Padia e kryeministrit në Kushtetuese/ Çupi: Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por pushtet
TIRANË- Gjykata Kushtetuese nuk e ka ende një vendim lidhur me padinë e kryeministrit Edi Rama.
Sot trupa e gjyqtarëve u mblodh, por nuk arriti në përfundim duke kërkuar më shumë kohë për t’u shprehur.
Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh në “Tirana Live” se si Gjykata Kushtetuese, edhe organet e tjera nuk po japin drejtësi.
Ai shtoi se i gjithë sistemi i drejtësisë po kërkon forcë dhe pushtet, dhe në këtë mënyrë ka braktisur misionin e tij që është dhënia e drejtësisë.
“E shikoj si Gjykatën Kushtetuese, edhe drejtësinë tjetër, që po thotë prisni se do të marrë hov. Drejtësia ka rënë në pozitat që nuk po kërkon drejtësi, por po kërkon pushtet. Sistemi i drejtësisë nuk kërkon drejtësi, por po kërkon forcë”, tha ai.
Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Si palë të interesuara në këtë seancë morën pjesë Kuvendi dhe Presidenca./abcnews.al