Rrëzohet kërkesa e PDK-së për shfuqizimin e votave me postë
PRISHTINË, 9 janar /ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi të premten vonë se e ka hedhur poshtë si jashtë afatit kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
PDK – e cila doli e dyta në zgjedhje – kërkoi nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
Në një njoftim të premten, PZAP-ja tha se partia e udhëhequr nga Bedri Hamza bëri ankesë pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesës, prandaj paneli nuk do ta shqyrtojë atë.
“Paneli ka vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesës, sipas nenit 119, paragrafi 1 të LZP-së, ku afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar, dhe se ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 08.01.2026, ndërsa shkelja e supozuar sipas ankuesit ka ndodhur me datën 02.01.2026 dhe 05.01.2026”, thuhet në njoftim.
PDK-ja u ankua se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i pranoi rreth 20.000 fletëvotime më 2 dhe 5 janar, pra disa ditë pas afatit të lejuar ligjor për pranimin e votave të dërguara me postë nga jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja jo më larg se deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00.
Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi për Radion Evropa e Lirë se komisioni – i cili mbikëqyr procesin zgjedhor në vend – i kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga diapora më 2 dhe 5 janar.
Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në diasporë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.
Vetëvendosja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi shumicën dërrmuese të votave me postë, 33.556, duke e lënë PDK-në mbrapa me vetëm 4.611 vota të fituara.

Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 vende në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një vend.
Vetëvendosja, ndërkohë, ka fituar 57 vende dhe Kurti pritet të themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
KQZ-ja njoftoi të premten se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave dhe tani ajo pritet të shpallë rezultatin përfundimtar.
The post Rrëzohet kërkesa e PDK-së për shfuqizimin e votave me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.