Këtë sezon, ai ka regjistruar 10 gola dhe 3 asiste në 20 paraqitje në Premier League, duke u shndërruar në një nga lojtarët më efektivë në krah për skuadrën e Bournemouth.

Ardhja e tij në Etihad ofron një mundësi shtesë dinamike në zonat e gjera të lojës për Pep Guardiolën, ndërsa City synon të mbajë avantazhin e tyre në garën për titullin e Ligës Premier. /Telegrafi/

Barcelona tundohet nga oferta 100 milionëshe për Raphinhan



Një nga lojtarët kyç në sulm për Barcelona, ndërkombëtari brazilian Raphinha, po shkakton emocione të mëdha. Sipas raporteve të fundit, një ofertë e jashtëzakonshme, që mund të arrijë një shifër treshifrore, po i vihet nën hundë katalanasve.

Barcelona shfaqi një performancë të jashtëzakonshme në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0. Me këtë fitore, ekipi i Hansi Flick mund të relaksohet dhe të presë rezultatet e gjysmëfinales së Madridit për të zbuluar se kush do të jetë kundërshtari i tyre në finale.

Raphinha ishte sërish ylli i ndeshjes. Me dy gola, një asist dhe një performancë mbresëlënëse, 29-vjeçari tregoi edhe një herë rëndësinë e tij për sulmin e Barcelonës.

Trajneri Flick dëshiron ta mbajë atë me çdo kusht, por oferta nga Al Hilal mund t’i vërë sfidë klubit katalanas.

Sipas El Nacional, klubi saudit ka propozuar 80 milionë euro plus 20 milionë euro bonuse, një shumë që Barcelona duhet ta marrë seriozisht parasysh gjendjen financiare të klubit.

Megjithatë, Raphinha ka rinovuar kontratën e tij vetëm majin e kaluar deri në vitin 2028 dhe ndihet shumë rehat në Barcelonë. Klauzola e tij e lirimit është e jashtëzakonshme, 1 miliard euro, por ekziston një marrëveshje verbale me drejtorin sportiv Deco për të diskutuar çdo ofertë të madhe.

Pyetja që lind tani është e qartë: A do ta dorëzojë Barça sulmuesin e saj yll? Për Hansi Flick dhe ambiciet për titull, largimi i Raphinha do të ishte një goditje e rëndë. Nga ana tjetër, për financat e klubit, oferta e Al Hilal do të ishte një bekim i madh.

Rregull i çuditshëm në Angli: Hoteli brenda stadiumit paralajmëron 3,000 euro gjobë për tifozët



Hoteli i vendosur brenda stadiumit të klubit anglez Blackpool ka vendosur masa të rrepta për ditët e ndeshjeve, duke paralajmëruar gjoba deri në 3,000 euro nëse klientët shikojnë fushën nga dritaret e dhomave të tyre gjatë zhvillimit të takimeve, raporton The Telegraph.

Sipas njoftimit zyrtar në faqen e hotelit, mysafirët që qëndrojnë në dhomat luksoze me pamje direkte nga fusha janë të detyruar t’i mbyllin perdet 90 minuta para fillimit të çdo ndeshjeje në shtëpi dhe t’i mbajnë ato të mbyllura gjatë gjithë kohës së ndeshjes.

Këto masa zbatohen pavarësisht faktit se çmimet e dhomave rriten ndjeshëm në ditët e ndeshjeve, me klientët që paguajnë deri në 160 euro për natë për akomodim në dhoma që më parë përdoreshin si lozha VIP.

Një gazetar i Telegraph, i cili qëndroi së fundmi në hotel gjatë ndeshjes mes Blackpool dhe Bradford, ka zbuluar se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë rregull, ndonëse ishte regjistruar në hotel pak më shumë se një orë para fillimit të takimit.


💸 'You absolutely need to draw the curtains'

Football fans staying in a pitch-view room at this Blackpool venue risk falling foul of a confusing match-day rule

Find out more ⬇️https://t.co/iYuCzuWdHT pic.twitter.com/fBWlhAau8d
— The Telegraph (@Telegraph) January 7, 2026


“Ne si hotel nuk bëjmë monitorim aktiv, por perdet duhet patjetër të mbyllen. Me sa duket, mund të gjobitesh rreth 3,000 euro nëse të kapin”, e paralajmëroi recepsionisti.

Hoteli i referohet Ligjit për Ngjarjet Sportive të vitit 1985, i cili ndalon konsumimin e alkoolit në ambiente nga të cilat fusha mund të shihet gjatë ndeshjeve të pesë ligave të para të futbollit anglez.

Dhomat e hotelit me pamje direkte nga fusha, ku mysafirët teorikisht mund të konsumojnë pije alkoolike, mund të konsiderohen shkelje e këtij ligji, duke sjellë potencialisht një gjobë të shkallës së tretë, e cila arrin deri në 1,150 euro, në rast se çështja përfundon në gjykatë për kundërvajtje. /Telegrafi/

Sesko reagon pasi shënoi dy gola me Unitedin



Benjamin Sesko këmbënguli se thjesht po bënte “punën e tij” pasi realizoi dy gola kundër Burnley, por nuk e fshehu zhgënjimin pas barazimit të Manchester United në Turf Moor, në ndeshjen e parë të Darren Fletcher si trajner i përkohshëm.

Sulmuesi slloven zhvilloi paraqitjen e tij më të mirë me fanellën e United, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh pa gol.

Dopieta e tij i siguroi epërsinë mysafirëve, por gabimet në mbrojtje bënë që Burnley të rikthehej dhe të shpëtonte një pikë në minutat e fundit.

Pas përfundimit të takimit, Sesko u shfaq i përmbajtur pavarësisht rolit vendimtar.

“Është puna ime. Duhet të vazhdojmë përpara nga kjo ndeshje", tha Sesko.

Ai theksoi se ekipi po përpiqet të krijojë raste dhe të gjejë vazhdimësi.

“Është gjithmonë e rëndësishme të krijosh mundësi shënimi. Thjesht duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara. Është e vështirë për ne – po luftonim dhe po jepnim maksimumin. Po përpiqeshim të shënonim, por për fat të keq pësuam edhe golin e dytë", deklaroi sulmuesi slloven. /Telegrafi/

Goditje për Realin, një tjetër yll i madh rrezikon të humbas ndeshjen me Atleticon



Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, është në dyshim për ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, që zhvillohet sonte ndaj Atletico Madridit, për shkak të dhimbjeve në gju.

Pas përjashtimit të Kylian Mbappé nga turneu si pasojë e një dëmtimi në gju, shqetësimi i ri rreth Rüdiger paraqet një goditje të rëndë për skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso.

Situata e vështirë dobëson ndjeshëm repartin defensiv të madrilenëve, të cilët aktualisht kanë vetëm Dean Huijsen, që sapo është rikthyer nga një dëmtim, David Alaba dhe Raul Asencio si opsione të disponueshme në qendër të mbrojtjes.

Rudiger kishte arritur të rikthehej në fushë vetëm muajin e kaluar, pas një dëmtimi afatgjatë në kofshë, por tani pritet një vendim i minutës së fundit për aktivizimin e tij ndaj rivalit të qytetit. /Telegrafi/

City futet në garë për Guehin



Manchester City po shqyrton një transferim në janar të kapitenit të Crystal Palace, Marc Guehi, pasi shqetësimet për lëndimet në repartin defensiv janë shtuar në Etihad.

Sipas BBC-së, City po analizon mundësinë e nënshkrimit me qendërmbrojtësin anglez, pasi Josko Gvardiol dhe Ruben Dias u lënduan në barazimin ndaj Chelseat. Edhe John Stones është jashtë fushave, duke e lënë Pep Guardiolën me pak alternativa në mbrojtje.

Ndërsa klubi po pret rezultatet e plota mjekësore për Gvardiol dhe Dias, interesimi për Guehin është rritur ndjeshëm dhe një lëvizje gjatë këtij afati kalimtar nuk mund të përjashtohet.

telegrafi.com

Mbrojtësi 25-vjeçar është pa kontratë këtë verë dhe pritej të largohej nga Crystal Palace si lojtar i lirë, por ndërhyrja e mundshme e City mund të ndryshojë planet.

Guehi ka tërhequr vëmendjen edhe të disa gjigantëve evropianë, si Bayern Munich, Real Madrid, Barcelona, Inter dhe Atletico Madrid. Sipas rregullave, ai tashmë mund të nënshkruajë një parakontratë me një klub jashtë Anglisë.

Edhe Liverpooli mbetet në garë, pasi verën e kaluar ishte pranë transferimit të tij për 35 milionë funte, para se marrëveshja të dështonte në minutat e fundit. Të Kuqtë vazhdojnë ta ndjekin, duke parë edhe mundësinë që ta marrin si lojtar të lirë në verë. /Telegrafi/

Lëndimet e shpeshta, zbulohet si Neymar mendoi fundin e karrierës



Braziliani Neymar ka pranuar se ka menduar të tërhiqej nga futbolli për shkak të numrit në rritje të lëndimeve që ka pësuar në vitet e fundit.

Ky mendim u theksua veçanërisht pas dëmtimit të ligamentit të gjurit, i cili çoi edhe në ndërprerjen e kontratës së tij me Al-Hilal, një marrëveshje fitimprurëse që ai ishte duke kryer.

Megjithatë, ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG-së vendosi të mos largohej, edhe pse ende ndjen dhimbje pas operacionit në gju.

Ai tani shpreson të sigurojë vendin e tij në sulmin e Brazilit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, raporton Goal.

Babai i Neymarit, Neymar Senior, foli për ndikimin që lëndimet kanë pasur te djali i tij.

“Ai pati një dëmtim në meniskun. Mediat e raportuan para se ne të flisnim me të, dhe mendja e tij thjesht u shua. Për një moment, nuk munda ta shpëtoja gjendjen mendore të djalit tim. Të gjithë thoshin se nuk do të luante. Mendja e tij thjesht u shua", tha Neymar Senior.

Ky rrëfim tregon betejën jo vetëm fizike, por edhe mendore që Neymar ka kaluar, ndërsa përgatitet për një nga eventet më të mëdha të karrierës së tij me kombëtaren braziliane. /Telegrafi/

Guardiola vajton lëndimet e shumta të Cityt: Ai do të mungojë disa javë



Manchester City barazoi 1:1 ndaj Chelsea në xhiron e 20-të të Ligës Premier, por trajneri Pep Guardiola është më shumë i shqetësuar për situatën e lëndimeve sesa për rezultatin.

Mbrojtësi kroat Josko Gvardiol dëmtoi kyçin e këmbës së djathtë në minutën e 51-të dhe u nxor jashtë fushës mbi supet e fizioterapistit dhe lojtarit rival, Reece James.

Guardiola paralajmëroi se Gvardiol mund të mungojë për disa javë, duke pritur rezultatet e ekzaminimeve zyrtare mjekësore.

“Gvardiol nuk duket mirë, mendoj se do të duhet të pushojë për disa javë, por le të presim ekzaminimet zyrtare mjekësore”, tha Guardiola.

Edhe mbrojtësi tjetër Ruben Dias u dëmtua në minutën e 81-të, ndërsa mbrojtësit John Stones dhe Nathan Ake gjithashtu janë të lënduar.

Në mesfushë, City ka gjithashtu mungesa të shumta për shkak të dëmtimeve.

“Kemi shumë lojtarë të lënduar. Sigurisht që jam i shqetësuar, a e keni parë stolin sot? Katër lojtarë nga akademia, dhe tani do të kemi edhe më shumë në raundin tjetër,” tha Guardiola pas ndeshjes.

Situata e lëndimeve mund të ndikojë në përgatitjet e City për ndeshjet e ardhshme të Ligës Premier dhe sfidat në garat evropiane. /Telegrafi/

Mësohet emri i trajnerit favorit për të pasuar Amorimin te Man Utd



Manchester United ka mbetur pa trajner, pasi Ruben Amorim u shkarkua pas 14 muajsh në krye të klubit.

Tani në mediat angleze kanë filluar të qarkullojnë fjalët për pasuesin e portugezit në Old Traford.

Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, është kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës së United.

Sipas agjencisë së basteve Betfair, austriaku ka rreth 22% shanse, më e larta midis 22 kandidatëve të listuar.

Ish-trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, renditet i dyti me rreth 17% probabilitet, ndërsa ish-trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, trajneri aktual i ekipit kombëtar të SHBA-së, është i treti me rreth 12%.

Zgjedhja e trajnerit të ri pritet të vendoset në ditët në vijim, ndërsa Manchester United kërkon stabilitet dhe rezultate të menjëhershme për të rifituar formën në Ligën Premier. /Telegrafi/

❌