
Gjithçka duket se ka ndryshuar në pak kohë rreth “Old Trafford”, falë dikujt që riktheu rregullin aty ku mbizotëronte kaosi. Ai është Michael Carrick, me të cilin Manchester United ka kaluar nga një skuadër e brishtë dhe e çorganizuar në një makineri pikësh brenda vetëm disa javësh.
Katër fitoret radhazi në Ligën Premier tani nënkuptojnë vendin e katërt dhe, rrjedhimisht, një vend në Ligën e Kampionëve. Ka një ndryshim të qartë në shifra, në sistem, në vendimmarrjen në fushë dhe mbi të gjitha në identitetin e klubit, pas shkarkimit të Ruben Amorim. Një rikthim te normaliteti, i mundësuar nga dikush që e ka përjetuar një United ndryshe nga ai që ka luftuar prej vitesh për të rigjetur identitetin.
Me të, “Djajtë e Kuq” ia besuan stolin dikujt që e njeh “Old Trafford” si pak kush tjetër. 12 sezone me United (2006–2018), 464 paraqitje dhe 24 gola, një karrierë e ndërtuar mbi inteligjencë taktike dhe aftësi për t’u përshtatur. Ai luajti si mesfushor mbrojtës, si qendërmesfushor, deri sa u rishpik si qendërmbrojtësi nën Sir Alex Ferguson në sezonin 2012/13, të shoqëruar me shumë lëndime.
Një njeri që mbajti edhe shiritin e kapitenit, duke e trashëguar nga Wayne Rooney, para se të detyrohej të tërhiqej. Ai kishte treguar se pas një ndjesie të pazakontë në ndeshjen kundër Burtonit iu nënshtrua testeve, ku rezultoi se shkaku ishte aritmia kardiake. Një pengesë që e kapërceu, duke u rikthyer në futboll pas pensionimit në vitin 2018. Një lamtumirë nga loja, por jo nga futbolli që për të është si një lëkurë e dytë.
Ndikimi i menjëhershëm: Shifra dhe renditje
“Të drejtosh Manchester Unitedin është nder. E di çfarë duhet për të pasur sukses këtu”, kishte thënë Carrick kur u zyrtarizua. Janë fjalët e një njeriu që ka fituar gjithçka: pesë tituj të Ligës Premier, një Ligë të Kampionëve, një Liga Evropa, një Kupë Bote për Klube, një FA Cup dhe dy Kupa të Ligës.
Nuk është hera e parë që drejton Unitedin, pasi pas pensionimit iu bashkua stafit fillimisht te Mourinho dhe më pas te Solskjaer, duke marrë ekipin përkohësisht në vitin 2021 pas largimit të norvegjezit. Tre ndeshje pa humbje: fitore ndaj Villarrealit, barazim me Chelsean dhe fitore ndaj Arsenalit.
Pas rikthimit, Carrick vazhdoi aty ku e kishte lënë: 12 pikë në katër ndeshje, krahasuar me shtatë në pesë ndeshjet e para të Amorim. Menjëherë pasuan fitore të rëndësishme ndaj Cityt, Arsenalit, Fulhamit dhe Tottenhamit. Ishte seria e parë prej katër fitoresh që United e arrinte që nga shkurti i vitit 2024, nën Erik ten Hag.
Si e ndryshoi Carrick Manchester Unitedin
Ndryshimi ishte kryesisht taktik. Një vijë me katër mbrojtës, mbrojtës krahu më të kujdesshëm për të mbrojtur qendërmbrojtësit nga kundërsulmet dhe më shumë balancë mes reparteve. Një strukturë e thjeshtë që riktheu siguri në një skuadër që ka ndryshuar shumë ndër vite, me vetëm pesë lojtarë që kanë mbetur nga viti 2021: Bruno Fernandes, Amad Diallo, Maguire, Dalot dhe Shaw.
Carrick meriton kredi edhe për rivlerësimin e lojtarëve që dukeshin me rol dytësor. Një shembull është ish-lojtari i Lecces, Patrick Dorgu, i cili si mbrojtës krahu në skemën 3-4-2-1 të Amorim dukej i tepërt me rikthimin te 4-2-3-1. Carrick e rishpiku si mbrojtës të majtë ofensiv në mbështetje të Cunhas. Rezultati? Dy gola vendimtarë: fillimisht kundër Cityt dhe më pas një gjysmë-vole shumë e bukur nga skaji i zonës kundër Arsenalit për 2-1 në minutën e 50-të.
Guximi për t’u besuar të rinjve
Carrick nuk ka frikë të marrë rreziqe. Ai shfrytëzon Akademinë dhe u jep minuta atyre që e meritojnë. Tyler Fletcher, i lindur në vitin 2007 dhe pjesë e ekipit U21, u aktivizua në minutat e fundit për të përjetuar atmosferën e Ligës Premier kundër Tottenhamit.
Lëvizja më përcaktuese e menaxhimit të tij mbetet ringjallja e Kobbie Mainoo. Me dy asistime në katër ndeshje, ai është bërë titullar i rregullt pas muajsh neglizhence. Amorim e kishte lënë në hije, por Carrick e ka rikthyer në qendër të projektit. Ai kishte theksuar se lojtari është i ri dhe duhet pasur kujdes të mos ngarkohet me shumë përgjegjësi, duke shtuar se ende po mëson, por ndikimi i tij është i madh.
Edhe një lojtar me përvojë si Bruno Fernandes përfitoi nga ndryshimi. Katër asistime dhe një gol nën drejtimin e Carrick, paraqitje të qëndrueshme dhe një lidership i rifreskuar. Kapiteni ka thënë se Michael u ka dhënë lojtarëve lirinë për të marrë përgjegjësi dhe për të marrë vendime, duke shtuar se ai mund të bëhet një trajner i madh dhe po e dëshmon këtë.
Objektivi Liga e Kampionëve dhe një premtim për t’u mbajtur
Pas vendit të tetë në sezonin 2023/24 dhe të pesëmbëdhjetit në 2024/25 nën Amorim, Manchester United tani mund të rikthehet më në fund në Ligën e Kampionëve. Një arritje e tillë do të fshinte edhe fushatën e fundit zhgënjyese në Evrope, e cila përfundoi me gjashtë humbje në fazën e grupeve.
Ndërkohë, te tifozët po rritet pritja për një fitore të pestë radhazi: një triumf të martën ndaj West Ham do të mjaftonte që tifozi i njohur Frank Ilett (TheUnitedStrand) të mbajë premtimin dhe më në fund t’i presë flokët pas më shumë se një viti./Telegrafi