Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 6 March 2026Main stream

Presidenca i përgjigjet Kurtit: Osmani zbatoi Kushtetutën

PRISHTINË, 6 mars /ATSH/ Learta Hollaj nga zyra e Presidencës së Kosovës, në një reagim në rrjetet sociale shkruan se presidentja Vjosa Osmani me nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, e ka zbatuar atë që Kushtetuta e kërkon dhe se e ka kryer një detyrim kushtetues.

Hollaj, në reagimin e saj ndaj kritikave të bëra nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë edhe se, “është turp” të akuzohet Osmani për “verbërim pushtetit, monarki”,  dhe se, vetë Osmani është shprehur se e mirëpret dërgimin e dekreti në Kushtetuese.

“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, shkruan në një postim Hollaj.

“Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji. Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë.

Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, përfundoi reagimi i Presidencës.

/KosovaPress//r.e/

The post Presidenca i përgjigjet Kurtit: Osmani zbatoi Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kriza me Presidentin, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale

PRISHTINË, 6 mars /ATSH/ Gjermania ka reaguar ndaj krizës së re institucionale në Kosovë. Në Konferencën Federale të Shtypit në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale në vend. “Kosovës i duhen institucione funksionale”, tha ai.

Sipas qeverisë gjermane, kjo është e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë. “Integrimi i Serbisë dhe Kosovës në BE mund të arrihet vetëm përmes këtij dialogu të normalizimit”, u shpreh Giese, raporton DW.

Reagimi vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau Kuvendin e Kosovës. Më parë, Parlamenti i Kosovës dështoi ta zgjedhte presidentin e vendit. Situata institucionale tani pritet të sqarohet përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e presidentes, Kosova mund të përballet me zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti.

Gjermania ka interes politik për një Kosovë të qëndrueshme, sepse siguria në Ballkanin Perëndimor konsiderohet strategjikisht e rëndësishme për Evropën. Që nga viti 1999, Gjermania merr pjesë në misionin e NATO-s Kosovo Force (KFOR) dhe aktualisht mund të dislokojë deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në vend në rast nevoje.

/KosovaPress//r.e/

The post Kriza me Presidentin, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në aksion në tërë Kosovën për çmimet e karburanteve

PRISHTINË, 6 mars /ATSH/ Ministria e Industrisë, Sipërmarrjes, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar sot një aksion të gjerë në tërë Kosovën për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës.

Në një komunikatë për media nga MINT, aksioni u realizua në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Autoritetin e Konkurrencës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme.

Veprimet janë bazuar në vendimin e ministres Mimoza Kusari-Lila për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të derivateve.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ata të Autoritetit të Konkurrencës. Qëllimi i këtij aksioni ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse. Veprimet kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, sigurimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve të mundshme në treg”, thuhet në komunikatën për media nga MINT.

Në komunikatë theksohet po ashtu se inspektorati do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut për të luftuar informalitetin, për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare dhe për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

“Aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të datës 04.03.2026 të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi njëzet e pesë operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e produkteve të naftës për përdorim në transport. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka vepruar në koordinim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, me qëllim që çdo veprim të jetë i koordinuar dhe efektiv. Sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre, për të luftuar informalitetin dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare. Në çdo rast kur konstatohet shkelje e kërkesave ligjore, inspektorët do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet mes tjerash në komunikatë për media.
MINT thekson se Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut për të luftuar informalitetin dhe praktikat e padrejta tregtare, ndërsa çdo shkelje ligjore do të ndiqet me masa ndëshkuese.

/Kosovapress/

The post Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në aksion në tërë Kosovën për çmimet e karburanteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shkarkohet nga detyra kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi janë shkarkuar nga detyra ditën e sotme.

Në vend të Prodës mësohet se është komanduar Sokol Bizhga, ndërsa ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Alushin në krye të Policisë së Tiranës.

Ilir Proda e mori drejtimin e Policisë së Shtetit më 3 tetor 2024.

/a.f/r.e/

The post Shkarkohet nga detyra kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, erë e lehtë dhe det i qetë

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta kalimtare, dhe të përqendruara në relievet malore të territorit.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 6m/s, ndërsa valëzimi në dete i forcës 1 ballë.

The post Moti sot i qëndrueshëm, erë e lehtë dhe det i qetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Ka ardhur ora e lirisë në Iran, Kosova qëndron me SHBA-të

28 February 2026 at 17:34

PRISHTINË, 28 shkurt /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Iran.

Osmani ka shprehur mbështetjen e saj ndaj SHBA-së për sulmin ndaj Iranit.

“Ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump. Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron pa luhatje me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, ka shkruar Osmani në platformën sociale “X”.

Presidentja Osmani dënon sulmet e regjimit iranian ndaj aleatëve të Kosovës në Lindjen e Mesme.

“Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për të dhënë një mundësi lirisë dhe paqes”, shkruan ajo.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thekson se Kosova qëndron krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

/KosovaPress/

The post Osmani: Ka ardhur ora e lirisë në Iran, Kosova qëndron me SHBA-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, mot i kthjellët në të gjithë territorin

28 February 2026 at 07:30

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta deri mesatare por kalimtare, dhe të përqendruara në relievet malore gjatë orëve të mesditës e pasdites.

Era do të fryjë me drejtim kryesor jugperëndim-juglindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa valëzimi në dete i forcës 1 ballë.

/a.f/r.e/

The post Sot, mot i kthjellët në të gjithë territorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngrihet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar

27 February 2026 at 16:02

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar (IQAP), i cili do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri, nëpërmjet ushtrimit të funksionit të inspektimit në arsimin parauniversitar.

IQAP do të vlerësojë gjithashtu përmbushjen e kritereve të licencimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve arsimore private në këtë fushë, si dhe do të propozojë masa ndëshkimore në rast shkeljesh. Institucioni do të hartojë programet vjetore dhe mujore të inspektimit, si dhe programin e përgjithshëm të veprimtarisë inspektuese.

Ky institucion do të financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i IQAP-it do të përbëjë një zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.

Sipas vendimit, IQAP ka si funksione kryesore verifikimin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar me kuadrin rregullator në fuqi, nëpërmjet inspektimit, si dhe sigurimin e unifikimit të praktikave të inspektimit në këtë fushë.

Në përmbushje të misionit të tij, IQAP është institucioni përgjegjës për garantimin e cilësisë së shërbimit arsimor përmes funksionit të inspektimit dhe do të kryejë, ndër të tjera, këto detyra: Vlerësimin e përmbushjes së kritereve të licencimit të institucioneve arsimore private dhe propozimin ndaj ministrit të masave administrative plotësuese, përfshirë pezullimin ose heqjen e licencës; planifikimin e veprimtarisë së inspektimit dhe hartimin e programeve mujore e vjetore, si dhe të raportit vjetor të inspektimit; informimin e publikut mbi veprimtarinë inspektuese dhe vendimet e marra; ushtrimin e çdo detyre tjetër të parashikuar në kuadrin ligjor për inspektimin dhe arsimin parauniversitar.

Vendimi parashikon gjithashtu mënyrën e organizimit dhe funksionimit të institucionit.

IQAP organizohet në nivel qendror dhe ushtron juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet inspektorëve, të cilët do të atashohen edhe pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar. Veprimtaria e institucionit drejtohet nga kryeinspektori, i cili e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, funksionimin, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së tij.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit, Inspektorati i Përgjithshëm, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/

The post Ngrihet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisioni Rregullator miraton disa ndryshime në Rreguloren e KAS

27 February 2026 at 14:53

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/  Komisioni Rregullator miratoi disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për miratimin e rregullores për mënyrën e funksionimit dhe zhvillimit të seancave të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve”.

Vendimmarrja e sotme synon përmirësimin e Rregullores së seancave të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, me qëllim qartësimin e procedurave, forcimin e transparencës dhe garantimin e një procesi sa më të rregullt dhe efektiv shqyrtimi.

Ndryshimet e miratuara konsistojnë në rregullimin më të detajuar të mënyrës së depozitimit të kërkesave ankimore, përfshirë edhe paraqitjen e tyre nëpërmjet platformës online të KQZ-së; përcaktimin e procedurës në rastet kur një anëtar nuk mund të caktohet relator; si dhe saktësimin e fazës së verifikimit paraprak dhe të afateve për shqyrtimin e ankimeve.

Gjithashtu, akti forcon rregullat mbi zhvillimin solemn dhe të rregullt të seancës publike, rolin dhe përgjegjësitë e relatorit, si dhe parashikon mundësinë e marrjes së vendimeve të ndërmjetme gjatë shqyrtimit administrativ. Saktësohet edhe shumica e kërkuar për pranimin ose rrëzimin e kërkesave, sidomos në rastet që lidhen me kundërshtimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, si dhe rregullohet paraqitja e mendimeve paralele ose kundër.

Në tërësi, ndryshimet konsolidojnë praktikën vendimmarrëse të KAS-it, të rrisin sigurinë juridike të palëve dhe të harmonizojnë rregulloren me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe me nevojat praktike të funksionimit të tij.

/a.f/

The post Komisioni Rregullator miraton disa ndryshime në Rreguloren e KAS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shorti për 1/8 në Ligën e Kampionëve, Real Madrid sfidon City-n, PSG-Chelsea

27 February 2026 at 12:26

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Në Nyon të Zvicrës u hodh sot shorit për 1/8-at e Ligës së Kampionëve.

Sipas shortit të hedhur në orarin e mesditës shorti i ka vënë përballë:
1. Paris Saint German – Chelsea
2. Real Madrid – Manchester City
3. Newcastle – Barcelona
4. Bodo/Glimt – Sporting i Lizbonës
5. Galatasaray – Liverpool
6. Atalanta – Bayern Munchen
7. Atletico Madrid – Tottenham
8. Bayern Leverkusen- Arsenal

The post Shorti për 1/8 në Ligën e Kampionëve, Real Madrid sfidon City-n, PSG-Chelsea appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Specializuar paraqet akuzat në rastin “Thaçi 2″

27 February 2026 at 12:19

PRISHTINË, 27 shkurt /ATSH/ Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në seancën e sotme të deklaratave hyrëse edhe njëherë u deklaruan të pafajshëm pesë të akuzuarit për pengim të drejtësisë.

Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit akuzohen për pengim të drejtësisë.

Fillimisht gjykatësi, Kristofer Gosnel shpalosi lëndën, duke treguar se aktakuza ishte njoftuar më 29 nëntor 2024 dhe më 16 prill 2025, ishte konfirmuar, me një shtesë të përgjegjësisë penale për Thaçin.

“Akuza për këtë çështje gjyqësore kanë filluar në vitin 2024  dhe ndërkohë më 29 nëntor 2024 i lëshuan fletarrestet për Thaçi, S makaja, Kilaj, Fazliu dhe një fletëthirrje për  paraqitje për Kuçin. Më datën 8 dhe 9 dhjetor 2024 u organizua seanca e parë për të akuzuarit të cilët u deklaruan jo fajtor për akuzat e ngritura kundër tyre, më 16 prill 2025 në vijim të gjykatësit të procedurës paraprake autoriozoi shtesën e formës e përgjegjësisë penale në lidhje me Thaçin vetëm dhe prokurori dorëzoi një aktakuzë të konfimruar të ndryshuar. Më 24 prill 2025 Thaçi u deklarua jo fajtor për të gjitha akuzat e ngritura në aktakuzë“, tha ai.

Prokurori i specializuar teksa lexoi pikat e akuzës që rëndojnë ndaj Thaçit, tha se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

“Hashim Thaçi mban përgjegjësi penale për pika 1 tentativ të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes së një grupi midis së paku 26 qershor-18 korrikut 2023 vepër penale kundër rendit publik ….Pika 2 tentativ për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare  me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi. Midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetor 2023 vepër penale…pika 3 tentativ për pengim të personave zyrtar në kryejnë e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes së përbashkët të një grupi midis  së paku 6 tetorit dhe  2 nëntorit 2023 dhe veprën penale kundër rendit publik….Pika 4 shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis  së paku 26 qerhsor-18  korrikut 2023 vepër penale kundër administrimtit ë drejtësisë dhe administratës publike…Pika 5 shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar për informacion të fshehtë midis së paku 9 shtator -30 tetor 2023  vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike….pika 6 Shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023 vepër penal kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike”, tha ai.

Më pas prokurori, vazhdoi t’i paraqet akuzat të cilat ngarkohet Bashkim Smakaj  e që janë një për vepër penale kundër rendit publik dhe një akuzë tjetër kundër administrimit ë drejtësisë dhe administratës publike.

“Bashkim Smakaj mban përgjegjësi penale individuale për pika 12 tentativ për pengim të personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesë]marrjes së përbashkët të një grupi midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023 vepër penale kundër rendit publik…Pika 13 mosbindje kundër gjykatës midis së paku 9 shtatori-30 tetori vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike”, tha ai.

Akuzat i shpaloi prokurori edhe për Isni Kilaj.

“Isni Kilaj mban përgjegjësi penale individuale për pika 14 tentativ për pengim tentativ për pengim të personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes së përbashkët të një grupi midis së paku 6 tetori dhe 2 nëntorit 2023 vepër penale kundër rendit publik…mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetori dhe 2 nëntorit 2023 vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike”, tha ai.

Prokurori deklaroi se Fadil Fazliu në këtë proces gjyqësor akuzohet për dy vepra penale e që janë vepër kundër rendit publik  dhe kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

“Fadil Fazliu mban përgjegjësi penale individuale për tentativ për pengim tentativ për pengim të personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesë]marrjes së përbashkët të një grupi midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut vepër penale kundër rendit publik….Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 16 qershor dhe 18 korrikut 2023 vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe adminsitratës publike”, tha ai.

Ndërsa, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale në Hagë, Hajredin Kuçi akuzohet për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

“Hajredin Kuçi mban përgjegjësi penale indivudale për  mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023  vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe adminsitratës publike”, tha ai.

Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve për pengim të administrimit të drejtësisë u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.

Sipas aktakuzës, midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, duke i udhëzuar ata “që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu, Kilaj, Kuçi dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë, më 6 dhjetor 2024.  Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

/KosovaPress/

The post Prokuroria e Specializuar paraqet akuzat në rastin “Thaçi 2″ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet zyrtarisht gara për dy gjyqtarë të Kushtetueses në Kosovë

27 February 2026 at 10:46

PRISHTINË, 27 shkurt /ATSH/ Kuvendi i Kosovës edhe zyrtarisht ka hapur garën për për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Thirrja publike është shpërndarë në rrjetet sociale, pasi  javën e kalaur Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese , vendos në një mbledhje të drejtuar kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu. Ajo pas mbledhjes se ata që e meritojnë të jenë në këto dy pozita të votohen nga Kuvendi.

/KosovaPress/

The post Hapet zyrtarisht gara për dy gjyqtarë të Kushtetueses në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot mot i kthjellët dhe kushte atmosferike të qëndrueshme në të gjithë vendin

27 February 2026 at 07:30

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi mesatare 3 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era do të fitojë shpejtësi deri në 6 m/s, shoqëruar me dallgëzim në dete të forcës 1 ballë.

/a.f/r.e/

The post Sot mot i kthjellët dhe kushte atmosferike të qëndrueshme në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në maj nis shkolla e aviacionit dhe uniformat e para “Made in Albania

26 February 2026 at 16:18

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se viti 2026 do të jetë viti i rinisjes së industrisë ushtarake.

Ai bëri të ditur se në muajin prill nis prodhimi i dronëve, në maj prodhimi i uniformave, ndërsa deri në dhjetor pritet të fillojë prodhimi i sistemeve antidronë.

“Kemi ecur sipas parimit që rritja e buxhetit të mbrojtjes të përkthehet jo vetëm në forcim të kapaciteteve ushtarake dhe të forcës reaguese, por edhe në rritje të mirëqenies ekonomike dhe inovacionit. Fusha ku kjo është më e dukshme është industria ushtarake, me katër kompani të themeluara, ku shteti është aksionar, si dhe me gjashtë kontrata për municione, uniforma, mjete taktike etj.”, tha Vengu.

Ministri njoftoi gjithashtu se janë finalizuar negociatat me kompaninë “Fincantieri” për prodhimin e anijeve luftarake në bazën e Pashalimanit. Sipas tij, marrëveshja i hap rrugë krijimit të një kompanie të përbashkët për prodhimin e anijeve luftarake.

Sa i përket emergjencave civile, Vengu theksoi se është disbursuar fondi për 47 bashki, me rritje të ndjeshme të buxheteve: trefishim në Lezhë dhe Gramsh, gjashtëfishim në Përrenjas dhe shtatëfishim në Delvinë.

Ai bëri të ditur se 8 milionë euro janë miratuar për infrastrukturën parandaluese, ndërsa 10 milionë euro të tjera janë shpërndarë për projekte të reja si prita dhe ura. Për rinovimin e flotës së emergjencave janë shtuar 2 milionë euro, ndërsa uniformat dhe mjetet do të jenë “Made in Albania”.

Ministri theksoi se shtylla e tretë është kapitali njerëzor, duke nënvizuar se në 14 muajt e fundit janë rekrutuar 1 000 ushtarakë aktivë dhe është ulur me 70% numri i largimeve.

Në prill nis linja e prodhimit të dronëve taktikë, ndërsa janë hapur rekrutimet për 12 inxhinierë që do të trajnohen në bashkëpunim me partnerë izraelitë. Në maj nis shkolla e aviacionit dhe janë porositur dy helikopterë trajnues.

Po në maj pritet prodhimi i parë i uniformave për ushtrinë dhe Policinë e Shtetit. Në qershor do të dalin produktet e para të mjeteve të emergjencave dhe transportit, në bashkëpunim me kompaninë “Ray Metal”.

Programi do të vijojë deri në dhjetor me prodhimin e sistemeve antidronë, ngritjen e dy qendrave rajonale për emergjencat civile dhe blerjen e dy avionëve, duke rikthyer këto kapacitete pas 20 vitesh.

Vengu bëri të ditur se në fund të marsit Akademia e Forcave të Armatosura do të marrë në përdorim godinën e re.

/a.f/r.e/

The post Vengu: Në maj nis shkolla e aviacionit dhe uniformat e para “Made in Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

26 February 2026 at 12:50

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, nisi sot një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ftesë të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi agjendën e vizitës, ku parashikohen takime me personalitetet më të larta të Republikës së Maqdonisë së Veriut, Presidenten Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickoski, Kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi, liderë poltikë shqiptarë, ndërsa do të zhvillojë vizita edhe në disa komuna të drejtuara nga kryetarë shqiptarë.

Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një seancë të posaçme.

Synimi i kësaj vizite është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian të dy shteteve anëtare në NATO dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria e konsideron Republikën e Maqedonisë së Veriut si partner dhe faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndër-etnik.

/a.f/

The post Begaj vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media italiane vlerësojnë Zhegrovën

26 February 2026 at 10:33

PRISHTINË, 26 shkurt /ATSH/ Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova ishte një nga emrat më të përfolur të mbrëmjes së çmendur të së mërkurës për Juventusin, në sfidën dramatike kundër Galatasaray. Pavarësisht një rasti të humbur në sekondat e fundit që do ta kishte çuar rezultatin në 4-0, paraqitja e kosovarit mbetet një nga më bindëset e sezonit bardhezi.

Gazeta italiane “TuttoSport” i ka kushtuar një artikull special paraqitjes së anësorit të përfaqësueses kosovare.

“I hedhur në fushë nga trajneri Luciano Spalletti, Zhegrova përfitoi nga ndryshimi taktik që e nxori jashtë loje Francisco Conceição dhe Jonathan David, të cilët nuk arritën të lënë gjurmë. Në krahun e djathtë, Zhegrova u shndërrua në një “çekan” shpërthyes, i pakapshëm dhe konstant në presing”, shkruan TuttoSport.

Aksioni që solli golin e dytë të Juventusit, të realizuar nga Federico Gatti, mban firmën e tij. Driblim, ritëm dhe zgjedhje e saktë në momentin final, cilësi këto që e kishin bërë Juventusin të investonte tek ai verën e kaluar.

Në kohën shtesë, Zhegrova pati mundësinë të kurorëzonte mbrëmjen me gol, por u ndal nga portieri turk Uğurcan Çakır. Një njollë e vogël në një paraqitje të madhe, që nuk e zbeh aspak ndikimin e tij në lojë.

Pas një sezoni të kaluar të ndikuar nga dëmtimet, kosovari duket më në fund gati të marrë një rol qendror te Juventusi, thirrje të cilën ‘TuttoSport” ia bën edhe trajnerit Luciano Spalletti.

“Zhegrova mund dhe duhet të jetë një pika qendrore për të ardhmen bardhezi”, përfundon artikulli i kësaj gazete.

E në pritje të rrjedhës së tij te “Zonja e Vjetër”, Edonin po e presim krahëhapur edhe për ndeshjet vendimtare të Kosovës në muajit mars drejt Botërorit 2026 ku më 26 mars vjen përballja e madhe me Sllovakinë.

Përktheu KosovaPress

The post Media italiane vlerësojnë Zhegrovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president, konsensus automatik në shoqëri

25 February 2026 at 12:45

PRISHTINË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

“Një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt.

I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.

“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

Deputetët e Kosovës kanë afat deri më 4 mars që të zgjedhin presidentin e ri, pasi presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill. Osmani ka shprehur synimin edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.

/REL/

The post Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president, konsensus automatik në shoqëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konjufca: Mazhoranca s’imponon emra për president

25 February 2026 at 12:35

PRISHTINË, 25 shkurt /ATSH/ Qëllimi i mazhorancës nuk është t’i imponojë opozitës emra të përveçshëm për president, tha zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Prandaj ai tha se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me dy liderët e opozitës, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.

“Mazhoranca prej 66 numrave nuk ka mundësi përmes një emri të njëanshëm të marrin votën e garantuar edhe të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konkludimi i mazhorancës”, tha ai të hënën para gazetarëve.

Kanë mbetur vetëm shtatë ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

/KosovaPress/

The post Konjufca: Mazhoranca s’imponon emra për president appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Dëshmi se liria ka pasur çmim jetën

25 February 2026 at 10:16


TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e nisi vizitën zyrtare në Kosovë nga Prekazi, në Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Spiropali, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, kryen homazhe në kompleksin memorial, aty ku sakrifica e familjes Jashari u kthye në themel të shtetit të Kosovës.

Më pas, dy ministrat u pritën në Kullën e Jasharajve nga Bacë Rifat Jashari. Sipas Spiropalit, kjo kullë është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe se ai është paguar me jetë.

“Në Prekaz ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë për të ardhmen. Liria nuk është trashëgimi automatike, ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot, por të jemi të denjë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

“Në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë. Përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar”, shkruan Spiropali.

Ministrja po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit. Pas takimit me Konjufcën, Spiropali pritet të zhvillojë takime me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Ajo do të takohet gjithashtu me përfaqësues të Kuvendit dhe drejtues të partive kryesore parlamentare.

Ministrja e Europës dhe Punët e Jashtme, Spiropali homazh tek Kulla e Jasharëve
1 nga 4
Ministrja Spiropali homazh në familjen Jashari, Foto; MEPJ
Ministrja Spiropali homazh në familjen Jashari, Foto; MEPJ

/a.f/

The post Spiropali homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Dëshmi se liria ka pasur çmim jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, dallgëzimi në dete i forcës 2-3 ballë

25 February 2026 at 07:30

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e mërkurë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në relievet malore në lindje në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era do të fitojë shpejtësi deri në 16 m/s, shoqëruar me dallgëzim në dete të forcës 2-3 ballë.   /r.e/

The post Moti sot i qëndrueshëm, dallgëzimi në dete i forcës 2-3 ballë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌