Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Ukraina, bisedime në Abu Dhabi/ Tryeza e parë SHBA-Rusi-Ukrainë që pas nisjes së luftës

By: Rovena
23 January 2026 at 18:52

Delegacionet nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zyrtarisht bisedimet tripalëshe në Abu Dabi pasditen e kësaj të premteje, me qëllim për të vendosur paqe në konfliktin e nisur 4 vite më parë.

Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët i bashkohen takimit pas një bisede me Vladimir Putin në Moskë, si dhe nga Josh Gruenbaum, një ndër këshilltarët e lartë të Bordit të Paqes.

Nga Ukraina në takim marrin pjesë disa nga zyrtarët e saj të lartë, përfshirë Rustem Umerov, kreun e këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të Ukrainës, Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelensky, negociatorin David Arakhamia dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Andrii Hnatov.

Bisedimet për palën ruse drejtohen nga admirali Igor Kostyukov, zëvendësshef i shtabit të përgjithshëm rus. I dërguari rus i investimeve Kirill Dmitriev është gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të mbajë një takim të veçantë me Witkoff.

Takimi trilateral me pjesëmarrjen e Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara vijnë pas takimit të Moskës që të dërguarit amerikanë mbajtën me Presidentin rus Vladimir Putin. Këto bisedime u konsideruan nga Kremlini si të sinqerta dhe konstruktive. Megjithatë, padakordësitë mes Kievit dhe Moskës vijojnë dhe problematika kryesore janë territoret.

Putin theksoi gjatë takimit me Steve Witkoff dhe Jared Kushner se nëse nuk zgjidhet kjo çështje sipas formulës territoriale të rënë dakord gjatë takimit me Donald Trump në Alaska, nuk ka shpresë as për një zgjidhje afatgjatë.

Lideri ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pikërisht çështja e territoreve do të jetë një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka pak detaje publike në lidhje me bisedimet në Abu Dabi, por Volodymyr Zelensky ka thënë se ato do të zgjasin dy ditë.

Bisedimet vijnë në një moment të vështirë për Ukrainën. Vendi ka qenë nën sulmet ruse që nga fillimi i këtij viti dhe infrastruktura e dëmtuar rëndë ka lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike këto ditë të ftohta dimri.

Ajo që bie sërish në sy është mungesa e zyrtarëve europianë në këto negociata. Presidenti ukrainas e shprehu qartë zhgënjimin e tij me aleatët në kontinent gjatë forumit të Davosit në Zvicër.

Në përgjigje të Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE ishte mbështetësja më e madhe e Ukrainës.

“Veprimet flasin më shumë se fjalët”, u tha ajo gazetarëve, por pavarësisht kësaj, roli i europianëve vitin e fundit në përpjekjet për arritjen e paqes ka qenë dytësor dhe liderët e kontinentit kanë vepruar vetëm kur situata dukej të ishte emergjente.

“Berisha gënjeshtra demokratëve”/ Bejko: Ka frikë se i lënë sheshin bosh! Rama 3-4 hapa para në ‘lojën politike’

By: Rovena
23 January 2026 at 18:26

Analisti politik Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit në opozitë dhe rolin e Sali Berishës në skenën politike shqiptare.

Sipas Bejkos, retorika e Berishës ndaj demokratëve synon vetëm mobilizimin e tyre artificial, ndërsa në realitet ai ka dështuar të prodhojë rezultate konkrete politike.

Analisti theksoi se veprimet e fundit të Berishës, përfshirë raportin me faktorin ndërkombëtar, kanë çuar në legjitimimin e kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar gjithë narrativën e ndërtuar më herët nga opozita. Bejko e cilësoi situatën si të dëmshme për Partinë Demokratike dhe vlerësoi se kriza aktuale brenda saj kërkon reflektim dhe ndryshim lidershipi.

“Berisha u hedh gënjeshtra demokratëve, që t’i mbajë të karikuar, që të mos i lënë sheshin bosh. Berisha jo vetëm që nuk e largoi Ramën me Trump, por dje Berisha legjitimoi Ramën, duke ia çuar Trump si kryeministrin e Shqipërisë. I ra e gjithë retorika. Gjithë këtë alibi i e krijoi Berisha, sepse jeton në realitete paralele. Ndërton një gjuhë politike dhe në fund ngelet pa gjë. Beriaha është vetëm një komedian që luan në politikën shqiptare. Është tragjike për demokratët.

Çdo gjë që thotë Berisha nuk duhet marrë seriozisht dhe nuk ka asnjë vlerë sot. Në datën 24 demokratët nuk duhet të protestojnë para kryeministrisë, por po të kishin mend duhet shkonin para selisë së PD dhe të kërkojnë dorëheqjen e Berishës. Rënia e Sali Berishës do te hapë procesin për rënien e Ramës. Berisha nuk prodhon politikë, por vetëm disa lëvizje kaotike. Rama vazhdon të jetë 3-4 hapa në këtë lojë politike para Berishës dhe të gjithë politikanëve të tjerë”, tha Bejo.

Berlini mbështet Shqipërinë në BE/ Ministri i Jashtëm: Moment vendimtar, vazhdoni reformat

By: Rovena
23 January 2026 at 18:05

Në një moment vendimtar për fatin europian, Gjermania i jep dritën jeshile Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Në vizitën e tij në Tiranë, Ministri i jashtëm dhe për Europën i Gjermanisë, Gynter Krishbaum bëri të qartë se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Berlinit Zyrtar.

“Ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Krichbaum.

Këtë të premte, Krishbaum zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, kreun e SPAK Klodjan Braho dhe eksponentë të mazhorancës dhe opozitës. Shqipëria është në pritje të mbylljes së grupkapitujve, ndaj Krishbaum nënvizoi se reformat duhet të vijojnë pa humbur kohë, si ato politike edhe në drejtësi.

“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shtoi Krichbaum.

Edhe në këtë vizitë, Ministri Gynther Krishbaum e shmangu Sali Berishën. Armiku i vjetër i kreut të PD, dikur e shpalli non grata për së dyti në emër të CDU, por sigurisht për Berishën atëherë edhe Krishbaum ishte mik i Lulzim Bashës.

SHBA nis luftanije drejt Iranit, OKB paralajmëron për numër të paprecedentë vdekjesh gjatë protestave

By: Rovena
23 January 2026 at 17:56

Luftanijet amerikane po shkojnë drejt Iranit, teksa zyrtarët iranianë po mbrojnë shtypjen brutale të protestave antiqeveritare, shtypje të cilën Kombet e Bashkuara po e cilësojnë si goditjen më vdekjeprurëse të Republikës Islamike ndaj popullit të saj që nga marrja e pushtetit gjatë revolucionit të vitit 1979.

Mes një bllokade disajavore të internetit, informacionet për përmasat e shtypjes së protestave – të cilat nisën me tregtarët në Teheran që protestuan kundër rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të valutës kombëtare – vazhdojnë të zbulohen ngadalë, teksa grupet për të drejtat e njeriut po mbledhin të dhëna nga spitalet dhe dëshmitarët okularë.

Agjencia e lajmeve e aktivistëve për të drejtat e njeriut (HRANA), me seli në SHBA, thotë se deri më 22 janar, pas 26 ditësh protesta, ka verifikuar 5.002 vdekje, përfshirë 201 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 9.787 vdekje të tjera janë ende duke u hetuar.

Mai Sato, raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, tha më 22 janar se numri i civilëve të vrarë gjatë shtypjes së protestave mund të tejkalojë edhe shifrën 20.000, ndërsa po dalin në dritë raporte nga mjekët.

Gjatë një mbledhjeje më 23 janar mbi ngjarjet në Iran, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësim të thellë për “përmasën e paprecedent të shtypjes së dhunshme të protestave paqësore nga forcat e sigurisë në Iran, raportet për vrasje pa gjyq të protestuesve, përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe përdorimin e tepruar dhe vdekjeprurës të forcës, që ka rezultuar me vdekjen e mijëra protestuesve paqësorë dhe plagosjen e shumë të tjerëve”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 22 janar se Shtetet e Bashkuara kishin një “flotë” që po nisej drejt Iranit, por shpresonte të mos i duhej ta përdorte atë, teksa përsëriti paralajmërimet ndaj Teheranit që të mos vriste protestues dhe të mos rifillonte programin e tij bërthamor.

“Kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë shumë nga afër… kemi një flotë… që po shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial teksa po kthehej në Uashington nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe disa luftanije të tjera të pajisura me raketa pritet të mbërrijnë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim.

Departamenti amerikan i Thesarit më 23 janar njoftoi për sanksione ndaj nëntë anijeve që janë pjesë e asaj që e quajti “flotë në hije” e Iranit, e cila transporton naftë dhe produkte nafte iraniane të sanksionuar nëpër botë.

“Sanksionet e sotme synojnë një komponent kritik të mënyrës se si Irani gjeneron fondet që përdoren për të shtypur popullin e vet. Siç është theksuar më parë, Thesari do të vazhdojë të gjurmojë dhjetëra milionë dollarët që regjimi ka vjedhur dhe po përpiqet t’i transferojë në banka jashtë Iranit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Mohammad Javad Haj Ali Akbari, një klerik me ndikim që udhëheq lutjes e së premtes në Teheran, tha më 23 janar se Irani do të hakmerrej për çdo sulm amerikan ndaj shtetit, përfshirë edhe duke shënjestruar investimet amerikane në rajon.

Kjo deklaratë erdhi pasi Ali Abdollahi Aliabadi, kreu i Shtabit Qendror Khatam-al Anbiya të Iranit, i cili koordinon ushtrinë dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, tha se çdo goditje ushtarake do t’i bënte të gjitha bazat amerikane në rajon “objektiva legjitime”.

Iranianët janë shkëputur nga bota e jashtme që nga 8 janari, kur autoritetet vendosën një bllokadë pothuajse të plotë të internetit në nivel kombëtar, teksa shtypja e protestave u ashpërsua.

Është e paqartë se kur do të rikthehen shërbimet, por edhe kur kjo të ndodhë, ekspertët druajnë se autoritetet do t’i detyrojnë iranianët të përdorin një “intarnet” të dizajnuar brenda vendit, që funksionon i pavarur nga interneti global.

Ukraina, Rusia dhe SHBA nisin bisedimet për fundin e luftës

By: Rovena
23 January 2026 at 17:29

Bisedimet e para trepalëshe mbi luftën midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së kanë filluar në Abu Dhabi, njoftojnë Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Bisedimet filluan sot në Abu Dhabi dhe janë planifikuar të vazhdojnë gjatë dy ditëve, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur dialogun dhe për të identifikuar zgjidhje politike për krizën”, tha ministri i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Çështja delikate e territorit do të diskutohet

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi sot se çështjet territoriale do të jenë në tryezën e diskutimit në Abu Dhabi.

Ato mbeten një pikë ngërçi, pasi Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë tokën që ende mban në rajonin lindor të Donetskut, që mendohet të jetë rreth 20%.

Zelensky ka refuzuar të heqë dorë nga toka që Ukraina e ka mbrojtur me sukses me kosto të lartë gjatë viteve të fundit.

 

BE do të pezullojë tarifat ‘hakmarrëse’ ndaj SHBA-së

By: Rovena
23 January 2026 at 16:59

Bashkimi Evropian do të pezullojë tarifat hakmarrëse për mallra amerikane me vlerë 93 miliardë euro për gjashtë muaj të tjerë, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq nga kërcënimi i tij për të vendosur taksa ndaj disa vendeve të BE-së që kundërshtuan përpjekjen e tij për të aneksuar Grenlandën.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së që merret me çështjet tregtare për bllokun, po planifikon të paraqesë një propozim për të zgjatur pezullimin e kundërmasave, i cili do të skadojë më 7 shkurt, sipas zëdhënësit Olof Gill.

“Ne e arritëm objektivin tonë nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe politike, të cilat do të jenë gjithmonë preferenca jonë, në vend që të ndjekim një spirale masash dhe kundërmasash”, u tha Gill gazetarëve në Bruksel të premten.

Anëtarësimi i Ukrainës në BE, Orban: Jo për 100 vitet e ardhshme

By: Rovena
23 January 2026 at 16:45

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka paralajmëruar se Ukraina do të ketë një rol aktiv në fushatën zgjedhore në Hungari, duke shtuar se ky fakt nuk është i këndshëm për qeverinë e tij.

“Duhet ta kemi parasysh që ukrainasit do të jenë lojtarë aktivë në fushatën zgjedhore në Hungari, sepse ata kanë një interes themelor në ndryshimin e qeverisë në vendin tonë”, tha ai, duke shtuar se, megjithëse kjo është e kuptueshme, nuk e bën situatën më të lehtë për Hungarinë. Kryeministri gjithashtu shprehu bindjen se për të paktën një shekull të ardhshëm, parlamenti hungarez nuk do të miratojë asnjë vendim për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Deklaratat e Orbanit vijnë në një kohë kur tensionet politike brenda Hungarisë dhe raportet me vendet fqinje janë në fokus. Analistët shohin këto komente si një sinjal të fortë për politikat e ardhshme të qeverisë në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe ndikimin e jashtëm në zgjedhjet kombëtare.

Ndryshe, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kritikuar qasjen pro-ruse të udhëheqësit të shtetit hungarez.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë në zyrën e Ramës/ Takohet dhe me kreun e SPAK: Në qendër lufta kundër krimit e korrupsionit

By: Rovena
23 January 2026 at 16:32

I Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho. Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:

„Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave,  si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.”

Ursula von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Europian

By: Rovena
22 January 2026 at 23:17

Komisionerja Ursula von der Leyen i ka mbijetuar sot në 22 janar, e enjte, një votëbesimi në Parlamentin Evropian, pas një mocioni mosbesimi të paraqitur nga grupi ekstremist i djathtë Patriots for Europe (PfE). Rezultati i votimit ishte i qartë: 390 eurodeputetë votuan kundër rrëzimit të Komisioneres, 165 në favor dhe 10 abstenime.

Për të rrëzuar Komisioneren, ishte e nevojshme që mocioni të kalonte një prag të dy të tretave të votave, që përfaqëson shumicën e të gjithë eurodeputetëve të pranishëm. Meqë ky prag nuk u arrit, von der Leyen mbetet në krye të Komisionit të BE-së. Ky vendim erdhi një ditë pas një sfide të rëndësishme për Komisionin. Parlamentit Evropian i kërkohet që të dërgojë marrëveshjen tregtare BE-Mercosur në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për shqyrtim.

Mocioni i mosbesimit i grupit PfE u fokusua kryesisht tek nënshkrimi i marrëveshjes tregtare me vendet e Amerikës Latine, duke argumentuar se Komisioni nuk dëgjoi fermerët dhe qytetarët dhe se ka tejkaluar kompetencat e veta. Protesta të organizuara nga asociacionet e fermerëve u mbajtën jashtë Parlamentit në Strasburg gjatë javës, ku protestuesit mbajtën pankarta dhe kënduan këngë kundër presidencës së von der Leyen, duke kërkuar dorëheqjen e saj. Megjithatë, shumica e grupeve politike e mbështetën presidenten e Komisionit.

Debati për mocionin u zhvillua të hënën në Strasburg, me Komisionerin për Tregtinë, Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Transparencën, Maros Sefcovic, që përfaqësoi Komisionin. Pothuajse asnjë nga liderët e grupeve politike nuk ishin prezent, gjë që tregoi se mocioni nuk kishte interes të madh dhe rezultati i votës ishte i paracaktuar. Përveç mbështetësve të mocionit, vetëm disa dhjetëra eurodeputetë të tjerë, kryesisht nga partitë ekstremiste të djathta, votuan për rrëzimin e Komisioneres, edhe pse shumë eurodeputetë kanë kritikuar marrëveshjen Mercosur dhe politikat e von der Leyen.

Eurodeputetët nga grupet kryesore si Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D), Reneu Europe dhe grupi i Gjelbër/ALDE mbështetën Komisioneren, me përjashtime të pakta. Për shembull, eurodeputetja holandeze e EPP-së, Jessika van Leeuuen nga Lëvizja Fermer–Qytetar (BBB), e cila kundërshton marrëveshjen BE-Mercosur, votoi për rrëzimin e von der Leyen. Grupi Europe of Sovereign Nations mbështeti plotësisht mocionin, ndërsa grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) u nda: eurodeputetët polakë, francezë dhe rumunë votuan kundër Komisioneres, ndërsa ata italianë, belgë dhe çekë e mbrojtën atë.

Shumica e ligjvënësve nga Grupi i Majtë nuk morën pjesë në votim; megjithëse grupi e kundërshton fuqishëm von der Leyen, ata nuk donin të mbështesnin një mocion që vinte nga e djathta ekstreme. Tetë eurodeputetë të këtij grupi votuan për mocionin, përfshirë ligjvënës nga Lëvizja Pesë Yjet e Italisë (M5S). “Ne jemi në opozitë dhe për këtë arsye gjithmonë duhet të votojmë kundër von der Leyen, pavarësisht nga burimi i mocionit të mosbesimit”, tha Pasquale Tridico, kreu i delegacionit M5S, për Euronews.

Kjo ishte hera e katërt e votëbesimit që mbahet në Parlamentin Europian gjatë mandatit të dytë të von der Leyen si kryetare e Komisionit. Të tre herët e mëparshme, të zhvilluara në korrik dhe tetor 2025, gjithashtu konfirmuan mbështetjen e Parlamentit për të, me mocione mosbesimi që nuk u afruan kurrë pranë pragut për miratim.

Vota e së enjtes tregoi edhe një rritje të mbështetjes për Komisioneren, duke marrë më shumë vota në favor sesa në votat e mëparshme. Kjo tregon se, megjithëse marrëveshja BE-Mercosur ka shkaktuar debate të forta dhe protesta, von der Leyen ende ka besimin e shumicës së Parlamentit Evropian.

Yesterday — 22 January 2026Main stream

Presidenti i Finlandës: Lufta në Ukrainë, një dështim i plotë strategjik për Putinin

By: Rovena
22 January 2026 at 22:52

Presidenti finlandez Alexander Stubb e ka quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë një “dështim të plotë strategjik për Vladimir Putinin”, në një sulm të ashpër ndaj udhëheqësit rus.

Duke folur në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Stubb tha se lufta e Putinit në Ukrainë ka shërbyer vetëm për të forcuar integrimin evropian, unitetin dhe investimet në mbrojtje.

“Kjo luftë është bërë një dështim i plotë strategjik për Vladimir Putinin”, ka thënë Stubb. “Ai e zgjeroi NATO-n, e bëri Ukrainën evropiane dhe i detyroi shtetet evropiane të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes. Dhe tani po pyesim veten nëse jemi të aftë të mbrohemi. Përgjigja ime është po”.

Moska gjithashtu është përpjekur të parandalojë zgjerimin e NATO-s, por lufta ka nxitur kombe më parë neutrale, përfshirë Suedinë dhe Finlandën, të bashkohen me aleancën, duke dyfishuar në mënyrë efektive madhësinë e kufirit të Rusisë me aleancën ushtarake perëndimore.

“Mendoj se ne jemi në të vërtetë në procesin e krijimit të një NATO-je më të fortë se sa kemi parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Kjo është në të vërtetë NATO 3.0”, shtoi ai.

Presidenti finlandez shtoi se Moska ka “zvogëluar sferën e saj të ndikimit”, duke deklaruar se “vendet në Azinë Qendrore dhe Kaukazin Jugor” tani po “distancëzohen nga e ashtuquajtura perandori ruse”.

Pas pothuajse katër vitesh lufte të ashpër, forcat e Moskës kanë arritur vetëm fitime të vogla në tokën ukrainase me një kosto prej qindra mijëra trupash të vdekura ruse.

Stubb pretendoi se Rusia ka pësuar rreth një milion viktima, duke vënë në dukje se përparimet e saj territoriale në Ukrainën lindore, që nga ofensiva e parë, arrijnë vetëm në rreth 2 përqind të tokës ukrainase.

Ai gjithashtu vuri në dukje vështirësitë në ekonominë ruse, duke vlerësuar se inflacioni mund të arrijë rreth 30 përqind këtë vit. Normat e interesit mbeten në 15 përqind, rritja ekonomike është ndalur dhe rezervat financiare janë varfëruar nga lufta e gjatë në Ukrainë, shtoi ai.

“Nuk ka rritje, nuk ka rezerva dhe nuk ka mundësi për të paguar ushtarët pasi të mbarojë lufta”, tha Stubb, duke theksuar se qytetarët rusë po frustrohen gjithnjë e më shumë nga çështjet ekonomike në vend, shumë prej të cilave janë të nxitura nga ekonomia e kohës së luftës.

Komentet e zotit Stubb erdhën përpara një takimi midis Putinit dhe të dërguarve të paqes të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të enjten.

Bisedimet për paqen në Ukrainë do të jenë takimi i 7-të i tillë midis zotit Witkoff dhe Putinit që kur Trump u rikthye në detyrë janarin e kaluar – por asnjëra nuk duket se ka bërë përparim të rëndësishëm drejt paqes.

Presidenti finlandez dyshon se Moska do ta miratojë planin 20-pikësh që po përpunohet nga Uashingtoni dhe Ukraina si pjesë e marrëveshjeve për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se është jetike të vazhdohet forcimi i mbështetjes për Ukrainën.

Rritet numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë

By: Rovena
22 January 2026 at 22:25

Numri i viktimave nga përplasja mes dy trenave të shpejtë në Spanjë ka arritur në 45, pasi trupat e dy burrave të tjerë u gjetën në një vagon të dëmtuar, tha Qeveria rajonale e Andaluzisë më 22 janar. Besohet se trupat u përkasin dy personave që figuronin si të zhdukur pas aksidentit, që ndodhi të dielën në mbrëmje. Identifikimi formal nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kordobës ende nuk është kryer.

Trupat u gjetën në një vagon që kishte rënë rreth katër metra poshtë hekurudhës dhe që kishte pësuar dëme të mëdha. Numri i të plagosurve nga aksidenti është 123, nga të cilët 31 vazhdojnë të jenë të shtruar në spital. Gjashtë persona ndodhen ende në kujdes intensiv, njoftuan shërbimet e emergjencës së Andaluzisë në X. Megjithatë, sipas tyre, asnjëri nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën.

Sipas Gardës Civile, në mesin e viktimave kishte tre shtetase të huaja, të gjitha gra: një nga Gjermania, një nga Rusia dhe një nga Maroku. Kryetari i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno, tha se nuk ka më persona të zhdukur dhe se kërkimet për viktima janë ndërprerë. Identifikimi i viktimave ka qenë i vështirë, prandaj autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që dyshojnë se mund të kenë humbur të afërm të ofrojnë mostra të ADN-së.

Dyzet e tre trupa të viktimave veçse janë identifikuar, por identiteti i tyre nuk është bërë publik. Shkaku i aksidentit, që është një nga më të rëndët në historinë e Spanjës, ende nuk dihet. Autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkaku të jetë dëmtimi i hekurudhës ose ndonjë defekt në njërin nga trenat. Vetëm dy ditë pas aksidentit të së dielës, një shofer treni vdiq pasi u aksidentua me një tren lokal në Gelida, në perëndim të Barcelonës. Dhjetëra pasagjerë u lënduan, pesë prej tyre rëndë.

Një tjetër aksident hekurudhor ndodhi të enjten, kur një tren i vogël lokal u përplas me një kran në Murci, në lindje të Spanjës dhe sipas autoriteteve gjashtë persona pësuan lëndime të lehta. Sindikata e shoferëve të trenave në Spanjë ka shpallur një grevë kombëtare treditore duke nisur nga 9 shkurti, për të mbështetur kërkesat për më shumë siguri dhe besueshmëri në rrjetin hekurudhor. Spanja ka rrjetin më të madh në Evropë për trenat e shpejtë me mbi 3 mijë kilometra hekurudhë që lidhin qytetet e mëdha përfshirë Madridin, Barcelonën, Seviljan, Valencian dhe Malagën./REL

Jared Kushner zbulon planin për Gazën/ Neziri: Herët për të folur. Krisafi: Gjithçka varet nga Hamasi

By: Rovena
22 January 2026 at 22:03

Jared Kushner ka zbuluar një plan të ri për Gazën, i cili sipas analistëve përfaqëson një rikthim të idesë së ashtuquajtur “Riviera e Gazës”, por me shumë pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e tij.

I ftuar në emisionin “Ëar Report” në ABC Neës, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi theksoi se suksesi i planit varet nga gatishmëria e Hamasit për t’u çarmatosur, një proces që mbetet tepër i vështirë dhe me rrezik për përshkallëzim konflikti.

Ndërkohë, kolonel Sami Neziri vuri në dukje se çarmatimi i Hamasit, tërheqja e Izraelit dhe financimi janë pikat më të dobëta të planit, duke e konsideruar ende herët për të folur për zbatimin e tij konkret.

Ledion Krisafi: Ky është rikthim për planin e Rivierës së Gazës, por gjithçka varet se sa i gatshëm është Hamasi të heqë dorë, nëse nuk heq dorë kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u bërë dhe rrezikon që të ketë një luftë për çarmatosje. Hamasi jo vetëm që nuk është çarmatosur, por ka filluar të marrë më shumë terren. Ajo që bie në sy është fakti që nuk është i përfshirë pala palestineze në plan, kërkohet vetëm që të merren disa territore falas për ngritur hotele dhe kazino luksoze.

Sami Neziri: Pika më e dobët është çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja e Izraelit, një problem tjetër është financimi. Është shume herët për të folur, do të ketë një rishikim të planit.

Merz në Davos: Bota nuk është më ‘një vend komod’

By: Rovena
22 January 2026 at 21:34

Kancelari gjerman Friedrich Merz të enjten lëshoi një thirrje zgjimi për aleatët e tij evropianë, duke i nxitur ata të përshtaten shpejt me faktin se rendi i vjetër botëror po “shpërbëhet me një ritëm marramendës”.

Merz iu drejtua Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, vetëm disa orë pas një kthese të madhe në lidhje me Grenlandën nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili tërhoqi kërcënimet e tij për përdorimin e forcës për të marrë kontrollin mbi ishullin Arktik që është pjesë e aleatit të NATO-s, Danimarkës.

Trump tha gjithashtu se do të përmbahej nga vendosja e tarifave shtesë për një grup aleatësh evropianë të NATO-s që kanë kundërshtuar përpjekjen e tij për ta marrë ishullin, e cila do të kishte përfshirë edhe Gjermaninë.

Ndërsa kthesa erdhi si një lehtësim i madh për udhëheqësit evropianë, Merz e përdori fjalimin e tij në mbledhjen e politikëbërësve dhe elitave të biznesit për të përcjellë mesazhin se bota ka hyrë në “një kohë të politikës së fuqive të mëdha”.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia shënoi fillimin e “një epoke të re, por ndryshimi është shumë më i thellë”, tha udhëheqësi gjerman.

“Kina, me largpamësi strategjike, është futur në radhët e fuqive të mëdha”, tha Merz.

“Pozicioni kryesor global i Shteteve të Bashkuara po sfidohet dhe Uashingtoni po reagon duke riformësuar rrënjësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë”.

Rendi i ri botëror, tha Merz, është “ndërtuar mbi pushtet, mbi forcë dhe kur bëhet fjalë për të, me forcë. Nuk është një vend komod”.

Por Merz, i cili udhëheq ekonominë më të madhe të Evropës, theksoi gjithashtu se bota nuk ishte “në mëshirë” të rendit të ri, duke u bërë thirrje partnerëve evropianë të ngushtojnë radhët dhe të rrisin bashkëpunimin për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe konkurrencën ekonomike në mënyrë që të mbizotërojnë.

“Ne kemi një zgjedhje. Ne mund ta formësojmë të ardhmen. Për të pasur sukses, duhet të përballemi me realitete të ashpra dhe të hartojmë kauzën tonë me realizëm të qartë”.

“…Le të mbajmë mend, forca jonë më e madhe mbetet aftësia për të ndërtuar partneritete dhe aleanca midis të barabartëve bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë.”

Ndërsa duke iu referuar “trazirave të fundit gjeopolitike”, Merz përshëndeti kthesën e Trump për Grenlandën, duke thënë “kjo është rruga e duhur për të ecur”.

Gjermania mbështet bisedimet midis Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së, theksoi Merz, pasi Trump la të kuptohej për një marrëveshje të mundshme mbi Groenlandën pas bisedimeve me Sekretarin e NATO-s Mark Rutte të mërkurën në mbrëmje.

Por Merz nuk u tërhoq nga mbështetja e tij për integritetin territorial të Grenlandës.

“Çdo kërcënim për të përvetësuar territorin evropian me forcë do të ishte i papranueshëm. Dhe zonja dhe zotërinj, tarifat e reja do të minonin gjithashtu themelet e marrëdhënieve transatlantike”, tha ai.

Megjithatë, ai pranoi se aleatët evropianë “duhet të bëjnë më shumë për të siguruar veriun e lartë si NATO” dhe u zotua se Gjermania do të rriste përfshirjen e saj në mbrojtjen e rajonit të Arktikut.

“Ne do ta mbrojmë Danimarkën, Grenlandën, veriun, nga kërcënimi që paraqet Rusia. Ne do t’i përmbahemi parimeve mbi të cilat është themeluar partneriteti transatlantik, përkatësisht sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Ivanka Trump nga Vlora në Tiranë/ Vajza e Presidentit të SHBA viziton Kryeministrinë

By: Rovena
22 January 2026 at 21:11

Nga Vlora në Tiranë! Pas udhëtimit të kryeministrit Edi Rama në Vlorë për ta takuar, ishte radha e Ivanka Trump, vajzës së presidentit Donald Trump për t’ia kthyer vizitën.

Në mbrëmjen e së enjtes, ajo ndaloi përpara kryeministrisë, ku bëri një vizitë në institucion së bashku me kreun e ekzekutivit.

Gjatë paradites, Ivanka Trump iu drejtua zonës së Zvërnecit, një prej pikave me interes të veçantë natyror e turistik në jug të vendit, e jo më pak larg optikës së saj është zona e Portonovës.

Me vizitat e saj është bërë i qartë interesi i veçantë i vajzës dhe dhëndrrit të presidentit Trump për Vlorën, e më konkretisht për Sazanin dhe Zvërnecin.

Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Rama udhëtoi drejt Vlorës për të darkuar me vajzën e presidentit Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Biseda u përqendrua në projektet dhe idetë e reja të zhvillimit, të lidhura me investime strategjike dhe vizionin urbanistik në zonën e Vlorës.

Pas darkës, kryeministri Rama dhe Ivanka Trump u larguan me automjet në drejtim të Orikumit.

Vizita e Ivankës dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner lidhen drejtpërdrejtë me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.

Vlora, si një prej portave kryesore natyrore të jugut, pritet të marrë një forme te re, pasi do te investohen mbi 1 miliardë dollarë.

Bordi i Paqes/ Abazi: Asnjë konsensus për pjesëmarrjen e Kosovës. Mema: Nuk ndikon në anëtarësimin e Shqipërisë në BE

By: Rovena
22 January 2026 at 20:28

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC Neës krijimin e Bordit të Paqes për Gazën, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova.

Abazi e cilësoi këtë nismë si një vendim me “dorë të fortë”, duke theksuar se ndikimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këto procese mbetet i kufizuar dhe se mungon konsensusi i brendshëm, veçanërisht në Kosovë. Ai kritikoi gjithashtu përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani në nisma të tilla pa debat paraprak, ndërsa vlerësoi veprimin e kryeministrit Edi Rama si një lëvizje strategjike në arenën ndërkombëtare.

“Kemi të bëjmë me një vendim me dorën e fortë. Mund të ketë një impakt të momentit, por përllogaritja e Kosovës dhe Shqipërisë në këto procese janë marxhinale. Më vjen keq që presidentja Vjosa Osmani ka filluar të bëhet pjesë e këtyre nismave të jashtme, pa pasur një konsensus. Rama ka bërë një veprim të duhur, sepse synon që ta nënshkruajë fjalimin në Shtëpinë e Bardhë. Nëse mbetemi tek tentativa për të bërë një politikë të jashtme përmes fotove, i bie që nuk e kemi marrë akoma seriozisht rrezik. Në Kosovë nuk pati asnjë diskutim për bordin”, tha Haki Abazi.

Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema ngriti pikëpyetje mbi rolin dhe të ardhmen e Bordit të Paqes, duke paralajmëruar se kjo strukturë mund të sfidojë autoritetin e OKB-së dhe të mos ketë jetëgjatësi, pa ndikuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Kemi dy pasoja, ajo e marrëveshjes me BE, nuk mendoj që do të ketë ndikim në anëtarësimin e Shqipërisë, e dyta është e ardhmja në rendin botëror. Bordi i Paqes del paralele dhe sfidon OKB-në. Unë Bordin e Paqes e shikoj si  një iniciativë të ngjashme me atë të Rusisë dhe Kinë, që cenon integritetin e OKB-së. Kemi duke përforcuar një organizatë që sfidon OKB-në dhe në rastin më të keq na bën ne të dalim huq, sepse mendoj që nuk do të ketë një jetëgjatësi. Nuk mendoj se në të ardhmen do të ketë një Bord të Paqes”, tha Mema.

❌
❌