Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Balliu: 10 protestues të shoqëruar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi se janë shoqëruar në komisariatin e policisë 10 protestues, pjesëmarrës pasditen e sotme në protestën e thirrur nga kjo parti përpara Kryeministrisë.

Në një deklaratë nga mediet nga Komisariatin e Policisë në Tiranë, deputeti Klevis Balliu bëri të ditur se mes të arrestuarve është edhe një i mitur. Sipas tij, protestuesit po mbahen të shoqëruar për t’i frikësuar.

“Janë 10 të shoqëruar, një nga të cilit ishte i mitur dhe është goditur me grusht. Sot praktikisht kemi një polici tërësisht të inkriminuar që arreston protestuesit sepse po protestojnë kundrejt një qeverie që është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duke cenuar sigurinë e jetës së çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Balliu.

“Kërkojnë t’i vendosin frikë qytetarëve shqiptarë që mos të revoltohen ndaj këtyre. Deputetët e PD-së janë në mbështetje të qytetarëve, nuk kanë bërë asgjë”, tha Balliu.

Tek Komisariati numër 1, gjithashtu ishin edhe deputetë të tjerë të PD-së, Bledion Nallbati, Klodjana Çapja, Ledina Alolli dhe Kastriot Piroli, si dhe dy avokatë, Marash Logu dhe Eda Grimci, të cilët po kërkojnë lirimin e protestuesve të shoqëruar.

Në mbyllje të protestës së sotme, protestuesit hodhën dhjetëra koktejle molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilat shpërthyen në flakë. Kjo ishte protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë.

/m.q/j.p/

The post Balliu: 10 protestues të shoqëruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, kurorë tek busti i Skënderbeut në komunën e Çairit në Shkup

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës dyditore në Maqedoninë e Veriut, u ndal mbrëmjen e sotme edhe në komunën e Çairit në Shkup, ku vendosi kurora me lule pranë bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Sonte, në zemër të Shkupit të vjetër, aty ku guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit evropian, duke vendosur kurorën e nderit pranë bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, shkruan Spiropali.

Në këtë moment kujtese dhe respekti, Spiropali u shoqërua nga zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe kryetari i Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit.

Pas ceremonisë, sipas Spiropalit dita u mbush me ngjyra dhe emocione duke iu referuar aktiviteteve të organizuara me këtë rast si shfaqja artistike, ritmi i tupanëve dhe fëmijët me veshje e simbole kombëtare.

“Një kujtesë e përbashkët për rrënjët tona të forta dhe përkatësinë tonë natyrore në Europë”, shkruan Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, ministrja u prit nga krerët më të lartë të vendit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Punëve të Jashtme, Timčo Mucunski si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

/m.q/j.p/

The post Spiropali, kurorë tek busti i Skënderbeut në komunën e Çairit në Shkup appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla reagon ndaj Berishës: Ti nuk e djeg dot më Shqipërinë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, reagoi në lidhje me protestën e zhvilluar sot nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Ndërsa publikoi foto të Berishës ku në sfond duken zjarret e shkaktuara nga hedhja e molotovëve përpara Kryeministrisë, Balla iu drejtua kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës: Sali ti nuk e djeg dot më Shqipërinë!.

Në mbyllje të protestës, pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit hodhën dhjetëra koktejle molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilat shpërthyen në flakë.

Kjo është protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë. /m.q/j.p/

The post Balla reagon ndaj Berishës: Ti nuk e djeg dot më Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestat nuk do të ndalen, opozita me mision

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Pas përfundimit të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga selia blu, falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe që iu përgjigjën thirrjes së opozitës.

Kreu i PD-së theksoi se “në qoftë se në protestat e para 11 majit, ne u ngritëm për të shpëtuar PD-në, për të shpëtuar pluralizmin politik, tani ne jemi në këmbë për shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar demokracinë, për të shpëtuar familjen”.

“Ky është misioni më i lartë, më sublim i jetës tonë. Ky është mision edhe më i lartë, edhe më i rëndësishëm se ai që përmbushëm në 90-ën. Ky është mision që do përcaktojë fatin e Shqipërisë, fatin e demokracisë në Shqipëri, fatin e familjes shqiptare. Ndaj dhe duhet të përulem para secilit prej jush, para të gjithë atyre që erdhën dhe të betohemi ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se aksioni i opozitës nuk do të ndalet deri me largimin e Edi Ramës.

Kreu i PD-së theksoi se tre do të jenë drejtimet e protestës së PD-së, Kryeministria, Parlamenti dhe Surreli.

“Tre do jenë drejtimet e protestës tonë, kryeministria, ndërtesa e krimit ky kryehajdutë të paimagjinueshëm në histori mbrojnë njëri-tjetrin, firmosin me duart e tyre të zeza shkresa për të vjedhur qytetarët shqiptarë, mesazhe për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Parlamenti që asgjëson pluralizmin. Surreli, pallati tjetër i krimit, sepse rrënjët e AKSHI-t janë në Surrel”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita do të shpëtojë demokracinë shqiptare.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Protestat nuk do të ndalen, opozita me mision appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ne do i shpallim luftë Ramës, opozitarët të na bashkohen

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në fjalën e tij para protestuesve, se opozita do t’i shpallë “luftë” kryeministrit Edi Rama.

Kreu i PD-së nënvizoi se “opozita ia doli t’i dëshmojë botës se çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar”.

“Ndaj dhe ne jemi këtu sot, jam i bindur se me të drejtë, jo pa të drejtë, ka qytetarë këtu në shesh, ka edhe të tjerë që na ndjekin, që thonë se çfarë do bëjnë këta. E keni shumë të drejtë pyetjen. Por u jap fjalën që ne do bëjmë atë, ja do vdesim, ja do rrojmë për liri”, u shpreh Berisha.

“Mjerë ai që provohet me ne. Dhe dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë zotim, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria. Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Ai i ka shpallur luftë shqiptarëve, ne i shpallim luftë armikut të shqiptarëve”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha tha se PD është e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë opozitar.

“Në emër tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, ftoj çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë. Në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet, për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bijtë dhe bijat e saj sepse nuk i besojnë më, pavarësisht se ka pasuri përrallore”, deklaroi kreu i PD-së.

“Iu bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, hiqeni mantelin e konformizmit, intelektuali ka armik numër 1 konformizmin, është virusi më shkatërrimtar i tij. Dilni në shesh si në vitin 1991, dilni të përballemi se kem detyrime ndaj familjeve tona, ndaj qytetarëve që na besojnë. PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë”, tha Berisha.

Ai u shpreh në fund të fjalës së tij se demokratët duhet të kenë besim se siç “e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë”.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Ne do i shpallim luftë Ramës, opozitarët të na bashkohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama nuk ikën me vota, do ta heqë populli opozitar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita është më e vendosur se kurrë për të përmbysur, sipas tij, narkodiktaturën.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, Berisha theksoi se “jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbysëm etërit e tij 35 vjet më parë”.

Sipas Berishës, kombi është në momentin e tij më kritik.

“Pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës. Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë”, u shpreh Berisha.

“Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo pushtim, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët, në 10 vite të këtij regjimi, kanë shkuar mbrapa 100 vite për lindshmërinë e tyre”, vijoi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama nuk largohet me vota.

“Rama nuk ikën me vota dhe as me drejtësi! Edi Ramën do ta heqim ne, populli opozitar Mund të ketë tek-tuk njerëz që besojnë se mund të ikën me drejtësi. Naivitet. Jo, kurrë. Ai është i gatshëm ato 84 mandate t’i përdorë si bajoneta krimi kundër drejtësisë, kundër qytetarëve, kundër drejtësisë, kundër ligjeve. Atëherë vota jo, drejtësia jo, do jenë qytetarët, do jenë idealistët, do jenë guximtarët ata të cilët do hedhin në banesën e turpit të historisë”, tha Berisha. /j.p/

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, foto: Florian Abazaj, Andrin Hoxha
1 nga 10

The post Berisha: Rama nuk ikën me vota, do ta heqë populli opozitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita, në protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike zhvillon sot protestë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Tashmë ka nisur grumbullimi i protestuesve që vijnë nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkua protestës duke marshuar nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta vjen pas disa foltoreve të zhvilluara para Kryeministrisë nga Partia Demokratike, pasi sipas opozitës në Kuvend iu mor çdo hapësire kushtetuese.

Përballë godinës së qeverisë është ngritur podiumi ku do të të flasin eksponentët e Partisë Demokratike dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë, ndërsa pritet të zgjasë për rreth 3 orë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta do të ndalet vetëm me rrëzimin e qeverisë.

“Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit”, tha Berisha.

Në lidhje me mbarëvajtjen e saj, policia ka ndërmarrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa qindra efektivë policie janë në terren.

Në varësi të tubimit, sipas policisë, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, foto: Andrin Hoxha, Florian Abazaj
1 nga 22

(Vijon…)

The post Opozita, në protestë para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Integrimi i Ballkanit Perëndimor e bën BE-në më të fortë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua më presidenten e Republikës së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Gjatë takimit, Spiropali bëri të ditur se biseduan për rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt vlerave perëndimore dhe përkushtimin për ta çuar përpara agjendën evropiane.

“Për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një prioritet kombëtar: është një aspiratë e përbashkët rajonale. Një Ballkan Perëndimor i integruar plotësisht e bën Bashkimin Europian më të fortë, më të bashkuar dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat e sotme”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, ministrja u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Spiropali u takua gjithashtu edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

/m.q/j.p/

The post Spiropali pritet nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Integrimi i Ballkanit Perëndimor e bën BE-në më të fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pogradeci përfshihet nga atmosfera e festave


TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Atmosfera e festave të fundvitit ka përfshirë edhe qytetin e Pogradecit, ku janë ndezur dritat festive që do të shoqërojnë gjithë muajin dhjetor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, ndau pamjet nga atmosfera festive, ku shihen fëmijët të cilët kërcejnë me kostume festive.

Atmosfera festive e krijuar nga zbukurimet dhe dritat shumëngjyrëshe do ta shoqërojë këtë muaj gjithë qytetin, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Pogradecit, por edhe vizitorëve të ndryshëm.

Në çdo qytet të Shqipërisë ndjehet atmosfera e festave gjatë këtij muaji, ku sheshet dhe rrugët e qyteteve të vendit janë dekoruar me pemën e Krishtlindjes dhe dritat vezulluese.

Gjatë ditëve të dhjetorit në sheshet kryesore të qyteteve po zhvillohen aktivitete të shumta festive, me muzikë dhe performanca të ndryshme, që do të kulmojnë në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor.

/m.q/j.p/

The post Pogradeci përfshihet nga atmosfera e festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan fotoalbumin e javës

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/  Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotoalbumin me momentet kryesore të aktiviteteve gjatë javës.

Gjatë kësaj jave, kryeministri mori pjesë në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, ku ishte një ndër të ftuarit specialë. Kryeministri Rama e cilësoi fanellën kuqezi si një privilegj që rrëmben dhe bashkon të gjithë shqiptarët në një lumë emocionesh.

Një tjetër aktivitet që u zhvillua gjatë javës ishte edhe Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, një tryezë e përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve europianë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias, për një bilanc vjetor e për problemet që kërkojnë adresim.

Gjithashtu gjatë javës u zhvillua një takim i zgjeruar me rreth 1500 fermerë nga të gjitha zonat e vendit, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili i vuri në dukje se, përtej rritjes së buxhetit, ekzistojnë edhe mundësi të tjera financimi, veçanërisht në kuadër të afrimit me Bashkimin Europian, që hap perspektiva të reja për financimin e fermave, projekteve të zhvillimit dhe kërkimit shkencor në bujqësi.

Gjatë javës nisi zbatimin edhe projekti “Smart City Albania”, një nga investimet më të avancuara teknologjike në fushën e sigurisë publike, i cili synon instalimin e një sistemi të integruar kamerash inteligjente në qytete, shkolla, rrugë dhe mjedise të tjera publike. Projekti do të vendosë Shqipërinë në nivelin më të lartë të standardeve ndërkombëtare të monitorimit dhe menaxhimit të territorit.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm gjatë javës, ishte edhe organizimi nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, i pritjes tradicionale me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan fotoalbumin e javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron fituesin e Festivalit të Këngës në RTSH

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli siparin duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nan”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama uroi këngëtarin triumfues Alis Kallaçi, ndërsa ndau edhe disa momente përmbledhëse nga katër netët e Festivalit të Këngës.

Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nan” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht: Inis Neziri dhe Sheila.

Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”.

Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti edhe mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.

Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve.

/m.q/j.p/

The post Rama uron fituesin e Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy ditët e ardhshme, 22 dhe 23 dhjetor.

Spiropali do të pritet në Shkup nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.

Ditën e hënë në orën 11.30, Spiropali dhe Mucunski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës zyrtare, Spiropali do të theksojë rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.

Spiropali do të zhvillojë një darkë pune me zëvendëskryeministrin për Mirëqeverisje dhe Antikorrupsionin, Arben Fetai dhe ministrin e Integrimit në detyrë, Orhan Murtezani.

Spiropali do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Europën Juglindore.

Në fokus të takimeve do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII si një projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë, që lidh Mesdheun me Detin e Zi.

Ministrja do të takohet në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ajo do të zhvillojë gjithashtu një takim edhe me kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilal Kasami dhe Bekim Sali.

Spiropali do të takohet me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Musa Xhaferri, me zonjat deputete nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe me përfaqësues shqiptarë të pushtetit lokal.

Ministrja do të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.

Spiropali do të zhvillojë një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup.

Vizita do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.

/m.q/j.p/

The post Spiropali, vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Banka Kombëtare e Zhvillimit, pa asnjë kontroll real

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi ngritjen e Bankës Kombëtare të Zhvillimit, si një institucion që rrezikon të kthehet në një lavatriçe financiare, një instrument i rrezikshëm pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë e qytetarëve.

Sipas Tabakut, problemi nuk është ideja e bankës, por arkitektura e saj e qëllimshme për të vjedhur në hije.

Deputetja renditi disa nga shqetësime kryesore sipas saj.

“Sipas ligjit të miratuar, kjo bankë funksionon si një “ishull financiar” ku qeveria bën çfarë të dojë: nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë; nuk i nënshtrohet kontrollit teknik të KLSH-së për kreditë që jep dhee më e rrezikshmja do të mbledhë kursimet tuaja në postë për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë”, theksoi Tabaku.

Tabaku nënvizoi, se ndryshe nga Shqipëria, bankat e zhvillimit në vendet europiane janë tërësisht të kontrolluara.

“Në Gjermani, KfW kontrollohet deri në qindarkën e fundit nga Banka Qendrore dhe Parlamenti. Në Itali, çdo investim i Cassa Depositi e Prestiti kalon në sitën e institucioneve të pavarura. Në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa një palë të tretë që i vendos frenat. Por këtu, frenat i ka hequr qeveria që t’i japë gaz korrupsionit”, tha Tabaku.

Tabaku shtoi se Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër “gropë financiare” që i shërben një pakice klienteliste.

Sipas saj “ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon PPP-të dhe dështimet e radhës me kursimet e prindërve tanë”. /m.q/j.p/

The post Tabaku: Banka Kombëtare e Zhvillimit, pa asnjë kontroll real appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nuk pranojmë seancë me dyer të mbyllura për Ballukun

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot, se opozita nuk do të pranojë zhvillimin e seancave plenare më dyer të mbyllura në lidhje me shqyrtimin e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Gjatë një konference për mediet, Berisha theksoi se nuk mund të fshihet e vërteta për aferat korruptive dhe vjedhjet e qeverisë në emër të sekretit hetimor.

Ai deklaroi se qytetarët janë viktimat reale të këtyre aferave dhe kanë të drejtë të informohen.

“Që ta ketë të qartë çdo shqiptar. Gjer sot ajo dosje ka vetëm një sekret, dhe ai sekret nuk mund të bëhet publik.  ë interesin e procesit, asnjë sekret tjetër, asnjë dokument tjetër, asnjë material tjetër. Ka një element dhe parlamentarët e opozitës në interesin më të mirë të procesit, do ta mbajnë, nuk do ta bëjnë publik”, u shpreh kreu i PD-së.

“Vetë prokurorët për shkak të atij sekreti kanë kërkuar që provat të mos i dorëzohen Ballukut dhe jo të mos i jepen deputetëve. Ne nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet. Seanca do të jetë e hapur. Nuk jemi ne si deputet që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre”, tha Berisha.

Berisha u shpreh gjithashtu se opozita mbështet çdo prokuror dhe gjyqtar që zbaton ligjin dhe vepron me guxim, por akuzoi drejtësinë për standarde të dyfishta, presione politike dhe bllokim të hetimeve të rëndësishme.

Berisha shtoi më tej se opozita ka nisur mobilizimin për protesta kombëtare paqësore kundër qeverisë. Sipas Berishës, qëllimi është largimi i Kryeministrit nga pushteti dhe rikthimi i shtetit ligjor, kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri.

“Forcat politike të opozitës, të mbledhura sot, vendosën të mobilizojnë të gjithë potencialet e tyre në një betejë vendimtare, në revolta vendimtare. PD dhe opozita kërkojnë shtetin ligjor, kushtetutshmërinë e vendit në Shqipëri. Ndaj dhe iu është drejtuar qytetarëve me bindjen më të madhe se është radha e tyre për të përcaktuar me revoltën e tyre fatin e vet, të familjeve dhe të mbarë vendit”, tha Berisha.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Nuk pranojmë seancë me dyer të mbyllura për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e fermerëve grekë, bllokohet sërish aksi Kakavijë-Janinë

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq do të jetë sërish sot i bllokuar për shkak të protestës së fermerëve grekë.

Policia Kufitare Kakavijë, bëri të ditur se është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se “ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”.

Sipas policisë do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

/m.q/j.p/

The post Protesta e fermerëve grekë, bllokohet sërish aksi Kakavijë-Janinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partia Mundësia, protestë para kryesisë së Kuvendit

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Partia Mundësia zhvilloi paraditen e sotme protestë para kryesisë së Kuvendit.

Protesta u zhvillua në të njëjtën kohë me mbledhjen e Këshillit të Mandatave dhe Imunitetit ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit të deputetes, njëherësh zëvendës kryeministres, Belinda Balluku.

Kryetari dhe njëheraz deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj kërkoi që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këshillit e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, por kërkesa nuk iu miratua.

“Kërkojmë të drejtën tonë për të qenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit që do të vendosë fatin e Ballukut. Iu kemi dërguar një shkresë. Kemi bërë një kërkesë, kemi të drejtë të parashtrojmë këtë kërkesë. Duhet të nisë më dyer të hapura dhe të parashtrojmë kërkesën. Vazhdon avazi PS-PD, askush nuk duhet t’iu prishë planet e pazaret”, tha Shehaj.

Jashtë ambienteve të Kryesisë, në tubimin e organizuar nga Partia Mundësia, protestuesit u shfaqën me pankarta në duar në mbështetje të drejtësisë.

“Pa drejtësi, s’ka BE”, “Stop Krim-Shtetit”, “Në mbrojtje të drejtësisë”, lexohet në pankartat e protestuesve. /m.q/j.p/

The post Partia Mundësia, protestë para kryesisë së Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përjashtimi i 29 deputetëve të PD për kaos në seancë, shtyhet mbledhja e Sekretariatit të Etikës

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën shtyu për të martën mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Mbledhja u shty pas kërkesës së kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhit, i cili kërkoi kohë që deputetëve t’u lihet kohë që të njohën me provat që mazhoranca ka paraqitur për përjashtimin e tyre.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohet i përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, në kërkesën për përjashtim janë përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend.

“Keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, tha Bardhi.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi dje në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë seancës plenare në Kuvend.

/m.q/j.p/

The post Përjashtimi i 29 deputetëve të PD për kaos në seancë, shtyhet mbledhja e Sekretariatit të Etikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“21 Janari”, Ilir Meta dëshmon në SPAK

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u mor sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e 21 janarit.

Meta u shoqërua në SPAK nga forcat e policisë dhe mor në pyetje për rreth 2 orë e 30 minuta, si person që ka dijeni në lidhje me çështjen. Pas dëshmisë së dhënë u largua nga ambientet e SPAK drejt paraburgimit.

Dëshmia e Metës erdhi pas kërkesës së tij që të pyetej në lidhje me 21 janarin, dosje që po hetohet prokurori Alfred Shehu.

Protesta e 21 Janarit, ku 4 protestues para Kryeministrisë, ndodhi pas publikimit të një video mes zëevdnëskryeministrit Ilir Meta dhe Dritan Priftit, në të cilën flitej për një aferë korruptive.

Në lidhje me hetimet për 21 janarin janë marrë në pyetje më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bamir Topi si dhe ish-ministri i Brendshëm asokohe, Lulzim Basha.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 Janari ishte krim shtetëror dhe duhej të hetohej si i tillë nga drejtësia shqiptare.

Në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

Hetimet për 21 Janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në atë ngjarje.

/m.q/j.p/

The post “21 Janari”, Ilir Meta dëshmon në SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Do kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se deputetët e opozitës u ngritën në lartësinë e detyrës me protestën e tyre në Kuvend, ku penguan zhvillimin normal të seancës plenare.

Sipas Bardhit, grupi parlamentar i PD-së është i vendosur për të mos lejuar asnjë seancë normale.

“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisjeje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që sot u ngrit sot në lartësinë e detyrës të tij për ti shërbyer interesit publik”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, ndërsa bëri të ditur se vota e tyre do të jetë “pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë së një zyrtari të korruptuar”.

“Nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.

Gjithashtu Bardhi dënoi sipas tij edhe shkeljen e procedurës parlamentare kushtetuese dhe ligjore nga ana e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, duke mos u dhënë deputetëve të opozitës provat e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Ky nuk është rasti i parë që vjen një kërkesë nga SPAK për të kërkuar autorizim për të hequr lirinë e një deputeti apo ministrit. Procedura kushtetuese është krejt e qartë. Nuk ka asnjë urdhër që ndalon deputetët, anëtar të Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit dhe Mandateve, të njihen me materialet e plota të sjella nga Prokuroria e Posaçme”, vijoi Bardhi.

Sipas Bardhit, ka një urgjencë trajtimi më prioritet i kësaj çështje nga Kuvendi dhe dhënia e autorizimit në kohën më të shpejtë të mundshme.

“Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit, në një sesion të jashtëzakonshëm, për të dhënë autorizimin për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, u shpreh ai.

/m.q/j.p/

The post Bardhi: Do kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi: Kuvendi, jo arenë për beteja personale apo partiake

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, reagoi pas kaosit të shkaktuar sot në Kuvend nga deputetët e opozitës, të cilët penguan zhvillimin e seancës plenare.

Peleshi nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes”.

Sipas tij çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cenon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve.

Peleshi nënvizoi se “detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos”.

“Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë”, shkruan Peleshi.

Kreu i Kuvendit shtoi më tej se “institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët”.

Gjithashtu Peleshi shprehur mirënjohjen për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.

/m.q/j.p/

The post Peleshi: Kuvendi, jo arenë për beteja personale apo partiake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌