Shkelje të evidentuara, por pa sanksione, çfarë thotë raporti i KPM-së për zgjedhjet? Flet Niman Racaj
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar raportin e monitorimit të mediave audio-vizuale gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025.
KPM ka identifikuar një sërë shkeljesh gjatë monitorimit të mediave në fushatën zgjedhore, por për shkak të mungesës së kuorumit në Komision, këto gjetje nuk janë shoqëruar me vendime apo sanksione.
Në “Përballje Podcast”, Niman Racaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së, ka sqaruar se roli i institucionit gjatë procesit zgjedhor ka qenë monitorimi i mediave dhe zbatimi i Ligjit për Zgjedhjet dhe rregulloret përkatëse.
- YouTube www.youtube.com
“KPM-ja ka përcjellë të gjitha mediat që kanë mbuluar fushatën zgjedhore dhe ka monitoruar trajtimin e barabartë dhe të drejtë të subjekteve politike, komunikimet politike dhe komerciale, si dhe respektimin e heshtjes zgjedhore”, ka deklaruar Racaj, shkruan Telegrafi.
Shkelje të përsëritura, mosidentifikim i reklamimit politik
Sipas Racajt, gjetjet e raportit tregojnë se problemet mbeten të njëjta nga zgjedhjet në zgjedhje, veçanërisht në aspektin e transparencës së reklamimit politik. Shkeljet më të zakonshme janë, sipas tij: mosidentifikimi i duhur i reklamimit politik, përdorimi i fëmijëve në spote politike, sponsorizimi i emisioneve politike, reklamimi me ekran të ndarë dhe vendosja e produkteve në emisionet e çështjeve aktuale, si dhe mosrespektimi i periudhës së heshtjes zgjedhore.
“Vazhdojmë të kemi mosidentifikimin e duhur të spoteve politike. Nuk tregohet se kush qëndron prapa spotit politik dhe kush është sponsorizuesi i përmbajtjes, edhe pse këto janë kërkesa minimale ligjore”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se shumica e shkeljeve kanë qenë të natyrës teknike, por një çështje më problematike mbetet përdorimi i fëmijëve në aktivitetet politike.
“Përdorimi i fëmijëve për përçimin e mesazheve politike është i ndaluar, sepse ata janë nën moshën madhore dhe nuk janë të vetëdijshëm për ekspozimin që kanë ndaj mesazheve politike”, ka deklaruar Racaj.
Niman Racaj nga KPM me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova
Pa ankesa zyrtare gjatë zgjedhjeve
Një element i veçantë i këtyre zgjedhjeve, sipas KPM-së, ka qenë mungesa e ankesave formale.
“Në zgjedhjet e fundit nuk kemi pasur asnjë ankesë. Kjo për ne është tregues se mediat kanë qenë në pajtim me obligimet ligjore”, ka thënë Racaj, duke sqaruar se mungesa e ankesave nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë absolute të problemeve.
Ai ka theksuar se barazia në mbulim nuk mund të kuptohet në kuptim matematikor, pasi prezenca mediatike varet nga aktiviteti politik i subjekteve.
“Është e pamundshme të krijohet barazi matematikore. Subjektet me më shumë aktivitete politike, logjikisht, kanë edhe më shumë hapësirë mediatike”, ka theksuar ai.
Puna e Zyrës Ekzekutive pa vendime përfundimtare
Racaj ka sqaruar se Zyra Ekzekutive e KPM-së ka funksionuar gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke komunikuar me mediat për përmirësimin e shkeljeve të identifikuara.
“Logjika e punës së KPM-së është që përmes komunikimit t’i sjellë mediat në pajtueshmëri, e jo domosdoshmërisht përmes sanksionimit”, ka thënë ai.
Megjithatë, mungesa e një Komisioni funksional ka pamundësuar nxjerrjen e vendimeve përfundimtare.
“Është mëkat që nuk kemi pasur një Komision funksional për ta materializuar punën e Zyrës Ekzekutive dhe për të nxjerrë vendime mbi të gjeturat”, ka deklaruar Racaj, duke përmendur se raporti përfundimtar përfshin mbi 100 faqe analizë.
Inteligjenca artificiale dhe përgjegjësia editoriale
Duke folur për inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj në media, Racaj ka theksuar se transparenca duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo rregullimi në këtë fushë.
“Çdo përmbajtje e prodhuar me inteligjencë artificiale duhet të jetë transparente dhe të tregohet qartë që është e tillë, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion te publiku”, ka deklaruar ai.
Niman Racaj nga KPMFoto:Ridvan Slivova
Ai ka nënvizuar se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore dhe editoriale.
“Inteligjenca artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë. Përgjegjësia bie mbi atë që e publikon përmbajtjen”, ka shtuar Racaj.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar edhe nevojën urgjente për edukim medial në Kosovë.
“Edukimi medial është bërë shumë më i domosdoshëm, sidomos me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe platformave të reja”, ka përfunduar Racaj. /Telegrafi/
