ROMË, 4 mars /ATSH/- Është një nga ato pamjet që duken sikur sfidojnë ligjet e natyrës, por në fund zbulojnë një të vërtetë të padiskutueshme: kujdesi për zemrën nuk kërkon përsosmëri dhe as ngjashmëri, por thjesht prani, sipas “La Stampa”.
Lidhja mes gomarit, Ettore dhe maces, Sghenghi është një mrekulli durimi dhe dridhjesh të heshtura dhe ka fuqinë të ngrohë zemrën e kujtdo që i sheh.
Historia
Ettore është një gomar ndërsa Sghenghi ështě një kotele me aftësi të kufizuara.
Ajo vuan nga ataksia cerebelare: truri i saj i vogël (cerebelumi) nuk është zhvilluar plotësisht.
Ajo është e destinuar të përjetojë dridhje të përhershme.
Bëhet fjalë për një gjendje neurologjike që ndikon në aftësinë për të koordinuar lëvizjet; nuk është ngjitëse dhe, në fund të fundit, me kujdesin e duhur dhe një dashuri jetëgjatë, kotelja mund të bëjë një jetë normale.
Ettore dhe Sghenghi janë bashkëbanues: jetojnë në të njëjtën shtëpi-fermë dhe që në fillim janë bërë miq të ngushtë, përtej dallimit të racës dhe përmasës.
Gjiganti i dashur dhe kotelja e brishtë
Gomari, shpesh i etiketuar si kokëfortë dhe madje budalla, është në të vërtetë një krijesë e pajisur me një ndjeshmëri dhe empati të jashtëzakonshme, dhe nuk është aspak budalla (unë kam fatin të kem tre në familje dhe mund të konfirmoj cilësitë e tyre të empatisë dhe inteligjencës).
Për një kotele që jeton në një botë që nuk pushon kurrë së dridhuri, ku çdo hap është një sfidë dhe toka ku ecën duket sikur e tradhton vazhdimisht, shpina e Ettore-s bëhet një spirancë: një vend i sigurt, ku të ndalojë së dridhuri dhe të fillojë të ndiejë.
Ettore dhe Eidos
Në fakt, Ettore ka në “curriculum vitae-n” e tij “mama” njerëzore të fermës së hareshme, për t’i bërë shoqëri kalit, Eidos, pas një ndërhyrjeje në sy, që i shpëtoi jetën.
Lidhja e tyre, e ngrohur nga rituale, ndarje momentesh dhe lojëra, është bërë një mbështetje e vërtetë për Eidos, dhe është kthyer me po aq përzemërsi dhe reciprocitet.
Prania e përzemërt, emocionalisht domethënëse dhe e qëndrueshme e Ettore në jetën e Eidos e ka shndërruar atë në një jetë më të mirë, të përbërë nga rikuperimi, ngrohtësia te miqësia, dhe nga dremitjet dhe vrapimet, nga solidaritet dhe qëndrimi në një stallë të përbashkët.
Qëndrueshmëri në kaos
Lidhja që Ettore ka krijuar me Sghenghi ndjek të njëjtin hap të ekuilibruar dhe shërues si ai i mëparshmi, ai me Eidos.
Ettore është i pranishëm, i dashur dhe sjell me vete qëndrueshmëri dhe qetësi.
Trupi i koteles lëkundet, ndërsa ai i fuqishmi i gomarit mbetet i qëndrueshëm.
Ettore është një shkëmb, një port e sigurt ku “e vogla” mund të mbështetet pa frikë se do të bjerë.
Ritmi i frymëmarrjes së tij luan një pjesë tjetër të rëndësishme.
Gomerët kanë një rrahje zemre më të ngadaltë se ajo e kuajve, janë vërtet nxitës të qetësisë.
Për një kafshë ataksike, sistemi nervor i së cilës është vazhdimisht i aktivizuar dhe në një gjendje alarmi të përhershëm, të sintonizohet me frymëmarrjen e qetë të një gjiganti të mirë është me siguri një formë terapie.
Një miqësi që të lë “pa fjalë”, Ettore bëhet strehë
Kur do dikë, përmasat nuk kanë rëndësi, ashtu siç nuk ka rëndësi dallimi i racës.
Ettore, kur shikon shoqen e tij, kotelen, nuk sheh një paaftësi; ai sheh Sghenghi-n e tij të vogël, një shpirt të pastër që ka nevojë vetëm për praninë e tij të dashur.
Ai i ofron mbrojtjen e tij fizike dhe të zemrës.
Bëhet mburojë me gjithë trupin e tij dhe krijon rreth saj një perimetër sigurie që i lejon të qëndrojë e qetë dhe e mbrojtur.
Kur banorët e tjerë të fermës afrohen, Ettore, me kotelen mbi shpinë, lëviz për ta mbajtur larg nga tufa dhe për të shmangur që t’i ndodhë diçka.
Në këtë miqësi të çuditshme, rolet ndërthuren.
Ettore frymëzohet nga forca e një krijese të ëmbël dhe e vogël që nuk dorëzohet kurrë, ndërsa Sghenghi frymëzohet nga besimi i një gjiganti që mund ta shtypte me një frymë, por që zgjedh të bëhet fole për të. //a.i/
The post Historia prekëse e një miqësie të rrallë: gomari Ettore, një strehë e sigurt për macen Sghenghi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.