Milani ndalet me barazim në shtëpi nga Genoa

Milani ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Genoas në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit italian.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen më mirë dhe që në minutat e para krijuan rrezik serioz. Në minutën e 8-të, Matteo Gabbia u ngrit lart pas një harkimi nga këndi, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa, duke shpëtuar Genoan nga pësimi i hershëm i golit.
Genoa reagoi dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 28-të. Ruslan Malinovskyi dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa Lorenzo Colombo përfitoi dhe me një goditje të shpejtë e dërgoi topin në cepin e poshtëm të majtë të portës për rezultatin 1-0.
Në pjesën e parë pati edhe momente polemike, kur Genoa kërkoi penallti në minutën e 18-të, por gjyqtari Maurizio Mariani vlerësoi se ndërhyrja ishte e rregullt dhe loja vazhdoi.
Në pjesën e dytë, Milani shtoi presionin dhe barazimi erdhi në minutën e 58-të. Pas një goditjeje nga këndi, Matteo Gabbia fitoi duelin ajror, ndërsa Christian Pulisic ishte në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë dhe për të barazuar rezultatin në 1-1.
Megjithatë, gëzimi i kuqezinjve zgjati pak. Vetëm disa minuta më vonë, Milani realizoi sërish, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të një prekjeje me dorë në fazën ndërtuese të aksionit.
Milani pati edhe një tjetër mundësi të artë për të kaluar në epërsi, kur Davide Bartesaghi u gjend para portës pas një topi të kthyer, por goditja e tij përfundoi ngushtë jashtë.
Kur dukej se Milani do të mposhtet, në skenë doli Rafael Leao i cili në minutën e 93-të realizoi një gol të mrekullueshëm për epilogun përfundimtar 1-1.
Në minutën e 96-të Genoa fitoi penallti, por Nicolae Stanciu dështoi të shënojë nga pika e bardhë duke goditur mbi traversë.
Pas këtij barazimi, Milani shkon në kuotën e 39 pikëve dhe aktualisht pozicionohet në vendin e dytë në tabelë./Telegrafi/






































