Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si dëshmi të lidershipit politik dhe funksionimit të demokracisë lokale.
“MIRATOHET BUXHETI I KRYEQYTETIT PËR VITIN 2026”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook, duke shprehur mirënjohje për asamblistët që, sipas tij, dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike.
Ai ka falënderuar edhe qytetarët e Prishtinës, duke theksuar se me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik dhe vendimmarrje të përgjegjshme. “Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka theksuar Rama.
Sipas tij, ky vendim përfaqëson ndarjen mes politikës së së kaluarës dhe qeverisjes aktuale. “Kjo është diferenca mes politikës së së kaluarës, që e mbante qytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”, ka shkruar ai.
Rama ka theksuar se çlirimi i institucioneve nga kultura e bllokadës hap rrugën për planifikim serioz dhe investime strategjike. “Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake”, ka deklaruar ai.
Në fund, kryetari i Prishtinës ka vlerësuar se buxheti i miratuar shkon përtej një dokumenti financiar. “Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi dënimin e të akuzuarve Besnik dhe Ilaz Salihu, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së S.S. Kurse, mbrojtja e tyre kërkoi që në mungesë të provave, të akuzuarit të lirohen nga akuza.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, prokurorja Hamiti sqaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe e dorëzoi në Gjykatë.
Hamiti tha se bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari Besnik ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” dhe atë të “Armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq, i akuzuari Ilaz atë të “Ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë”.
Sipas prokurores, nga dëgjimi i dëshmitarëve në shqyrtim gjyqësor, janë vërtetuar në plotni të dhënat si në aktakuzë.
Lidhur me të akuzuarin Ilaz Salihu, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi kërkoi nga Prokuroria që të renditë provat që dëshmojnë se ai ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasje të rëndë”.
Prokurorja Hamiti tha se provat janë listuar edhe në aktakuzë dhe se vetë i akuzuari Ilaz ka deklaruar mënyrën si e ka kryer veprën penale.
Më pas, fjalën përfundimtare e paraqiti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, duke deklaruar se vrasja është bërë për shkak të motivit hakmarrës që nga viti 2012.
Musa tha se të akuzuarit kanë kryer veprën penale në mënyrë profesionale dhe kanë ndërmarrë veprime duke zhdukur provat në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, avokati Musa shtoi se të akuzuarit së bashku edhe me vëllezërit tjerë kanë zhvilluar komunikime mes vete duke ardhur deri te kryerja e veprës penale.
Në fund, ai tha se të akuzuarit duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Tha se për kërkesën pasurore-juridike do të procedojnë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Arlind Fetahu tha se së fundi është anagzhuar si mbrojtës. Ai u shpreh se deklarimet e dhëna nga Prokuroria dhe pala e dëmtuar nuk përputhen mes vete.
Fetahu tha se aktakuza mbështetet vetëm në të thënat e të akuzuarit Ilaz në Polici. Kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
Vetë i akuzuari Besnik tha se familja e tij është viktimë e familjes së të ndjerit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Salihu, avokati Qazim Qerimi gjithashtu e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare, duke mbetur në tërësi pranë saj.
Në fund, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi e shpalli të përfunduar gjykimin, duke caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit për një ditë tjetër.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për subvencionimin e prodhuesve të qumështit në këtë komunë për periudhën 2026–2029.
“Sot kam nënshkruar vendimin për subvencionimin e prodhuesve të qumështit në Komunën e Obiliqit me 8 cent për çdo litër, për periudhën 2026–2029”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ai ka theksuar se kjo masë përfaqëson një angazhim konkret dhe afatgjatë për fermerët lokalë. “Ky është angazhim konkret dhe afatgjatë për fermerët tanë”, ka deklaruar kryetari i Obiliqit.
Thaçi ka shtuar se sektori i bujqësisë mbetet prioritet për qeverisjen komunale. “Fermeri është shtyllë e ekonomisë sonë dhe do ta ketë gjithmonë përkrahjen time”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se në qytetin e Vushtrrisë ka filluar vendosja e tabelave të reja të sinjalizimit rrugor, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe orientimin më të lehtë për qytetarët dhe vizitorët.
“Në kuadër të përmirësimit të sigurisë rrugore dhe orientimit më të lehtë për qytetarët dhe vizitorët, në qytetin e Vushtrrisë ka filluar vendosja e tabelave të reja të sinjalizimit rrugor”, ka deklaruar Idrizi.
Sipas tij, këto tabela do të ndihmojnë në rregullimin e qarkullimit dhe në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Këto tabela ndihmojnë në rregullimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe drejtuesit e makinave, si dhe në lehtësimin e lëvizjes brenda qytetit”, ka shtuar kryetari i Vushtrrisë.
Idrizi ka theksuar se komuna do të vazhdojë punën për përmirësimin e infrastrukturës urbane.
“Vazhdojmë punën për një qytet më të rregullt dhe më funksional”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se shtetasi i Republikës së Kosovës, Mitehat Llozhani, është arrestuar nga autoritetet serbe menjëherë pas hyrjes në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.
Sipas MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informatave për rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe informacione të tjera relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Po ashtu, për rastin është njoftuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, ndërsa janë dërguar nota verbale edhe pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
MPJD bën të ditur se ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe se, përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedohet kërkesa zyrtare për lejimin e vizitës ndaj Mitehat Llozhanit.
Ministria i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se praktikat e arrestimit dhe keqtrajtimit të shtetasve të Republikës së Kosovës përbëjnë shkelje të normave dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. /Telegrafi/
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar hyrjen në grevë nga data 13 shkurt 2026, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje institucionale lidhur me kërkesat e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të dorëzuar menaxhmentit të ndërmarrjes, punëtorët bëjnë të ditur se më 26 janar 2026 kanë dorëzuar paralajmërimin paraprak për grevë, por deri më 6 shkurt nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga organet kompetente.
Në dokument thuhet se vendimi për grevë bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Grevat, ndërsa theksohet se do të respektohet minimumi i procesit të punës, në mënyrë që të mos cenohen interesat publike dhe siguria e qytetarëve.
Punëtorët e “Trafikut Urban” kanë bërë të ditur se greva do të organizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe se ky njoftim konsiderohet paralajmërim përfundimtar ligjor. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave, KRM Pastrimi, ka bërë apel te qytetarët për kujdes në hedhjen e mbeturinave në kontejnerët e qytetit.
“Mos hedhni mjete që mund të shkaktojnë ndezjen e zjarrit dhe djegien e kontejnerëve. Dijeni që kontejnerët i blejmë me paratë publike të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e KRM Pastrimi.
Në njoftim gjithashtu shfaqet një fotografi e një kontejneri duke u djegur në rrugën “Agim Ramadani”, duke rikujtuar se pronën publike duhet ta ruajmë të gjithë së bashku.
KRM Pastrimi fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastrisë dhe sigurisë në hapësirat publike. /Telegrafi/
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin fiskal 2026, me shumicë votash nga anëtarët e tij - buxhet ky që kalon mbi 150 milionë euro.
Gjatë seancës, 33 asamblistë votuan për miratimin e buxhetit, ndërsa tetë votuan kundër.
Buxheti i këtij viti u tha është projektuar për të adresuar nevojat operative të komunës, investimet kapitale dhe projektet zhvillimore të kryeqytetit.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Drejtorja e Financave, Valbona Makolli, shuma totale e buxhetit është e ndarë në pesë kategori kryesore: paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transferime, si dhe investime kapitale.
Makolli ka theksuar se investimet kapitale përfshijnë projekte të mëdha zhvillimore që kanë për qëllim transformimin e infrastrukturës dhe shërbimeve komunale në të gjitha lagjet e Prishtinës.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të mbështeste miratimin e buxhetit, duke e cilësuar si problematik në disa aspekte dhe duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e mjeteve financiare.
Përfaqësues të kësaj partie theksuan se buxheti nuk përfaqëson vizionin e tyre për zhvillimin e kryeqytetit dhe se disa projekte kapitale të përfshira janë objekt shqyrtimi ligjor.
Partitë tjera politike, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, PDK-në dhe Nismën, shprehën mbështetje për miratimin e buxhetit, duke e vlerësuar atë si një mjet për sigurimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët.
Miratimi i buxhetit të vitit 2026 shënon një hap përpara në planifikimin financiar të komunës, ndërsa diskutimet për mënyrën e ndarjes së mjeteve dhe prioritetet zhvillimore pritet të vazhdojnë gjatë implementimit të tij.
Në këtë seancë u vu re mungesa e kryetarit të komunës, për të cilën anëtarët e Kuvendit nuk dhanë sqarime, por kjo nuk ndikoi në procesin e votimit.
Në përfundim, buxheti 2026 hyri në fuqi menjëherë pas miratimit dhe pritet të nisë zbatimi i projekteve të planifikuara në të gjitha sektorët e komunës. /Telegrafi/
Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pa praninë e kryetarit, po diskutohet miratimi i buxhetit për vitin fiskal 2026.
Në seancë, përfaqësues të partive politike prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.
Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit, duke kërkuar aprovimin e tij në tërësi.
Sipas saj, buxheti është i ndarë në pesë kategori ekonomike: paga dhe mëditje 48.3 milionë euro, mallra dhe shërbime 32 milionë, shpenzime komunale 3.5 milionë, subvencione dhe transferime 6.8 milionë, dhe investime kapitale 60.8 milionë euro.
Makolli theksoi se investimet kapitale janë të bazuara në projekte të mëdha, ndërsa shpenzimet operative lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, duke e prezantuar buxhetin si një instrument për transformimin e kryeqytetit.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), PDK-ja dhe Nisma shprehën mbështetje për buxhetin, duke theksuar stabilitetin dhe zhvillimin e qytetit. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar problematik dhe të papranueshëm në disa aspekte.
Seanca po zhvillohet ndërkohë që tensionet politike rreth ndarjes së mjeteve dhe prioriteteve zhvillimore të kryeqytetit mbeten të larta. /Telegrafi/
Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se subjekti i tij politik nuk do të votojë buxhetin e kryeqytetit, duke e vlerësuar si një paraqitje të gabuar të suksesit në qeverisjen komunale.
“Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie”, tha Sveçla, duke shtuar se tri projekte kryesore të buxhetit janë problematike dhe aktualisht në trajtim nga organet e drejtësisë, raporton Telegrafi.
Ai përmendi Sheshin “Xhorxh Bush”, lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe tunelin në rrugën “Agim Ramadani”.
Sveçla kritikoi gjithashtu PDK-në, duke theksuar se ky buxhet më shumë i shërben interesave të saj sesa vetë LDK-së.
Qëndrimi i VV-së vjen ndërkohë që Kuvendi i Prishtinës po diskuton miratimin e buxhetit për vitin aktual, ndërsa debate të forta janë duke u zhvilluar për legjitimitetin dhe përmbajtjen e disa projekteve kapitale. /Telegrafi/
Ish-nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Donjeta Sahatçiu, ka bërë të qartë se nuk mbështet një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në kryeqytet.
Në një postim në Facebook, Sahatçiu ka shkruar: “Nuk jam e përfshirë dhe nuk e mbështes një koalicion të mundshëm LDK-PDK në Prishtinë. Kam kërkuar votë për atë që kam besuar, publikisht dhe pa kalkulime. Edhe pse do të gënjeja nëse them se nuk i kuptoj arsyetimet politike për një kompromis, nuk i kam pranuar kurrë si mënyrë për të ndërtuar besim me qytetarët, e aq më pak sot, pas një përvoje që dëshmoi të kundërtën. Pikëpamjet e mia janë krejtësisht të kundërta dhe kam 1001 arsye për to”.
Ajo ka shtuar se për hir të respektit ndaj bashkëpunëtorëve do të përmbahet nga komentet e mëtejme, por ndjen përgjegjësi t’i bëjë të qarta qëndrimet e saj përpara se të demantojë dikë tjetër, duke theksuar se ky është qëndrimi i saj edhe sikur të ishte aktualisht në Prishtinë.
Ky reagim vjen disa muaj pas shkarkimit të saj nga pozita e nënkryetares nga kryetari Përparim Rama në shkurt të vitit 2024, pak orë pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për anulimin e vendimit për këmbim të pronave.
Në postimin e saj, Sahatçiu nënvizon se politika, sipas saj, fillon dhe mbaron me dinjitetin dhe besnikërinë ndaj asaj që thuhet dhe punohet. /Telegrafi/
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës, Berita Abazi, ka reaguar ndaj mungesës së Kryetarit Përparim Rama në seancën e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të kryeqytetit.
“Seanca e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit të Prishtinës është ftuar nga Kryetari Perparim Rama, e i njëjti sot nuk është prezent në seancë”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Ajo ka theksuar gjithashtu vonesat në emërimet e zyrtarëve nëpër drejtoritë komunale.
“E edhe për më keq, sot jemi në ditën e 59-të që Perparim Rama ka tejkaluar afatet ligjore për emërimin e nënkryetarit dhe drejtorëve. Kaq për seriozitetin e tyre”, ka shtuar Abazi.
Reagimi vjen ndërkohë që Kuvendi i Prishtinës vazhdon diskutimet për miratimin e buxhetit për vitin aktual./Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina (KRU Prishtina) njofton qytetarët e Podujevës se për shkak të një rrjedhjeje në gypin AC me diametër Ø200 mm, ekipet e saj do të ndërhyjnë për sanimin e defektit.
Si pasojë e këtyre punimeve, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në rrugët: “Skënderbeu”, “28 Nëntori” dhe rruga e Xhamisë.
Punimet do të zhvillohen gjatë ditës, ndërsa furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të sanimit. KRU Prishtina kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të prekur dhe i falënderon për durimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Ndonëse energjia elektrike është shtrenjtuar disa herë brenda një periudhe të shkurtër kohore, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesa të vazhdueshme të furnizimit me rrymë.
Që nga viti 2021, në Kosovë energjia elektrike është shtrenjtuar të paktën tri herë. Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në proces të shqyrtimit të kërkesave të operatorëve energjetikë për një shtrenjtim tjetër të rrymës.
Operatorët energjetikë kanë kërkuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet për së paku edhe 21 për qind, ende pa kaluar një vit nga shtrenjtimi prej 16.1 për qind i miratuar në prill të vitit 2025.
Edhe pse ende nuk dihet epilogu i këtij procesi, paralajmërimet për një rritje të re të çmimit të rrymës kanë nxitur shqetësim dhe frikë te qytetarët, të cilët thonë se tashmë po përballen me fatura të papërballueshme, ndërkohë që mungesat e energjisë elektrike vazhdojnë.
Në lagjen Fidanishte të Pejës, mungesa e energjisë elektrike ka hyrë në ditën e katërt. Një qytetare ka bërë të ditur se kjo situatë po ua vështirëson ndjeshëm funksionimin e përditshëm banorëve të kësaj zone.
“Ne, banorët e lagjes Fidanishte në Pejë, kemi katër ditë që jemi pa energji elektrike dhe kjo po na e vështirëson shumë funksionimin ditor në shtëpitë tona”, ka deklaruar qytetarja.
Ajo ka shtuar se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e situatës, ndërsa gjendja është përkeqësuar edhe më tej.
“Nuk është ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë situatë dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, që nga dita e djeshme jemi edhe pa furnizim me ujë”, shtoi ajo.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me KRU Hidrodrini për të marrë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë problem, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/
Spitali i Mitrovicës ka bërë të ditur se pas sanimit të defektit në furnizimin me energji elektrike nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), është rikthyer furnizimi i rregullt me rrymë në të gjitha repartet e këtij institucioni shëndetësor.
Sipas njoftimit të spitalit, defekti kishte ndodhur në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur Spitali i Mitrovicës, çka kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa reparte.
Megjithatë, gjatë gjithë kohës së ndërprerjes, shërbimet vitale kanë funksionuar normalisht përmes gjeneratorëve, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale dhe sigurinë e pacientëve.
Nga ky institucion shëndetësor bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it kanë qenë në terren dhe kanë punuar intensivisht për sanimin e defektit, ndërsa pas ndërhyrjes teknike është bërë e mundur rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Spitali i Mitrovicës ka falënderuar stafin mjekësor dhe teknik për angazhimin gjatë kësaj situate, si dhe qytetarët për mirëkuptimin, duke theksuar se shërbimet shëndetësore janë duke u ofruar pa asnjë pengesë. /Telegrafi/
Spitali i Mitrovicës ka njoftuar se për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur ky institucion shëndetësor, aktualisht disa reparte janë pa rrymë.
Sipas njoftimit, pjesët vitale të spitalit janë të furnizuara me energji elektrike përmes gjeneratorëve, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për pacientët.
Nga Spitali i Mitrovicës bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe janë duke punuar për sanimin e defektit, ndërsa rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike pritet të realizohet shumë shpejt. /Telegrafi/
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka bërë të ditur se gjatë muajit janar 2026 janë shqiptuar gjithsej 326 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit, shkelje kjo që konsiderohet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Sipas komunikatës së DRP-Ferizaj, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit paraqet rrezik serioz për sigurinë e shoferëve, pasagjerëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të përqendrohen plotësisht në ngasjen e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, duke theksuar se edhe një moment pakujdesie gjatë përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja të rënda për jetën e njerëzve.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se qytetarët kanë mundësi të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut përmes disa kanaleve:
Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë
Përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
Në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj është theksuar se konfidencialiteti i të dhënave të qytetarëve që raportojnë shkeljet do të ruhet plotësisht. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026, rreth orës 08:35, në Rahovec është raportuar një rast i hetimit të vdekjes.
Sipas njoftimit 24-orësh të Policisë, një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është duke u trajtuar nga organet e hetuesisë për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes. /Telegrafi/
Ekzekutimi i pagës minimale po bëhet problem për disa kompani në Kosovë, duke nxitur shqetësimet e para edhe në sektorin publik përmes kontraktorëve privatë.
Në fund të vitit 2025, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që paga minimale, nga 1 janari 2026, të rritet nga 350 euro në 425, ndërsa nga 1 korriku të jetë 500 euro.
Megjithatë, ky vendim nuk është zbatuar në rastin e stafit teknik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ku punëtorët janë paguar nën pagën minimale të përcaktuar me vendim qeveritar.
Kjo situatë ka nxitur reagimin e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës. Në një intervistë për Telegrafin, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se kompania e kontraktuar nga QKMF-ja në Klinë nuk i ka ekzekutuar mjetet financiare në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Paramendoni, derisa flasim për raportin punëdhënës-punëmarrës dhe për rritje më të madhe të pagave të punëtorëve, në rastin konkret jemi në një situatë ku pronari i kompanisë, së bashku me kontraktuesit e tyre, nuk janë treguar të sinqertë dhe së paku ta bëjnë pagesën e pagës minimale”, ka thënë Azemi.
Ai ka theksuar se kjo situatë është pasojë e neglizhencës ose e mungesës së interesimit institucional për garantimin e të drejtave ligjore të punëtorëve.
“Kjo është bërë për shkak të neglizhencës ose në njëfarë forme mosinteresimit që këtyre punëtorëve së paku t’u garantohen kushtet që u garantohen me ligj dhe me vendimin e kryeministrit të Kosovës. Kjo është diçka shumë e keqe, sepse këta punëtorë në fund të janarit, gjegjësisht në fillim të shkurtit, kanë marrë pagë 325 euro, ndërsa sipas vendimit të kryeministrit në detyrë, këta punëtorë është dashur të marrin 395 euro”, ka shtuar ai.
Sipas Azemit, paga minimale duhet të aplikohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, siç janë rastet kur një kompani është në prag të falimentimit ose kur shteti përballet me fatkeqësi të mëdha natyrore.
“Paramendojeni këto paga shumë të ulëta, por edhe ato nuk po jepen. Ne themi që paga minimale, në kushte normale, nuk guxon të jepet në raste konkrete. Paga minimale mund të jepet vetëm atëherë kur një kompani shkon drejt falimentimit ose kur një shtet përballet me ndonjë fatkeqësi të madhe, përndryshe, në kushte normale, paga duhet të jetë më e lartë sesa minimumi i përcaktuar”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka fajësuar edhe Drejtorinë e Shëndetësisë në Klinë për mosadresimin e këtij problemi.
“Pronari i kompanisë është dashur ta bëjë kalkulimin dhe t’ua paraqesë institucioneve përkatëse mjetet financiare, në këtë rast Drejtorisë së Shëndetësisë së Klinës, por këta të fundit nuk janë marrë me këtë problem, duke menduar se kjo çështje do të kalojë në heshtje”, ka përfunduar Azemi.
Telegrafi ka kontaktuar edhe drejtorin e Shëndetësisë në Klinë, Agron Bacaj, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/