Ekskluzive | Detaje nga dosja e grabitjes në Prizren – të maskuar, me armë e thikë, ndalën viktimat te Tregu i Gjelbër dhe u morën paratë
Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë dhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren për grabitjen e armatosur të ndodhur në orët e vona të natës së 3 shkurtit, ku katër persona dyshohet se vepruan të koordinuar, të maskuar dhe me armë në dorë.
Sipas dosjes zyrtare, të dyshuarit:
Kastriot Krasniqi
Liridon Gashi
Shkodran Gashi
Valdrin Saramati
kanë ndjekur viktimat me veturë të tipit “Golf VII”, me targa 04-885-…, deri në zonën e Tregut të Gjelbër në Prizren.
Rreth orës 00:55, grupi ndalon automjetin, zbret nga vetura, të maskuar dhe të veshur me të zeza. Njëri nga ta mban armë zjarri, tjetri thikë, ndërsa pjesëtarët e tjerë asistojnë në rrethimin dhe kontrollimin e viktimave L. R dhe H. S.
Nga dosja rezulton se fillimisht viktimat janë kërcënuar seriozisht për jetën, duke iu drejtuar me fjalë si: “Çele derën”, “Çiti paret”, “Nxirrni paret se ju vrasim”.
Në këtë moment, sipas dosjes, Kastriot Krasniqi e nxjerr nga vetura H. S dhe e kontrollon, ndërsa Shkodran Gashi dhe Valdrin Saramati i mbajnë nën kërcënim me armë dhe thikë viktimat. Pasi nuk kanë gjetur shumë para, nga viktima është marrë shuma prej 40 eurosh, e më pas të dyshuarit largohen nga vendi i ngjarjes.
Me rasti e caktimit të paraburgimit, Gjykata thekson se veprimi është kryer në bashkëkryerje, me role të ndara qartë mes të dyshuarve: njëri ka përdorur armë zjarri, tjetri thikë, ndërsa të tjerët kanë ndihmuar në realizimin e grabitjes.
Në dosje përfshihen edhe deklaratat e viktimave, pamje nga kamerat e sigurisë të zonës së Tregut të Gjelbër dhe lokaliteteve përreth, si dhe procesverbalet e bastisjeve dhe kontrolleve në banesat e të dyshuarve. Prokuroria ka siguruar gjithashtu telefona celularë dhe prova tjera materiale.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Grabitja” në bashkëkryerje, duke përdorur armë dhe mjete të rrezikshme, si dhe se ekziston rrezik real i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.
Për këto arsye, është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji: për Kastriot Krasniqin, Liridon Gashin dhe Shkodran Gashin nga data 04.02.2026, për Valdrin Saramatin nga data 05.02.2026
Mbrojtja e të dyshuarve ka kërkuar masa më të buta, duke pretenduar bashkëpunim me policinë dhe mungesë rreziku për ikje, por gjykata ka konstatuar se pesha e veprës, mënyra e kryerjes dhe rrethanat konkrete e bëjnë paraburgimin të domosdoshëm në këtë fazë.
Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar analiza shtesë të pajisjeve elektronike dhe pamjeve të kamerave për zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti po trajtohet si “Grabitje” në bashkëkryerje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Detaje nga dosja e grabitjes në Prizren – të maskuar, me armë e thikë, ndalën viktimat te Tregu i Gjelbër dhe u morën paratë appeared first on Sinjali.




















