TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Deputeti Olsi Komici prezantoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, të ndryshuar”, ku të pranishëm ishin vetëm deputetë të mazhorancës pasi mungonin ata të Partisë Demokratike.
Në fjalën hyrëse, Komici theksoi se projektligji synon korrigjimin e paqartësive ligjore dhe plotësimin e boshllëqeve normative të evidentuara gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, duke rritur efektivitetin, transparencën dhe integritetin në qeverisjen e sistemit të drejtësisë.
Ai shtoi se nisma është hartuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe kontribuon në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Projektligji, i cili përbëhet nga 38 nene, parashikon që edhe anëtarët jo-magjistratë, qoftë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të kalojnë nëpër filtra të thelluar verifikimi, të ngjashëm me procesin e vetingut të magjistratëve.
Ky mekanizëm synon krijimin e një barazie mes anëtarëve magjistratë dhe atyre jo-magjistratë dhe garantimin e integritetit institucional.
Sipas Komicit, procedura për përzgjedhjen e kandidatëve nga fusha e avokatisë fillon nga Avokati i Popullit, vijon me një verifikim të detajuar nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc, i cili ka kompetenca të zgjeruara për akses në të gjitha institucionet shtetërore dhe subjekte private, për të kontrolluar kriteret e pasurisë dhe figurës. Bazë e këtij verifikimi janë raportet e ILDKPKI-së dhe AKSIK-ut.
Pas përfundimit të këtij procesi, kandidatët e kalifikuar ose të skualifikuar shqyrtohen në një filtër të dytë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i cili kontrollon përputhshmërinë e raportit me dokumentacionin e dosjes.
E njëjta procedurë zbatohet për kandidatët që vijnë nga fusha e pedagogëve, ku kompetenca të zgjeruara marrin Dekani dhe Këshilli i Shkollës së Magjistraturës, si dhe Komisioni Ad Hoc, i cili kryen verifikime të detajuara dhe administron raportet përfundimtare të ILDKPKI-së dhe AKSIK-ut.
Në rastin e kandidatëve nga shoqëria civile, dokumentacioni grumbullohet nga Avokati i Popullit, ndërsa Komisioni i Shoqërisë Civile ka kompetenca për verifikim dhe ka akses në institucione shtetërore dhe subjekte private, duke përfunduar me një raport përfundimtar.
Komici theksoi se, ndryshimet ligjore synojnë të rrisin besueshmërinë, transparencën dhe standardet e integritetit për të gjithë anëtarët jo-magjistratë të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
/gj.m/j.p/
The post Nisma ligjore, Komici: Veting edhe për anëtarët jo magjistratë të KLP-së dhe KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.