Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Fati i Irena Gjokës/ “Shteti grek në funksion të Berishës”, Meçe: Dokumenti i prodhuar! Nuk ka prova konkrete

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet që ajo ka bërë në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Në dokument thuhet se Irena Gjoka, është dënuar për shkak, të tjetërsimit të një vize greke duke i zgjatur vlefshmërinë.

Analisti politik Arben Meçe tha për Real Story se ky dokument nuk ofron siguri nëse është autentik apo i falsifikuar. Më tej, Meçe tha se ky dokument është i prodhuar, pasi para daljes nuk figuron asnjë dënim i tillë, nuk ekziston asnjë gjurmë e pranisë së Gjokës dhe është e vërtetuar se vendimet janë marrë në mungesë. Sipas tij, shteti grek është vënë në funksion të Berishës.

“Prokuroria ka kryer një hetim pa prova konkrete. Kur i drejtohesh Ministrisë së Drejtësisë për çështje penale dhe përgjigjja është negative. Kjo situatë tregon për një manipulim të mundshëm nga palë të caktuara në Greqi, me qëllim për të ndihmuar Fredi Belerin dhe Sali Berishën.

Shteti grek është vënë në dispozicion të Berishës, ndërsa qeveria greke po bën namin dhe po prodhon një kauzë politike për të krijuar dhe ushqyer një forcë ekstreme, e cila më pas përdoret nga Berisha.

Dokumenti që është paraqitur nuk ofron siguri nëse është autentik apo i falsifikuar. Prokuroria e ka bazuar hetimin e saj mbi dokumentin e Berishës.

Ndërkohë, është marrë një vendim në mungesë, pa dijeninë e saj. Kjo do të thotë se në dokumentin zyrtar që ajo ka paraqitur në procesin e vettingut, të dhënat janë të sakta, pasi edhe përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është zyrtare dhe korrekte.

Ky dokument është i prodhuar, pasi para daljes së tij nuk figuron asnjë dënim i tillë. Nuk ekziston asnjë gjurmë e pranisë së Gjokës dhe është e vërtetuar se vendimet janë marrë në mungesë. Këto elemente dëshmojnë se bëhet fjalë për një dokument të fabrikuar.”  / abcnews.al /

“Vettingu ka dështuar”, Karanxha: Irena Gjoka me tre mbiemra, të mos ishte fare në sistemin e drejtësisë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Sipas burimeve, megjithëse nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar, nga hetimet rezulton se është administruar një vendim autentik i autoriteteve greke, i cili vërteton dënimin e saj më 7 korrik 2005 nga Gjykata e Janinës.

Zhvillimi ka ngjallur reagime të forta mbi funksionimin e procesit të vettingut në drejtësi, ku ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi rastin si një dështim të vettingut, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një person me precedent penal ka arritur të kalojë verifikimet dhe të ushtrojë funksione në një institucion të ndjeshëm të drejtësisë.

“Në rastin konkret po konstatojmë se në procesin e Vettingut nga ngecur miu dhe ka kaluar ariu i madh. Në vetting një nga kolonat ishte pastërtia e figurës, që këtu ne kemi dështuar. Fakto që Irena Gjoka me tre mbiemra rezulton e dënuar kemi një rënie të sistemit të vettingut, por Irena Gjoka ka kaluar dhe një komision të posaçëm. Dosja që ka kaluar Irena Gjoka duhet që të shikohet. Një person që ka një problem të tillë nuk duhet të marrë kurrsesi në institucione të tilla që ka shumë filtra. Ajo është dënuar në vitin 2005-ën. Një gjyqtar nuk mund të falsifikojë vizën.

Që në këtë moment nuk duhet të ishte marrë fare. Ajo ka një rrezik tjetër, që dikush mund ta dijë këtë informacion dhe ta përdor si shantazh. Unë konstatoj edhe diçka tjetër, si ka mundësi hetime kaq të gjata me një kohë kaq të gjatë. Ja ku është Janina! Ky është një dështim. Duhet të kishim marrë masa më parë të mos e kishim lënë të shkonte deri këtu. Berisha ka qenë konsistent. Këtu kemi një virus. Kush e  ka futur këtë person aty?! Këtu na del Irena Gjoka e dënuar, e depërtuar, është me dosje shantazhesh”, tha ish-prokurori Karanxha.

Fati në pikëpyetje i gjykatëses, po dosjet?/ Gazetari: Akuzat ndaj Irena Gjokës, pasi mori në gjykim Fredi Belerin

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet që ajo ka bërë në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Në dokument thuhet se Irena Gjoka, është dënuar për shkak, të tjetërsimit të një vize greke duke i zgjatur vlefshmërinë.

Gazetari Ervin Leka tha për Real Story se akuzat ndaj Gjokës dolën pikërisht gjatë shqyrtimit të çështjes së Fredi Bejlerit dhe se ajo është gjykatësja që e ka dënuar.

“Irena Gjoka mund të shkarkohet ose të ndiqet penalisht për falsifikimin e formularëve, çështje për të cilën do të vendosë Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Për dosjet në hetim, fillimisht duhet të shqyrtohet nëse vendimi ka qenë i marrë nga një trupë gjykuese e përbërë vetëm nga Irena Gjoka apo edhe nga gjyqtarë të tjerë.

Kjo çështje është në kompetencë të KLGJ-së, me argumentimin se Gjoka ka qenë e përfshirë në procese të rëndësishme gjyqësore, si ato ndaj Fredi Belerit dhe Ilir Metës. Irena Gjoka është gjyqtarja që ka dënuar Fredi Bejlerin, dhe periudha kur kanë dalë akuzat ndaj saj përkon me kohën kur ajo po shqyrtonte çështjen e Bejlerit.

Akuzat ndaj Gjokës dolën pikërisht gjatë shqyrtimit të çështjes së Fredi Bejlerit.”  / abcnews.al /

Vala e madhe e të ftohtit përfshin Azinë dhe Lindjen e Largët Ruse, dëbora arrin mbi 2 metra

Lindja e Largët Ruse është goditur nga reshjet më të dendura të dëborës në 60 vjet, ndërsa një valë e përhapur e të ftohtit nga Arktiku përfshiu pjesën më të madhe të Azisë.

Fenomeni ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të transportit, me autostrada të mbyllura në Kinë, pasagjerë të bllokuar në aeroporte në Japoni dhe rajone në Lindjen e Largët Ruse të paralizuara. Shkencëtarët thonë se kushtet ekstreme lidhen me depërtimin e njëkohshëm të masave të ftohta ajrore nga Arktiku, duke prekur Rusinë lindore dhe Azinë, si dhe Evropën Lindore. Klimatologu Theodore Kipping shpjegoi se valëzimi i rrymave të ajrit, për shkak të një vorbulle polare arktike më të dobët, lejon që valët e ftohta të zbresin në gjerësi gjeografike më jugore.

Në Gadishullin Kamçatka, stuhitë e borës varrosën makina dhe bllokuan hyrjet e ndërtesave, me më shumë se 2 metra dëborë të regjistruara në gjysmën e parë të janarit, pas 3.7 metrave në dhjetor. Në qytetin Petropavlovsk-Kamçatsky, rreth 6,800 kilometra në lindje të Moskës, banorët ecën përmes grumbullimeve të dëborës deri në semaforët.

Në Japoni, erërat e forta dhe reshjet e dendura të dëborës shkaktuan dhjetëra anulime fluturimesh dhe ndërprerje të udhëtimit në bregdetin veriperëndimor. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të dendura dëbore midis 21 dhe 25 janarit, duke këshilluar që të mos kryhen udhëtime jo të domosdoshme. ANA Holdings anuloi 56 fluturime, duke prekur 3,900 pasagjerë, ndërsa Japan Airlines anuloi 37 fluturime, duke prekur 2,213 udhëtarë, kryesisht në Aeroportin e Ri Chitose në Hokkaido.

 

Deklarata e fortë e Trump: NATO ekziston falë meje

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi së fundmi se nuk ka asnjë individ, përfshirë presidentët e tjerë, që ka kontribuar më shumë për NATO-n sesa ai.

“Nëse unë nuk do të isha shfaqur, NATO-ja nuk do të ekzistonte tani! Do të kishte përfunduar në hi të historisë. Trishtueshme, por e vërtetë”, shkroi ai në Truth Social.

Deklarata e liderit amerikan vjen derisa presidenti vazhdon të theksojë rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve të aleancës transatlantike gjatë mandatit presidencial.

Ndërkohë, Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka deklaruar në një intervistë për tensionin e fundit midis Donald Trumpit dhe Evropës.

“Nuk mund të premtoj se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO. Askush nuk mundet”, tha Stoltenberg, i cili aktualisht shërben si ministër i Financave i Norvegjisë, për revistën gjermane Der Spiegel.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga anëtarët themelues dhe më të rëndësishëm të NATO-s (Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior).

Zelensky merr ftesën për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, presidenti ukrainas: S’mund të qëndroj krah Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka marrë një ftesë për të bashkuar forcat me Bordin e Paqes, por tha se është shumë e vështirë për të imagjinojë mundësinë e bashkëpunimit me Vladimir Putinin.

Në një intervistë për gazetarët, Zelensky tha: “Ne e kemi marrë ftesën, diplomatët tanë po punojnë për të, por është ende shumë e vështirë për mua të imagjinoj se si ne dhe Rusia mund të jemi së bashku në ndonjë lloj këshilli”.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një kohë kur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë janë në kulmin e tyre, duke theksuar dallimet e thella që ekzistojnë mes dy vendeve, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Presidenti ukrainas ka shprehur dyshime për mundësinë e një procesi të vërtetë paqeje, përveçse ka theksuar nevojën për të marrë garanci të forta dhe të qarta për sigurinë e Ukrainës.

 

Ftesa e Trump për Ramën/ Leka: Shqipëria vend lakmues në sferën globale. Asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’

Kryeministri Edi Rama ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë si anëtar themelues në Bordin e Paqes, një nismë që e pozicionon Shqipërinë në një rol të rëndësishëm ndërkombëtar. Rama i ka dërguar një letër Trump-it, ku e informon për miratimin e shpejtë të ftesës në Parlament.

Ndërkohë, votimi për anëtarësimin në këtë bord ka kapur në befasi Partinë Demokratike, e cila ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj zyrtar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka shmangur daljet publike, ndërsa Belind Këlliçi e ka cilësuar ftesën si një lajm të madh për Shqipërinë.

I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Martin Leka komentoi zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe reagimin e opozitës ndaj ftesës së Donald Trump për kryeministrin Rama. Sipas tij, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të qartë nga Partia Demokratike dhe ka thelluar kontradiktat brenda saj.

“Narrativat e kanë nxjerrë PD zbuluar. Berisha mendonte se me ardhjen e Trump po i hiqej ‘non grata’, por Berishën nuk i është hequr ‘non grata’. Edhe teoritë konspirative se Rama do të shkojë në SHBA me një avokat. Kjo tregon se Berisha nuk mund të zgjidhte asnjë alternativë tjetër përveçse heshtjes. Sot duhet të ishte një ditë e jashtëzakonshme edhe për opozitën, sepse është një lajm i madh për Shqipërinë.

Ftesa e Trump për Ramën që ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë bord, tregon që Shqipëria ka një vend të lakmueshëm dhe të rëndësishëm në sferën ndërkombëtare dhe kjo është fakt. Në këtë aspekt Rama ka bërë  një punë të shkëlqyer duke e ndritur lart emrin e Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’”, tha Leka.

 

Luftë me akull dhe shampanjë/ Groenlanda përplas fort Trump me Macron

Europa nuk do të përkulet përballë presionit amerikan dhe Perëndimi do të qëndrojë në krah të atyre që e respektojnë dhe jo të atyre që e ngacmojnë. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të martë nga Forumi Ekonomik i Davosit, që po mbahet në Zvicër. Kreu i Elizesë, i cili pati një paraqitje jo të zakonshme për shkak të syzeve të diellit që i duhet të mbajë për shkak të një problemi me sytë, deklaroi se gjithçka që Trump synon të bëjë me tarifat e tij tregtare për vendet që kundërshtojnë dorëzimin e Groenlandës është që të dobësojë dhe nënshtrojë Europën.

“Shtetet e Bashkuara, përmes tarifave tregtare, synojnë të minojnë interesat tona të eksportit. Përmes këtyre tarifave kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur të dobësojnë dhe nënshtrojnë Europën. Të gjitha këto janë të papranueshme, për më tepër kur përdoren si leva kundër sovranitetit tonë territorial”, tha Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron përmendi publikisht përdorimin e Mekanizmit Europian Kundër Shtrëngimit kundër Shteteve të Bashkuara, një instrument që do t’i hapte luftë tregtare ndaj Washingtonit duke vendosur tarifa ndëshkuese, duke kufizuar importet dhe eksportet, duke ndalur investimet dhe duke përdorur masa të tjera ekonomike si mjet presioni politik. Macron tha se ky mekanizëm duhet përdorur për aq kohë sa Perëndimi nuk ndihet i respektuar. Media britanike BBC raportoi këtë të martë se Parlamenti Europian ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare që u arrit mes SHBA dhe BE në muajin korrik për ulje të tarifave tregtare, pas një lufte të nisur nga vetë Trump.

Ndaj kësaj deklarate të Macron reagoi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili vijoi presionin e administratës republikane duke thënë se Europa nuk duhet të hakmerret ndaj planit të Presidentit Trump për të pushtuar Groenlandën, duke thënë se europianët kanë nevojë të ulen dhe të marrin frymë thellë.

Bessent tha se e keqja më e madhe që mund të bëjë Europa në këto momente është të përshkallëzojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi këtë të martë se një sulm ushtarak ndaj ishullit të vetëqeverisur nga Amerika është i pamundur, megjithatë ai paralajmëroi se Perëndimi dhe Danimarka duhet të përgatiten për gjithçka. Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen kundërshtoi sërish çdo ambicie territoriale të Presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se sovraniteti, kufijtë dhe demokracia janë të panegociueshme.

Japonia drejt zgjedhjeve të parakohshme, kryeministrja premton pezullimin e taksës për ushqimet

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ka premtuar pezullimin për dy vite të taksës 8% mbi ushqimet, në një përpjekje për të lehtësuar koston e jetesës për qytetarët.

Gjatë një konferencë për shtyp, Takaichi deklaroi se heqja e përkohshme e taksës mbi ushqimet synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve mbi familjet japoneze. Ajo theksoi se qeveria nuk do të marrë borxh për ta financuar këtë masë, por do të rishikojë subvencionet ekzistuese dhe politikat fiskale.

Japonia aktualisht aplikon një taksë konsumi prej 8% për ushqimet dhe 10% për mallra e shërbime të tjera, të ardhura që shkojnë kryesisht për përballimin e kostove sociale në një vend me popullsi në plakje të shpejtë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një ulje e tillë e taksave mund të dëmtojë financat publike. Heqja e taksës 8% për ushqimet do t’i kushtonte shtetit rreth 5 trilionë jenë në vit, një shumë e barabartë me shpenzimet vjetore për arsimin.

Shqetësimet për gjendjen fiskale kanë shtyrë rritjen e normave të interesit, me yield-in e bonove 10-vjeçare japoneze që ka arritur nivelin më të lartë në 27 vitet e fundit.

Edhe partitë opozitare kanë premtuar ulje ose heqje të taksës së konsumit përpara zgjedhjeve të 8 shkurtit, ndërsa inflacioni ka qëndruar mbi objektivin 2% të Bankës së Japonisë për gati katër vite, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Partia Liberale Demokratike në pushtet ka qenë tradicionalisht kundër uljes së taksës së konsumit, duke argumentuar se kjo do të dëmtonte besimin e tregjeve në aftësinë e Japonisë për të mbajtur nën kontroll borxhin publik.

 

Siguria ushqimore/ Kusht integrimi, qeveria u mbledh rripat fermerëve

Integrimi kalon nga tryeza…

Siguria ushqimore, duke qenë edhe një prej kapitujve më sfidues në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ishte në fokus të takimit të ministrisë së bujqësisë me fermerët në Korçë.

Ministri Andis Salla, theksoi se garantimi i sigurisë ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve dhe fermerëve. Sipas tij, Ministria po punon për orientimin e fermerëve drejt laboratorëve të certifikuar, si dhe për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve të rinj që do të shërbejnë për kontrollin dhe analizimin e produkteve bujqësore.

Ministria e Bujqësisë ka akorduar edhe fonde për orientimin dhe informimin e fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe produkteve të tjera bujqësore, në mënyrë që procesi i prodhimit të jetë i kontrolluar dhe i sigurt. Fermerët do të mbështeten edhe nga agronomët, profesion i cili tashmë është i rregulluar me ligj dhe ndodhet në fazën përfundimtare të zbatimit.

Për çdo grumbullues që ka hasur vështirësi në eksportin e produkteve në vendet e Bashkimit Europian, Ministria ka ngritur një grup të posaçëm pune.

Finlanda po transmeton energji elektrike përmes ajrit, pa tela fizike

Finlanda ka demonstruar me sukses transmetimin e energjisë elektrike pa tela, duke provuar se energjia mund të udhëtojë përmes ajrit pa pasur nevojë për kabllo apo priza fizike. Ky zhvillim konsiderohet një hap i madh drejt mënyrës se si energjia mund të shpërndahet globalisht në të ardhmen.

Shkencëtarët finlandezë përdorën valë elektromagnetike dhe sisteme të bazuara në lazer për të transmetuar energji në distancë, duke eliminuar nevojën për lidhje fizike, ndërkohë që ruhet kontrolli, efikasiteti dhe siguria e shpërndarjes.

Ky përparim shënon një moment të rëndësishëm në kërkimet për transferimin e energjisë pa tela dhe hap rrugën për përdorime të mundshme në qytete inteligjente, pajisje elektronike dhe infrastrukturë energjetike.

Teknologjia mund të sjellë ndryshime të mëdha në rrjetet elektrike, në situata emergjente apo në furnizimin me energji të zonave të izoluara, duke reduktuar kufizimet fizike dhe kostot e mirëmbajtjes.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se përhapja në shkallë të gjerë do të kërkojë teste të mëtejshme, rregullim ligjor dhe vite zhvillimi përpara se të zbatohet globalisht.

/ abcnews.al /

Macron: Trump synon hapur ta dobësojë dhe nënshtrojë Evropën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kundër “një zhvendosjeje drejt një bote pa rregulla”, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Epoka është shënuar nga “shkelja” e ligjit ndërkombëtar dhe nga marrja e kontrollit nga ligji i më të fortit, tha presidenti francez, i cili mbante syze dielli për shkak të një problemi me sytë.

“Është qartë një kohë shumë shqetësuese”, tha Macron, duke përmendur veçanërisht politikën e jashtme agresive të administratës Trump.

Ai tha se marrëveshjet e fundit tregtare që u arritën me SHBA-në nën kërcënimin e tarifave “minojnë interesat tona të eksportit, kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur ta dobësojnë dhe nënshtrojnë Evropën”.

Macron gjithashtu përsëriti pikëpamjen e tij se kërcënimet me tarifa të përdorura si “levë kundër sovranitetit territorial” ishin “të papranueshme”.

“Kriza politike në Kosovë, mesazh negativ për ndërkombëtarët”, Emini: Glauk Konjufca, kandidat i mundshëm për president

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Donika Emini, ka paralajmëruar për një krizë serioze institucionale dhe kushtetuese në Kosovë, si pasojë e zhvillimeve pas zgjedhjeve të shkurtit.

Emini tha për ‘Ballkan Update’ se ky është një mesazh negativ për ndërkombëtar, teksa tha se Vetëvendosje është e paqartë lidhur me mbështetjen e tyre ndaj kandidaturës presidenciale. Ekspertja shtoi më tej se Glauk Konjufca mund të jetë një nga kandidatët e mundshëm.

“Shpresoj të mos kemi zgjedhje të reja në Kosovë, por është një krizë që buron nga zgjedhjet e shkurtit, pas të cilave vendi ka kaluar në një krizë institucionale dhe kushtetuese. Nëse nuk ndodh zgjedhja e presidentit, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më tej. Aktualisht nuk kemi as buxhetin për vitin 2026, gjë që mund ta çojë vendin në krizë duke bllokuar funksionimin e administratës shtetërore.

Kjo dërgon një mesazh negativ për një vend që synon të tregojë se i ka konsoliduar proceset zgjedhore. Fakti që kemi probleme fundamentale në numërimin e votave – dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh – i ngjan krizës së ashtuquajtur të “vjedhjes industriale” që kemi pasur më herët në Kosovë. Kjo situatë dërgon mesazh negativ edhe për faktorët ndërkombëtarë.

Kurti, pas fitores së zgjedhjeve, ishte shumë i paqartë dhe nuk la të kuptohet nëse partia e tij do ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente. Brenda partisë përflitet se Glauk Konjufca mund të jetë një nga kandidatët e mundshëm. Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu ka deklaruar se partia e saj do ta votojë Osmanin. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse Lëvizja Vetëvendosje ka një strategji të qartë apo nëse po vepron në kushte paqartësie politike.”  / abcnews.al /

“Po flasim me SHBA për Ballkanin”/ Lavrov: Më e thjeshtë sesa me Bashkimin Europian

Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me Ballkanin.

Kështu deklaroj ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Sipas kryediplomatit të Kremlinit Rusia ka më shumë mundësi të bisedoi me Shtetet e Bashkuara sesa me Bashkimin Europian kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon.

Bisedimet me Uashingtonin sipas tij po vazhdojnë por nuk kanë dhënë ende rezultate.

Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një periudhë kur politika në Kosovë, shpeshherë presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, ndërsa Serbinë e portretizojnë si “dorë të zgjatur të Rusisë” në rajon.

Vetë Serbia ruan marrëdhënie të mirë me Rusinë duke qenë shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump firmosi ligjin e ashtuquajtur Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili, mes të tjerave përcakton se SHBA-ja nuk mbështet asnjë politikë që synon ndryshimin e kufijve në Ballkan përgjatë vijave etnike.

Vrasja me çekiç e 57-vjeçarit/ Përveç autorit arrestohen dy të tjerë, ja për çfarë akuzohen

Vrau me send të fortë (çekiç), 57-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 28-vjeçari.

Vihen në pranga, për moskallëzim krimi,  2 shtetas që kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit.

Sekuestrohen 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për zbardhjen e dinamikës së konfliktit të ndodhur në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, si pasojë e të cilit humbi jetën nga goditja me sende të forta, shtetasi P. N., 57 vjeç, u arrestuan shtetasit:

-A. V., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Vrasja me dashje”;

-L. G., 26 vjeç dhe F. K., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 201.01.2026, rreth orës 01:00, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, në afërsi të urës së Bushneshit, këta tre shtetas, ndërkohë që qarkullonin në një automjet, janë konfliktuar verbalisht me shtetasin P. N., i cili qarkullonte me automjetin e tij. Më pas, shtetasi A. V. ka goditur me çekiç, në kokë, shtetasin P. N., 57 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.  Pas ngjarjes, shtetasit L. G. dhe F. K. janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Kosova në prag të një krize të re?/ Rinumërimi vë në dyshim afatet për presidentin

Zgjedhjet e 28 dhjetorit dukej se ishin epilog i një krize politike një vjeçare në Kosovë, por realiteti në vend është ndryshe…

Me vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për rinumërim procesi zgjedhor u kthye disa hapa prapa, pas zbulimeve për mospërputhje serioze në votat e kandidatëve për deputet.

Vendimi i marrë më 19 janar pasoi rinumërimin e pjesshëm nga java e kaluar, gjatë të cilit u evidentuan shkelje dhe dallime të theksuara, bashkangjitur këtu edhe thirrjet e vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për një rinumërim tërësor të votave.

Sipas ekspertëve, procesi i rinumërimit të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të marrë edhe dy javë të tjera kohë, ndërsa pas kësaj do të rrjedhin afatet e ankesave që në total mund të zgjasin edhe dy javë të tjera.

Në skenarin më të mirë certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të shkurtit e në rastin më të keq në fund të muajit apo në fillim të marsit –kjo në varësi të ankesave.

Por 4 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit, ç’ka nuk përjashton mundësinë që vendi të përballet me krizë të re.

Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual që është 4 prilli.

Një tjetër problem i hapur është ajo e buxhetit për vitin 2026, i cili pa parlament nuk miratohet dot.

Vendi qe prej një vit është pa institucione të reja.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.

Procesi i rinumërimit ndërkohë vijon për 2557 qëndra votimi në 38 komuna të vendit….  / abcnews.al/

Akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ‘97/ Gjykata Penale dënon me 23 vjet burg Tomor Çelën

Gjykata Penale ka vendosur dënimin me 23 vite burg për Tomor Çelën.

Çela akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ngjarjeve të vitit 1997. 56-vjeçari u ekstradua nga SHBA drejt vendit tone ne qershor te vitit 2022.

Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Elton Danit dhe Ledian Hoxhës në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë.

❌