DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim
DAVOS, 23 janar /ATSH-AFP/ – Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, vlerësoi sot kritikat ndaj Evropës gjatë Forumit Ekonomik të Davosit duke i konsideruar ato një mundësi për reflektim dhe përmirësim.
”Evropa është denigruar mjaft ditët e fundit, por në thelb, kjo është gjë e mirë dhe duhet t’i falënderojmë ata që e denigrojnë”, tha Lagarde gjatë një diskutimi në mbyllje të forumit në Alpet Zvicerane.
Ajo shpjegoi se kritikat e bëra e kanë bërë Evropën të kuptojë më mirë se “duhet të përqendrohemi më shumë tek inovacioni, përmirësimi i produktivitetit dhe gjithçka tjetër”.
Në një fjalim shumë të ndjekur në Davos, presidenti amerikan Donald Trump kishte kritikuar ashpër Evropën, duke evidentuar dobësitë e aleatëve të tij.
Po ashtu, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu keqardhjen se Evropa është “fragmentuar” në vend që të shfaqet si “një fuqi e vërtetë globale”.
“Kemi dëgjuar shumë zhurmë këtë javë, por duhet të dallojmë sinjalet nga zhurma duke theksuar rëndësinë e të thënit të së vërtetës”, shtoi Lagarde.
“Besimi dhe e vërteta shkojnë së bashku. Ndërtimi i besimit kërkon kohë, por shkatërrimi i tij shumë pak”, tha ajo.
“Ka besim dhe afeksion të madh për popullin amerikan”, shtoi Legarde.
Lagarde gjithashtu bëri thirrje për “kujdes ndaj mënyrës se si shpërndahet pasuria dhe ndaj rritjes së pabarazive”./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.