Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Moment i zjarrtë, Limi dhe Dolce me puthje pasionante



Dolce dhe Limi janë dy prej banorëve më të komentuar momentalisht në BBVK, kryesisht për shkak të afrimitetit që kanë zhvilluar brenda shtëpisë.

Njohja e tyre ka nisur me biseda dhe momente të thjeshta, por shpejt është shndërruar në një afrimitet më të ngushtë, ku puthjet dhe përqafimet mes tyre janë bërë të dukshme për të gjithë banorët dhe për publikun.

Dyshja e nisi ditën e sotme me puthje pasionante dhe përqafime të ngrohta, duke treguar një afeksion të hapur ndaj njëri-tjetrit.


Me muzikën që luante në sfond, Dolce dhe Limi qëndronin të ngujuar në krahët e njëri-tjetrit, duke krijuar një atmosferë intime dhe të ngrohtë.

Pas disa momenteve të qetësisë dhe përqafimeve të vazhdueshme, ata shkëmbyen disa puthje të zjarrta.

Mickoski: Së pari të përfundojmë detyrat e shtëpisë me reformat, e pastaj i mbetet Unionit nëse do të bilatelizojë procesin



Kryeministri Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me europerspektivën e shtetit, tha se qëllimi është së pari të përfundojmë detyrat e shtëpisë që lidhen me Agjendën e reformave, e pastaj i mbetet Unionit nëse do të vazhdojë të bilateralizojë procesin tonë të qasjes.
“Rruga e integrimit evropian të Maqedonisë është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me vullnetin e 27 shteteve anëtare, njëra prej të cilave është Bullgaria. Ju e dini që kemi problem me ta, por ne synojmë të përfundojmë detyrat tona të shtëpisë, të përgatitemi, të përfundojmë të gjitha ato çështje të hapura që lidhen me Agjendën e reformave, të mbyllim të gjitha ato reforma që kemi planifikuar t’i mbyllim”, tha Mickoski.
Ai shtoi se pasi t’i bëjmë të gjitha këto, atëherë do t’ua lëmë 27 shteteve anëtare të vendosin nëse do ta bilateralizojnë këtë proces apo nëse do të bazohet në kriteret që kishin të gjitha vendet që janë inkuadruar në këtë aleancë, respektivisht në BE.
Kryeministri Mickoski prej nesër e deri më 23 janar do të marrë pjesë në Forumin ekonomik botëror në Davos të Zvicrës, që këtë vit mbahet nën moton “Në frymën e dialogut”.

Shembet dyshemeja e një apartamenti në Paris, dhjetëra të lënduar



Një kat i një ndërtese në Paris ku ishin mbledhur rreth 50 vetë për një festë u shemb, duke lënduar dhjetëra persona.

"Sipas përditësimit të fundit nga zjarrfikësit, ka 14 persona në gjendje më të rëndë shëndetësore", tha zyra e prokurorit të Parisit.

Prefektura e policisë së Parisit raportoi se një person kishte pësuar arrest kardiak dhe ishte shtruar menjëherë në spital në gjendje kritike.

Sipas gjetjeve fillestare, shembja ishte "strukturore" dhe nuk lidhej me një rrjedhje gazi.

Rreth 145 zjarrfikës me 45 automjete, si dhe ambulanca të shumta, u mobilizuan.

"Një hetim për shkakun e lëndimeve është hapur. Hetimi është duke vazhduar", deklaroi zyra e prokurorit të Parisit. /Telegrafi/

Shala: Rënia e njësisë B2 në KEK po rrezikon sigurinë energjetike dhe rrit çmimet



Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka reaguar lidhur me rënien e njësisë B2 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke theksuar se kjo ka sjellë largimin e mbi 250 MWh energji elektrike nga sistemi pa asnjë paralajmërim.

Në një reagim publik, Shala ka vlerësuar se rënia e njësisë nuk është një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit joefikas dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.

"Sot, më 18 Janar 2026, ka rënë njësia B2 në KEK dhe mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim. Kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale", ka shkruar Shala.

Sipas tij, rëniet e paplanifikuara të njësive energjetike krijojnë krizë në treg, rrisin çmimet dhe u japin hapësirë tregtarëve të diktojnë kushtet, ndërsa pasojat i bartin qytetarët.

“Institucionet heshtin, investimet nuk japin rezultat dhe siguria energjetike po dobësohet”, ka theksuar Shala, duke paralajmëruar se pa reforma serioze dhe llogaridhënie, krizat energjetike do të vazhdojnë.

Ai shton se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët do të rriten pashmangshëm.

Prishtina e nis me fitore fazën përgatitore, shkëlqen transferimi i janarit



Skuadrat kosovare kanë zbarkuar në qytetin bregdetar turk të Antalyas, ku po zhvillojnë fazën përgatitore në prag të nisjes së sezonit pranveror.

Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë fazë, duke regjistruar fitore në ndeshjen e parë miqësore ndaj skuadrës nga Superliga e Çekisë, Banik Ostrava.

Kryeqytetasit treguan forcë dhe karakter përballë rivalit çek, duke triumfuar me rezultat 3-2 pas një paraqitjeje bindëse.

Sulmuesi Marijo Ilievski ishte ndër më të dalluarit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim, ndërsa paraqitje shumë të mirë pati edhe transferimi i janarit, boshnjaku Harun Karic, i cili arriti të shënojë një gol.

Goli i parë i sfidës u realizua nga talenti Dren Zeqiri, i cili konfirmoi potencialin e tij edhe në këtë përballje.

Trajneri Afrim Tovërlani u dha minuta loje të gjithë futbollistëve të grumbulluar, ndërsa Prishtina dëshmoi se është në rrugën e duhur, duke treguar forcë dhe organizim ndaj një kundërshtari të fortë. /Telegrafi/

Havjar-thonjtë: Manikyri luksoz që i bën duart të duken si nga pasarela



Nga efekti “sy maceje” te nuancat kafe dhe të zeza – ja pse ky stil elegant po konsiderohet zgjedhja perfekte për çdo rast

Edhe pse dimri është periudha kur më së shumti dëshirojmë të qëndrojmë në ngrohtësinë e shtëpisë, trendi më i ri në botën e manikyrit na jep një arsye të përkryer për t’u rregulluar dhe për të dalë.

Havjar-thonjtë janë një manikyr luksoz, me shkëlqim të thellë dhe pamje elegante, i cili tashmë është përqafuar nga njohëset e modës në mbarë botën. Popullaritetin e tij e ka forcuar edhe paraqitja e Selena Gomez në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globes 2026.

Lajmi më i mirë? Ky manikyr përshtatet pothuajse me çdo veshje dhe me çdo stil grimi, transmeton Telegrafi.

Çfarë janë në të vërtetë havjar-thonjtë?

Kur përmendim havjarin, asociacionet e para janë luksi dhe ekskluziviteti. Pikërisht këtë ndjesi përcjell edhe manikyri havjar. I frymëzuar nga perlat e errëta dhe me shkëlqim të havjarit, ky trend mbështetet në efektin sy maceje, i cili krijon thellësi, reflektime drite dhe një shkëlqim pothuajse hipnotizues.

Llakët me efekt sy maceje përmbajnë grimca shumë të imëta metalike që, me ndihmën e një magneti, lëvizin dhe formojnë vija drite që ndryshojnë sipas këndit të shikimit. Rezultati është një manikyr që duket ndryshe në çdo lëvizje të dorës.

Pikërisht për këtë arsye, havjar-thonjtë janë zgjedhje ideale si manikyr kalimtar pas sezonit festiv, por edhe për kombinime të përditshme, ambiente pune dhe dalje mbrëmjeje.

Cilat nuanca janë në qendër të vëmendjes?

Versioni më klasik përfshin të zezën e thellë me një shkëlqim delikat të artë ose bronzi, duke krijuar një pamje dramatike dhe shumë të sofistikuar.

Për ato që preferojnë variante më të buta, në fokus janë nuancat kafe të errëta dhe jeshile të errëta, të pasuruara me thekse qelibari ose ari.

Ngjyra kafe është një nga trendet më të forta të sezonit – dhe me të drejtë. Ajo duket e ngrohtë, elegante dhe përshtatet lehtësisht me çdo stil. Nga tonet e lehta café au lait deri te nuancat e thella espresso, kafeja po shndërrohet në neutralen e re të botës së manikyrit.

Si të arrini efektin?

Ajo që e bën këtë trend veçanërisht tërheqës është fleksibiliteti i tij. Havjar-thonjtë mund të realizohen në disa forma:

  • me efekt sy maceje
  • si aura manikyr
  • me kalime ombré
  • me përfundim chrome

Për një pamje më personale, mund të kombinoni thonj klasikë me një ose dy thonj havjar, ose t’i integroni në një frëngji të modernizuar.

Hapat bazë:

  • Aplikoni dy shtresa të një nuance të pasur kafe ose të zezë si bazë.
  • Vendosni llakun sy maceje dhe formësoni efektin me magnet.
  • Sipas dëshirës, shtoni tone gri të errëta, jeshile të thellë ose grafiti.
  • Për një “efekt havjari” të plotë, mund të përdorni perla të vogla, rruaza ose aplikime shumë diskrete.

Pse havjar-thonjtë janë kaq të kërkuar?

Sepse duken luksozë, pa qenë të tepruar. Janë elegantë, por bashkëkohorë. Dramatikë, por lehtësisht të veshshëm. Ideale për gratë që preferojnë që thonjtë e tyre të flasin me finesë, por me ndikim të fortë.

Nëse kërkoni një manikyr që rrezaton sofistikim dhe ndjek nga afër trendet më të mëdha të bukurisë për vitin 2026, havjar-thonjtë janë një zgjedhje që vështirë se mund të gabojë. /Telegrafi/

“Duan apo s’duan”- Kurti, fitues në Kosovë dhe partner i vështirë jashtë saj



Albin Kurti fitoi bindshëm brenda Kosovës, por një test tjetër i vështirë mund të jetë edhe jashtë saj. Mandati që i dha populli në zgjedhje, me mbi 51 për qind të votave, vjen pas një periudhe marrëdhëniesh të tensionuara me aleatët perëndimorë, deri në atë pikë sa vetë partneritetet strategjike nisën të lëkunden.

Tensionet u ushqyen nga një sërë veprimesh të Qeverisë së kaluar të Kurtit – nga vendosja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, deri te mbyllja e shumicës së institucioneve serbe – të cilat u cilësuan nga bashkësia ndërkombëtare si të njëanshme, të pakoordinuara dhe problematike për komunitetin serb.

Në kulmin e krizës, më 2023, atëkohë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i dënoi ashpër veprimet e tilla, për të cilat tha se ishin “kundër këshillave të SHBA-së dhe partnerëve evropianë të Kosovës”. Ai, po ashtu, paralajmëroi pasoja për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së.

Dhe, pasojat nuk vonuan: vetëm pak ditë më vonë, Kosova u përjashtua nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”, nikoqire e të cilave ishte vetë.

Për Kurtin, tani në retrospektivë, “ia ka vlejtur barra qiranë”, pasi strukturat paralele të Serbisë janë eliminuar dhe shteti ka shtrirë rendin dhe ligjin.

“Ne jemi miq përkundër kritikave. Ne nuk jemi miq të vërtetë nëse nuk arrijmë ta normalizojmë kritikën për njëri-tjetrin”, tha Kurti për Televizionin Kanal 10 në Prishtinë, dhjetorin e kaluar.

Por, në kontrast me deklaratat e tij për “normalizimin e kritikave mes miqve”, SHBA-ja, vitin e kaluar, i shoqëroi mospajtimet e saj edhe me pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën – një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Qëndrimin e tillë të Uashingtonit e forcoi në dhjetor edhe një takim i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në të cilin Kurti u përshkrua si pengesë në avancimin e proceseve.

Në Kosovë, megjithatë, perceptimi duket krejt ndryshe. Me mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje synon ta rikthejë Kurtin në krye të Qeverisë dhe t’i krijojë sa më shpejt institucionet e reja – një hap që duket se do të testojë edhe durimin, edhe qasjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e ardhshme, Ambasada amerikane në Prishtinë theksoi gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve, por, paralelisht, specifikoi se kjo do të kërkojë edhe përmbushjen e disa kushteve.

“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik. Arritja e kësaj, megjithatë, do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane.

Në fund të vitit të kaluar, SHBA-ja miratoi Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, duke theksuar, mes tjerash, nevojën që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Që nga viti 2011, dy vendet kanë zhvilluar negociata dhe kanë arritur disa marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Që nga shtatori i vitit 2023, nuk ka pasur as ndonjë takim të nivelit të lartë, sepse Serbia nuk e ka dorëzuar të dyshuarin për sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq – hap ky që Kurti e ka kërkuar pa ndërprerje, si nga Beogradi, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Këtë javë, Kosovën e vizitoi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili e përshëndeti procesin zgjedhor. Vizita u zhvillua në kohën kur Kosova pritet të dalë nga masat ndëshkuese të BE-së, të vendosura për më shumë se dy vjet, për shkak të veprimeve të konsideruara të njëanshme. Nga Prishtina, Sorensen rikujtoi se vazhdimi i dialogut në nivel të lartë me Serbinë, mbetet kyç.

“Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025-a nuk e solli. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd, gjatë kësaj jave”, u tha Sorensen mediave.

Pas takimit me Sorensenin, Kurti deklaroi se Kosova është e gatshme për dialog konstruktiv dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por përsëriti kushtet e tij: dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe tërheqjen e letrës së vitit 2023, me të cilën Serbia shprehu rezerva ndaj Marrëveshjes për normalizim me Kosovën dhe aneksit të zbatimit të saj.

Duke iu përgjigjur Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si planifikojnë të angazhohen me Qeverinë e re të Kosovës, edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada gjermane theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe shprehën mbështetje për të. Ndërkohë, vendet e tjera të Quint-it – Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia – nuk iu përgjigjën pyetjes.

Mandati i fortë, vlerësojnë disa analistë, ia forcon Kurtit pozicionin edhe përballë BE-së dhe SHBA-së. Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, thotë se kjo i jep atij hapësirë politike për të vazhduar kursin aktual – edhe kur ai nënkupton vendime jopopullore dhe qëndrime më të ashpra në dialogun me Serbinë.

“Mesazhi për aktorët ndërkombëtarë është mjaft i qartë: ata duhet të bashkëpunojnë me Kurtin. Duan apo s’duan, ai është aktori politik dominues në Kosovë. Edhe më herët, partia e tij ka qenë larg më e popullarizuar. Dhe, aktualisht, nuk ka asnjë alternativë të fortë politike”, thotë Bieber për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Lisa Homel, drejtoreshë e Qendrës për Evropë në Këshillin Atlantik, e përmbledh ngjashëm situatën: “Kurti ka një mbështetje të jashtëzakonshme dhe të qartë pas vetes” dhe kjo “do ta inkurajojë atë në marrëdhëniet me Brukselin dhe Uashingtonin”. Sipas saj, ai do të jetë i gatshëm të angazhohet në dialog, por më pak i predispozuar për kompromis, sidomos në marrëdhëniet me Serbinë.

“Kurti e ka marrë mesazhin nga qytetarët e Kosovës se qëndrimi i tij ndaj Serbisë është popullor. Kjo i jep atij një pozicion të qartë dhe të paluhatshëm. Nuk pres të ketë përparim të madh të menjëhershëm, por mund të shohim më shumë lëvizje, deklarata dhe ngjarje mediatike pas vitit 2025, pasi, deri më tani, gjithçka ka qenë e bllokuar nga ngërçi politik në Kosovë”, thotë Homel për Exposenë.

Pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, Kosova ishte me Qeveri në detyrë, pasi partia e Kurtit s’arriti të formonte Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – çfarë edhe çoi në proces të parakohshëm zgjedhor. Në këtë kontekst, Bieber thotë se mandati i fortë i Kurtit nuk është thjesht një pohim i gjithçkaje që ka bërë Qeveria e tij, por edhe ndëshkim publik i dështimit të opozitës për të mbështetur një qeveri të re.

Bieber thotë se reagim logjik i BE-së do të ishte që të përshtatej dhe të angazhohej me Kosovën, e jo ta izolonte atë. Sipas tij, BE-ja duhet ta rimendojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke u angazhuar me Kurtin si partner.

“Sigurisht, tani ekziston një partner që do të mund të bënte kompromise, nëse ka vullnet për ta bërë këtë, në mënyrë që dialogu të çohet përpara në një fazë ku, të paktën pala kosovare, të mos shihet më si penguese. Kjo do ta zhvendoste qartazi përgjegjësinë te pala serbe dhe do ta orientonte dialogun drejt një procesi më konstruktiv”, thotë Bieber.

Gjatë mandatit të kaluar, Kurti akuzoi shpesh zyrtarët evropianë për “pozicionim kundër Kosovës” dhe për koordinim me palën serbe kundër Kosovës.

Bieber argumenton se autoriteti i Serbisë në Kosovë “është dobësuar” nga Qeveria paraprake e Kurtit dhe më tej nga sulmi në Banjskë, ku dyshohet se ishin të përfshirë njerëz nga Lista Serbe. Kjo e lë Serbinë në një “pozicion më të dobët negociues sesa ishte më parë”, sipas tij.

Homel, nga Këshilli Atlantik, nuk pret rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë, duke vënë në dukje se, përballë krizave të shumta globale, Ballkani Perëndimor vështirë se do të jetë prioritet i lartë – veçanërisht për Uashingtonin. Sipas saj, rifillimi i Dialogut Strategjik SHBA-Kosovë, nëse ndodh, do të jetë sinjali më i qartë i mënyrës se si Uashingtoni synon të angazhohet me Prishtinën. Nga BE-ja, pritjet i ka gjithashtu të kufizuara, dhe jo vetëm për dialogun.

“Sapo ka nisur Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, e udhëhequr nga Qiproja, një nga pesë vendet që nuk e njohin Kosovën. Prandaj, është e vështirë të shihet ndonjë përparim në procesin e zgjerimit gjatë Presidencës së Qipros. Por, ndoshta kur Irlanda ta marrë Presidencën pas disa muajsh, mund të shohim lëvizje më të dukshme”, thotë Homel.

Nisur nga kjo, Homel sheh një status quo. Sipas saj – larg ideales, por realiteti më i mundshëm, dhe përgjegjësia nuk bie vetëm mbi bashkësinë ndërkombëtare.

“Një nga aspektet më sfiduese të normalizimit të marrëdhënieve është se duhet të vijë nga vetë rajoni. Bashkësia ndërkombëtare mund t’i shprehë prioritetet dhe ambiciet e saj, por, në fund, iniciativa dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga vetë Kosova dhe Serbia”, thotë Homel.

Dhe këtu nuk jemi ende… Serbia është e përfshirë nga protestat e brendshme antiqeveritare, ndërsa Kurti i porositi përfaqësuesit e shteteve të BE-së në Kosovë se mandati i ardhshëm do të jetë “mandat i projekteve të mëdha infrastrukturore, të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”.

Por, në kohën kur paparashikueshmëria është bërë normë, asnjë datë e saktë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk duket e sigurt. Ankesat dhe rinumërimet e votave kanë ngadalësuar procesin e certifikimit të rezultateve të 28 dhjetorit, ndërsa ligji parashikon që zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës të kryhet deri më 4 mars. Nëse ky hap dështon, episodi mund të nisë sërish nga fillimi… me zgjedhje të reja. /REL/

“Puthja nuk ka ndodhur”, Brikena sfidon hapur Mateon pas pretendimeve të tij



Mateo dhe Brikena kanë pasur një diskutim të tensionuar mes vete, pasi kjo e fundit e çoi Mateon në nominim, gjë që shkaktoi pakënaqësi dhe reagime nga ana e tij.

Gjatë bisedës, ata u ndalën te çështja e një puthjeje të supozuar, të cilën Mateo pretendon se ka ndodhur mes tyre, ndërsa Brikena e mohon kategorikisht një gjë të tillë.

“Je ti që më nxjerr mashtrues për një puthje që ka ndodhë”, i tha Mateo Brikenës, duke insistuar në versionin e tij të ngjarjes.


Megjithatë, Brikena vijoi të qëndrojë e palëkundur në deklaratat e saj, duke theksuar se mes tyre nuk ka pasur asnjë puthje dhe se akuzat e Mateos janë të pavërteta.

“Një mashkull si duhet edhe me pas naj gjë, vjen këtu edhe thotë unë e kam pa një herë. Po ti pa pas gjë… se ti e din shumë mirë që s’ka ndodhë. Puthja nuk ka ndodhë, mos gënje në këtë gjë, o Mateo”, i tha Brikena atij, duke e kundërshtuar hapur.


Debati mes dyshes nxori në pah kontradikta të forta mes tyre dhe shtoi tensionet në shtëpi.

Meloni kundër tarifave të Trumpit: Veprimi i tij është një gabim



Italia mund të mos jetë një nga vendet e kërcënuara me tarifa të reja amerikane, por kjo nuk e ka ndaluar kryeministren e saj t'i tregojë Donald Trumpit se çfarë mendon për vendimin e tij.

Giorgia Meloni tha se nuk pajtohet me njoftimin e tarifave të Trumpit dhe se ky veprim ishte një "gabim".

“Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Grenlandës është një gabim dhe unë nuk pajtohem me të”, tha ajo.

Meloni zbuloi se foli me Trumpin disa orë më parë dhe i tregoi atij se çfarë mendonte për këtë çështje.

"Mendoj se ai ishte i interesuar të dëgjonte, por më duket se nga pikëpamja amerikane, mesazhi që po vinte nga kjo anë e Atlantikut nuk ishte i qartë”, shtoi Meloni.

Ajo nuk e zbuloi reagimin e Trumpit ndaj fjalëve të saj.

Meloni sugjeroi se ka të ngjarë të ketë pasur një “problem mirëkuptimi dhe komunikimi” midis Evropës dhe SHBA-së lidhur me vendimin e disa shteteve evropiane për të vendosur një numër të kufizuar trupash në Grenlandë.

Ky vendim, thekson ajo, nuk duhet të interpretohet si "anti-amerikan".

Prandaj, "dialogu duhet të rifillojë dhe të shmanget një përshkallëzim". /Telegrafi/

Shkup, 69 vjeçari vdiq nga komplikimet e gripit në Klinikën Infektive



Një pacient 69-vjeçar ka ndërruar jetë nga komplikimet e shkaktuara nga gripi sezonal në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup.
Siç bëri të ditur drejtori i Klinikës, Fadil Cana, pacienti është sjellë në gjendje të rëndë dhe ka pasur komorbiditete.
“Pacienti u soll me pneumoni masive të zhvilluar dhe sindromë akute të distresit respirator. Nuk ishte i vaksinuar kundër gripit sezonal, edhe pse bënte pjesë në grupin e pacientëve që duhej ta merrnin vaksinën sezonale”, tha Cana.
Ky është rasti i dytë i vdekjes nga gripi këtë vit.
Aktualisht, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar rreth 30 persona me grip, ndërsa në klinikë çdo ditë kryhen rreth 100 kontrolle.
Nga 5 deri më 11 janar, në vend u regjistruan 2.322 raste të raportuara të gripit/sëmundjeve të ngjashme me gripin.
Në sezonin 2025/26, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit/sëmundjeve të ngjashme me gripin arrin në 6.147.

​18 vrasje në Kosovë gjatë 2025-ës, ekspertët flasin për motivet



Vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje. Ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin për motivet e këtyre rasteve që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme.

Katër persona ishin vrarë brenda një dite në gusht të vitit të kaluar. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren, kanë qenë rastet që tronditën tërë vendin.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde. Rasti ndodhi në një kafene afër Komunës së Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir dhe pak më vonë edhe një person tjetër, i cili u plagos rëndë.

Rasti tjetër i vrasjes që ndodhi brenda 24 orëve në gusht të vitit 2025, ishte vrasja me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit.

Gjatë gushtit u shënua edhe një vrasje tjetër në Hajvali të Prishtinës. Në po të njëjtin muaj, në fshatin Baicë të Lipjanit, një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

Një tjetër vrasje që tronditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, ishte vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Pak ditë më parë është ngritur edhe aktakuzë për vrasjen e Likës kundër gjashtë të pandehurve.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha i ka thënë KosovaPress-it, në një intervistë se Mefail Shkodra me djemtë kanë qenë me të kaluar të dyshimtë kriminale.

“Te rasti i vrasjes së fundit e kemi serioze, për shembull, atë që po flasim për rastin e Gjilanit, ku u vranë tre persona. Persona me të kaluar kriminale të dyshimtë, të cilët ne i kemi pasur në procedim, i kemi pasur arrestuar për raste të fajdesë, edhe pastaj në ndërkohë janë liruar për shkak të procedurave të limituara që aktualisht Kosova e ka këtë ligj.

Po kemi qenë duke hetuar, duke trajtuar rastin dhe kemi pasur të arrestuar personin e dyshimtë kryesor, ka qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës gjashtë muaj më herët. Ndodh nganjëherë që krijohet përshtypja që për një javë po ndodhin nja tre katër raste të vrasjes. Mirëpo kur e shikon totalin e vrasjeve, domethënë ka një rënie të vrasjeve edhe vepra të dënueshme kriminale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve të fundit”, shprehet Hoxha.

Ai më tej kishte thënë se është e pamundur që të parandalohen tërë këto raste të vrasjeve.

“Kosova e ka nisur jetën e saj të pasluftës në vitin 2000 me 260 vrasje. Pastaj ka lëvizur 170, 158, 130, 150. Vitin që shkoi [2024] ne i kemi pasur vetëm 17 vrasje të raportuara. Në këtë vit [2025] i kemi 18. Do të thotë, rënia është shumë rapide në krahasim me ku kemi qenë dhe ku jemi, por është e pamundur të gjitha rastet e vrasjes apo rastet e rënda të parandalohen për shkak që nuk mund të jetë policia në çdo kund, në çdo vend, në çdo banesë, në çdo lokal, në çdo rrugë, në çdo skutë, ose nuk mundemi asnjë polici e botës, sado e organizuar që është, sado profesionale që është, që të futet në mendjen kriminale të dikujt.

Ajo çfarë e mira e rasteve tona është që shumë prej rasteve që janë raportuar gjatë viteve të fundit, janë probleme që kanë qenë qoftë në familje, qoftë probleme pronësore, qoftë probleme që kanë pasur në fakt ngatërresa të mëhershme dhe pastaj janë ndeshur dhe ka ndodhur vrasja”, deklaron ai.

Shqetësuese i konsideron motivet e vrasjeve në Kosovë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli.

“Kryesisht, ka pasur motive të ndryshme të vrasjeve. Ato që kanë qenë ndoshta më shqetësuese se një numër i caktuar i vrasjeve kanë qenë të ndërlidhura me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme e që fatkeqësisht edhe më tutje po ballafaqohemi me probleme të tilla, sidomos këto fajdet, janë një ndër problemet e theksuara që janë raportuar dhe një vrasje që ka pasur më së tepërmi bujë gjatë këtij viti [2025]. Kështu që, mendoj që institucionet e rendit dhe ligjit duhet të fokusohen në uljen e sidomos këtyre aktiviteteve kriminale, me qëllim që të sigurohemi që nuk kemi situata të tilla siç ishte ajo në Gjilan”, shprehet ai.

Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të cilët u garantojnë qytetarëve që mund të raportojnë pa u identifikuar nga kryerësit e veprave.

“Mendoj që duhet të shikohet ku është problemi që rastet e këtyre fajdeve nuk raportohen në masën që duhet të raportohen. A ekziston problemi që mbase brenda strukturave të institucioneve të sigurisë ka elemente të përfshira në këto aktivitete apo të afërta me persona që merren me këto veprimtari e që i bën që këta persona të cilët janë viktima të këtyre krimeve të mos guxojnë t'i raportojnë në institucionet e rendit dhe të ligjit.

Kjo do të thotë është pjesa e parë që duhet të sigurohet. Po ashtu duhet të krijohen mekanizma të cilët i lehtësojnë këtyre qytetarëve që t'i raportojnë këto raste pa u vu në pah nga kryesit e këtyre rasteve, për shkak se zakonisht bëhet fjalë për persona që kërcënojnë përmes dhunës edhe shpeshherë mund të bëhen viktima të tilla”, shton ndër tjera Vrajolli.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami ngrit shqetësimin edhe për posedimin e një numri të madh të armëve ilegale nga ana e qytetarëve.

“Numri i armëve është jashtëzakonisht i madh tek duart e qytetarëve, pra, qoftë armëve të cilat mund të licencohen dhe të jepet leja për to, qoftë edhe armë luftarake siç janë kallashnikov e të tjera, pra armë të cilat vrasin, mund të vrasin në masë njerëz. Prandaj, sikurse vitet e kaluara, është mirë, do të ishte e rrugës që institucionet e shtetit të fillojnë edhe njëherë dhe unë besoj çdo vit ishte dashur që të ketë një amnisti.

Dhe të gjitha ato armë të cilat mund të evidentohen, mund të licencohen dhe të kryhen trajnimet e caktuara për kryefamiljarin dhe kush do qoftë, të magazionohen dhe të mos keqpërdoren armët. Ndërsa armët të cilat nuk licencohen, pra nuk jepet leja për to, të gjendet një formë të subvencionohen ata të cilët posedojnë ende armë nga lufta, të gjendet një formë e subvencionimit dhe t'i inkurajojnë ata që të dorëzojnë ato armë”, përfundon ai.

Kujtojmë se, gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 17 vrasje në Kosovë./KP/

Me minus 68 vota, rinumërimi i deritanishëm e lë jashtë Kuvendit Fikrim Damkën



Rinumërimi i deritanishëm i votave me shumë mundësi do ta lë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën.

Sipas shifrave aktuale, mandati pritet t’i kalojë Ergul Mazrekut, i cili ka marrë 2.511 vota, 15 më shumë pas rinumërimit.

Ndërkohë, Damkës i janë hequr 68 vota që më parë i ishin përshkruar gabimisht, duke e lënë totalin e tij aktual në 2.449 vota pas rinumërimit të 470 nga 914 vendvotime.

Procesi i rinumërimit ka zbardhur manipulime të evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit, me devijimin më të madh të votave në Prizren.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve që KQZ ka vendosur të rinumërohen.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në komunën e Prizrenit. Pas përfundimit të rinumërimit në Prizren, do të përfshihen edhe komunat e tjera, sipas radhës. /Telegrafi/

Perez e do te Reali, vjen përgjigja nga Jose Mourinho



Trajneri i Benfikës, José Mourinho, ka hedhur poshtë kategorikisht thashethemet që e lidhin atë me një rikthim të mundshëm te Real Madridi.

Së fundmi, disa raportime kanë pretenduar se presidenti i “Los Blancos”, Florentino Pérez, po shqyrton mundësinë e rikthimit të trajnerit portugez për një mandat të ri në stolin madrilen, por këto spekulime janë mohuar nga vetë Mourinho.

Special One e ka quajtur këtë si 'telenovelë' dhe ka hedhur poshtë mundësinë të marrë drejtimin e Realit.

“Mos u mbështetni tek unë për telenovela. Ka telenovela të mira, por janë shumë të gjata; nëse humbisni një ose dy episode, pastaj humbisni gjurmët. Mos u mbështetni tek unë, sepse unë nuk shikoj telenovela”, u shpreh ish-trajneri i Chelseat.

Trajneri portugez drejtoi Real Madridin për tre sezone, nga viti 2010 deri më 2013.

Pas aventurës me madrilenët, Mourinho ka qenë në krye edhe të Chelsea-t, Manchester United-it, Tottenham Hotspur-it, Romës, Fenerbahçes dhe aktualisht të Benfikës. /Telegrafi/

Iranianët brohorasin “Vdekje diktatorit” nga shtëpitë e tyre, publikohen pamje



Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon banorë të Isfahanit që brohorasin nga shtëpitë e tyre “Vdekje diktatorit”, një slogan gjithnjë e më i dëgjuar ndër protestuesit iranianë që kundërshtojnë qeverinë dhe udhëheqjen e vendit.

Ajo shprehje është përdorur gjerësisht në protesta në disa qytete të vendit dhe shpreh zemërimin ndaj udhëheqësit suprem dhe sistemit aktual politik në Iran.


بر اساس ویدیوی ارسالشده به ایراناینترنشنال، گروهی از معترضان در اصفهان، شامگاه شنبه ۲۷ دی از درون خانهها شعار «مرگ بر دیکتاتور» سردادند. pic.twitter.com/WDugBBwGs5
— ايران اينترنشنال (@IranIntl) January 18, 2026


Protestat u përhapën në të gjithë Iranin si reagim ndaj kolapsit të monedhës kombëtare, inflacionit të lartë dhe kushteve ekonomike shumë të vështira.

Është një nga valët më të mëdha të protestave antiqeveritare.

Ato kanë marrë një ton të gjerë kundër sistemit dhe udhëheqësve të tij, me mijëra njerëz në rrugë që brohorisnin “Vdekje diktatorit” ose “Vdekje Khameneit” — referencë direkte ndaj supremit Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka qenë figura qendrore e regjimit për dekada.

Qeveria ka reaguar me masa të ashpra, përfshirë bllokime të internetit dhe ndërprerje të shërbimeve, me qëllim të kufizojë shpërndarjen e informacioneve.

Autoritetet kanë përdorur gaz lotsjellës, armë reale dhe është raportuar dhunë serioze në disa qytete. /Telegrafi/

Shkup, subvencione nga 20 mijë denarë, për inverterë dhe 5 mijë denarë për biçikleta



Qyteti i Shkupit këtë vit, si masë për mbrojtjen e mjedisit, do të japë subvencione për inverterë, biçikleta dhe pastrimin e oxhaqeve.
Në programin për mbrojtjen e mjedisit janë parashikuar subvencione prej 20.000 denarësh për ndryshimin e mënyrës së ngrohjes, për blerjen e klimave inverter. Në buxhetin për vitin 2026 për këtë masë janë parashikuar katër milion denarë, që do të thotë se subvencione do të ketë për 200 familje.
Për blerje të biçikletave është përcaktuar shuma maksimale prej 5.000 denarësh për person. Në buxhetin për këtë masë janë parashikuar dy milion denarë, që do të thotë se do të ketë fonde për 400 qytetarë.
Qyteti i Shkupit do të subvencionojë pastrimin e oxhaqeve të familjeve dhe të tjera subjekte me nga 1.500 denarë. Për këtë masë janë siguruar 200.000 denarë.
Njoftimet për subvencionim ende nuk janë publikuar.
Buxheti për mjedisin i Qytetit të Shkupit për vitin 2026 është 45 milion denarë, dhe mes tjerash ka fonde edhe për masa tjera.
Kujtojmë që Shkupi vazhdon të mbetet një nga qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë.

Muriqi flet për het-trikun ndaj Bilbaos dhe të ardhmen e tij



Vedat Muriqi është futbollisti i momentit te Mallorca, por edhe i javës padyshim në La Liga pas het-trikut ditën e shtunë ndaj Athletic Bilbao.

Futbollisti i RCD Mallorca, Vedat Muriqi, i cili shënoi një tregolësh në fitoren 3-2 kundër Athletic Club, ka konfirmuar se ndihet i lumtur në ishull dhe ka zbuluar se drejtori sportiv, Pablo Ortells, i kishte thënë se nuk do ta shiste.

“Jam i lumtur këtu, kam një kontratë dhe gjërat janë ashtu siç janë. Nëse një sulmues shënon shumë gola, natyrisht do të vijnë oferta, por unë jam i lumtur këtu dhe klubi ka vendosur për të ardhmen time", tha Muriqi pas ndeshjes, që shënoi tregolëshin e tij të parë me Mallorcën.

Reprezentuesi kosovar ka zbuluar edhe bisedën që kishte me drejtorin sportiv të Mallorcas.

“Fola me Pablo Ortells dy ditë më parë dhe i lashë vendimin në dorë të tij. I thashë se nuk mund të flisja për negociata sepse sapo kishim rinovuar kontratat tona. Nëse klubi do të shpëtohej nga paratë e shitjes sime, atëherë ai duhet ta vendoste, por ai tha jo dhe unë jam i lumtur këtu”, vazhdoi tutje Muriqi.

Prizrenasi shkëlqeu me tre gola ndaj Bilbaos dhe shprehet shumë i lumtur me golat e shënuar.

“Jam shumë i lumtur. E dija që isha në një seri të mirë, por kjo nuk mjaftonte për të fituar ndeshjet. Tregolëshi im i parë me Mallorcën dhe tre pikët e fituara janë edhe më të rëndësishme”.

“Gjatë gjithë javës kemi folur për këtë, kemi rikthyer atë që na ka munguar të gjithëve – një ekip që lufton për çdo top. Kështu fitohen ndeshjet. I dimë gabimet tona, dhe këto tre pikë do të na ndihmojnë të përmirësojmë renditjen tonë", përfundoi ylli dardan. /Telegrafi/

Tragjedi në Austri, pesë skiatorë të vdekur nga ortekët brenda pak orësh



Pesë skiatorë kanë humbur jetën në dy ortekë në rajonin Salzburg Pongau në Austrinë perëndimore, sipas autoriteteve.

“Kjo tragjedi tregon me dhimbje se sa serioze është situata aktuale e ortekëve”, tha Gerhard Kremser, kreu i distriktit të shërbimit të shpëtimit malor Pongau, duke vënë në dukje “paralajmërimet e qarta dhe të përsëritura” në lidhje me rrezikun e ortekëve.

Katër helikopterë shpëtimi, ekipe shpëtimi malor dhe me qen të Kryqit të Kuq, si dhe një ekip ndërhyrjeje në kriza, u nisën me urgjencë në vendngjarje.

Autoritetet thonë se janë regjistruar edhe ortekë të tjerë në zonë, por për fat të mirë, nuk kanë rezultuar në viktima.

"Ngushëllimet tona më të thella u shkojnë familjeve. Kjo tragjedi tregon me dhimbje se sa serioze është situata aktuale e ortekëve", shtoi Kremser.

Ortekët në rajon janë një dukuri e rregullt në këtë kohë të vitit.

Të martën, një djalë 13-vjeçar u vra pasi një ortek e rrëmbeu ndërsa bënte ski.

Një skiator 58-vjeçar u vra një javë më parë në një incident të ngjashëm.

Autoritetet po u bëjnë thirrje skiatorëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin këshillat zyrtare dhe paralajmërimet për motin, për të shmangur rreziqet e lëndimeve serioze ose vdekjes. /Telegrafi/

Quni distancohet nga manipulimi i votave: Rritja e votave në emrin tim është kriminale



Deputeti dhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, ka reaguar lidhur me raportimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, duke u distancuar nga çdo rritje e votave në emrin e tij.

Në një deklaratë publike, Quni ka theksuar se çdo shtim i votave në emrin e tij është bërë pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, duke theksuar se nuk ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.

“Çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore,” ka deklaruar Quni.

Ai ka vlerësuar se përfshirja e emrit të tij në këto parregullsi i ka shkaktuar dëm të madh personal dhe profesional, duke e cilësuar rastin si një operacion kriminal.

“Përmes këtij operacioni kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera ime politike. Përfshirja e emrit tim në skema manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite,” ka theksuar ai.

Quni ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të zbardhin tërësisht rastin, duke ngritur disa pyetje kyçe mbi motivin e manipulimit, përzgjedhjen e emrit të tij dhe personat përgjegjës në Qendrën e Numërimit.

Ai u ka kërkuar ndjesë publike kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favor të tij, duke theksuar se garimi duhet të jetë i drejtë dhe se çdo votë duhet t’i takojë kandidatit që e ka fituar me meritë.

Në fund, Quni ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” ka përfunduar Quni.


​Kosova triumfon në një garë ShBA, merr 30 medalje



Nxënësit e Kosovës kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në NEO Science Olympiad 2026, e zhvilluar në Orlando, Florida, duke fituar medalje të arta, argjendi dhe bronzi në fusha të ndryshme të Shkencës, Biologjisë, Kimisë dhe Matematikës.

Kwshtu ka njoftuar Kosova Global Talent Center.

Rezultatet kryesore:

AI – Neo Science Olympiad

Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Gold Medal

Molos Gashi (Klasa 5) – Gold Medal

Lum Rrahmani (Klasa 6) – Gold Medal

Amar Halimi (Klasa 8) – Bronze Medal

Biologji

Adri Vila (Klasa 9) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i parë)

Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i tretë)

Aulona Demolli (Klasa 10) – Silver Medal

Kimi

Tana Camaj (Klasa 10) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i dytë)

Aulona Demolli (Klasa 10) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i tretë)

Shkencë

Jeton Sylejmani (Klasa 7) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i dytë)

Nil Kelmendi (Klasa 3) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i tretë)

Harun Hondozi (Klasa 6) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i tretë)

Qazim Osaj (Klasa 7) – Gold Medal

Molos Gashi (Klasa 5) – Gold Medal

Matematikë

Nil Kelmendi (Klasa 3) – Gold Medal (Best of the Best, vendi i parë)

Harun Hondozi (Klasa 6) – Gold Medal

Qazim Osaj (Klasa 7) – Gold Medal

Jeton Sylejmani (Klasa 7) – Silver Medal

Asija Vitaku (Klasa 8) – Silver Medal

Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Bronze Medal

Tana Camaj (Klasa 10) – Bronze Medal

Molos Gashi (Klasa 5) – Bronze Medal

Lum Rrahmani (Klasa 6) – Bronze Medal

Lum Paçarada (Klasa 9) – Bronze Medal

Ky sukses pasqyron talentin dhe përkushtimin e nxënësve kosovarë në fushat STEM dhe vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare të shkencës dhe inovacionit.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali merr pjesë në Takimin e Lidershipit në Davos



Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, do të marrë pjesë në Takimin e Lidershipit (Davos Leadership Gathering), i cili do të mbahet në Davos nga 19 deri më 22 janar.
Ky takim prestigjioz do të mbledhë liderë botërorë, ekonomistë, bankierë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme, me fokus në diskutimin e sfidave globale dhe zhvillimeve ekonomike ndërkombëtare.
Gjatë pjesëmarrjes së tij, z. Sali do t’i drejtohet forumit në kuadër të një paneli diskutimi, ku do të trajtohen çështje me rëndësi të veçantë si ndryshimet klimatike, konfliktet globale dhe përkujdesja sociale, duke theksuar rolin dhe angazhimin e Maqedonisë së Veriut në këto procese ndërkombëtare.

❌