Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Zbulohet lojtari ‘sekret’ i cili iu ofrua Man Unitedit në janar, por klubi refuzoi transferimin e tij

7 February 2026 at 23:50


Manchester United thuhet se iu ofrua mundësia për të transferuar një ish-mesfushor të Ligës Premier gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk u realizua.

“Djajtë e Kuq” nuk afruan asnjë lojtar gjatë merkatos së dimrit, pasi verën e kaluar kishin transferuar Benjamin Sesko, Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Senne Lammens.

Megjithatë, Manchester United pritet të kërkojë përforcime në mesfushë në të ardhmen e afërt, veçanërisht për të zëvendësuar Casemiron, i cili do të largohet nga klubi pas skadimit të kontratës së tij në fund të sezonit 2025/26.

Disa emra janë lidhur vazhdimisht me një transferim të mundshëm në “Old Trafford”, përfshirë Elliot Anderson të Nottingham Forest, Carlos Baleba të Brighton dhe Adam Wharton të Crystal Palace.

Megjithatë, United mund të kishte pritur që një tjetër lojtar me përvojë në Ligën Premier të bashkohej me skuadrën që në janar, pasi një mundësi konkrete iu ishte ofruar klubit anglez.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, ish-mesfushori i Leicester City dhe aktualisht pjesë e Besiktas, Wilfred Ndidi, iu ofrua Manchester Unitedit si një “opsion me kosto të ulët” gjatë afatit të dimrit, ndërsa lojtari ishte i interesuar për këtë lëvizje.

“Në aspektin e transferimeve, mund t’ju them se Wilfred Ndidi, ish-mesfushori i Leicester dhe tani te Besiktas, iu ofrua Manchester Unitedit”, deklaroi Romano në podcastin Here We Go këtë javë.

“Ishte një opsion me kosto të ulët dhe lojtari ishte shumë i interesuar për transferimin, por United vendosi menjëherë të mos vazhdojë tutje”.

“Ata patën mundësinë të realizonin një marrëveshje të tillë, por zgjodhën të mos e bëjnë”, përfundoi ai.

Ndidi ka një përvojë të madhe në Ligën Premier, ku ka luajtur për Leicester City mes viteve 2017 dhe 2025, duke regjistruar gjithsej 303 paraqitje me fanellën e “Dhelprave”./Telegrafi/

Lamine Yamal futet në librin e rekordeve pas golit spektakolar ndaj Mallorcas

7 February 2026 at 23:00


Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, ka vazhduar serinë e tij të jashtëzakonshme të golave me një goditje spektakolare ndaj Mallorcës, duke arritur kuotën e 40 golave në 136 paraqitje me ekipin e parë, në moshën vetëm 18-vjeçare.

Sipas të dhënave të Opta, Yamal ka shënuar tashmë 24 gola në 92 ndeshje në LaLiga, duke u bërë lojtari nën moshën 19 vjeç me numrin më të madh të golave në pesë ligat kryesore evropiane në shekullin e 21-të.

Me këtë shifër, ai ka lënë pas edhe Kylian Mbappe, i cili në të njëjtën moshë kishte realizuar 23 gola.

Në këtë sezon, talenti i Barcelonës ka shënuar 15 gola dhe ka dhënë 13 asistime në të gjitha garat, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës katalanase.

LAMINE YAMAL. THIS IS NOT FAIR.

Greatest Player itw at 18? pic.twitter.com/OKw0pjA49X
— sea (@neverlie) February 7, 2026

Seria e tij pozitive përfshin gola në tre ndeshjet e fundit të La Ligas, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve ndaj Kopenhagës, si dhe në përballjen e Kupës së Mbretit ndaj Albacetes.

Aktualisht, vetëm Ferran Torres, me 16 gola, ka realizuar më shumë gola se Yamal për Barcelonën në këtë sezon./Telegrafi/

Ftesa e Ismet Munishit që t’i bashkohej në Slloveni – pse nuk ndodhi transferimi

7 February 2026 at 22:13


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Ademi tregon për raportin që kishte pasur me Ismet Munishin, të cilin e kishte pasur bashkëlojtar te Kombëtarja e Kosovës.

Ai zbulon se si Munishi i kishte bërë ftesë që t’i bashkohej në Slloveni, transferim i cili në fund nuk u realizua.

“Është e vërtetë, është e vërtetë, Ismet Munishi ka qenë bashkëlojtar i imi në reprezentacion. Nuk kemi pasur fatin të jemi bashkëlojtar, kemi qenë bashkëlojtar në një periudhë të shkurtë nja dy javë ose tri në Flamurtar, por shumë shkurtë në 93-tën”.

“Kështu që unë me të vërtetë e ndiej veten shumë të kënaqur, të privilegjuar, që i takoj në njëfarë mënyre epokës së Ismet Munishit që e kam pasur edhe si kundërshtar në të shumtën e rasteve, por edhe bashkëlojtar në atë periudhën e shkurtë”.

“Ismeti ka qenë në atë kohë futbollist cilësor edhe karrierën e kishte vazhduar në Slloveni. Edhe ka qenë një ekip, nëse nuk gaboj mos ka qenë Olimpia ose ndoshta në Maribor”.

“Edhe më thërret Ismeti bashkë me menaxherin e njohur dhe njeriun që ka kontribuar shumë për futbollin e Kosovës, Nexhmedin Haxhiu, edhe thonë kanë shprehur interesim që të vish te Olimpia”, rrëfen Ademi.

Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Yesterday — 7 February 2026Main stream

Juventusi hoqi dorë nga mundësia e huazimit të yllit të Real Madridit në janar

7 February 2026 at 21:31


Sipas Calciomercato, Juventusi ka hequr dorë nga mundësia për të transferuar në formë huazimi sulmuesin brazilian Endrick nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Klubi bardhezi kishte shqyrtuar këtë opsion që në muajin nëntor, për shkak të shqetësimeve lidhur me repartin ofensiv.

Jonathan David dhe Lois Openda, të afruar gjatë verës së kaluar, nuk kishin arritur të përmbushnin pritshmëritë, duke e shtyrë Juventusin të kërkonte një sulmues të ri të tipit “numër nëntë”.

Gjatë këtij procesi, në radar të Juventusit ishin edhe emra të tjerë si Jean-Philippe Mateta, Youssef En-Nesyri dhe Randal Kolo Muani, çka dëshmon urgjencën e klubit për përforcime në sulm.

Sipas raportimeve, ishte rrethi i Endrick që iu afrua Juventusit me propozimin për huazim, por drejtuesit bardhezinj vendosën përfundimisht të mos e pranojnë marrëveshjen.

Arsyeja kryesore lidhej me faktin se huazimi nuk përfshinte një opsion blerjeje, gjë që, sipas Juventusit, do të forconte një aset të një klubi tjetër pa garantuar mundësinë për ta siguruar lojtarin në mënyrë permanente në rast se ai do të shkëlqente.

Pas kësaj, Endrick u transferua te Lyon në formë huazimi të thjeshtë. Sulmuesi 19-vjeçar ka lënë menjëherë gjurmë, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë një asist në pesë paraqitjet e para, çka thekson potencialin që Juventusi zgjodhi të mos shfrytëzojë.

Endrick u ble nga Real Madridi në verën e vitit 2024 për një shifër pak më të ulët se 50 milionë euro, ndërsa ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2030, duke mbetur një lojtar për t’u ndjekur me vëmendje edhe në muajt në vijim./Telegrafi/

Mbrojtësi kampion i Dritës, Fadil Ademi, flet hapur për pagën që merrte nga presidenti Selami Osmani – Bezi

7 February 2026 at 21:02


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Ademi ka treguar haptas pagën që kishte marrë gjatë kohës sa kishte qenë futbollist profesionist nga presidenti Selami Osmani – Bezi.

“Po ju jeni gazetarë, besoj atë punën tuaj që e bëni por jo nuk prishë punë. Ato kanë qenë para që ne normalisht i kemi merituar, edhe ata që i kanë dhënë, i kanë dhënë ndershëm edhe jemi falënderues”.

“Unë jam paguar 18 mijë marka në atë kohë, plus e kam pasur rrogën diku 600-700 marka, që i binte rrogë mujore diku afër 1000 marka me disa premia që i kemi pasur”.

“Po e kemi pasur një ciklus, nuk po më kujtohet saktë, por kemi pasur një ciklus jemi shpërblyer me premi dhe normal kemi shkuar me ambicie, me objektiva të qarta”.

“Atë kohë kemishkuar, përveç profesorit si trajner i dëshmuar, i konfirmuar për futboll të Kosovës gjithsesi, por edhe në rajon”, rrëfen mes tjerash Ademi.

Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Paradite luajti ndeshjen, pasdite u martua – Fadil Ademit babai nuk i foli dy javë

7 February 2026 at 19:34


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Ademi ka ndarë një nga episodet më të veçanta të jetës së tij, ku tregoi se dita e martesës së tij përkoi me një ndeshje vendimtare në sezonin e vitit1995, kur ekipi i tij luftonte për mbijetesë në Ligën Unike.

“Më 12 nëntor 1995, unë veç e kishim vendosur t’i japim fund beqarisë, të martohemi me bashkëshorten Hamiden edhe u caktua data”.

“Por ne në të njëjtën ditë e kishim edhe një ndeshje shumë të rëndësishme. Në 1995, ku luhej Liga Unike edhe neve na nevojiteshin ato tre pikë, edhe normalisht duhej që unë të isha aty sepse isha një prej atyre lojtarëve të rëndësishëm që bartnim barrën së bashku me lojtarët e tjerë siç ishin Avdyl Kaqiu, Naim Beka, Luan Dibra, Ismet Mulolli, Bajram Krasniqi mos ta harrojë edhe ndonjë”.

“Ndodhi që u caktua data në ditën e ndeshjes edhe si përpara siç kanë qenë zakonet, dasmat zakonisht organizoheshin 4-5 ditë përpara, fillonte të enjten deri të dielën”.

“Ata e dinin se unë do të martohem ditën e diel edhe si me ia bë, iu thashë po më vjen shumë keq, jam i vetëm në shtëpi, data është caktuar, nuk mund të vij”.

“Edhe të enjten dasma ka filluar, më duket se ka qenë e premte. Ka ardhur profesori Bylbyl Sokoli, Shaban Baholli. Kanë ardhur të më urojnë për dasmën time që po martohem, por në të njëjtën kohë të bisedojnë me babain tim si t’ia bëjmë që Fadili të vijë në ditën e ndeshjes”, rrëfen mes tjerash Ademi.

Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

Chelsea tregon forcën ndaj Wolves, shkëlqen Palmer me het-trik

7 February 2026 at 18:12


Chelsea ka arritur një fitore të rëndësishme në Ligën Premier, duke mposhtur Wolves me rezultatin 3-1 në një ndeshje ku “Blutë e Londrës” treguan superioritet në pjesën e parë.

Takimi u zhbllokua në minutën e 13-të, kur Wolves shkaktoi një faull në zonë, dhe gjyqtari Jarred Gillett akordoi penallti për Chelsea.

Cole Palmer u pozicionua para topit dhe me qetësi shënoi në këndin e poshtëm të djathtë, duke e dërguar portierin Jose Sa në drejtim të gabuar dhe duke i dhënë avantazhin mysafirëve për 1-0.

Vetëm 22 minuta më vonë, Chelsea dyfishoi shifrat. Në minutën 35-të, Palmer fitoi përsëri nga pika e bardhë pas një ndërhyrjeje të gabuar të Yerson Mosquera brenda zonës.

Sulmuesi anglez nuk gaboi, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe duke vënë ndeshjen në një pozicion të favorshëm për Chelsea.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Chelsea shënoi golin e tretë. Në minutën e 38-të, Marc Cucurella bëri një vrapim të shkëlqyer në krah, ndërsa topi u shërbye në mënyrë perfekte te Cole Palmer, i cili me një goditje të bukur e dërgoi topin në pjesën e sipërme të rrjetës për 3-0.

Përpjekjet e Wolves për të rihapur ndeshjen u materializuan në minutën 54-të, kur Toluwalase Arokodare shfrytëzoi një top të rënë pas një këndi dhe e mposhti portierin e Chelsea me një goditje të saktë në zone për 3-1.

Me këtë fitore Chelsea shkon në kuotën e 43 pikëve dhe aktualisht renditet e pesta në tabelën e klasifikimit./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Arsenali triumfon me lehtësi ndaj Sunderlandit

7 February 2026 at 17:57


Arsenal ka shënuar një fitore të rëndësishme në Ligën Premier, duke mposhtur Sunderlandin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e cila i takoi javës së 25-të.

Rastin e parë serioz për gol Arsenali e pati në minutën e 30-të me anë të Declan Rice, por topi shkoi fare pranë shtyllës.

Ndeshja u ndez në minutën e 42-të, kur Martin Zubimendi shënoi me një vole të bukur nga skaji i zonës, pas asistimit të Leandro Trossard për rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë, vendasit gjetën edhe golin e radhës. Në minutën 66-të, Kai Havertz dha një pasim të saktë në zonë për Viktor Gyökeres, i cili nuk gaboi dhe shënoi në këndin e poshtëm të majtë të portës për 2-0.

Sunderland u përpoq të mbrohej dhe të godiste me kundërsulme, por nuk arriti të rrezikonte në mënyrë reale portën e Arsenalit.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Arsenali ia doli të shënojë edhe golin e tretë ku sërish në skenë doli Gyokeres që realizoi për 3-0.

Me këtë fitore ‘Topçinjtë’ shkojnë në kuotën e 56 pikëve në kampionatin anglez, nëntë më shumë se Man City në pozitën e dytë që ka 47 sosh, por me një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Historitë e pathëna nga futbolli kosovar dhe momentet vendimtare të karrierës – Fadil Ademi, mysafir në “Arena e Yjeve”

7 February 2026 at 17:16


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.

Gjatë bisedës, Fadil Ademi rrëfeu një histori të veçantë nga jeta e tij, kur paradite zhvilloi një ndeshje futbolli, ndërsa pasdite u martua. Ai tregoi se ky veprim bëri që babai i tij të mos i fliste për dy javë.

Ish-mbrojtësi kampion i Dritës foli hapur edhe për pagën që merrte në kohën kur ishte pjesë e klubit, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin Selmani Osmani – Bezi dhe mënyrën se si funksiononte klubi në atë periudhë.

Ademi u ndal edhe te ftesa që kishte marrë nga Ismet Munishi për t’iu bashkuar një klubi në Slloveni, duke shpjeguar pse ky transferim nuk u realizua.

Një tjetër temë e trajtuar ishte edhe ftesa e Kosovës për ndeshjen madhështore ndaj Shqipërisë, si dhe kartoni i kuq që shënoi një moment të veçantë në karrierën e tij.

Në fund, Fadil Ademi foli për suksesin e madh kur u shpall kampion me Hysin si trajner, duke kujtuar rikthimin e jashtëzakonshëm të skuadrës, e cila nga 9 pikë minus arriti ta fitojë trofeun.

Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Ermal Krasniqi shkëlqen me dy asistime në barazimin e Legia Varshavës

7 February 2026 at 17:01


Legia Varshava ka luajtur baras me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Arka Gdynias në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit polak.

Një prej meritorëve që gjiganti polak ia doli të largohej nga ky terren me të paktën një pikë ishte ylli kosovar Ermal Krasniqi.

Reprezentuesi i Kosovës ishte në disponim mjaft të madh për lojë dhe këtë e dëshmoi me dy asistimet që bëri në këtë sfidë.

Që të dyja asistimet e Krasniqit erdhën në minutat e fundit të ndeshjes.

Fillimisht, ai asistoi në minutën e 90-të për Emre Colak i cili shënoi për të ngushtuar shifrat në 2-1 (VIDEO).

Ishte pikërisht kjo dyshe që doli në skenë sërish vetëm pak minuta më vonë, ku Krasniqi asistoi sërish në drejtim të Colak, me këtë të fundit që realizoi për rezultatin përfundimtar 2-2 në minutën e 94-të (VIDEO).

27-vjeçari tani ka shkuar në shifrën e katër asistimeve pas 16 ndeshjeve në kampionatin polak, teksa ka edhe dy gola të realizuar./Telegrafi/

Zbulohen prapaskenat: Juventusi refuzoi një ofertë të minutës së fundit nga Milani për yllin e skuadrës

7 February 2026 at 16:51


Sipas gazetës Tuttosport, Milani po kërkon tashmë një qendërmbrojtës për sezonin 2026/27, dhe ka pasur një ofertë të refuzuar nga Juventusi për Federico Gattin në fund të janarit.

‘Rossonerët’ kanë dërguar një ofertë në minutat e fundit për mbrojtësin e Juventusit këtë të dielë, por 'Bianconerët' e refuzuan propozimin, pasi ishin në prag të dërgimit të Daniele Ruganit te Fiorentina.

Sipas Tuttosport, përpjekja e dështuar për të transferuar Gattin nuk e ka mbyllur interesin e Milanit për të, pasi mbrojtësi është shumë i vlerësuar nga trajneri Massimiliano Allegri.

Megjithatë, Milani ka vendosur të shikojë edhe alternativa të tjera. Nuk është sekret që Mario Gila i Lazios është një nga objektivat kryesorë të klubit për verën.

Igli Tare, i cili tani është në Milan, e solli Gilën te Lazio në vitin 2022, duke e blerë nga Real Madridi për 5 milionë euro plus një klauzolë 50% nga një shitje e ardhshme.

Kontrata e Gilës skadon në qershor 2027, dhe ai ka informuar tashmë Lazion se nuk është i interesuar për një rinovim.

Lazio kërkon 20 milionë euro për Gilën, por mbrojtësi do të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratë kur të vijë vera, dhe marrëdhënia e shkëlqyer mes Tares dhe agjentit të lojtarit mund të lehtësojë një transferim në “San Siro” me një shumë më të ulët./Telegrafi/

Juventusi njofton rinovimin e kontratës së Kenan Yildiz

7 February 2026 at 16:30


Juventusi ka njoftuar zyrtarisht rinovimin e kontratës së Kenan Yildiz, duke e mbajtur sulmuesin turk në klub deri në vitin 2030.

Marrëveshja e re parashikon një rritje të ndjeshme të pagës së Yildiz, e cila nga 1.7 milionë euro rritet menjëherë në 6 milionë euro, ndërsa nga sezoni i ardhshëm do të arrijë në 7 milionë euro, plus bonuset.

Ky njoftim vjen pas muajsh negociatash të zhvilluara nga drejtori sportiv Damien Comolli me familjen dhe rrethin e ngushtë të lojtarit, duke siguruar kështu që Juventusi të ruajë një nga talentët më premtues të së ardhmes së tij.

Klubi e ka cilësuar këtë rinovim si një hap kyç, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e bardhezinjve.

Trajneri Luciano Spalletti e ka vlerësuar vazhdimisht Yildizin për cilësitë e tij teknike, duke e përshkruar atë me fjalë shumë të veçanta.

“Ai është si një alien, ndonjëherë bën gabime vetëm për të parë nëse mund të jetë normal, por nuk mundet. Ai nuk do të jetë kurrë një lojtar i zakonshëm, mbetet i jashtëzakonshëm”, ka thënë Spalletti për yllin turk.

Juventusi po planifikon edhe një festë të veçantë për rinovimin e kontratës, e cila do të shoqërohet me video, fotografi dhe përmbajtje të dedikuar në rrjetet sociale.

Njoftimi përkon me ndeshjen që Juventusi zhvillon ndaj Lazios në “Allianz Stadium”, ku pritet prania e rreth 41 mijë tifozëve, ndërsa nuk përjashtohet edhe prezenca e kryetarit John Elkann./Telegrafi/

Barcelona përgatit 180 milionë euro për të mbyllur tri super transferime

7 February 2026 at 16:08


Barcelona po përgatitet për një verë që mund të përbëjë një pikë kthese në projektin e saj sportiv. Në qytetin katalanas po rritet optimizmi lidhur me situatën ekonomike të klubit dhe, në rrethet e brendshme, ekziston bindja se për herë të parë pas një kohe të gjatë, klubi do të jetë në gjendje t’i qaset tregut të transferimeve me ambicie të vërtetë.

Me vetëm disa milionë euro të mbetura për të përmbushur rregullin 1:1 të ‘Fair-play financiar, drejtuesit janë të bindur se ky objektiv do të arrihet para hapjes së afatit kalimtar veror.

Nëse kjo ndodh, plani është i qartë: të investohet fuqishëm në tre përforcime të nivelit të lartë, të afta për ta ngritur ndjeshëm nivelin konkurrues të skuadrës.

Emri i parë në listë nuk është sekret – Marcus Rashford. Sulmuesi anglez, i huazuar nga Manchester United deri në fund të sezonit, e ka bindur klubin pavarësisht se ende nuk ka shfaqur formën e tij më të mirë.

Barcelona beson se ka hapësirë për përmirësim të performancës së tij dhe se, në kontekstin taktik të ekipit dhe me besimin e stafit teknik, ai mund të bëjë një hap të madh përpara.

Vendimi është marrë: Barcelona është e gatshme të paguajë 30 milionë eurot e përcaktuara në klauzolën e blerjes. Për drejtimin sportiv, kjo shihet si një mundësi tregu e vështirë për t’u gjetur.

Përforcimi i dytë synon të jetë goditja e madhe ofensive e verës. Barcelona dëshiron Julian Alvarez dhe interesi është real. Sulmuesi i Atletico Madrid është vlerësuar prej kohësh në “Camp Nou”, ndërsa edhe vetë lojtari ka shfaqur gatishmëri në më shumë se një rast.

Klubi katalanas beson se çmimi i tij mund të sillet rreth 85 milionë euro, një shifër e konsiderueshme, por e menaxhueshme nëse përmbushet rregulli 1:1 dhe realizohen largime të rëndësishme nga skuadra.

Përforcimi i tretë lidhet me një nevojë strukturore dhe një dëshirë personale të drejtimit sportiv. Alessandro Bastoni është objektivi kryesor i Decos për forcimin e repartit defansiv.

Në moshën 26-vjeçare, Bastoni kombinon autoritetin, lidershipin dhe aftësitë e nivelit të lartë në ndërtimin e lojës nga prapavija, pikërisht ajo që Barcelona kërkon për mbrojtjen e saj.

Marrëveshja mund të mbyllet për rreth 70 milionë euro, me kusht që Interi të hapë rrugën për largimin e tij./Telegrafi/

Tifozët e Al Nassr i dërgojnë një mesazh të qartë Ronaldos pas bojkotimit të ndeshjes së dytë radhazi

6 February 2026 at 23:50


Tifozët e Al-Nassr i kanë dërguar një mesazh të qartë Cristiano Ronaldos, pasi ai mungoi për ndeshjen e dytë radhazi, mes raportimeve se sulmuesi portugez është në grevë.

Ronaldo nuk është përfshirë në listën e skuadrës së Al-Nassr për asnjë ndeshje që nga muaji janar, duke munguar në dy takimet e fundit të Superligës së Arabisë ndaj Al-Riyadh dhe Al-Ittihad.

Kjo situatë vjen pas raportimeve të mediumit portugez Record, sipas të cilit Ronaldo ndien Fondi i Investime Publike (PIF), i cili zotëron Al-Nassr, Al-Ittihad, Al-Ahli dhe Al-Hilal, po favorizon klubet e tjera në tregun e transferimeve.

Veprimet e 41-vjeçarit janë pritur me kritika të ashpra nga Superliga e Arabisë, e cila ka lëshuar një deklaratë duke dënuar grevën e Ronaldos.

Gjatë mungesës së Ronaldos në ndeshjen e së premtes ndaj Al-Ittihad, tifozët e Al-Nassr shfaqën mbështetje të fuqishme për yllin e tyre. Në tribuna u organizua një koreografi e veçantë, ku mbështetësit ngritën kartona me mbishkrimin “Ronaldo 7”, duke krijuar një “mur të verdhë” në stadium.

suii 🗣 pic.twitter.com/YQ5GAl6CUg
— NAIFINHO (@NAIF5INHO) February 6, 2026

Koreografia u shoqërua nga ritmi i daulleve, ndërsa tifozët brohoritnin vazhdimisht “Siu”, në shenjë dashurie dhe mbështetjeje për sulmuesin portugez.

Kjo shfaqje e tifozëve mund ta bindë Ronaldon të rikthehet shpejt në fushë, teksa fituesi i pesë Topave të Artë po ndjek edhe 39 gola për të arritur shifrën historike prej 1000 golash në karrierë.

Megjithatë, ekziston mundësia që Ronaldo të detyrohet t’i ndjekë këto gola larg Arabisë Saudite. Sipas The i Paper, klubi i fëmijërisë së tij, Sporting Lisbona, është i interesuar për ta rikthyer sulmuesin.

Ronaldo ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e tij, e cila mund të aktivizohet këtë verë. Sidoqoftë, zyrtarët arabë kanë tashmë një plan rezervë nëse ylli kryesor i ligës vendos të largohet.

Mohamed Salah dhe Bruno Fernandes do të ishin “përshtatje perfekte” për ta zëvendësuar Ronaldon si fytyrën kryesore të Superligës së Arabisë./Telegrafi/

Real Madridi kontakton me agjentin e yllit të Liverpoolit

6 February 2026 at 22:42


Real Madridi vazhdon kërkimet për një mbrojtës në afatin kalimtar të verës dhe është rikthyer te një opsion i mëparshëm, i cili dukej se ishte përjashtuar. “Los Blancos” kanë parë disa objektiva të tyre të bien dakord për transferime te klube të tjera gjatë muajve të fundit.

Pozita e mbrojtësit qendror mbetet një nga prioritetet kryesore në “Santiago Bernabeu” për verën e ardhshme, së bashku me përforcimin e mesfushës qendrore.

Pavarësisht afrimit të Dean Huijsen, largimet e mundshme të Antonio Rudiger dhe David Alaba në përfundim të kontratave të tyre do ta linin Real Madridin vetëm me Raul Asencio, Huijsen dhe Eder Militao në këtë repart.

Militao ka munguar në pjesë të mëdha të sezonit gjatë tre viteve të fundit për shkak të dëmtimeve, çka e ka shtuar edhe më shumë nevojën për një përforcim të ri në qendër të mbrojtjes.

Dy nga emrat që ishin në listën e dëshirave të Real Madridit ishin Marc Guehi dhe Dayot Upamecano, por të dy kanë rënë dakord për kontrata respektivisht me Manchester Cityn dhe Bayern Munichun.

Një tjetër emër që ishte përmendur edhe më herët është Ibrahima Konate, i cili është pa kontratë te Liverpooli.

Në muajin nëntor, Real Madridi kishte njoftuar klubin anglez se nuk po e ndiqte më transferimin e francezit, por javën e kaluar u raportua se Konate është rikthyer sërish në planet e klubit spanjoll.

Gazetari Matteo Moretto i ka dhënë më shumë peshë kësaj ideje në Radio Marca, duke theksuar se Real Madridi ka kontaktuar sërish agjentët e Konatés për të pyetur mbi situatën e tij.

Ndërkohë, Ramon Alvarez shton se një skenar i ngjashëm ishte ndjekur edhe në rastin e Antonio Rudiger, i cili u transferua si lojtar i lirë nga Chelsea, pasi fillimisht Real Madridi ishte tërhequr nga ndjekja e tij për t’u rikthyer më pas.

Përveç Koantes, në listë për përforcimin e mbrojtjes janë përmendur edhe talenti i akademisë Joan Martinez dhe mbrojtësi i Comos, Jacobo Ramon, i cili u shit nga Real Madridi te klubi i Serie A gjatë kësaj vere./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Kosova parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore

6 February 2026 at 21:49


Ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 ka nisur sonte (e premte) në Itali, duke shënuar fillimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.

Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt, ndërsa garat do të zhvillohen në dhjetë arena të shpërndara në tre rajone të Italisë veriore, me Milanon dhe Cortinën në qendër të vëmendjes.

Në këto Lojëra Olimpike Dimërore do të marrin pjesë 2,871 atletë nga 92 shtete, me një përfaqësim pothuajse të barabartë mes sportistëve dhe sportisteve. Programi përfshin 116 gara për medalje në 16 sporte dimërore.

Mes disiplinave që do të jenë pjesë e garave janë ski alpin, biatlon, hokej mbi akull, patinazh artistik dhe shpejtësie, skeleton, si dhe ski alpinizmi, i cili do të debutojë për herë të parë si disiplinë olimpike.

Kosova do të përfaqësohet në Milano–Cortina 2026 me dy skitarë, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.

Ata tashmë kanë parakaluar në ceremoninë madhështore të hapjes, e cila po mbahet në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano.

Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të debutojë në disiplinën e sllallomit./Telegrafi/

Zbulohet se si arriti Yamal ta kapërcejë lëndimin që e mundoi për muaj të tërë

6 February 2026 at 21:36


Ka qenë një sezon me ulje-ngritje për Lamine Yamalin, i cili në javët e fundit ka filluar t’i rikthehet nivelit të tij më të mirë te Barcelona.

Në fazën e hershme të edicionit, talenti i ri kishte probleme me pubalgjinë, gjë që ndikoi ndjeshëm në disa nga paraqitjet e tij.

Problemi u evidentua për herë të parë në muajin shtator dhe u përkeqësua gjatë angazhimeve me përfaqësuesen e Spanjës, çka bëri që Yamal të mungonte për disa javë.

Megjithatë, edhe pas rikuperimit fillestar, shqetësimi nuk u zhduk plotësisht.

Siç ka shpjeguar Santi Ovalle për Cadena SER, Lamine Yamal “nuk e dinte për dëmtimin, gjë që është normale, sepse është i ri dhe për të ishte diçka e re.

“Kishte ditë kur ishte perfekt dhe papritur një ditë tjetër dhimbja kthehej… dhe kjo e frustronte”, kanë thënë rrethi i ngushtë i futbollistit.

Pikërisht për këtë arsye, ai e pati të vështirë ta tejkalonte problemin, por situata u përmirësua dukshëm që nga muaji nëntor.

Në atë periudhë, Yamal iu nënshtrua një ndërhyrjeje të lehtë me radiofrekuencë në Belgjikë, e cila pastroi zonën e prekur nga pubalgjia.

Në javët pas ndërhyrjes, ai ende ndiente dhimbje herë pas here, por stafi mjekësor i Barcelonës e këshilloi të vazhdonte punën specifike në atë zonë, edhe në ditët kur nuk kishte dhimbje.

Ky moment rezultoi vendimtar dhe tani problemi konsiderohet pothuajse i tejkaluar.

Lamine Yamal e ka përballuar situatën me bindjen se do të bënte gjithçka për ta kapërcyer pubalgjinë dhe, për fat të mirë për të dhe për Barcelonën, duket se ia ka dalë, edhe pse menaxhimi i ngarkesës do të vazhdojë me kujdes./Telegrafi/

PSG në telashe të mëdha shkaku i Mbappes - ylli francez u ka dërguar përmbaruesin

6 February 2026 at 21:01


Avokatët e Kylian Mbappes kanë dërguar, sipas raportimeve të L’Equipe, një ekzekutor gjyqësor te PSG-ja për bonuset e papaguara të pushimeve, në vlerë 5.9 milionë euro.

Ky veprim vjen pasi klubi parisien nuk ka paguar pjesën e kompensimit që ishte urdhëruar më parë nga një gjykatë.

Në një vendim të mëparshëm, PSG-ja u urdhërua të paguajë Mbappes 60.9 milionë euro për bonuset e papaguara, ku 55 milionë euro përfshijnë paga dhe bonuse të tjera.

Nëse klubi nuk përmbush detyrimin, sistemi i drejtësisë mund të shkojë deri te sekuestro e pronave të PSG-së për të rimarrë shumën e detyrueshme.

Mbappe nuk ka komentuar publikisht për veprimin e fundit ligjor, por ka mbajtur qëndrim të prerë për të marrë të gjithë të drejtën e tij të plotë.

Rasti shton tensionet e vazhdueshme mes PSG-së dhe ish-kapitenit të tyre, tashmë te Real Madrid, për çështje financiare dhe kontraktuale.

Ekspertët ligjorë sugjerojnë se sekuestrimi mund të ekzekutohet brenda javësh, nëse PSG-ja dështon të shlyejë borxhin./Telegrafi/

Thellohet kriza e lëndimeve te Real Madridi, lëndohet edhe një tjetër lojtar i rëndësishëm

6 February 2026 at 20:24


Real Madrid ka konfirmuar se Rodrygo do të mungojë për një periudhë kohore pas një dëmtimi në kofshën e këmbës së djathtë.

Sulmuesi brazilian nuk stërviti të premten, pasi pësoi dëmtimin të enjten, dhe emri i tij është shtuar në listën e mungesave për udhëtimin drejt Valencias.

‘Los Blancos’ kanë lëshuar një komunikatë të premten në mbrëmje, pas raportimeve se Rodrygo ishte në dyshim për ndeshjen në “Mestalla”, duke konfirmuar kështu dëmtimin.

Sipas Cadena Cope, dëmtimi do ta mbajë Rodrygon jashtë fushës për rreth 10 ditë.

Kjo do të thotë se ai nuk do të luajë ndaj Valencias të dielën në mbrëmje, dhe është në dyshim për ndeshjen kundër Real Sociedad fundjavën tjetër.

Parte médico de Rodrygo.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 6, 2026

Në teori, ai do të ishte në dispozicion për të luajtur ndaj Benficas në Lisbonë, por për atë ndeshje është i pezulluar. Qëllimi kryesor është që ai të jetë i gatshëm për të përballuar Osasunan në “El Sadar” pas pak më shumë se dy javësh.

Kjo i shton dhimbjet e kokës Alvaro Arbeloas, teksa përgatiten për ndeshjen ndaj skuadrës së Carlos Corberan. Rodrygo pritej të luante në krahun e majtë të sulmit, në vend të Vinicius Junior, i cili është i pezulluar.

Edhe Jude Bellingham është në rikuperim për shkak të një dëmtimi të kofshës, që do të thotë se Real Madrid do të jetë pa tre yjet e tij të sulmit./Telegrafi/

“Njerëzit kanë qeshur me mua”, Granit Xhaka zbulon pse zgjodhi Sunderlandin

6 February 2026 at 19:26


Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet si një prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Ligën Premier. Në Angli, shumë njohës të futbollit e shohin edhe si transferimin më të mirë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që po ka te Sunderlandi.

Sunderlandi po udhëhiqet në fushë nga Xhaka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës. Ekipi është i vetmi në Ligën Premier pa humbje në shtëpi dhe po synon të sigurojë një vend në Evropë. Kthimi i Sunderlandit në elitë erdhi pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën si lider i mesfushës, skuadra po tregon nivel të lartë.

Megjithatë, për momentin Xhaka është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.

Xhaka ka luajtur më parë me sukses të madh te Arsenal, përpara se të kalonte dy sezone te Bayer Leverkusen. Pas kësaj, ai vendosi të kthehej sërish në Angli, këtë herë te Sunderlandi.

Por vendimi i tij nuk u kuptua nga të gjithë. Madje, pati edhe njerëz që qeshën me zgjedhjen e tij, çka Xhaka e ka pranuar në një intervistë për BBC.

“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’”.

“Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani”.

“Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.

Derisa ishte i shëndoshë, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit, por ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe pesë asistime në 22 paraqitje në Ligën Premier.

Xhaka ka treguar se Sunderlandi ishte zgjedhja e duhur për të dhe familjen e tij.

“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu”.

“Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time”.

“Jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/

❌
❌