Reading view

Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së

PRISHTINË, 28 gusht /ATSH/ Autoritetet në Kosovë thanë se të paktën dhjetë mbetje kockore të gjetura në tri varrezat masive në Zubin Potok, janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, gjatë një vizite në Kalludër – një nga lokacionet ku u gjetën mbetje mortore – së bashku me familjarët e të zhdukurve, tha se mbetjet mortore të gjetura në këtë vend janë dërguar në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, ku do të bëhet krahasimi me mostrat e dhëna nga familjarët e të zhdukurve.

Pritet që shpejt të arrijnë rezultatet e para nga Haga pas dërgimit të mbetjeve kockore, thanë nga Institutit i Mjekësisë Ligjore.

Gërmimet kishin nisur në korrik dhe më 21 gusht, autoritetet njoftuan se kishte përfunduar procesi i gërmimeve dhe i zhvarrosjes të mbetjeve mortore në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut. Në tri varret masive, Prokuroria Speciale ka deklaruar se janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave.

Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile dhe aktualisht të njëjtit janë në paraburgim.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Grupi prej 23 personash është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se rastin e 23 personave të zhdukur e kanë trajtuar prej shtatë vjetësh dhe se provat e mbledhura deri tani çojnë hetimin drejt tyre, por vetëm përmes identifikimit me ADN do të vërtetohet nëse bëhet fjalë për ta.

Udhëheqësja e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në Ballkanin Perëndimor, Samira Krehiq, ditë më parë tha për Radion Evropa e Lirë se gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks të identifikimit.

Sipas saj, gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas Krehiq, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo u shpreh se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, tha Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

/REL/

The post Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Fatjona Kasapi fiton medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare

PRISHTINË, 28 gusht /ATSH/ Xhudistja kosovare Fatjona Kasapi ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Kasapi ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa në çerekfinale u mposht me Ippon nga francezja Pauline Cuq.

Ajo e vazhdoi garën përmes repasazhit, ku në luftën e parë ishte e lirë. Në duelin e dytë të repasazhit, Kasapi triumfoi me Yuko ndaj portugezes Maria Siderot, duke siguruar luftën për medaljen e bronztë.

Në përballjen vendimtare për podium, Kasapi e mposhti me Yuko italianen Gaia Stella dhe kështu fitoi medaljen e bronztë për Kosovën.

/Kosovapress/

The post Fatjona Kasapi fiton medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Duka: Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka përshëndetur përmes një reagimi në rrjetet sociale pjesëmarrjen e Egnatias në UEFA Conference League, duke e cilësuar këtë një arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar.

“Me krenari të veçantë ndoqa sot shortin e UEFA Conference League!

Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League! Një arritje e jashtëzakonshme për Egnatian dhe futbollin shqiptar!”, shkruan Duka.

Ai i ka përcjellë gjithashtu urimet klubit rrogozhinas për aventurën europiane.

“Urimet e mia dhe shumë suksese në Europë!”, përfundon presidenti i FSHF-së.

1 nga 2

The post Duka: Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

E premtja me mot të qëndrueshëm, reshje të izoluara në relievet malore

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi  ynë ditën e premte ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash mesatare në orët e mesditës dhe pasdites kryesisht përgjatë relieveve malore të cilat pritet të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet kryesisht të ulët.

Pas orëve të pasdites mot kryesisht i kthjellët.

Era me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë  e zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 14m/s, valëzim në dete i forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 24/38 Diell
Kukës 22/38 Diell re shi
Lezhë 24/37 Diell
Dibër 20/37 Diell re shi
Durrës 24/37 Diell
Tiranë 25/38 Diell
Elbasan 24/39 Diell
Berat 22/40 Diell
Vlorë 24/38 Diell
Korçë 19/36 Diell re shi
Gjirokastër 19/40 Diell
Sarandë 26/38 Diell

The post E premtja me mot të qëndrueshëm, reshje të izoluara në relievet malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Gonxhja: Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë, pjesë e trashëgimisë që pasuron kujtesën kulturore

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit dhe studiuesit Kujtim Buza, duke e cilësuar atë një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja shprehet se lajmi për ndarjen nga jeta të Buzës është pritur me “trishtim të thellë”, ndërsa vlerëson kontributin e tij shumëvjeçar në jetën artistike dhe kulturore të vendit.

Sipas ministrit, Kujtim Buza i përkiste një familjeje të lidhur ngushtë me historinë e artit shqiptar. Ai ishte i biri i piktorit Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.
“Kujtim Buza i përkiste një familjeje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e artit tonë. Bir i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare, ai u rrit pranë artit dhe e vijoi këtë trashëgimi me rrugëtimin e vet krijues”, shprehet Gonxhja.

Ministri thekson se Buza, përgjatë karrierës së tij, dha një kontribut të rëndësishëm në artin dhe jetën kulturore shqiptare, duke përmendur edhe drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë”, shkruan ai.

Gonxhja nënvizon gjithashtu se veprat e Kujtim Buzës, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, përbëjnë pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe kontribuojnë në pasurimin e kujtesës artistike të vendit.
Në përfundim të reagimit, ministri i shpreh ngushëllimet familjes Buza, të afërmve, miqve, kolegëve dhe komunitetit të artistëve.
“U prehtë në paqe!”, përfundon Gonxhja.

The post Gonxhja: Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë, pjesë e trashëgimisë që pasuron kujtesën kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndahet nga jeta piktori dhe studiuesi Kujtim Buza

LllTIRANË, 27 gusht/ATSH/ Piktori, studiuesi dhe një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar, Kujtim Buza, është ndarë nga jeta mbrëmjen e kësaj të enjteje, duke lënë pas trishtim te familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e artit të tij.

Kujtim Buza i përkiste një familjeje të lidhur ngushtë me historinë e artit shqiptar. Ai vinte nga një familje me tradita të forta patriotike nga Gjakova dhe ishte i biri i piktorit të njohur Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.

I rritur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtim Buza u njoh me pikturën që në fëmijëri. Pranë të atit, ai u formua artistikisht dhe kultivoi dashurinë për artin, të cilit më pas do t’i kushtonte gjithë jetën.

Rrugëtimi i tij krijues u shtri në disa dekada, duke e bërë atë një emër të njohur në jetën artistike dhe kulturore shqiptare. Krahas krijimtarisë në pikturë, Buza u angazhua edhe në studimin dhe dokumentimin e artit, duke dhënë kontribut në njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë pamore shqiptare.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij ishte drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ku kontribuoi në jetën institucionale të artit shqiptar.

Krijimtaria e Kujtim Buzës është pjesë edhe e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke mbetur pjesë e trashëgimisë artistike të vendit dhe e kujtesës kulturore shqiptare.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një figure të rëndësishme të artit pamor shqiptar, por vepra dhe kontributi i tij mbeten pjesë e historisë së artit shqiptar.

Për ndarjen nga jeta të Kujtim Buzës kanë shprehur ngushëllime familjarët, miqtë, kolegët dhe personalitete të jetës kulturore e artistike të vendit.

/a.f/

The post Ndahet nga jeta piktori dhe studiuesi Kujtim Buza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Lillestrom shuan ëndrrat e Egnatias për Europa League, Dinamo City mbyll rrugëtimin evropian

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ – Egnatia, edhe pse mbizotëroi për më shumë se 80 minuta lojë, nuk arriti të kurorëzonte ëndrrën “Europa Ligë”, duke u eliminuar në fazën e fundit kualifikuese nga skuadra norvegjeze e Lillestrom. Nga ana tjetër, Dinamo City ka mbyllur rrugëtimin e saj në Evropë, pas humbjes 4-2 në Qipro përballë Pafosit.

Egnatia shënon e para, por rrëzohet në fund

Skuadra kampione e Shqipërisë, pasi gjeti avantazhin e para, nuk arriti të përfundonte me sukses sfidën në Norvegji përballë Lillestrom. Skuadra e Nevil Dedes preku iluzionin e kualifikimit pas golit të shënuar në minutën e 33-të nga Sota, por rrogozhinasit u shtangën tetë minuta para përfundimit të lojës.

Lillestrom reagoi në pjesën e dytë dhe, në minutën e 82-të, gjeti golin e barazimit me Moen Fos, pas asistit të Ibrahimajt.

Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, duke e dërguar sfidën në shtesë. Në minutat shtesë, Egnatia pati mundësitë e saj për të rikthyer avantazhin, por nuk arriti të tregohej cinike përpara portës.

Në minutën e 94-t, Olsen shënoi golin e dytë për Lillestrom, duke përmbysur rezultatin dhe duke vendosur skuadrën norvegjeze në avantazh. Egnatia tentoi të reagonte deri në fund, por nuk arriti të gjente golin që do ta rikthente në garë.

Pas eliminimit nga gara për fazën e ligës së Europa League, rrogozhinasit do të vazhdojnë aventurën evropiane në Conference League.

Dinamo City, eliminim dramatik në Qipro

Blutë e Dinamo City, edhe pse mbijetuan për të paktën 115 minuta, nuk arritën të siguronin kualifikimin në Ligën e Konferencës. Skuadra dinamovite u mund 4-2 nga Pafosi në Qipro.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për ekipin e drejtuar nga Ilir Daja. Në minutën e 8-të, Fadairo përfitoi nga një aksion i mirë i bluve dhe kaloi Dinamon në avantazh.

Në të 12-ën, Sema barazoi shifrat me një gjuajtje nga distanca, me topin që u devijua dhe përfundoi në rrjetë.

Në minutën e 79-të, Pafosi përmbysi rezultatin me Ioannou, i cili shënoi me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë. Dinamo, megjithatë, reagoi menjëherë dhe tregoi karakter. Në minutën e 87-të, pas një goditjeje këndi, Silva-Richards u gjend në vendin e duhur dhe dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Ky rezultat e çoi ndeshjen në kohën shtesë dhe gjithçka mbeti e hapur. Në minutën e 116-të, Quina shënoi golin e tretë të Pafosit dhe riktheu vendasit në avantazh.

Goditja për Dinamon ishte fatale. Në 120+1’, Silva vulosi fitoren 4-2 të Pafosit dhe i dha fund përfundimisht shpresave të bluve.

/a.f/

The post Lillestrom shuan ëndrrat e Egnatias për Europa League, Dinamo City mbyll rrugëtimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Hëna mbi Moravë, Rama ndan pamjet spektakolare nga Korça

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e sotme pamje të Hënës që ndriçon në qiellin e Korçës, mbi malin e Moravës, duke krijuar një peizazh të veçantë dhe një spektakël natyror për banorët e qytetit të serenatave, por edhe për vizitorët vendas e të huaj.

Në fotografinë e realizuar gjatë mbrëmjes, disku i ndriçuar i Hënës shfaqet mbi majën e malit të Moravës, ndërsa poshtë tij dallohen silueta e kryqit monumental dhe dritat e kishës, duke krijuar një kontrast mes dritës së ftohtë të Hënës dhe ndriçimit të ngrohtë të monumenteve.

Kryqi i Moravës, i vendosur në majën e Shëndëllisë, rreth 1,365 metra mbi nivelin e detit, është një nga pikat më karakteristike panoramike mbi qytetin e Korçës. Kryqi i madh i bardhë është i dallueshëm nga larg dhe së bashku me kishën pranë tij përbën një prej simboleve të peizazhit të Moravës.

Pamja vjen në prag të hënës së plotë të gushtit. Sipas të dhënave astronomike, Hëna më 27 gusht ishte rreth 95% e ndriçuar, ndërsa faza e plotë e Hënës arrihet më 28 gusht.

Mbrëmja e kthjellët në Korçë ka favorizuar edhe më shumë pamjen, duke bërë që Hëna të dallohet qartë mbi siluetën e Moravës.

Kombinimi i Hënës së ndritshme, relievit malor dhe monumenteve të Moravës i ka dhënë qytetit një tjetër pamje karakteristike, duke sjellë një moment të veçantë për ata që kanë pasur mundësi ta shijojnë këtë panoramë.

/m.m/a.f/

The post Hëna mbi Moravë, Rama ndan pamjet spektakolare nga Korça appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mot i qëndrueshëm të hënën, reshje të shkurtra shiu në zonat malore

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare kalimtare nga orët e mesditës deri në pasdite. Vranësirat do të jenë më të përqendruara në relievet kodrinore-malore në lindje të territorit, ku do të shoqërohen me reshje afatshkurtra shiu, në formën e pikave.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim, me shpejtësi mesatare 4-7 m/s. Në dete pritet valëzim i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 22/35 Diell pak re
Kukës 15/33 Diell re
Lezhë 21/33 Diell pak re
Dibër 16/33 Diell re
Durrës 22/35 Diell pak re
Tiranë 24/35 Diell pak re
Elbasan 23/36 Diell re
Berat 21/36 Diell re
Vlorë 24/34 Diell pak re
Korçë 16/30 Diell re
Gjirokastër 18/36 Diell re
Sarandë 24/33 Diell pak re

 

 

 

 

The post Mot i qëndrueshëm të hënën, reshje të shkurtra shiu në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BKH hap konkursin për 40 hetues të rinj, aplikimet deri më 14 shtator

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ – Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka shpallur procedurën e konkurrimit të hapur për rekrutimin e 40 hetuesve në profilin e përgjithshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, konkurrimi do të jetë i hapur, transparent dhe i bazuar në meritë, integritet, aftësi profesionale e fizike, aftësi komunikimi dhe standarde të larta etike. Hetuesit do të ushtrojnë detyrën në selinë e BKH-së në Tiranë dhe, sipas nevojave të hetimit, në të gjithë territorin e vendit.

Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë arsim të lartë policor, juridik, në kontabilitet ose në degë të tjera që lidhen me misionin e BKH-së, si dhe më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në fusha të lidhura me veprimtarinë e BKH-së. Ata duhet gjithashtu të plotësojnë kushtet e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës dhe të kalojnë me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes.

BKH veçon si fusha me interes hetimin penal dhe veprimtarinë operacionale, korrupsionin dhe krimin e organizuar, hetimin financiar e pasuror, krimin kibernetik dhe provat digjitale, telekomunikacionin dhe sistemet teknike, analizën e të dhënave dhe inteligjencën kriminale, si dhe fushat juridike e bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërkombëtar.

Procedura e konkurrimit përfshin testin konjitiv, testimin e aftësive fizike, testin e zgjeruar me shkrim, intervistën e strukturuar, renditjen paraprake, poligrafin, verifikimin e pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrollin mjekësor e psikologjik, renditjen përfundimtare, trajnimin dhe emërimin. Fazat e pikëzuara kanë një total maksimal prej 106 pikësh.
Njoftimi përcakton se poligrafi, verifikimi i pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrolli mjekësor e psikologjik dhe trajnimi nuk pikëzohen, por janë të detyrueshme. Marrja e zeros në një nga komponentët e testimit fizik sjell skualifikimin e kandidatit.

Aplikimi duhet të bëhet elektronikisht dhe me postë. Dokumentacioni elektronik dërgohet në adresën bkh.aplikim@spak.gov.al, ndërsa kopja fizike në adresën e BKH-së, në rrugën “Jordan Misja”, nr. 1, Tiranë. Afati i aplikimit është 14 shtator 2026, ora 16:00.

Pozicioni i hetuesit të BKH-së ka statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Pas përfundimit të trajnimit dhe emërimit, hetuesi shërben për një periudhë jo më pak se shtatë vjet pranë BKH-së, përveç rasteve të shkarkimit të parashikuara nga ligji.

SHPALLJE PUBLIKE PËR REKRUTIMIN E 40 (DYZET) HETUESVE TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

/a.f/

The post BKH hap konkursin për 40 hetues të rinj, aplikimet deri më 14 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti iu bën thirrje partive për takim: Të diskutojmë emrat për presidentin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet edhe për emrat konkretë të kandidatëve për presidentin e ardhshëm, me qëllim që të arrihet një marrëveshje dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.

Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve.

Kurti bëri të ditur se mbrëmë u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin.

“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha ai.

Ai vlerësoi se në Kosovë ka “me dhjetëra” personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, që mund të konsiderohen për këtë post.

Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me LVV-në dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndonëse për sot nuk është thirrur seancë.

Ata po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila ka mbetur e ndërprerë në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e legjislaturës së re.

“LVV-ja e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit”, tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në foltoren e Kuvendit.

PDK-ja dhe Aleanca kanë qëndruar në Kuvend edhe gjatë ditëve të kaluara, duke kërkuar që puna e Kuvendit të vazhdojë, ndërsa përplasjet me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar edhe me tensione në sallë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se para vazhdimit të procedurave për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kriza institucionale në Kosovë po vazhdon prej përplasjes mbi mënyrën se si duhet të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja doli partia e parë me 53 deputetë, PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me shtatë.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

/REL/

The post Kurti iu bën thirrje partive për takim: Të diskutojmë emrat për presidentin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

E premtja me mot të paqëndrueshëm, reshje lokale në disa zona

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime në veri e përgjatë vijës bregdetare dhe alternime vranësirash, në lindje e jug, nga ku edhe do të pasohen me reshje afatshkurtra e lokale shiu me intensitet të ulët në mesditë e pasdite.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era do të arrijë shpejtësi deri në 10 m/s shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET

Temperaturat

Siglat

Shkodër

25/35

Diell pak re

Kukës

18/33

Diell re shi

Lezhë

24/35

Diell pak re

Dibër

17/33

Diell re shi

Durrës

21/36

Diell pak re

Tiranë

26/37

Diell pak re

Elbasan

25/38

Diell re shi

Berat

20/37

Diell re shi

Vlorë

22/33

Diell re shi

Korçë

18/29

Diell re shi

Gjirokastër

16/36

Diell re shi

Sarandë

25/35

Diell re shi

/r.e/

The post E premtja me mot të paqëndrueshëm, reshje lokale në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.

Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.

Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.

“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.

Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.

“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.

LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.

Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj”, tha Abdixhiku.

Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit.

Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

/REL/

The post Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kearns: Evropa t’i “luftojë” lidhjet Serbi-Rusi-Kinë, Britania qëndron përkrah Kosovës

PRISHTINË, 12 gusht/ATSH/ Deputetja britanike, Alicia Kearns nuk ka ngurruar t’i komentojë zhvillimet e fundit rreth Kosovës, pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. Në një postim në “X”, ajo i është referuar shkurt e qartë: “Kjo është diplomaci”, reagimit të ashpër të kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj këtij plani të Serbisë.

Në këtë cilësinë e mbështetëses së Kosovës dhe, këmbëngulëses që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e rreptë ndaj Serbisë e cila, sipas saj, nuk resht së punuari për shfuqizimin e shtetit më të ri në Evropë, Kearns e dha këto ditë një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Në përgjigjet e dhëna me shkrim, deputetja që ishte ndër politikanët e parë ndërkombëtarë që ngriti zërin për armatosjen e serbëve në veri, shumë kohë para sulmit në Banjskë, flet për afrinë e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, për rrezikun nga krijimi i asociacionit të komunave më shumicë serbe, por edhe për raportin aktual të Kosovës me strukturat euro-atlantike, si edhe me vendet aleate.

Po ashtu, ajo komenton zhvillimet e fundit politike me ngërçin e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit.

Intervista e plotë me deputeten britanike, Alicia Kearns:

KosovaPress: Kosova po përballet me një ngërç të zgjatur politik dhe institucional pas zgjedhjeve, duke e bërë të vështirë krijimin e institucioneve të reja. Kryeministri Albin Kurti është akuzuar nga kundërshtarët politikë se ka kontribuar në këtë ngërç duke refuzuar kompromisin, ndërsa ai argumenton se po mbron parimet demokratike dhe sundimin e ligjit. Si e vlerësoni krizën aktuale politike dhe ku besoni se qëndron përgjegjësia kryesore?

Kearns: Si mike dhe mbështetëse e Kosovës, do të doja ta shihja vendin duke i kapërcyer ngërçet politike, në mënyrë që të vazhdojë të zhvillohet dhe të përparojë. Demokracia dhe vetëvendosja janë të çmuara – diçka për të cilën kosovarët janë veçanërisht të vetëdijshëm, duke pasur parasysh historinë e vendit tuaj.

Si mike, i dëshiroj Kosovës gjithë të mirat, por nuk do t’u them kosovarëve se si duhet të votojnë apo të qeverisin. Kjo u takon vetë kosovarëve ta vendosin. Politikanët në të gjitha vendet kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve që të veprojnë në interesin kombëtar dhe të sigurojnë që dallimet politike të mos e pengojnë qeverisjen e mirë.

KosovaPress: Kryeministri Kurti është vlerësuar për agjendën e tij kundër korrupsionit dhe përpjekjet për forcimin e sovranitetit të Kosovës, por është përballur edhe me kritika për marrëdhëniet e tij me aleatët tradicionalë të Kosovës dhe me akuza për përqendrim të tepërt të pushtetit politik. Në përgjithësi, si e vlerësoni udhëheqjen e tij, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare? A ka arritur ekuilibrin e duhur?

Kearns: Korrupsioni është helm për çdo shoqëri dhe çdo përpjekje për ta çrrënjosur atë duhet përshëndetur. Komuniteti ndërkombëtar po përballet me një periudhë sfidash të thella, ku supozimet e vjetra janë rrëzuar, sundimi i ligjit është nën kërcënim dhe lufta është rikthyer në Evropë.

në mbarë Evropën po përballen me këto sfida. Nuk ka përgjigje të lehta dhe të gjithë duhet të bëjmë më të mirën që mundemi për t’i përballuar ato.

Kosova është vendi më i ri në Evropë, si për nga koha që nga shpallja e pavarësisë, ashtu edhe për nga popullsia e saj, ku 50% e qytetarëve janë nën moshën tridhjetëvjeçare. Sa herë që e vizitoj Kosovën, më bën përshtypje energjia dhe vullneti i kosovarëve për ta çuar vendin e tyre përpara. Ka jashtëzakonisht shumë mundësi dhe besoj me gjithë zemër se, kur kosovarët bashkohen, gjithçka është e arritshme.

KosovaPress: Shumë njerëz në Kosovë besojnë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe disa partnerë kyç evropianë janë përkeqësuar gjatë viteve të fundit. A e ndani këtë vlerësim? Në një kuptim më të gjerë, a ka zbatuar Bashkimi Evropian standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë duhet bërë për të rikthyer besimin strategjik ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj?

Kearns: Mbretëria e Bashkuar ka ruajtur marrëdhënie pozitive me Kosovën gjatë kohës kur partia ime, Konservatorët, ishte në pushtet, si dhe që prej ardhjes së laburistëve në qeveri në vitin 2024. Si parlamentare, mund të them me bindje se Kosova gëzon mbështetje në të gjithë Parlamentin britanik. Kjo u dëshmua edhe me mbështetjen e pakushtëzuar të Britanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, diçka për të cilën vazhdoj të bëj thirrje.

Nuk besoj se komuniteti ndërkombëtar ka zbatuar standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë. Ende dua të shoh drejtësi për sulmin në Banjskë. Milan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të deportohet në Kosovë për t’u gjykuar. Edhe pse heqja nga BE-ja e masave negative ndaj Kosovës ishte e mirëseardhur, ato nuk është dashur të vendoseshin kurrë.

Dëshiroj gjithashtu ta vlerësoj ish-presidenten Osmani për arritjet e saj të rëndësishme në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me vendet e tjera. Përpjekjet e saj kanë qenë shumë të rëndësishme për të siguruar që zëri i Kosovës të dëgjohet përtej kufijve të saj.
Ndërsa është e rëndësishme që Kosova të punojë me partnerët dhe aleatët e saj, ekziston gjithashtu një përgjegjësi mbi ne, si aleatë të Kosovës, që të sigurojmë se dialogu Prishtinë–Beograd është i drejtë dhe i paanshëm.

KosovaPress: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duket se ka arritur në një ngërç. A besoni se procesi ka nevojë për një rifillim thelbësor? A duhet njohja e ndërsjellë të mbetet objektivi përfundimtar dhe si duhet të trajtohet çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

Kearns: Dialogu ka nevojë për një rifillim. Qëndrimet e mia për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe janë të njohura – unë nuk e mbështes këtë nismë. Serbët e Kosovës kanë të drejta konkrete dhe të përcaktuara qartë në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

Të gjithë i kemi parë përpjekjet e Milorad Dodikut për ta shpërbërë Bosnjën dhe Hercegovinën përmes Republika Srpska-s dhe veprimet e partive si Lista Srpska në Kosovë sugjerojnë se e njëjta gjë mund të ndodhë nëse atyre u jepen kompetenca jashtë strukturës së përgjithshme shtetërore.

Kam respektin më të madh për serbët e Kosovës që punojnë me shtetin e Kosovës në përpjekje për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët. Megjithatë, dëshmitë janë të qarta – më së dukshmi përmes sulmit në Banjskë – se ka nga ata që do ta përdornin çdo entitet të ri për ta penguar dhe minuar shtetin.

Derisa të ketë garanci se çdo Asociacion i ri do të funksionojë brenda shtetit të Kosovës dhe jo kundër tij, ky propozim nuk duhet të zbatohet.

KosovaPress: Politikat e qeverisë ndaj veriut të Kosovës kanë shkaktuar reagime të ndryshme. Mbështetësit argumentojnë se kryeministri Kurti ka forcuar sovranitetin e Kosovës dhe sundimin e ligjit, ndërsa kritikët thonë se qasja e tij ka rritur tensionet me komunitetin lokal serb dhe partnerët ndërkombëtarë. Si e vlerësoni politikën e tij ndaj veriut të Kosovës dhe cili duhet të jetë hapi i ardhshëm?

Kearns: Gjatë viteve të fundit kemi parë bojkotim të zgjedhjeve, sulme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, kontrabandë armësh, kriminalitet dhe vrasjen e policit hero Afrim Bunjaku, të pasuar nga një përballje e armatosur në Banjskë.

Ata serbë të guximshëm të Kosovës që përpiqen të punojnë me shtetin shpesh përballen me kërcënime ndaj vetes dhe familjeve të tyre. Stabiliteti dhe sundimi i ligjit janë jetike.
Serbët e Kosovës, natyrisht, duhet të jenë në gjendje ta praktikojnë fenë e tyre, ta flasin gjuhën e tyre dhe ta ruajnë kulturën e tyre – siç përcaktohet në Kushtetutë. Është për të ardhur keq që dëshirat dhe nevojat e tyre shpesh keqpërdoren dhe përfshihen në narrativa më të gjera të irredentizmit serb.

Duhet të krijohet hapësirë për politikanët lokalë që kanë në zemër interesat më të mira të komuniteteve të tyre dhe që mund t’i përfaqësojnë ato pa presion dhe kërcënime nga jashtë.

KosovaPress: Si e vlerësoni politikën e presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës dhe strategjinë e tij të balancimit të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës? A besoni se udhëheqja aktuale e Serbisë është vërtet e gatshme të ecë drejt njohjes së Kosovës dhe a duhet që qeveritë perëndimore të mbajnë një qëndrim më të vendosur ndaj Beogradit?

Kearns: Shpresoj sinqerisht se Serbia një ditë do ta njohë Kosovën. Fatkeqësisht, nuk kam parë asnjë dëshmi se qeveria aktuale do ta bëjë këtë. Komentet e fundit të ministrit serb Paunoviq, që promovojnë dhe glorifikojnë spastrimin etnik, dëshmojnë për një mendësi që vazhdon të ekzistojë te disa politikanë serbë.

Do ta paralajmëroja çdo vend evropian kundër marrëdhënieve më të afërta me Partinë Komuniste të Kinës. Në fakt, rregullisht i bëj thirrje qeverisë sime të ndërmarrë veprime për t’iu kundërvënë veprimeve armiqësore nga Kina, përfshirë represionin transnacional, vjedhjen e pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore që shtrembërojnë tregun dhe madje spiunazhin në Parlamentin britanik.

Çdo mbështetje apo bashkëpunim me Rusinë pas pushtimit të paligjshëm dhe brutal të Ukrainës duhet të dënohet pa asnjë hezitim.

KosovaPress: Kosova paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në vitin 2022, por që atëherë është shënuar pak përparim, ndërsa vendi vazhdon të mbetet jashtë NATO-s pavarësisht orientimit të fuqishëm properëndimor. Çfarë duhet të bëjnë ndryshe Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nëse vërtet duan ta ankorojnë Kosovën brenda komunitetit euroatlantik dhe çfarë mesazhi i dërgon ky ngërç aktual pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor?

Kearns: Kosova është pjesë e komunitetit euroatlantik dhe vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj në fusha të tilla si lufta kundër korrupsionit, modernizimi dhe sundimi i ligjit. Ishte për të ardhur shumë keq që Kosova nuk arriti të anëtarësohej në Këshillin e Evropës në vitin 2024, pavarësisht votës në favor të saj nga Asambleja. Mbretëria e Bashkuar atëherë ofroi mbështetje të plotë dhe tani duhet të punojë që anëtarësimi të bëhet realitet.
E njëjta gjë vlen edhe për organizatat e tjera shumëpalëshe. Dua ta shoh Kosovën duke zënë vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar.

KosovaPress: Në fund, nëse do të mund t’i jepnit një këshillë kryeministrit Albin Kurti dhe një tjetër udhëheqjes më të gjerë politike të Kosovës, cilat do të ishin ato?

Kearns: Kosova është një vend i ri dhe energjik, me një popullsi ambicioze dhe të talentuar. Ka jashtëzakonisht shumë mundësi dhe i takon klasës politike të sigurojë që ato të shfrytëzohen, duke i lënë mënjanë dallimet politike për të mirën e përgjithshme.

/KosovaPress/

The post Kearns: Evropa t’i “luftojë” lidhjet Serbi-Rusi-Kinë, Britania qëndron përkrah Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shefi i KFOR-it: Trupat mund të shtohen nëse rrezikohet siguria në Kosovë

PRISHTINË, 12 gusht/ATSH/ Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Jovana Radosavljeviq, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.

“Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, thuhet në njoftimin e misionit.

KFOR-i theksoi se, edhe pas përfundimit të procesit, do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Lista Serbe kishte reaguar kundër njoftimit për uljen graduale të pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër, duke kërkuar që kjo masë të ndalej.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës kishte kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Lista Serbe kishte argumentuar se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë duhet të bëhet me kujdes.

Ajo kishte thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe për vite me radhë ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë.

Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë. /REL/

The post Shefi i KFOR-it: Trupat mund të shtohen nëse rrezikohet siguria në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Moti të mërkurën i kthjellët në të gjithë vendin, erë e fortë përgjatë bregdetit

TIRANË, 12 gusht/ATSH/Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë vendin, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta dhe kalimtare në relievet malore në veri dhe lindje.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim–verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era do të fitojë shpejtësi deri në 15 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1–3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/40 Diell
Kukës 17/38 Diell re
Lezhë 22/40 Diell
Dibër 18/38 Diell
Durrës 23/39 Diell
Tiranë 25/40 Diell
Elbasan 23/40 Diell pak re
Berat 21/41 Diell
Vlorë 24/38 Diell
Korçë 19/35 Diell
Gjirokastër 19/41 Diell pak re
Sarandë 25/37 Diell

 

/a.f/

The post Moti të mërkurën i kthjellët në të gjithë vendin, erë e fortë përgjatë bregdetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Senatorja amerikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it

PRISHTINË, 11 gusht/ATSH/ Senatorja republikane amerikane, Joni Ernst po qëndron për vizitë në Kosovë, ku gjatë së martës është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

Haxhiu ka bërë të ditur se në takimin me senatoren nga shteti i Ajovës kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e ka cilësuar Ernstin si “mike të dëshmuar të Kosovës” dhe një zë të rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Haxhiu njoftoi gjithashtu se e ka dekoruar senatoren amerikane me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst, e cila është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan, gjatë vizitës në Kosovë është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

KFOR-i bëri të ditur se takimi është zhvilluar në selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, në Camp Film City në Prishtinë, por nuk dha detaje lidhur me temat e diskutuara.

Vizita e senatores amerikane zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike në Kosovë, në kohën kur vendi po përballet me ngërç institucional pas dështimit të konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të qershorit.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Ernst nuk ka bërë deklarata publike lidhur me përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar më herët për vizitën e senatores në Kosovë.

/Kosovapress/

The post Senatorja amerikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Haxhiu kërkon marrëveshje politike para vazhdimit të seancës konstituive

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka theksuar sot nevojën e marrëveshjes politike para vazhdimit të seancës konstituive.

Pas takimit me mërgimtarë në Kuvend, ajo tha se partitë e ish-opozitës krahas gjuajtjes me vezë ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurti, kanë pasur plane dhe për incidente të tjera.

Ajo theksoi nevojën e arritjes së marrëveshjes politike për formim të institucioneve.

Sipas saj, të gjithë ata që kanë dyshime se po shkelet kushtetuta duhet t’i drejtohen organit më të lartë juridik në vend.

/KosovaPress/

The post Haxhiu kërkon marrëveshje politike para vazhdimit të seancës konstituive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti: Përpjekje për marrëveshje për të shmangur zgjedhjet

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka bërë thirrje përsëri partive politike parlamentare për të pasur një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Kurti tha se është në komunikim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zgjidhja siç tha ai, për të mos shkuar në zgjedhje është marrëveshja politike.

“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi për çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti.

Kjo pasi kreu i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e kanidatit për kryetar të Kuvendit. Ai tha se kjo kërkesë vjen pasi që s’ka ende marrëveshje politike.

“Takimet dhe komunikimi im, si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarët e partive të tjera parlamentare, kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, lus për kohë shtesë”, ka thënë Kurti të shtunën.

Pas kësaj kërkese, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka gjuajtur me vezë kryetarin e VV-së, Albin Kurtin. Pas eskalimit të situatës, kryesuesi Dehari kërkoi sigurimi kuvendit të futet në sallë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

/KosovaPress/

The post Kurti: Përpjekje për marrëveshje për të shmangur zgjedhjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

E diela sjell temperatura deri në 40°C, reshje të dobëta në veri

TIRANË, 9 gusht/ATSH/Shërbimi Meteoroligjik Ushtarak njofton se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, si dhe alternime vranësirash kryesisht mesatare në orët e mesditës dhe pasdite, përqendruar në veri, lindje, e jug të territorit, më të theksuara maleve.

Vranësirat në orët e mesditës deri pasdite pritet të shoqërohen me reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët, në këto zona, ndërsa pjesa tjetër e territorit pa reshje shiu dhe me mot të nxehtë.

 

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të fitojë shpejtësi deri në 15 m/s shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër 23/40 Diell pak re

Kukës 17/36 Diell pak re

Lezhë 25/38 Diell pak re

Dibër 18/36 Diell pak re

Durrës 24/39 Diell pak re

Tiranë 25/40 Diell re

Elbasan 24/39 Diell re shi

Berat 20/40 Diell re

Vlorë 24/38 Diell re shi

Korçë 17/34 Diell re shi

Gjirokastër 18/37 Diell re shi

Sarandë 24/36 Diell re shi

/a.f/

 

 

 

The post E diela sjell temperatura deri në 40°C, reshje të dobëta në veri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌