Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 June 2026Main stream

Elon Musk humb statusin e trilionerit

By: e xh
25 June 2026 at 21:32

Biznesmeni amerikan dhe pronari i kompanive si SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, u bë personi i parë në botë pasuria e të cilit u vlerësua mbi një trilion dollarë, por ndërkohë ka humbur statusin e “trilionerit”.

Musk arriti këtë nivel rekord pasurie pasi u vendos që SpaceX të ofronte aksionet e saj në tregjet e bursës, raportojnë mediat.

Ky vendim rriti ndjeshëm vlerën e kompanisë, ndërsa për shkak të pjesës së aksioneve që zotëron Musk, pasuria e tij u vlerësua në më shumë se një trilion dollarë.

Kur aksionet e SpaceX ishin në nivelin më të lartë, Musk zotëronte pasuri me vlerë rreth 1.45 trilionë dollarë, një rekord absolut.

Megjithatë, më pas vlera e aksioneve të SpaceX ra me 31 për qind, ndërsa një pjesë e aksioneve të Teslës që zotëron Musk, me vlerë rreth 116 miliardë dollarë, u kufizua për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme mes biznesmenit dhe drejtuesve të Teslës.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, pasuria e Muskut ka rënë në rreth 962 miliardë dollarë, por ai vazhdon të mbetet njeriu më i pasur në botë.

Mbi 25 mijë persona raportohen të zhdukur pas tërmeteve në Venezuelë

By: e xh
25 June 2026 at 20:04

Pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, më shumë se 25 mijë persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa familjet vazhdojnë kërkimet për të afërmit e tyre mes kaosit të krijuar nga katastrofa natyrore.

Një platformë e posaçme online është krijuar për qytetarët që duan të raportojnë persona të humbur pas lëkundjeve sizmike.

Sipas të dhënave të publikuara në këtë faqe, deri tani janë regjistruar 26.086 persona të raportuar si të zhdukur, shkruan skynews.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se kjo shifër nuk përbën një bilanc zyrtar të personave të konfirmuar të humbur, por tregon përmasat e pasigurisë në terren, ku shumë familje ende nuk kanë arritur të kontaktojnë me të afërmit e tyre.

Në platformën e krijuar, familjarët kanë publikuar fotografi dhe të dhëna për personat që nuk janë gjetur ende, me shpresën se mund të marrin informacion për fatin e tyre.

Ndërkohë, raportohet se më shumë se 1200 persona janë gjetur, pasi më herët ishin deklaruar të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave dhe personave të prekur mund të ndryshojë, pasi kërkimet vazhdojnë nën rrënoja dhe në zonat e dëmtuara rëndë.

21:58 Lionel Richie ndërpret koncertin pasi pëson marramendje në skenë

By: Monika
25 June 2026 at 21:58

Këngëtari legjendar amerikan, Lionel Richie, është detyruar të ndërpresë koncertin e tij në St. Paul, Minnesota, pasi u ndje keq gjatë performancës.

77-vjeçari po interpretonte hitin e njohur “Dancing on the Ceiling” kur përjetoi marramendje dhe u ul në skenë, duke u përpjekur fillimisht të vazhdonte shfaqjen.

Pas rreth 40 minutash ndërprerje, saksofonisti i tij, Dino Soldo, doli para publikut për të falënderuar të pranishmit për durimin dhe për të njoftuar se Richie nuk ndihej mirë dhe nuk ishte në gjendje ta vazhdonte koncertin.

Shfaqja, e planifikuar të zgjaste 90 minuta, ishte ndalesa e parë e turneut “Sing Along All Night Long”, i cili përfshin 26 koncerte dhe realizohet në bashkëpunim me grupin e njohur Earth, Wind & Fire.

Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të artistit, ndërsa fansat kanë shprehur mbështetjen dhe urimet për një rikuperim sa më të shpejtë./mxh

21:45 Shakira dëshiron bashkëpunim me Dua Lipën: “Dua Lipa, a po më dëgjon?”

By: Monika
25 June 2026 at 21:45

Ikona e muzikës latine, Shakira, ka shprehur publikisht dëshirën për të realizuar një bashkëpunim muzikor me yllin shqiptar me famë botërore, Dua Lipa.

Gjatë një bisede në podcastin e moderuar nga vlogerja e njohur Lele Pons, këngëtarja kolumbiane nuk i kurseu fjalët e mira për artisten shqiptare, duke e cilësuar atë si një talent të jashtëzakonshëm në industrinë muzikore.

Madje, Shakira i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Duas, duke thënë me entuziazëm: “Dua Lipa, a po më dëgjon?”. Ajo shtoi gjithashtu se do të ishte shumë e interesuar për një projekt të përbashkët, ndërsa vlerësoi faktin që këngëtarja shqiptare flet edhe spanjisht.

Deklarata e Shakirës ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e të dyja artisteve kanë shprehur entuziazmin për mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre.

Nëse ky projekt do të realizohej, ai do të bashkonte dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe pritet të kishte jehonë të madhe në tregun global muzikor. Për momentin, Dua Lipa nuk ka reaguar ende publikisht ndaj ftesës së Shakirës, por fansat presin me padurim një përgjigje nga artistja shqiptare./mxh

21:38 Djali i princeshës së Norvegjisë apelon dënimin me 4 vite burg: “Jam i pafajshëm”

By: Monika
25 June 2026 at 21:38

Marius Borg Høiby, djali i princeshës trashëgimtare të Norvegjisë, Mette-Marit, ka vendosur të apelojë vendimin e gjykatës që e dënoi me katër vite burg, duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Petar Sekulic, i cili tha se 29-vjeçari nuk e pranon vendimin e Gjykatës së Qarkut të Oslos dhe vazhdon të deklarohet i pafajshëm për akuzat më të rënda që rëndojnë ndaj tij.

“Klienti im beson se vendimi është i gabuar dhe për këtë arsye ka zgjedhur ta kundërshtojë atë në instancat më të larta”, u shpreh Sekulic për mediat norvegjeze.

Më 15 qershor, Høiby u shpall fajtor për një sërë veprash penale dhe u dënua me katër vite burg. Ai ishte përballur me 32 akuza në total, përfshirë disa raste të dhunës seksuale. Gjykata e liroi nga përgjegjësia për dy prej këtyre akuzave, ndërsa për të tjerat vendosi dënimin me burg.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria kishte kërkuar një dënim prej shtatë vitesh e shtatë muajsh, ndërsa mbrojtja argumentoi se masa e dënimit duhej të ishte dukshëm më e ulët.

Høiby ka mohuar vazhdimisht akuzat për dhunë seksuale, megjithëse ka pranuar përgjegjësi për disa shkelje më të lehta të ligjit.

Edhe pse është pjesë e familjes së princeshës trashëgimtare Mette-Marit, Marius Borg Høiby nuk ka titull mbretëror dhe nuk mban asnjë rol zyrtar brenda Familjes Mbretërore të Norvegjisë./mxh

21:27 Barack Obama për Michelle-n: “Të qenit pranë saj më ka bërë një njeri më të mirë”

By: Monika
25 June 2026 at 21:27

Pavarësisht viteve të shumta në qendër të vëmendjes dhe sfidave që kanë shoqëruar jetën e tyre publike, Barack dhe Michelle Obama vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të admiruar në botë.

Në një intervistë të fundit për revistën People, ish-presidenti amerikan dhe ish-Zonja e Parë folën hapur për martesën e tyre, e cila numëron gati 34 vite.

Barack Obama pranoi se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë krejtësisht e barabartë, duke lënë të kuptohet se Michelle ka mbajtur një barrë më të madhe gjatë viteve të angazhimit të tij politik.

“Kam përfituar më shumë nga kjo marrëdhënie sesa ajo. Për Michelle ka qenë ndoshta një rrugëtim më i ndërlikuar,” u shpreh ai.

Çifti ndau gjithashtu mendimet e tyre për Qendrën Presidenciale Obama në Çikago, një projekt që po merr formë në qytetin ku u njohën, ndërtuan familjen dhe rritën vajzat e tyre, Malia dhe Sasha.

Michelle Obama tregoi se bashkëshorti i saj ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj komunitetit dhe krijimit të mundësive për të tjerët.

“Ky projekt ka qenë vizioni i tij që nga dita e parë. Ai donte të ndërtonte një hapësirë ku njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të kenë mundësi të përfitojnë prej saj,” tha ajo.

Nga ana tjetër, Barack theksoi se suksesi i projektit është rezultat i punës së shumë njerëzve dhe jo vetëm i tij, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit kolektiv.

Duke reflektuar mbi martesën e tyre, ish-presidenti amerikan nuk kurseu fjalët e dashurisë për Michelle-n.

“Që në fillim kuptova se ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, me karakter, integritet, inteligjencë dhe vlera të forta. Prania e saj në jetën time më ka bërë një njeri më të mirë dhe vazhdon ta bëjë edhe sot,” rrëfeu Obama./mxh

21:16 Rubio përmbyll turneun në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese për aleatët rajonalë

By: Monika
25 June 2026 at 21:16

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përmbylli më 25 qershor një vizitë triditore në Gjirin Persik, me mesazhe për t’i qetësuar aleatët e Uashingtonit në rajon, duke ritheksuar synimin për ta ndjekur rrugën e diplomacisë me Iranin dhe duke këmbëngulur për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Duke folur pas një takimi ministror të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Bahrejn, ai u përpoq t’i zbusë shqetësimet mbi kornizën e marrëveshjes SHBA–Iran, duke theksuar se partnerët rajonalë do të njoftohen “në çdo hap të procesit” të bisedimeve.

Kjo vizitë, e para për të në Gjirin Persik qëkurse u nënshkrua marrëveshja e përkohshme SHBA–Iran javën e kaluar, vuri në pah si brishtësinë e procesit të paqes në zhvillim, ashtu edhe shqetësimet e aleatëve arabë që ende janë të tronditur nga sulmet iraniane gjatë konfliktit.

Asnjë befasi për aleatët
“Është e rëndësishme t’i theksojmë disa gjëra që janë prioritet për ne. Ne duam një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Ne duam një marrëveshje të mirë”, tha ai gjatë takimit të GCC – i cili përfshin Bahrejnin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne duam të sigurohemi se çdo vendim që merret gjatë këtij procesi negociues t’i përfshijë gjithmonë interesat e partnerëve dhe aleatëve tanë në rajon”, tha Marco Rubio.

Mesazhi kryesor i turneut të Rubios ishte sigurimi: çdo mirëkuptim përfundimtar me Teheranin do të duhej të trajtonte jo vetëm çështjet bërthamore, por edhe rrjetin e përfaqësuesve të Iranit, aktivitetin e raketave balistike dhe kërcënimet detare.

Duke folur për gazetarët në Manama, Rubio tha se mbështetja e Iranit për grupe të armatosura në rajon duhet të adresohet në bisedimet e gjera.

“Kur ju jepni para, për shembull, për Hezbollahun për të vepruar si rival i qeverisë sovrane të Libanit, ju ndërhyni në politikën e tyre. Kur mbështesni milici në Irak, ju ndërhyni në Irak. Kur mbështesni Hamasin ose huthët, ose këdo tjetër, ju ndërhyni në sovranitetin e këtyre vendeve”, tha Rubio.

Ai shtoi: “Nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në këtë rajon për sa kohë që aktorë joshtetërorë veprojnë brenda kufijve të shteteve sovrane dhe financohen nga Irani”.

Duke e thënë këtë ai adresoi ndër druajtjet kryesore të shteteve të Gjirit: se Uashingtoni mund të arrijë një marrëveshje të ngushtë bërthamore, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj luftës së ripërtërirë të grupeve të armatosura.

Memorandumi i mirëkuptimit (MOU) i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nuk përmend grupet e armatosura si huthët në Jemen apo Hezbollahun në Liban. Nuk e përmend as programin e raketave balistike të Iranit.

Ngushtica e Hormuzit është kyç
Nëse kishte një çështje që Rubio e theksoi mbi të gjitha gjatë turneut, ajo ishte Ngushtica e Hormuzit.

“Një gjë që u bë shumë e qartë është se nuk ka asnjë mbështetje, zero mbështetje mes vendeve të Gjirit për çdo lloj takse apo tarife për përdorimin e ujërave ndërkombëtare”, tha Rubio.

Ai e ashpërsoi paralajmërimin më vonë: “Nëse po vendosni taksë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim, nuk do ta tolerojmë, nuk do ta lejojmë”.

Rubio përsëriti refuzimin për të bërë dallim mes “tarifave” dhe “taksave”.

“Mund ta quani tarifë, mund ta quani taksë, quajeni si të doni. Nëse po vendosni tarifë për përdorimin e ngushticës, ne nuk do ta mbështesim”, theksoi ai.

MOU përcakton se Irani do të bëjë “përpjekjet më të mira” për të siguruar kalim pa tarifa për “vetëm 60 ditë”, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, shkruan REL./mxh

21:10 Manovra të përbashkëta detare Gjermani-Izrael në Haifa

By: Monika
25 June 2026 at 21:10

Gjermania dhe Izraeli kanë zhvilluar sot manovra të përbashkëta ushtarake në ujërat pranë qytetit Haifa, në veri të Izraelit.

Para manovrave, një anije e marinës gjermane ishte ankoruar në portin e Haifas, njoftoi sot ushtria izraelite (IDF).

“Kjo vizitë përbën një hap tjetër drejt forcimit të marrëdhënieve profesionale dhe operacionale mes dy marinave”, shtoi ajo.

Gjatë vizitës, komandanti gjerman Volker Kübsch, i cili drejton skuadrën e katërt të fregatave, dhe komandanti i anijes gjermane, Rico Geisler zhvilluan një takim me komandantin e Bazës Detare të Haifas, admiralin Eres Ben Zion.

Bashkëpunimi ushtarak mes Izraelit dhe Gjermanisë përfshin, jo vetëm projekte të mbrojtjes, por edhe manovra të përbashkëta dhe vizita të ndërsjella.

Marina gjermane mban marrëdhënie të ngushta me disa partnerë në rajonin e Mesdheut.

Izraeli aktualisht, disponon pesë nëndetëse të ndërtuara në Gjermani, ndërsa janë planifikuar edhe dërgesa të tjera.

Kjo marrëveshje është konsideruar shpesh e debatueshme, pasi sipas ekspertëve, këto nëndetëse mund të jenë teorikisht të afta, për përdorim të armëve bërthamore.

Ndihma ushtarake gjermane për Izraelin, ka qenë gjithashtu shpesh në qendër të debatit për shkak të veprimeve të Izraelit në Territoret e Pushtuara Palestineze.

Gjatë luftës në Gaza vitin e kaluar, kancelari gjerman Friedrich Merz vendosi përkohësisht, një ndalim të pjesshëm të eksportit të armëve, që mund të përdoreshin në Rripin e Gazës.

Ky ndalim u hoq rreth tre muaj e gjysmë më vonë, pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas./mxh

21:00 A po jetoni pranë njëri-tjetrit, por jo më bashkë? Shenjat se lidhja po ftohet pa zhurmë (Lifestyle)

By: EL
25 June 2026 at 21:00

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e momenteve të vogla të afërsisë dhe shtyrja e romancës për “më vonë” mund ta largojnë çiftin pa e kuptuar

Shumica prej nesh e pranojnë si diçka normale që marrëdhëniet me kalimin e kohës e humbin pak shkëndijën e parë. Intensiteti bie, emocionet e fillimit qetësohen dhe lidhja kalon në diçka më të qëndrueshme, më të rehatshme dhe më rutinore.

Ky ndryshim, kur partnerët fillojnë të ndihen më shumë si bashkëbanues sesa si të dashuruar, nuk është domosdoshmërisht i keq. Në fakt, nëse hyni në një marrëdhënie duke pritur që faza e muajit të mjaltit të zgjasë përgjithmonë, ka shumë gjasa të zhgënjeheni.

Megjithatë, në disa raste, ndjenja e mërzisë dhe largimit nuk lidhet vetëm me stabilitetin. Ajo mund të jetë shenjë e asaj që quhet “sindroma e jetës paralele”.

Siç e tregon edhe vetë emri, kjo është një situatë kur çifti nuk po jeton më vërtet bashkë, por ekziston pranë njëri-tjetrit. Orari i njërit partner nuk përputhet pothuajse fare me atë të tjetrit. Njëri shkon në palestër, tjetri qëndron në kafene. Shoqëritë mbeten të ndara. Edhe koha e lirë, ndonëse fizikisht mund të kalohet në të njëjtin shtrat, shpesh kalohet në telefona, në botë krejtësisht të ndryshme mendore.

Vetëm fakti që kaloni kohë bashkë nuk do të thotë se ajo është kohë cilësore. Po ashtu, fakti që jeni ende në një martesë apo lidhje nuk do të thotë se marrëdhënia po përparon vetvetiu.

Një marrëdhënie e shëndetshme duhet të ketë lëvizje, edhe pas shumë vitesh. Nuk ka pse të jetë gjithmonë dramatike apo plot emocione të forta, por partnerët duhet të vazhdojnë ta përfshijnë njëri-tjetrin në jetën e tyre, të mësojnë nga konfliktet, të përmirësojnë komunikimin dhe ta thellojnë lidhjen, jo thjesht ta vazhdojnë atë nga zakoni.

Marrëdhënia duhet të kujdeset si një kopsht: me vëmendje, qëllim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Përndryshe, është shumë e lehtë që partnerët ta marrin njëri-tjetrin si të mirëqenë dhe të shndërrohen në dy njerëz që vetëm bashkëjetojnë.

Shenjat paralajmëruese të “sindromës së jetës paralele”

1. Merrni vendime vetëm dhe partnerin e njoftoni më vonë

Në një marrëdhënie të shëndetshme, partneri duhet të jetë personi me të cilin natyrshëm dëshironi të ndani vendimet, jo nga detyrimi, por sepse është pjesë e botës suaj.

Një shenjë e hershme e jetës paralele është kur rrallë ju shkon ndër mend t’i tregoni partnerit lajme të rëndësishme apo ndryshime në jetën tuaj. Ndoshta merrni një lajm të mirë në punë, përballeni me një shqetësim shëndetësor, rezervoni një udhëtim, blini diçka të rëndësishme ose nisni një plan të ri, por partneri e merr vesh vetëm pasi vendimi është marrë.

Kjo humbje e ndjesisë “ne” është një tregues i qartë se çifti po ecën në drejtime të ndara.

2. Janë zhdukur momentet e vogla të afërsisë

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhënie intime, por për lidhjet e vogla të përditshme. A ju përqafon ende partneri? A ju puth kur hyni në shtëpi? A ju shkruan ndonjëherë “po mendoj për ty”? A ju mban dorën kur ecni bashkë?

Këto gjeste mund të duken të vogla, por ato krijojnë afërsi emocionale. Kur fillojnë të duken të panevojshme ose të lodhshme, marrëdhënia rrezikon të kalojë nga diçka që ushqehet me kujdes në diçka që thjesht ekziston.

3. E lini romancën për më vonë, sepse “nuk ka asgjë keq”

Shumë çifte bien në kurthin e fjalës “më vonë”: do të shkojmë në pushime më vonë, do të dalim në takim më vonë, do ta rikthejmë afërsinë më vonë.

Arsyeja duket e kuptueshme. Partneri është aty, marrëdhënia duket e sigurt, prandaj përparësi marrin puna, obligimet, fëmijët, shoqëria dhe ritmi i përditshëm. Por pikërisht supozimi se “ka gjithmonë kohë më vonë” e ushqen sindromën e jetës paralele.

Kur përvojat e përbashkëta shtyhen vazhdimisht, zhduken edhe kujtimet e reja që krijojnë afërsi. Me kohë, secili mëson t’i plotësojë nevojat e veta pa partnerin: përmes hobeve personale, miqve apo daljeve ku partneri bëhet më shumë mendim i fundit sesa pjesë e natyrshme e planit.

Si të dilni nga sindroma e jetës paralele

Qëllimi nuk është të bëni gjithçka bashkë. Qëllimi është të krijoni momente që ju japin ndjesinë se jeni ende të lidhur.

Riktheni gjestet e vogla të afërsisë. Pyeteni partnerin si e kaloi ditën dhe dëgjojeni vërtet përgjigjen. Dërgojini një mesazh të shkurtër që ju kujton atë. Merrjani ushqimin apo ëmbëlsirën e preferuar kur ktheheni në shtëpi. Nuk ka nevojë për gjeste madhështore; rëndësi ka qëndrueshmëria.

Zgjidhni afërsinë, jo vetëm lehtësinë. Kur jeta bëhet e ngarkuar, është e lehtë që koha bashkë të kthehet në darka me telefon në dorë ose në shikim televizori pa bisedë të vërtetë. Provoni të planifikoni aktivitete pa shpërqendrime: një mëngjes pa telefona, një shëtitje të shkurtër, një bisedë të qetë pa ekran pranë.

Caktoni kohë cilësore. Mund të tingëllojë jo romantike, por në të vërtetë është mënyrë për ta zgjedhur me vetëdije njëri-tjetrin. Mund të jetë një mbrëmje e caktuar në javë për film, një dalje mujore jashtë shtëpisë ose një ritual i vogël që ju përket vetëm juve.

Asgjë nga këto nuk është revolucionare, por pikërisht këtu qëndron thelbi. Dallimi mes një marrëdhënieje që ndihet e qetë dhe një marrëdhënieje që ndihet bosh nuk është gjithmonë koha apo gjestet e mëdha. Shpesh është qëllimi, vëmendja dhe dëshira për ta mbajtur lidhjen gjallë. /ET

20:51 Buzët “latex” janë trendi më joshës i verës: Buzë të plota, të ndritshme dhe pa filtër (Lifestyle)

By: EL
25 June 2026 at 20:51

Me pak hidratim, kontur, buzëkuq të lëngshëm dhe shumë shkëlqyes, ky stil krijon efektin e buzëve të lëmuara si xham

Ky stil përshtatet në mënyrë të përkryer me rikthimin e shkëlqyesit të buzëve, i cili po zgjat tash e një kohë. Markat e bukurisë po rikthejnë trendet e vjetra të grimit, po lansojnë formula të reja me shkëlqim dhe, në njëfarë mënyre, po i nxjerrin sërish në pah produktet që dikur zhdukeshin nga raftet para 20 vjetësh. Nostalgji, por në një version shumë më të ndritshëm.

Ndryshe nga trendet mat, të cilat nuk largohen kurrë plotësisht, latex lips i vendosin buzët në qendër të vëmendjes. Ideja është e thjeshtë: gjithçka i nënshtrohet volumit, shkëlqimit dhe efektit “uau pa filtër”.

Procesi duket si një rutinë e vogël bukurie me rezultat të madh. Fillon me një bazë të lehtë grimi, madje edhe pa të, ndërsa vetullat mbeten natyrale ose ngrihen lehtë lart, për t’i dhënë fytyrës pamje më të freskët dhe më të hapur. Fokusi kalon menjëherë te buzët – pa asnjë kompromis.

Buzët duhet të jenë mirë të hidratuara, sepse shkëlqimi nuk e fal tharjen. Konturi përcaktohet me laps buzësh në një nuancë natyrale, më pas vendoset një shtresë buzëkuqi të lëngshëm, e cila përhapet lehtë me prekje që ngjyra të “ngjitet” më mirë. Pas tharjes, shtohet edhe një shtresë tjetër për intensitet më të fortë.

Momenti final është thelbësor: shkëlqyesi vendoset mbi gjithçka, dhe jo me kursim. Për efekt shtesë “xhami”, pak më shumë shkëlqim në qendër të buzëve krijon atë pamje të plotë, të lëmuar dhe vezulluese që i ka dhënë edhe emrin trendit. Nëse diçka del pak jashtë konturit, korrektor dhe një brushë e hollë e rregullojnë menjëherë.

Efekti më dramatik arrihet me nuanca të kuqe dhe më të errëta, por trendi funksionon po aq mirë edhe me tone korali për verën ose me nuanca të buta rozë për kombinime ditore, sidomos kur lëkura tashmë ka marrë pak ngjyrë nga dielli.

Në thelb, latex lips janë rikthim te ideja se grimi duhet të shihet – dhe të shihet mirë. Nuk bëhet më fjalë për një shkëlqim të lehtë që “ndoshta ekziston”. Këtu gjithçka është e qartë, e dukshme dhe me shkëlqim maksimal. /ET

20:45 Trump premton “dhuratë” për Turqinë, vlerëson Erdoganin si “lider të madh”

By: Monika
25 June 2026 at 20:45

Last Updated on 25/06/2026 by Monika

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak me Turqinë, përfshirë mundësinë e rikthimit të Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Trump u pyet nëse do t’i sillte një “dhuratë të madhe” presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, siç janë avionët F-35 dhe motorët për avionin luftarak turk KAAN.

“Unë mendoj se po. Turqia është një anëtare e NATO-s. Është një aleate e fortë dhe ka një bazë të fuqishme të industrisë së mbrojtjes. Njerëzit nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është Turqia nga pikëpamja ushtarake”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se do të udhëtojë drejt Ankarasë për samitin e ardhshëm të NATO-s, duke theksuar se pjesëmarrja e tij vjen edhe si shenjë respekti ndaj presidentit Erdogan.

“Erdogani më telefonoi dhe më kërkoi të jem i pranishëm në samit. Do të shkoj nga respekti për të”, u shpreh Trump, duke e cilësuar liderin turk si “një udhëheqës të madh dhe të respektuar”.

Në deklaratat e tij, Trump foli edhe për tensionet e fundit në Lindjen e Mesme, duke pretenduar se ndërhyrja e tij diplomatike ka ndihmuar në shmangien e përfshirjes së Turqisë dhe fuqive të tjera në konfliktin me Iranin.

Ndërkohë, Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance bëri të ditur se administrata amerikane po shqyrton aspektet ligjore që lidhen me rikthimin e Turqisë në programin F-35. Ankara u përjashtua nga ky program në vitin 2019 pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Sipas Vance, ekipet e sigurisë dhe mbrojtjes po analizojnë nëse plotësohen kushtet e nevojshme ligjore për të mundësuar një marrëveshje të re mes dy vendeve.

Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një afrim të mundshëm mes Uashingtonit dhe Ankarasë në fushën e mbrojtjes, pas disa vitesh tensionesh në marrëdhëniet dypalëshe./mxh

20:44 Pavel sfidon qeverinë, udhëheq delegacionin në samitin e NATO-s në Ankara

By: Monika
25 June 2026 at 20:44

Presidenti çek, Petr Pavel, ka deklaruar se ai do të udhëheqë delegacionin e vendit në samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara, pavarësisht mosmarrëveshjes së vazhdueshme me qeverinë lidhur me rolin e tij në takimin e aleancës.

Siç raporton Radio Prague International, duke folur para gazetarëve, Pavel tha se, si kreu i shtetit, ai do të udhëheqë delegacionin çek dhe jo thjesht të marrë pjesë si një nga anëtarët e tij, duke shtuar se do të vendosë vetë se në cilat aktivitete do të marrë pjesë gjatë samitit.

Deklaratat vijnë një ditë pasi Gjykata Kushtetuese nxori një vendim të përkohshëm duke urdhëruar qeverinë të sigurojë pjesëmarrjen e Pavelit në samit, ndërsa shqyrton një padi kushtetuese të paraqitur nga presidenti.

Mosmarrëveshja nisi pasi qeveria çeke miratoi përbërjen e delegacionit pa përfshirë Pavelin, duke argumentuar se presidenti ka qëndrime të ndryshme nga kabineti lidhur me politikën mbrojtëse të vendit dhe se pushteti ekzekutiv i takon qeverisë.

Pavel e kundërshtoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, e cila urdhëroi qeverinë ta akreditojë atë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ministri i Punëve të Jashtme, Petr Macinka, kritikoi ndërhyrjen e gjykatës, duke e cilësuar atë si një “tentativë për grusht shteti kushtetues”. Megjithëse tha se qeveria do ta respektojë vendimin e përkohshëm dhe do ta akreditojë presidentin, Macinka këmbënguli se kryeministri Andrej Babis do të udhëheqë delegacionin çek.

Ai shtoi se qeveria do të vendosë javën e ardhshme se çfarë roli do të ketë Pavel gjatë samitit.

Macinka gjithashtu vuri në pikëpyetje shpejtësinë e vendimit të gjykatës, ndërsa Filip Turek, politikan i partisë Motorists, e akuzoi gjykatën për mungesë paanshmërie dhe bëri thirrje për shfuqizimin e saj.

Në një intervistë tjetër për Seznam Zpravy, Pavel tha se mosmarrëveshja e ka forcuar dhe jo dobësuar vendosmërinë e tij për të kërkuar një mandat të dytë presidencial kur mandati i tij të përfundojë në vitin 2028.

Presidenti çek pretendoi se përplasja lidhur me samitin e NATO-s erdhi si pasojë e hakmarrjes së Macinkës pasi Pavel refuzoi të emëronte politikanin e partisë Motorists, Filip Turek, si ministër. Ai gjithashtu akuzoi Babisin se zgjodhi përballjen me presidencën për të ruajtur unitetin brenda koalicionit qeverisës.

Pavel tha se do ta shqyrtojë seriozisht kandidimin për rizgjedhje nëse do të vazhdojë të gëzojë mbështetje të fortë publike dhe do të mbetet me shëndet të mirë. /mxh

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, policia rrethon zonën pranë ish-Fabrikës së Miellit

25 June 2026 at 22:00

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shkodrës, duke vënë në lëvizje menjëherë forcat e rendit.

Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë ish-Fabrikës së Miellit. Deri në këto momente nuk ka informacione për persona të lënduar.

Menjëherë pas sinjalizimit, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka rrethuar të gjithë perimetrin, duke nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Autoritetet po punojnë për mbledhjen e provave dhe dëshmive, ndërsa zona mbetet nën monitorim të shtuar nga forcat e rendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, policia rrethon zonën pranë ish-Fabrikës së Miellit appeared first on Sinjali.

Abdixhiku: Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës

25 June 2026 at 21:36

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe funksionalizim të plotë të institucioneve shtetërore.

Ai tha se partitë politike duhet të ulen për dialog dhe të gjejnë marrëveshje që mundësojnë formimin dhe funksionimin normal të institucioneve, duke theksuar se sfidë kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, e cila kërkon konsensus të gjerë politik.

Sipas Abdixhikut, edhe një qeveri me shumicë të ngushtë parlamentare mund të formohet, por stabiliteti afatgjatë nuk mund të garantohet pa bashkëpunim ndërpartiak.

“Kushdo që kërkon zgjedhje të reja nuk e do të mirën e Kosovës,” u shpreh ai në Klan Kosova, duke shtuar se prioritet duhet të jetë arritja e stabilitetit institucional përmes marrëveshjeve politike.

Ai theksoi se partitë duhet të analizojnë numrat në Kuvend dhe të gjejnë zgjidhje që shmangin krizat e reja politike dhe sigurojnë funksionimin e rregullt të institucioneve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Abdixhiku: Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës appeared first on Sinjali.

Rubio përmbyll vizitën në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese dhe paralajmërime për Iranin

25 June 2026 at 21:34

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përmbyllur një vizitë tre-ditore në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese për aleatët e Uashingtonit, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së ndaj diplomacisë me Iranin, por edhe nevojën për marrëveshje që adreson shqetësimet rajonale të sigurisë.

Gjatë takimit ministror të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në Bahrejn, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara synojnë një marrëveshje “të mirë dhe jo me çdo çmim” me Teheranin, duke siguruar se partnerët rajonalë do të informohen në çdo hap të procesit negociues.

Ai theksoi se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të trajtojë jo vetëm programin bërthamor të Iranit, por edhe aktivitetet e tij rajonale, përfshirë mbështetjen për grupet e armatosura dhe programin e raketave balistike.

Rubio veçoi si çështje kyçe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se SHBA nuk do të mbështesë asnjë formë tarife apo takse për kalimin në ujërat ndërkombëtare.

“Ne nuk do ta mbështesim, nuk do ta tolerojmë dhe nuk do ta lejojmë,” tha ai, duke theksuar se liria e qarkullimit detar mbetet prioritet strategjik.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Irani ka sinjalizuar mundësinë e vendosjes së “tarifave shërbimi” për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, ndërsa tensionet mbi kontrollin e këtij korridori strategjik mbeten të larta.

Megjithatë, Rubio u shpreh se SHBA do të gjykojë situatën sipas zhvillimeve në terren, duke thënë se kriter kryesor është vazhdimësia e qarkullimit detar.

“Ajo që na intereson është nëse anijet po lëvizin,” u shpreh ai, duke shtuar se çdo ndërprerje e mundshme do të përbënte problem serioz.

Turneu i tij në rajon vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të përkohshme SHBA–Iran, e cila ka ngjallur shqetësime tek disa aleatë të Gjirit për balancën e sigurisë në rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rubio përmbyll vizitën në Gjirin Persik me mesazhe qetësuese dhe paralajmërime për Iranin appeared first on Sinjali.

Eksperti i leximit të buzëve zbulon fjalët e Ronaldos pas golit: Ai u kthye

25 June 2026 at 21:29

Një analizë e pazakontë e ndeshjes së Portugalisë ka tërhequr vëmendjen e tifozëve, pasi një ekspert i leximit të buzëve pretendon se ka zbuluar fjalët e Cristiano Ronaldos gjatë dhe pas takimit.

Sipas ekspertit Gustavo Machado, sulmuesi portugez reagoi me emocione të forta pas golit të tij të dytë, duke përsëritur disa herë shprehjen “Ai u kthye”, duke iu referuar vetes në vetën e tretë. Më pas, duke parë drejt kamerave, Ronaldo thuhet se e ndryshoi mesazhin në “U ktheva”.

Analiza sugjeron se ylli portugez ndiente presion për të gjetur rrugën e rrjetës, veçanërisht në një periudhë kur emra të tjerë të mëdhenj të futbollit po shkëlqenin me gola dhe paraqitje të mira.

Eksperti zbuloi gjithashtu një bisedë mes Ronaldos dhe Nuno Mendes para një goditjeje dënimi. Sipas tij, Ronaldo i sugjeroi bashkëlojtarit të godiste drejtpërdrejt portën, ndërsa vetë do të tërhiqte vëmendjen e kundërshtarëve. Strategjia rezultoi e suksesshme, pasi Mendes arriti të shënonte.

Momente interesante pati edhe mes Rafael Leaos dhe një futbollisti kundërshtar, ku sipas analizës së buzëve, portugezi i është drejtuar me një koment ironik gjatë një përplasjeje verbale në fushë.

Videoja ka bërë jehonë në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime të shumta rreth personalitetit dhe reagimeve të Ronaldos gjatë ndeshjeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Eksperti i leximit të buzëve zbulon fjalët e Ronaldos pas golit: Ai u kthye appeared first on Sinjali.

40-vjeçari me urdhër arresti kapet nga policia në Ferizaj, dërgohet në burg

25 June 2026 at 21:12

Një person është arrestuar të enjten në Ferizaj pasi gjatë verifikimeve policore rezultoi se kërkohej nga drejtësia me urdhër arrest aktiv.

Sipas policisë, rreth orës 18:30 njësia e trafikut ka ndaluar një 40-vjeçar me inicialet Q.A. në qytetin e Ferizajt. Gjatë kontrollit dhe verifikimit të të dhënave, është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrest nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik.

I dyshuari kërkohej për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe ishte dënuar me 25 ditë burgim.

Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit sipas vendimit të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 40-vjeçari me urdhër arresti kapet nga policia në Ferizaj, dërgohet në burg appeared first on Sinjali.

Bilanci i viktimave nga tërmeti në Venezuelë shkon në 188, mijëra të tjerë të zhdukur

25 June 2026 at 21:03

Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën ka vazhduar të rritet, ndërsa autoritetet po përballen me një situatë të rëndë humanitare dhe operacione intensive kërkim-shpëtimi.

Sipas zyrtarëve venezuelianë, deri më tani janë konfirmuar 188 viktima, ndërsa mbi 1,500 persona kanë mbetur të plagosur. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se qindra persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Shqetësimi mbetet i lartë edhe për fatin e mijëra qytetarëve që raportohen të zhdukur pas fatkeqësisë natyrore, duke ngritur frikën se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm në ditët në vijim.

Ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në zonat më të prekura, ndërsa shumë familje presin me ankth informacione për të afërmit e tyre.

Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim, teksa operacionet e shpëtimit dhe vlerësimit të dëmeve vazhdojnë në disa rajone të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bilanci i viktimave nga tërmeti në Venezuelë shkon në 188, mijëra të tjerë të zhdukur appeared first on Sinjali.

Një muaj në arrati, 22-vjeçarja nga Vushtrria ende e pakapshme për Policinë

25 June 2026 at 20:49

Një 22-vjeçare nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë vazhdon të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari që lidhen me narkotikët.

Sipas njoftimit të autoriteteve, e dyshuara Blerina Maloku është shpallur në kërkim me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, në kuadër të një hetimi që po zhvillohet nga Departamenti për Krime të Rënda.

Ajo dyshohet se ka qenë e përfshirë, në cilësinë e bashkëkryerëses, në veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.

Policia ka publikuar të dhënat dhe fotografinë e saj me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarës, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në rast se kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e saj.

Hetimet për rastin janë ende në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Një muaj në arrati, 22-vjeçarja nga Vushtrria ende e pakapshme për Policinë appeared first on Sinjali.

Pas tërmetit shkatërrues, mijëra venezuelianë kalojnë natën në rrugë

25 June 2026 at 20:44

Pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, mijëra banorë janë detyruar të qëndrojnë në rrugë, pasi shtëpitë dhe lagjet e tyre janë dëmtuar ose shkatërruar nga lëkundjet sizmike.

Organizata humanitare “Mjekët pa Kufij” njoftoi se shumë qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë në hapësira publike, pa mundësi për t’u kthyer në banesat e tyre. Sipas ekipeve në terren, një numër i madh familjesh kanë mbetur pa strehim dhe po përballen me mungesë të shërbimeve bazë.

Autoritetet lokale po punojnë për hapjen e strehimoreve të përkohshme në shkolla dhe objekte sportive, me qëllim që të sigurojnë akomodim për të prekurit nga fatkeqësia.

Ndërkohë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e internetit në disa zona po vështirësojnë komunikimin dhe përhapjen e informacionit, duke shtuar shqetësimin e banorëve për familjarët e zhdukur dhe situatën e sigurisë.

Ekipet e emergjencës dhe organizatat humanitare po vazhdojnë operacionet e ndihmës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas tërmetit shkatërrues, mijëra venezuelianë kalojnë natën në rrugë appeared first on Sinjali.

❌
❌