Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Protesta në Siri/ Tre të vrarë dhe 60 të plagosur, alavitët rebelohen kundër qeverisë

Të paktën tre persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën të dielën gjatë protestave në Latakia të Sirisë.

Përplasjet në zonën ku jetojnë alavitët ishin të dhunshme dhe u përshkallëzuan në të shtëna me armë zjarri.

Siria është tronditur nga disa episode të gjakderdhjes sektare që kur udhëheqësi i hershëm Bashar al-Assad, i cili vjen nga pakica myslimane alavite, u rrëzua nga një ofensivë rebele vitin e kaluar dhe u zëvendësua nga një qeveri e udhëhequr nga sunitët.

Mijëra protestues alavitë u mblodhën të dielën në sheshin Azhari në qytetin Latakia për të kërkuar një sistem politik të decentralizuar në Siri dhe lirimin e mijëra të burgosurve alavitë.

Rreth dy orë pas fillimit të protestës, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan nga një vendndodhje e paidentifikuar. Forcat e sigurisë më pas qëlluan në ajër dhe protesta u shndërrua në kaos, me demonstruesit që transportonin të plagosurit në këmbë.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një anëtar i forcave të sigurisë u vra nga të shtënat me armë zjarri nga ato që i cilësoi si mbetjet e armatosura të ish-regjimit.

Pak ditë më parë tetë persona u vranë kur një bombë shpërtheu në një xhami alevite në qytetin e afërt të Homsit./abcnews.al

Amnistia penale/ Lamallari: Lirohen 380 të burgosur, për 900 të tjerë ulje dënimi

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, komunikoi nismën e Qeverisë Shqiptare për amnistinë e ndërmarrë si një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane.

Pjesë e një politike penale moderne, që synon rehabilitimin, uljen e mbipopullimit në burgje dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%.

“Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë për miratimin e një amnistie penale. Ky lajm i mirë është urimi më i mirë i këtij fundviti. Aministia është politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale. Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, theksoi Lamallari ndër të tjera./abcnews.al

Festat e fundvitit, shteti në këmbë/ Fluks në Kakavijë, shtohet personeli dhe sportelet

Në Pikën Kufitare të Kakavijes drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar zbatimin e masave të përcaktuara në planin e posaçëm për fundvitin.

Dy drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit inspektuan  masat  e marra nga forcat blu në Kakavije për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike në doganën e Kakavijës.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj foli per bashkepunimin me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.

Janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.

Dhimitraq Ziu, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike theksoi se Shërbimet e policisë së Rendit do të jene në gadishmëri edhe natën e ndërrimit të viteve.

Efektivët e Shqiponjave, Reneas dhe Forcës Kombëtare do të jenë në gadishmëri për t’ju përgjigjur situatave

Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10.5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj./abcnews.al

Ukraina godet me dronë rafinerinë ruse të naftës

Ushtria ukrainase deklaroi se ka sulmuar rafinerinë e naftës Syzran të Rusisë në një sulm me dron gjatë natës.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit thotë se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen.

Deklarata tregoi gjithashtu se një sulm i kohëve të fundit ukrainas në rafinerinë e naftës në Volgograd kishte dëmtuar një tubacion dhe pajisje për prodhimin e lubrifikantëve.

Gazeta Moscow Times tha se banorët raportuan se dëgjuan deri në gjashtë shpërthime.

Gjithashtu u theksua se një sulm thuhet se goditi një instalim kyç të përdorur për përgatitjen e naftës bruto./abcnews.al

Liverpool fiton për Diogo Jota/ “The Reds” zbresin në “Anfield” me tre fëmijët e ish sulmuesit

Liverpool është më shumë se një klub futbolli. Është një familje e vërtetë, ndërsa himni legjendar “You ëill never ëalk alone” e ka mishëruar edhe një herë këtë gjë.

Futbollistët në fushë dhe tifozët në tribunat e “Anfield Road” dhuruan një tjetër skenë që kalon kufijtë e sportit.

Me këndën “ju kurrë nuk do të ecni vetëm”, ata mirëpritën tre fëmijët e Diogo Jota, ish sulmuesit portugez, që humbi jetën më 3 korrik në moshën 28 vjeçare, bashkë me vëllain e tij në një aksident automobilistik.

Liverpool nderoi më pas edhe sportivisht kujtimin e Diogo Jota, duke fituar 2-1 ndeshjen kundër Wolves, skuadra e parë që e transferoi portugezin në Premier League.

Në një sfidë të mbushur me emocione të mëdha, të zotët e shtëpisë mbyllën garën që në pjesën e parë.

Në vetëm dy minuta, në fillim Gravenberch dhe më pas Florian Virtz vendosën epërsinë e dyfishtë, përpara se skuadrat të ktheheshin në pushimin e ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, miqtë vetëm sa ngushtuan diferencën me Bueno, por nuk prishën festën e Liverpool, që duket se ka hedhur pas krahëve nisjen zhgënjyese që i bëri këtij sezoni.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Arne Slot, që ngjitet në vendin e katërt të klasifikimit në Premier League dhe ka në dorë, të paktën për momentin biletën e fundit për në edicionin e ardhshëm të Champions. /abcnews.al

Juventus është për titull/ Fitore 2-0 në Pisa, afrim me kreun ndonëse me ndeshje tepër

Është ende shpejt për konkluzione.

Gjithsesi, mediat në Itali po shkruajnë se ky Juventus po shkakton frikë, si dhe që një lojtar si Edon Zhegrova ka nisur të ndikojë fort.

Kjo ishte historia e ndeshjes së Serisë A në fushën e Pizës, që rezultoi shumë e vështirë, ndonëse në fund u fitua 2-0.

Golat nga Kalulu dhe Kenan Jildiz bënë që të liheshin pas momentet e vështira kur Piza goditi dy herë shtyllën dhe ishte më pranë fitores se “Zonja e Vjetër”.

Në një sfidë, ku Juvja bëri më shumë, por mund të ishte ndëshkuar, u desh hyrja në fushë në 62’ e yllit të Kosovës që të merreshin tri pikët.

Zhegrova nisi me autoritet dhe klas aksionin e golit të parë të Kalulut, dhe e kërcënoi shpesh portën e vendasve.

Në fund, në minutat shtesë Jildiz përfundoi nga dy hapa aksionin e gjatë të piemontezëve.

“Zonja Po, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juvja vuan dhe fiton. Spaleti ndryshon, Zhegrova i jep shkundjen ekipit, Kalulu e Jildiz shënuan!”

“Ja ku jemi, – shkruan në mënyrë triumfale e përditshmja e Torinos, “Tutosport”, – hyrja e Zhegrovës I dha shkundjen ekipit pas disa drithërimave!”

Juventus ka 32 pikë, duke qenë pranë kreut të Serisë A, ndonëse ka luajtur më shumë ndeshje sesa Milani, Interi e Napoli.

Gjithsesi, trajneri Luçiano Spaleti e ka kthyer në garë për titull./abcnews.al

“Mitaj nuk do të largohet”/ Al Ittihad hedh poshtë lajmet për transferimin e yllit kuqezi

Për ta ky rast nuk ekziston.

Al Itihad nuk është në dijeni se ka ndonjë mundësi që Mario Mitaj të largohet në janar apo kurdo qoftë.

Zëdhënësi I klubit, Rijad Al Mazhar i ka hedhur poshtë lajmet mediatike se shqiptari mund të transferohet në janar.

Gjithsesi, gazetat në kryeqytetin e Arabisë Saudite shkruajnë se Al Itihad është në bisedime me Lacion për mbrojtësin portugez, Nunjo Tavares, që luan në pozicionin e Mitajt.

Po ashtu, për yllin kuqezi po bëhen kritika për gabime gjatë ndeshjeve, që mund t’i kushtojnë ekipit, edhe pse paraqitja e tij përgjithësisht është mjaft e mirë.

Lajmet dolën që Mitaj mund të largohet nga Arabia Saudite në janar.

Ky njoftim u dha nga gazetari saudit, Mohamed Al Bakr, që njoftoi se kampionët saudite janë në bisedime për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë, ndonëse nuk jepet emri i klubit që e kërkon.

Gazetari thekson se ky lajm nuk do t’u pëlqejë tifozëve, dhe duket I habitshëm sepse Mitaj është kthyer në një lojtar kyç të ekipit nga kryeqyteti Riad.

Al Itihad ia bleu kartonin para një vit për rreth 4 milionë euro, ndërsa besohet se do të fitojë shumë më tepër në rast se mbrojtësi shqiptar largohet.

Mitaj fitoi vjet titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, duke qenë ndër më të mirët, ndonëse pati dëmtim në fillim të vitit, dhe vazhdon të jetë protagonist./abcnews.al

Takimi në Mar a Lago për garanci sigurie/ Trump-Zelensky, diskutimet edhe për territoret ukrainase

Presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky takohet këtë të diel me homologun e tij amerikan Donald Trump, në Mar a Lago në Florida.

Zelensky ka thënë se shpreson për një diskutim konstruktiv me Trump, në lidhje me garancitë e sigurisë, pasi Ukraina kërkon siguri se Rusia nuk do të rifillojë sërish agresionin.

Një çështje tjetër e rëndësishme për t’u diskutuar janë territoret ukrainase. Në qendër të përpjekjeve të Ukrainës për të anuar bisedimet në favor të saj është një plan me 20 pika, të cilin Zelensky thotë se është rreth 90% gati.

Rusia e ka bërë të qartë vazhdimisht qëndrimin e saj kundër çdo pranie ushtarake europiane në Ukrainë.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, i paralajmëroi edhe një herë aleatët e Ukrainës kundër vendosjes së një force në vend në rast të një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se një kontingjent i tillë do të ishte një objektiv legjitim.

Nga ana tjetër kreu i Kremlinit, Vladimir Putin paralajmëroi se nëse Ukraina nuk bie dakord për një zgjiedhje paqësore të konfliktit, Rusia do i arrijë qëllimet e saj me mjete ushtarake.

Moska e sulmoi sërish Ukrainën edhe në fundjave me qindra dronë dhe raketa. Bombardimet lanë disa të plagosur dhe mijëra familje pa energji elektrike.

Nga ana tjetër, Ushtria e Ukrainës ka thënë se sulmoi rafinerinë e naftës Sizran të Rusisë.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit tha se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen./abcnews.al

Fundviti gjen Krujën plot me turistë/ Vizitorë vendas e të huaj preferojnë muzeun dhe pazarin karakteristik

Turistë vendas e të huaj  kanë zgjedhur ta kalojnë të dielën e fundit të këtij viti në Krujë.

Piktori Xhemali Nova i cili çdo ditë hedh në tablo pjesëza të qytetit tregon se numri i vizitorëve në dimër është shtuar.

Pazari karakteristik dhe muzetë, ai kombëtar dhe etnografik  janë ato që tërheqin më shumë të huajt.

“Është një qytet antik, shumë mbresëlënës. Shqipëria është e bukur.”

“Më pëlqen. Është bukur. Është e katërta herë që vijmë në Shqipëri.”

Kombinimi I historisë, kulturës dhe natyrës e ka  kthyer Krujën në një prej qyteteve më të vizituara.

Turistët e bëjnë pjesë të gudiave të tyre  gjatë vizitës në Shqipëri./abcnews.al

Djegia e autobusëve, zjarri aksidental/ Policia e Durrësit zbardh shkakun: Shkëndijë elektrike në një bateri

Flakët që shpërthyen  mesditën e të  shtunës në një pikë parkimi autobuzësh jashtë funksioni në Fllakë të Durrësit sipas policisë ishin aksidentale.

Referuar  hetimeve  paraprake policia thotë se dyshon  se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobuzëve.

Flakët u përhapën më shpejtësi pasi një pjesë e autobuzëve ishin mbushur me goma duke shkaktuar   tym toksik që u përhap  deri pranë qytetit të Durrësit.

Zjarrëfikësit  shkuan në vendngjarje pas njoftimit të disa  qytetarëve duke shuar  zjarrin prej të cilit  mbetën të djegur tetë autobuzë  që ishin në park jashtë përdorimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për ngjarje aksidentale./abcnews.al

A duhet të rihapet “Durrës-Kukës”? Karanxha: Hetimet gjetën vepër penale nga Lulzim Basha, dëmi real mbi 600 milionë euro

Ish prokurori që ka hetuar dosjen “Durrës-Kukës”, Ervin Karanxha thotë se kjo çështje duhet të rihapet nga SPAK.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Karanxha u shpreh se ka pasur vepër penale të kryer nga ish ministri i Transporteve, Lulzim Basha.

Karanxha u shpreh se dëmi real është mbi 600 milionë euro.

“Kjo është çështje shumë e rëndësishme. Kallëzimi ka ardhur nga inxhinieri Arben Meçe. Prokuror kam qenë unë. Kishim të bënim me një vlerë dëmi 230 milionë euro. Dyshohet se dëmi është më i madh sepse rruga nuk pati punime përfundimtare. U bënë dhe aktet e ekspertimit. Çështjen e kemi pasur me prioritet. Konstatuam se kishte shkelje ligjore, vepër penale të kryer nga ish ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Më pas kemi shpallur moskompetencë dhe çështjen e kemi transferuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Çështja shkoi jashtë afatit dhe u pushua. Dosja u mbajt me qëllim nga Ina Rama, që të dalë jashtë afatit. Gjykata e Lartë është shprehur te një vendim i shfuqizuar, provat e marra jashtë afatit të hetimit nuk mund të quhen. Është dëm i madh i buxhetit të shtetit. Mendoj se dëmi është i madh, mund të jetë mbi 600 milionë euro. Mos të harrojmë, euro atëherë ka qenë shumë e fortë. Ligji ka ndryshuar. Mund të rifillojë si rasti i Mediut. Nuk ka asnjë pengesë ligjore që kjo çështje të rihetohet”, theksoi ai./abcnews.al

Kaliforni, 3 viktima nga stuhia/ Anulohen mijëra fluturime nga aeroportet kryesore

Tre persona kanë humbur jetën në Kaliforni si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që përshfshin Shtetin Amerikan përgjatë Krishtlindjeve.

Stuhitë të cilat pritet të  vijojnë edhe përgjatë fundjavës sollën bllokim të rrugëve kryesore në Los Angeles duke veshtirësuar evakuimin e qindra familjeve.

Sherbimet e emergjencave civile kryen dhjetëra shpëtime duke përfshirë personat e bllokuar në automjete për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Përmbytjet shkaktuan dëme edhe në linjat e energjisë elektrike me mbi 100 mijë familje dhe biznese që mbetën pa rrymë. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom kishte shpallur gjendjen e emergjencës që prej mëngjesit të së mërkurës për shkak të paralajmërimeve për stuhi të forta shiu.

Viktimat që humbën jetën si pasoje e motit të keq ishin një burrë 64 vjeçar ne San Diego, një burrë 74 vjeçar në qytetin Redding dhe një grua 70 vjeçare e cila ndërroi jetë si shkak i rrëshqitjeve të dheut në banesën e saj.

Zona më e prekur nga rrëshiqtjet e dheut ishte Atladena, shumë pranë Los Angeles. Kryebashkiakja e këtij qyteti, Karen Bass ka paralajmëruar qytetaret që të tregojnë kujdes maksimal në udhëtimet  e tyre.

Stuhitë e shiut dhe përmbytjet në Kaliforni vijnë pasi ky shtet Amerikan u përball me zjarre shkatërruese përgjatë verës që preken edhe zonat urbane duke shkaktuar dhjetëra miliona dollarë dëme në shtëpi dhe biznese./abcnews.al

Zelensky: Gati për kompromis, por…! Presidenti ukrainas: Lëshimi i territoreve kërkon referendum

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sinjalizoi se është i gatshëm për kompromis në këmbim të fundit të luftës me Rusinë, para takimit të tij me Donald Trump këtë të diel në Shtetet e Bashkuara.

Zelensky tha në një intervistë për Axios se është i gatshëm të mbajë një referendum për lëshimet territorial, nëse Rusia pranon një armëpushim prej të paktën 60 ditësh.

Kushtetuta e vendit nuk lejon shkëmbimin e territoreve, prandaj një hap I tillë do të kërkonte votën e qytetarëve. Por komentet e fundit të Zelensky tregojnë se ai është i gatshëm të konsiderojë çdo gjë në tryezë.

Edhe pse do të donte të negocionte një pozicion më të mirë në lidhje me territorin, plani kërkon një vendim të vështirë dhe besimi i tij se rruga më e mirë është që propozimi me 20 pika të kalojë në referendum.

Por siç theksoi ai për Axios, mbajtja e votimeve ka ndërlikime të mëdha politike, logjistike dhe sigurie dhe kjo është arsyeja pose një armëpushim është i nevojshëm për të organizuar referendumin.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha Axios se rusët e kuptojnë nevojën për një armëpushim nëse Zelensky thërret një referendum, por duan një afat kohor më të shkurtër.

Megjithatë lideri ukrainas theksoi se ende nuk është e qartë për të nëse Rusia është e përgatitur të bjerë dakord me planin e Donald Trump për paqen.

Zelensky udhëton drejt Shteteve të Bashkuara në fundjavë, ku do të takojë homologun amerikan për të diskutuar detajet e një propozimi që ai tha se mund të kthehet në një marrëveshje para fundit të vitit.

Ai tha se shumica e aspekteve të marrëveshjeve dypalëshe mes Kievit dhe Uashingtonit tani janë përcaktuar dhe janë kodifikuar në pesë dokumente, megjithëse mund të shtohet një e gjashtë.

Zelensky tha se qëllimi i takimit të me Trump është të përdorin të gjithë progresin e bërë nga ekipet e tyre për të vendosur një kornizë për përfundimin e luftës./abcnews.al

Rusia po zhvendos raketa balistike hipersonike në ish-bazën ajrore në Bjellorusi

Rusia duket se po ecën drejt instalimit gradual të raketave të reja balistike hipersonike të cilat janë të afta të mbajnë koka bërthamore në një ish-bazë ajrore në Bjellorusinë lindore.

Ky zhvillim mund të rrisë ndjeshëm aftësinë e Moskës për të goditur objektiva në të gjithë Evropën.

Sipas agjencisë Reuters, këtë përfundim e nxjerrin dy studiues amerikanë, të cilët kanë analizuar imazhe satelitore.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur më herët synimin për të vendosur në Bjellorusi raketa me rreze të mesme të tipit Oreshnik, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 5.500 kilometra, pa bërë të ditur deri më tani vendndodhjen e saktë.

Sulm me thikë në metronë e Parisit, 3 persona të plagosur

Një sulm me thikë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në metronë e Parisit.

Mediat raportuan se janë plagosur tre gra dhe lajmi u konfirmua nga autoritetet franceze, por pa dhënë detaje të hollësishme mbi shkaqet e sulmit.

Sipas informacionit të transmetuar nga Agjencia France-Presse, zyra e prokurorit njoftoi se autori i dyshuar është arrestuar.

Deri më tani nuk janë dhënë informacione të mëtejshme mbi gjendjen e të plagosurve, as mbi motivet e sulmit, ndërsa priten informacione të mëtejshme nga autoritetet.

Trump: Sulmet ndaj ISIS në Nigeri ishin dhuratë Krishtlindjeje

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se sulmet ndaj caqeve të ISIS në Nigeri ishin një “dhuratë Krishtlindjeje” për grupin terrorist.

Ai deklaroi se “dhjetëra mijëra të krishterë” po vriten në Nigeri dhe shtoi se kishte paralajmëruar qeverinë nigeriane për pasojat.

“Thashë dje, goditini ditën e Krishtlindjeve, do të jetë një dhuratë Krishtlindjeje”, tha Trump.

Ai theksoi se forcat amerikane goditën fort ISIS-in në disa lokacione, duke e quajtur grupin terrorist “të tmerrshëm”.

“Dje u goditën shumë fort. Morën një dhuratë Krishtlindjeje shumë të keqe”, shtoi ai.

Ndryshe, Trump njoftoi se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj caqeve të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë./abcnews.al

❌