Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zjarri shkrumbon një kioskë dhe dy automjete në aksin Librazhd-Përrenjas

✇Albeu
By: V K

Në orët e para të mëngjesit, një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një njësi shërbimi në fshatin Xhyrë, në krah të aksit nacional Librazhd–Përrenjas.

Sipas njoftimit të MZSH Librazhd, shërbimet zjarrfikëse u njoftuan rreth orës 03:29 dhe ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Në operacion morën pjesë dy automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.

Si pasojë, u dogj plotësisht një kioskë në pronësi të shtetasit Skënder Gega nga fshati Xhyrë i Njësisë Administrative Hotolisht i bashkisë Librazhd si dhe dy automjete të parkuara pranë saj.

Ndërkohë, u shpëtuan nga flakët dy kioska të tjera në afërsi dhe një automjet tjetër i parkuar pranë vatrës së zjarrit.

Burime nga MZSH bëjnë me dije se shkaku i zjarrit mbetet për t’u përcaktuar, por ka dyshime të forta edhe për një zjarrvënie të qëllimshëm.

Mes automjeteve të djegura është edhe një automjet me targa greke, në pronësi të një emigranti të kthyer në vendlindje për festat e fundvitit.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje ishte e pranishme edhe Policia e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

The post Zjarri shkrumbon një kioskë dhe dy automjete në aksin Librazhd-Përrenjas appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

✇Albeu
By: V K

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81 lekë dhe do shitet me 82.5 lekë.

Ndërkohë, monedha evropiane euro, do blihet me 95.6 lekë dhe do shitet me 97 lekë.

Franga zvicerane, sot në tregun shqiptar do blihet me 102.6 lekë dhe do shitet me 104 lekë.

Ndërsa paundi britanik, do blihet me 109.2 lekë dhe do shitet me 110.7 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Zelensky: Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa mbështetjen e SHBA-së

✇Albeu
By: V K

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina nuk mund të fitojë luftën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke shprehur bindjen se Donald Trump po punon për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Duke i cilësuar si “gënjeshtra klasike ruse” raportimet për një sulm të dyshuar me 91 dronë ndaj një rezidence të presidentit rus Vladimir Putin, Zelensky theksoi se nuk i beson udhëheqësit të Kremlinit.

“Nuk besoj se ai dëshiron paqen. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për presionin e Trump përmes sanksioneve dhe dialogut”, u shpreh presidenti ukrainas.

Sipas Zelenskyt, çështja kryesore për arritjen e paqes mbetet ajo e territoreve që Rusia synon të aneksojë.

“Këto territore janë nyja kryesore që duhet zgjidhur. Në këtë pikë, qëndrimet tona janë të ndryshme nga ato të Rusisë, por jo nga ato të Shteteve të Bashkuara. Donald Trump po përpiqet të gjejë një kompromis”, tha ai.

Zelensky nënvizoi se Ukraina nuk mund të tërhiqet nga këto zona, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Nuk mund të largohemi thjesht, sepse atje jetojnë rreth 300 mijë njerëz”, përfundoi presidenti ukrainas.

The post Zelensky: Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa mbështetjen e SHBA-së appeared first on Albeu.com.

Prej 5 ditësh ndërprerje, rikthehet uji i pijshëm në Vlorë

✇Albeu
By: V K

Pas pesë ditësh ndërprerje, defekti në tubacionin kryesor të ujësjellësit në Vlorë u riparua pas mesnate.

Aktualisht, një pjesë e qytetit të Vlorës, konkretisht zona e Lungomares, ka nisur të furnizohet me ujë.

Ndërhyrja për rregullimin e tubit përfundoi rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment në të cilin filloi edhe mbushja e depove.

Furnizimi me ujë ka nisur në disa zona të qytetit, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfshihet gradualisht gjatë orëve në vijim.

Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi po kryhet ende me kapacitet të reduktuar, pasi po testohen pajisjet e reja të instaluara.

The post Prej 5 ditësh ndërprerje, rikthehet uji i pijshëm në Vlorë appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 30 Dhjetor 2025/ Ditë e ftohtë me temperatura deri në -4 gradë

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta. Moti parashikohet i kthjellët dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura përqendruar në relievet malore kryesisht lindje të territorit, pas orëve të mesditës.

Gjithhashtu, reshje të dobëta e lokale shiu në lindje dhe përgjatë vijës bregdetare pas orëve të mesditës.

Në relievet malore Verilindje-Lindje dhe Juglindje, reshje bore me intensitet kryesisht të ulët, në formën e flokëve të borës.

Prezencë e ngricave në akset rrugore kryesisht në zonat malore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i Veriut me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.

 

The post Parashikimi i motit 30 Dhjetor 2025/ Ditë e ftohtë me temperatura deri në -4 gradë appeared first on Albeu.com.

Horoskopi 30 Dhjetor 2025, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

✇Albeu
By: M C

Dashi

Gjate gjithë kësaj dite do jeni me humor te mire dhe do ruani komunikimin e ngrohte me partnerin. Do ndiheni te qete ne çdo moment. Beqaret do kenë shume komplekse prandaj nuk do mundin dot te fillojnë një histori dashurie. Ne planin financiar do keni goxha probleme për t’i zgjidhur. Përqendrohuni dhe mos ju besoni shume atyre qe ju rrethojnë.

Demi

Perspektivat janë goxha te mira gjate kësaj dite për jetën tuaj ne çift. Nuk do ndodhe asgjë qe nuk e keni dëshiruar kështu qe do dashuroheni si ta ndjeni. Beqaret do fillojnë histori dashure te cilat kane për te qene afatgjata. Me financat gjerat nuk do shkojnë si duhet. Nuk do dini si t’i menaxhoni ato te ardhura qe keni ne mënyrë qe situata te mbetet e stabilizuar.

Binjaket

Do flisni shume hapur me parterin tuaj gjate kësaj dite dhe do mund t’i sqaroni te gjitha problemet e vogla qe keni pasur. Si ju ashtu edhe ai qe keni ne krah do toleroni. Beqaret nuk do e kenë te vështirë ta gjejnë princin e tyre te kaltër. Gjendja e financave do jete goxha e mire. Do keni mundësi te kryeni shpenzimet e dëshiruara dhe te hiqni para mënjanë.

Gaforrja

Ndjenjat pe rate qe keni ne krah do jene te thella sot. Çdo moment do jete shume me i veçante për ju dhe do ndiheni here pas here si ne një ëndërr te bukur. Beqaret duhet te shohin me kujdes çdo ftese qe do ju behet sepse përndryshe mund t’iu ikin mundësi te mira nga duart. Ne planin financiar problemet do zhduken si me magji.

Luani

Mos e provokoni partnerin tuaj gjate kësaj dite sepse mund te keni probleme te mëdha me atë qe keni ne krah. Nga ana tjetër tregohuni sa me realiste qe te mundeni. Beqaret do kenë mundësi te shumta për te gjetur personin me te përshtatshëm. Financat nuk do jene te këqija, megjithatë investime te tejskajshme nuk duhen kryer. Tregohuni te matur.

Virgjeresha

Jeta juaj ne çift do jete shume afër perfeksionit gjate kësaj dite. Me partnerin do ndani çdo ide, çdo mendim dhe çdo ndjenje. Beqaret nuk do kënaqen nga takimet qe do realizojnë, por te paktën nuk do kalojnë një dite rutine. Pritet qe shume shpejt gjerat te ndryshojnë. Ne planin financiar duhet te reflektoni disa here para se te merrni vendime te rëndësishme.

Peshorja

Dita e sotme nuk do jete aspak rutine për ata qe janë ne një lidhje. Përkundrazi personat qe kenë ne krah do i ojne neper vende te panjohura dhe do i surprizojne ne çdo moment. Beqaret do fillojnë një histori dashurie plot pasion dhe qe do ju sjelle kënaqësi te mëdha. Gjendje e te ardhurave nuk do jete e keqe. Do jeni me te qete për këtë arsye.

Akrepi

Do i qaheni partnerit sot për sjelljen jo te mire qe ka pasur kundrejt jush kohet e fundit. Ne disa momente mund te ketë edhe debate te vogla. Beqaret do dashurohen koke e këmbë me një person te cilin e kane pasur shok fëmijërie. Gjerat ndryshojnë me kalimin e kohëve. Financat do jene delikate. Nuk është absolutisht koha për te shpenzuar shuma te konsiderueshme.

Shigjetari

Dëgjojini me kujdes ato qe do ju thotë partneri juaj gjate kësaj dite dhe mos i shkoni kundër për asgjë. Ruani sa te mundni klimën e ngrohte. Beqaret nuk do kenë asgjë me shume sesa disa aventura kalimtare. Për dashuritë e mëdha duhet ende te prisni. Për financat nuk do keni perse te shqetësoheni sepse gjendja do jete goxha e qëndrueshme.

Bricjapi

Do lindin probleme te mëdha ne çift gjate kësaj dite lidhur me një trashëgimi. Tregohuni realiste dhe mos thoni gjera te pamenduara. Beqareve do iu jepen mundësi pa fund për njohje te reja kështu qe nëse do duan vërtet mund te ndryshojnë edhe statusin. Financat do jene shume delikate. Lëvizjet e gabuar mund t’iu shkatërrojnë tërësisht.

Ujori

Te dashuruarit do kenë një dite normale dhe pa asgjë te jashtëzakonshme. Fatmirësisht nuk do ketë as debate apo konflikte te renda. Priten dashuri me shikim te pare gjate kësaj dite për ata qe janë vetëm, prandaj shume gjera kane për te ndryshuar për ta. Financat nuk do jene te këqija, por jo ne gjendjen e duhur për te kryer investime te tejskajshme.

Peshqit

Nuk do merreni vesh shume mire sot me atë qe keni ne krah dhe për çdo gjë do e kundërshtoni njeri-tjetrin. Beqaret nuk duhet t’iu besojnë verbërisht te gjitha atyre qe do ju thonë te tjerët sepse do lëndojnë veten e tyre. Nuk duhet nisur asnjë lidhje pa qene te sigurte. Gjendja e te ardhurave nuk do ketë asnjë tronditje sado te vogël.

The post Horoskopi 30 Dhjetor 2025, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj appeared first on Albeu.com.

“Fiksimi” i Igli Tares, drejtori i Milanit përshpejton gjithçka për ish-lojtarin që Reali kërkon 50%

✇Albeu
By: M C

Mario Gila është objektiv kryesor i Igli Tares për merkaton e janarit, siç raportohet në Itali. Mbrojtësi i qendrës vlerësohet maksimalisht nga drejtori i Milanit, që kërkon ta bashkojë me skuadrën para verës ku ekipe të tjera si Interi do të futen në garë.

25-vjeçari ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 me Lacion, për këtë presidenti Lotito nuk do të nxitohet. Fakt është se Lacio pretendon një shumë të konsiderueshme, pasi Real Madrid ka luajtur 50% të kartonit në rast rishitje.

Fakt është se Gila qëndron me Lacion prej vitit 2022. Prej atëherë ka kaluar 100 ndeshje zyrtare.

Milani do të përforcohet në mbrojtje me siguri, por po ashtu edhe në sulm. Klubi bëri mirë në pjesën e parë të sezonit dhe objektiv mbetet pjesëmarrja në zonën Champions.

The post “Fiksimi” i Igli Tares, drejtori i Milanit përshpejton gjithçka për ish-lojtarin që Reali kërkon 50% appeared first on Albeu.com.

Sulmi në rezidencën e Putin? Trump: U zemërova shumë kur Putin më informoi

✇Albeu
By: M C

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e informoi atë në një telefonatë të hënën në mëngjes rreth sulmit me dron ukrainas që dyshohet se kishte në shënjestër një nga rezidencat e tij, duke thënë se ky veprim nuk ishte i mirë, edhe pse Kievi e mohoi menjëherë këtë pretendim.

“Kjo nuk është koha e duhur. Është një gjë të jesh ofendues, sepse ata janë ofendues. Është një gjë tjetër të sulmosh shtëpinë e tij”, tha Trump, duke shtuar: “Dhe e mësova këtë sot nga Presidenti Putin. Isha shumë i zemëruar për këtë.”

Presidenti amerikan pranoi se ishte e mundur që pretendimi të ishte i rremë dhe se nuk kishte ndodhur asnjë sulm i tillë, por më pas shtoi se Vladimir Putin e kishte informuar për këtë.

“Kjo do të ishte shumë keq. Nuk do të ishte mirë”, u tha ai gazetarëve para një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.

Trump e përshkroi gjithashtu telefonatën e tij me Putinin si produktive, megjithëse tha se kishte ende çështje që duheshin zgjidhur për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

“Ishte një bisedë shumë produktive. Dua të them, kemi disa çështje shumë të vështira, siç mund ta imagjinoni. Kemi disa çështje që shpresojmë t’i zgjidhim, dhe nëse i zgjidhim, mund të keni paqe,” tha ai.

The post Sulmi në rezidencën e Putin? Trump: U zemërova shumë kur Putin më informoi appeared first on Albeu.com.

“Pa shpirt, pa program, pa ide!”/ Baton Haxhiu shpjegon pse humbi opozita në Kosovë: Luftuan për vendin e dytë

✇Albeu
By: M C

Analisti Baton Haxiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, shpjegoi se përse opozita humbi zgjedhjet në Kosovë.

Haxhiu tha se partitë opozitare nuk kishin ide dhe program dhe dukej sikur luftonin për vendin e dytë. Analisti vlerësoi se opozita ka bërë gabime strategjike gati duke ia dhuruar Kurtit fitoren.

“Një opozitë që e shpjegoi veten në shkurt dhe e ripërsëriti veten ne dhjetor. Iu nënshtrua diskursit të Albin Kurtit. Kërkoi gjëra që Kurti i kishte vendosur në veprim.

Të thuash do të rris paga, kur ai e bënte atë veprim, është gabim strategjik. Të thuash do të rrisim pensionet dhe e bën ai, do të thtoë se nuk kupton strategji politike. Ka patur dy liderë që irracionalitetin dëshironin ta fitonin me një racionalitet shpjegues dhe ajo do kohë. Të flasësh për TVSH në një ambient ku simbolika është gjithçka, do të thotë se nuk kupton strategjinë politike.

Ata kanë patur mundësi të ndërtojnë qeveri në shkurt, kanë patur numrat dhe ata lanë në pushtet Kurtin, duke qenë opozitarë të mirë, duke menduar se duke qenë i mirë në politikë, fiton pushtetin ndaj një njeriu me diskurs të fortë, me qëndrim të fortë në publik dhe funksionon me simbolikë.

Mendoj se gabimet serioze të kryetarit të PDK dhe kryetarit të LDK, duke u sjellë si NGO më shumë sesa liderë të partive politike, i sollën Kurtit fitoren që është më e madhja, ose me numrin më të shumtë që ndonjëherë ka patur një parti politike. Nënshtrimi ishte që e pranuan 28 dhjetorin, që strategjikisht e dinë se diaspora funksionon me simbolik, me një nacionalizëm regresiv. Ia dhanë një grupacioni të madh të shqiptarëve të Kosovës prej 374 mijë që ditën e 28 dhjetorit, këtë simbolikë t’ja dhurojnë Albin Kurtit.

Fitorja e Kurtit është ekskluzivisht produkt i dobësive serioze të dy partive të mëdha të opozitës, pa shpirt, pa program, pa fjalor, pa diskurs, pa ide.

Kurti është fitues, bravo i qoftë, arriti atë që nuk e ka arritur askush. A e ka merituar? Nuk e ka merituar këtë rezultat. A e ka merituar Kosova, që të mos jetë peng e partive që nuk kanë guxim të qeverisin, por kanë një relaksim në opozitë? Relaksimi i tyre bëri Albin Kurtin me guxim që të qeveris dhe tani po largohemi nga ngërçi dhe është fundi i kësaj gjenerate politike. Më vjen keq që kjo gjeneratë e kryesuar nga Lumiri dhe Bedri Hamza, dështoi dhe dështoi me meritë. Ata duhet të shkojnë, për faktin se treguan dobësi të jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk e dëshën vendin e parë, luftonin të gjithë për vendin e dytë ose të tretë”, tha Haxhiu.

The post “Pa shpirt, pa program, pa ide!”/ Baton Haxhiu shpjegon pse humbi opozita në Kosovë: Luftuan për vendin e dytë appeared first on Albeu.com.

Mundësia e përballjes me Brazilin, Silvinjo: Në finale të Botërorit, jam tifoz me Shqipërinë

✇Albeu
By: M C

Trajneri i Kombëtares foli edhe për ecurinë e kuqezinjve si edhe u ndal te një fakt shumë interesant. Nëse Shqipëria kualifikohet në Botëror, Silvinjo do të jetë i vetmi trjaner brazilian që merr pjesë pasi asnjë skuadër tjetër nuk ka në përbërje trajner nga Brazili.

Si eci rrugëtimi i Shqipërisë për në “Play Off” të Botërorit? Sa i përket Anglisë, unë e shoh si një nga favoritët për Kupën e Botës. Është një skuadër shumë fizike, por edhe shumë e larmishme taktikisht. Ka lojtarë krahu shumë të shpejtë, me një kundër një, asist dhe gola. Jam një admirues i madh i Gareth Sauthgejtit. Është një trajner modern, me balancë të jashtëzakonshme mes sulmit dhe mbrojtjes. Anglia pëson shumë pak gola. Për mua është një nga favoritët, së bashku me Brazilin, Argjentinën, Francën dhe Spanjën. Sa i përket ndeshjes kundër Serbisë jashtë fushe, ishte një ndeshje shumë e vështirë, me shumë tension dhe histori politike. Ne u përgatitëm për futboll, vetëm futboll. Ishte një fitore historike për vendin dhe na hapi rrugën për play off-in. Për Poloninë, ne e njohim mirë. Janë lojtarë të nivelit shumë të lartë, si Leëandoëski. Është një ndeshje e vetme, 90 minuta, dhe gjithçka vendoset në detaje: një gabim, një top i ndalur. Ne besojmë te struktura jonë, te përmirësimi ynë dhe te cilësitë tona. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne besojmë se mund të arrijmë aty ku duam.

Jeni i vetmi trajner brazilian që mund të shkojë në Botëror. A e keni menduar ndonjëherë që do të luani kundër Brazilit në fazën e dytë? Do të shtoj edhe diçka. Do bëj edhe një shaka të vogël. Madje kam menduar edhe për finalen… por po e lëmë këtë mënjanë. Le të përplasen ata më parë. Ishte interesante, vërtet. E para, e mora me shumë krenari. Sapo kishim dalë nga ndeshja me Andorrën dhe mora shumë mesazhe: “Urime”, “Punë e shkëlqyer”, “Sa bukur”. Dhe të nesërmen, një person nga Portugalia më tha: “E di që, nëse kalon play-off-in, ti do të jesh i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës?”. Unë thashë: “Uau… dje hoqa 400 kilogramë nga shpatullat dhe tani po më vë edhe 600 të tjerë?”. Sigurisht, ndjeva një përgjegjësi të madhe. Megjithatë, e mora me shumë dashuri. Nëse ndodh, do të jetë gjithmonë krenari të përfaqësoj Brazilin, edhe si trajner. Dhe nëse kalojmë play off-in, të luajmë një Kupë Bote për ne është diçka jashtë normales. Aty mund të ndodhë gjithçka. Sinqerisht, nuk kam menduar për një përballje me Brazilin. Ma kanë përmendur, po. Një brazilian më tha: “Mund të ketë përballje me Brazilin më vonë”. I thashë: “Qetësi, rruga është e gjatë. Të ecim 100 metra nga një herë dhe pastaj shohim çfarë ndodh”.

Silvinjo, na fol pak më shumë për momentin që po kalon Kombëtarja shqiptare dhe futbollistët që ka në skuadër. Shumica dërrmuese e lojtarëve tanë luajnë jashtë Shqipërisë. Kampionati vendas po rritet, strukturat e klubeve po përmirësohen, por ende është nën nivelin e kombëtares. Vlera jonë kryesore janë lojtarët. Kur ata largohen dhe shkojnë në Premier League, Serie A, La Liga, ata përmirësohen shumë. Ata stërviten me metodologji të tjera, me trajnerë dhe lojtarë të nivelit të lartë. Ata jo vetëm mësojnë, por përmirësohen çdo ditë. Kur këta lojtarë kthehen në kombëtare, sjellin me vete jo vetëm cilësi teknike, por edhe taktike, perceptim loje, eksperiencë. Në këta tre vite pune, duke folur vetëm për periudhën time, kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm, sidomos në aspektin taktik dhe strukturor. Skuadra ka mësuar të mbrohet më mirë. Kjo të jep siguri dhe ekuilibër, dhe të lejon të fusësh në fushë lojtarë me më shumë cilësi teknike në fazën ofensive. Ne zakonisht luajmë kundër kundërshtarëve më të fortë se ne, por po e përballojmë mirë këtë proces. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është përvoja në ndeshje të mëdha: Europiani, përballjet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Për ne ishte shumë e rëndësishme. Mund të luash 2-2 me Kroacinë, të humbasësh 1-0 nga “ekipi i dytë” i Spanjës që për mua mund të luajë finalen e Kupës së Botës dhe të humbasësh 2-1 nga Italia. Këto janë pjesë e rritjes sonë dhe ne jemi të kënaqur deri tani. Puna jonë e brendshme është të bindim lojtarët se mund të jemi gjithnjë e më të organizuar dhe të nxjerrim maksimumin nga cilësitë e tyre teknike. Europiani ishte një përvojë e jashtëzakonshme, edhe pse grupi ishte shumë i vështirë. Ishte pothuajse një muaj pa gjumë. Ne përfaqësonim një vend dhe debutonim kundër Italisë. Për mua ishte diçka shumë emocionale. Unë mbaj mend Italinë e vitit 1982, Zikon, Sokratesin. Të hyja në fushë si trajner kundër Italisë ishte shumë simbolike. Është një fanellë shumë e rëndë, me histori të bukur. Mbrojtëm kombëtaren dhe vendin. Nuk mund të hysh dhe të pësosh humbje të rënda. Ishte shumë stres, por ia vlejti. Ne ndërtuam një skuadër shumë reaktive, të fortë në mbrojtje dhe në kundërsulm. Broja është lojtari më i shpejtë që kemi, por në atë periudhë ishte i dëmtuar. Ne kemi lojtarë si Bajrami, Rey Manaj, që kanë cilësi teknike, shpejtësi të ndërtuar, jo vetëm hapësirë. Dalëngadalë po përpiqemi të rrisim cilësinë në mesfushë dhe në mbrojtje për të ndërtuar lojë më të pastër. Kundër skuadrave më të forta ndjehemi mirë, sepse na sulmojnë dhe na japin hapësira. Por lufta jonë është të mos jetojmë vetëm nga kundërsulmi. Shembulli i Andorrës është tipik. Është një skuadër që mbrohet me të gjithë, e çon çdo ndeshje në limit. Edhe Anglia ka pasur vështirësi kundër tyre.

Si e sheh Ançelotin në krye të Brazilit? Mendoj se është fantastike. Një nga trajnerët më të mëdhenj të dy dekadave të fundit. Ka punuar në klubet më të mëdha, me lojtarët më të mirë. Kam pirë një kafe me të, është shumë inteligjent, shumë i qetë dhe e di shumë mirë ku ndodhet. Kombëtarja braziliane është në duar shumë të mira. Brazil, Argjentinë, Francë, Angli, Spanjë, Portugali… janë të gjitha shumë pranë njëratjetrës. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh një Kupë Bote. Nëse ne shkojmë atje me Shqipërinë dhe arrijmë në finale… unë jam me Shqipërinë, sigurisht.

Karriera si trajner? Puna në klub është shumë ndryshe nga kombëtarja. Në klub luan çdo javë, të mërkurë dhe të diel. Te Lyon ishte shumë e shkurtër, nuk jep kohë për analiza të thella. Në kombëtare ke tre vite dhe mund të analizosh vërtet punën. Ne bëjmë vlerësime pas çdo cikli: Euro, Nations League, kualifikime. Mund të monitorosh lojtarë, të ndërtosh gradualisht.

Silvinjo, dua të flasim për stafin tënd: Doriva dhe Pablo Zabaleta. Si lindi kjo ide? Doriva është një person i besimit, shumë i qetë. Ai më sjell ekuilibër, sepse unë jam shumë intensiv. Kur ai më thotë “ndalo pak”, është sepse vërtet jam në limit. Zabaleta ka profil shumë të ngjashëm me timin: i detajuar, intensiv, modern. Ai sjell përvojë të freskët nga fusha. Ne tre krijojmë një balancë shumë të mirë.

Duke qenë se ke punuar me Venger, Guardiola, Mançini, Tite… nga kush ke marrë më shumë? Më shumë kam mësuar nga ata me të cilët kam punuar çdo ditë, Mançini dhe Tite. Nga Guardiola mora shumë në menaxhim dhe ide. Nga Venger, kulturë dhe edukatë. Çdo trajner lë diçka.

Si është të ndash statusin e figurës më të njohur të Shqipërisë me Dua Lipën? Është mirë sepse unë humbas gjithmonë. Por imagjino çfarë lumturie do t’i japim Shqipërisë nëse shkojmë në Kupën e Botës. Do të jetë gëzim për shumë njerëz.

The post Mundësia e përballjes me Brazilin, Silvinjo: Në finale të Botërorit, jam tifoz me Shqipërinë appeared first on Albeu.com.

Skandali në Vlorë/ Mbërrijnë pjesët hidraulike nga Turqia, rinis puna për riparimin e tubacionit kryesor të furnizimit me ujë

✇Albeu
By: M C

Pjesët hidraulike që nevojiteshin për rregullimin e defektit të tubacionit në vlorë kanë mbërritur nga mbrëmjen e sotme nga Turqia. Pas mbërritjes së pjesëve hidraulike, ka rinisur edhe puna për rregullimin e tubit kryesor me diametër 1000 milimetra që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëmn të Vlorës, i cili ishte çarë, duke lënë prej 4 ditësh pa ujë banorët e qytetit.

Lidhur me situatën skandaloze reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili fajësoi opozitën, duke thënë se pjesët hidraulike të instaluara në vitet 2009-2010 ishin jashtë standarteve dhe nuk kanë mbajtur dot presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer.

Çfarë ka ndodhur në Vlorë?

Qyteti i Vlorës po përballet me një mungesë të ujit prej më shumë se 4 ditësh, si pasojë e një defekti në linjën kryesore që furnizon me ujë të gjithë qytetin. Ndonëse po punohet prej orësh për riparimin e tij, si pasojë e defektit serioz dhe mungesës së një pajisjeje të posaçme që shërben për bashkimin e dy tubacioneve, ndërhyrja ka qenë e vështirë. Qytetarët e Vlorës janë detyruar të gjejnë alternativa për furnizim me ujë të pijshëm, duke u drejtuar te burimi në zonën e Ujit të Ftohtë, nga i cili janë furnizuar me ujë të pijshëm.

The post Skandali në Vlorë/ Mbërrijnë pjesët hidraulike nga Turqia, rinis puna për riparimin e tubacionit kryesor të furnizimit me ujë appeared first on Albeu.com.

Xhodi Skura mohon lidhjen me Krist Dragot/ Thjesht miq në instagram

✇Albeu
By: M C

Xhodi Skura, e eliminuara e parë nga Big Brother VIP Albania 5, ka nxitur dyshime për një lidhje me Krist Dragot gjatë një interviste në “Fan Club”.

Ajo tha se e njeh Kristin si mik në Instagram dhe komplimentoi sytë e tij, por nuk konfirmoi ndonjë romancë.

Ndërkohë, Kristi ka thënë se është në një lidhje me një shqiptare, pa dhënë emra, dhe disa detaje përputhen me Xhodin, por mund të jenë thjesht rastësi.

The post Xhodi Skura mohon lidhjen me Krist Dragot/ Thjesht miq në instagram appeared first on Albeu.com.

Transferim rekord? Futbollisti që futi në “sherr” Shqipërinë dhe Kosovën nuk nxitohet për të ardhmen

✇Albeu
By: M C

Etnik Brruti po bëhet gati për një eksperiencë të re jashtë Kosovës. Aktualisht për javën vetëm disa muaj të mbetur kontratë, ndërsa Malisheva pretendon të përfitojë nga shitja e kartonit.

Për 21-vjeçarin u raportua një kërkesë e bujshme prej 800 mijë eurosh, ndërsa Kluzh ishte i interesuar për shërbimet e tij. Asgjë nuk është e vërtetë dhe nuk do të ketë një transferim të tillë rekord nga Malisheva.

Brruti nuk ka pranuar rinovimin dhe kjo shifër është e ekzagjëruar. Mesfushori ndërkohë vendosi që të largohet nga Kosova U-21, për të përfaqësuar Shqipërinë.

Tashmë është pjesë e ekipit U-21. Te Kombëtarja fitoi ftesën në fillim, por asnjë nuk u llogarit për ndeshje deri tani.

The post Transferim rekord? Futbollisti që futi në “sherr” Shqipërinë dhe Kosovën nuk nxitohet për të ardhmen appeared first on Albeu.com.

Presidenti i SHBA-së pret në Florida Netanyahun, paralajmërimi për Iranin: Do ju shkatërrojmë…! Kryeministri izraelit i thur “lavde” Trump: Jeni fati më i madh i kësaj bote

✇Albeu
By: M C

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka pritur ditën e sotme në Florida kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu duke e rikthyer dhe njëherë fokusin tek konflikti në Lindjen e Mesme një ditë pas takimit me Volodymyr Zelenskyn.

Ashtu siç ndodhi dhe me Zenelskyn, Trump qëndron i ulur përballë Netanyahut në tryezën e Mar-a-Lago.

Për mediat e teksa në krah i qëndronte Netanyahu, Trump tha se do të shkatërronte Iranin nëse do të kishte një përpjekje prej tyre për tu riarmatosur.

“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtohet përsëri, dhe nëse po, do të na duhet t’i rrëzojmë, do t’i rrëzojmë, do t’i shkatërrojmë plotësisht. Por shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Kam dëgjuar që Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nëse ata duan të bëjnë një marrëveshje, kjo është shumë më e zgjuar. E dini, ata mund të kishin bërë një marrëveshje herën e fundit, përpara se ne të bënim një sulm të madh ndaj tyre. Mendoj, përsëri, se ata duhet të bëjnë një marrëveshje. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Por ndonjëherë kjo nuk ndodh”, tha Trump.

Trump gjithashtu u përgjigj dhe për rindërtimin e Gazës të shkatërruar nga bombardimet izraelite. Presidenti i SHBA-së u shpreh se rindërtimi do të fillojë së shpejti.

“Mendoj se do të fillojë shumë shpejt. Çfarë rrëmuje është. Dhe ka qenë një rrëmujë për shekuj me radhë. Ka qenë një rrëmujë për një kohë të gjatë. Duket se është krijuar për këtë. Por ne do ta rregullojmë. Tashmë po fillojmë disa gjëra. Po bëjmë gjëra për kushtet sanitare dhe të tjera. Por Gaza është një vend i vështirë, e dini shprehjen – është një lagje e vështirë. Është vërtet një lagje e vështirë”, tha Trump.

Nga ana tjetër, Netanyahu foli me superlativa për SHBA-në dhe presidentin Trump duke e cilësuar si fati më i madh i kësaj bote.

“Ne kurrë nuk kemi pasur një mik nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mendoj se nuk është thjesht fati i madh i Izraelit. Mendoj se është fati i madh i botës”, tha Netanyahu.

The post Presidenti i SHBA-së pret në Florida Netanyahun, paralajmërimi për Iranin: Do ju shkatërrojmë…! Kryeministri izraelit i thur “lavde” Trump: Jeni fati më i madh i kësaj bote appeared first on Albeu.com.

Fitoi zgjedhjet parlamentare, Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian

✇Albeu
By: M C

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian. Një ditë pas zgjedhjeve, me anë të një postimi në platformën X, Kurti falënderoi të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për një proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe pa incidente.

Ndër të tjera, Kurti tha se qytetarët e Kosovës i dhanë një mandat të fuqishëm, duke theksuar se është nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht pas përfundimit të mandatit të parë të plotë në historinë e vendit.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin përparimin demokratik të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian,” deklaroi Kurti.

The post Fitoi zgjedhjet parlamentare, Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian appeared first on Albeu.com.

Sergei Lavrov: Ukraina ka shënjestruar rezidencën e Vladimir Putin

✇Albeu
By: M C

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pretendoi se Ukraina ka shënjestruar një nga rezidencat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe tha se Moska do të hakmerret si dhe do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit të saj të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “gënjeshtër” pretendimin se Kievi ka shënjestruar rezidencën në rajonin e Novgorodit, në veriperëndim të Moskës. Ai theksoi se Rusia po përpiqet të minojë bisedimet SHBA–Ukrainë për luftën dhe po “përgatit terrenin për të kryer sulme, me shumë gjasë ndaj kryeqytetit [ukrainas] dhe ndërtesave qeveritare”.

Ky pretendim i Rusisë erdhi një ditë pasi Zelensky dhe presidenti amerikan, Donald Trump, thanë se kishte përparim në takimin e tyre në Floridë, duke theksuar se një marrëveshje e paqes për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare është “më afërt se kurrë”.

Moska ka sinjalizuar se nuk është e gatshme të bëjë lëshime të mëdha.

Përmes një deklarate të publikuar në Telegram më 29 dhjetor, Lavrov pretendoi se Ukraina përdori 91 dronë në atë që ai e quajti “sulm terrorist”, por shtoi se të gjithë u rrëzuan dhe nuk ka pasur raportime për dëme.

Lavrov tha se Rusia do të përgjigjet për këtë sulm dhe ka përzgjedhur “caqet dhe kohën” për sulmet hakmarrëse.

Ai tha se, meqë Qeveria e Ukrainës, të cilën e quajti “regjim kriminal i Kievit”, i është kthyer “një politike të terrorizmit shtetëror” dhe se “pozicioni negociues” i Rusisë do të rishqyrtohet, duke mos dhënë detaje të tjera.

Zyrtarët rusë kanë përdorur edhe më herët gjuhë të ngjashme për të përshkruar Qeverinë ukrainase, dhe Putini ka pohuar vazhdimisht se Zelensky nuk është një udhëheqës legjitim sepse në Ukrainë nuk janë mbajtur zgjedhjet që ishin paraparë më 2024.

Zgjedhjet në Ukrainë janë të ndaluara gjatë kohës së gjendjes së luftës, që është në fuqi që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Lavrov nuk e përmendi emrin e rezidencës, por vendndodhja në rajonin e Novgorodit sugjeronte se bëhet fjalë për një kompleks të mbrojtur në Valdai, një qytezë buzë liqenit, dhe për shkak të pyjeve përreth, Putin e ka favorizuar këtë rezidencë sesa rezidencat e tjera shtetërore që nga nisja e luftës, sipas një hulumtimi të kryer më herët gjatë këtij viti nga Systema, hetuese ruse e Radios Evropa e Lirë.

Përmes një deklarate, Zelensky e quajti pretendimin e Lavrovit “një tjetër gënjeshtër të Federatës Ruse”, duke shtuar se “është e qartë se për [Rusinë], nëse nuk ka skandal mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara dhe në vend të kësaj ka përparim, kjo është një dështim për ta. Sepse ata nuk duan që kjo luftë të përfundojë. Ata mund të detyrohen ta përfundojnë vetëm përmes presionit”.

Disa orë para pretendimit të Lavrovit, Zelensky tha se SHBA-ja i ka ofruar vendit të tij garanci “të forta” sigurie për 15 vjet, si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Rusinë./REL

The post Sergei Lavrov: Ukraina ka shënjestruar rezidencën e Vladimir Putin appeared first on Albeu.com.

Stine rrëfen: Miri nuk ka asnjë mik brenda shtëpisë

✇Albeu
By: M C

Edhe pse nuk ka shumë ditë që ka nisur edicioni i pestë i “Big Brother VIP”, Stine dhe Miri janë dy nga banorët më të përfolur të momentit.

Teksa të gjithë mendonin se do të kishin një raport të mirë me njëri-tjetrin, në fakt duket se nuk po ndodh ashtu.

Së fundmi, Stine ka folur te Dhoma e Rrëfimit për të, për të cilin thotë se nuk ka asnjë shok.

“Unë jam vrojtues i mirë edhe pse nuk e kam mendjen. Do flasim dhe ne si Miri. Ai nuk ka asnjë shok, edhe një që kishte e bëri kundërshtar. E shoh duke bërë gjërat nën tavolinë, fillon me S dhe mbaron me TH, ose fillon S dhe mbaron me E, skile”, thotë Stine te Dhoma e Rrëfimit, duke qeshur.

The post Stine rrëfen: Miri nuk ka asnjë mik brenda shtëpisë appeared first on Albeu.com.

Italia merr vendimin të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2026

✇Albeu
By: M C

Italia ka vendosur të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë vitit të ardhshëm, me një dekret të nënshkruar të hënën nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Dekreti miraton dërgimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake për Kievin, duke përforcuar pozicionin e Italisë si një nga partnerët më të besueshëm të Ukrainës brenda NATO-s.

Vendimi për të vazhduar ndihmën ushtarake për 2026-n, i planifikuar fillimisht për fillim-dhjetorin, u shty për shkak të kundërshtimeve nga një prej partnerëve të koalicionit qeverisës.

Partia e djathtë populiste Lega, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Mateo Salvini, kërkoi ndryshime në tekst për të theksuar më shumë ndihmën jo-ushtarake dhe për të sqaruar se dërgimi i armëve shërben vetëm për nevoja mbrojtëse.

Pas diskutimeve, koalicioni tre-partiak ra dakord për disa ndryshime të vogla në formulim, të cilat nuk prekin thelbin e dekretit. Dokumenti gjithashtu parashikon mundësinë e zgjatjes së qëndrimit në Itali për disa qytetarë ukrainas.

Salvini ka qenë kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke theksuar në nëntor se dërgimi i armëve nuk do të zgjidhë konfliktin.

The post Italia merr vendimin të vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2026 appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në Spanjë, 3 persona humbin jetën nga orteku gjatë skijimit, një tjetër plagoset

Një ortek ka shkaktuar tragjedi në Pirenejtë Aragoneze në Spanjën verilindore, duke vrarë tre persona dhe plagosur një tjetër. Incidenti ndodhi në orët e pasdites, kur një grua njoftoi autoritetet rreth orës 13:00, duke raportuar se pa një ortek dhe katër persona duke bërë ski në atë zonë.

Garda Civile Spanjolle tha për AFP se pas alarmit, ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga një helikopter, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, pranë majës Tablato në Pireneje. Pas mbërritjes, ekipet gjetën trupat e tre viktimave dhe një grua që ishte në gjendje hipotermie. Ajo u shpëtua dhe iu dha ndihma e nevojshme mjekësore.

Presidenti i rajonit të Aragonës, Jorge Athcon, shprehu tronditjen e tij për këtë aksident tepër tragjik, duke e cilësuar këtë ngjarje si një humbje të rëndë dhe shumë të trishtë. Ai shtoi se do të udhëtonte drejt zonës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës dhe për të ofruar mbështetje.

Sakaq, një hetim sapo ka nisur për të zbardhur shkaqet e ortekut dhe për të kuptuar më mirë rrethanat që çuan në këtë tragjedi. Ky është një nga incidentet më tragjike në rajonin e Pirenejve, i cili është një destinacion popullor për ski dhe aktivitete të tjera dimërore.

The post Tragjedi në Spanjë, 3 persona humbin jetën nga orteku gjatë skijimit, një tjetër plagoset appeared first on Albeu.com.

Ulje temperaturash dhe ngrica/ Ja parashikimi i motit për ditën e nesërme, e martë

✇Albeu
By: M C

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta. Mot parashikohet i kthjellët dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura përqendruar në relievet malore kryesisht lindje të territorit, pas orëve të mesditës.

Reshje të dobëta e lokale shiu në lindje dhe përgjatë vijës bregdetare pas orëve të mesditës.

Në relievet malore verilindje-lindje e juglindje reshje bore me intensitet kryesisht të ulët, në formën e flokëve të borës. Prezencë e ngricave në akset rrugore kryesisht në zonat malore.

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 12 gradë celcius, ndërsa ato minimale do të zbresin në -4 gradë celcius. Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.

Valëzimi në detet Jon dhe Adriatik do të jetë i forcës 1 ballë.

The post Ulje temperaturash dhe ngrica/ Ja parashikimi i motit për ditën e nesërme, e martë appeared first on Albeu.com.

❌