Reading view

Qeveria kroate rrit pensionet e veteranëve/ 3 euro për çdo muaj të kaluar në front

Qeveria e Kroacisë ka prezantuar një model të ri për rritjen e pensioneve të veteranëve, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, nëse ndryshimet ligjore miratohen nga Parlamenti. Masa do të përfshijë edhe veteranët që pas luftës janë rikthyer në punë.

Aktualisht, pensionet e këtyre veteranëve llogariten sipas sistemit të përgjithshëm të pensioneve, bazuar në vitet e punës dhe pagat, ndërsa më pas u shtohet një përfitim shtesë që varet nga koha e kaluar në luftë. Pikërisht për këtë kategori, partia opozitare Mozhemo kishte propozuar një rritje të pensioneve deri në 20 për qind, raporton index.hr.

Megjithatë, Qeveria ka zgjedhur një model tjetër. Sipas propozimit, pensioni do të rritet me 3 euro në muaj për çdo muaj të kaluar në sektorin luftarak dhe me 50 centë për çdo muaj të kaluar në sektorin jo-luftarak.

Sipas Ministrisë, 68.269 veteranë marrin pension sipas sistemit të përgjithshëm me të drejta shtesë si veteranë, ndërsa 59.068 prej tyre marrin pensionin minimal të veteranit. Pensioni mesatar i kësaj kategorie është rreth 668 euro.

Në një shembull konkret, një veteran që sot merr 668 euro do të përfitonte rreth 134 euro shtesë nëse do të zbatohej propozimi i Možemo. Sipas modelit të Qeverisë, përfitimi do të varet nga kohëzgjatja e shërbimit në sektorin luftarak dhe në këtë rast do ta tejkalonte rritjen prej 20 për qind pas rreth tre vjetësh e nëntë muajsh shërbim luftarak.

Modeli qeveritar parashikon që një vit në sektorin luftarak të sjellë 36 euro shtesë në muaj, tre vjet 108 euro dhe pesë vjet 180 euro. Në të kundërt, pesë vjet në sektorin jo-luftarak do të sillnin vetëm 30 euro shtesë mujore.

Shtesa e re do të përfshijë 104.560 veteranë, ndërsa të gjitha ndryshimet e propozuara do të prekin gjithsej 201.304 veteranë dhe anëtarë të familjeve të tyre. Përveç kësaj, Qeveria propozon edhe heqjen e uljes prej 8 deri në 20 për qind të pensioneve për rreth 34.000 ish-ushtarakë, policë dhe përfitues të tjerë të pensioneve të veçanta, me një rritje mesatare prej rreth 70 euro në muaj.

Ndryshimet ndodhen në fazën e konsultimit publik dhe, nëse miratohen nga Parlamenti, do të zbatohen duke filluar nga 1 janari 2027.

  •  

Trump firmos urdhra të rinj për kufizimin e shtetësisë me lindje në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një përpjekje të dytë për të kufizuar të drejtën kushtetuese të shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në SHBA, vetëm pak javë pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë përpjekjen e tij të parë për të kufizuar këtë të drejtë.

Trump nënshkroi të enjten dy urdhra ekzekutivë që synojnë të zgjerojnë kategoritë e fëmijëve që nuk do të përfitojnë automatikisht shtetësinë amerikane dhe të luftojnë fenomenin e njohur si “turizmi i lindjes”, ku shtetas të huaj udhëtojnë drejt SHBA-ve për të lindur, me qëllim që fëmija të fitojë shtetësinë amerikane.

Urdhrat pritet të përballen me sfida të reja ligjore, pasi kritikët argumentojnë se bien ndesh me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane, i cili garanton shtetësinë për pothuajse të gjithë personat e lindur në territorin e SHBA-ve.

Duke folur para gazetarëve, Trump kritikoi vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë “shumë fatkeq”.

“Ishte një vendim shumë i pafat. Prandaj po bëjmë disa rregullime, sepse kjo është shumë e padrejtë,” tha ai.

Njëri nga urdhrat zgjeron kategoritë e përjashtimeve nga shtetësia automatike. Sipas administratës Trump, në këtë kategori mund të përfshihen fëmijët e personave të lidhur me organizata të huaja terroriste, disa përfaqësues të qeverive të huaja, si edhe persona që kanë përfituar status ligjor përmes mashtrimit.

Ndërkohë, urdhri i dytë synon të godasë rrjetet që organizojnë “turizmin e lindjes”. Trump pretendoi, pa paraqitur prova, se “qindra mijëra” persona kanë përfituar nga kjo praktikë.

“Shtetësinë me lindje e kanë kthyer në tallje. Janë ngritur biznese të tëra rreth saj. Nuk është kështu si duhet të funksionojë. Nuk do ta lejojmë më,” deklaroi presidenti amerikan.

Megjithatë, sipas Institutit për Politikat e Migracionit, vlerësohet se çdo vit në SHBA lindin mes 22 mijë dhe 26 mijë foshnja nga raste të lidhura me “turizmin e lindjes”, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2024 janë regjistruar vetëm rreth 9.600 lindje nga nëna me adresë jashtë SHBA-ve, më pak se 1% e të gjitha lindjeve në vend.

Organizata Amerikane për Liritë Civile (ACLU) reagoi menjëherë, duke i cilësuar urdhrat si antikushtetues.

“Gjykata Supreme e ka zgjidhur tashmë këtë çështje. Shtetësia me lindje garantohet nga Kushtetuta dhe asnjë urdhër ekzekutiv nuk mund ta ndryshojë këtë fakt,” tha Cody Wofsy, zëvendësdrejtor i Projektit për të Drejtat e Emigrantëve në ACLU.

Ekspertët ligjorë presin që urdhrat e rinj të Trump të kundërshtohen menjëherë në gjykatë, duke hapur një tjetër betejë ligjore mbi interpretimin e Amendamentit të 14-të dhe politikat e emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

  •  

Meta gjobitet me 567 milionë dollarë për rrezikimin e fëmijëve në internet

Një gjykatë në shtetin amerikan të New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë 567 milionë dollarë shtesë për dështimin në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në platformat e saj, duke e çuar vlerën totale të gjobave në 942 milionë dollarë. Bëhet fjalë për gjobën më të madhe të vendosur ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve.

Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke krahasuar ndikimin e rrjeteve të saj sociale me ndotjen e ajrit. Sipas tij, kompania duhet të financojë një fond të posaçëm për trajtimin dhe parandalimin e dëmeve që platformat e saj u shkaktojnë fëmijëve.

Në vendim thuhet se algoritmet e Facebook-ut dhe Instagram-it kanë rekomanduar përmbajtje të dëmshme për përdoruesit e mitur, duke i ekspozuar ata ndaj materialeve me përmbajtje seksuale dhe kontakteve me persona që synojnë shfrytëzimin e fëmijëve.

Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, njoftoi se do ta ankimojë vendimin.

“Nuk pajtohemi me këtë vendim. Ne vazhdojmë të investojmë në sigurinë e përdoruesve dhe mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e të rinjve në platformat tona”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Përveç gjobës financiare, gjykata urdhëroi Metën të zbatojë masa të reja sigurie, duke përfshirë ndalimin e kontakteve mes të rriturve dhe përdoruesve nën moshën 18-vjeçare, kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për të miturit dhe heqjen e funksioneve që mund të nxisin varësinë, si numri i pëlqimeve (“likes”).

Sipas vendimit, rreth 420 milionë dollarë do të përdoren për financimin e programeve të trajtimit psikologjik dhe shëndetit mendor për fëmijët e prekur, ndërsa pjesa tjetër do të investohet në programe edukimi dhe ndërgjegjësimi për shkollat, prindërit dhe profesionistët e shëndetësisë.

Ky është rasti i parë në Shtetet e Bashkuara ku një gjykatë e cilëson një kompani të rrjeteve sociale si “shqetësim publik” për dëmet që u shkakton fëmijëve. Ndërkohë, Meta përballet edhe me mijëra procese të tjera gjyqësore në SHBA për akuza të ngjashme që lidhen me sigurinë dhe privatësinë e të miturve.

  •  

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani nënshkruajnë pakt të përbashkët mbrojtjeje

Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, sipas së cilës çdo sulm ndaj njërës prej tyre do të konsiderohet si sulm ndaj të tre shteteve.

Pakti u shpall pas një takimi në Mekë mes Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif.

Marrëveshja vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, ndërsa konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka ndikuar në sigurinë rajonale dhe ka penguar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq.

Ministria e Jashtme e Pakistanit deklaroi se, sipas “Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës”, një sulm ndaj cilitdo prej tre vendeve “do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”. Dokumenti parashikon mbështetje të ndërsjellë mes palëve, por nuk specifikon detyrimet konkrete ushtarake të secilit shtet.

Një zyrtar turk, i cituar nga agjencia Reuters, theksoi se pakti ka karakter “thjesht mbrojtës”.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen në një periudhë kur rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave saudite dhe ndaj anijeve në Detin e Kuq. Si përgjigje, Arabia Saudite ka ndërmarrë operacione ushtarake kundër pozicioneve të Huthive dhe ka krijuar një koalicion të ri detar për mbrojtjen e rrugëve kryesore të transportit detar.

Tre shtetet konsiderohen aktorë me peshë në rajon. Arabia Saudite është një nga blerësit më të mëdhenj të armëve në botë, Turqia zotëron forcën e dytë më të madhe ushtarake në NATO dhe një industri të zhvilluar të mbrojtjes, ndërsa Pakistani është një fuqi bërthamore.

Marrëveshja shihet si një përpjekje për të forcuar bashkëpunimin strategjik dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes mes tre aleatëve në një rajon që po përballet me tensione të shtuara të sigurisë.

  •  

Pesë viktima në një anije në lumin Kongo, nis kontrolli për Ebola dhe kolerë

Autoritetet në Republikën Demokratike të Kongos po kryejnë kontrolle për Ebola dhe kolerë për të gjithë 255 pasagjerët që ndodhen në bordin e një anijeje të ndaluar në lumin Kongo.

Anija Yingfeng 2, e operuar nga një kompani kineze, u ndal pranë portit Bende Bende, rreth 65 kilometra në rrjedhën e sipërme të kryeqytetit Kinshasa.

Ministri i Shëndetësisë, Roger Kamba, tha se kontrollet po kryhen si masë paraprake, pasi një pasagjer me temperaturë dhe diarre, i cili kishte zbritur në një ndalesë të mëparshme, kishte ndërruar jetë në spital. Gjithashtu kanë vdekur edhe dy të rritur të tjerë, një fëmijë trevjeçar dhe një i porsalindur.

Ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kanë hipur në anije dhe kanë ngritur një laborator të lëvizshëm për kryerjen e analizave.

“Deri tani, askush nuk ka rezultuar pozitiv dhe ka shumë gjasa që askush të mos rezultojë pozitiv pasi të kenë kaluar 21 ditët e periudhës së inkubacionit”, tha Kamba për gazetarët.

Sipas të dhënave të siguruara nga BBC, anija ishte nisur nga Kisangani, qyteti i tretë më i madh i vendit, rreth dy javë më parë. Në këtë zonë janë raportuar së fundmi raste me Ebola, me të paktën katër viktima.

Kamba shtoi se nuk ka pasur raste me Ebola në provincën Mongala, ku kishte zbritur pasagjeri që ndërroi jetë, duke kundërshtuar raportimet e mëparshme.

Anija kishte përshkuar më shumë se 1.700 kilometra drejt Kinshasës, përpara se të ndalohej.

Shërbimet e sigurisë janë udhëzuar që ta mbajnë anijen Yingfeng 2 në karantinë në ujëra të hapura, në përputhje me standardet e OBSH-së, për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit në kryeqytet. Ekipet e shëndetit publik mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë pasi anija të sigurohet.

Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e saj të 17-të të Ebolës, i deklaruar më 15 maj. Ky shpërthim është shkaktuar nga lloji i rrallë Bundibugyo i virusit, i cili nuk ishte shfaqur prej më shumë se një dekade.

Aktualisht nuk ka trajtime specifike që synojnë këtë lloj të virusit, dhe as vaksinë të disponueshme, megjithëse në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur provat e para klinike te njerëzit për zhvillimin e një vaksine.

Tre muaj pas shpalljes së shpërthimit, numri i infektimeve dhe viktimave vijon të rritet.

Sipas shifrave zyrtare, janë regjistruar 3.973 raste të konfirmuara dhe 1.801 viktima, duke e bërë këtë shpërthimin e dytë më vdekjeprurës të Ebolës.

Aktualisht, më shumë se 17 mijë persona janë nën monitorim pasi kanë qenë në kontakt me raste të dyshuara ose të konfirmuara, ndërsa 674 pacientë ndodhen në izolim ose trajtim në pesë provinca dhe 776 persona janë shëruar, sipas autoriteteve.

Në Kinshasa, përgatitjet për një reagim të mundshëm ndaj llojit Bundibugyo janë intensifikuar, me forcimin e mbikëqyrjes dhe kapaciteteve të reagimit të shpejtë në Maluku, pikën kryesore të hyrjes në qytet.

Zyrtarët kanë theksuar se masat janë vetëm paraprake, por ato tregojnë seriozitetin e situatës.

  •  

Gjermania vendos mbrojtje të reja në aeroporte, synohet neutralizimi i dronëve

Tetë aeroportet më të mëdha të vendit pajisen me teknologji të re pas rritjes së incidenteve të sigurisë.

Gjermania ka nisur instalimin me urgjencë të sistemeve moderne kundër dronëve në aeroportet kryesore të vendit, në një përpjekje për të rritur sigurinë e trafikut ajror dhe për të parandaluar kërcënimet e mundshme.

Tetë aeroportet më të mëdha gjermane – Frankfurt, Berlin, Mynih, Düsseldorf, Stuttgart, Hamburg, Leipzig dhe Këln – janë duke u pajisur me teknologji të avancuar për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve të paautorizuar.

Vendimi vjen pas një serie incidentesh të lidhura me përdorimin e dronëve pranë zonave aeroportuale, shkruan cnn.

Rasti më i fundit shkaktoi alarm në Leipzig, ku sipas raportimeve u gjet një dron që dyshohej se transportonte eksplozivë pranë një avioni ukrainas të ngarkesave. Autoritetet gjermane e konsiderojnë mbrojtjen kundër dronëve një prioritet të ri të sigurisë, pasi pajisje të tilla mund të paraqesin rrezik serioz për avionët, pasagjerët dhe operacionet aeroportuale.

Pritet që shumica e aeroporteve kryesore të Gjermanisë të jenë të pajisura me sistemet e reja të mbrojtjes deri në fund të këtij viti.

  •  

Jet Ski brenda zonës së pushuesve në Zvërnec, gjobitet me 300 mijë lekë drejtuesi

Shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues (Jet Ski) dhe ndëshkon drejtuesin me masë administrative 300.000 lekë të rinj.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në vendin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, në zonën e Zvërnecit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit A. V., u vendos masë administrative me vlerë 300.000 lekë të rinj, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Policia e Shtetit apelon ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.

  •  

UNICEF: Një fëmijë vritet përditë në Gaza, pavarësisht se ka armëpushim

Sipas UNICEF-it, rreth 300 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë afërsisht 300 ditëve që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025, një mesatare prej një fëmije të vrarë çdo ditë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thekson se qindra të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre me lëndime të rënda, duke paralajmëruar se situata humanitare për fëmijët mbetet alarmante, pavarësisht premtimeve për ndalimin e luftimeve.

Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, deklaroi se një armëpushim gjatë të cilit vazhdon të humbasë jetën mesatarisht një fëmijë në ditë nuk mund të konsiderohet një zgjidhje që mbron fëmijët. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira në planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që t’i shndërrojnë zotimet në veprime konkrete, duke ndalur dhunën dhe duke garantuar qasje të plotë për ndihmat humanitare.

UNICEF njofton se familjet në Gaza janë të detyruara të jetojnë në vetëm një pjesë të kufizuar të territorit, mes ndërtesave të shkatërruara, rrënojave dhe mbeturinave që ende nuk janë pastruar. Fëmijët përballen çdo ditë me mungesë ushqimi, ujë të pijshëm të sigurt, shërbime sanitare dhe kujdes shëndetësor. Gjendja është veçanërisht e rëndë për foshnjat e lindura para kohe, pasi mungesa e inkubatorëve ka detyruar spitalet që në disa raste të vendosin më shumë se një foshnjë në të njëjtën pajisje.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 73 300 palestinezë. UNICEF vlerëson se më shumë se 58 000 fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit, ndërsa mbi një milion të mitur kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe shërbime mbrojtëse. Organizata ka raportuar më herët se rreth 17 000 fëmijë janë të pashoqëruar ose janë ndarë nga familjet e tyre, duke e cilësuar këtë si një nga krizat më të mëdha të mbrojtjes së fëmijëve në botë.

Përveç rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet, fëmijët në Gaza po përballen me pasoja të rënda në jetën e përditshme. Zhvendosjet e përsëritura, humbja e të ardhurave familjare, mungesa e arsimit dhe qasja e kufizuar në kujdes shëndetësor kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre. Sipas organizatës, shumë fëmijë e kalojnë ditën duke kërkuar ujë, duke pritur në radhë për ushqim ose duke mbledhur dru për zjarr, në vend që të ndjekin shkollën apo të luajnë.

Një nga rastet që ka tronditur opinionin publik ishte sulmi i 2 gushtit në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, ku, sipas raportimeve, humbën jetën një grua shtatzënë, bashkëshorti i saj dhe djali pesëvjeçar. Banorët raportuan se nga rrënojat u nxorën edhe mbetjet e foshnjës së palindur.

UNICEF thekson se mungesa e hapësirave të sigurta për lojë dhe zhvillim po i privon fëmijët nga elementët bazë të fëmijërisë. Vlerësimet e organizatës tregojnë se ndërprerja e arsimit dhe mungesa e aktiviteteve zhvillimore do të kenë pasoja afatgjata në brezin e ri, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për rikuperimin e tyre.

Në të njëjtën kohë, UNICEF ka njoftuar se ka dërguar mbi 600 paleta me materiale shkollore dhe sapun në Gaza, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, i cili pritet të nisë brenda dy javësh. Organizata thekson se testi i vërtetë për çdo marrëveshje armëpushimi mbetet ndalimi i plotë i vrasjeve, shpërndarja e ndihmave në shkallë të gjerë, rikthimi në funksion i spitaleve dhe sigurimi i ujit të pijshëm për popullsinë civile.

  •  

25 vatra zjarri në 12 orë, 10 ende aktive/ Vijon operacioni në disa qarqe të vendit

25 vatra zjarri janë raportuar në vend gjatë 12 orëve të fundit, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Në terren janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë vendosur edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së.

Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara. E njëjta situatë paraqitet edhe në Priskë të Tiranës, ku po punohet për shuarjen e një zjarri në sipërfaqe pyjore.

Në Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.

Në qarkun Elbasan vijon puna për shuarjen e vatrave në Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe zonën e mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Kostren 2, bashkia Berat, zjarri është riaktivizuar dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e tij. Zjarret në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet–Drojë të Kurbinit janë shuar.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.

  •  

Në vend të rindërtimit, bazë ushtarake në Gaza/ Bordi i Paqes jep kontratën e parë

Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, ka dhënë kontratën e parë të ndërtimit në këtë territor palestinez. Projekti parashikon ndërtimin e një baze të përkohshme ushtarake për 150 pjesëtarë, ku do të vendosen ushtarë marokenë.

Sipas gazetës britanike The Guardian, kontrata ende nuk është konfirmuar përfundimisht, por i është dhënë kompanisë amerikane Arkel International, e cila më parë ka realizuar projekte për qeverinë amerikane në vende si Iraku.

Bordi i Paqes drejtohet nga Trump, ndërsa në udhëheqjen e tij janë edhe Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Një zyrtar i komitetit tha se disa kontrata janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, por asnjëra nuk është finalizuar ende.

Baza ushtarake do të ndërtohet në një zonë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, e cila aktualisht kontrollon një pjesë të madhe të territorit të Gazës. Objekti do të jetë rreth 1.6 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe do të ketë një rrugë të shpejtë evakuimi në rast sulmesh.

Plani lidhet me krijimin e Forcave Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për Gazën, ku Maroku ka paralajmëruar dërgimin e një kontingjenti të vogël ushtarak. Megjithatë, kuadri ligjor për vendosjen e këtyre forcave ende nuk është miratuar.

Ndërkohë, planet fillestare për rindërtimin e Gazës janë reduktuar nga një projekt i gjerë në një projekt pilot.

Sipas vlerësimeve, rreth 80 për qind e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa rreth dy milionë banorë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese në kampe të improvizuara. 

  •  

Eric Wendt ambasador i ri në Tiranë/ Minxhozi: SHBA rrit përfaqësimin diplomatik në rajon

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar zyrtarisht Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi vlerësoi se profili i ish-ushtarakut me integritet e bëri të pritshëm konfirmimin e tij me hapa dukshëm më të lehtë.

Sipas Minxhozit, ardhja e tij në këtë periudhë përbën një sinjal të rëndësishëm të vlerësimit që Uashingtoni ka për Ballkanin Perëndimor dhe gjeopolitikën e rajonit. Për rrjedhojë, ambasadori i ri pritet të sjellë një qëndrim rigoroz ushtarak të ndërthurur me kodin dhe etikën diplomatike.

“Konfirmimi ka ndjekur hapa të dukshëm më të lehtë, sesa kandidaturat e para. Një ish-ushtarak shihet një person i përkushtuar dhe integritet. Duke parë CV e ambasadorit Wendt ishte e pritshme që ai do ta kalonte shqyrtimin në legjislacionin amerikan.

Wendt vjen në një pjesë të Europës, të rajonit, që ka një mungesë të ambasadorëve të SHBA. Ardhja e një diplomati të tillë është një shenjë e mirë për një përfaqësim të ngritur të SHBA-ve në të gjithë rajonin. Jep mesazhin që amerikanët e vlerësojnë Ballkanin, posaçërisht Ballkanin Perëndimor.

Pozicioni jonë gjeopolitik ka një rëndësi të veçantë të SHBA. Nuk pres që Wendt të ketë të njëjtin angazhim. Ai do të ketë qëndrimin e prerë dhe rigoroz të një ushtaraku por të ndërthurur me kodin diplomatik që përbëjnë imazhin dhe punën e një ambasadori”, tha Minxhozi.

  •  

PD mbështet bashkiakët e mërzitur rozë/ Udhëzimi: “Fshehje” pas socialistëve që kundërshtojnë shkrirjen e bashkive

Demokratët nuk do i lënë vetëm socialistët e mërzitur që kundërshtojnë këto ditë shkrirjen e bashkive që ata drejtojnë në vend.

Për këtë ata kanë marrë udhëzimin nga selia qendrore blu, që të jenë në shesh për mosaprovimin e zvogëlimit të numrit të bashkive.

Disa deputetë nuk e kanë pritur këtë udhëzim, të firmosur këtë të enjte, nga dy sekretarë, sekretari organizativ Klevis Balliu dhe sekretari për pushtetin lokal, Ylli Asllani, në të cilin thuhet se në të gjithë vendin kanë shpërthyer protestat kundër shkrirjes së bashkive.

“Të gjitha degët e PD duhet të mblidhen urgjentisht brenda kësaj jave, së bashku me këshilltarët demokratë të bashkive për të përgatitur kundërshtimin dhe për të bashkërenduar qëndrimin tonë protestues me gjithë qytetarët dhe grupet e interesit në çdo bashki.”

Drafti u ka shkuar zyrtarisht kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë për konsultime dhe udhëzimi u kërkon degëve të PD që ta marrin draftin dhe të jenë argumentues në kundërshtimin e tyre. Po ashtu, kërkohet që këshilltarët e djathtë të bashkëpunojnë me ata të PS-së.

“Ata do t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe vetëdijes së çdo këshilltari bashkiak, të përfaqësojë interesat e bashkësisë së qytetarëve që e kanë votuar dhe jo paranojës që po u shkatërron vendlindjet!”

Madje, angazhimin PD e shtrin edhe në bashkitë që nuk shkrihen, por këto të fundit duhet t’u dalin në krah kolegëve të tyre.

Prej ditës së prezantimit, në disa bashki janë duke u mbajtur protesta, si në Divjakë, që zyrtarët e saj dhe opozitarët nuk duan bashkimin me Bashkinë Lushnjë, apo në Poliçan, ku kryetari i bashkisë doli në shesh, me punonjësit, duke djegur dhe teserat e PS. Ndërsa reagimet vijojnë, kryetarët dhe këshillat bashkiakë të 15 bashkive që shkrihen, duhet të hartojnë edhe një dokument për Kuvendin dhe të arsyetojnë kundërshtimin e tyre, në konsultim edhe me qytetarët.

  •  

Senati amerikan nis procedurat kundër Faucit pasi refuzoi të flasë për pandeminë

Një komision i Senatit amerikan ka votuar për ta shpallur ish-këshilltarin kryesor mjekësor të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, në përbuzje ndaj Kongresit, pasi ai refuzoi të dëshmonte dhe t’u përgjigjej pyetjeve të senatorëve lidhur me rolin e tij gjatë pandemisë së COVID-19.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit miratoi masën me rezultatin 8 vota pro dhe 7 kundër, sipas linjave partiake. Republikanët mbështetën procedurën, ndërsa demokratët e kundërshtuan atë.

Vendimi erdhi pasi Fauci u paraqit para komisionit, por refuzoi t’u përgjigjej shumë pyetjeve duke iu referuar Amendamentit të Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili u jep qytetarëve të drejtën të mos japin dëshmi që mund t’i ekspozojë ndaj përgjegjësisë penale.

Senatori republikan Rand Paul, një prej kritikëve më të zëshëm të Faucit, ka kërkuar prej kohësh përgjigje për çështje që lidhen me menaxhimin e pandemisë, financimin e kërkimeve shkencore dhe origjinën e koronavirusit. Ai ka argumentuar se Fauci duhet të bashkëpunojë me hetimin dhe jo të përdorë të drejtën për të heshtur.

Nga ana tjetër, Fauci dhe avokatët e tij kanë kundërshtuar procesin, duke thënë se përdorimi i Amendamentit të Pestë është një e drejtë kushtetuese dhe se hetimi ka prapavijë politike. Ata kanë mohuar se refuzimi për të dhënë përgjigje nënkupton pranimin e ndonjë përgjegjësie.

Pas votimit në komision, çështja pritet të kalojë për shqyrtime të mëtejshme. Një vendim përfundimtar për përbuzje ndaj Kongresit mund të çojë në dërgimin e rastit te Departamenti i Drejtësisë për vlerësim të hapave të mundshëm ligjorë.

Përplasja e re mes Faucit dhe senatorëve republikanë ka rikthyer në qendër të debatit publik në SHBA mënyrën e menaxhimit të pandemisë, vendimet e marra gjatë krizës së COVID-19 dhe rolin e institucioneve shëndetësore amerikane.

  •  

Greqi, shpërthen “Nili”/ 6 vdekje nga virusi, regjistrohen 65 persona të prekur

6 persona kanë humbur jetën në Greqi si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor dhe komplikacioneve që ai shkakton në Sistemin Nervor Qendror.

Sipas Organizatës Kombëtare për Shëndetin Publik, infeksionet vijojnë të rriten, me 23 raste të reja vendase të raportuara gjatë javës së fundit.

Deri më tani janë konfirmuar gjithsej 65 raste. Nga këto, 54 pacientë kanë zhvilluar forma të rënda të sëmundjes, me komplikacione në Sistemin Nervor Qendror, përfshirë meningjitin dhe paralizën akute flacide. Ndërkohë, 11 persona kanë shfaqur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur komplikacione neurologjike.

Aktualisht, 20 pacientë janë të shtruar në spital, ndërsa një pjesë e tyre po trajtohen në njësitë e kujdesit intensiv për shkak të gjendjes së rënduar.

Rastet janë identifikuar në 25 bashki të Greqisë, të shpërndara në dhjetë njësi rajonale të Atikës, Thesalisë dhe Maqedonisë Qendrore.

Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se në javët e ardhshme pritet të konfirmohen raste të tjera, si në zonat ku virusi tashmë qarkullon, ashtu edhe në rajone të reja.

 

  •  

Protestë para Kuvendit të Kosovës për ligjin e shtetësisë/ “Serbët po aplikojnë për pasaportën tonë, rritet artificialisht numri i tyre”

Teksa në Kosovë deputetët e legjislacionit të XI shkonin drejt sallës së parlamentit, aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar.

Ata kanë kundërshtuar zbatimin e Ligjit për Shtetësinë duke kërkuar publikimin e numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësi të Kosovës që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.

“Sot kemi dalë me protestuar… me protestuar një prej çështjeve më të mëdha me të cilat po përballen sot shtetasit tanë. Shkaku kryesor është jepja e shtetësisë për serbët që nuk kanë të drejtë me gëzuar këtë të drejtë. Në fillim ne i kemi kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dalë me një deklaratë dhe të tregojë se sa serbë kanë aplikuar deri sot që nga ligji i ri për me fituar shtetësinë kosovare. Ajo që kemi marrë prej ministrisë ka qenë heshtja”, tha aktivisti Rilind Kuçi.

Kuçi tha se protesta e sotme kishte për qëllim paraqitjen e tri kërkesave kryesore: publikimin e numrit të aplikuesve për shtetësi, shfuqizimin e Ligjit për Shtetësinë dhe shfuqizimin e nenit 155, për të cilin ai tha se u mundëson serbëve që kanë qenë banorë në vitin 1998 të fitoj shtetësinë e Kosovës.

Aktivistët paralajmëruan vazhdimin e protestave nëse kërkesat nuk merren parasysh.

  •  

Paqe midis Turqisë dhe PKK-së kurde/ Turqia paraqet projektligjin për riintegrimin e militantëve

Koalicioni qeverisës i Turqisë paraqiti një projektligj në parlament të mërkurën që synon të arrijë paqe me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) pjesërisht duke mbrojtur shumë ish-militantë nga ndjekja penale dhe duke pezulluar dënimet me burg për shumë prej atyre që janë dënuar për anëtarësim në të.

Projektligji, i cili pritet të miratohet në kuvend më vonë këtë javë, synon t’i japë fund një konflikti dhjetëvjeçar, pjesërisht duke lehtësuar kthimin në Turqi të mijëra ish-militantëve të PKK-së që ndodhen në Irakun verior.

Agjencia e inteligjencës turke MIT do të verifikojë çarmatimin e grupit dhe një komitet përfshirë nënkryetarin, disa ministra dhe kreun e MIT do të mbikëqyrë dorëzimin dhe çarmatimin e militantëve sipas projektligjit.

Projektligji shënon një hap drejt përfundimit të një kryengritjeje që ka shkaktuar më shumë se 40,000 të vrarë që nga viti 1984, ka mbjellë mosmarrëveshje të thella brenda vendit dhe ka nxitur dhunë përtej kufijve në Irak dhe Siri.

  •  

Zelensky me apel për aleatët pas sulmit rus që la 17 të vdekur

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka fajësuar aleatët për vonesat në dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, pasi Ukraina nuk arriti të rrëzonte asnjë raketë ruse gjatë një sulmi vdekjeprurës në orët e para të së mërkurës, nga i cili mbetën të vdekur të paktën 17 persona dhe të lënduar dhjetëra të tjerë.

“Raketat penguese kundër raketave balistike mund t’ua kishin shpëtuar jetën atyre që u vranë sot. Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se vonesat në furnizimin me këto sisteme, ose mungesa e gatishmërisë për të ofruar sisteme kundër raketave balistike, çojnë drejtpërdrejt në humbje kaq të tmerrshme jetësh dhe shkatërrime”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale.

Prej muajsh, Kievi zyrtar po kërkon me ngulm më shumë raketa penguese Patriot, të prodhuara në SHBA, ndërsa përballet me sulme gjithnjë e më intensive. Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund t’i jepnin Ukrainës një licencë për prodhimin e sistemeve Patriot, por më vonë u tërhoq pjesërisht nga kjo ide, duke u thënë gazetarëve se teknologjia bazë e këtyre sistemeve ishte “diçka që është e vështirë të jepet”.

Administrata ushtarake e Kievit ka njoftuar se shtatë objekte janë goditur në sulmin që ka nisur menjëherë pas mesnatës të së mërkurës. Sipas Zelenskyt, objektivat kryesore ishin magazina të bizneseve civile, përfshirë një fabrikë birre dhe depo të materialeve të ndërtimit.

“Partnerët që ende nuk janë të gatshëm të luajnë një rol më aktiv në furnizimin me raketa penguese mund të ndihmojnë duke vendosur sanksione të reja. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit rus të raketave balistike ende nuk është nën sanksione…Nevojiten hapa të rinj – nga G7, Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që mbështesin mbrojtjen e jetës”, ka shtuar Zelensky në X.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë pas sulmit se “mund të ketë ende njerëz nën rrënoja”.

  •  

Përtej mantelit të drejtësisë/ Saimir Vishaj: Ëndrra për aktrim më ndihmoi të fitoj 80 përqind të çështjeve

Në një rrëfim ndryshe përtej mantelit të drejtësisë në emisionin “Summer Time Show”, avokati i njohur Saimir Vishaj tregoi se si ëndrra e tij e hershme për aktrim e ka ndihmuar të arrijë një sukses prej 80% të çështjeve të fituara.

Ai ndau detaje mbi natyrën e tij me humor në jetën e përditshme përkundrejt seriozitetit që i kërkon profesioni, si dhe përvojat e veçanta me kategori të ndryshme klientësh. Pavarësisht se e konsideron periudhën aktuale si më të vështirën, Vishaj u shpreh se ka ende shumë për t’i dhënë avokatisë.

“Kjo është veshja ime e përditshme. Pasi gjyqet e mia janë në 12 muajt e vitit dhe jam në gatishmëri. Unë jam një njeri i qetë, më pëlqejnë batutat, më pëlqen humori, por me punën që bëj jam i kundërti, sepse puna më bën të jem më serioz. Hajdutët gjithmonë janë në mohim të veprës penale, kurse femrat janë më delikate, shfrytëzim prostitucioni, ose ndonjë vrasje për tradhti bashkëshortore.

Për të gënjyer dhe tradhtuar femra është më ndryshe. Kam pasur motrën që ka dashur që të bëhesha artist, edhe pse shkova në Liceun artistik, por nuk fitova. Megjithatë unë e dashur avokatinë. Kam akoma për t’i dhënë avokatisë edhe pse pon jetojmë ditët më të vështira. 80% çështje i kam të fituara. Aktrimi që kam pasur ëndërr më ka ndihmuar shumë në këtë fushë”, rrëfeu avokati.

  •  

Kamarier prej 18 vitesh/ Albi rrëfen “sekretet” e profesionit: Fitoja deri në 5 milionë lekë në muaj

Me më shumë se 18 vite përvojë në shërbim, Albi ka rrëfyer në emisionin “Summer Time Show” lidhjen e tij të fortë me profesionin e kamarierit, të cilin e ka nisur që në moshën 13-vjeçare.

I shtyrë nga pasioni dhe dashuria për këtë punë, ai shprehet se nuk ka menduar kurrë ta ndërrojë këtë rrugëtim.

Gjatë intervistës, ai veçoi vitin 2022 si më të suksesshmin financiarisht me fitime deri në 5 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa krenohet edhe me rekordin e tij personal të mbajtjes së 30 gotave në duar.

“Kam mbi 18 vjet që punoj kamarier. Kam filluar punë që në moshën 13 vjeçare. Nuk mendoj asnjëherë për ta ndërruar. Mendoj që më mban pasioni dhe dashuria, për më tepër për këtë punë jam, nuk di të bëj një punë tjetër. Viti që kam bërë më shumë para, është viti 2022. Ka qenë një vit shumë suksesshëm. Nga muaji maj deri në muajin shtator kam arritur që të fitoj 4-5 milionë lekë të vjetra në muaj. Kam arritur që të mbaj 30 gota në duar dhe nuk besoj se ma merr njeri këtë rekord”, tha ai.

  •  
❌