MJEKËSI -Studim: Kanabisi mjekësor nuk funksionon për shumicën e sëmundjeve
LONDËR, 28 dhjetor /ATSH/- Një rishikim i gjerë shkencor sugjeron se, pavarësisht përdorimit gjithnjë e më të madh, ka prova të pamjaftueshme shkencore që kanabisi mjekësor të jetë efektiv për shumicën e gjendjeve për të cilat promovohet. Megjithatë, disa shkencëtarë kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e gjetjeve të studimit, sipas “ScienceAlert”.
Studiues në SHBA analizuan 124 studime, të përzgjedhura nga mbi 2 500 punime të publikuara mes janarit 2010 dhe dhjetorit 2025.
Rishikimi konfirmoi se kanabisi mjekësor duket se është efektiv për disa pak gjendje, për të cilat Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka miratuar tashmë përdorimin.
Këto përfshijnë uljen e të përzierave dhe të vjellave nga kimioterapia, përmirësimin e oreksit te pacientët me HIV, si dhe trajtimin e disa çrregullimeve të rënda të krizave epileptike te fëmijët.
Por, sipas studimit, këto raste janë përjashtim, jo rregull.
“Provat nga provat klinike të randomizuara nuk e mbështesin përdorimin e kanabisit apo kanabinoidëve për shumicën e gjendjeve, për të cilat promovohet, si dhimbja akute dhe pagjumësia, shkruajnë autorët.
Rishikimi thekson gjithashtu rreziqe të mundshme shëndetësore nga përdorimi i shpeshtë i kanabisit të thithur ose me potencë të lartë, përfshirë rritjen e rrezikut për simptoma psikotike, çrregullim të përgjithësuar ankthi dhe sëmundje kardiovaskulare.
“Ndërsa shumë njerëz i drejtohen kanabisit duke kërkuar lehtësim, rishikimi ynë nxjerr në pah hendekë të mëdhenj mes perceptimit publik dhe provave shkencore për efektivitetin e tij në shumicën e gjendjeve mjekësore”, tha autori kryesor Michael Hsu, studiues klinik në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA).
“Nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë përfitimet dhe rreziqet e kanabisit mjekësor”, theksoi Hsu.
“Duke mbështetur studime më rigoroze, mund të ofrojmë udhëzime më të qarta dhe të përmirësojmë kujdesin klinik për pacientët”, përfundoi ai. /Ad.Ab./
The post MJEKËSI -Studim: Kanabisi mjekësor nuk funksionon për shumicën e sëmundjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.