Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Top 10 momentet më të paharrueshme të futbollit në vitin 2025



Viti 2025 në futboll ishte një udhëtim plot emocione, i mbushur me rikthime të jashtëzakonshme, fitore historike dhe disa tragjedi që tronditën tifozët në mbarë botën.

Nga skuadra që i dhanë fund pritjeve të gjata për trofe, te lojtarë që arritën kulmin në aspektin personal - ky vit i pati të gjitha.

Më poshtë janë momentet më të spikatura të futbollit në vitin 2025.

Finalja e Ligës së Kampionëve : Paris Saint-Germain 5-0 Inter

Pas vitesh përpjekjesh, Paris Saint-Germain më në fund ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve të UEFA-s nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique.

Fitorja bindëse 5-0 ndaj Interit e shfaqi PSG-në si forcën dominuese të futbollit evropian për klube.

Lojtarë si Vitinha dhe Ousmane Dembele shkëlqyen në një mbrëmje futbolli fluid dhe sulmues, duke forcuar më tej statusin e Enriques si ‘Trajneri i Vitit’ nga France Football.

Interi rrëmben fitoren Barcelonës

Gjysmëfinalja e dytë e Ligës së Kampionëve në “San Siro” ofroi dramë futbolli që kujtoi rikthimin historik të Barcelonës kundër PSG-së në vitin 2017.

Interi shënoi golin e barazimit në minutat e fundit për ta çuar rezultatin e përgjithshëm në 6-5 dhe më pas fitoi në kohën shtesë, me David Frattesi që realizoi golin vendimtar në minutën e 99-të.

Kjo fitore historike i siguroi Interit një vend në finale, duke i shuar edhe një herë shpresat e Barcelonës.

Cristiano Ronaldo dhe Portugalia fitojnë titullin e dytë të Ligës së Kombeve

Cristiano Ronaldo shtoi edhe një trofe ndërkombëtar në karrierën e tij të jashtëzakonshme, teksa Portugalia mposhti kampionët e Evropës, Spanjën, 5-3 me penallti.

Ronaldo shënoi gjithashtu gjatë ndeshjes, duke treguar thellësinë e skuadrës portugeze dhe duke konfirmuar statusin e saj si një nga pretendentet kryesore për Kupën e Botës 2026.

Chelsea fiton edicionin e parë të Kupës së re Botërore për Klube të FIFA-s

E zhvilluar në Shtetet e Bashkuara përpara Kupës së Botës 2026, edicioni i parë i Kupës së riformatuar të Botës për Klube të FIFA-s pa 32 skuadra të garonin për titullin.

Chelsea befasoi kampionët e Evropës, PSG-në, me një fitore 3-0 në finale, falë një paraqitjeje taktike brilante nga Enzo Maresca.

Liverpool thyen rekordin britanik të Ligës Premier për Isak

Liverpool shijoi një sezon fantastik nën drejtimin e trajnerit Arne Slot dhe e përforcoi më tej skuadrën gjatë afatit kalimtar veror.

“Të Kuqtë” thyen rekordin britanik të transferimeve në Ligën Premier duke transferuar sulmuesin suedez Alexander Isak nga Newcastle United për 130 milionë paund, përfshirë bonuset, një nënshkrim që konfirmoi ambiciet e mëdha të klubit.

Një rikthim i papërsëritshëm – Dembele fiton Topin e Artë 2025

Sulmuesi francez Ousmane Dembele realizoi një nga rikthimet më të mëdha në historinë e futbollit duke fituar Topin e Artë.

Pas përballjes me dëmtime që dikur rrezikonin karrierën e tij, Dembele udhëhoqi PSG-në drejt titujve në Ligue 1, Superkupën e Francës dhe Ligën e Kampionëve.

Ceremonia emocionale e ndarjes së çmimit ishte një moment krenarie për yllin francez.

Humbja tragjike e Diogo Jotës

Futbolli u trondit nga një tragjedi e madhe, pasi sulmuesi i Portugalisë dhe Liverpoolit, Diogo Jota, humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.

Jota kishte pasur një sezon të shkëlqyer, duke fituar Ligën Premier me Liverpoolin dhe Ligën e Kombeve të UEFA-s me Portugalinë, duke lënë në zi tifozët dhe gjithë komunitetin e futbollit.

Neymar shpëton Santosin nga rënia

Neymar u rikthye te klubi i tij i fëmijërisë, Santos, dhe zhvilloi një seri paraqitjesh brilante që ndihmuan skuadrën të shmangte rënien nga kategoria.

Pavarësisht se luajti i dëmtuar, kreativiteti, ndërtimi i lojës dhe golat e superyllit brazilian siguruan fitore vendimtare për Santosin, ndërsa ai tashmë po përgatitet për Kupën e Botës FIFA 2026 pas një operacioni në gju.

Rikthimi i Manchester United në Ligën e Evropës në 'Old Trafford'

Manchester United tregoi qëndrueshmërinë e tij karakteristike me një rikthim dramatik në Ligën e Evropës kundër Lyonit.

Duke qenë në disavantazh prej 4-2 gjatë kohës shtesë, United shënoi dy gola në minutat shtesë falë Kobie Mainoo dhe Harry Maguire, duke e çuar ‘Old Traffordin’ në ekstazë.

Megjithatë, gëzimi zgjati pak, pasi Tottenham Hotspur i mposhti 1-0 në finale.

Trofeu i parë madhor për Tottenhamin

Sezoni i “herëve të para” vazhdoi, teksa Tottenham Hotspur më në fund fitoi trofeun e parë madhor në histori duke triumfuar në Ligën e Evropës pas triumfit në finale ndaj Manchester United.

Goli i Brennan Johnson në pjesën e parë rezultoi vendimtar, ndërsa Micky van de Ven realizoi një shpëtim heroik mbi vijën e portës për të ruajtur avantazhin.

Heung-Min Son ngriti trofeun e tij të parë me Spurs, duke e konsoliduar statusin e tij si një legjendë e klubit./Telegrafi/

Sergio Ramos prezanton ofertën për blerjen e aksioneve të klubit të madh spanjoll



Sevilla ka qenë prej disa muajsh në bisedime për ndryshimin e pronësisë së klubit, por këtë javë situata ka marrë një kthesë të papritur – drejt Sergio Ramosit.

Mbrojtësi veteran raportohet se është përfshirë drejtpërdrejt në bisedimet për marrjen në dorë të klubit ku u formua si futbollist.

Ramos u rrit te Sevilla përpara se të transferohej te Real Madridi dhe për shumë vite pati një marrëdhënie të tensionuar me tifozët e klubit të fëmijërisë së tij.

Megjithatë, ai duket se i rregulloi këto marrëdhënie gjatë rikthimit të dytë te Sevilla, i cili përfundoi 18 muaj më parë, pas një sezoni të vetëm në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’.

Deri së fundmi, dukej se një konsorcium amerikan ishte në pozicionin më të favorshëm për të marrë në pronësi klubin, me Antonio Lappi dhe Fede Quintero në krye të ofertës.

Megjithatë, pas kryerjes së raportit të verifikimit financiar mbi Sevillën, oferta ka rënë nga 3.4 mijë euro për aksion në vetëm 2.7 mijë euro për aksion, siç raportohet nga Muchodeporte dhe është përcjellë nga Diario AS. Si pasojë, besohet se negociatat janë bllokuar.

Pas raportimeve fillestare se Sergio Ramos kishte shprehur interes për t’u bërë investitor minoritar te Sevilla, Cadena Cope zbulon se në fakt Ramos po udhëheq grupin e tij të investimit për të marrë kontrollin e klubit dhe tashmë ka paraqitur një ofertë zyrtare për aksionarët.

Kjo ofertë rezulton të jetë më e larta e bërë deri tani, ndërsa grupi i investitorëve ka vendosur besimin e plotë te Ramos për të qenë fytyra dhe zëri i projektit të ri./Telegrafi/

Arsenali mund të pasurojë arkat e klubit me miliona euro falë ish-dy lojtarëve



Arsenal pritet të ketë një afat kalimtar të qetë në janar, por mund të përfitojë para shtesë nga dy klauzola të shitjes së mëparshme negociuar nga Edu.

Megjithëse është e pamundur të ketë lëvizje të mëdha te Arsenal gjatë afatit të janarit, klubi mund të përfitojë nga disa fitime nga transferimet muajin e ardhshëm falë dy klauzolave të shitjes së mëparshme.

Kjo për shkak se ish-lojtarët Nuno Tavares dhe Brooke Norton-Cuffy, të cilët aktualisht luajnë në Serie A, po tërheqin interes para hapjes së afatit kalimtar të dimrit këtë të enjte.

Nuno Tavares, mbrojtësi krahu, i transferuar nga Benfica në korrik 2021, u largua nga Arsenal për te Lazio në korrik 2024 me një huazim fillestar që përfshinte edhe detyrimin për blerje.

Nuno Tavares

Marrëveshja, që u bë permanente verën e kaluar për rreth 7.85 milionë euro, përfshinte edhe një klauzolë të rëndësishme të shitjes që do t’i jepte Arsenal një pjesë të fitimit.

Fillimisht u tha se klauzola do të vlente rreth 25% të çdo shume të ardhshme, por burimet italiane pretendojnë se mund të arrijë deri në 35%.

Megjithatë, lojtari portugez ka qenë objekt diskutimesh me klubin arab, Al-Ittihad, dhe mund të largohet nga skuadra e Serie A këtë dimër.

Brooke Norton-Cuffy

Ndërkohë, fituesi i Kampionatit Evropian për grupmoshat U21, Brooke Norton-Cuffy, u largua nga Arsenal për te Genoa në gusht 2024 për një shumë fillestare prej 1.75 milion eurosh, plus rreth 1.75 milion euro bonuse.

Thelbësore është se Arsenal negociuan edhe një klauzolë shitjeje që i garanton një pjesë të fitimit të ardhshëm, i cili nuk është bërë publik.

Si Juventusi, ashtu edhe Interi thuhet se po monitorojnë anglezin, megjithatë nuk ka asnjë garanci që lojtari të largohet në janar pasi Genoa po lufton për mbijetesë./Telegrafi/

Man Utd synon ta përforcojë fazën e sulmit me transferimin e yllit francez



Manchester United ka një interes afatgjatë për sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta.

Megjithëse klubi nuk është duke kërkuar aktivisht një sulmues të ri në këtë afat kalimtar, sulmuesi francez mund të jetë dikush që ata do ta shqyrtojnë më seriozisht nëse bëhet i disponueshëm.

Mateta, pjesë kyçe e ekipit të Oliver Glasner te Palace, do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij në korrik dhe kishte tërhequr interes nga klube të ndryshme gjatë verës së kaluar.

Sky Sports News raportoi më herët se Crystal Palace kishte refuzuar oferta deri në 50 milionë euro për Matetan nga klube të Ligës së Kampionëve në afatin e kaluar kalimtar.

Gjithashtu, kishte një interes të vonshëm ,por pa ofertë konkrete nga Tottenham Hotspur, para se ata të nënshkruanin me Randal Kolo Muani me formë huazimi nga Paris Saint-Germain në ditën e fundit të afatit.

Po ashtu, emri i sulmuesit 28-vjeçar u lidh edhe me Atalantan, Milanin, Juventusin dhe disa klube të tjera angleze.

Sky Sports News ka raportuar se fokusin kryesor të United e mban ende afati i verës së ardhshme, kur prioritet do të jetë një mesfushor defensiv i ri.

Deri më tani këtë sezon, Mateta ka realizuar tetë gola në 19 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit anglez./Telegrafi/

Ylli i Real Madridit pritet të largohet në janar për t’u transferuar në MLS



Real Madridi përballet me një vendim të rëndësishëm në këtë afat kalimtar dimëror, pasi ka marrë një ofertë të re për David Alaba, një nga lojtarët me pagën më të lartë në skuadër.

Klubi po shqyrton me kujdes një propozim që vjen nga Shtetet e Bashkuara, i cili mund të çojë në largimin e mbrojtësit austriak që në muajin janar, duke liruar hapësirë në fondin e pagave dhe duke krijuar më shumë fleksibilitet për pjesën e mbetur të sezonit.

Interesimi vjen nga Charlotte FC, e cila mban një qëndrim këmbëngulës dhe tashmë ka paraqitur shifra konkrete.

Oferta e Charlotte FC arrin vlerën e 1.5 milionë eurove, një shumë modeste nëse shihet vetëm nga këndvështrimi i transferimit, por domethënëse në një kuadër më të gjerë. Real Madridi nuk është aq i fokusuar te të ardhurat e menjëhershme, sa te mundësia për të liruar një nga pagat më të larta në skuadër.

David Alaba është një nga lojtarët më të paguar të ekipit dhe largimi i tij do ta lehtësonte menjëherë kufirin e pagave të Real Madridit.

Ky faktor është kyç në planifikimin sportiv, veçanërisht në lidhje me rinovimet e ardhshme të kontratave dhe lëvizjet e mundshme në pozicione të tjera gjatë verës së ardhshme.

Nga këndvështrimi i lojtarit, opsioni për t’iu bashkuar Charlotte FC është tërheqës. MLS ofron një ambient konkurrues ndryshe, me kërkesa fizike më të ulëta dhe një rol më të rëndësishëm brenda një projekti që synon rritje afatshkurtër./Telegrafi/

Liverpooli bën goditjen e madhe, arrihet marrëveshja për transferimin e yllit ekuadorian



Ndërsa Liverpool vazhdon të mbetet i interesuar për transferimit e mbrojtësit të Crystal Palace, Marc Guehi, duket se Fenway Sports Group (FSG) është pranë finalizimit të një marrëveshjeje për një tjetër qendërmbrojtës, për një shumë të konsiderueshme, sipas një raporti.

Interesimi i Liverpoolit për Guehin është dokumentuar gjerësisht, me burime që bëjnë të ditur se ylli i Crystal Palace është objektivi kryesor për repartin e mbrojtjes për kampionët në fuqi të Ligës Premier në vitin 2026.

Guehi është pa kontratë në fund të sezonit dhe nuk ka ndërmend të rinovojë me klubin londinez.

Megjithatë, sipas Bolavip, nuk është Guehi lojtari që është pranë kalimit te Liverpool, por Joel Ordonez, i cili “është afër të bëhet lojtar i Liverpoolit”, pasi “negociatat janë intensifikuar”.

Ky medium i njohur në SHBA dhe Amerikën e Jugut kishte raportuar më herët se Liverpool ishte “favoriti kryesor” për shërbimet e Ordonez, ndërsa tani ka sjellë një përditësim mbi situatën e mbrojtësit 21-vjeçar të përfaqësueses së Ekuadorit.

Raportohet se Liverpool është gati t’i ofrojë Ordonez një pagë “marramendëse”, rreth 3.5 milionë euro në vit, pothuajse trefishi i asaj që ai përfiton aktualisht te Club Brugge.

Raporti shton gjithashtu se Liverpool do të duhet t’i paguajë mbi 40 milionë euro Club Brugge për transferimin e Ordonez.

Mbrojtësi ka zhvilluar deri tani 105 ndeshje në të gjitha garat me Club Brugge, duke shënuar katër gola dhe dhënë dy asistime.

Ordonez ka kontratë me klubin belg deri në verën e vitit 2029, pasi rinovoi marrëveshjen në shtator të vitit 2025./Telegrafi/

Dy yjet që e shohin të ardhmen e tyre larg Barcelonës



Barcelona e nis vitin 2026 me një situatë të pazakontë në zyrat e klubit.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, klubi e fillon vitin e ri kalendarik me dy lojtarë të ekipit të parë që janë në pozitë të negociojnë lirshëm të ardhmen e tyre: Robert Lewandowski dhe Andreas Christensen.

Kontratat e të dy lojtarëve skadojnë më 30 qershor dhe ata tashmë mund të shqyrtojnë oferta pa pasur nevojë të kalojnë përmes drejtuesve sportivë të klubit.

Rasti i Robert Lewandowskit është më i bujshmi. Në moshën 38-vjeçare, sulmuesi po i afrohet fazës përfundimtare të karrierës së tij me një të ardhme plotësisht të hapur.

Vazhdimësia e tij te Barcelona nuk përjashtohet, por do të varet tërësisht nga vullneti i klubit dhe roli që ata dëshirojnë t’i besojnë sezonin e ardhshëm.

Ai ka shënuar tetë gola në 18 ndeshje zyrtare mes La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit. Megjithatë, roli dhe rëndësia e tij kanë rënë krahasuar me sezonet e mëparshme.

Situata e Andreas Christensen është krejtësisht e ndryshme. Mbrojtësi danez kishte një të ardhme të pasigurt për shkak të aktivizimit të kufizuar, madje duke u kaluar edhe nga zgjidhje të improvizuara në mbrojtje.

Megjithatë, skenari i tij ndryshoi rrënjësisht pas pësimit të një dëmtimi serioz në gju.

Çarja e ligamentit, e cila mund ta mbajë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit, ka ndikuar ndjeshëm në pozicionin e tij në treg.

Christensen është pa kontratë, i dëmtuar dhe vlera e tij sportive është pezulluar në afat të shkurtër./Telegrafi/

Futbollistët që janë të lidhur familjarisht, por pak e dinë dhe nuk ndajnë të njëjtin mbiemër



Në futbollin profesionist ekzistojnë disa raste lojtarësh që kanë qenë pjesë e ekipeve elitare në ligat më të mira dhe që kanë familjarë të cilët gjithashtu kanë arritur të njëjtin nivel, edhe pse jo gjithmonë ndajnë të njëjtin mbiemër.

Në futboll, talenti shpesh trashëgohet. Ka qindra futbollistë që kanë spikatur në nivelet më të larta dhe janë bij, vëllezër apo kushërinj të ish-lojtarëve profesionistë.

Këto raste janë veçanërisht të shpeshta në vende me traditë futbolli si Argjentina, Brazili, Holanda apo Anglia, por edhe në Afrikë.

Kur lojtarët ndajnë të njëjtin mbiemër, lidhja familjare është e qartë, por ka edhe shembuj ku kjo marrëdhënie mbetet pak e njohur për publikun e gjerë.

Më poshtë po rikujtojmë disa raste:

Jay Jay Okocha dhe Alex Iwobi

Ylli i madh nigerian që shkëlqeu me PSG-në dhe u tërhoq në vitin 2008 është xhaxhai i anësorit 29-vjeçar, i cili u formua te Arsenali, luajti për një kohë të gjatë me “Topçinjtë” dhe, që nga mesi i vitit 2023, mban veshur fanellën e Fulhamit në Angli.

Jay Jay është vëllai më i vogël i nënës së Alexit, i cili është gjithashtu nip i Austin Okochës, ish-lojtar i përfaqësueses nigeriane.

Leroy Fer dhe Patrick Van Aanholt

Futbollistët holandezë janë kushërinj. Leroy, i cili ka edhe shtetësi të Curaçaos, u formua te Feyenoordi në Holandë dhe luajti në Premier League, veçanërisht me Swansea City.

Në moshën 35-vjeçare, ai luan për Gulf United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, kushëriri i tij, që luan si mbrojtës i majtë, ka kaluar nga akademia e Chelseat dhe më pas ka veshur fanellat e PSV-së, Galatasarayt dhe Crystal Palace. Aktualisht ai është rikthyer në vendin e tij te Sparta Rotterdam.

McDonald Mariga dhe Victor Wanyama

Futbollistët kenianë janë vëllezër dhe ndajnë të njëjtin mbiemër, edhe pse i pari nuk njihet shpesh me të. Të lindur në Nairobi, kryeqytetin e Kenias, ata kanë vetëm katër vite diferencë moshe.

McDonald, 38 vjeç, është tërhequr nga futbolli pasi ka luajtur për Interin, Parmën dhe Real Sociedadin, ndërsa Victor ka qenë pjesë e Celticut në Skoci, Southamptonit dhe Tottenhamit.

Ai është i lirë që nga mesi i vitit pas largimit nga Dunfermline Athletic në Skoci.

Lomana LuaLua dhe Yannick Bolasie

LuaLua, 44 vjeç dhe aktualisht pa skuadër, ka lindur në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos, dhe është kushëriri më i madh i Bolasies, futbollistit 36-vjeçar që aktualisht luan për Cruzeiron, pas një karriere të gjatë në Ligën Premier.

Sulmuesi ka luajtur gjithashtu për Evertonin, Crystal Palace dhe Sporting Lisbonën, ndërsa kushëriri i tij, po ashtu sulmues, ka kaluar nga Newcastle dhe Olympiacos.

Thiago, Rafinha dhe Rodrigo Moreno

Dihet se ish-futbollistët Thiago Alcantara dhe Rafinha, brazilianë të natyralizuar spanjollë që shkëlqyen në klube elitare si Barcelona dhe Bayern Munich, janë vëllezër.

Por ajo që shpesh anashkalohet është se, edhe pse nuk kanë lidhje gjaku, ata kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me Rodrigo Morenon, sulmues gjithashtu i lindur në Rio de Janeiro dhe i natyralizuar spanjoll.

Kjo për shkak se prindërit e tyre, Mazinho dhe Adalberto Machado, ishin miq shumë të afërt. Vëllezërit janë tërhequr nga futbolli, ndërsa Rodrigo luan aktualisht për Al-Rayyan në Katar./Telegrafi/

10 yjet që mund të befasojnë botën e futbollit dhe të bëhen me klube të reja në afatin e janarit



Afati kalimtar i transferimeve të janarit po afron me shpejtësi, dhe klubet do të jenë sërish në garë për të forcuar skuadrat për gjysmën e dytë të sezonit.

Në tregun dimëror të vitit 2025 janë shpenzuar 1.2 miliard euro në ligat kryesore evropiane dhe në Championship, shifra më e lartë në shtatë vitet e fundit, ku vetëm Manchester City ka shpenzuar 191 milion euro.

Mohamed Salah (Liverpool)

Në prill, Mohamed Salah u shpërblye me një kontratë të re dyvjeçare pas udhëheqjes së Liverpool drejt titullit të dytë në Ligën Premier. Por, rreth nëntë muaj më vonë, i ashtuquajturi “Mbreti Egjiptian” është përballë një largimi të tensionuar që mund të dëmtojë trashëgiminë e tij në ‘Anfield’.

Salah aktualisht është në Kupën e Kombeve të Afrikës me Egjiptin dhe është rikthyer te golat, por klubet e pasura të Arabisë Saudite e kanë identifikuar ende si objektiv.

Për herë të parë këtë sezon, Salah ka treguar shenja dobësimi, që do të thotë se kjo mund të jetë mundësia e fundit për Liverpool për të kërkuar një tarifë të madhe, pasi fuqia negociuese e fituar nga kontrata e re mund të mos zgjasë pas dimrit.

Conor Gallagher (Atletico Madrid)

Në fund të nëntorit, Sky Sports zbuloi se 16 klube të Ligës Premier kanë shfaqur interes për Conor Gallagher që nga transferimi prej 33 milionë eurosh nga Chelsea te Atletico Madrid në gusht 2024, duke treguar vlerësimin e tij të lartë në Angli.

The Guardian raporton se Manchester United po e monitoron gjithashtu Gallagher me synim një huazim në janar, por Atletico preferon një shitje të përhershme dhe dëshiron të rikuperojë investimin fillestar, gjë që mund të hapë mundësi për Tottenham dhe Leeds.

Marc-Andre Ter Stegen (Barcelona)

Marc-Andre ter Stegen u rikthye në fushë për Barcelonën pas tre muajsh mungesë në fitore ndaj Guadalajara në Kupën e Mbretit, pasi u rikuperua plotësisht nga operacioni në shpinë.

Megjithatë, trajneri Hansi Flick bëri të qartë se kjo ishte vetëm një rast i veçantë. Joan Garcia dhe Ëojciech Szczesny janë tani portierët kryesorë në ‘Camp Nou’, ndërsa Ter Stegen iu hoq përkohësisht shiriti i kapitenit në gusht pas refuzimit për të ndarë të dhënat mjekësore me La Liga, çka do të kishte liruar 50% të pagës së tij për regjistrim.

Sipas Mundo Deportivo, nuk duket të ketë rrugë kthimi, me klube nga Turqia dhe Arabia Saudite që mund të ofrojnë një rrugëdalje për Ter Stegen..

Kenan Yildiz (Juventus)

Juventus rrezikon të humbasë asetet e saj më të çmuara. Kenan Yildiz ka kontratë deri në 2029, por ndihet se paga aktuale nuk reflekton rëndësinë e tij në skuadër dhe ka kërkuar një zgjatje që do ta vendoste ndër pagat më të larta të klubit, sipas Tuttosport.

Derisa negociatat për rinovimin nuk kanë pasur përparim, Arsenal raportohet se ka kontaktuar agjentin e Yildiz, Jorge Mendes, për të diskutuar disponueshmërinë e tij.

Ruben Neves (Al-Hilal)

The Times raporton se Ruben Neves po kërkon një rikthim në Ligën Premier pas dy e gjysmë vitesh në Arabinë Saudite me Al-Hilal, të cilët nuk kanë arritur ta bindin ish-yllin e Ëolves të nënshkruajë një zgjatje kontrate.

‘Old Trafford’ është përmendur si “destinacioni i dukshëm” për Neves, për shkak të vështirësive të vazhdueshme të Manchester United në mesfushë, ku skuadra e Amorim ende nuk ka një specialist që mund të kontrollojë ritmin e ndeshjeve.

Antoine Semenyo (Bournemouth)

A ka ndonjë sulmues krahu më të mirë në Ligën Premier aktualisht se Antoine Semenyo? Sipas statistikave dhe vlerësimit vizual, përgjigjja është jo.

Liverpool, Chelsea, Manchester United dhe Tottenham kanë shfaqur nivele të ndryshme interesi për Semenyo para afatit të janarit, kur do të hyjë në fuqi klauzola e tij e lirimit prej 65 milionë eurosh.

Megjithatë, edhe pse Semenyo duket si zëvendësues i përsosur për Salah te Liverpool, konsensusi i zakonshëm tani është se Manchester City po udhëheq garën për nënshkrimin e sulmuesit nga Gana, i cili raportohet se dëshiron të vendosë të ardhmen e tij sa më shpejt të jetë e mundur.

Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund)

Nico Schlotterbeck është një futbollist shumë i kërkuar. Raportohet se Barcelona dhe Real Madrid e kanë ndjekur yllin e Borussia Dortmund për muaj me radhë, ndërsa BILD ka shkruar se Bayern Munich po planifikon të përpiqet ta transferojë mbrojtësin nga rivalët e tyre në Bundesliga, duke e parë atë si një alternativë strategjike për Dayot Upamecano, i cili së shpejti do të jetë lojtar i lirë.

Liverpool gjithashtu raportohet se ka shfaqur interes për 26-vjeçarin gjerman, i cili ka kontratë deri në vitin 2027.

Marc Guehi (Crystal Palace)

Marc Guehi ishte shumë pranë një transferimi prej 35 milionë eurosh te Liverpool verën e kaluar, aq sa kishte xhiruar edhe një video zyrtare për njoftimin, por Crystal Palace e bllokoi marrëveshjen pak para afatit.

‘Të Kuqtë’ mbeten admirues të mëdhenj të tij, por konkurrenca për Guehi është rritur ndjeshëm muajt e fundit, me Daily Mail që raporton se Man City, Bayern Munich dhe Atletico Madrid janë të gjithë të etur për të siguruar nënshkrimin e tij në vitin 2026.

Elliot Anderson (Nottingham Forest)

Mesfushorët defensivë nuk janë më të lirë, të paktën jo në Ligën Premier. Enzo Fernandez, Declan Rice dhe Moises Caicedo kanë kushtuar të gjitha më shumë se 100 milionë euro dhe ylli i Nottingham Forest, Elliot Anderson, mund të jetë i radhës.

Sipas gazetarit të Sky Sports, Florian Pletterberg, ky është çmimi minimal i kërkuar nga Forest për mesfushorin anglez, ndërsa klubi është bërë i vetëdijshëm për interes “konkret” nga Manchester United.

Karim Adeyemi (Borussia Dortmund)

Sipas BILD, Karim Adeyemi i ka bërë me dije drejtuesve të Borussia Dortmund se dëshiron të largohet, me të dashurën e tij që thuhet se po nxit një jetë të re në një qytet të madh evropian.

Sulmuesi gjerman ka ndryshuar agjent dhe ka nisur përpjekjet për një transferim në janar, dhe nuk do të ketë mungesë ofertash kur hapet afati i transferimeve.

Interi është lidhur me një transferim të mundshëm të Adeyemit, ndërsa The Mirror raporton se Manchester United dhe Arsenal janë gati të nisin garën për shërbimet e tij./Telegrafi/

Milani dëshiron të përsërisë ‘formulën e Modricit’ me një yll të Barcelonës



Marc-Andre Ter Stegen gjendet sërish në qendër të tregut europian.

Portieri gjerman po kalon një moment kyç në karrierën e tij dhe e ardhmja e tij te Barcelona po shkakton më shumë dyshime se siguri, një skenar që Milan po e ndjek me kujdes.

Në ‘San Siro’, ata synojnë të përsërisin një formulë të fundit që dha rezultate të menjëhershme: ardhja e një veterani të provuar, qoftë me transferim të lirë apo me një kosto të ulët, i cili është në gjendje të udhëheqë nga dita e parë.

Paraqitja e Luka Modric te Real Madrid është ende e freskët në mendjen e bordit të ‘Rossonerëve’ dhe emri i portierit të Barcelonës përshtatet në këtë plan.

Situata e Ter Stegen Barcelona nuk është më po aq e qëndrueshme sa në sezonet e mëparshme. Edhe pse ai mbetet një pikë reference në dhomën e zhveshjes, klubi po konsideron skenarë të ndryshëm për të ardhmen e afërt.

Milani po ndjek me kujdes çdo lëvizje. Largimi i mundshëm i Mike Maignan, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën, ka ndezur alarmin te drejtuesit italianë.

Klubi është i vendosur të mos marrë vendime të nxituara. Ata kërkojnë një portier të nivelit të lartë, me eksperiencë ndërkombëtare dhe karakter konkurrues.

Ter Stegen plotëson të gjitha këto kritere dhe ofron garanci të menjëhershme. Për më tepër, profili i tij përshtatet me idenë e Milanit për të mbetur pjesë e elitës europiane./Telegrafi/

Modric: Mourinho e bëri Ronaldon të qante te Real Madridi



Mesfushori kroat i Milanit, Luka Modric, deklaroi të mërkurën se Jose Mourinho ishte një trajner kaq i rreptë gjatë kohës së tyre te Real Madrid, sa që njëherë e bëri Cristiano Ronaldon të qante.

“E pashë që e bëri Cristiano Ronaldon të qante në dhomën e zhveshjes, një njeri që jep gjithçka në fushë, vetëm pse një herë nuk i bëri presion mbrojtësit kundërshtar”, tha Modric për gazetën italiane Corriere della Sera.

Ronaldo, tashmë 40 vjeç dhe te Al Nassr, u stërvit nga Mourinho në Madrid për tre vite, nga 2010 deri në 2013 dhe rrëfimi i Modricit për këtë moment emocional pasqyron marrëdhënien e tyre shpesh të tensionuar, e cila është përshkruar në detaje në një biografi të Ronaldos nga gazetar veterani spanjoll Guillem Balague, botuar në vitin 2015.

Modric luajti te Real Madridi me Ronaldon për gjashtë sezone nën drejtimin e Mourinho, Carlo Ancelotti, Zinedine Zidane dhe Rafa Benitez.

Ronaldo, që luajti nëntë sezone për ‘Los Blancos’, është pesë here fitues i Topit të Artë. Me Real Madridin ai fitoi katër herë Ligën e Kampionëve, tre herë Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e UEFA-s, dy herë titullin e La Ligës, dy Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës.

Mourinho ishte trajneri që e transferoi Modricin nga Tottenham Hotspur dhe besimi i tij te mesfushori u shpërblye. Ata fituan së bashku Superkupën e Spanjës, ndërsa ndikimi i Modricit te e ardhmja e Madridit u bë i qartë.

Pavarësisht momenteve të tensionuara, Modric e përshkroi Mourinhon si “të veçantë".

“Si trajner dhe si person, ai ishte ai që më donte te Real Madrid. Pa Mourinhon, unë kurrë nuk do të kisha ardhur. Më vjen keq që e pata vetëm një sezon pranë tij”, ka deklaruar kroati./Telegrafi/

Një klub befasues po punon në prapaskena për transferimin e Mo Salah



Një klub surprizë raportohet se është i interesuar për transferimin e Mohamed Salahut, pas përkeqësimit të marrëdhënies mes egjiptianit dhe trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot.

Salah ndodhet aktualisht në Kupën e Afrikës së Kombeve (AFCON), ku ka ndihmuar Egjiptin të kalojë fazën e grupeve dhe të kualifikohet në raundin e 1/16-ave, duke shënuar dy gola në dy paraqitjet e tij në turne.

Natyrisht, përpara fillimit të turneut, ai dha një intervistë shumë kontroverse për gazetarët në zonën mikse, pas barazimit 3-3 të Liverpoolit në transfertë ndaj Leeds United më 6 dhjetor.

Sipas Teamtalk, disa burime kanë bërë të qartë se Salah ka pak gjasa të largohet nga Liverpool gjatë afatit kalimtar dimëror, i cili hapet më 1 janar, megjithatë po rritet ndjesia se ai mund të largohet gjatë verës.

Megjithatë, një raport ndryshe nga media italiane La Repubblica pretendon se ish-klubi i Salahut, Roma, po “luan me idenë” e një lëvizjeje për golashënuesin që aktualisht nuk është në planet kryesore.

Për shkak të pagës së raportuar prej 400 mijë eurosh në javë, klubi italian e konsideron këtë transferim si një “ëndërr”, ndërsa mbetet gjithashtu e mundur që lojtari të transferohet drejt një klubi nga Arabia Saudite.

Ndërkohë, Football Italia raporton se Liverpool do të ishte i gatshëm të shqyrtonte një marrëveshje huazimi në janar, edhe pse aspekti financiar i marrëveshjes pritet të jetë i vështirë për t’u negociuar.

Salah shënoi 34 gola dhe dhuroi 21 asistime në 83 paraqitje për Romën mes viteve 2015 dhe 2017, përpara se të transferohej te Liverpooli për një shumë të raportuar prej 34 milionë eurosh gjatë asaj vere./Telegrafi/

Ylli i Bayernit kontakton Hansi Flickun për të diskutuar transferimin te Barcelona



Mesfushori i Bayern Munich, Leon Goretzka, duket se do të largohet gjatë kësaj vere, dhe tashmë është bërë e ditur se ai do të ishte i hapur për një transferim në La Liga. Aq më tepër, ai ka qenë në kontakt me trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, lidhur me këtë ide.

Goretzka ka kontratë me Bayernin deri verën e ardhshme dhe, ndonëse klubi bavarez raportohet se po kërkon rinovimin e marrëveshjes së tij, mesfushori me përvojë po shqyrton seriozisht një lëvizje jashtë Gjermanisë.

Tottenham Hotspur, Napoli dhe Atletico Madrid janë lidhur të gjithë me një transferim të mundshëm të Goretzkës, me dy klubet e fundit që thuhet se janë veçanërisht të interesuara për shërbimet e 30-vjeçarit.

Sipas Mundo Deportivo, Goretzka ka qenë në kontakt me Flickun dhe e ka bërë të qartë se do të ishte i lumtur të luante sërish nën drejtimin e tij. Goretzka ishte një nga lojtarët që spikati më shumë te Bayern gjatë periudhës së suksesshme të Flickut në Bavari.

Të dy kanë bashkëpunuar ngushtë edhe më pas, me Flickun që mori drejtimin e kombëtares gjermane, ku kishte nën urdhra edhe Goretzkën.

Edhe pse Barcelona nuk po e konsideron prioritet përforcimin e mesfushës, Flick më herët ka lënë të kuptohet se do të ishte i interesuar për një transferim të Goretzkës.

Në janarin e kaluar, kur blaugranët po kalonin vështirësi, Flick ishte i prirur të sillte një mesfushor dominues dhe kishte shprehur interes të madh për një huazim të Goretzkës në atë periudhë./Telegrafi/

Bashkëlojtari i Mo Salah dënohet me një vit burg për mashtrim



Një lojtar i kombëtares egjiptiane, i cili më parë ka luajtur përkrah Mohamed Salahut dhe ka pasur edhe një periudhë në Ligën Premier, është dënuar me një vit burg.

Raporte të ndryshme nga Egjipti kanë bërë të ditur se sulmuesi i Pyramids FC, Ramadan Sobhi, është dënuar me një vit burg, përfshirë punë të detyruar, për shkak të një çështjeje mashtrimi në provime, në të cilën ai dhe tre persona të tjerë janë akuzuar.

Sipas Egypt Independent, Gjykata Penale e Gizës e shpalli dënimin të martën (30 dhjetor), pasi i pandehuri u përball me akuza për lehtësimin e personifikimit në një institut privat, duke lejuar persona të tjerë të jepnin provime në vend të studentëve, në këmbim të përfitimeve financiare.

Personi që kishte dhënë provimet në vend të të pandehurit tjetër mori të njëjtin dënim.

Sobhi u arrestua në korrik, pasi u kthye nga Turqia, ku ishte duke u stërvitur, pas akuzave për falsifikim dokumentesh lidhur me provime në turizëm dhe hoteleri në një kolegj në Giza.

Dy të pandehur, përfshirë Sobhin, u dënuan me nga një vit burg dhe punë të detyruar, ndërsa një tjetër i pandehur, i cili sipas Sportstar është në arrati, u dënua me 10 vjet burg, por nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Një roje sigurie u shpall i pafajshëm.

Sobhi përballet gjithashtu me një pezullim katërvjeçar pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) konfirmoi shkelje të rregullave antidoping në nëntor 2025, me testin e kryer në mars 2024.

Sulmuesi 28-vjeçar ka zhvilluar 37 ndeshje me kombëtaren e Egjiptit dhe ka përfaqësuar dy klube të atëhershme të Ligës Premier, duke luajtur 46 ndeshje për Stoke City dhe më pas katër ndeshje për Huddersfield Town./Telegrafi/

Zyrtare: Kushtrim Shabani i bashkohet Ferizajt



Ferizaj ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kushtrim Shabani, duke forcuar repartin e mesfushës së skuadrës bardhekaltër.

Shabani, i cili më parë ka qenë pjesë e Gjilanit, ka luajtur së fundmi për Llapin, ku ka treguar eksperiencë dhe stabilitet në lojën e tij.

Me këtë transferim, Ferizaj synon të shtojë cilësi dhe siguri në mesfushë për sezonin aktual.

Njoftimi i plotë i Ferizajt:

FC Ferizaj ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kushtrim Shabani.

Kushtrimi ka qenë më herët pjesë e SC Gjilanit, ndërsa së fundmi ka luajtur për KF Llapi.

Ai sjell me vete eksperiencë, stabilitet dhe cilësi në repartin e mesfushës.

I urojmë mirëseardhje Shabanit në Ferizaj dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltë./Telegrafi/

Legjenda e Real Madridit përfundon në spital pasi pësoi sulm në zemër



Ish-mbrojtësi i majtë i Real Madridit dhe i Brazilit, Roberto Carlos, po rikuperohet në spital pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Roberto Carlos, 52 vjeç, e kreu ndërhyrjen kirurgjikale në Brazil, pasi fillimisht ishte shtruar në spital për të kryer ekzaminime në këmbë.

Burime pranë fituesit të Kupës së Botës 2002 kanë bërë të ditur se ai ndodhet tashmë në proces rikuperimi.

Roberto Carlos i dha fund karrierës së tij si futbollist në vitin 2012, pas një karriere profesionale që zgjati 21 vite dhe përfshiu periudha te Palmeiras, Inter, Real Madrid, Fenerbahce, Corinthians dhe Anzhi Makhachkala.

Ai kaloi 11 vite te Real Madridi, nga 1996 deri në 2007, duke fituar katër tituj të La Ligës dhe Ligën e Kampionëve në tri raste. Aktualisht, ai mban një rol ambasadorial në klub.

🚨 Roberto Carlos has been hospitalized after suffering a heart attack in Brazil.

He is now out of danger, but is still under observation at the hospital. @elchiringuitotv

PRAYERS UP AND SPEEDY RECOVERY. 🙏 pic.twitter.com/Q9WIQC0Dhy
— Madrid Zone (@theMadridZone) December 31, 2025

I konsideruar gjerësisht si një nga mbrojtësit e majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit, Roberto Carlos zhvilloi 125 ndeshje me kombëtaren e Brazilit nga viti 1992 deri në 2006.

Ai ishte pjesë e ekipit brazilian që fitoi Kupën e Botës në vitin 2002 dhe që arriti në finale në vitin 1998, ndërsa në dhjetor u pa edhe në shortin e Kupës së Botës 2026 në Uashington DC.

Ish-reprezentuesi brazilian ishte i njohur për aftësitë e tij në goditjet standarde, me golin e shënuar ndaj Francës në vitin 1997 që shpesh cilësohet si goditja e dënimit më e bukur e të gjitha kohërave.

Ai u rikthye për pak kohë nga pensionimi në vitin 2015, si pjesë e një roli lojtar-trajner te skuadra indiane, Delhi Dynamos, përpara se të largohej nga klubi në vitin 2016./Telegrafi/

Real Madridi finalizon marrëveshjen me sulmuesin – së shpejti pritet njoftimi



Real Madrid nuk do të bëjë asnjë përforcim gjatë afatit kalimtar dimëror, por mund të ketë një njoftim në lidhje me një kontratë të re.

Zyrtarët e klubit kanë rinovuar kontratat e disa lojtarëve gjatë 12 muajve të fundit, dhe njëri prej tyre ka qenë Brahim Diaz.

Brahim, i cili aktualisht po shkëlqen me Marokun në Kupën e Afrikës së Kombeve, ka pasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta këtë sezon, por pavarësisht kësaj, ai mbetet një pjesë e vlerësuar e skuadrës së Xabi Alonsos.

Kjo është bërë e qartë nga fakti se ai ka rënë dakord për një kontratë të re gjatë verës, siç raporton Marca.

Ishte në muajin qershor që Brahim arriti një marrëveshje me Real Madridin për të zgjatur qëndrimin e tij në klub.

Kontrata e tij e mëparshme ishte parashikuar të skadonte pas 18 muajsh, gjë që do të kishte krijuar pasiguri për të ardhmen e tij, veçanërisht duke pasur parasysh se nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar apo prezantim nga klubi.

Real Madrid e konsideron Brahimin një lojtar të rëndësishëm, ndaj edhe e ka lidhur atë me klubin për disa vite të tjera.

Koha për ta bërë rinovimin zyrtar do të vijë, por kjo nuk do të ndodhë të paktën deri pas përfundimit të Kupës së Kombeve të Afrikës./Telegrafi/

Kandidati për president i Barcelonës zbulon planin strategjik për rikthimin e Messit



Në vitin 2026, Barcelona do të zhvillojë zgjedhjet e radhës për president, me një numër kandidatësh të vendosur për të rrëzuar Joan Laportën.

Njëri prej tyre është Marc Ciria, fushata e të cilit mban emrin “Moviment 42”.

Ciria, me formim në ekonomi dhe financë, e sheh veten si kandidatin ideal për të zgjidhur problemet financiare të Barcelonës.

Siç i ka thënë ai Sport, këtë synon ta realizojë duke rikthyer Lionel Messin në klub, i cili ka një marrëdhënie të vështirë me Laportën.

“Leo Messi është një figurë globale. E vërteta është se ai ngjall zili, dhe ne duhet të marrim shembull nga shumë gjëra, sepse ai ka profesionistë të nivelit më të lartë në çdo aspekt”.

“Pra, kjo nuk ka të bëjë me të shkuarit për të ngrënë një barbecue, por me propozimin e një projekti real, në të cilin Leo Messi është një partner strategjik për klubin”.

“Rrethi dhe njerëzit që marrin vendime bashkë me Leo Messin kanë një projekt për të që ai të jetë partner strategjik në të gjitha fushat ku ne kemi urgjentisht nevojë të rrisim të ardhurat”.

“Vetëm një fakt: aktualisht ne po gjenerojmë 994 milionë euro të ardhura. Në vitin financiar 2017/18, me atë që për mua ishte bordi më i keq drejtues në historinë e klubit, ne gjeneronim 990 milionë euro”.

“Nëse aplikojmë vetëm inflacionin dhe koston e jetesës, Barça sot duhet të ishte në 1.2 miliardë euro të ardhura”.

“Ose e kuptojmë që Leo Messi është strategjik, jo për sot, por për të ardhmen e klubit dhe për të mbrojtur e ruajtur modelin e pronësisë, ose nuk po e kuptojmë botën e sportit”, ka deklaruar ai./Telegrafi/

Kroos me zgjedhje surprizë për Botërorin: Keni kujdes nga kjo kombëtare



Toni Kroos ka përmendur Marokun si një befasi të mundshme për Kupën e Botës 2026, përkrah pretendentëve të zakonshëm kryesorë nga Evropa.

Gjatë një bisede me ikonën braziliane Romario, Kroos u pyet për favoritët e tij për turneun që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Maroku, zgjedhje surprizë. Dhe nuk do të them Brazili, edhe pse nëse fitojnë, është në rregull”, ka deklaruar Kroos.

Përveç kësaj zgjedhjeje të papritur, Kroos përmendi Spanjën, Portugalinë dhe Francën si favoritët kryesorë, por theksoi se Maroku mund të sfidojë sërish pritshmëritë.

Ai duket se i rendit ata madje përpara Gjermanisë, duke vlerësuar cilësinë teknike dhe përmirësimet e fundit të skuadrës.

Përfaqësuesja e Afrikës së Veriut arriti gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022 dhe ka nisur fuqishëm edhe Kupën e Kombeve të Afrikës, duke mposhtur Zambinë 3-0.

Kroos gjithashtu kritikoi formatin e zgjeruar të Kupës së Botës me 48 ekipe, duke thënë: “Nuk jam tifoz i rezultateve 5-0 apo 6-0”./Telegrafi/

Kaos në AFCON, Uganda detyrohet të përdorë tre portierë në 11 minuta



Uganda përdori të tre portierët e saj kundër Nigerisë në një ndeshje kaotike të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Uganda kishte nevojë patjetër për fitore ndaj Nigerisë për të kaluar në raundin tjetër. Shpresat e saj për kualifikim u goditën që në pjesën e parë, kur Nigeria kaloi në epërsi me golin e Paul Onuachu. Ata shënuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, me Raphael Onyedik që realizoi dopietë.

Sulmuesi i Ugandës, Rogers Mato, ngushtoi diferencën 15 minuta para fundit të ndeshjes.

Sfida u bë e vështirë për “The Cranes” që në fillim, pasi situata u përkeqësua kur portieri titullar Denis Onyango pësoi një përdredhje të kyçit të këmbës në rezultatin 0-0, teksa përpiqej të shmangte një goditje nga këndi.

Onyango, 40 vjeç, vazhdoi lojën pavarësisht dhimbjeve dhe madje bëri edhe një pritje vendimtare për të ndalur ish-sulmuesin e Southamptonit, Paul Onuachu. Megjithatë, ai u mposht në minutën e 28-të, kur Onuachu hapi serinë e golave.

🚨 𝗜𝗡𝗖𝗥𝗘𝗗𝗜𝗕𝗟𝗘! All THREE GOALKEEPERS for Uganda played today against Nigeria. 🤯🇺🇬

🤕 46': First-choice goalkeeper Denis Onyango was injured

🟥 56': Second-choice goalkeeper Salim Magoola was sent off after making a save outside the penalty area

🧤 57': Third-choice… pic.twitter.com/7BQkpFW8AW
— Football Tweet ⚽ (@Footballtweet) December 30, 2025

Para pushimit, Onyango kishte nevojë për trajtim shtesë dhe në pjesën e dytë u zëvendësua nga Salim Jamal Magoola.

Por paraqitja e Magoolës zgjati vetëm 11 minuta. Ai u ndëshkua me karton të kuq direkt pasi preku topin me dorë jashtë zonës, duke dalë për të ndalur sulmuesin yll Victor Osimhen.

Si pasojë, portieri i tretë, Nafian Alionzi, u aktivizua në mënyrë të papritur.

Ai u mposht vetëm tre minuta pas hyrjes në lojë. Raphael Onyedik, i Club Brugge, shënoi duke ia kaluar topin mes këmbëve në minutën e 62-të dhe realizoi golin e dytë personal vetëm pesë minuta më vonë.

Uganda u eliminua kështu nga AFCON pasi përdori të tre portierët në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve./Telegrafi/

❌