Reforma territoriale, Berisha: PS synon shpopullimin, ne do bëjmë një projekt në bashkëpunim me qytetarët
TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë po vetëm me votën e shqiptarëve. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita do të vijojë rrugën e kryengritjes paqësore.
“Ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve. Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare”, tha Berisha.
Duke ju përgjigjur qytetarëve, Berisha u pyet edhe për Reformën Territoriale. Sipas tij propozimet e qeverisë synojnë shpopullimin e vendit.
“Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki. Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha bëri të ditur se ekipi i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve, përpara se të hartohet projekti përfundimtar i reformës territoriale.
“Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë. Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve. Do të hartojë projektin tonë.”
“Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki. Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki. Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve. Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët.”
“Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale. Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha gjithashtu se mazhoranca nuk do të votojë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ai deklaroi gjithashtu se disa qeveri evropiane dhe vetë Komisioni Evropian po e ndjekin me seriozitet situatën në Shqipëri.
“Në opsionet që kanë përpunuar, kanë përpunuar dhe opsionin e padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së të zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë. E di çdo të thotë zhbërje e plotë? Do të thotë anullim i të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, pranimit të kërkesës për anëtarësim, statusit të kandidatit”, tha Berisha.
Sa i përket emërimit të Dashnor Sulës në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Berisha tha se ai u bë “patericë e Ramës dhe se PD ndahet nga këta njerëz”.
/m.q/
The post Reforma territoriale, Berisha: PS synon shpopullimin, ne do bëjmë një projekt në bashkëpunim me qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.