TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Marrëveshja e financimit mes Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027” synon transferimin e praktikave më të mira europiane në politikëbërje.
Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje në komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC, Klajdi Demko theksoi se ratifikimi i marrëveshjes mundëson pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë në një nga programet më të rëndësishme të BE-së për përmirësimin e politikave publike.
“Marrëveshja synon bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe transferimin e praktikave më të mira europiane. Programi ‘Interreg Europe’ është një nga programet me shtrirjen më të gjerë gjeografike që përfshin 27 vende anëtare të BE-së, 7 vende IPA si dhe Danimarkën dhe Zvicrën”, u shpreh Demko.
Synimi kryesor i këtij programi, sipas tij, “nuk është financimi i investimeve publike, por përmirësimi i politikëbërjes publike përmes rritjes së kapaciteteve institucionale, shkëmbimit të njohurive dhe integrimit të praktikave të suksesshme europiane.
Në këtë kuadër, Demko theksoi se përfituesit kryesor janë institucionet publike në nivel kombëtar, vendor dhe qendror, si dhe organizatat fitimprurëse të cilat përmes bashkëpunimit rajonal përmirësojnë mënyrën se si zbatojnë politikat e zhvillimit.
Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë program deri në këtë fazë ka qenë konkrete dhe e suksesshme.
Aktualisht, sipas tij, janë 35 përfitues të angazhuar në zbatimin e projekteve në kuadër të “Interreg Europe”, me një vlerë totale të kontraktuar 3.7 milionë euro.
“Ky nivel përfitimi ka kaluar parashikimet fillestare të 2 milionë eurove. Duhet pasur parasysh se ‘Interreg Europe’ është program me numër shumë të lartë të vendeve anëtare dhe për rrjedhojë me një konkurrencë shumë të lartë për fondet”, shtoi Demko.
Kjo, sipas tij, dëshmon rritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare për të konkurruar me sukses në programet europiane dhe për të zbatuar projektet komplekse në partneritet me homologët e tyre në BE.
Demko theksoi se ratifikimi i kësaj marrëveshje është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë ligjore dhe institucionale të pjesëmarrjes së Shqipërisë në programe si dhe për t’i krijuar institucioneve shqiptare sigurinë e nevojshme për zbatimin e projekteve aktuale në të ardhmen.
“Në të njëjtën kohë kjo marrëveshje kontribuon drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian duke ndihmuar administratën publike të përafrojë qasjet, standardet dhe praktikat e saj me ato të BE-së. Miratimi i këtij projektligji nuk përfaqëson vetëm një detyrim formal ndërkombëtar, por është një investim strategjik në kapacitetet institucionale të vendit në përmirësimin e politikave publike dhe në forcimin e rolit të Shqipërisë në BE”, shtoi Demko. /j.p/
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, foto: Andrin Hoxha
The post Pjesëmarrje e plotë e Shqipërisë në programin e BE-së për përmirësimin e politikave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.