Kurti: Asnjë amnisti për manipuluesit e votës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dënuar çdo tentativë manipulimi të votave brenda subjekteve politike, duke theksuar se individët që përfshihen në manipulime nuk do të përfitojnë amnisti.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash duke dëmtuar kolegë dhe subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë mbrojtëse e vullnetit politik të qytetarëve dhe se integriteti i procesit zgjedhor do të ruhet përherë.
Kryeministri në detyrë theksoi se Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe se çdo dyshim për manipulime duhet të trajtohet përmes ligjit.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, dhe këto raste nuk duhet të përsëriten kurrë më”, përfundoi ai.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu gjatë ditës së djeshme ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Sipas tij, gjithsej 121 persona janë ftuar për intervistim, prej të cilëve disa nuk janë paraqitur, ndërsa një pjesë janë konstatuar si të pafajshëm.
Ai shtoi se veprimet janë ndërmarrë ndaj personave të identifikuar, ku shumica prej tyre janë komisionerë. /Telegrafi/
