Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 February 2026Main stream

Haxhiu reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së: Ky është shtrembërim i historisë

9 February 2026 at 14:56


Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherit nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu e ka konsideruar këtë si një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës, duke theksuar se nuk ka të bëjë me drejtësi, por me një ndëshkim politik dhe selektiv.

“Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo kujton krimet e Serbisë gjatë luftës, duke theksuar se masakrat, përdhunimet dhe dëbimet masive janë të dokumentuara dhe dëshmuara ndërkombëtarisht, ndërsa agresori nuk është përballur kurrë me drejtësinë.

“Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë”, tha ish-ministrja.

Haxhiu përfundon me një mesazh të fortë për rolin e drejtuesve të UÇK-së.

“Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, tha Haxhiu,

Reagimi i ish-ministres vjen ndërkohë që gjykimi në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së është në fazën përmbyllëse. /Telegrafi/

Reagon djali i Jakup Krasniqit: Rezistenca nuk mund të kriminalizohet

9 February 2026 at 14:48


Altin Krasniqi, djali i ish-komandantit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar fuqishëm pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për kriminalizimin e rezistencës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Prokuroria do ta kishte më të lehtë dhe më të sinqertë të deklaronte hapur se shqiptarët duhet të rrinin duarkryq, të pranonin vrasjen, përdhunimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se historia nuk shkruhet nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.

“Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, u shpreh ai.

Altin Krasniqi thekson se çdo përpjekje për të kriminalizuar rezistencën është akt politik dhe jo drejtësi, duke synuar rishkrimin e historisë dhe barazimin e agresorit me viktimën.

Reagimi i tij vjen ndërkohë që gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së vazhdon në Hagë dhe seanca për deklaratat përmbyllëse është planifikuar të zgjasë deri më 18 shkurt. /Telegrafi/

"ROADPOL 2026", Policia e Kosovës nis kontrolle intensive për kamionë dhe autobusë

9 February 2026 at 14:42


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një seri kontrollesh të shtuara për mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si pjesë e planit ROADPOL 2026.

Kontrollet do të zgjasin deri më 15 shkurt 2026 dhe do të realizohen në të gjitha rrugët e vendit.

Qëllimi i këtyre kontrolleve është rritja e sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, duke u fokusuar tek shoferët e kamionëve dhe autobusëve, të cilët konsiderohen shoferë profesionistë.

Policia thekson se nga ata pritet që të jenë shembull në respektimin e rregullave dhe sjelljes së sigurt në rrugë.

Ky aktivitet përfshin verifikimin e gjendjes teknike të mjeteve, respektimin e kufijve të shpejtësisë, dokumentacionin e vozitjes dhe kushtet e sigurimit për udhëtarët dhe mallrat.

Policia e Kosovës fton të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjin, duke kontribuar kështu në uljen e rreziqeve dhe sigurimin e rrugëve për të gjithë. /Telegrafi/

Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Memollën, shkon në burg kryebashkiaku i Rrogozhinës

9 February 2026 at 14:14


Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.

Vendimi është i formës së prerë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili akuzohet korrupsion aktiv në zgjedhje. Memolla nuk u paraqit në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës.

Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimet ndaj tre personave të tjerë: Ndriçim Tafxhafa 1 vit burg; Blerim Xhamani, 1 vit burg dhe Isuf Tosku, 8 muaj, pezullohet në shërbim prove.

Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.

Në regjistrimin e bërë publik, Memolla, asokohe kandidat për kryebashkiak, kërkonte nga elektricisti i FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhata, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Dënimi me vendim të formës së prerë i Edison Memollës e çon bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhje të reja të cilat do të duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga krijimi i vakancës.

Memolla ka të drejtë për rekurs në Gjykatën e lartë lidhur me këtë vendim brenda afateve që parashikon ligji./euronews/

Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

9 February 2026 at 13:59


Në vazhdim të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka prezantuar një hartë që pasqyron 437 incidente të lidhura me krime lufte dhe kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998–1999.

Prokurori James Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.


Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.

Ndërkaq, prokurorja e Dhomave të Specializuara, Clare Lawson, theksoi se këto krime nuk janë kryer thjesht nga individë të izoluar, por nga vartësit e të akuzuarve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive dhe kanë vepruar me një synim të qartë për të realizuar veprime të paligjshme.

Ajo shtoi se përgjegjësia nuk përqendrohet vetëm te udhëheqësit, por edhe te struktura e komandës që ata kanë drejtuar.

Lawson tha se incidentet përfshijnë përndjekje, vrasje, tortura dhe keqtrajtime në kampet e kontrolluara nga UÇK-ja, duke përfshirë dhjetëra viktima që ishin të lidhura me komunitete të ndryshme etnike, përfshirë serbët, romët dhe ish-anëtarët e partive politike lokale.

“Shumë nga veprimet janë kryer nën udhëheqjen dhe autorizimin e të akuzuarve, duke pasur një plan të qartë dhe një strategji të strukturuar për të arritur qëllimet e tyre”, u shpreh prokurorja.

Pas një seance intensive gjatë mëngjesit, Dhomat e Specializuara aktualisht ndodhen në pushim të drekës, ndërsa pritet që pasditja të vazhdojë me dëshmi të reja dhe argumente përmbyllëse nga prokuroria.

Ky gjyq ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku po shqyrtohen provat dhe dëshmitë kryesore, ndërsa pas prokurorisë, fjalën do ta kenë ekipet mbrojtëse dhe më pas të akuzuarit.

Seanca është pjesë e një procesi që ka filluar më 3 prill 2023 dhe ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rëndësinë e trajtimit të krimeve të dyshuara të luftës në Kosovë./Telegrafi/

Policia sekuestron 7 kg marihuanë në Merdare, arrestohet një person

9 February 2026 at 13:42


Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka sekuestruar rreth 7 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar.

Në një aksion të zhvilluar në pikën kufitare në Merdare, Policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, e drejtuar nga një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe konfiskuar 7 kg marihuanë, me vlerë tregu rreth 35,000 euro.

Pas këtij aksioni, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është kryer edhe kontroll i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren. Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova shtesë që lidhen me rastin, përfshirë: 7 kg marihuanë të ndarë në 24 paketime, 4 vetura, 1 telefon, 9 paketime me qese plastike, 2 aparate për vakum, 2 peshore digjitale dhe prova tjera materiale.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet në lidhje me këtë rast vazhdojnë. /Telegrafi/

Publikohet programi shtetëror për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

9 February 2026 at 13:30


Qeveria e Kosovës ka publikuar programin zyrtar të manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë, të cilat do të mbahen më 17 shkurt 2026.

Aktivitetet do të nisin në orët e hershme të mëngjesit me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë ditës janë paraparë homazhe dhe nderime në disa nga vendet më të rëndësishme historike të vendit.

Sipas programit, do të bëhen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve, pllakat përkujtimore të fëmijëve të vrarë, si dhe te varrezat e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Po ashtu, homazhe do të mbahen edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, është paraparë edhe seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nderime te Monumenti i Heroinave, si dhe parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Manifestimet do të përmbyllen në mbrëmje me pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, si dhe me koncert solemn në Filarmoninë e Kosovës.

Qeveria ka ftuar qytetarët që ta shënojnë këtë ditë me dinjitet, në nderim të sakrificës për liri dhe pavarësi. /Telegrafi/


Gjykata Supreme shqyrton ankesat ndaj PZAP-së për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

9 February 2026 at 13:18


Gjykata Supreme ka shqyrtuar të gjitha ankesat e parashtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, e cila ka bërë të ditur se brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët.

Sipas saj, Gjykata Supreme ka shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa të paraqitura kundër vendimeve të PZAP-së.

Dy nga këto ankesa janë parashtruar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi, si dhe një nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka nga Prizreni.

Në rast se Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, do t’i hapet rruga certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Pas certifikimit, sipas procedurave ligjore, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

“Drejtësi, jo politikë”, djali i Hashim Thaçit bën thirrje për marshin e 17 shkurtit

9 February 2026 at 12:38


Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për marsh, përmes një postimi në rrjetet sociale, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në postimin e tij, Thaçi ka shpërndarë një poster me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në poster po ashtu theksohet slogani “Liria ka emër”, si dhe simboli i UÇK-së.

Thirrja për protestë vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Protesta pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe sipas organizatorëve synon të kërkojë drejtësi dhe të kundërshtojë, siç thuhet, politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Telegrafi/


Tieger: Sulmet ndaj kundërshtarëve dhe ndalimet u autorizuan nga Shtabi i Përgjithshëm

9 February 2026 at 12:29


Prokurori i Specializuar, Alan Tieger është duke vazhduar me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse rreth gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Tieger po pretendon se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarëve të Partisë Socialiste Serbe – që kishin bërë fjalime në varrimin e dikujt që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së – persona që pretendohej se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuar antikombëtare.

Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovën, derisa pranoi se sulmi ndaj familjes Jashari nxiti zgjerimin e luftës.

“Fillimi i marsit njihet fatkeqësisht edhe nga sulmi që i ndodhi familjes së Jasharëve dhe vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij, një ngjarje që nxiti atë për të cilat pajtohen të gjitha palët, fillimin e zgjerimit eksploziv të UÇK-së nga origjina e vet guerile”, tha ai.

Tutje, siç tha prokurori i specializuar, katër të akuzuarit ishin “pionerë të UÇK-së”.

“Të akuzuarit nuk u albanizuan papritmas nga vrasja e familjes së Jasharëve për të dalë vullnetar, por ata ishin pionerë të UÇK-së që e kishin quar në atë pikë UÇK-në. Siç ka thënë një anëtar i rëndësishëm Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimi kanë qenë ndër paktët protagonistët që kanë qenë pjesë, citoj ‘e një strukture të përbashkët’, dhe citoj sërish ‘filluan dhe përfunduan luftën’”, deklaroi ai.

Tieger, po vazhdon deklaratën përmbyllëse dhe po flet për, siç pretendon ai, vrasjeve dhe torturimeve të personave të ndaluar në qendrën në Bajgorë.

Siç pretendon ai, vrasjet dhe keqtrajtimet janë bërë “përmes autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm” të UÇK-së.

Ai tha qendra në Bajgorë u bë mbi bazën e komunikatave të UÇK-së dhe se “Shtabi i Përgjithshëm dënonte bashkëpunëtorët”. /Telegrafi/

Vendimi i Kushtetuese për Ballukun, reagon Rama: Liria e hetimeve e garantuar

9 February 2026 at 11:59


Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar mbi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjen e pezullimit të për zv/kryeministres.

Sipas Ramës, funksionet kushtetuese të anëtarëve të qeverisë, Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera janë të padelegueshme dhe nuk mund të pezullohen nga askush përveç mekanizmave ligjorë, pasi çdo pezullim paralizon institucionin që ata drejtojnë.

Kryeministri thekson se, duke u nisur edhe nga deklarata publike e Gjykatës Kushtetuese, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në legjislacion.

Rama shton se SPAK-u nuk preket nga ky proces, por vetëm mbështetet. Hetimet mund të vazhdojnë normalisht, duke garantuar lirinë dhe të drejtën e çdo prokurori për të hetuar çfarëdo dhe këdo. Pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv gjithashtu nuk preket, vetëm garantohen. /euronews/

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të…
— Edi Rama (@ediramaal) February 9, 2026

“Historia jonë nuk rishkruhet"- bashkëshortja e Selimit reagon pas kërkesës për 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së

9 February 2026 at 11:47


Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara që katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënohen me 45 vjet burg secili, ka reaguar deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, njëherit bashkëshortja e Rexhep Selimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan: “E shenjtë UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!”


Deklarata e saj vjen ndërsa sot ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ku ZPS-ja kërkoi shpalljen e tyre fajtorë për krime lufte dhe kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vdekje dhe abuzime të shumta në kampe të kontrolluara nga UÇK-ja gjatë dhe pas luftës.

Seancat për deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt, ku pas Prokurorisë fjalën do ta kenë mbrojtësit, ndërsa në fund do të flasin edhe të akuzuarit. /Telegrafi/

Pas Drenasit, hetimet për manipulim të votave nisin edhe në Dragash

9 February 2026 at 11:21


Pas hetimeve të nisura në Drenas lidhur me shkeljet në procesin e votimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar sot hetime edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.

Veprimet po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet janë nisur me vetiniciativë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit.

"Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Dragashit," thuhet në njoftim.

Hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejshme hetimore. /Telegrafi/

Hamza: Kosova beson - liri për çlirimtarët

9 February 2026 at 10:39


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se sot ka nisur faza përmbyllëse e një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë, duke theksuar se për më shumë se pesë vjet janë rrëzuar një nga një të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hamza ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi, çlirimtarët tanë, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesor kanë qëndruar me dinjitet dhe me argumente të fuqishme, duke dëshmuar të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Tashmë pritet që drejtësia, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar”, ka theksuar Hamza, duke shtuar se ekziston bindje e plotë në pafajësinë e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai ka nënvizuar se ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por edhe një provë të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.

“Në fund, besimi ynë është i palëkundur, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi” ka përfunduar Hamza.

Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se Kosova beson dhe ka përsëritur thirrjen: Liri për çlirimtarët! /Telegrafi/

Nis faza përfundimtare e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve - ZPS kërkon dënim me 45 vjet burgim

9 February 2026 at 10:26


Ka nisur në Hagë faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për krime të luftës dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West po vazhdon me parashtrimin e deklaratave përmbyllëse, ku theksoi se pavarësisht frikës dhe stigmatizimit me të cilin janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre, ata kanë vendosur të zbardhin drejtësinë.

""Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, tha prokurorja.

Prokurorja ka theksuar se mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në rreth 50 plus kampe ndalimi të UÇK-së, duke përfshirë persona të lidhur me LDK-në, komunitetin rom dhe serb.

"Dëshmitarët dhe provat tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to," shtoi Prokurorja.

Prokurorja bëri të qartë se kërkesa e ZPS-së për dënim është e fokusuar te personat konkretë, jo te shtabi i përgjithshëm:

"Ne kërkojmë dënimin e personave konkret, jo të shtabit të përgjithshëm. ZPS-ja kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur për kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej të akuzuarve. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit", tha ajo.

Prokurorja theksoi gjithashtu se janë dëgjuar dëshmitarë ndërkombëtarë dhe anëtarë të UÇK-së, ndërsa 7 dëshmitarët e mbrojtjes kanë pasur informacion të kufizuar për aktivitetet e UÇK-së dhe nuk kanë mundur të flasin në të njëjtën gjuhë në atë kohë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Seancën live mund ta ndiqni KËTU. /Telegrafi/

Haradinaj i ashpër ndaj Speciales: Turpi i drejtësisë së këtij shekulli

9 February 2026 at 10:05


Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale.

Haradinaj tha se pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë kjo gjykatë, ajo tashmë e ka humbur besueshmërinë dhe do të mbetet njollë në historinë e drejtësisë.

Sipas tij, proceset e deritanishme janë shoqëruar me shkelje të shumta dhe padrejtësi ndaj të akuzuarve.

“Çfarëdo vendimi të merr, kjo Gjykatë do të jetë turpi i drejtësisë së këtij shekulli. Edhe me i liru nuk është drejtë, sepse gjatë krejt këtyre proceseve, patjetër që duhet me marrë vendim lirues, nëse ka drejtësi, por edhe nëse merr vendim lirues, kjo Gjykatë do të jetë trupi i këtij shekulli, sepse i ka bërë të gjitha shkeljet mundshme”, tha ai sot në Klan Kosova.

Ai theksoi se një vendim lirues do të duhej të ishte i pashmangshëm nëse do të kishte drejtësi, por shtoi se edhe një vendim i tillë nuk do të mund ta riparonte dëmin e shkaktuar nga proceset e deritanishme.

Osmani: Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme, marrëdhëniet me SHBA po thellohen

9 February 2026 at 09:50


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median britanike Monocle, ka folur për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe për thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për angazhimin e Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe integrimin në strukturat euro-atlantike, presidentja Osmani tha se nuk kemi dilema për rrugën tonë euro-atlantike.

"Ne nuk kemi kurrë dilema për rrugën tonë euro-atlantike. Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e pandalshme. Identiteti ynë euro-atlantik është i patjetërsueshëm dhe nuk do të lëkundet kurrë", u shpreh Osmani.

Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane historike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

"Marrëdhënia që kemi me SHBA-në ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-ja udhëhoqi botën për të na shpëtuar dhe na dha mundësinë të jetojmë në liri dhe demokraci. Kosova është bërë një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane", tha ajo.

Presidentja përmendi dy fusha kryesore të bashkëpunimit të zgjeruar me SHBA-në. mbrojtjen dhe ekonominë.

"Në aspektin e mbrojtjes, është shumë e rëndësishme që të kemi kapacitete të mjaftueshme për sigurinë tonë, sidomos duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme në rajon. Në ekonomi, kemi potencial të madh për investime amerikane. Kur investoni në Kosovë, po investoni në qindra miliona qytetarë evropianë, me një sistem ligjor dhe financiar të shkëlqyer dhe me një vend pro-amerikan", tha Osmani.

Duke folur për sfidat e integrimit në BE, Presidentja Osmani tha se pavarësisht që Kosova ende nuk e ka marrë statutin e kandidatit për BE, rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë

"Ne jemi 100% të përputhur me BE-në dhe NATO-në në çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë. Megjithatë, ende nuk kemi status kandidati për Bashkimin Evropian për shkak të disa konsideratave politike brenda disa vendeve të BE-së. Por durimi ynë nuk do të shkurtëzohet – rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë”, tha Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.

"Që nga viti 1999, kur përjetuam luftën gjenocidale, Emiratet e Bashkuara Arabe na mbështeti të rindërtojmë vendin nga hiri. Tani na mbështesin në sektorin e shëndetësisë dhe shumë sektorë të tjerë. Kjo mbështetje është jetike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Osmani.

Kujtojmë se presidentja Osmani javën që shkoi ishte pjesëmarrëse në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe./Telegrafi/

Frika nga lufta në Ballkan, Kosova më pak e shqetësuar se vendet fqinje

9 February 2026 at 08:32


Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në Ballkanin Perëndimor lidhur me mundësinë e një lufte apo sulmi terrorist, sipas të dhënave të “SecuriMeter 2025”, raport i hartuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sipas këtij raporti në vitet 2024 dhe 2025, një shumicë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar shqetësim të ulët për një konflikt të mundshëm mes vendeve të rajonit, me 69.5% në vitin 2024 dhe 72.5% në vitin 2025.

Edhe sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste, Kosova rezulton vendi me nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon. Rreth 70% e qytetarëve shprehin shqetësim të ulët si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025, ndërsa vetëm rreth 27% raportojnë shqetësim të lartë, çka sugjeron se ky kërcënim perceptohet si i kufizuar.

Në nivel rajonal Bosnja dhe Hercegovina shfaq nivelin më të lartë të shqetësimit për një luftë të mundshme në rajon.

Në të dy vitet, mbi gjysma e qytetarëve kanë deklaruar shqetësim të lartë, edhe pse me një rënie të lehtë nga 57.8% në 54.2%. Edhe Serbia mbetet ndër vendet ku shqetësimi për konflikt është dominues, me mbi 53% të qytetarëve që shprehin shqetësim të lartë, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë një zhvendosje drejt një perceptimi më pozitiv të sigurisë. Në Shqipëri, shqetësimi i lartë për luftë ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqetësimi i ulët është rritur mbi 50%, duke sinjalizuar rritje të besimit në stabilitetin rajonal.

Mali i Zi paraqet një tablo më të balancuar, me qytetarë pothuajse të ndarë mes shqetësimit të ulët dhe atij të lartë.

Sa i përket kërcënimit nga terrorizmi, raporti “SecuriMeter 2025” evidenton se Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku shqetësimi i lartë për sulme terroriste është bërë dominues në vitin 2025. Në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, ky shqetësim mbetet më i ulët dhe relativisht i qëndrueshëm.

Në këtë panoramë rajonale të pasigurisë së përzier, Kosova veçohet si vendi me perceptimin më të qëndrueshëm dhe optimist për sigurinë, si në aspektin e konfliktit të mundshëm ashtu edhe të kërcënimeve terroriste.

Duhet theksuar se ky raport ka përfshirë 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025. /Telegrafi/

E hëna me vranësira, shi dhe borë në zonat malore të Shqipërisë

9 February 2026 at 07:43


Ditën e hënë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës.Reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, në relievet malore shtrëngata afatshkurtra.

Prej orëve të mesditës e pasdite reshjet shiu me intensitet kryesisht të ulët humbasim territor duke mbetur prezent në relievet malore dhe në ndërprerjen graduale.

Në zonën e Alpeve, dhe relievet e larta malore mbi 1000-1100metër në verilindje -juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore era fiton me shpejtësi deri 10 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë ./Telegrafi/

Toksina Cereulide​, AUV tërheq nga tregu disa produkte Aptamil për foshnje

9 February 2026 at 07:30


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e një toksine të rrezikshme.

Sipas AUV-së, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) janë pranuar disa njoftime zyrtare lidhur me praninë e toksinës Cereulide në qumësht formulë për foshnje të prodhuar në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.

“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimi me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimi nr. 2026.1018 për produktet e prodhuara në Holandë, si dhe njoftimi nr. 2026.1017 për formulat për foshnje dhe formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë”, thuhet në komunikatën e AUV-së.

Agjencia bën të ditur se, për shkak të nivelit serioz të rrezikut, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., nga Vushtrria, janë ndërmarrë masa urgjente për largimin e këtyre produkteve nga tregu kosovar.

“Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu”, thuhet më tej në njoftim.

AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorëve u kërkohet që të mos i përdorin ato.

“Konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes”, thekson Agjencia.

Në fund, AUV rithekson përkushtimin e saj për monitorim të vazhdueshëm të tregut, duke theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe kontrolluese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë./Telegrafi/

❌
❌